Shkëputur nga libri “Bindjet e fraksioneve muslimane dhe feve të tjera rreth melaikeve të ndershme”
Autor: Dr. Muhamed ibën Abdulvehab El Akil
Mësimdhënës në Universitetin Islamik të Medinës
Përktheu: Fidan Xhelili

Përkufizimi i melaikeve gjuhësisht dhe zanafilla e emrit të tyre

El melaike është shumësi i fjalës mele-ekun dhe melekun, ndërsa pa zanoren “e”është më i përdorur dhe më i njohur tek arabët, domethënë melekun, sepse ata thonë “melekun minel melaike”, një melek nga melaiket . Ata ia heqin “hemzen – e”, mirëpo kur e shndërrojnë në shumës, atëherë e kthejnë prapë në rrënjën e fjalës dhe thonë “melaike”. Thuhet “elekenij-erselenij”, d.m.th. më ka dërguar mua. Nisur nga kjo, emri i tyre nxirret nga “el eluketu”, e ajo është “err-rrisale”, që do të thotë mesazh, dërgesë.
Pra, melaiket janë të Dërguarit e Allahut me atë që dëshiron Allahu te krijesat e Tij. Allahu kështu i ka quajtur në shumë citate, si p.sh: “E kur të dërguarit Tanë i erdhën Lutit, ai u keqësua për ta dhe u ngushtua rëndë me ardhjen e tyre e tha: “Kjo është ditë e vështirë!” (Hud: 77). Gjithashtu Allahu thotë: “Ai (Ibrahimi) tha: “E ç’është puna juaj, o ju të dërguar?” (Dharijat: 31)
Të këtij mendimi janë shumica e gjuhëtarëve dhe komentatorëve të Kur’anit.
Thuhet se rrënja e këtij emri është nga “el melk”, që do të thotë marrje me forcë, po ashtu është thënë se rrjedh nga fjala “malik”. Thuhet se janë quajtur kështu për shkak të marrjes në përgjegjësi të punëve që u janë ngarkuar nga Allahu në çështjet e kozmosit, sikurse quhet mbret (melik) ai që merr përsipër çështjet e njerëzve në tokë. Mirëpo thënia se rrënja e emrit është nga el-eluketu, që do të thotë mesazhi është më e afërt dhe më e qëlluar gjuhësisht dhe kuptimisht, ndërsa dy thëniet e tjera që përmendëm janë nga cilësitë e melaikeve alejhimus-selam.

Sqarimi i realitetit të melaikeve siç janë përmendur në Kur’an dhe Sunnet

Ajo që tregon Kur’ani, Sunneti dhe konsensusi i muslimanëve është se melaiket janë krijesa nga krijesat e Allahut të Madhërishëm; i ka krijuar ato që ta adhurojnë Atë, siç i ka krijuar xhinët dhe njerëzit për adhurim. Melaiket janë qenie të gjalla, të mençura dhe flasin. Bota e melaikeve është botë që ndryshon nga bota e xhinëve dhe njerëzve, edhe pse të gjithë janë krijesa nga krijesat e Allahut, mirëpo melaiket janë krijesa të ndershme, të pastra. Allahu i ka zgjedhur në këtë botë që të jenë afër Tij dhe që të kryejnë urdhrat e Tij, si urdhrat në kozmos (el kevnije) ashtu edhe ato sheriatike (esh-sher’ije). Allahu i bëri melaiket të dërguar dhe ambasadorë të Tij, që ta çojnë shpalljen te krijesat e Tij, pra i nderoi me këtë vepër. Kështu i ka cilësuar Allahu në Kur’an: “E ata thanë: “I Gjithëmëshirshmi ka fëmijë!” Larg saj qoftë madhëria e Tij! Jo, ata janë robër të ndershëm! Që nuk flasin para Tij,
ata veprojnë me urdhrin e Tij. Ai (Allahu) e di çka vepruan më parë dhe çka do të veprojnë, dhe ata nuk përpiqen të ndihmojnë pos për atë me të cilin është i kënaqur Ai, e ata nga frika prej tij janë të kujdesshëm. Ndërsa, kush thotë prej tyre se unë jam zot pos Tij, ndëshkimi për të është xhehenemi. Kështu i ndëshkojmë Ne zullumqarët.” (Enbija: 26-29)
Allahu me këto citate e qartësoi realitetin e melaikeve duke treguar se ato janë krijesa të ndershme, të cilat i krijoi për adhurim ndaj Tij. Ai e ngriti pozitën e tyre dhe i nderoi ato, mirëpo me gjithë këtë nderim ato nuk dolën nga pozita e të qenët robër të Allahut dhe nuk kanë mundësi për një gjë të tillë, edhe sikur të pretendonte ndonjë prej tyre Allahu do ta dënonte me zjarr. Më vonë do të sqarojmë realitetin e melaikeve dhe gjërat që i dallojnë ato nga bota e xhinëve dhe njerëzve.

