NAMAZI I TERAVIVE (6)

I dijetarit të madh dhe muhadithit të kohës

Muhamed Nasirudin el Albani (Allahu e mëshiroftë!)


  1. Domosdoshmëria e të kapurit për njëmbëdhjetë rekate (në namazin e teravive) dhe argumenti për këtë

Tashmë është bërë e qartë për çdo të logjikshëm e të paanshëm se të falurit e namazit të teravive me njëzet rekate nga ndonjë prej sahabeve, nuk qëndron, por ajo që qëndron është urdhëri i Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) që ato të falen me njëmbëdhjetë rekate, ashtu si dhe na u bë e qartë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk i ka falur ato veçse me njëmbëdhjetë rekate.

Kjo na hap rrugë që të themi se falja e teravive me njëmbëdhjetë rekate është e detyrueshme dhe nuk duhet të shtohet në to, duke pasuar kështu të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe fjalën e tij: “…sepse ai që do të jetojë pas meje prej jush, do të shohë kundërshtime të shumta, por ju kapuni për sunetin tim dhe për sunetin e hulefave të drejtëudhëzuar e të drejtë! Kapuni fort pas tij dhe shtrëngojeni atë fortë me dhëmballë! Dhe ruajuni punëve të reja e të shpikura, sepse çdo e shpikur është risi (bidat) dhe çdo risi është humbje.” Në një hadith tjetër shton: “Dhe çdo humbje e ka vendin në Zjarr”.

Këtë hadith e transmeton Ahmedi (4/126, 127), Ebu Daudi (2/261), Tirmidhiu (3/377-378), Ibën Maxheh (1/19, 21), El Hakim (1/95, 97); nga disa rrugë, nga El Irbad ibën Sarije (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Tirmidhiu, El Hakim, Dhehebiu e të tjerë e kanë konsideruar të saktë këtë hadith dhe ai është ashtu si kanë thënë.

Ndërsa hadithin tjetër (me shtesën) e ka transmetuar Nesai (1/234), Ebu Nuajmi në “El Hilje” 3/189) dhe Bejhakiu në “Emrat dhe Atributet e Allahut” (f. 82); me sened të saktë nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Ibën Tejmije e ka konsideruar të saktë atë në “El Fetava” (3/58).

Është e ditur se dijetarët janë kundërshtuar në shumë çështje të fikhut, prej të cilave është edhe çështja që kemi në duar në lidhje me numrin e rekateve të teravive. Kundërshtimi i tyre në këtë çështje ka arritur në tetë mendime, si vijon:

Mendimi i parë: (41) rekate.

I dyti: (36) rekate.

I treti: (34) rekate.

I katërti: (28) rekate.

I pesti: (24) rekate.

I gjashti: (20) rekate.

I shtati: (16) rekate.

I teti: (11) rekate.[1]

Përderisa hadithi i përmendur na ka sqaruar rrugëdaljen nga çdo kundërshti në të cilën mund të bjerë populli dhe çështja për të cilën po flasim është e këtij lloji, atëherë na bëhet e detyrueshme të kthyerit te rrugadalja, d.m.th: tek të kapurit për sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili në rastin tonë është njëmbëdhjetë rekate për teravitë. Kështu që është e detyrueshme ta zbatojmë atë dhe të lëmë çdo gjë tjetër që e kundërshton atë, aq më tepër kur edhe vepra e udhëheqësve të drejtë (el hulefa er rashidin) është në përputhje me të. Prej këtu, ne shohim se të shtuarit në numrin e tyre është në kundërshtim me sunetin e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pasi që në adhurime nuk lejohet të vepruarit sipas asaj që mendja e sheh si të mirë por duhet qëndruar në tekstet hyjnore, siç e pamë më parë.

Për tu habitur është fakti se populli i thjeshtë e ka kuptuar pak a shumë këtë gjë dhe shpesh i dëgjojmë të thonë: “Të shtuarit është motra e të lënit mangut”, por si është puna me ata të cilët janë disi më të veçantë se populli?!

Më ka bërë përshtypje në lidhje me këtë pikë, ajo që ka përmendur Ibën Ebu Shejbe në “El Musanef” (2/110/2); nga Muxhahidi, ka thënë: Një burrë erdhi te Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe i tha: “Unë me një shokun tim ishim në një udhëtim. Unë e falja namazin të plotë ndërsa ai e shkurtonte atë.” -Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tha: “Ai që e shkurtonte ke qënë ti, ndërsa ai që e falte të plotë ka qënë shoku yt.”

