NAMAZI I TERAVIVE (7)

I dijetarit të madh dhe muhadithit të kohës

Muhamed Nasirudin el Albani (Allahu e mëshiroftë!)


 

  1. Format me të cilat i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka falur namazin e natës dhe atë të vitrit

Dije, o ti musliman, se namazi i të Dërguarit të Allahut(Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) që ai falte natën dhe vitri i tij ka qenë me forma e mënyra të ndryshme e të shumta, gjë e cila në shumicën e librave të fikhut nuk është shkruar, ndërkohë që ka qënë e detyrueshme sqarimi i sunetit të tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për njerëzit. Kështu që, nisur nga qëllimi që ti lehtësojmë rrugën atij që dëshiron të pasojë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe të na shkruhet edhe ne sevapi i tyre –inshaAllahu- dhe me qëllim që ai i cili nuk e di, të ruhet nga refuzimi i ndonjë gjëje prej sunetit, , -Allahu na dhëntë sukses në pasimin e sunetit të tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me një pasim të vërtetë dhe na ruajtë nga rënia në bidat!-, ndjeva për detyrë se sqarimi i kësaj është i detyrueshëm, prandaj them:

  1. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka falur “trembëdhjetë rekate” të cilat i hapte me dy rekate të lehta dhe për këtë kanë ardhur disa hadithe:

Hadithi i parë: Hadithi i Zejd ibën Halid el Xhuheni, se ka thënë: Këtë natë do të ruaj namazin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali dy rekate të lehta, pastaj fali dy rekate të gjata, të gjata, të gjata. Pastaj fali dy rekate por jo aq sa dy të parat. Pastaj fali dy rekate më pak të gjata se ato para tyre. Pastaj fali dy rekate më pak të gjata se ato para tyre. Pastaj fali vitrin. Të gjitha këto ishin trembëdhjetë rekate.”

Këtë hadith e transmeton Muslimi dhe Ebu Avane në dy “Sahihat” e tyre, si dhe të tjerë.

Hadithi i dytë: Hadithi i Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i cili ka thënë: “Fjeta tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i cili ishte te Mejmune atë natë. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fjeti derisa kaloi një e treta e natës apo gjysma e saj, pastaj u zgjua dhe shkoi tek një enë me ujë për të marrë avdes. Bashkë me të mora avdes edhe unë. Pastaj u drejtua për tu falur dhe unë qëndrova në të majtë të tij, por ai më kaloi nga e djathta e tij. Pastaj vuri dorën e tij mbi kokën time dhe më preku veshët, sikur donte të më nxirrte gjumin. Pastaj fali dy rekate të lehta në të cilat lexoi Nënën e Kuranit (Fatiha-në), pastaj dha selam. Pastaj u fal derisa plotësoi njëmbëdhjetë rekate bashkë me vitrin, pastaj fjeti. Më pas erdhi Bilali dhe i tha: “Hyri koha e namazit (të sabahut), o i Dërguari i Allahut!” -Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngrit dhe fali dy rekate të lehta, pastaj u fal me njerëzit (sabahun).”

Këtë hadith e transmeton Ebu Daudi dhe nga ai Ebu Avane në “Sahihun” e tij. Origjina e këtij hadithi gjendet në dy “Sahihat” e Buhariut dhe Muslimit.

Hadithi i tretë: Hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) e cila thotë: “Kur i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fillonte të falte namazin e natës, ai e hapte atë me dy rekate të lehta, pastaj falte tetë rekate, pastaj falte vitrin.”

Ndërsa në një transmetim tjetër, ajo thotë: “Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte darkën, pastaj shkëputej për të falur dy rekate, ndërkohë që e kishte përsëritur avdesin dhe pastrimin e gojës me misvak. Pastaj falte dy rekate. Pastaj ngrihej dhe falte tetë rekate të barabarta në leximin e Kuranit dhe pastaj falte vitrin në rekatin e nëntë. Sa më shumë shtyhej në moshë dhe e zinte mishi të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ato tetë rekate i bënte gjashtë dhe në të shtatin falte vitrin. Pastaj falte dy rekate duke ndenjur ulur dhe lexonte në to “Kul ja ejuhal kafirun” dhe “Idha zulziletil ardu”.

