NAMAZI I TERAVIVE (8)

I dijetarit të madh dhe muhadithit të kohës

Muhamed Nasirudin el Albani (Allahu e mëshiroftë!)

Përktheu Dr. Bledar Albani


  1. Nxitja për faljen sa më mirë të namazit dhe kërcënimi për të kundërtën

O ti lexues i nderuar! Ti tani je në muajin e agjërimit e të faljes natën, në muajin e begatë të Ramazanit. Kështu që ti duhet të jesh në të shembulli i besimtarit të mirë, të bindur ndaj Zotit të tij dhe pasues i rrugës së të Dërguarit të Tij në të gjitha ato që atij i kanë zbritur nga Zoti i tij, e veçanërisht në lidhje me kryerjen e këtij adhurimi madhështor, namazin e teravive.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë për to: “Kushdo që ngrihet dhe falet (teravitë) në Ramazan, me besim dhe duke llogaritur shpërblimin e Allahut, atij i falen të gjitha gjynahet që ka bërë.”

Këtë hadith e transmetojnë dy shejhat (Buhariu dhe Muslimi) e të tjerë.

Në këtë broshurë ti ke mësuar diçka të dobishme në lidhje me formën e namazit të natës që bënte i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për nga falja e tij në mënyrë sa më të përsosur dhe me rekate të gjata, si fjala e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!): “…Falte katër rekate, dhe mos pyet për përsosmërinë dhe gjatësinë e tyre. Pastaj falte katër rekate të tjera dhe mos pyet për përsosmërinë dhe gjatësinë e tyre.”

Po ashtu fjala e saj: “Qëndronte në sexhde aq kohë sa dikujt prej jush i duhet për të lexuar pesëdhjetë ajete.”

Apo si fjala e Hudhejfes (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “… pastaj lexoi suren Bekare (d.m.th: në rekatin e parë), pastaj bëri rukunë, e cila ishte e gjatë sa qëndrimi në këmbë.” Pastaj përmendi ngritjen pas rukusë dhe sexhden në të cilat qëndronte gjithashtu gjatë.

Mësove gjithashtu se në kohën e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) njerëzit e zgjasnin leximin në namazin e teravive dhe lexonin deri në treqind ajete, saqë mbështeteshin mbi bastun nga qëndrimi i gjatë në këmbë, dhe nuk e mbaronin namazin veçse me hyrjen e agimit.

Ky duhet të jetë nxitës i fortë për të gjithë ne që të përpiqemi sa të mundemi ta afrojmë namazin tonë të teravive me namazin e tyre. Ta zgjasim leximin, të bëjmë sa më shumë tesbih e tahmid në ruku e në sexhde, si dhe ndërmjet tyre, ashtu që të ndjejmë sadopak frikërespektin ndaj Allahut i cili është shpirti i namazit dhe loçka e tij. Atë frikërespekt të cilin e kanë humbur shumë prej atyre që e falin këtë namaz (të teravive) për shkak të mosdaljes së tyre nga numri “njëzet”, i supozuar nga Umeri dhe në të cilin nuk kujdesen për qetësinë e frikërespektin, por e kryejnë atë sikur pula që ha grurë, sikur të ishin vegla e mjete që lëvizin lartë e poshtë në mënyrë automatike, gjë e cila nuk u jep mundësi atyre që të meditojnë në Fjalën e Allahut që ata dëgjojnë, madje ndjekja e imamëve në faljen e teravive është e vështirë të bëhet, veçse me përpjekje dhe lodhje!

E them këtë duke qenë i vetëdijshëm se ekzistojnë edhe një numër jo i vogël imamësh të xhamive në këto kohët e fundit, të cilët e kanë perceptuar këtë fakt të kequshtrimit të faljes së teravive, kështu që u kthyen në faljen e tyre me njëmbëdhjetë rekate dhe me një lloj qetësie e frikërespekti në to. Allahu ua shtoftë atyre suksesin në të vepruarit sipas sunetit dhe në ringjalljen e tij, si dhe i shtoftë imamët si ata në Damask dhe në vendet e tjera të Muslimanëve!

