NAMAZI I TERAVIVE (5)

I dijetarit të madh dhe muhadithit të kohës

Muhamed Nasirudin el Albani (Allahu e mëshiroftë!)

Përktheu Dr. Bledar Albani


  1. Nuk është e vërtetë se ndonjë prej sahabeve i ka falur teravitë me njëzet rekate. Verifikimi i gjurmëve të përcjella nga ata dhe sqarimi i dobësisë së tyre

Ekzistojnë gjithashtu transmetime të tjera nga disa sahabe të tjerë, përveç Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), ku thuhet se ata i falnin teravitë me njëzet rekate dhe për faktin se ato transmetime nuk qëndrojnë përballë kritikës akademike të saktë, por me të cilat janë mashtruar shumë njerëz, ishte e domosdoshme të sqarohej dobësia e tyre në mënyrë që besimtari të jetë i qartë në veten e tij.

  1. Nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) është përcjellë me dy rrugë se ai i falte teravitë me njëzet rekate.

Rruga e parë: Nga Ebu el Hasna transmetohet se: “Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) urdhëroi një burrë që të falte me ta në muajin e Ramazanit njëzet rekate”. Këtë e transmeton Ibën Ebi Shejbe në “El Musanef” (2/90/1) dhe Bejhakiu (2/497), i cili shton: “Në këtë sened ka dobësi.”

Them (shejh Albani): Defekti i tij qëndron te Ebu el Hasna, për të cilin Dhehebiu ka thënë: “Nuk njihet”, ndërsa Ibën Haxheri ka thënë: “Është i panjohur”.

Them: Unë mendoj se në të gjendet edhe një defekt tjetër, i cili është ndërprerja prej dy personash ndërmjet Ebu el Hasna dhe Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), sepse Ibën Haxheri thotë në “Et Tehdhib”: “Ai (Ebu el Hasna) ka përcjellë nga el Hakem ibën Atibe; nga Haneshi; nga Aliu; në lidhje me kurbanin.”

Them: Ndërmjet tij dhe Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) duhet të jenë dy transmetues.

Rruga e dytë: Nga Hamad ibën Shuajb; nga Ata ibën es Saib; nga Ebu Abdurrahman es Sulemi; nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “Ai -Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)- thirri lexuesit (hafizat) në muajin e Ramazanit dhe urdhëroi njërin prej tyre që të printe njerëzit në namazin e teravive me njëzet rekate. -Thotë: Vetë Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e falte namazin e vitrit bashkë me ta.”

Këtë e transmeton Bejhakiu (2/496), por senedi i tij është i dobët dhe ai ka dy defekte: Ata ibën es Saib ngatërrohej në transmetim nga fundi, ndërsa Hamad ibën Shuajb është shumë i dobët, siç ka thënë edhe Buhariu në fjalën e tij: “Për të ka vërejtje (apo ai është me pikëpyetje).” Ndërsa në një vend tjetër thotë: “Hadithi i tij është i refuzuar”

Dhe siç dihet në mesin e dijetarëve, Buhariu e thotë këtë për atë nga i cili nuk lejohet të përcjellësh hadith, kështu që ai nuk vlen për argument dhe nuk është i konsiderueshëm.

Them: Atë (Hamadin) e ka kundërshtuar gjithashtu Muhamed ibën Fudajl, siç e transmeton Ibën Ebu Shejbe nga ai; nga Ata ibën es Saib; me shprehjen: “Nga Aliu, se ai i priu ata në namazin e teravive në Ramazan”, por pa përmendur absolutisht asnjë numër rekatesh. Sigurisht që kjo argumenton për dobësinë e Hamadit, pasi që Muhamed ibën Fudajl është i besueshëm dhe ai nuk ka përcjellë njësoj si Hamadi. Kështu që sipas rregullave të shkencës së hadithit, transmetimi i tij është i refuzuar.

  1. Nga Ubej ibën Keab (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) është përcjellë gjithashtu me dy rrugë:

Rruga e parë: E ka transmetuar Ibën Ebu Shejbe në “El Musanef” (2/90/1) me sened të saktë deri te Abdulaziz ibën Rafij, i cili ka thënë: “Ubej ibën Keab i printe njerëzit në Ramazan me njëzet rekate dhe e falte vitrin me tre rekate.”