Këtë hadith e ka nxjerrë Tahaviu me të dy transmetimet dhe senedi i tyre është Sahih. Pjesën e parë në transmetimin e parë e ka nxjerrë Muslimi dhe Ebu Avane. Që të gjithë ata e kanë përcjellë nga rruga e Hasen El Basri me shprehjen “nga; nga; nga” (e cila nuk është e fortë në transmetim). Por atë e ka nxjerrë gjithashtu Nesai dhe Ahmedi me shprehje të qartë të tregimit “na ka treguar”; njësoj si transmetimi i dytë nga Aisha.

Tek Tahaviu thuhet qartë se numri i rekateve ishte trembëdhjetë dhe ai është argument se fjala e saj (Aishes) në transmetimin e parë: “pastaj fali vitrin”, d.m.th: me tre rekate, dhe kështu përputhen të gjitha transmetimet. Kështu që ky hadith i Aishes është i njëjtë me hadithin e Ibën Abasit të përmendur para këtij.

Vërejmë se në shprehjen e dytë, Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) i përmendi dy rekatet e lehta pas namazit të darkës dhe nuk ka përmendur ndërmjet tyre sunetet e darkës. Kjo përforcon atë që aprovuam në fillim të kësaj broshure se këto dy rekate kanë qënë sunetet e darkës.

  1. Forma e dytë: Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falte “trembëdhjetë rekate”. Prej tyre falte tetë të cilat i ndante me selam dy e nga dy rekate, pastaj falte vitrin me pesë rekate, pa qëndruar ulur midis tyre dhe pa dhënë selam veçse në të pestin. Argument për këtë është hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) e cila thotë:

“I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) mbështetej për të fjetur dhe kur zgjohej, pastronte gojën me misvak dhe merrte avdes. Pastaj falte tetë rekate ku ulej dhe jepte selam pas çdo dy rekatesh. Pastaj falte vitrin me pesë rekate ku nuk ulej veçse në të pestin dhe nuk jepte selam veçse në të pestin. Kur thirrte muezini ezanin, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ngrihej dhe falte dy rekate të lehta.”

Këtë hadith e transmeton Ahmedi me sened të saktë sipas kushteve të dy shejhave. Atë e ka nxjerrë gjithashtu Muslimi, Ebu Avane, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Darimiu, Ibën Nasr, Bejhakiu dhe Ibën Hazm në “El Muhala”. Që të gjithë ata e kanë transmetuar të shkurtuar, pa përmendur dhënien e selamit pas çdo dy rekateve. Ndërsa Shafiu, Tajalisi dhe El Hakim kanë transmetuar prej tij vetëm faljen e vitrit me pesë rekate.

Ky hadith ka edhe një dëshmues tjetër nga hadithi i Ibën Abasit të cilin e ka nxjerrë Ebu Daudi dhe Bejhakiu me sened Sahih.

Transmetimi i Ahmedit tregon qartë se numri i përgjithshëm i rekateve ka qënë trembëdhjetë rekate, përveç dy rekateve të sabahut (sunete). Nga ana e jashtme ky duket në kundërshtim me hadithin e Aishes që thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk shtonte më shumë se njëmbëdhjetë rekate as në Ramazan dhe as jashtë Ramazanit.” Por e pamë pak më parë mënyrën e të bashkuarit ndërmjet tyre, përfundimi i të cilit është se ajo ka pasur për qëllim rekatet e tjera përveç dy rekateve të lehta me të cilat ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e hapte namazin e natës. Pastaj gjetëm një hadith i cili konsiderohet gjykues për bashkimin ndërmjet tyre. Ai është hadithi i përmendur pak më parë në të cilin ajo ka përmendur dy rekatet e lehta, pastaj tetë rekate, pastaj vitrin.