Sigurisht që kjo ka qënë nga të kuptuarit e thellë të Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), pasi që ai e konsideroi plotësimin dhe saktësinë e namazit në udhëtim atë që ishte bërë në përputhje me sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ndërsa mangësinë dhe shkurtimin në atë që e kundërshton atë, edhe nëse ajo në numër është më shumë. Si të mos jetë kështu, kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bëri lutje për Ibën Abasin me fjalët: “O Zot! Bëja të kuptueshme atij Fenë dhe mësoji interpretimin (e Kuranit)!”

Në fakt, ai që është vërtetë fakih (që e kupton sheriatin), atij nuk i takon ta kapërcejë këtë fjalë të Ibën Abasit, por e konsideron atë si bazë në të gjitha çështjet e sheriatit të përsosur, pasiqë e kundërta e kësaj të shpie në mveshjen e Ligjvënësit me harresë e mangësi, “Por Zoti yt nuk harron kurrë”. Por këtë do ta shpjegojmë në një broshurë tjetër inshaAllahu.

Më ka bërë përshtypje gjithashtu, fjala e shejhut të Islamit, Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) në përgjigjen që i ka kthyer shiitit, Ali ibën El Mutahar:

“Ai pretendon se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) falte një mijë rekate në një ditë-natë, por kjo nuk është e vërtetë. I Dërguari ynë (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk falte më tepër se trembëdhjetë rekate në natë, madje nuk është e preferuar që të ngrihesh për tu falur në çdo natë, përkundrazi, ajo është e papëlqyeshme, sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ka thënë Abdullah ibën Amrit (ibën el Asit): “Trupi yt ka të drejta mbi ty.”

Vetë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falte në një ditë-natë rreth dyzetë rekate dhe Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka qenë më i dijshëm me sunetin e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe më pasues i tij se të tjerët, kështu që si mund ta kundërshtojë atë me një mënyrë të atillë, nëse do të supozonim se fjala e tyre është e mundur të kryhet?! Si do të ishte e mundur të falte një mijë rekate sipas rregullit dhe njëkohësisht të kryente detyrat e tjera, kur dihet se trupi i tij ka të drejta mbi të, si të fjeturit, të ngrënit, të pirit, nevojat e tij, pastrimit, bashkimit me familjen e tij, përkujdesjen për fëmijët dhe familjen e tij, gjë e cila merr thuajse gjysmën e kohës që ka në dispozocion njeriu?!

Një orë e vetme nuk do të mjaftonte për tu falur gjatë saj tetëdhjetë rekate, vetëm nëse do të këndohej në to vetëm surja Fatiha dhe pa përqendrim e qetësi në namaz. Ndërsa Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) është më i lartë dhe më fisnik sesa të falë namazin e hipokritëve dhe të mos e përmendë Allahun veçse pak, siç transmetohet në dy Sahihat.”

Vështro se si e ka pastruar Aliun (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) nga të shtuarit në rekatet e teravive mbi sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), kur thotë: “Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka qënë më i dijshëm me sunetin e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe më pasues i tij se të tjerët, kështu që si mund ta kundërshtojë atë me një mënyrë të atillë?!”


Dijetarët të cilët e kanë refuzuar shtimin në rekatet e teravive

Për këtë arsye: sikur të ishte e qëndrueshme se ndonjëri prej halifëve të drejtë, apo prej sahabeve të dijshëm të kishte shtuar në numrin e rekateve të namazit të natës (teravive) më shumë se njëmbëdhjetë rekate, ne nuk do të mund të thonim tjetër veçse ta pranonim atë, sepse ne e dimë mirë vlerën e tyre, dijen e tyre, të qëndruarit e tyre larg risive në Fe dhe kujdesin i tyre për ndalimin e njerëzve nga ato (risitë). Por përderisa diçka e tillë nuk qëndron, ne nuk e konsiderojmë të lejuar të shtuarit në numrin e teravive. Ata që na kanë prirë në këtë fjalë kanë qënë dijetarë të mëdhenj prej selefëve me në krye imam Malikun në njërën prej dy fjalëve të tij.

Sujuti në librin “El mesabih fi salati et teravih” (2/77, prej fetvave të tij) thotë: “El Xhuri –një prej shokëve tanë- ka përcjellë nga Maliku se ai ka thënë: “Ajo në të cilën Umer ibën El Hatab i bashkoi njerëzit është më e dashur për mua dhe ato kanë qenë njëmbëdhjetë rekate. Ky ka qënë edhe namazi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).” Dikush i tha: Njëmbëdhjetë rekate bashkë me vitrin? Ai tha: “Po”. Edhe trembëdhjetë rekate është e përafërt me këtë. Pastaj tha: “Dhe nuk e di se nga u shpik ky numër i madh rekatesh?!”

