NAMAZI I TERAVIVE (3)

I dijetarit të madh dhe muhadithit të kohës

Muhamed Nasirudin el Albani (Allahu e mëshiroftë!)

Përktheu Dr. Bledar Albani


  1. Të mjaftuarit e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me njëmbëdhjetë rekate është argument për moslejimin e të shtuarit mbi to

Nga sa u tha më sipër na bëhet e qartë se numri i rekateve të namazit të natës (prej të cilit janë edhe teravitë) është njëmbëdhjetë rekate, të përfituara nga teksti i saktë për veprën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe nëse do të qëndronim pak me të, do të na bëhet e qartë se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndroi në këtë numër gjatë gjithë jetës së tij, dhe nuk ka shtuar mbi të as në Ramazan dhe as në ndonjë muaj tjetër.

Nëse do të kujtonim se sunetet e forta para dhe pas namazeve farz, si dhe namazet e tjera si namazi për kërkimin e shiut, apo namazi i eklipsit, në të gjitha këto namaze i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falte gjithnjë numër të njëjtë rekatesh dhe kjo qëndrueshmëri ishte argument i pranuar për dijetarët se nuk lejohet të shtohet në numrin e tyre mbi atë që ka vepruar i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Po kështu edhe namazi i teravive, nuk lejohet shtesa në të më shumë se numri i bërë rrugë nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për shkak të bashkimit të tyre me namazet e përmendura më sipër në lidhje me kapjen e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në një numër të kufizuar në to, mbi të cilin ai nuk shtonte.

Kështu që, kush pretendon se ndërmjet këtyre namazeve ka dallim për nga natyra e tyre, ai duhet të sjellë argument.

Përveç kësaj, namazi i teravive nuk është prej namazeve nafile (vullnetare) të lira plotësisht, ku ai që falet ka të drejtë të falë sa të dojë prej tyre, pa ndonjë numër të kufizuar, por ai është sunet i fortë i cili i ngjan namazeve farze për nga ligjshmëria e të falurit të tyre në kolektiv, siç thonë shafiitë. Për nga kjo pikëpamje, namazi i teravive është më i parë se sunetet e forta për të mos shtuar më shumë se numri i tyre i caktuar dhe i vepruar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Për këtë shkak, ata (shafiitë) e ndaluan bashkimin e katër rekateve prej teravive me një selam të vetëm duke menduar se diçka e tillë nuk ka ardhur nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe duke u argumentuar me fjalën se teravitë i ngjajnë namazeve farze për nga të falurit e tyre me xhemat, kështu që nuk lejohet ndryshimi në atë që ka ardhur për mënyrën e faljes së tyre.

Vështro se si e kanë ndaluar atë që bashkon dy rekate me dy të tjera, forma të cilat janë përcjellur që të dyja si vepra të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) sepse sipas tyre, në bashkimin e e tyre ndodh ndryshim i asaj që është përcjellë se ato falen të ndara dy e nga dy.

Prej këtu, a nuk kemi të drejtë ne që të ndalojmë me të njëjtin argument, shtimin e dhjetë rekateve për të cilat nuk ka asnjë lloj origjine në sunetin e saktë?!

-Patjetër që po, madje kjo është më e drejtë dhe më me vend për tu ndaluar. Por a ka ndonjë që përkujton?!

Edhe sikur ta konsideronim namazin e teravive prej namazeve nafile të lira e të përgjithshme për të cilat Ligjvënësi nuk ka caktuar ndonjë numër të kufizuar, përsëri nuk do të na lejohej që të kapeshim pas një numri të caktuar nga vetë ne dhe të mos e shkelnim atë, sepse siç thuhet në bazat e fikhut: “nuk lejohet të kapurit pas një forme të caktuar adhurimi që nuk është përcjellë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”

Dijetari Mula Ahmed Rumi el hanefi, autori i librit “Mexhalisu el Ebrar” thotë: “Kjo sepse, moskryerja e një vepre nga brezi i parë i muslimanëve do të ishte për shkak të mosnevojshmërisë për të, ose për shkak të ndonjë pengese, ose nga mosvënia re dhe harresa e saj, ose nga përtacia, ose nga mosligjshmëria e saj. Dy të parat refuzohen kur kanë lidhje me adhurimet trupore sepse nevoja për t’u afruar tek Allahu i Lartësuar nuk ndërpritet kurrë dhe pas ardhjes së Islamit nuk ka pasur më ndonjë pengesë për to. Po kështu nuk mund të çohet ndër mend se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ishte i vëmendshëm për ndonjë adhurim, apo se ai kishte dembelizëm, sepse ky është supozimi më i keq që të shpie drejt mosbesimit (kufrit). Kështu që nuk ngel veçse të qenurit e atij adhurimi diçka e keqe dhe e paligjshme.