Por ky transmetim është i ndërprerë ndërmjet Abdulazizit dhe Ubej ibën Keab, pasi që distanca ndërmjet dy vdekjeve të tyre është më shumë se njëqind vjet dhe për këtë arsye, dijetari i madh indian En Nejmevi ka thënë: “Abdulaziz ibën Rafij nuk e ka arritur Ubej ibën Keab-in”. Këtë e ka përcjellë nga ai el Mubarekfuri (në sherhun e Sunenu Tirmidhi) dhe e pasoi me fjalën e tij (2/75): “Çështja qëndron ashtu si ka thënë En Nejmevi. Ky transmetim nga Ubeh ibën Keab është i ndërprerë dhe përveç kësaj ai është në kundërshtim me atë që është përcjellë nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai e urdhëroi Ubej ibën Keabin dhe Temim ed Darin që t’i prijnë njerëzit me njëmbëdhjetë rekate. Ai gjithashtu është në kundërshtim me atë që është përcjellë nga Ubej ibën Keab se ai u fal në Ramazan imam për gratë në shtëpinë e tij dhe fali tetë rekate, pastaj vitrin, siç e pamë më parë të plotë.”

Them: Ka për qëllim atë që ka përmendur një faqe më parë, ku thotë: “Për këtë fjalën e fundit që ka zgjedhur Maliku, d.m.th. njëmbëdhjetë rekatet e teravive, argumenton edhe hadithi i Ebu Jeala nga Xhabir ibën Abdullah i cili ka thënë: “Ubej ibën Keab erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: O i Dërguari i Allahut! Këtë natë më ndodhi diçka –në një natë ramazani-. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Ç’është ajo, o Ubej?” -Ai tha: Disa gra që ndodheshin në shtëpinë time thanë: Ne nuk mund të lexojmë shumë Kuran (nuk dimë përmendësh), a të falemi pas teje? -Thotë: Atëherë fala me to tetë rekate dhe pastaj fala vitrin. -Ky ishte suneti i qëlluar dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk tha gjë.”[1] 

El Hejthemi në “Muxhea ez zauaid” thotë: “Senedi i këtij hadithi është Hasen”.

Rruga e dytë: Atë e ka nxjerrë Ed Dajaa el Makdesi në “El Muhtara” (1/384); nga Ebu Xheafer er Razi; nga er Rabij ibën Enes; nga Ebu el Alije; nga Ubej ibën Keab, se: “Umeri urdhëroi Ubejin që të printe njerëzit në muajin e ramazanit (në namazin e teravive) dhe i tha: “Njerëzit agjërojnë ditën dhe nuk mund të lexojnë shumë Kuran (nuk dinë përmendësh), kështu që do të bëje mirë të lexoje me ta në namazin e natës.” -Ai tha: “O prijësi i besimtarëve! Kjo është diçka që nuk ka qenë bërë më parë?!” -Ai tha: “E di, por kjo kjo është diçka e mirë, prandaj fal me ta njëzet rekate!”

Them: Senedi i këtij etheri është i dobët; Ebu Xheaferin, emri i të cilit është Isa ibën Ebi Isa ibën Mahan, Dhehebiu e ka përfshirë në mesin e transmetuesëve të dobët dhe ka thënë: Ebu Zurah thotë: “Ai gabon shumë”. Ndërsa Ahmedi ka thënë: “Ai nuk është i fortë”. Ndërsa një herë tjetër ka thënë: “Hadithi i tij është i mirë”. Ndërsa El Felas thotë: “Me memorje të keqe”, ndërsa dikush tjetër thotë: “I besueshëm”. Më pas Dhehebiu e përmendi atë në mesin e transmetuesve që njihen me kunjën e tyre dhe tha: “Të gjithë kanë folur keq për të.” Ndërsa Ibën Haxheri e ka thënë prerë në “Et Takrib” se: “Ai është me memorje të keqe”.

Ibën Kajim në “Zadul miad” (1/99) thotë: “Ai është transmetues i haditheve të refuzuara. Askush prej dijetarëve nuk është argumentuar me hadithet që ai i ka përcjellë i vetëm.”

Them: Për këtë nuk dyshon asnjë studiues i haditheve; se ai shpeshherë i kundërshton transmetimet e të besueshmëve, prej të cilave është edhe ky hadith, sepse siç e pamë më sipër të transmetuar me sened të saktë nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai e urdhëroi Ubejin të falte me njerëzit njëmbëdhjetë rekate dhe nuk mund të imagjinohet se Ubeji do të kundërshtonte urdhërin e prijësit të besimtarëve, aq më tepër kur ai është në përputhje me sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!, në vepër dhe aprovim të Ubejit, siç e pamë më parë.

Ky transmetim ka edhe një kundërshtim tjetër në fjalën: “Kjo është diçka që nuk ka qenë më parë”, pasi që nuk mund të imagjinohet që atë ta thotë Ubeji dhe Umeri të bjerë dakord me të, ndërkohë që ky bashkim (për faljen e teravive) i ka rrënjët në kohën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), siç e sqaruam këtë me hadithe të sakta, kështu që ata duhet të ishin prej dëshmuesve të kësaj, apo të paktën të ishin në dijeni për të, ndërkohë që ata njihen për vendin e tyre në lidhje me dijen!

Shkurt, ky transmetim nga Ubeji është i refuzuar dhe nuk vlen për argument.