Pozita e besimit në melaike dhe gjykimi i mohimit të tyre

Besimi në melaike është shtylla e dytë nga gjashtë shtyllat e besimit, pa të cilat besimi i njeriut nuk është i saktë dhe nuk është i pranuar.
Kur’ani është i mbushur me përmendjen e melaikeve, llojeve të tyre, pozitave të tyre, urdhëron në besimin në to dhe tërheq vërejtjen nga mohimi i tyre, sqaron raportet e melaikeve me Allahun dhe me njerëzit, madje sqaron edhe detyrat që kanë, ndërkohë që një sure në Kur’an quhet me emrin e tyre.
Allahu nganjëherë emrin e Tij e bashkon me të melaikeve dhe besimin në Të e kushtëzon me besimin në melaike. Mirësia nuk arrihet ndryshe vetëm se duke besuar në melaike. Allahu thotë: “Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t’i ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut, Ditës së Gjykimit, engjëjve, librit, Pejgamberëve…” (Bekare: 177)
Kur’ani tregon se Pejgamberi dhe ata që besuan me të janë besimtarë, vërtetues të asaj që është zbritur tek ata nga Zoti i tyre dhe këtu hyn edhe besimi në melaike. Allahu thotë: “I Dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të Dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të Dërguarit e Tij dhe thanë: “Iu përgjigjëm thirrjes dhe respektuam urdhrin. Kërkojmë faljen tënde o Zoti ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë.” (Bekare: 285)
Nganjëherë dëshminë e melaikeve Allahu e bashkon me dëshminë e Tij për të sqaruar madhështinë e dëshmisë së melaikeve. Allahu thotë: “Allahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët…” (Alu Imran: 18)
Kështu, në shumë citate Allahu i përmendi melaiket, i lavdëroi ato për punën, adhurimin, sinqeritetin dhe vendosmërinë në të vërtetën, ndërsa neve na urdhëroi që të besojmë në të gjithë këtë, prandaj ne jemi besimtarë në këtë dhe vërtetues të saj, i duam melaiket dhe i lavdërojmë ato me të gjitha fjalët. Kur’ani dhe Sunneti na tregojnë shumë gjëra rreth melaikeve, duke sqaruar atë që është përgjithësuar në Kur’an, duke urdhëruar të besohet në melaike siç urdhëroi Kur’ani. Këtu mund të përmendim hadithin e njohur të Xhibrilit, se “besimi është të besosh në Allahun, melaiket e Tij, librat e Tij, të Dërguarit e Tij, Ditën e Fundit dhe të besosh në caktimin, të mirën dhe të keqen.”
Ibën Ebil Izz el Hanefij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu i Lartësuar besimin e konsideroi të besuarit në këto gjëra dhe atë që beson në këto gjëra e quajti besimtar.”
Hadithet në këtë kontekst janë të shumta dhe ne do të përmendim disa prej tyre në temat në vijim.
Muslimanët unanimisht besojnë në melaike dhe e konsiderojnë besimin në to në mesin e besimeve obligative të muslimanëve. Allahu ka gjykuar me kufër (mosbesim) për ata të cilët mohojnë ekzistimin e tyre dhe mosbesimin në melaike e bëri mosbesim në Allahun. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush nuk i beson Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të Dërguarve të Tij dhe botës tjetër, ai ka humbur tepër larg.” (Nisa: 136)
Kush nuk beson në melaike, e mohon ekzistencën e tyre dhe i komenton ato si gjëra shpirtërore e mendore duke mohuar ekzistencën e tyre si trupa, vetëm se ka përgënjeshtruar Allahun dhe Pejgamberin e Tij. Kush është në këtë gjendje, Allahu na ruajttë, është mohues i Allahut (qafir).

 

Domethënia e besimit në melaike

Tema e parë:
Besimi i përgjithshëm në melaike

Besimi në Allahun, melaiket, librat, Pejgamberët, Ditën e Gjykimit, caktimin në të mirën dhe në të keqen është obligim, pra duhet të besohen në mënyrë të përgjithshme. Nuk vërtetohet besimi i njeriut vetëm se me këtë. Sa më shumë t’i shtohet njeriut dituria në detajet e këtyre gjërave, aq më tepër i shtohet obligimi që të besojë në to dhe me këtë i shtohet edhe besimi, siç thotë Allahu: “E kur zbret ndonjë kaptinë, ka prej tyre që thonë: “Cilit prej jush ia shtoi kjo besimin?” Sa u përket atyre që besuan, atyre u shtohet besimi dhe gëzohen për të.” (Et-Tevbe: 124) Allahu thotë: “E mbikëqyrës të zjarrit Ne nuk bëjmë tjetër përveç engjëjve dhe numrin e tyre (të përmendur në Kur’an) nuk e bëmë për tjetër, por vetëm si sprovë për ata që nuk besuan, e që të binden ata që u është dhënë libri, e atyre që besuan t’u shtohet edhe më besimi…” (El Mud-deth-thir: 31)
Këtu ekziston një çështje shumë me rëndësi, që shumica e njerëzve e anashkalojnë, e ajo është se ky besim obligativ nuk arrihet ndryshe vetëm se duke mësuar, prandaj mësimi i këtyre gjërave në mënyrë të përgjithshme është obligim për çdo musliman.
Imam Ibn Abdil Berri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dijetarët kanë rënë në ujdi se diçka nga dija është obligim të dihet për çdo person e diçka është obligim kolektiv. Nëse ndokush e kryen, bie obligimi nga të tjerët. Ajo që është obligative për të gjithë, ku njeriut nuk i lejohet injoranca ndaj saj, janë shtyllat obligative si për shembull dëshmia me gojë dhe bindja me zemër se Allahu është i vetëm dhe nuk ka ortak, se nuk i përngjan askush Atij, nuk ka lindur askënd dhe nuk është i lindur dhe Atij askush nuk i është i barabartë, se Ai është Krijues i çdo gjëje, se tek Ai kthehet çdo gjë, se Ai është Ngjallësi, se i bën të vdesin krijesat e Ai nuk vdes, se është i cilësuar me emrat dhe cilësitë e Tij, i pafillim dhe i pambarim, se Ai qëndron mbi Arsh”. Pastaj ky dijetar përmendi pjesë të tjera të besimit dhe shtyllat e fesë. Kjo çështje është e rrezikshme e shumë prej njerëzve e anashkalojnë dhe pajtohen m
e injorancën e tyre duke menduar se njohja e këtyre gjërave nuk është obligative për ta, duke kundërshtuar kështu Kur’anin, Sunnetin e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe konsensusin e muslimanëve.
Besimi i përgjithshëm në melaike përfshin këto gjëra:

1. Miratimi i ekzistimit të melaikeve dhe se ato janë krijesa nga krijesat e Allahut. Allahu i krijoi që ta adhurojnë Atë dhe se ekzistenca e tyre është e vërtetë, ndërsa pamundësia jonë për t’i parë nuk argumenton se ato nuk ekzistojnë. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem i ka parë disa prej tyre në pamjen e tyre origjinale. Pejgamberët, njerëzit e mirë dhe sahabët i kanë parë melaiket në pamjen e njerëzve. Melaiket janë të dërguarit e Allahut te krijesat e Tij me atë që do Allahu nga shpallja apo edhe me diçka tjetër. Më vonë do të japim edhe sqarimin e kësaj pike.
2. Dhënia e pozitës që u ka dhënë Allahu, vërtetimi se janë krijesa të Allahut, të urdhëruara dhe të ngarkuara me obligime, se nuk posedojnë mundësi që të kryejnë diçka përveç asaj që u ka mundësuar Allahu. Allahu i ka nderuar dhe e ka ngritur pozitën e tyre, disa i ka bërë më të vlefshëm se disa të tjerë, megjithëkëtë melaiket nuk zotërojnë për vete dhe as për dikë tjetër asgjë përveç asaj që do Allahu. Duke qenë kështu, është rreptësisht e ndaluar t’u atribuohet diçka prej llojeve të adhurimeve e jo më të cilësohen me cilësi hyjnore, siç pretendojnë të krishterët.
3. Besimi në atë që është thënë për to në Kur’an dhe Sunnet.
4. Besimi i melaikeve që Allahu i ka përmendur me emra, i pranojmë ata emra dhe pohojmë se Allahu ka melaike, në mesin e të cilëve janë Xhibrili, Mikaili dhe Israfili. Për çdonjërin që Allahu e ka emërtuar nga melaiket është obligim të besojmë në emrin e tij, kurse ata që nuk janë emërtuar i besojmë përgjithësisht.
Ky është besimi i përgjithshëm në melaike alejhimus-selam, i cili është obligim për çdo musliman dhe muslimane që ta mësojnë. Hollësitë për këtë do të vijnë më pas, me emrin e Allahut.