Ndërsa imam Ibën El Arabi, në librin “Shpjegimi i Tirmidhiut” (4/19), pas përmendjes së transmetimeve të ndryshme nga Umeri dhe deri në fjalën se nuk ka ndonjë numër të kufizuar teravish, ai thotë:

“E sakta është që të falen njëmbëdhjetë rekate, si namazi i të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe kijami (teravitë) e tij. Ndërsa numrat e tjerë për teravitë nuk kanë ndonjë bazë dhe as kufi. Por meqë duhet të ketë patjetër një kufi, atëherë sa rekate falte i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)? Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ka shtuar më shumë se njëmbëdhjetë rekate, qoftë në Ramazan apo në muajt e tjerë. Me këtë namaz është për qëllim namazi i kijamit (namazi i natës, i teravive). Kështu që është e detyrueshme që të marrim shembull në to të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) .”

Po kështu edhe imam Muhamed ibën Ismail Es Saneani në librin “Subulus Selam” – “Rrugët e Paqes” (2/11,12) ka shprehur qartë se numri “njëzet” në namazin e teravive është bidat. Ai thotë: “Dhe nuk ka ndonjë bidat të mirë, të gjitha bidatet janë në humbje.”

Them: Sqarimi i kësaj ideje do të shtrohet më gjerë në broshurën e veçantë për bidatin –insha Allahu-, por ne na mjafton këtu ti kujtojmë lexuesit të nderuar fjalën e sahabiut të ndershëm, Abdullah ibën Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) që thotë: “Çdo bidat është në humbje edhe nëse njerëzit e shohin të mirë atë.”

E themi këtë me qëllim që lexuesi të jetë i vëmendshëm nga ata që pretendojnë se përkrahin sahabet por që në të vërtetë janë në krye të kundërshtarëve të tyre në gjërat që ata ndalojnë. Për të mos u mjaftuar me këtë, ata fillojnë e akuzojnë thirrësat e sunetit me fjalët se ata i kundërshtojnë sahabet, por në të vërtetë ata janë më të shumtit pasues të sahabeve, nëse transmetimi prej tyre është i saktë, siç e pamë më parë.

Përgjigja për disa dyshime e akuza

Fakti që ne ngulim këmbë në kapjen për këtë numër të ardhur në sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe braktisjen e të shtuarit në të, ky fakt nuk hap shteg kundër nesh për të thënë se ne i quajmë bidatçinj ata (dijetarë) të cilët kanë zgjedhur shtesën në to, apo se ata e kanë bërë këtë nga pasimi i dëshirave të tyre, siç e sqaruam më parë, prandaj ne habitemi kur ndokush prej muslimanëve çon në mendje që ti quajë ata bidatçinj në Fe. Kjo jo, madje ata kanë shpërblim për përpjekjen e tyre, siç e kemi përmendur shpesh. Si mund të ishte kështu kur ata kanë mirësinë e të drejtuarit tonë në atë që argumenton Kurani dhe Suneti?!

Dëgjo imam Shafiun (Allahu e mëshiroftë!), se si thotë: “Muslimanët të gjithë kanë rënë në unanim se kujt i bëhet e qartë ndonjë prej suneteve të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), atij nuk i lejohet ta lërë atë për shkak të fjalës së ndokujt tjetër.”

Po kështu ne nuk na detyrohet fjala e disave, të cilët nga imagjinata e tyre thonë se kundërshtimi i ndonjë prej imamëve do të thotë se kundërshtari pretendon se është më i mirë se ata në dije e perceptim! Jo, nuk është ashtu. Kjo është veçse një imagjinatë e kotë. Ne e dimë mirë detyrimisht që katër imamët e mëdhenj janë më të ditur se nxënësit e tyre, e aq më tepër për ata më pas tyre, por megjithatë ata nxënës i kanë kundërshtuar mësonjësit e tyre në shumë çështje dhe kështu vazhdon kjo gjë; të mëpasmit kundërshtojnë ata të mëhershmit, derisa të ketë dijetarë verifikues në popullin musliman.

Por arsnjëherë nuk mund të imagjinohet se këta të mëvonshmit, të cilët mund ti kundërshtojnë ata në disa çështje, pretendojnë se janë më të mirë se ata. Si mund të imagjinohet diçka e atillë, kur kundërshtarët e tyre janë shumë e shumë periudha pas tyre?!