 

Hadithet nxitëse për përmirësimin e kryerjes së namazit dhe kërcënuese për të kundërtën e kësaj

Për të kurajuar edhe më shumë këta imamë që të vazhdojnë në përmirësimin e faljes së namazit, si dhe për të paralajmëruar ata që nuk janë të kujdesshëm në faljen e namazit të teravive e namazeve të tjera, po paraqesim disa hadithe të sakta të ardhura pikërisht për këtë:

  1. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se një burrë hyri në xhami dhe filloi të falej, ndërkohë që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte në një qoshe të xhamisë. Më pas ai erdhi te i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i dha selam. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Ue alejkes selam. Kthehu të falesh sepse ti nuk je falur!” –Ai u kthye të falej, pastaj erdhi dhe dha selam. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Ue alejkes selam. Kthehu të falesh sepse ti nuk je falur!” –Në të tretën herë ai i tha: “Atëherë më mëso!” -Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Kur të ngrihesh për tu falur, merr avdes mirë e mirë, pastaj kthehu nga Kibla dhe thuaj “Allahu ekber”. Pastaj lexo sa të mundesh nga Kurani, pastaj bier në ruku dhe qëndro derisa të qetësohesh në të, pastaj ngrije kokën prej rukusë derisa të drejtohesh plotësisht, pastaj bier në sexhde dhe qëndro derisa të qetësohesh në të, pastaj ngrije kokën nga sexhdja dhe qëndro ulur derisa të qetësohesh, pastaj bier në sexhde derisa të qetësohesh në të, pastaj ngrihu dhe drejtohu plotësisht. Pastaj vepro kështu në të gjithë namazin tënd!”

Këtë hadith e transmeton Buhariu, Muslimi e të tjerë.

  1. Transmetohet nga Ebu Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Burrit (njeriut) nuk i vlen namazi derisa ta drejtojë shpinën në ruku dhe në sexhde.”

Këtë hadith e transmeton Ebu Daudi, Nesai, Tirmidhiu, Ibën Maxheh, Ed Darimi, Tahaviu në “El Mushkil”, Et Tajalisi, Ahmedi dhe Darakutni i cili thotë: “Senedi i këtij hadithi është i qëndrueshëm, i saktë.” Dhe ai është ashtu si ka thënë.

  1. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Vjedhësi më i keq është ai njeri i cili vjedh namazin e vet.” –Thanë: “O i Dërguari i Allahut, si mund të vidhet namazi?” -Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Duke mos e plotësuar rukunë dhe sexhden e tij”.

Këtë hadith e ka nxjerrë El Hakim dhe e ka quajtur të saktë. Atë e ka aprovuar edhe Dhehebiu. Ky hadith ka edhe një dëshmues tjetër nga hadithi i Ebu Katades, si dhe një tjetër tek imam Maliku; nga En Neuman ibën Murrah, senedi i të cilit është Sahih, Mursel (i ndërprerë).

Gjendet gjithashtu një dëshmues i tretë tek Et Tajalisi; nga Ebu Seidi, të cilin Sujuti e ka quajtur të saktë në librin “Tenvir el havalik”

  1. Transmetohet nga Umera el Exhnad; nga Amër ibën El Asi, Halid ibën El Velid, Sherahbil ibën Hasne dhe Jezid ibën Ebu Sufjan, kanë thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pa një burrë i cili nuk e plotësonte rukunë e tij dhe e bënte sexhden sikur çukiste (shpejt). Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Sikur ky të vdesë në këtë gjendje, do të vdesë jo në popullin e Muhamedit. Ai çukit në sexhde ashtu si çukit korbi gjakun. Shembulli i atij që nuk e plotëson rukunë dhe e bën sexhden sikur çukit në tokë, është si shembulli i atij të uriturit i cili ha një apo dy kokrra hurma, por që nuk i bëjnë dobi asgjë.”

