Namazi i vitrit

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani, me gjykimet e shejh Albanit (Allahu e meshirofte!)

 

Namazi i vitrit

Vlera dhe dispozita e tij

Namazi i vitrit [1] është namazi që e ka praktikuar vetë Profeti (a.s.) dhe ka inkurajuar edhe të tjerët që ta praktikonin. Si i tillë, namazi i vitrit përfshihet në Es-sunah el-mu’ekkedeh (Sunete të theksuara, të forta).

Aliu (r.a.) thotë: “Namazi i vitrit nuk urdhërohet si namazet e detyrueshme, por Profeti (a.s.) e falte atë dhe thoshte: “O ju njerëz të (pasues) Kuranit, faleni namazin e vitrit, sepse Allahu është një dhe Ai e do tekun [2] ”. [3] Ky hadith transmetohet nga Ahmedi, Nesaiu, Ebu Daudi, Ibën Maxhe, Tirmidhiu (i cili e quan hasen) dhe Hakimi (i cili e quan sahih).

Mendimi i Ebu Hanifes se namazi i vitrit është i detyrueshëm (vaxhib) është i dobët. Ibën El Mundhir thotë: “Nuk njoh ndonjë që pajtohet me mendimin e Ebu Hanifes lidhur me këtë çështje”.

Ahmedi, Ebu Daudi, Nesaiu dhe Ibën Maxhe transmetojnë se Muhdixhi (një njeri nga fisi Kinane) dëgjoi prej njërit nga ensarët, me nofkën Ebu Muhamed të thotë se namazi i vitrit është i detyrueshëm. Ai shkoi tek Ubadah ibën Es-Samit dhe i tregoi atij se çfarë kishte thënë Ebu Muhamed.

Ubadah e vrojtoi: “Ebu Muhamed ka gabuar pasi unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Pesë namaze janë urdhëruar nga Allahu për robërit e tij. Kushdo që i kryen ato pa ndonjë të metë, Ai do të ketë një pakt me Allahun dhe Ai do ta fusë atë në xhenet. Dhe kushdo që nuk i kryen ata, nuk do të ketë asnjë pakt me Allahun dhe nëse dëshiron Ai, mund ta dënojë atë dhe nëse Ai dëshiron, mund ta falë”. [4]

Gjithashtu Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Talha ibën Ubejdullah se Profeti (a.s.) ka thënë: “Pesë namaze gjatë ditës dhe natës janë urdhëruar nga Allahu”. Duke e dëgjuar këtë, një beduin e pyeti Profetin: “A ka ndonjë gjë tjetër për mua përsa i përket namazit?” Profeti (a.s.) i tha: “Jo, por vetëm nëse dëshiron të falesh vullnetarisht”. [5]

Koha e faljes së namazit të vitrit

Të gjithë djetarët pajtohen me mendimin se koha e namazit të vitrit fillon pas namazit të jacisë dhe zgjat deri me hyrjen e namazit të sabahut.

Ebu Tamim El Xhejshani tregon se Amër ibën El Asi gjatë hytbes së Xhumasë iu drejtua njerëzve: “Allahu ka shtuar një namaz për ju dhe Ai është namazi i vitrit. Faleni atë mes namazit të jacisë dhe namazit të sabahut”. Ebu Temim tha: “Ebu Dheri më kapi për dore dhe ne së bashku shkuam në xhami tek Ebu Basra dhe (Ebu Dherri) tha: “A e dëgjove atë që sapo tha Amri nga i Dërguari i Allahut?” Ai u përgjigj: “E dëgjova atë nga i Dërguari i Allahut”. [6] Transmeton Ahmedi me një zinxhir të vërtetë transmetimi.

Ebu Mesud El Ensari tregon: “Profeti (a.s.) e falte namazin e vitrit në pjesën e parë të natës ose në pjesën e mesit ose në pjesën e fundit të saj”. [7] Transmeton Ahmedi me një zinxhir të vërtetë transmetimi.

Abdullah ibën Ebu Kajs tregon se ai e ka pyetur Aishen (r.a.) rreth namazit të vitrit të Profetit (a.s.) dhe ajo ka thënë: “Disa herë ai e falte në pjesën e parë të natës dhe disa herë e falte në pjesën e fundit të saj”. Më pas Abdullahu e pyeti: “Si ishte këndimi i tij, me zë apo pa zë?” Ajo u përgjigj: “Ai i praktikonte të dyja. Disa herë e këndonte me zë dhe disa herë pa zë. Disa herë ai merrte gusul dhe flinte dhe disa herë merrte abdes dhe flinte (d.m th kur ishte i papastër, pas marrëdhënieve seksuale)”. [8] Transmeton Ebu Daudi, Ahmedi, Muslimi dhe Tirmidhiu.

