Obligueshmëria e Haxhit dhe Umras, si dhe sevapi i tyre – Munteka el Ahbar – Mexhd Iben Tejmije – me gjykimet e shejh Albanit per hadithet – Punoi Bledar Albani

 

1. Transmetohet nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na mbajti hutbe dhe tha: O njerëz! Allahu ua ka bërë obligim Haxhin, ndaj bëni haxh. Një burrë tha: A në çdo vit, o i Dërguari i Allahut? Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) heshti, deri sa ai e përsëriti tre herë, pastaj tha: Sikur të thosha “Po”, do t’iu bëhej obligim dhe ju nuk do të mundeshit.” E transmeton Ahmedi, Muslimi dhe Nesai. Në këtë hadith ka argument se urdhëri nuk nënkupton përsëritjen e kryerjes së të urdhëruarës.

2. Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na mbajti hutbe dhe tha: O njerëz! Juve u është bërë obligim haxhi. El Ekraa ibën Habis u ngrit dhe tha: A për çdo vit, o i Dërguari i Allahut? – Sikur ta thosha, do të bëhej obligim (çdo vit) dhe sikur të bëhej obligim, ju nuk do t’a kryeni atë dhe as nuk do të mundeni ta kryeni. Haxhi është i detyrueshëm vetëm një herë (në jetë) dhe kush shton më tepër, ai është haxh vullnetar për të.” E transmeton Ahmedi dhe Nesai me të njëjtin kuptim. [Sahih – Nesai 2620].

3. Transmetohet nga Ebu Razin el Akili se: “Ky shkoi te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: Babai im është plak i madh dhe nuk mundet që të bëjë haxh e as umra, madje as të ecë. – Atëherë bëj ti haxh dhe umra për babanë tënd, tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).” E transmetojnë të pestë, ndër të cilët Tirmidhiu e ka konsideruar të saktë. [Sahih – Ebu Daudi 1810, Tirmidhiu 930, Nesai 2621, Ibën Maxheh 2906].

4. Transmetohet nga Aisha se ka thënë: “Thashë: O i Dërguari i Allahut! A ka xhihad të detyruar për gratë? – Po, tha ai, për to ka xhihad pa luftë në të; haxhi dhe umra.” E transmeton Ahmedi dhe Ibën Maxheh. Senedi i tij është i saktë. [Sahih – Ibën Maxheh 2901, Irvaul Galil 981].

5. Transmetohet nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “U pyet i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se cila vepër është më e mirë? Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Besimi në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij. – Po pastaj, cila? – Pastaj xhihadi në Rrugë të Allahut. – Po pastaj, cila? – Haxhi i pranuar që është bërë sipas dispozitave.” Muttefekun alejhi.

Ky hadith është argument për atë që paraprin haxhin vullnetar para sadakasë vullnetare.

6. Transmetohet nga Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: “Ndërkohë që ishim të ulur tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), aty erdhi një burrë dhe tha: O Muhamed! Ç’është Islami? – Islami është të dëshmosh se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, të falësh namazin, të japësh zekatin, të bësh haxhin dhe umran, të lahesh nga xhenabeti, të plotësosh abdesin, të agjërosh Ramazanin …” dhe përmendi hadithin deri në fund, e në të thuhet: “Ky ishte Xhibrili. Ai erdhi që t’iu mësojë fenë tuaj.” [Sahih – Irvaul Galil 3].

E transmeton Darakutni dhe thotë: Senedi i tij është i qëndrueshëm dhe i saktë. E transmeton gjithashtu Ebu Bekër el Xheuzki në librin e tij të nxjerë sipas kushteve të dy Sahihave.

7. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nga umra në umra ka falje gjynahesh ndërmjet tyre, ndërsa haxhi i pranuar (i kryer sipas rregullave) nuk ka shpërblim tjetër veçse xhenetin.” E transmeton grupi, përveç Ebu Daudit.