Tema e dytë
Krijimi i tyre dhe urtësia e këtij krijimi

Çështja e parë: Lënda e krijimit të melaikeve
Allahu i Madhërishëm i ka krijuar melaiket nga drita, siç vërtetohet në koleksionin autentik të Imam Muslimit nga hadithi i Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e cila thotë se i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Janë krijuar melaiket nga drita dhe janë krijuar xhinët nga zjarri, ndërsa Ademi u krijua nga ajo që u është treguar juve.”
Kjo dritë me të cilën janë krijuar melaiket është krijesë që nuk ka dyshim. Allahu e ka krijuar së pari atë, pastaj nga ajo ka krijuar melaiket, sikurse e ka krijuar së pari zjarrin e pastaj nga ai xhinët, gjithashtu ka krijuar njëherë dheun e pastaj nga ai Ademin alejhi selam.
Fraza “dhe u krijua Ademi nga ajo që u është treguar juve” do të thotë ajo që Allahu na ka përmendur në Kur’anin Fisnik, siç është fjala e Allahut: “Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj një njeri nga balta dhe kur ta kem përsosur atë dhe t’i kem dhënë nga ana Ime shpirt, ju menjëherë përuljuni atij (në sexhde).” (Sad: 71-72)
Dhe fjala e Allahut: “Allahu ju krijoi prej dheu, mandej prej një pike uji, e pastaj ju bëri çift…”(Fatir: 11)
Dhe fjala e Allahut: “Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) tek Allahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu, e pastaj atij i tha: “Bëhu!”, ai u bë.” (Ali Imran: 11)
Allahu bashkoi në mes krijimit të Ademit alejhi selam dhe krijimit të shejtanit në shumë citate të Kur’anit, si p.sh.: “(Allahu) Tha: “Çfarë të pengoi ty të bësh sexhde, kur Unë të urdhërova?” Ai (Iblisi) tha: “Unë jam më i vlefshëm se ai, më krijove mua nga zjarri, e atë e krijove nga balta!” (El Earaf: 12)
Edhe Sunneti ashtu e ka cilësuar krijimin e Ademit alejhi selam, lëndën dhe kohën e krijimit të tij, si p.sh. hadithi i sapopërmendur, d.m.th. hadithi i Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.
Gjithashtu, transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Allahu e krijoi Ademin, gjatësia e tij ishte gjashtëdhjetë kut.”
Transmetohet nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur Allahu e ka krijuar Ademin në xhennet, e ka lënë sa deshi Allahu ta lërë, ndërkohë filloi Iblisi të sillej rreth tij dhe shikonte se çfarë ishte. Kur pa se ishte i zbrazët , e diti se paska krijuar krijesë që nuk përmbahet.
Transmetohet nga Ebu Musa El Eshariu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Allahu e ka krijuar Ademin nga një grusht dhe, të cilin e mori nga e gjithë toka. Për këtë arsye bijtë e Ademit kanë ardhur sipas llojit të tokës: të kuq, të bardhë, të zinj dhe të ngjashëm, të lehtë dhe të vështirë, të këqij dhe të mirë.”
Hadithet në këtë kontekst janë të shumta.

Ndërsa sa i përket krijimit të melaikeve, Kur’ani nuk ka përmendur në mënyrë të detajuar siç ka përmendur në krijimin e xhinëve dhe njerëzve, mirëpo ka sqaruar se melaiket janë krijesa nga krijesat e Tij, i ka krijuar për adhurim, i ka nderuar dhe i ka ngritur në pozitë të lartë dhe nuk u takon asgjë më tepër, janë krijesa të ndershme dhe nuk i paraprijnë Allahut me fjalë, kurse urdhrin e Tij e zbatojnë.
Ky përgjithësim, Allahu e di më së miri, ka ardhur për arsye se besimi në to është diçka që Allahu i sprovoi robërit e Tij. Atëherë kush e vërteton Allahun në atë që ka lajmëruar, ai është besimtar, ndërsa kush e përgënjeshtron, ai është në të kundërtën, Allahu na ruajttë!
Edhe Sunneti nuk ka dhënë ndonjë detaj në lidhje me lëndën e krijimit të melaikeve, edhe pse shpeshherë përmenden cilësitë e tyre, adhurimet, punët dhe llojet e tyre, por nuk kam gjetur asnjë hadith autentik që flet për lëndën e krijimit të melaikeve, përveç hadithit të Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, të cilin e cekëm më lart.

Edhe pse unë kam gjetur transmetime të këputura, gjithashtu edhe fjalë sahabësh (mevkufe), të cilat flasin në mënyrë të detajuar në lidhje me lëndën e krijimit të melaikeve. Këtu mund të përmendim atë që transmeton Imam Abdullah ibn Imam Ahmedi në librin e tij “Es-sunet” dhe Ebu Esh-Shejh në “El Adhame” dhe shumë të tjerë nga Abdullah ibn Amr ibn Asi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ka thënë: “Allahu i krijoi melaiket nga drita e krahut dhe e gjoksit.” Rreth këtij transmetimi kanë folur dijetarët dhe kanë qartësuar se nuk është i saktë dhe se argumentimi me të në çështje të akides është jo i drejtë.
Imam Bejhekiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “ky transmetim është fjalë e Abdullah ibn Amr ibn Asit dhe transmetuesi nga ai është person i paemërtuar, d.m.th se është i këputur transmetimi. Më është thënë se Sufjan ibn Ujejne e transmeton nga Hisham ibn Urve e ai nga babai i tij, e ai nga Abdullah ibn Amri. Nëse vërtetohet kjo, duhet të dihet se Abdullah ibn Amri shikonte në librat e të parëve (israilijate) dhe kjo nuk e ngre tek i Dërguari i Allahut. Mendohet se e ka marrë nga këta libra, pastaj nuk është larg që “dy krahët” dhe “gjoksi” janë nga emrat e disa krijesave të Allahut, sepse është përmendur se disa yje janë quajtur “dy krahët”. Në hadithin autentik, të cilin e transmeton Urve nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, i Dërguari i Allahut ka thënë: “Janë krijuar melaiket nga drita.” Kështu ka ardhur, në mënyrë të përgjithësuar”, përfundon fjala e Imam Bejhekiut.