Preferohet që namazi i vitrit të falet më herët, nëse dikush e ndjen se nuk mund të ngrihet në pjesën e fundit të natës. Në anën tjetër këshillohet që ky namaz të shtyhet për më vonë, nëse ndonjë mendon se është i aftë që ta falë atë në pjesën e fundit të saj. Nëse ndonjë mendon se nuk mund të ngrihet ta falë namazin në pjesën e vonë të natës, atëherë ai duhet të falet më herët, para fjetjes.

Xhabiri tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kushdo që frikësohet se nuk mund të ngrihet në pjesën e fundit (të natës), atëherë ai duhet ta falë namazin e vitrit në pjesën e parë (të natës). Dhe kushdo që beson se mund të ngrihet në pjesën e fundit të natës, ai duhet ta falë vitrin në pjesën e fundit të saj, pasi ajo është koha e bekuar (engjëjt janë të pranishëm në lutjet e pjesës së fundit të natës)”. [9] Transmeton Ahmedi, Muslimi, Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe.

Xhabiri githashtu tregon se i Dërguari i Allahut e pyeti Ebu Bekrin: “Kur e fal namazin e vitrit?” Ebu Bekri u përgjigj: “Në pjesën e parë të natës pas namazit të jacisë”. Pastaj Profeti (a.s.) tha: “Po ti o Umer?” Ai u përgjigj: “Në pjesën e fundit të natës”. Profeti (a.s.) tha: “Përsa të përket ty, o Ebu Bekër, ti ke zgjedhur një rrugë të kujdesshme. Ndërsa për ty o Umer, ti ke zgjedhur rrugën e vështirë dhe që kërkon vendosmëri”. [10] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Hakimi i cili thotë se është i saktë sipas kritereve të Muslimit.

Megjithatë, Profeti (a.s.) më në fund e falte namazin e vitrit afër kohës së agimit, sepse ashtu siç u përmend më parë ajo është koha më e vlefshme.

Aishja (r.a.) tregon: “Nga e gjithë nata, Profeti (a.s.) falte namazin e vitrit disa herë në pjesën e parë të natës, disa herë në pjesën e mesme të saj dhe nga fundi i jetës së tij e falte pak përpara agimit”. [11] Transmeton “Grupi”.

Megjithatë, duke konsideruar mundësinë e humbjes së namazit të vitrit, Profeti (a.s.) i këshilloi disa nga shokët e tij që të mos binin për të fjetur derisa ta kishin falur atë, me qëllim që të ishin të sigurtë.

Sad ibën Ebi Uekas e falte namazin e jacisë në xhaminë e Profetit (a.s.) dhe pastaj falte një rekat namaz vitër pa bërë ndonjë shtesë në të. Njerëzit i thanë atij: “Ebu Is’hak, a e fal namazin e vitrit vetëm me një rekat pa bërë ndonjë (rekat) shtesë në të?” Ai u përgjigj: “Po sepse e dëgjova të dërguarin e Allahut duke thënë: “Ai që nuk flen derisa ta falë namazin e vitrit është i kujdesshëm”. [12] Transmeton Ahmedi dhe treguesit e tij janë të besueshëm.

Natyra e tij dhe numri i rekateve

Lejohet që namazi i vitrit të falet me nga dy dhe pastaj të falet një rekat me teshehud dhe teslim. Po ashtu është e lejueshme të falen të gjitha rekatet me dy teshehude dhe teslim. Ndonjë mund të falë një numër rekatesh njëri pas tjetrit pa bërë ndonjë teshehud, përjashtuar rekatin e parafundit në të cilin kryhet teshehudi dhe pastaj ngrihet për të falur rekatin e fundit, kryen një teshehud tjetër dhe më pas e përfundon namazin me teslim. Ndokush mund t’i falë të gjitha dhe të bëjë një teshehud dhe një teslim në rekatin e fundit të namazit të vitrit. Gjithë kjo është e lejueshme dhe mund të shihet tek Profeti (a.s.).