Po kështu thuhet edhe për atë që vepron një vepër trupore sipas një forme që nuk ka qenë në kohën e sahabeve, sepse përndryshe, sikur forma e adhurimit me një vepër të shpikur të konsiderohej bidat i mirë, atëherë nuk do të ekzistonte ndonjë bidat i urryer në ndonjë lloj adhurimi! As dijetarët e fikhut nuk do ta konsideronin bidat të refuzuar namazin e dëshirës (që bëjnë sufitë) dhe faljen e tij me xhemat, apo llojet e ndryshme të melodive nëpër hytbe (predikimet e ditës së xhuma) e në thirrjen e ezanit, apo të lexuarit e Kuranit në ruku, ngritjen e zërit me përmendjen e Allahut para xhenazesë, e të tjera bidate të urryera si këto. Ai që thotë se këto janë bidate të mira, atij i thuhet: Ajo vepër që është aprovuar si e mirë në tekstet e sheriatit, ajo nuk është bidat dhe kështu qëndron aktiv e përgjithshmja e domethënies së përgjithshme në hadithin: “Çdo bidat (risi) është humbje” si dhe në hadithin: “Çdo punë që nuk bëhet sipas çështjes sonë, ajo është e refuzuar”. Kështu, ato bidate do të jenë të veçuara nga kjo përgjithshmëri, ku siç dihet, teksti i përgjithshëm nga i cili është përjashtuar diçka, ai tekst mbetet argument për ato që përfshin dhe nuk është argument për ato që kanë dalë prej tij, kështu që ai që pretendon përjashtimin e diçkaje nga gjykimi i përgjithshëm, ai duhet të sjellë argument të vlefshëm për atë përjashtim, nga Kurani, suneti apo ixhmai (unanimi i dijetarëve), gjë kjo e cila është e veçantë për ata që janë të aftë për ixhtihad (përpjekje për nxjerrjen e gjykimit nga tekstet) dhe jo për njerëzit e thjeshtë.

Kështu që, kush shpik diçka të re me të cilën kërkon të afrohet tek Allahu i Madhëruar, qoftë ajo fjalë apo vepër, ai ka vënë ligj diçka për të cilën Allahu nuk ka dhënë lejë dhe me këtë bëhet e qartë se të gjitha risitë në adhurimet trupore nuk mund të jenë veçse të këqia.”[1]


Disa dyshime dhe përgjigja për to

Nëse mësojmë se nga ky tekst përfitohet moslejimi i të shtuarit mbi atë numër rekatesh (njëmbëdhjetë rekate), do të ishte me vend dhe e dobishme që të paraqesnim disa dyshime apo paqartësi të cilat mund t’i hedhin disa njerëz rreth kësaj çështje, bashkë me përgjigjen e tyre, me qëllim që lexuesi i nderuar të jetë mëse i qartë dhe i vendosur në veten e tij. Në lidhje me këtë them:

Dyshimi i parë: [Kundërshtimi ndërmjet dijetarëve është argument për mosqëndrueshmërinë e tekstit të veçantë që cakton numrin e teravive].

Siç dihet, dijetarët janë kundërshtuar për numrin e rekateve të namazit të teravive në disa fjalë, siç do ta shohim më pas dhe prej këtu dikush mund të thotë: Ky kundërshtim dhe kjo mosmarrëveshje argumenton për mosekzistencën e një teksti të veçantë për numrin e tyre, sepse përndryshe ata nuk do të binin në kundërshtim për numrin e tyre.”