  1. Forma e tretë: Një herë tjetër ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falte “njëmbëdhjetë rekate”, në të cilat jepte selam pas çdo dy rekatesh, pastaj falte vitrin një rekat. Argument për këtë është hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) e cila thotë:

“I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), duke filluar nga pas namazit të jacisë dhe deri në agim, ai falte njëmbëdhjetë rekate, duke dhënë selam pas çdo dy rekatesh dhe në fund falte vitrin një rekat. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndronte në sexhde aq kohë sa dikujt prej jush i duhet për të lexuar pesëdhjetë ajete. Kur ngrihej muezini dhe vinte re hyrjen e kohës së sabahut, vinte te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe atëherë ai falte dy rekate të lehta. Pastaj mbështetej në krahun e tij të djathtë dhe qëndronte ashtu derisa të vinte muezini për të thirrur ikametin.”   

Këtë hadith e transmeton Muslimi, Ebu Avane, Ebu Daudi, Tahaviu dhe Ahmedi. Dy të parët e kanë transmetuar atë gjithashtu nga hadithi i Ibën Umerit, ndërsa Ebu Avane nga hadithi i Ibën Abasit.

Për këtë formë të faljes së namazit të natës dëshmon edhe hadithi i Ibën Umerit; se një burrë pyeti të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për namazin e natës dhe ai i tha: “Namazi i natës është dy e nga dy rekate. Nëse ndokush prej jush i frikësohet hyrjes së kohës së sabahut, atëherë një rekat i vetëm ia bën tek atij namazin që ka falur.”

Këtë hadith e transmeton Maliku, Buhariu, Muslimi dhe Ebu Avane, i cili shton: Dikush i tha Ibën Umerit: Çdo të thotë “dy e nga dy”? Ai tha: “Të japësh selam pas çdo dy rekatesh.”

Ndërsa në transmetimin e Malikut dhe Buhariut thuhet; se Abdullah ibën Umer i ndante me selam dy rekatet e vitrit nga teku i tij dhe ndërkohë mund të kërkonte ndonjë nevojë.”

Sqarimin e Ibën Umerit të përmendur më sipër e ka transmetuar Ahmedi, të ngritur te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe të futur në mesin e hadithit, por në senedin e tij gjendet Abdulaziz ibën Ebu Ruvad i cili është besnik por që ndoshta gabon, siç thuhet në “Et Takrib”, kështu që kam frikë se ai ka gabuar në ngritjen e këtij hadithi!

  1. Forma e katërt: Falja e “njëmbëdhjetë rekateve të ndara me selam katër e nga katër, pastaj tre (vitrin)”.

Këtë formë e kanë transmetuar dy shejhat (Buhariu dhe Muslimi) e të tjerë, nga hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) të cilin e kemi përmendur më parë.

Ajo që duket nga hadithi është se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndronte ulur për teshehudin ndërmjet çdo dy rekatesh, por nuk jepte selam veçse pas rekatit të katërt. Kështu e ka interpretuar edhe Neveviu, siç e pamë më parë. Kjo është përcjellë gjithashtu e qartë nga hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!); se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk jepte selam mes dy rekateve dhe tekut të vitrit, por që të gjitha këto transmetime kanë defekte, siç e ka përmendur këtë Ibën Nasri, pastaj Bejhakiu dhe Neveviu, si dhe e kam sqaruar në librin “Et tealikatu el xhijad ala zadi el miad”. Mbështetja më e madhe për ligjshmërinë e ndarjes me teshehud dhe pa dhënë selam, është tek ky hadith, por në fund të kësaj teme do të vijë ajo që e kundërshton këtë gjë.

  1. Forma e pestë: Falja e “njëmbëdhjetë rekateve”, duke falur tetë rekate pa qëndruar ndërmjet tyre veçse pas rekatit të tetë, ku thua teshehudin, salavatet, pastaj ngrihesh pa dhënë selam dhe fal një rekat të vetëm (vitrin), pastaj jep selam. Pastaj fal dy rekate duke qëndruar ulur.