Përsa i përket trembëdhjetë rekateve të vitrit, Tirmidhiu thotë: “Është transmetuar nga Profeti (a.s.) se ai e falte namazin e vitrit me trembëdhjetë, njëmbëdhjetë, nëntë, shtatë, pesë, tre ose një rekat”.

Në anën tjetër Is’hak ibën Ibrahimi thotë: “Kuptimi i asaj se Profeti (a.s.) e falte namazin e vitrit me trembëdhjetë rekate është se gjatë natës ai falte trembëdhjetë rekate duke përfshirë edhe namazin e vitrit dhe kështu namazi i natës njihej si vitër”.

Pikëpamja e Ibën El Kajimit është se “Suneti i vërtetë dhe autentik është që vitri të falet me shtatë ose pesë rekate të bashkangjitur, ashtu siç tregon Umu Seleme në hadithin e transmetuar prej saj. Ajo thotë se Profeti (a.s.) e falte namazin e vitrit me pesë ose shtatë rekate, pa i ndarë ato me ndonjë teslim apo ndonjë fjalë”. [13] Transmeton Ahmedi, Nesaiu dhe Ibën Maxhe me një zinxhir të mirë transmetimi.

Siç u përmend edhe më sipër, Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Aishja ka thënë se: “Profeti (a.s.) falte trembëdhjetë rekate gjatë natës dhe pastaj falte vitrin me pesë rekate e nuk ulej gjatë tyre, përjashtuar rekatin e fundit”. [14]

Gjithashtu, Aishja (r.a.) përmend se Profeti (a.s.) falte nëntë rekate, pa u ulur përveçse në rekatin e tetë. Në të ato rekate përkujtonte Allahun, e madhëronte Atë dhe lutej. Më pas ai ngrihej pa bërë teslim dhe në rekatin e nëntë, pas të cilit ulej, kryente tashehudin dhe teslimin në atë mënyrë aq sa ne mund ta dëgjonim atë. Më pas ai falte dy rekate pas teslimit duke qenë ulur dhe kështu kryente njëmbëdhjetë rekate”.

Në një version tjetër ajo përmend: “Kur ai u moshua dhe u rëndua, ai falte namazin e vitrit me shtatë rekate dhe nuk ulej gjatë tyre përjashtuar rekatin e gjashtë dhe të shtatë dhe ai nuk bënte teslim përveçse në rekatin e shtatë”.

Më tej, në një transmetim tjetër përmendet: “Ai falte shtatë rekate dhe nuk ulej, përveçse në rekatin e fundit dhe në rekatin e parafundit”. [15] Transmeton “Grupi”.

Të gjitha hadithet e përmendura janë autentike, të qarta dhe nuk ka ndonjë kundërshtim midis tyre, përveç hadithit “Namazi i natës është i ndarë në pjesë me nga dy rekate”. [16] Ky është një hadith autentik dhe pohimi se ai e falte vitrin me shtatë rekate është po aq i vërtetë. Të dy pohimet konfirmojnë njëri-tjetrin. Shtatë, pesë, nëntë dhe një rekat janë për namazin e vitrit, sepse vitri është emri që i jepet një rekati që kryhet në përfundim të rekateve që janë kryer para tij.

Dhe pesë, shtatë apo nëntë rekatet e vitrit janë të lidhur të gjithë si namazi akshamit, i cili përshkruhet si tre rekate të bashkuara. Nëse ndonjë bën ndërprerje gjatë pesë apo shtatë rekateve me dy teslime, ashtu si në rekatin e njëmbëdhjetë, ai sërish do të quhet vitër në sajë të rekatit tek që falet në fund të tij. Kjo mbështetet nga thënia e Profetit (a.s.) “Namazi i natës është në pjesë me nga dy rekate e nëse dikush frikësohet për (humbjen) e namazit të sabahut, fal vitrin me një rekat dhe i llogaritet dhe ajo që ka falur më parë”. [17]

Nëse ndonjëri frikësohet për lindjen e agimit, ai duhet të falë edhe një rekat duke e falur në këtë mënyrë vitrin tek. Prandaj, veprat dhe thëniet e Profetit (a.s.) janë në mbarëvajtje dhe secila pjesë plotëson tjetrën. E vërteta qëndron në atë se, kur Profeti (a.s.) iu përgjigj një pyetjeje lidhur me namazin e natës “Ai është në çifte me nga dy rekate”, nuk kishte të bënte me namazin e vitrit, pasi burri që pyeti kishte për qëllim namazin e natës dhe jo atë të vitrit.