Këtë hadith e transmeton El Axhurri në “Dyzet hadithet” dhe Bejhakiu me sened të mirë (Hasen). El Mundhiri thotë: Atë e ka transmetuar Taberani në “El Kebir”, Ebu Jeala me sened të mirë dhe Ibën Huzejme në “Sahihun” e tij.

  1. Transmetohet nga Talk ibën Ali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu nuk vështron në namazin e atij njeriu që nuk e drejton shpinën ndërmjet rukusë dhe sexhdes (kur kalon nga rukuja në sexhde).”

Këtë hadith e transmeton Ahmedi, Taberani në “El Kebir” dhe Ed Daja el Makdesi në “Të zgjedhurat”. Senedi i këtij hadithi është i saktë dhe ai ka një dëshmues tjetër në “Musnedin” e imam Ahmedit, transmetuesit e të cilit janë të besueshëm. Edhe hafiz El Iraki e ka quajtur të saktë në “Tahrixh el Ihja”. Ndërsa El Mundhiri thotë: “Senedi i tij është i mirë”.

  1. Transmetohet nga Amar ibën Jasir (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Ka të ngjarë që njeriu ta falë namazin dhe të mos i shkruhet atij veçse një e dhjeta e tij, ose një e nënta e tij, një e teta, një e shtata, një e gjashta, një e pesta, një e katërta, një e treta, apo gjysma e tij.”[1]

Këtë hadith e transmeton Ebu Daudi, Bejhakiu dhe Ahmedi me dy rrugë të ndryshme nga ai (Amari), njërën prej të cilave e ka saktësuar hafiz El Iraki dhe e ka nxjerrë Ibën Hibani në “Sahihun” e tij, siç thuhet në “Et Tergib”.

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Esh Shihir se ka thënë: “Shkova tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i cili ishte duke u falur dhe në brendësinë e trupit të tij ndjehej një zë si vlimi i tenxheres, d.m.th: qante.”

Këtë hadith e transmeton Ebu Daudi, Nesai, Bejhakiu dhe Ahmedi me sened Sahih sipas kushteve të Muslimit. Atë e transmeton gjithashtu Ibën Huzejme dhe Ibën Hibani në dy “Sahihat” e tyre, siç thuhet në “Sahih et tergib uet terhib”.

Këto hadithe të ndershme përfshijnë me pakufizimin dhe përgjithshmërinë e tyre të gjitha namazet, qofshin ato të detyrueshme apo vullnetare, natën apo ditën. Dijetarët kanë tërhequr vërejtje të posaçme për këtë gjë në lidhje me teravitë, siç ka thënë p.sh. Neveviu në “El Edhkar”:

“Mënyra e namazit është e njëjtë për të gjitha namazet, në formën që përshkruam më parë. Këtu përfshihen edhe duatë e përmendura më parë, si duaja e hapjes së namazit, vazhdimi me duatë e tjera, plotësimi i teshehudit dhe duasë pas tij, e dua të tjera të cilat i përmendëm më parë. Megjithëse kjo është diçka e qartë dhe dukshme, unë tërhoqa vërejtjen për të, për arsye se shumë njerëz i kanë përçmuar këto dhe i kanë hequr nga përdorimi shumë prej tyre, ndërkohë që e sakta është ajo që thamë.”