  1. Nga Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e ka transmetuar atë Ibën Nasr në librin “Namazi i natës”[2] (f. 91); nga Zejd ibën Vehbi, (ka thënë): “Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) falej me ne në muajin e Ramazanit dhe e mbaronte namazin (e teravive) kur kishte mbetur edhe pak prej natës. El Eamash thotë: “Ai falte njëzet rekate (teravi) dhe tre rekate vitër.” El Mubarekfuri në “Sherhun e Tirmidhiut” (2/75) thotë: “Senedi i këtij etheri është gjithashtu i ndërprerë sepse El Eamashi nuk e ka arritur Ibën Mesudin”.

Them: E vërteta qëndron ashtu si ka thënë ai, madje senedi i tij mund të jetë me dy transmetues të rrëzuar, sepse përgjithësisht El Eamashi transmeton nga Ibën Mesudi me dy ndërmjetësa, siç e njeh këtë gjë studiuesi i Musnedit të Ibën Mesudit. Pastaj ne nuk e dimë nëse senedi i tij është i saktë apo jo deri tek El Eamashi, pasi që përmbledhësi i librit, el Mukrini e ka hequr senedin e tij, dhe ah, sikur të mos e kishte bërë këtë, sepse ai na ka humbur njohjen e gradës së shumë haditheve të atij libri!

Ajo që mendohet është se ai nuk është i saktë nga El Eamashi, pasi që Et Taberani e ka përcjellë këtë ether nga Zejd ibën Vehbiu i përmendur më sipër, në librin “El Muxhmeu” (3/172), por nuk e ka përmendur këtë fjalë të Eamashit. Kështu që në rrugën për tek ai do të ketë qenë ndonjë transmetues i dobët nga memorja e keqe a ndonjë arsye tjetër, dhe Allahu e di më mirë.[3]

Kjo është e gjitha ajo ku qëndruam në lidhje me gjurmët e përcjella nga sahabet (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) për të shtuarit në numrin e teravive të caktuara në sunet dhe që të gjitha ato janë të dobëta dhe të paqëndrueshme. Për dobësinë e tyre ka bërë shenjë edhe Tirmidhiu, siç e pamë më sipër.

Unë besoj se lexuesi i nderuar nuk mund ti gjejë të gjitha ato hadithe të mbledhura në një libër të vetëm, me këtë studim të rrugëve të transmetimit të tyre dhe me këtë verifikim të përpiktë akademik. Për këtë falenderojmë Allahun, me Mirësinë e të Cilit plotësohen të mirat!

Nuk ekziston unanim për faljen e teravive me njëzet rekate

Nga verifikimi i mësipërm na bëhet e qartë se të gjitha transmetimet e përcjella për sahabet në lidhje me fjalën se ata i kanë falur teravitë me njëzet rekate, ato transmetime nuk qëndrojnë dhe nuk janë të sakta. Ndërsa ajo që thonë disa se “sahabet janë pajtuar unanimisht për faljen e teravive me njëzet rekate”, kjo është diçka të cilës nuk i hidhen sytë, pasi që ajo është ndërtuar mbi transmetim të dobët dhe ajo që ndërtohet mbi baza të dobëta është e dobët. Prej këtu, gjejmë dijetarin e madh, El Mubarekfurin që ta thotë prerë në “Shpjegimin e Suneneve të Tirmidhiut” (2/76), me fjalën: “Ky është një pretendim i pavlefshëm, i kotë”.

Këtë e përforcon edhe fakti se, sikur ajo të ishte e saktë, nuk do ti lejohej pasardhësve të tyre që ti kundërshtonin ata, por në fakt dijetarët që erdhën pas tyre janë kundërshtuar në lidhje me numrin e teravive, siç do ta shohim së shpejti. Por supozimi i një unanimi të tillë i bën studiuesit që të nxitohen në pranimin e çdo unanimi të përmendur në disa libra, për të cilat është vërtetuar se shumë supozime të atilla në to nuk qëndrojnë.

Prej shembujve të tjera për këtë është edhe unanimi i përcjellë nga disa njerëz në lidhje me namazin e vitrit, duke thënë se ai është me tre rekate, megjithëse është përcjellë nga disa prej sahabeve se ata e falnin vitrin me një rekat, siç do ta shohim më pas.

Nisur nga kjo, recensori Sadik Hasen Han, në parathënien e librit të tij “Es siraxh el uehaxh min keshfi metalibi Sahih Muslim ibën el Haxhaxh” (1/3) thotë:

“Në përcjelljen e unanimeve është bërë një dorëlëshim i madh, saqë kush nuk ka njohuri për medhhebet e dijetarëve, mendon se unanimi i dijetarëve të medhhebit apo vendit të tij është unanim i të gjithë dijetarëve. Sigurisht që kjo është një bela e madhe, pasi që ky përcjell tek njerëzit diçka të pavërtetuar e të paqëndrueshme, dhe jo me rrugë të devotshme.