Siç shihet, në hadithin e Abdullah ibn Amr ibn Asit shprehja “nga drita e dy krahëve dhe gjoksit” është shprehje shtesë që është futur në hadithin e tij gabimisht. E themi këtë për disa arsye:
a) -Kundërshtimi i kësaj shprehjeje me atë që është vërtetuar nga i Dërguari i Allahut në hadithin e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj.
b) -Shëmtimi i kësaj fjale, në disa transmetime thuhet “nga drita e kraharorëve dhe gjoksit të tij.”
c) -Është transmetuar nga vetë Abdullah ibn Amr ibn Asi pa shtesën: “dy kraharorët dhe gjoksi”.
Pra, u qartësua se kjo shtesë është e pasaktë sepse kundërshton atë që është vërtetuar nga i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem, d.m.th. hadithin e Aishes që u përmend më lart.
Për këtë arsye, disa dijetarë kanë thënë se kjo shprehje është nga israilijatet që nuk bën të merren sepse nuk është përmendur nga i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
Nga lloji i këtyre transmetimeve është edhe ajo që transmetohet nga Enesi, i cili thotë: “Hebrenjtë e Hajberit erdhën tek i Dërguari i Allahut dhe i thanë: “O Ebal Kasim, Allahu i ka krijuar melaiket nga drita e mbulesës, Ademin nga balta e formuar, Iblisin nga zjarri, qiellin nga tymi, ndërsa tokën nga uji. Na trego kush është Zoti yt?” Enesi tha: “I Dërguari i Allahut nuk iu përgjigj derisa i erdhi Xhibrili dhe i tha: “O Muhamed: “Thuaj: Ai, Allahu është Një! All-llahu është Ai që çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë. As s’ka lindur kë, as nuk është i lindur. Dhe Atij askush nuk i është i barabartë.”(Ihlas: 1-4).

Ky transmetim nga Enesi dhe të tjera, të cilat japin të kuptojnë se melaiket janë të krijuara nga drita e mbulesës, nuk janë të sakta, autentike. Nuk ka dyshim se mbulesa e Allahut është nga drita, siç vërtetohet në hadithin e Ebu Musa Eshariut, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: “U ngrit në mesin tonë i Dërguari i Allahut dhe na këshilloi me pesë fjalë, ndër to: “… perdja e Tij është dritë dhe sikur ta zbulonte atë, Shkëlqesia e Fytyrës së Tij do të digjte çdo gjë që arrin Shikimi i Tij (e Shikimi i Tij arrin çdo gjë).”
Ky hadith, edhe pse tregon se perdja e Allahut është nga drita, nuk tregon se melaiket janë të krijuara nga drita e perdes së Allahut, prandaj përgjithësimi i dritës tek melaiket mbetet ashtu siç është dhe assesi nuk lejohet ta shtojmë këtë dritë dhe të themi se nga drita e perdes së Allahut, sepse një gjë e tillë nuk vërtetohet nga i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
Nga transmetimet të cilat përmendin krijimin e melaikeve është edhe ai që e transmeton Abdullah ibn Ahmedi me zinxhir të tij nga Ebu Salih nga Ikrime, se ka thënë: “Melaiket janë krijuar nga drita e krenarisë, ndërsa Iblisi është krijuar nga zjarri i krenarisë.” Por edhe ky transmetim, si të tjerat që u përmendën, është i dobët dhe nuk lejohet argumentimi me të në akide. Në realitet nuk e dimë se çfarë është kjo krenari me dritën e së cilës janë krijuar melaiket dhe nga zjarri i së cilës është krijuar Iblisi.
Gjithashtu, nga këto transmetime është ai që transmetohet nga Jezid ibn Mervani, se atij i është transmetuar se melaiket janë krijuar nga shpirti i Allahut të Madhëruar. Edhe ky transmetim është i dobët, nuk argumentohet me të në çështje të besimit, ndërsa shpirti i atribuuar Allahut, nëse ky transmetim vërtetohet, ka për qëllim atribuimin e krijesës te Krijuesi, siç është fjala e Allahut: “E kur ta përsosë atë (në formën e njeriut) dhe t’i japë atij shpirtin që është krijesë Imja, atëherë ju bini atij në sexhde.” (El Hixhr: 29)
Pra, shpirti i fryrë tek Ademi është i krijuar dhe nuk ka dyshim në të. Rezymeja e kësaj çështjeje është se lënda e krijimit të melaikeve është drita. Drita me të cilën janë krijuar është krijesë sikur ato, ndërsa ajo që është përmendur jashtë kësaj është e tëra e pasaktë dhe nuk bën të merret për argument, por duhet të ndalemi te citatet autentike të vërtetuara mirë, duke mos shtuar dhe duke mos pakësuar.

Çështja e dytë: Koha e krijimit të tyre

Sa i përket kohës kur u krijuan melaiket, Kur’ani dhe Sunneti nuk japin ndonjë sqarim. Në Sunnet është përmendur koha e krijimit të Ademit alejhi selam dhe koha e krijimit të disa gjërave të tjera. Nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: “Më mori i Dërguari i Allahut për dore dhe tha: “Allahu e krijoi dheun ditën e shtunë, nga dheu krijoi kodrat ditën e diel, krijoi pemët ditën e hënë, të urryerën e krijoi të martën, dritën e krijoi të mërkurën, ditën e enjte i krijoi gjallesat, ndërsa Ademin e krijoi në orën e fundit të ditës së xhuma, mes ikindisë dhe akshamit.”
Mirëpo Sunneti nuk e precizoi kohën e krijimit të melaikeve, mirëpo nëse drita të cilën e krijoi Allahu ditën e mërkurë është drita me të cilën i ka krijuar melaiket, atëherë ndoshta janë krijuar të mërkurën, Allahu e di më së miri, mirëpo që melaiket janë krijuar para Ademit alejhi selam është gjë e ditur në mënyrë të prerë, siç e cek edhe Kur’ani Fisnik, ku Allahu thotë: “Dhe kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të vendos një zëvendës të trashëgueshëm në tokë…” (El Bekare: 30).
I urdhëroi t’i bien në sexhde pasi e krijoi atë: “Dhe kur u thamë engjëjve: “Bëni sexhde për Ademin!”, ata menjëherë ranë në sexhde me përjashtim të Iblisit, i cili refuzoi, bëri mendjemadhësi dhe ishte prej mohuesve.” (El Bekare: 34)
Këto citate dhe të ngjashme me to, edhe pse tregojnë se krijimi i melaikeve ishte para atij të Ademit, nuk e përcaktojnë kohën e krijimit të melaikeve. Është obligim të besohet kjo dhe të ndalemi aty ku tregojnë citatet e mos ta teprojmë në gjëra për të cilat nuk tregon Kur’ani dhe Sunneti.