Ndërsa El Amiri në librin “Behxhetul Mehafil…”, nga fundi i librit thotë: “Prej detyrave të domosdoshme që na ngarkohen është përkujdesja dhe tërheqja e vërejtjes për atë që kanë bërë zakon shumë imamë të njerëzve që falin teravitë, prej shkallëzimit në leximin në to (leximit të paktë) dhe zhvleftësimit në shtyllat e tij, e heqjen e duave në to, ndërsa dijetarët kanë thënë: “Forma e tyre (teravive) është si forma e namazeve të tjera në lidhje me shtyllat e namazit dhe pjesët e tjera përbërëse të tij, si dhe të gjitha duatë që bëhen në të. Prej gabimeve të tyre është edhe zgjedhja e ajeteve të mëshirës me qëllim që të bienë në ruku pas tyre, gjë e cila mund ti shpjerë të gabojnë në dy gjëra të rëndësishme prej rregullave të namazit dhe të leximit në të. Ato dyja janë zgjatja e rekatit të dytë më shumë se të parin dhe të qëndruarit në fjalët që janë të lidhura me ato pas tyre në domethënie. Shkaku i të gjitha këtyre është zhvleftësimi i suneteve të namazit dhe zhdukjen e tyre si rezultat i praktikimit të paktë të tyre, saqë praktikuesi i tyre është bërë si i huaj në mesin e njerëzve ngaqë ai vepron ndryshe nga pjesa dërmuese e njerëzve dhe kjo për shkak të prishjes së kohës. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk ka për tu bërë kijameti derisa e mira të quhet e keqe dhe e keqja të quhet e mirë.”

Kështu që përmbaju sunetit, kërkoja këtë vetes tënde dhe urdhëro me të ata që të dëgjojnë, ashtu që të shpëtosh, të fitosh dhe të gëzosh.

Zotëria i nderuar, Ebu Ali el Fudajl ibën Ijad (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Mos të të frikësojë rruga e drejtë për shkak të numrit të pakët të pasuesëve të saj dhe mos u mashtro nga numri i madh i të shkatërruarëve!”


Konspekti i broshurës

Temat e kësaj broshure zgjatën më tepër nga ç’mendomin, por kjo ishtë diçka pa të cilën nuk mund të bënim, pasi që kjo është metoda akademike në verifikimin e njohurive. Kështu që pamë të arsyeshme që në mbyllje të kësaj broshure ti paraqesim lexuesit të nderuar një përmbledhje të saj, me qëllim që të mbetet në mendjen e tij dhe ta ketë të lehtë ta perceptojë dhe të punojë sipas tij –insha Allahu-.

Kjo broshurë mund të përmblidhet si më poshtë:

Falja e teravive me xhemat është sunet dhe nuk është bidat, sepse i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka bërë këtë gjë disa netë, ndërsa lënia e tij pas kësaj ka qënë për shkak të frikës se ndokush nga populli i tij do të mendonte se ato janë farz, nëse ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) do të vazhdonte ti falte ato me xhemat. Por kjo frikë u hoq me vdekjen e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ka falur teravitë me njëmbëdhjetë rekate, ndërsa hadithi që thotë se ai i fali ato me njëzetë rekate është shumë i dobët.

Nuk lejohet të shtuarit më shumë se njëmbëdhjetë rekate, pasi që kjo do të thotë të asgjësohet vepra e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe të shfuqizohet fjala e tij: “Faluni ashtu si më shihni mua të falem!” Për këtë arsye nuk lejohet të shtohet në numrin e suneteve të sabahut, etj.

Ne nuk e konsiderojmë bidatçi dhe as të humbur atë që i fal teravitë me më shumë se njëmbëdhjetë rekate, nëse atij nuk i është bërë i qartë suneti dhe nëse nuk ndjek dëshirat e tij.

Nëse thuhet se të shtuarit në numrin e tyre është e lejuar, nuk ka dyshim se më e mira është të qëndrohet në atë numër, sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Udhëzimi më i mirë është ai i Muhamedit.”

Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) nuk ka shpikur ndonjë të re në namazin e teravive, por ai ka ringjallur sunetin e të falurit e tyre në kolektiv dhe ka ruajtur numrin e ardhur në sunet për to. Ndërsa ajo që është transmetuar nga ai në lidhje me të shtuarit në numrin e tyre deri në njëzetë rekate, rrugët e transetimit të kësaj nuk janë të sakta dhe ato janë nga lloji që nuk mund ta përforcojnë njëra-tjetrën. Për dobësinë e tyre ka folur edhe Shafiu dhe Tirmidhiu. Disa prej atyre rrugëve i ka dobësuar edhe Neveviu, Ez Zejlei e të tjerë.