Po kështu kanë bërë edhe dijetarët e katër medhhebeve e sidomos ata të mëvonshmit prej tyre, duke e quajtur atë çështje për të cilën kanë rënë dakord të katër medhhebet, “unanim – ixhma”. Kështu ka bërë për shembull Neveviu, në shpjegimin e “Sahihu Muslim” e të tjerë që kanë ndjekur rrugën e tij.

Por ky nuk është “ixhmai-unanimi” për të cilin dijetarët kanë thënë se është argument i konsideruar në sheriat (pas Kuranit dhe Sunetit), ndërsa brezi më i mirë është brezi i parë, pastaj ata që erdhën pas tyre dhe pastaj ata që erdhën pas tyre, dhe që të gjithë ata kanë qenë para shfaqjes së medhhebeve.

Dijetari i madh Esh Sheukani thotë: “Unanimet që përmenden në libra, nuk janë veçse në çështje për të cilat autorët e atyre librave nuk dinë të ketë kundërshtim në to, por mosnjohja e tyre për ekzistencën e kundërshtimit, nuk do të thotë se ai nuk ekziston, më e shumta që mund të thuhet është se ai mendon se në atë çështje të caktuar ka unanim. Por mendimi i një personi nuk është i vlefshëm për të qenë kompetent në përcjelljen e unanimit dhe as rrugë prej rrugëve të njohjes së tij. Ndërsa ata të cilët thonë se unanimi është argument në sheriat, nuk kanë për qëllim këtë unanim të imagjinuar i cili është thjesht mendimi i një individi të shoqërisë dhe Allahu nuk ka kërkuar prej krijesave të Tij që t’a adhurojnë Atë me diçka të tillë.

Në qoftë se një studiues thotë: “Unë nuk di ndonjë argument nga Kurani apo nga Suneti për këtë çështje të caktuar”, asnjë i logjikshëm dhe aq më tepër dijetar, nuk do të thoshte se kjo fjalë e tij është argument.

Në qoftë se kuptohet kjo, do të të lehtësohet perceptimi kur dëgjon fjalën “unanim”, pasiqë nuk është “unanim” ai për të cilin populli është kundërshtuar në është apo jo argument, megjithëse shumica e dijetarëve të “Usulit – bazave të fikhut” thonë se në “ixhma – unanim” nuk pranohen transmetimet “Ehad – që kanë ardhur me një rrugë të vetme transmetimi”, siç ka thënë el Kadi në “Et Tekrib” dhe Gazali në librat e tij.”

Argumentet e kësaj çështjeje i kam paraqitur në librin “Husul el Me’mul min Ilmi el Usul”, kështu që kush dëshiron, le të kthehet te ai, apo te libri “Udhërrëfimi i kërkuesit të dijes”, e libra të tjerë nga librat tanë.

Them: Po kështu e ka verifikuar këtë çështje imam Ebu Muhamed ibën Hazmi, në librin e tij me vlerë “Ihkamu el Ahkam fi Usuli el Ahkam”. Ndaj, kushdo që dëshiron të verifikojë “unanimet” e përmendur nga disa njerëz, le të kthehet te ai, sepse ai është prej librave më të mirë në bazat e fikhut dhe i ilustruar me argumente nga Kurani dhe suneti, ndryshe nga disa libra të tjerë të thurura me imagjinata e supozime!


[1] Shejh Albani thotë: Këtë e ka përcjellë Ibën Nasr (f. 90) me shprehjen: “Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) heshti dhe kjo ishte si pëlqim për të.” Senedi i këtij hadithi mund të arrijë gradën e hadithit Hasen sipas meje, dhe Allahu e di më mirë.

[2] Ky libër është shumë me vlerë. Autori i tij, imami dhe hafizi Muhamed ibën Nasr el Mervezi ka ruajtur për ne në të shumë hadithe dhe gjurmë të sahabeve, shumica e të cilave ndoshta nuk mund të gjenden në librat e tjerë. Por shumë prej dobive të tij na i ka hequr përmbledhësi i atij libri, dijetari i madh El Mukrini, i cili ka hequr disa transmetime të tij. Ky libër është botuar në Indi.

[3] Më pas vura re se El Ajni e kishte përmendur senedin e tij në librin “El Umdeh” (5/357) të përcjellë nga Ibën Nasri. Aty m’u bë e qartë se rruga e transmetimit deri te Eamashi ishte e saktë, kështu që ishte e detyrueshme që këtë ta bëja të qartë dhe të mjaftohemi me dobësinë e tij për shkak të ndërprejes apo rrëzimit të dy transmetuesëve.


<<< Namazi i Teravive 4               |               Namazi i Teravive 6 >>>