Çështja e tretë: Urtësia e krijimit të tyre

Urtësia e krijimit të melaikeve është adhurimi ndaj Allahut të Madhëruar. Pra, ato janë njësoj si krijesat e tjera, rob prej robërve të Allahut. Allahu thotë: “E ata thanë: “I Gjithëmëshirshmi ka fëmijë!” Larg saj qoftë madhëria e Tij! Ja, ata janë robër të ndershëm! Që nuk flasin para Tij, ata veprojnë me urdhrin e Tij. Ai (All-llahu) e di çka vepruan më parë dhe çka do të veprojnë, dhe ata nuk përpiqen të ndihmojnë pos për atë me të cilin është i kënaqur Ai, e ata nga frika prej tij janë të kujdesshëm. Ndërsa, kush thotë prej tyre se unë jam zot pos Tij, ndëshkimi për të është xhehennemi. Kështu i ndëshkojmë Ne zullumqarët.” (El Enbija: 26-29)
Adhurimi i melaikeve është i larmishëm. Disa nga adhurimet janë kryekëput adhurime, si dhikri (përmendja e Allahut), tesbihi (madhërimi i Allahut), sexhdeja, rukuja dhe të ngjashme, mirëpo ka nga ato që janë vepra me të cilat ngarkohen qoftë në qiell apo në tokë, i kryejnë ato si adhurim ndaj Allahut. Kur’ani dhe Sunneti na tregojnë se melaiket janë të ngarkuara me adhurime të shumta që nuk mund t’i kryejnë njerëzit, mirëpo ato adhurime janë në pajtim me fuqinë e madhe trupore që u është dhënë melaikeve, prandaj adhurimet e tyre në përgjithësi janë të ngjashme me ato që Allahu i ka ngarkuar njerëzit dhe nuk gjejmë ndonjë citat të pohojë se melaiket janë ngarkuar me ndonjë adhurim të veçantë vetëm për to, adhurime që nuk kanë ngjashmëri me adhurimet e njerëzve. Allahu e di më së miri!

Cilësitë lëndore dhe ato etike e morale të melaikeve

Tema e parë: Cilësitë lëndore të melaikeve

Në pjesën e dytë, tema nr. 2, përmendëm se melaiket janë krijuar nga drita dhe se janë trupa në realitet. Allahu i ka veçuar ata nga njerëzit me veçori, ndërsa në këtë temë do të shtjellojmë, me emrin e Allahut, cilësitë më të rëndësishme trupore të melaikeve.

Çështja e parë

Madhështia trupore e melaikeve dhe fuqia e tyre
Argumentet e shumta nga Kur’ani dhe Sunneti tregojnë se Allahu i ka krijuar melaiket në forma të mëdha dhe madhështore, të fuqishme, krijim që u përshtatet veprimeve dhe obligimeve që ua ngarkoi Allahu Fuqiplotë si në qiell ashtu edhe në tokë.
Allahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.” (Tahrim: 6)
Në komentin e këtij ajeti ka ardhur: “Të rreptë me zemra, ndërsa të ashpër me trupa, kanë fuqi aq të madhe, saqë zjarri që e shkrin hekurin dhe gurin nuk u bën dëm atyre.”1
Allahu thotë: “Ai (Ibrahimi) tha: “E ç’është puna juaj, o ju të dërguar?”Ata thanë: “Ne jemi të dërguar te një popull kriminel!” Që të hedhim mbi ta gurë nga balta (e pjekur)!(gurë) Të shënuar te Zoti yt, për ata që i kaluan kufijtë (në mëkate).” (Dharijat: 31-34)
Gjithashtu Allahu thotë: “Kur erdhi urdhri ynë, Ne përmbysëm të gjitha ato (fshatrat e tyre) duke kthyer çdo gjë nga lart poshtë dhe mbi ta reshëm gurë të fortë pa ia ndarë.” (Hud: 82)
Allahu thotë: “Atë ia mësoi Ai, fuqiforti, (Xhibrili). Që ka mendje precize dhe që u përqendrua në formën e vet (reale).” (Nexhm: 5-6)
Allahu thotë: “S’ka dyshim se ai (Kur’ani) është thënie e të Dërguarit fisnik (që e pranoi prej Zotit). Që është i fortë dhe që ka vend të lartë te Zoti i Arshit.” (Tekvir: 19-21)
Ajetet që flasin për këtë çështje janë të shumta.