Për këtë dyshim, Sujuti është shprehur kështu në librin “El Havi” (1/74): “Dijetarët janë kundërshtuar në lidhje me numrin e tyre (rekateve të teravive) dhe sikur diçka e tillë do të ishte e qëndrueshme nga vepra e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), nuk do të kundërshtoheshin për të, ashtu si nuk janë kundërshtuar për numrin e rekateve të namazit të vitrit dhe suneteve të forta?!”

Përgjigja: Ne e pranojmë se disa kundërshtime të dijetarëve ndodhin për shkak të mosekzistencës së tekstit të veçantë për një çështje të caktuar, por që këtë fjalë ta thotë Sujuti, kjo është shumë e habitshme, sepse ai kupton prej saj se kundërshtimi në mesin e dijetarëve ndodh vetëm për një arsye të vetme, e cila është mosqëndrueshmëria e tekstit vendimdhënës, duke qënë e ditur se në mesin e dijetarëve  ekzistojnë kundërshtime të shumta, shkaku i të cilave nuk ka qënë mosekzistenca e tekstit vendimdhënës, por ka qënë mosmbërritja e atij teksti tek ai dijetar që ka thënë të kundërtën e tij, ose i ka mbërritur por jo me rrugë të fortë e të pranuar për ngritjen e argumentit me të, ose mund ti ketë mbërritur i saktë por ai e ka kuptuar atë ndryshe nga ç’e ka kuptuar dijetari tjetër, e shumë e shumë shkaqe të tjera për kundërshtimin e tyre, të cilat janë përmendur nga dijetarët.

Pra, kundërshtimi nuk ka ndodhur vetëm për një arsye, por siç e sheh, ai ndosh për arsye të shumta. A nuk e sheh se ekzistojnë çështje të shumta për të cilat dijetarët janë kundërshtuar me njëri-tjetrin, megjithëse për ato çështje kanë ardhur argumente të qëndrueshme nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), siç është e njohur tek dijetarët e fikhut dhe njoftimeve të mëparshmëve.

Për këtë po paraqesim një shembull të qartë dhe që ka lidhje me “ngritjen e duarve në namaz kur bie në ruku dhe kur ngrihesh prej saj”:

Mbarë dijetarët e të gjitha medhhebeve kanë rënë dakord për ligjshmërinë e saj, përveç hanefive, megjithëse për këtë gjë kanë ardhur rreth njëzetë hadithe të sakta, në disa prej të cilave thuhet se Ebu Humejd Es Saidi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) përshkroi formën e namazit të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në prezencën e dhjetë sahabeve të tjerë dhe përmendi në të ngritjen e duarve. Kur ai mbaroi përshkrimin e tij, ata thanë: Të vërtetën ke thënë, kështu ishte forma e namazit të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Këtë hadith e transmeton Buhariu.

Ndërsa Ebu Hanifja (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), kur u pyet për shkakun e mosveprimit të tij sipas hadithit të ngritjes së duarve, ai u përgjigj: “Sepse për këtë gjë nuk ka ardhur ndonjë hadith i saktë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”

Kjo tregohet në një dialog të njohur që është zhvilluar mes Ebu Hanifes dhe një prej dijetarëve të hadithit, të cilin e kanë përmendur dijetarët hanefi në librat e tyre. Kjo fjalë e imam Ebu Hanifes (Allahu e mëshiroftë!) nuk do të mund të thuhej nga ai, sikur ai të kishte qëndruar para këtyre teksteve që përmendëm më parë.

Ky është argumenti më i madh se arsyeja e kundërshtimit në këtë çështje nuk ka qënë për shkak të mosekzistencës apo mosqëndrueshmërisë së tekstit vendimdhënës, por arsyeja e tij ka qënë mosmbërritja e tij tek dijetari me rrugë të saktë, siç e ka shprehur këtë vetë imam Ebu Hanifja (Allahu e mëshiroftë!), për veten e tij. Ky është një shembull i vetëm në mesin e shembujve të shumtë të njohur tek ata që merren me sunetin.