Këndimi i Kuranit gjatë namazit të Vitrit

Lejohet që pasi të këndohet Fatihaja, të këndohet cilado sure sipas dëshirës së besimtarit. Aliu (r.a.) thotë: “Nuk ka asnjë pjesë Kurani që përjashtohet, kështu që faleni namazin e vitrit ashtu si të doni”.

Megjithatë, preferohet që nëse e fal vitrin me tre rekate, në të parin këndohet El A’la pas këndimit të Fatihasë. Në rekatin e dytë preferohet të këndohet El Kafirun. Në rekatin e tretë është mirë të këndohen tre suret e fundit të Kuranit. Kjo transmetohet nga Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, duke e vlerësuar si hasen transmetimin e Aishes që thotë: “Profeti (a.s.) këndonte El A’la në rekatin e parë, El Kafirun në rekatin e dytë dhe në rekatin e tretë tri suret e fundit të Kuranit”. [18]

KUNUTI I VITRIT

Është pjesë e Sunetit të lutesh më kunutin [19] në namazin e vitrit gjatë gjithë vitit.

Ahmedi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ebu Daudi, Ibën Maxhe dhe të tjerët transmetojnë se El-Hasan ibën Aliu ka thënë se i Dërguari i Allahut i ka mësuar atij fjalët (e mëposhtme) për t’i thënë në namazin e vitrit:

“O Allah, më drejto mua me ata që i ke drejtuar!

Më siguro mua me ata që i ke siguruar!

Më merr mua në mbrojtjen tënde me ata që i ke mbrojtur!

Më beko në atë që Ti më ke dhënë!

Më mbro mua nga çdo e keqe

Që Ti ke urdhëruar sepse vetëm Ti urdhëron!

Ty askush nuk mund të të japë urdhëra

Nuk ka përçmim për atë që është nën varësinë Tënde.

I Madhëruar dhe i Lartësuar je Ti, Zoti ynë!

Allahu e bekoftë Profetin Muhamed!”. [20]

Tirmidhiu e quan këtë hadith hasen dhe thotë: “…nuk dihet asgjë më autentike se kjo nga Profeti (a.s.) në lidhje me kunutin”.

Duke komentuar rreth statutit të tij, Neveviu thotë se hadithi është sahih. Ibën Hazmi ka disa rezerva rreth saktësisë së tij, por ai thotë: “Ky hadith, megjithëse nuk duhet të merret si provë, është i vetmi hadith që kemi nga Profeti (a.s.) dhe një hadith i dobët është më i dashur tek unë sesa thjesht një mendim”. Kështu thotë edhe Ahmedi. Këtë qëndrim mbajnë gjithashtu Ebu Musa, Ibën Mesudi, Ibën Abasi, El Berra, Enesi, Hasan El Basri, Umer ibën Abdulaziz, Theuri, Ibën El Mubarek, hanefitët dhe një version nga Ahmedi. Neveviu thotë se kjo i jep më shumë besueshmëri transmetimit.

Shafiu dhe të tjerët janë të mendimit se kunuti në namazin e vitrit duhet të thuhet vetëm në pjesën e fundit të muajit të Ramazanit. Kjo bazohet në atë që thotë Ebu Daudi se Umer ibën Hatabi i mblodhi njerëzit në namaz nën prirjen e Ubej ibën Kab dhe ata u falën së bashku njëzet netë dhe ai nuk e bënte kunutin përveçse në dhjetëditëshin e fundit të muajit të Ramazanit.

Gjithashtu, transmetohet se Muhamed ibën Nasër pyeti Seid ibën Xhubejrin rreth fillimit të kunutit në namazin e vitrit. Seidi u përgjigj: “Omeri dërgoi një ushtri që u përball me një pengesë të fuqishme, gjë që e alarmoi atë, kështu që gjatë pjesës së fundit të Ramazanit ai lexoi kunutin për t’u lutur për ta”.

Si ta këndojmë kunutin?

Lejohet që duaja e kunutit të këndohet para rënies në ruku pas leximit të Kuranit ose ajo mund të thuhet edhe pasi të jesh ngritur nga rukuja. Humejdi tregon se ka pyetur Enesin: “Kunuti thuhet para apo pas rukusë?” Ai iu përgjigj: “Ne e thonim atë para dhe pas”. [21] Ky hadith transmetohet nga Ibën Maxhe dhe Muhamed ibën Nasër. Në librin e tij “Fet’h El Bari”, Ibën Haxheri komenton se zinxhiri i këtij hadithi është i vërtetë.