Argumente nga Sunneti

Hadithi i Aishes radijallahu anha. Transmetohet se Aishja i ka thënë të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “O i Dërguar, a të ka ardhur ndonjë ditë që ishte më e vështirë sesa dita e Uhudit?” I tha: “Kam përjetuar nga populli yt shumë gjëra, por gjëja më e vështirë që e kam përjetuar prej tyre është dita e Akabes2, kur u paraqita para ibën abdu Jalil ibën abdu Kelal dhe nuk m’u përgjigj në atë që desha. U largova nga aty i brengosur me kokë ulur dhe nuk jam kthjelluar deri kur arrita te Karn eth-thealib3. E ngrita kokën lart, kur shoh një vranësirë që më kishte mbuluar. Shikova, kur ja mbi të ishte Xhibrili, më thirri dhe më tha: “Me të vërtetë Allahu az-ze ve xhel-le i dëgjoi fjalët e popullit tënd dhe si t’u përgjigjën. (Allahu) Ka dërguar te ti melekun e maleve, që ta urdhërosh si të duash ndaj popullit tënd.” I Dërguari tha: “Pastaj më thirri meleku i maleve, më përshëndeti me selam dhe më tha: “O
Muhamed, me të vërtetë Allahu dëgjoi fjalët e popullit tënd, unë jam meleku i maleve. Zoti yt më ka dërguar te ti që të më urdhërosh çfarë të duash. Nëse do, t’i bashkoj dy kodrat (e ti zë ata në mes).” I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ia ktheu: “Jo, por shpresoj që Allahu të nxjerrë nga mesi i tyre dikë që e adhuron Allahun të vetëm dhe nuk i shoqëron Atij asgjë.”4
Ky hadith na tregon disa gjëra:
-Vështirësitë në të cilat ka hasur i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem duke thirrur popullin e tij në Islam.
-Butësinë dhe durimin e të Dërguarit ndaj popullit të vet, ndjeshmërinë dhe mëshirën e tij për popullin e vet. Sikur ai të mos ishte durimtar me ta, ata do të shkatërroheshin. I Dërguari alejhi selam ishte dhuratë për ne nga ana e Allahut. Allahu thotë: “Juve ju erdhi i dërguar nga lloji juaj, atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndjeshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët.” (Tevbe: 128)
Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin tonë dhe Zoti e shpërbleftë me shpërblimin më të mirë që ka shpërblyer ndonjëherë ndonjë të Dërguar.
Për thirrësin në rrugën e Allahut është obligim që ta pasojë rrugën e të Dërguarit alejhi selam, duke qenë njësoj si ai i mëshirshëm ndaj njerëzve, i kujdesshëm ndaj tyre dhe gjithashtu thirrjen ta fillojë ashtu siç e filloi i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, duke njësuar Allahun me adhurim.
Nga dobitë e këtij hadithi, që është edhe qëllimi ynë i përmendjes së hadithi, është madhështia dhe fuqia e melekut të maleve, i cili kishte mundësi të bashkonte dy kodrat që rrethonin Mekën, sikur i Dërguari alejhi selam ta pranonte një gjë të tillë.
Ajo që tregon për madhështinë dhe fuqinë e trupave të melaikeve është edhe hadithi i Xhabirit radijallahu anhu, se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Më është lejuar të flas për një melek nga melaiket e Allahut, që është nga mbajtësit e Arshit. Me të vërtetë distanca mes laprës së veshit dhe kraharorit të tij është shtatëqind vite.”5
Është shumë normale që këto melaike të jenë kaq madhështorë sepse mbajnë krijesën më madhështore, Arshin. Do të flasim në detaje më vonë vetëm për mbajtësit e Arshit.
Përmendëm më herët se i Dërguari alejhi selam e ka parë Xhibrilin në formën që e ka krijuar Allahu. Nga madhështia ai kishte mbuluar horizontet.
Në hadithet e shpalljes transmetohet nga Aishja radijallahu anha se El Harith ibën Hisham radijallahu anhu e kishte pyetur të Dërguarin: “O i Dërguar i Allahut, më trego si të vjen shpallja.” I Dërguari i tha: “Nganjëherë më vjen si zëri i ziles dhe ky lloj është më i vështiri për mua. Në fund më largohet dhe unë e kam mbajtur mend atë që më ka thënë. Nganjëherë meleku më shfaqet në formën e njeriut dhe më flet dhe e mbaj në mend se çfarë flet.” Aishja ka thënë: “E kam parë të Dërguarin duke i zbritur shpallja në ditë shumë të ftohtë. Kur i ndërpritej, e shihja ballin e tij të kullonte djersë.”6
Transmetohet nga Aishja radijallahu anha se ka thënë: “…derisa i erdhi e vërteta dhe ai ishte në shpellën Hira. I erdhi meleku dhe i tha: “Lexo!” Ia ktheu: “Nuk di të lexoj.” I Dërguari tha: “Më mori dhe më shtrëngoi fort derisa mundimi arriti kulminacionin.”7
Këto argumente tregojnë për fuqinë dhe madhështinë e melaikeve, prandaj duhet ta besojmë këtë dhe t’i cilësojmë melaiket me këto cilësi.

Çështja e dytë: Krahët

Allahu i ka veçuar melaiket nga biri i Ademit duke u krijuar krahë me të cilët mund të fluturojnë mes qiellit dhe tokës me një shpejtësi të paparë, që e tejkalon çdo përmasë që ka njohur njeriu në këtë botë.
Allahu thotë: “Falënderimi i qoftë Allahut, Krijuesit të Qiejve e Tokës, Sajuesit të engjëjve me nga dy palë, tre palë e katër palë krahë, ndërmjetësues (midis Tij dhe Pejgamberëve). Ai shton në krijim atë që do, vërtet Allahu ka fuqi për çdo send.” (Fatir: 1)
Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Do të thotë se disa prej tyre kanë nga dy palë krahë, disa kanë nga tri palë dhe ka prej tyre që kanë nga katër palë krahë, por ka edhe prej tyre që kanë edhe më shumë.”8
I Dërguari alejhi selam e ka parë Xhibrilin dhe ka thënë se kishte gjashtëqind palë krahë, siç tregon hadithi i Abdullah ibën Mes’udit, i cili thotë: “I Dërguari e ka parë Xhibrilin dhe ai kishte gjashtëqind palë krahë. Çdonjëri prej krahëve mbulonte horizontin. Krahët i shkëlqenin nga ngjyra të ndryshme dhe binin prej tyre margaritarë e diamante, që veç Allahu e di më së miri”.9
Ky hadith tregon se krahët e melaikeve arrijnë deri në gjashtëqind palë e ndoshta ka edhe më shumë, Allahu e di më së miri. Kjo gjithashtu tregon se posedojnë krahë të mëdhenj dhe të bukur shumëngjyrësh, si ngjyrat e margaritarëve dhe diamanteve.
Këta krahë janë fisnikë dhe të mrekullueshëm. Allahu i nderon dijetarët me prezencën e melaikeve në bisedat e tyre dhe me mbulimin që ata u bëjnë atyre me krahë.
Transmetohet nga Ebu Hurejra se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Allahu ka melaike që ecin nëpër rrugë duke vështruar ata që përmendin Allahun. Nëse gjejnë një popull që e përmendin Allahun, e thërrasin njëri-tjetrin “ejani tek ajo që po kërkoni”. I Dërguari alejhi selam tha: “I mbulojnë ata me krahët e tyre lart deri në qiellin e kësaj bote.”10
Melaiket kur shohin kërkuesit e dijes, ndalen së fluturuari dhe përulin krahët e tyre, duke qenë të kënaqur me atë që vepron kërkuesi i dijes, siç tregon për këtë hadithi i Safvan ibën Assalit11.
Këto citate treguan se këta krahë janë krahë prej vërteti, me të cilët melaiket fluturojnë dhe mbulojnë kërkuesit e diturisë, por ndoshta veprojnë me ata krahë edhe gjëra të tjera me të cilat ngarkohen, prandaj ne i besojmë këto citate, besojmë se melaiket kanë krahë që ua ka krijuar Allahu, duke u dalluar për nga numri i tyre. Ne besojmë se këta krahë janë të bukur, shumëngjyrësh dhe janë të fuqishëm. Allahu e di më së miri.