Them: Ashtu si nuk argumenton mosekzistencën e tekstit të qëndrueshëm kundërshtimi në këtë çështje, po kështu as kundërshtimi për numrin e rekateve të teravive nuk argumenton mosekzistencën e tekstit të qëndrueshëm, sepse në realitet teksti për këtë është i qëndrueshëm dhe i saktë, kështu që nuk lejohet kundërshtimi i tekstit për shkak të kundërshtimit të ndodhur, por detyra dhe obligimi në këtë rast është të kthyerit tek teksti, duke vepruar sipas Fjalës së Allahut të Lartësuar: “Por jo, për Zotin tënd! Ata nuk mund të kenë aspak besim derisa të të marrin ty (O Muhamed) gjykues për të gjitha mosmarrëveshjet mes tyre dhe të mos mbetet në veten e tyre asnjë pikë kundërshtimi ndaj vendimeve të tua dhe derisa t’i pranojnë ato plotësisht të nënshtruar.” [En Nisa: 65].

Dhe Fjalës së Allahut të Madhëruar: “Nëse keni mosmarrëveshje për ndonjë gjë mes jush, kthejeni atë (për gjykim) te Allahu dhe i Dërguari, nëse besoni në Allahun dhe në Ditën e Fundit. Kjo është më e mirë dhe më e përshtatshme për përcaktimin e fundit.” [En Nisa: 59].

Dyshimi i dytë: [Nuk ka ndonjë pengesë që të shtosh diçka në tekst, përderisa nuk është ndaluar nga ajo gjë]

Dikush tjetër mund të thotë: E pranojmë se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ka falur teravitë vetëm me njëmbëdhjetë rekate dhe se njoftimi ku thuhet se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka falur namazin e teravive me njëzetë rekate, është vërtetuar se është i dobët, por ne nuk shohim ndonjë pengesë për të shtuar mbi atë numër, sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ka ndaluar nga kjo gjë?!”

Them: Origjina për adhurimet është se ato nuk mund të vendosen veçse me vendimin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Për këtë origjinë kanë rënë dakord të gjithë dijetarët dhe nuk mund të imagjinojmë se ndonjë musliman i ditur ta kundërshtojë atë, përndryshe, sikur të mos ishte kjo bazë, atëherë do ti lejohej çdo muslimani që të shtonte numrin e rekateve të namazeve sunete, madje edhe të namazeve farze që janë vendosur me veprën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe qëndrueshmërinë e tij në atë numër, me pretendencën se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  nuk e ka ndaluar diçka të atillë.

Kjo është diçka e qartë dhe paqëndrueshmëria e saj është e dukshme, kështu që nuk është e nevojshme të flasim gjatë për të, aq më tepër pas sqarimit të mësipërm ku dolëm në përfundimin se të shtuarit në namazin e teravive është më e drejtë për tu ndaluar, sesa të shtuarit në namazet sunete dhe në sunetet e forta.

Dyshimi i tretë: [Të kapurit pas teksteve të pakufizuara dhe përgjithësuese]

Dikush mund të kapet pas teksteve të pakufizuara e të përgjithshme, të cilat nxisin për faljen e sa më shumë namazeve vullnetare, pa ndonjë numër të kufizuar e të caktuar. Si në fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) drejtuar Rabijah ibën Keab i cili i kishte kërkuar atij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  shoqërimin e tij në xhenet: “Më ndihmo për veten tënde duke bërë sa më shumë sexhde!” Hadith Sahih. Atë e transmeton Muslimi në Sahihun e tij dhe Ebu Avane.

Dhe si hadithi i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai dëshironte të falej sa më gjatë në netët e Ramazanit…

E hadithe të tjera si këto të cilat në pamje të parë dhe në përgjithshmërinë e tyre tregojnë ligjshmërinë e të falurit aq sa rekate të dojë ai që falet.

Përgjigja: Kjo është një mbështetje dhe kapje shumë e dobët, madje ajo është veçse një dyshim që nuk ia vlen të flitet për të, njësoj si ai para këtij. Kjo sepse të punuarit sipas të pakufizuarës dhe të përgjithshmes së teksteve vlen vetëm në ato gjëra që nuk i ka kufizuar sheriati, por nëse sheriati kufizon një gjykim të përgjithshëm, atëherë ne duhet t’i përmbahemi atij kufizimi dhe të mos mjaftohemi me kuptimin e përgjithshëm të tij dhe meqë çështja jonë është namazi i teravive, i cili nuk është prej namazeve vullnetare të pakufizuara, sepse ai është i kufizuar me tekstin e përcjellë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), siç e pamë më parë. Kështu që nuk lejohet shfuqizimi i këtij kufizimi duke u mbështetur në tekstin gjithpërfshirës dhe ai që e bën diçka të tillë është njësoj si ai që fal namaz të ndryshëm nga ai i të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të përcjellë nga ai me senede të sakta, duke i kundërshtuar ato në formë e në sasi dhe duke lënë në harresë fjalën e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Faluni ashtu siç më patë mua të falem!”, duke argumentuar me pamjen e parë dhe të përgjithshme të teksteve. Njësoj sikur të falte namazin e drekës me pesë rekate, apo të falte sunetet e sabahut me katër rekate, apo të bënte dy ruku në një rekat dhe më shumë se dy sexhde në një rekat.