Nëse dikush e thotë kunutin para rukusë, ai duhet të bëjë tekbirin dhe të ngrejë duart pas këndimit dhe në mënyrë të ngjashme të bëjë një tekbir tjetër pas kunutit dhe të përulet. Kjo transmetohet nga disa sahabë. Disa dijetarë janë të mendimit se duart qëndrojnë të ngritura gjatë kunutit, ndërsa disa të tjerë e kundërshtojnë këtë.

Përsa i përket fshirjes së fytyrës me duar pas duasë së kunutit, Bejhakiu thotë se: “Preferohet të mos veprohet kështu dhe t’i përmbahesh asaj çka gjeneratat e para vepruan. Ata i ngrinin duart, por nuk e fshinin fytyrën gjatë namazit”.

Lutjet pas vitrit

Preferohet që pas teslimit të thuhet: “Madhëria qoftë vetëm për Zotin, të Shenjtin”, tri herë. Herën e tretë thotë me zë të lartë: “Zoti i engjëjve dhe i Shpirtit”. Ebu Daudi dhe Nesaiu transmetojnë se Ubej ibën Kab ka thënë se Profeti (a.s.) këndonte suren El-A’la, El Kafirun dhe “Kul hu-Allahu ehad” në namazin e vitrit. Pasi përfundonte teslimin, ai thoshte: “Madhështia qoftë për Allahun, të Shenjtin” tri herë duke e zgjatur përsëritjen e tretë dhe duke e thënë atë me zë të lartë”. [22] Këto janë fjalët që transmetoi Nesaiu. Ed-Derakutni shton edhe këtë: “Ai thoshte: “Zoti i engjëjve dhe Zoti i shpirtrave”. [23]

Më pas ai thoshte lutjet dhe sipas asaj që ka transmetuar Ahmedi, Ebu Daudi, Ibën Maxhe dhe Tirmidhiu nga Aliu (r.a) ai thoshte në fund të vitrit:

“O Allah! Kërkoj mbrojtje në kënaqësinë Tënde nga zemërimi Yt, kërkoj mbrojtje në mëshirën Tënde nga dënimi Yt, dhe kërkoj mbrojtje tek Ti nga Ti. Unë nuk mund të të lartmadhëroj Ty, Ti je ashtu siç e ke lartmadhëruar Veten Tënde”. [24]

Ndalimi i faljes së dy namazeve të vitrit në të njëjtën natë

Kushdo që ka falur vitrin dhe dëshiron të falet përsëri, ai mund të falet, por jo të përsërisë vitrin.

Ebu Daudi, Nesaiu dhe Tirmidhiu transmetojnë nga Talik ibni Ali se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Nuk ka dy namaze vitri në një natë”. [25] Tirmidhiu pohon se hadithi është hasen.

Aishja transmeton se Profeti (a.s.) e kryente teslimin në atë mënyrë saqë ne mund ta dëgjonim dhe më pas falte dy rekate ulur. [26] Transmeton Muslimi.

Edhe Umu Seleme tregon se ai falte dy rekate ulur pas namazit të vitrit. [27] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe të tjerë.

Falja e një vitri të humbur

Sipas Bejhakiut dhe Hakimit, shumica e dijetarëve janë të mendimit se është e ligjshme të falësh kaza [28] një vitër të humbur. Hakimi e klasifikon sahih transmetimin e mëposhtëm të Buhariut, sipas kritereve të Buhariut dhe Muslimit.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse ju kap mëngjesi dhe nuk e keni falur namazin e vitrit, ju duhet ta falni atë”. [29]

Ebu Daudi transmeton nga Ebu Seid El Hudri se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse dikush nga ju flen para namazit të vitrit ose e harron atë, atëherë ai duhet ta falë kur të kujtohet”. [30] El Iraki thotë se zinxhiri i transmetimit është sahih.

Ahmedi dhe Tirmidhiu transmetojnë me një zinxhir të saktë se Profeti (a.s.) e falte namazin e vitrit në mëngjes [31] (nëse për disa arsye nuk e kishte falur gjatë natës).