Çështja e tretë: Mospasja nevojë për ngrënie dhe pirje

Folëm më herët për trupat madhështorë të melaikeve dhe fuqinë e tyre. Për njeriun është shumë normale që sa më shumë të shtohet masa dhe fuqia e trupit, shtohet edhe nevoja për ushqim, mirëpo ky argument i Allahut dhe krijimi madhështor i Tij këtë herë ndryshoi traditën e njohur tek njeriu. Argumentet tregojnë se melaiket nuk kanë nevojë për ushqim, sepse trupat e tyre janë të krijuar në atë formë që nuk e pranojnë ushqimin. Nga këto argumente kemi fjalën e Allahut: “Edhe Ibrahimit i patën ardhur të dërguarit (engjëjt) tanë me myzhde dhe i thanë: “Selam”. Ai u përgjigj: “Gjithnjë paçi selam” dhe nuk vonoi t’ju sjellë një viç të pjekur (të fërguar në gurë). Kur pa se duart e tyre nuk shtrihen nga ai (viç), iu dukën të pazakonshme dhe ndjeu prej tyre njëfarë frike. Ata i thanë: “Mos u frikëso, ne jemi të dërguar te populli i Lutit.” (Hud: 69-70)
Ibën Kethiri thotë: “Melaiket nuk kanë oreks për ushqim dhe nuk e pëlqejnë dhe as nuk e hanë. Për këtë Ibrahimi alejhi selam pa se ata u tërhoqën kur u erdhi ai me ushqim duke u larguar në tërësi nga ushqimi, atëherë edhe iu dukën të dyshimtë.”12 Allahu thotë duke treguar gjendjen e Pejgamberëve: “Ne edhe para teje nuk dërguam tjetër pos burra, të cilëve u dhamë shpallje, e nëse nuk e dini këtë, atëherë pyetni njerëzit e dijshëm. Ne nuk i bëmë ata (Pejgamberët) trupa që nuk hanë ushqim e as nuk ishin të përjetshëm (të pavdekshëm).” (Enbija: 7-8)
Ibën Xheriri, Allahu e mëshiroftë, kur komenton ajetin: “O Muhamed, të dërguarit që i kemi dërguar para teje tek popujt e tyre nuk i kemi bërë “trupa që nuk hanë ushqim”, thotë: “Nuk i kemi bërë melaiket që të mos hanë ushqim, por i kemi bërë trupa si ti që hanin ushqimin.”13
Që melaiket nuk hanë ushqim është mendim unanim i dijetarëve.
Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dijetarët tanë, kur e kanë komentuar rastin e Ibrahimit me melaiket, kanë thënë: “Nuk kanë ngrënë melaiket sepse nuk hanë.”14
Ndërsa Sujutiu thotë: ” Raziu në tefsirin e tij ka thënë: “Kanë rënë në ujdi se melaiket nuk hanë, nuk pinë dhe as nuk martohen, ndërsa xhinët hanë, pinë, martohen dhe lindin.”15
Dijetari i madh Muhamed Emin Shenkiti, Allahu e mëshiroftë, në tefsirin e tij thotë: “Nga tregimi i Ibrahimit me musafirët e tij nxirren shumë rregulla të pritjes së musafirit, ndër të cilat:
a) Shpejtimi i shtrimit të ushqimit, sipas fjalës së Allahut: “… dhe nuk vonoi t’ju sjellë një viç të pjekur (të fërguar në gurë)…”.
b) Që ushqimi të jetë nga më i miri që posedojmë, sepse Ibrahimi kishte edhe lopë, por viçi i majmë dhe i rritur është më i mirë.
c) Afrimi i ushqimit te musafiri.
d) Të folurit butë me ta, siç u tha Ibrahimi: “A nuk po hani…?”16

Çështja e katërt: Melaiket mbeten në esencën e krijimtarisë së tyre, nuk lindin e as nuk martohen

Allahu i ka veçuar melaiket që të jenë krijesa që krijohen secila më vete dhe nuk cilësohen me cilësi mashkullore e as femërore. Ata mbeten në esencën e krijimit të tyre, siç i ka krijuar Allahu. Këtë e dëshmojnë argumentet nga Kur’ani dhe Sunneti.
Allahu thotë: “E ti (Muhamed) pyeti ata (idhujtarët): “A të Zotit tënd janë vajzat, kurse të tyre djemtë?” Apo, Ne i krijuam engjëjt femra, e ata ishin dëshmitarë (kur Ne i krijuam engjëjt femra)?! Vini re se si ata nga trillimet e tyre thonë: “Allahu ka lindur!” S’ka dyshim se ata janë gënjeshtarë (kur thonë se engjëjt janë bijat e Zotit). A thua vajzat Ai i ka bërë më të zgjedhura se djemtë? Po ç’keni ju kështu, si po gjykoni ashtu?” (Essaffat: 149-154)
Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu tregoi për njerëzit që kanë folur ndaj melaikeve tri fjalë që janë kulmi i mosbesimit dhe gënjeshtrës.
E para: I kanë konsideruar vajza të Allahut, pra i kanë atribuuar Allahut fëmijë, Allahu qoftë i lartë.
E dyta: Këta fëmijë kanë thënë se janë vajza.
E treta: I adhuruan përpos Allahut subhanehu ve teala.
Çdonjëra nga këto fjalë është e mjaftueshme që thënësi i tyre të qëndrojë në zjarrin e xhehennemit përgjithmonë.17 Allahu thotë: “Megjithëse (pranuan se Zoti është i vetmi krijues), ata i përshkruan Atij pjesë (fëmijë) nga robërit e Tij. Njeriu i tillë njëmend është mohues i hapët. A mos Ai nga ato që krijoi, për vete përcaktoi vajza, kurse juve u dalloi me djem? E kur ndonjëri prej jush lajmërohet me (lindje të vajzës) atë që ia pat përshkruar Zotit shembull, fytyra e tij nxihet dhe i zihet fryma. A, atë që rritet me stoli e në dialog është i paqartë (ia përshkruajnë Zotit)? Edhe engjëjt, që janë adhurues të Zotit, i quajnë femra? A prezantuan ata në krijimin e tyre (melekëve)? Dëshmia e tyre do të regjistrohet dhe ata do të merren në pyetje. Ata pastaj thanë: “Sikur të kishte dashur Allahu, ne nuk do t’i adhuronim ata (as idhujt e as melaiket). Ata nuk kanë për këtë (që thonë) ndonjë fakt, ata vetëm genjejnë.” (Zuhruf: 15-20)
Fjala e Allahut: “A prezantuan ata në krijimin e tyre (melekëve)?”
Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Këta lloj njerëzish bashkuan shumë lloje gabimesh:
E para: I atribuuan Allahut fëmijë, Allahu qoftë i lartë dhe i pastër nga ajo që thonë.
E dyta: Thënia e tyre se Allahu i ka veçuar vajzat nga djemtë dhe këtu melaiket, të cilët janë robër të Allahut, i kanë bërë femra.
E treta: Adhurimi i tyre ndaj melaikeve pa asnjë argument dhe pa leje nga Allahu, por vetëm me epsh dhe hamendje dhe pasim verbal të të parëve, udhëheqësve, gjyshërve të tyre dhe zhytje në injorancë të thellë.
E katërta: Argumentimi i tyre me kader në këtë rast, duke treguar një injorancë të thellë. Allahu ua mohoi shumë fuqishëm një arsyetim të tillë, sepse Allahu qëkurse ka dërguar Pejgamberët dhe u ka zbritur librat, ka urdhëruar që të adhurohet i vetëm duke mos i bërë shok askënd në adhurimin ndaj Tij.”18
Ajo që na interesoi ishte se Allahu refuzoi atë që melaiket janë vajzat e Allahut dhe se janë femra. Ai vërtetoi për Vetveten se nuk ka lindur kënd dhe nuk është i lindur dhe se Atij askush nuk i është i barabartë. I madhëruar qoftë Allahu! Në të njëjtën kohë i ka cilësuar melaiket se janë robër të Allahut, d.m.th se i ka krijuar që ta adhurojnë Atë. U mjafton për nder kjo melaikeve dhe fakti se ata janë krijesa të veçanta, as meshkuj e as femra.