Lajthitja dhe pasaktësia e kësaj fjale nuk i shpëton askujt që ka logjikë dhe për këtë arsye dijetari i madh Ali Mahfudh, në librin “El Ibda” (f.25), pas përcjelljes së fjalës së dijetarëve të katër medhhebeve, se ajo që i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  e ka lënë pa vepruar, duke qënë se nevoja ka qënë e domosdoshme për tu njohur vepra e tij dhe megjithatë ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  e ka lënë atë, pikërisht lënia e saj është sunet, ndërsa të vepruarit e saj është bidat i shëmtuar, ai thotë:

“Me këtë të bëhet e qartë se të kapurit pas teksteve të pakufizuara duke qënë i pavëmendshëm ndaj sqarimit të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  dhe lënia e atij sqarimi, kjo është prej pasimit të asaj që nuk është plotësisht e qartë, nga e cila Allahu ka ndaluar. Dhe nëse do të mbështeteshim vetëm tek tekstet e pakufizuara dhe nuk do tia hidhnim sytë sqarimit të tyre, atëherë do të hapej një derë e madhe prej dyerve të bidatit e cila nuk do të mund të mbyllet më dhe as nuk do të ndalin shpikjet e risitë në fe. Për këtë po paraqesim disa shembuj:

Shembulli i parë:  Në një hadith të transmetuar nga Taberani, thuhet: “Namazi është çështja më e mirë që mund të bëhet.”

Sikur ne ti përmbaheshim kuptimit të përgjithshëm e të pakufizuar të këtij hadithi, atëherë si do të mund të ishte bidat namazi i dëshirës (që bëjnë sufitë) dhe si do të mund të ishte bidat falja në muajin Shaban, kur ato përfshihen në kuptimin e përgjithshëm të hadithit?! Ndërsa dijetarët e kanë shprehur qartë se këto dy namaze janë bidate të shëmtuara.

Shembulli i dytë: Allahu i Lartësuar thotë: “Kush thotë fjalë më të mirë nga ai që thërret për tek Allahu dhe vepron punë të mira?!” Dhe thotë: “Përmendeni Allahun sa më shumë!”

Sikur dikush të thoshte se thirrja e ezanit për namazet e dy bajrameve, dy eklipseve dhe teravive është diçka e pëlqyeshme, ndërsa ne ti thoshim atij se si mund të jetë kështu kur i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  nuk e ka vepruar dhe nuk ka urdhëruar për diçka të tillë as edhe një herë në të gjithë jetën e tij, dhe ai të na thoshte: “Muezini është thirrës për tek Allahu dhe ai është përmendës i Allahut”, atëherë si do ti bëhej i qartë argumenti atij dhe si do të rrëzohej bidati i tij?!

Shembulli i tretë: Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu dhe engjëjt e Tij e lavdërojnë të Dërguarin…”

Sikur të vlente bazimi në të përgjithshmet, do të vlente që të afroheshim tek Allahu duke dërguar salavat mbi të Dërguarin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  në namazin e natës, në rukutë dhe sexhdet e tij, apo në vende të tjera që nuk janë caktuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Kush është ai që e lejon të afruarin tek Allahu me gjëra të tilla dhe si mund të jetë adhurim i konsiderueshëm namazi që bëhet në këtë formë?!

Shembulli i katërt: Në një hadith të saktë thuhet: “Të mbjellat e vaditura me ujin e shiut dhe të burimeve, apo qëcilat e gjejnë vetë ujin me shtrirjen e rrënjëve (si palma, etj), për to jepet zekat një e dhjeta e prodhimit, ndërsa për ato që vaditen me krahë e mbartje me kafshë, jepet gjysma e një të dhjetës.”