E vërteta është se gjendja jonë në lidhje me imamët e mëdhenj është ashtu si transmetohet nga Asim ibën Jusuf, se dikush i tha atij: “Ti e kundërshton shumë Ebu Hanifen.” -Ai i tha: “Ebu Hanifes i është dhënë ajo që nuk na është dhënë neve dhe të percepturit e tij ka arritur atë që ne nuk kemi mundur ta arrijmë, kështu që ne nuk na lejohet të japim përgjigje sipas fjalës së tij përderisa nuk e kemi kuptuar se nga e ka marrë atë!”

E them këtë duke qënë i vetëdijshëm se Mëshira e Allahut është më e gjerë se të kufizuarit e mirësisë dhe dijes vetëm te katër imamët e mëdhenj dhe se Allahu është i Mundshëm të krijojë pas tyre edhe më të dijshëm se ata, duke kujtuar gjithashtu se mundet që tek i mëvonshmi të gjendet diçka që nuk ka qënë tek i mëparshmi dhe tek ai që është më i mirë se ai. Kjo është diçka e njohur dhe e aprovuar tek dijetarët. Po kështu edhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Populli im është si shiu, që nuk i dihet se ku e ka begatinë, në fillim apo në fund të tij!”

Këtë hadith e tarnsmeton Tirmidhiu (4/40) dhe e ka quajtur Hasen. E ka transmetuar gjithashtu El Akili (f. 110, 111) e të tjerë.

Të lejuarit e faljes së kijamit (namazit të natës dhe teravive) me më pak se njëmbëdhjetë rekate

Nëse ndokush thotë: “Meqë ndaloni të shtuarit në numrin e rekateve të transmetuara nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për namazin e natës, nga i cili është edhe namazi i teravive, atëherë duhet të ndaloni edhe faljen e tyre me më pak se njëmbëdhjetë rekate, pasiqë nuk ka dallim ndërmjet të shtuarit dhe të pakësuarit, sepse për asnjërën prej tyre nuk ka ardhur argument!”

Përgjigja: Nuk ka dyshim se e vërteta do të ishte ashtu si thonë, sikur të mos kishte ardhur nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) lejimi i të falurit e tyre me më pak se ky numër; nga vepra dhe nga fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Për veprën e tij, Abdullah ibën Ebu Kajs ka thënë: I thashë Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!): “Me sa rekate e falte vitrin i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)?” Ajo tha: “Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte vitrin me katër plus tre rekate, ose me gjashtë plus tre, ose me dhjetë plus tre. Por nuk e falte vitrin me më pak se shtatë rekate dhe as me më shumë se trembëdhjetë rekate.”[2]

Këtë hadith e transmeton Ebu Daudi (1/214), Tahaviu në librin “Sherh meani el Ethar” (1/168) dhe Ahmedi (6/149) me sened të mirë. Hafiz El Iraki e ka konsideruar të saktë atë (nr. 573).

Ndërsa nga fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kemi argument hadithin: “Vitri është hak (e vërtetë); kush do, le të falë në të pesë rekate, kush do, le të falë tre rekate dhe kush do, le të falë një rekat!”

Këtë hadith e transmeton Tahaviu (1/172), Darakutni (f.182), El Hakim (1/302) dhe Bejhakiu; nga hadithi i Ebu Ejub el Ensari të ngritur tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). El Hakim thotë: “Ky hadith është Sahih sipas kushteve të dy shejhave (Buhariut dhe Muslimit).” Atë e ka aprovuar gjithashtu Dhehebiu dhe Neveviu në “El Mexhmu”. Ibën Habani e ka quajtur të saktë, siç thuhet në “Fet’hul bari” (2/386). Dhe hadithi është ashtu si kanë thënë ata.[3]

Ky tekst është i qartë për lejimin e të mjaftuarit me një rekat të vetëm në namazin e vitrit dhe sipas kësaj ka vazhduar puna e selefëve (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!). Hafiz Ibën Haxheri në shpjegimin e “Sahihut të Buhariut” thotë:

“Ka ardhur me rrugë të saktë nga disa prej sahabeve se ata e kanë falur vitrin me një rekat të vetëm, pa falur nafile para tij. Në librin e Muhamed ibën Nasr e të tjerë, transmetohet me sened Sahih nga Es Saib ibën Jezid; se Uthmani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) lexoi një natë Kuranin në një rekat të vetëm dhe nuk fali rekat tjetër përveç tij dhe do të vij më pas në kapitullin “El Megazi” hadithi i Abdullah ibën Thealebe; se Seidi e fali vitrin me një rekat. Po ashtu do të vijë në kapitullin “El Menakib”, nga Muavija se ai e fali vitrin me një rekat ndërsa Ibën Abasi e aprovoi atë duke i thënë se vepra e tij është e saktë.”[4]

 


[1] Këto fjalë i ka përmendur El Ajni (5/356-357) dhe tha se mendimi i fundit është zgjedhja e Malikut dhe po atë ka zgjedhur edhe Ebu Bekër ibën El Arabi. Fjala e këtyre dyve do të vijë së shpejti kur të flasim për të shtuarit në numrin e teravive mbi (11) rekate.