Argument për këtë është hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) të cilin e transmeton Sead ibën Hisham ibën Amir; se ai shkoi te Ibën Abasi dhe e pyeti se si e falte vitrin i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tha: “A të drejtoj tek më i dituri i njerëzve të tokës për vitrin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)?” -Ai tha: “Kush është ai?” -Tha: “Ajo është Aisha. Shko dhe pyet atë!” -Thotë: “Shkova tek ajo dhe i thashë: O nëna e besimtarëve, më trego për formën e vitrit të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)!” -Ajo tha: “Ne i përgatisnim atij enën e ujit dhe misvakun. Atë e ngrinte Allahu natën aq sa donte dhe ai pastronte gojën me misvak, merrte avdes dhe falte nëntë rekate pa qëndruar ulur ndërmjet tyre veçse pas rekatit të tetë, ku përmende Allahun, e lavdëronte Atë, dërgonte salavat mbi të Dërguarin e Tij[1] dhe bënte lutje, pastaj ngrihej në këmbë pa dhënë selam, pastaj falte rekatin e nëntë, pastaj qëndronte ulur, përmendte Allahun, e lavdëronte Atë, dërgonte salavat mbi të Dërguarin e Tij dhe bënte lutje, pastaj jetpe selam me zë të lartë saqë e dëgjonim. Pas dhënies së selamit falte dy rekate duke qëndruar ulur[2]. Të gjitha këto janë njëmbëdhjetë rekate, o bir!  Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u shty në moshë dhe e zuri mishi, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte vitrin në rekatin e shtatë dhe pastaj falte dy rekate ulur si në fillim. Të gjitha këto ishin nëntë rekate, o bir!”   

Këtë hadith e transmeton Muslimi, Ebu Avane, Ebu Daudi, Nesai, Ibën Nasri, Bejhakiu dhe Ahmedi.

  1. Forma e gjashtë: Falja e “nëntë rekateve”; në gjashtë prej tyre nuk qëndron ulur veçse në të fundit, ku thua teshehudin dhe dërgon salavat mbi të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pastaj ngrihesh pa dhënë selam dhe fal vitrin vetëm një rekat. Pastaj fal dy rekate duke ndenjur ulur. Argument për këtë është hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) të cilin e përmendëm më sipër.

Këto janë format me të cilat i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte namazin e natës dhe vitrin.

Këtyre mund tu shtohen edhe lloje të tjera duke pakësuar në çdo formë numrin e rekateve, madje lejohet të mjaftohesh vetëm me një rekat, sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “…kush dëshiron, le ta falë vitrin me pesë rekate, kush dëshiron, ta falë me tre dhe kush dëshiron, ta falë atë me dy rekate!”   

Ky hadith është tekst i prerë në lejimin e të falurit e vitrit me një nga këto tre forma. Këto pesë rekate apo tre rekate të vitrit, nëse dëshiron, i fal me një ulje dhe një selam të vetëm, si në formën e dytë, dhe nëse dëshiron, i fal duke qëndruar ulur pas çdo dy rekatesh, pa dhënë selam, si në formën e katërt, dhe nëse dëshiron, jep selam pas çdo dy rekatesh dhe kjo është më e mira, si në formën e tretë e të tjera.

Hafiz Muhamed ibën Nasr el Mervezi, në librin “Namazi i natës” thotë: “Ajo që zgjedhim për atë që falet natën në muajin e Ramazanit apo në muajtë e tjerë, është që të japë selam pas çdo dy rekatesh. Po kështu edhe nëse dëshiron të falë tre rekate; në rekatin e parë lexon “Sebihisme rabikel-eala”, në të dytin lexon “Kul ja ejuhal kafirun”, pastaj thua teshehudin dhe jep selam. Pastaj ngrihesh dhe fal një rekat ku lexon Fatihanë dhe “Kul huvallahu ehad”, si dhe dy suret e fundit të Kuranit. [Pastaj përmendi disa prej formave të përmendura më sipër], pastaj tha: “Të gjitha këto janë të lejuara të veprohen dhe pasim i veprës së tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), por zgjedhja jonë është ajo që thamë, pasi që kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u pyet për namazin e natës, ai u përgjigj: “Namazi i natës është dy e nga dy rekate.”