Në përgjithësi ka mendime të ndryshme përsa i përket kohës kur duhet të falet kaza vitri. Shkolla hanefite mbështet mendimin se ai duhet të falet në ato kohë kur nuk është e ndaluar të falen namaze. Pasuesit e Shafiut thonë se ai mund të falet gjatë çdo kohe të ditës dhe natës, ndërsa sipas Malikut dhe Ahmedit një namaz i humbur i vitrit duhet të falet pas agimit, për aq kohë sa nuk e ka falur sabahun.

Kunuti gjatë pesë namazeve

Lejohet që kunuti të këndohet me zë të lartë në pesë namazet e ditës kur muslimanët përballen më ndonjë vështirësi. Ibën Abasi transmeton se i Dërguari i Allahut e ka kënduar duanë e kunutit gjatë namazeve të drekës, iqindisë, akshamit, jacisë dhe sabahut. Në rekatin e fundit të çdo namazi, pasi thoshte: “Semi’a Allahu limen hamideh” (Allahu e dëgjon atë që e madhëron Atë), ai lutej kundër fiseve Reil, Dhakuanit dhe Usijasë [32] të Benu Sulejmit, dhe njerëzit që ishin pas tij thonin “Amin”. [33] Ky hadith transmetohet nga Ahmedi dhe Ebu Daudi duke shtuar se ato tri fise kishin vrarë misionarët që Profeti (a.s.) u kishte dërguar. Ikrima thotë: “Ajo ishte dhe fillimi i kunutit”.

Ebu Hurejra transmeton se, sa herë që Profeti (a.s.) donte që të lutej kundër apo për dikë, ai këndonte kunutin pasi ngrihej nga rukuja. Disa herë ai thoshte: “Allahu dëgjon atë që e madhëron Atë. Zoti ynë për Ty janë të gjitha Lavdërimet. O Allah! Shpëtoje El-Uelid ibën Uelidin dhe Seleme ibën Hishamin dhe Ajash ibën Rabian dhe të gjithë besimtarët e dobët. O Allah, shtoje shtypjen Tënde ndaj fisit Mudhar dhe jepu atyre uri, si ajo e kohës së Jusufit!”.

Në disa nga namazet ai e thoshte këtë me zë të lartë. Gjithashtu, edhe në namazin e sabahut, ai thoshte: “O Allah, mallkoje filanin dhe filanin!”. duke mallkuar dy fise arabe, derisa Allahu shpalli:

لَيْسَ لَكَ مِنْ الأَمْرِ شَيْءٌ أَوْ يَتُوبَ عَلَيْهِمْ أَوْ يُعَذِّبَهُمْ فَإِنَّهُمْ ظَالِمُونَ

“Ty nuk të takon asgjë rreth çështjes se a do t’ua pranojë pendimin apo do t’i dënojë ata, në të vërtetë ata janë zullumqarë”. [34] (Ali Imran, 128). Ngjarja në fjalë transmetohet nga Ahmedi dhe Buhariu.

 

__________________________________________

[1] Vitër në gjuhën arabe do të thotë “tek” dhe i referohet namazit të veçantë të përshkruar këtu.

[2] Ngaqë Allahu është Një dhe i Vetëm, prandaj është i kënaqur nga namazi vitr (me numër tek rekatesh) i robit të tij dhe e shpërblen për këtë; Nafi’ë thoshte se Ibni Umeri çdo gjë që ndërtonte ose bënte, e bënte tek.

[3] Hadith Sahih. “Sahihu et Targib” 594, “Sahihul Xhami” 7860. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1416, Nesai 1675, Ibën Maxheh 1169, Ahmedi 1/110, El Hakim 1/300, Bejhakiu 2/468, Ibën Huzejme 1067.

[4] Hadith Sahih. “Sahihu et Targib” 370. E ka nxjerrë Maliku 1/361, Ebu Daudi 1420, Nesai 461, Ibën Maxheh 1401, Ahmedi 5/315,316,319.

[5] Buhariu 46,2678, 1891,6956, Muslimi 100, Ebu Daudi 391,392,3252, Nesai 457,2089,5043.

[6] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 108. E ka nxjerrë Ahmedi 6/7, Taberani në “El Kebir” 1/100.

[7] Ahmedi 16454.

[8] Muslimi 703, Ebu Daudi 1437, Tirmidhiu 449, 2924.

[9] Muslimi 1764, Tirmidhiu 445, Ibën Maxheh 1187, El Fet-hur Rabani 4/287.