Çështja e pestë: Argumentet tregojnë se melaiket flasin dhe fjala e tyre dëgjohet.

Cilësia e të folurit tek melaiket është e pranishme edhe kur paraqiten në formën e njeriut
Allahu u ka folur atyre dhe ata i kanë folur Allahut. Allahu thotë: “(Përkujto Muhamed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!” Ata thanë: “A do të vësh në të atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini!” (Bekare: 30)
Melaiket i kanë folur Ademit alejhi selam pas krijimi të tij.
Transmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu, nga i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem se ka thënë: “Allahu e ka krijuar Ademin në formën e tij dhe gjatësia e tij ishte gjashtëdhjetë krahë, e pastaj i tha: “Shko dhe përshëndeti me selam atë grup melaikesh dhe dëgjo se me çka të përshëndesin ato ty, me përshëndetjen tënde dhe të pasardhësve tu. (Ademi iu tha) Es-selamu alejkum, ndërsa melaiket i thanë: Es-selamu alejke ve rahmetullah, shtuan ve rahmetullah. Çdokush që hyn në xhennet është në formën e Ademit dhe ka vazhduar të pakësohet deri sot.”19
Melaiket i flasin njëri-tjetrit, siç thotë Allahu i Madhërishëm:
“…e kur hiqet frika nga zemrat e tyre (të ndërmjetësuesve), ata thonë: “Çka tha Zoti juaj!” (rreth shefatit). Ata (engjëjt e lartë) thonë: “Të vërtetën!” (u dha leje). Ai është më i larti, më i madhi.” (Sebe’e: 23)
Ndodh që shejtanët të dëgjojnë fjalët e melaikeve, siç tregon hadithi i Aishes radijallahu anha, se ajo e ka dëgjuar të Dërguarin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Melaiket zbresin në Anan e ajo është re (vranësirë) dhe përmendin një çështje që është vendosur në qiell. Shejtanët e vjedhin këtë të dhënë. Atëherë drejtohen te fallxhorët dhe ia shtojnë edhe njëqind gënjeshtra nga vetja e tyre.”20
Melaiket i flasin njeriut sipas gjuhës së tyre dhe nuk kanë nevojë për ndërmjetësues, siç ndodhi me pejgamberët nga Beni Israilët dhe me të tjerë dhe siç ka ndodhur me të Dërguarin tonë sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.
Ata i flasin njerëzve edhe në varreza, siç është e njohur në rastin e sprovës së varrit.
Ata u flasin njerëzve në Ditën e Gjykimit duke i përgëzuar ose qortuar.
U flasin banorëve të xhennetit dhe i përshëndesin me selam.
U flasin banorëve të xhehennemit dhe i përgëzojnë me dënim.
Argumentet për këto që thamë janë të shumta dhe të njohura.
Rezymeja është se nga cilësitë trupore të melaikeve janë se ata flasin dhe kjo është cilësi e përkryeshmërisë. Është obligative të besohet kjo dhe të cilësohen melaiket me këtë cilësi.
Dijetari Muhamed ibën Salih el Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ky ajet kur’anor tregon se melaiket flasin, kuptojnë dhe logjikojnë, sepse ata pyesin: “Ç’tha Zoti juaj?!” (rreth shefatit)” dhe përgjigjen. “Ata (engjëjt e lartë) thonë: “Të vërtetën!”
E themi këtë duke iu kundërvënë atyre që thonë se melaiket nuk cilësohen me këtë cilësi, d.m.th. se ne e kemi pranuar sheriatin (fenë) nga dikush që nuk ka mendje dhe kjo pa dyshim është nënçmim për sheriatin.”21
Ajeti tregon gjithashtu se melaiket kanë zemra të cilat i kaplon frika dhe tmerri nga Allahu.22

_____________________________________

1 Tefsiri i ibën Kethirit (4\391).
2 Dita e Akabes është dita kur është ngritur i Dërguari në Mina për ta thirrur popullin në besim, por ata nuk iu përgjigjën dhe e munduan.
3 Karn eth-thealib është mikati i Nexhdit, sot njihet me emrin Es-sejl el kebir.
4 Transmeton Buhariu (3059), Muslimi (1795).
5 Ebu Davudi (4727). Shiko “Silsilet el ehadith es-sahiha” të dijetar Albanit (1\151) dhe “El Adhametu” të Ebu esh-shejh (3\948).
6 Buhariu (2) dhe Muslimi (2\333).
7 Buhariu (3) dhe Muslimi (160).
8 Tefsiri i ibën Kethirit (3\546).
9 Musned imam Ahmedi, vërtetuesi i “Musnedit”. Ahmed Shakiri thotë se senedi i tij është i saktë (5\3748).
10 Buhariu (6045).
11 Ahmedi (4\239-240) dhe ibën Hibani (1319- el ihsan), senedi i tij është i saktë.
12 Tefsir ibën Kethiri (2\451).
13 Tefsir ibën Xherir (17\5).
14 Tefsir Kurtubi (9\68).
15 El Habaik (264).
16 Edvaul bejan (3\27).
17 Tefsir ibën Kethir (4\22).
18 Po aty (4\125).
19 Buhariu (3148) dhe Muslimi (2841).
20 Buhariu (3038).
21 “El Kavlul mufid” (1\411).
22 Po aty (1\395).