Kështu që ne kemi zgjedhur atë që vetë ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka zgjedhur për popullin e tij, ndërsa lejimin e të vepruarit sipas veprës së tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e kemi bërë për shkak se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  nuk ka ndaluar nga ajo gjë.”

Pastaj thotë: “Tek ne, të punuarit sipas këtyre njoftimeve është e lejuar, me të gjitha ato dhe shumëllojshmëria e formave të tyre ka qenë për shkak se ato janë namaz vullnetar dhe në namazin vullnetar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk qëndronte në një formë të caktuar, siç e pamë se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falej herë në këtë formë e herë në një formë tjetër. Të gjitha këto janë të lejuara dhe të mira. Sa për të falurit e vitrit me tre rekate ne nuk kemi gjetur argument të qëndrueshëm nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ai vetë e ka falur vitrin me tre rekate pa dhënë selam veçse në të fundit, ashtu si kemi gjetur për pesë rekatet, shtatë dhe nëntë rekatet. Ajo që kemi gjetur nga vepra e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është se ai e fali vitrin me tre rekate, por nuk është përmendur dhënia e selamit në këtë transmetim.

-Pastaj përcolli me sened të saktë nga Ibën Abasi se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte vitrin me tre rekate, ku lexonte suret “Sebihisme rabikel eala”, “Kul ja ejuhal kafirun” dhe “Kul huvallahu ehad”.

-Pastaj thotë: Në temë ka hadith edhe nga Imran ibën Husajn, Aisha, Abdurrahman ibën Ebza dhe Enes ibën Malik.

-Thotë: “Këto njoftime janë të zymta dhe mundet që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të ketë dhënë selam pas dy rekateve të parë nga këto tre rekate, pasi që lejohet të thuash për atë që fal dhjetë rekate duke dhënë selam pas çdo dy rekatesh, se ai “ka falur dhjetë rekate” dhe hadithet e qarta të cilat nuk përmbajnë veçse një kuptim të vetëm, është më parësore që të pasohen dhe të argumentohesh me to, por ne na është përcjellë nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ai e ka lënë të lirë atë që dëshiron të falë vitrin, ndërmjet pesë, tre apo një rekat të vetëm, si dhe na është përcjellë gjithashtu nga disa sahabe se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e fali vitrin me tre rekate pa dhënë selam ndërmjet tyre. Kështu që të vepruarit sipas këtyre është e lejuar, ndërsa zgjedhja jonë është ajo që thamë.”

-Pastaj tha: “Tek ne lejohet që vitri të falet me një rekat, tre, pesë, shtatë dhe nëntë rekate, duke u mbështetur në transmetimet e përcjella nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ndërsa ajo që zgjedhim është ajo që thamë më parë. Në qoftë se dikush dëshiron të falë vitrin pas namazit të darkës, por dëshiron ta falë vetëm me një rekat, ajo që preferojmë për të është që ta paraprijë atë rekat me dy rekate nafile apo më shumë, por nëse nuk e bën këtë dhe fal vetëm një rekat, kjo gjë është e lejuar. Na është përcjellë nga disa prej sahabeve se ata e kanë bërë këtë gjë, ndërsa Maliku e të tjerë nuk e kanë pëlqyer këtë gjë, por shokët e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) janë më parësorë për tu ndjekur.”

-Pastaj tha: “Për mospëlqyeshmërinë e faljes së vitrit me tre rekate janë përcjellë disa transmetime nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe nga shokët e tij, e tabiinët. Prej tyre është [pastaj përmendi fjalën e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Mos e falni vitrin me tre rekate, sepse ashtu i përngjet namazit të akshamit, por falni pesë…”] Por siç e pamë, senedi i këtij hadithi është i dobët, megjithatë atë e ka përcjellë Tahaviu e të tjerë me rrugë tjetër me sened të saktë. Por në pamje të parë ky hadith kundërshton hadithin e Ebu Ejubit ku thuhet: “Dhe kush dëshiron, le ta falë vitrin me tre rekate”. Bashkimi ndërmjet këtyre haditheve është që ndalesa të drejtohet për nga falja e tre rekteve me dy teshehude, sepse në këtë rast ai i përngjet namazit të akshamit, por nëse qëndron ulur veçse në fund të tyre, në këtë rast nuk ka përngjasim. Këtë domethënie e ka përmendur edhe Ibën Haxheri në “Fet’h”, ndërsa Saneani e ka konsideruar të mirë në “Subulus selam”.