Sikur të bazoheshim në kuptimin e përgjithshëm të këtij hadithi, atëherë nxjerrja e zekatit për të gjitha të mbjellat do të ishte e detyrueshme dhe ata nuk kanë mbështetje tjetër për mosdetyrueshmërinë e zekatit në ndonjë të mbjellë, përveç kësaj baze që thotë: Ajo që i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka lënë pa vepruar, duke qenë se nevoja ka qenë e domosdoshme për tu njohur vepra e tij dhe megjithatë ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka lënë atë, pikërisht lënia e saj është sunet, ndërsa të vepruarit e saj është bidat i shëmtuar.”


Shkaku i vërtetë i mosmarrëveshjes së dijetarëve për numrin e rekateve të teravive

Në qoftë se thuhet: E pranojmë rrëzimin e të gjitha këtyre dyshimeve dhe sigurinë e tekstit për numrin e teravive nga çdo kundërvënie, por cili është shkaku që i ka bërë dijetarët të kundërshtohen në numrin e rekateve të namazit të teravive?

Themi: Neve na bëhen të qarta dy çështje në këtë pikë dhe ato nuk kanë të tretë:

E para, e cila është më e forta dhe më e shumta: mosndeshja (mosgjetja) e tekstit të përcjellë për numrin e rekateve të teravive, dhe sigurisht që ky person është i justifikuar për mosveprimin e tij sipas tekstit, sepse Allahu i Lartësuar, në gjuhën e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në lidhje me Kuranin, thotë: “Me qëllim që t’iu përkujtoj juve dhe atë që i mbërrin ai.” Madje ai ka shpërblim, sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në një hadith të saktë ka thënë: “Nëse gjykatësi jep vendim pas përpjekjes së tij maksimale dhe ia qëllon të vërtetës, ai ka dy shpërblime dhe nëse gjykon pas përpjekjes së tij maksimale, por gabon në gjykim, ai ka vetëm një shpërblim.”

Këtë hadith e transmeton Buhariu e të tjerë.

E dyta: Ata e kanë kuptuar teksin me një një kuptim në të cilin, sipas tyre nuk duhet qëndruar tek ai dhe të shtuarit mbi të nuk ka problem, duke u nisur nga një prej mënyrave të të komentuarit tek e cila janë mbështetur disa dijetarë, pa marrë parasysh nëse ajo mënyrë është e saktë apo e gabuar. Siç thonë për shembull shafiitë: Përsa i përket fjalës së Aishes e cila thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk shtonte më tepër se njëmbëdhjetë rekate në namazin e natës, as në Ramazan e as në muajt e tjerë.” Kjo fjalë, sipas tyre ka për qëllim namazin e vitrit.

Një mënyrë komentimi e tillë, e të tjera si kjo, nuk mund t’u imponohen të tjerëve që të mbështeten tek ato, për shkak se atyre u është bërë e qartë dobësia e tyre.

Vëre për shembull dobësinë e këtij komentimi të shafiive, dobësia e të cilit duket qartë nëse kujton se kjo fjalë e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ishte si përgjigje e atij që e pyeti atë: “Si ishte namazi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në muajin e Ramazanit?” Siç e pamë më sipër dhe namazi për të cilin ajo është pyetur përfshin të gjithë namazin e natës, kështu që si mund të veçohet vetëm për namazin e vitrit dhe të përjashtohet namazi i natës?!

Përveç kësaj, kjo fjalë do të thotë gjithashtu se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falte dy lloje namazesh; njëri prej tyre ishte namazi i natës, numri i rekateve te të cilit nuk dihet se sa ishte dhe tjetri ishte namazi i vitrit me më të shumtën e rekateve të tij, njëmbëdhjetë rekate.

Por këtë fjalë nuk e thotë askush prej atyre të cilët e njohin sunetin, sepse hadithet që thonë se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk falte më shumë se njëmbëdhjetë rekate në natë, janë të shumta, siç u sqarua më parë.

Kjo në fakt është si rezultat i komentimit të teksteve për mbrojtjen e medhhebit.