Sikur të qëndronte shtesa e përmendur, të punuarit me të sot nuk është obligim, sepse ajo ka qënë për arsye të veçanta të cilat nuk janë më. Ndërsa të vazhduarit sipas saj i ka çuar njerëzit në shumicën e rasteve që të shpejtojnë në kryerjen e namazit dhe të humbasin frikërespektin në të, madje edhe vetë namazin ndonjëherë!

Mosmarrja jonë për bazë të shtuarit në numrin e teravive është njësoj si mosmarrja e gjykatësve të gjykatave që gjykojnë sipas sheriatit Islam, mendimin e Umerit për konsiderimin e divorcit të shprehur tre herë si divorc të trefishtë (të pakthyeshëm), pa asnjë dallim, madje zgjedhja jonë është më parësore se ajo e tyre edhe në vështrimin e imituesëve (popullit të thjeshtë).

Nuk qëndron se ndokush prej sahabeve t’i ketë falur teravitë me njëzetë rekate, madje Tirmidhiu ka thënë se një transmetim i tillë nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) është i dobët.

Nuk ekziston ndonjë unanim për këtë numër (njëzet rekate).

Është e detyrueshme të kapurit për numrin e bërë rrugë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pasi që ai është i qëndrueshëm nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe nga Umeri, dhe ne jemi të urdhëruar që të pasojmë sunetin e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe sunetin zëvendësve të tij të drejtë.

Imam Maliku, Ibën El Arabi e dijetarë të tjerë e kanë refuzuar shtesën (mbi njëmbëdhjetë rekate) në numrin e teravive.

Refuzimi i kësaj shtese nuk do të thotë kundërvënie ndaj imamëve të mëdhenj të cilët e kanë marrë në konsideratë atë, ashtu si dhe nuk do të thotë dyshim në dijen e tyre, apo ngritje të kundërshtarit të tyre në dije e perceptim.

Edhe pse të shtuarit mbi njëmbëdhjetë rekate në numrin e teravive nuk lejohet, por të pakësuarit në to është e lejuar, deri edhe në të mjaftuarit me një rekat të vetëm, për arsye se diçka e atillë ekziston në sunet dhe e kanë vepruar selefët.

Format në të cilat i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka falur vitrin janë të gjitha të lejuara, ndërsa më e mira prej tyre është më e shumta në numër dhe duke dhënë selam pas çdo dy rekatesh.

Ky është përfundimi i asaj që më mundësoi Allahu i Lartësuar të mbledh për “namazin e teravive”. Nëse kam pasur sukses për qëllimin e të vërtetës në të, Mirësia i takon vetëm Allahut të Lartësuar, dhe përsëri Atij i takon Mirësia dhe falenderimi edhe nëse është ajo tjetra (mosqëllimi i të vërtetës). Unë shpresoj nga çdokush që qëndron në ndonjë gabim (gjen gabime) në këtë broshurë, të na drejtojë tek ajo dhe shpërblimi i tij është tek Allahu i Lartësuar.

I Lartë nga të metat je Ti, o Zot dhe Ty të takon falenderimi. Dëshmoj se nuk të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Teje. Kërkoj falje dhe pendim prej Teje!

Salavati (lavdërimi) i Allahut dhe paqja e Tij qofshin mbi Muhamedin, pejgamberin analfabet, mbi familjen dhe shokët e tij!

Lutja jonë e fundit është “El hamdu lilahi rabil alemin”!

 


[1] Ka për qëllim të thotë se kjo është në varësi të njerëzve sipas frikërespektit që kanë në namazin e tyre. “Fejdu el Kadir”, i El Menavi.


<<< Namazi i Teravive 7