Ndalimi i gruas nga udhëtimi për në haxh apo vend tjetër pa mahram

Nga Libri: Munteka el Ahbar – Mexhd Iben Tejmije

– Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “Ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) duke mbajtur hutbe, të thotë: “Të mos veçohet një burrë me një grua, vetëm nëse ajo është në shoqërinë e një mahrami (mashkulli te rritur familjar me të cilin i ndalohet martesa) dhe as të mos udhëtojë gruaja pa një të afërmin e saj mashkull.” Një burrë u ngrit dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Gruaja ime është nisur për në haxh ndërsa unë u regjistrova ushtar në filan luftë. – Shko dhe bëj haxh me gruan tënde, tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).” Muttefekun alejhi.

– Transmetohet nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk i lejohet gruas të udhëtojë tre ditë pa qenë e shoqëruar nga një i afërm i saj mashkull (mahram).” Muttefekun alejhi.

– Transmetohet nga Ebu Seidi se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar që gruaja të udhëtojë në largësinë e dy ditëve apo dy netëve pa qenë e shoqëruar nga burri i saj apo nga ndonjë i afërm i saj (me të cilin nuk i lejohet martesa).” Muttefekun alejhi.

– Në një transmetim tjetër thuhet: “Nuk i lejohet asaj gruaje që beson në Allahun dhe në ditën e Gjykimit, që të udhëtojë në një udhëtim që zgjat tre ditë e më shumë, veçse e shoqëruar nga babai i saj, ose nga burri i saj, ose nga i biri i saj, ose nga vëllai i saj, ose nga një i afërm tjetër me të cilin i ndalohet martesa.” E transmeton grupi, përveç Buhariut dhe Nesait.

– Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk i lejohet gruas që të udhëtojë në largësinë e një dite e një nate, veçse e shoqëruar nga një i afërm i saj (mahram – mashkull te rritur me të cilin nuk i lejohet martesa).” Muttefekun alejhi.
Në një transmetim tjetër thuhet: “në largësinë e një dite”, ndërsa në një transmetim tjetër: “në largësinë e një nate”, dhe në një të tretë: “Asnjë grua të mos udhëtojë në largësinë e tre ditëve, veçse e shoqëruar nga një i afërm i saj.” E transmeton Ahmedi dhe Muslimi.