Qëndrimi ynë ndaj kundërshtarëve tanë në këtë çështje e në çështje të tjera

Nëse mësohet kjo, atëherë të mos i shkojë askujt ndër mend se meqë ne kemi zgjedhur ti përmbahemi sunetit në numrin e rekateve të teravive dhe moslejimin e të shtuarit mbi to, por kjo nuk do të thotë se ne i konsiderojmë të humbur e bidatçinj ata dijetarë të hershëm e të mëvonshëm të cilët kanë mendim të kundërt me këtë, siç kanë menduar disa njerëz dhe e kanë marrë këtë argument për të folur kundër nesh, duke supozuar se nga fjala jonë rrjedh që: nëse një vepër e caktuar nuk është e lejuar apo është bidat, atëherë çdokush që thotë se ajo është e lejuar apo e pëlqyer, ai është bidatçi i humbur.

Por nuk është kështu. Kjo fjalë është supozim i pasaktë dhe injorancë e madhe, sepse bidati që e bën bidatçi vepruesin e tij dhe i hedh mbi shpinë atij hadithet që ndalojnë nga risitë në Fe është: “ajo rrugë e shpikur në Fe, e cila i kundërvihet dhe e kundërshton sheriatin, duke pasur për qëllim me pasimin e saj teprimin dhe tejkalimin (e detyrës së ngarkuar nga sheriati) në adhurimin e Allahut të Lartësuar.”[2]

Kështu që, kushdo që shpik një risi me qëllim që ta teprojë e ekzagjerojë në adhurim, duke qënë se është i vetëdijshëm që ai ekzagjerim nuk është prej sheriatit, këtij personi i mvishen ato hadithe. Ndërsa ai i cili bie në këtë gjë pa e ditur atë dhe pa pasur për qëllim ekzagjerimin në adhurim, këtë person nuk e përfshijnë ato hadithe në asnjë mënyrë dhe as nuk kanë për qëllim atë person, por ato kanë për qëllim ata bidatçinj të cilët i qëndrojnë në rrugë (bëhen pengesë) përhapjes së sunetit dhe konsiderojnë të pëlqyeshme e të mirë çdo lloj bidati, pa pasur dije, pa udhëzim dhe pa ndonjë argument të qartë, madje edhe pa imitim të verbër të ndonjë dijetari, por vetëm për të pasuar epshet e tyre dhe për të kënaqur njerëzit e thjeshtë e të paditur të masës së gjerë të popullit.

Por në asnjë mënyrë nuk mund të jetë ndonjë prej dijetarëve të njohur për dijen e tyre, sinqeritetin, pozitivitetin dhe moralin e tyre, aq më tepër prej katër imamëve të mëdhenj (të medhhebeve) –Allahu i mëshiroftë të gjithë ata! Ne e themi prerë dhe të bindur se ata nuk e bëjnë kurrë që ta konsiderojnë të mirë një bidat me qëllim që të ekzagjerojnë në adhurim. Si mund ta bëjnë ata diçka të atillë, kur vetë ata kanë ndaluar nga kjo gjë, siç do ta shohim nga vetë fjalët e tyre në një broshurë të veçantë për bidatin –me Lejën e Allahut-.

Po, ndodh që ndokush prej tyre të bierë në diçka që është gabim në sheriat, por ai nuk dënohet për atë gjë, madje atij i është falur ajo dhe ka shpërblim për të (për përpjekjen e tij për të njohur të vërtetën), siç e pamë më sipër.

Ndonjë studiuesi mund t’i bëhet e qartë se ky gabim i caktuar është prej llojit të bidateve, por megjithatë, gjykimi për atë dijetar nuk ndryshon në lidhje me faljen dhe shpërblimin e tij, sepse kjo ka ndodhur prej tij pas përpjekjes për njohjen e së vërtetës dhe nuk dyshon asnjë dijetar se nuk ka dallim në të konsideruarit gabim rënien e dijetarit në një bidat duke menduar se ai është sunet dhe ndërmjet rënies së tij në haram duke menduar se ajo është hallall. Të gjitha këto janë gabime që i falen dijetarëve, siç e mësove më sipër. Për këtë shkak, ne shpeshherë i shohim dijetarët që megjithë mosmarrëveshjen e tyre të madhe në disa çështje, ata nuk e konsiderojnë të humbur shoku-shokun dhe as nuk e konsiderojnë bidatçi njëri-tjetrin.