[10] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 2596. E ka nxjerrë Ahmedi 3/309,330, Ebu Daudi 1434, Ibën Maxheh 1201, El Hakim 1/301.

[11] Buhariu 996, Muslimi 1733,1734, Ebu Daudi 1435, Tirmidhiu 456, Nesai 1682, Ibën Maxheh 1185.

[12] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 2208, “Sahihul Xhami” 5493. E ka nxjerrë Ahmedi 1/170.

[13] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Nesai 1714, Ibën Maxheh 1192, Ahmedi 7/321.

[14] Buhariu, Muslimi 1717, Ebu Daudi 1338, Tirmidhiu 459.

[15] Buhariu 1118,1119, Muslimi 1736, Ebu Daudi 1342,1344,1345, Nesai 1601, Ibën Maxheh 1191, Ahmedi 6/235, Maliku 1/157.

[16] Buhariu 990, Muslimi 1745,1747, Ebu Daudi 1326, Nesai 1693, Ibën Maxheh 1320.

[17] Njësoj si nxjerrja e hadithit para këtij.

[18] Hadith Sahih. “El Mishkat” 1269. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1424, Tirmidhiu 463, Ibën Maxheh 1173.

[19] Kunut nënkupton “të jesh i nënshtruar” ose “të qëndruarit në këmbë”. Në kontekstin tonë ai i referohet një lutjeje të veçantë që kryhet në një namaz të veçant gjatë qëndrimit në këmbë. -Shënim i redaktorit.

[20] Hadith Sahih. “El Irva” 429. Në senedin e tij ka transmetues të panjohur si dhe ndërprerje, por nuk ka ndalim nga të vepruarit sipas kësaj për shkak se selefët kanë vepruar me të. Por shtesa në fund të tij “Allahu e bekoftë…” është e dobët dhe gjendet vetëm te Nesai; “Tamamul Mineh” 243. Hadithin e ka nxjerrë Ahmedi 1/199, Ibën Nasr 194, Ibën Xharudi 142, Taberani në “El Kebir” 1/130, Ebu Daudi 1425, Tirmidhiu 464, Nesai 1746.

[21] Hadith Sahih. “El Irva” 424 (2/161). E ka nxjerrë Ibën Maxheh 1183, Ibën Nasr në “Kijamu el Lejl 133.

[22] Hadith Sahih. “El Mishkat” 1275, “Sahihu Ebi Daud” 1284. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1430, Nesai 1699, Ibën Maxheh 1171, Darakutni 1678.

[23] Darakutni 1679.

[24] Hadith Sahih. “El Irva” 430, “El Mishkat” 1276, “Sahihul Xhami” 1280. Ahmedi 1/96,118,150, Ebu Daudi 1427, Nesai 1747, Ibën Maxheh 1179, Bejhakiu 3/42.

[25] Hadith Sahih. “Sahihul Xhami” 7567. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1439, Nesai 1679, Tirmidhiu 470.

[26] Muslimi 1736, Ebu daudi 1342.

[27] Hadith Sahih. “El Mishkat” 1284. E ka nxjerrë Tirmidhiu 471, Ibën Maxheh 1195.

[28] Kaza quhet falja e namazit pas përfundimit të kohës së vet. – Shënim i redaktorit.

[29] Hadith Daif. “Ed Daife” 2333. E ka nxjerrë Bejhakiu 2/478, El Hakim 1/303,304.

[30] Hadith Sahih. “El Irva” 2/153, “El Mishkat” 1279. E ka nxjerrë Ahmedi 3/44, Tirmidhiu 465,466, Ibën Maxheh 1188.

[31] Hadith Sahih. “El Irva” 2/155. E ka nxjerrë Ahmedi 6/242,243, Ibën Nasr 139, Bejhakiu 2/479.

[32] Këto janë fise të Beni Sulejmit, të cilat shpallën se e kishin përqafuar Islamin dhe Profeti (a.s.) u dërgoi atyre shtatëdhjetë mësues, të cilët ata i vranë pabesisht. Kjo ishte arsyeja e Kunutit në këtë rast.

[33] Hadith Hasen. “El Irva” 2/163. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1443, es Seraxh 1/116, Ibën Xharudi 106, Ahmedi 1/301-302, Ibën Nasr 137, El Hakim 1/225, Bejhakiu 2/200.

[34] Buhariu 6200, Muslimi 1538, Ahmedi 2/255.