[2] Ky hadith nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) na tregon atë që është përcjellë nga ajo në një hadith tjetër se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte vitrin me tre rekate. Ajo ka për qëllim se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte vitrin me tre rekate dhe para tyre falte katër rekate (nafile, namaz nate). Et Tahavi ka përcjellë me sened të saktë nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ajo ka thënë: “Vitri ishte me shtatë rekate, pesë ose tre rekate.” Prandaj unë nuk pëlqej që të falet vitri me tre rekate pa u paraprirë me rekate të tjera para tyre.”

Shejh Albani thotë: Nisur prej këtu, të argumentuarit e hanefive me hadithin tjetër –nëse ai është i saktë-, se namazi i vitrit është me tre rekate, ai hadith nuk shpëton nga të pasurit dobësi. Por për lejimin e të falurit e vitrit me tre rekate argumenton hadithi i Ebu Ejubit, i cili është përmendur më sipër pas hadithit të Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), por ata (hanefitë) nuk e marrin për bazë këtë hadith sepse ai shpreh qartë për lejimin e faljes së vitrit me një rekat të vetëm, ndryshe nga medhhebi i tyre!

[3] Them: Zgjedhja e Bejhakiut e disa të tjerëve fjalën se ky hadith është meukuf (i pangritur tek i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), kjo fjalë është e pajustifikueshme, sepse atë e kanë përcjellë të ngritur një grup i konsiderueshëm transmetuesish të besueshëm dhe ngritja është njohuri më tepër e cila duhet të pranohet, siç është e aprovuar në shkencën e hadithit.

Ndërsa hadithi që thotë: “Mos e falni vitrin me tre rekate, sepse ashtu i përngjet namazit të akshamit, por faleni atë me pesë rekate, ose shtatë, ose nëntë, ose njëmbëdhjetë, ose më shumë se kaq!” Këtë hadith e ka transmetuar Ibën Nasr, El Hakim dhe Bejhakiu; nga Tahir ibën Amër ibën Rabij; me senedin e tij nga Jezid ibën Habib; nga Arak ibën Malik; nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!); të ngritur te i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Në të përmendet kjo shtesë: “ose më shumë se kaq” e cila është e refuzuar. As El Hakim nuk e ka konsideruar të saktë atë, megjithë dorëlëshimin e tij në saktësimin e haditheve, dhe ia ka qëlluar. Kjo sepse për Tahirin e përmendur në të nuk kam gjetur asnjë përmendje në librat e biografive të transmetuesëve, qoftë në ato të botuarat apo dorëshkrimet. Këtë hadith e ka transmetuar gjithashtu Tahaviu me rrugë tjetër nga Xheafer ibën Rabij’ah; nga Araku; të ngelur te Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe pa atë shtesë. Po, atë e ka transmetuar gjithashtu Tahaviu dhe Darakutni me një rrugë tjetër nga Ebu Hurejra; të ngritur tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), por pa atë shtesë. Kështu që vërtetohet refuzimi i saj sepse senedi i këtij është i saktë. El Hakim ka thënë për këtë hadith (pa shtesën): “I saktë sipas kushteve të dy shejhave.” Atë e ka përkrahur edhe Dhehebiu.

Por kuptimi i drejtpërdrejtë i këtij hadithi bie në kundërshtim me hadithin e transmetuar nga Ebu Ejub për të falurit e vitrit me tre rekate, por në fakt ndërjet tyre nuk ka kundërshtim, siç do ta sqarojmë më pas –inshaAllahu-.

[4] Me këtë bëhet e qartë se përcjellja e disa hanefive fjalën se muslimanët kanë rënë në unanim për të qenurit e vitrit me tre rekate, nuk është e vërtetë. Këtë fjalë e ka kundërshtuar gjithashtu Ibën Haxheri në “Fet’hul bari” (2/385).


<<< Namazi i Teravive 5               |               Namazi i Teravive 7 >>>