Mënyra më e mirë për largimin e të përngjasuarit e namazit të vitrit me atë të akshamit është ndarja e çiftit të tij nga teku me selam. Për këtë arsye, Ibën El Kajim në “Zadul miad”, pas përmendjes së hadithit: “Nuk jepte selam në dy rekatet e vitrit”, thotë:

“Kjo formë është e diskutueshme, pasi që Ebu Hatim ibën Hiban ka transmetuar në “Sahihun” e tij, nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!); nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Mos e falni vitrin me tre rekate, por faleni me pesë apo shtatë rekate dhe mos e përngjasoni atë me namazin e akshamit!”

Darakutni thotë: Të gjithë transmetuesit e këtij hadithi janë të besueshëm.

Mehna thotë: Pyeta Ebu Abdullahin (d.m.th. imam Ahmedin) se ç’farë thua për faljen e vitrit; a jep selam pas dy rekateve? -Ai tha: “Po”. -Thashë: Ku bazohesh për këtë? -Ai tha: Hadithet që e thonë këtë janë më të forta dhe më të shumta nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

El Harith thotë: “Është pyetur imam Ahmedi për vitrin dhe ai tha: “Duhet të japësh selam pas dy rekateve, por nëse nuk jep selam, shpresoj të mos e dëmtojë atë (quajtjen e namazit), por dhënia e selamit është më e qëndrueshme nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”

Nga e gjitha kjo që kaloi, dalim në përfundimin se të falurit e vitrit me cilëndo prej këtyre formave është e lejuar dhe e mirë, ndërsa për faljen e tij me tre rekate dhe dy teshehude, nuk ka ardhur hadith i saktë e i qartë, madje nuk shpëton nga mospëlqyeshmëria e tij.

Për këtë arsye, ne zgjedhim mosqëndrimin ulur ndërmjet çiftit dhe tekut, por nëse qëndron, duhet të japësh selam dhe kjo është forma më e mirë, siç e pamë më sipër.

Allahu është Ai që jep sukses, e nuk ka Zot tjetër përveç Atij.

 


[1] Kjo është një dobi e rëndësishme në të cilën tregohet qartë se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  dërgonte salavat mbi veten e tij dhe se këtë gjë ai e bënte në teshehudin e parë, ashtu si dhe në teshehudin e fundit. Atëherë a i lejohet muslimanit që ta lërë dërgimin e salavateve mbi të (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në teshehudin e parë, pasi që medhhebi i tij thotë se salavatet në teshehudin e parë nuk janë të pëlqyeshme, apo janë të ndaluara! Ndërkohë që është e njohur tek dijetarët se  nuk ka dallim në rregullat e namazit farz nga ai vullnetar, veçse me argument, i cili në rastin tonë mongon.

[2] Këto dy rekate pas faljes së vitrit në pamje të parë bienë në kundërshtim me fjalën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Fundin e namazit tuaj bëjeni tek (vitrin)!” të cilin e transmetojnë dy shejhat e të tjerë. Për këtë shkak dijetarët janë kundërshtuar në bashkimin ndërmjet këtyre haditheve dhe kanë thënë disa fjalë, prej të cilave nuk kam zgjedhur asnjërën si më të saktë. Më e paqshme është të qëndruarit në këtë fjalë të tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) sepse ajo është ligj i përgjithshëm, ndërsa vepra e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) mund të jetë e veçantë me të (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), dhe Allahu e di më mirë.


<<< Namazi i Teravive 6               |               Namazi i Teravive 8 >>>