Për këtë po paraqesim një shembull të vetëm: Që në kohën e sahabeve janë kundërshtuar për faljen apo jo të plotë të namazit në udhëtim. Disa prej tyre e kanë lejuar këtë, ndërsa të tjerë e kanë ndaluar dhe e kanë konsideruar bidat që kundërshton sunetin, por megjithatë ata nuk e kanë quajtur bidatçi kundërshtarin e tyre.

Dëgjo se ç’thotë Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) në një ether (fjalë) të saktë (Sahih): “Namazi i udhëtarit është me dy rekate dhe kush e kundërshton këtë sunet, ai ka bërë kufër (ka dalë nga Feja).”

Këtë fjalë të tij e ka transmetuar Es Siraxh në “Musnedin” e tij me dy zinxhirë të saktë transmetuesish, por megjithatë ai nuk e ka nxjerrë nga Feja dhe as nuk e ka quajtur bidatçi atë që vepron ndryshe nga ky sunet, duke qenë se i mbështetet ixhtihadit (përpjekjes për njohjen e së vërtetës), madje kur është falur pas dikujt që mendon se namazi duhet të falet i plotë në udhëtim, ai e ka falur namazin të plotë bashkë me të.

Es Siraxh transmeton me sened të saktë nga Ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ishte në Mina (duke bërë haxhin) e fali namazin me dy rekate. Kështu veproi edhe Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani në fillim të qeverisjes së tij. Por më pas, Uthmani filloi ta falte namazin në Mina me katër rekate dhe kur Ibën Umeri falej me ta, edhe ai e falte namazin me katër rekate, ndërsa nëse falej vetëm, ai e falte namazin me dy rekate (është fjala gjithnjë për namazet farz).”

Hadith të ngjashëm me këtë ka nxjerrë edhe Buhariu nga Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe në të thuhet se kur ai (Ibën Mes’udi) mori vesh se Uthmani e falte namazin të plotë (në Mina), ai u kthye nga mendimi i tij.”

Vështro se si besimi për të qenurit gabim e atij që kundërshton sunetin e qëndrueshëm duke e falur të plotë namazin në udhëtim, nuk e ka shtyrë Ibën Umerin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) që ta konsiderojë atë të humbur apo bidatçi, madje ai u fal pas tij, sepse ai e di që Uthmani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) nuk e falte namazin të plotë si rezultat i ndjekjes së pasionit e dëshirës së tij –Allahu na ruajtë nga kjo fjalë!-, por ai e bënte atë si rezultat i përpjekjes së tij.

Kjo është ajo rruga e mesme të cilën ne e shohim të detyrueshme për muslimanët që ta ndjekin atë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që gjenden ndërmjet tyre; gjithsecili prej tyre ta shprehë atë që mendon se është e saktë dhe në përputhshmëri me Kuranin dhe sunetin, por me kusht që të mos e quajë të humbur e bidatçi atë që nuk mendon të njëjtën gjë si rezultat i ndonjë pështjellimi që i është përballur, sepse kjo është rruga me të cilën mund të arrihet bashkimi dhe njësimi i muslimanëve.

Për këtë arsye, ne mendojmë gjithashtu se ndarja e muslimanëve në namaz duke u falur pas një numri imamësh; ky imam hanefi, ky shafii …, është në kundërshtim me rrugën e të parëve tanë të mirë, prej të bashkuarit në namaz pas një imami të vetëm dhe mosndarjen pas disa imamëve.

Ky është qëndrimi ynë në çështjet ku ka kundërshtim mes muslimanëve; thënia e të vërtetës me mënyrën më të mirë dhe moskonsiderimi të humbur atë që na kundërshton si rezultat i ndonjë pështjellimi a dyshimi, por jo si rezultat i pasimit të dëshirave e pasioneve.

Kjo është rruga që kemi ndjekur, që kur na ka udhëzuar Allahu për pasimin e sunetit dhe kjo për afro njëzet vjet (kjo fjalë është thënë që në shkrimin e këtij libri) dhe këtë qëndrim, ne urojmë dhe shpresojmë për ata që nxitohen në konsiderimin e muslimanëve si të humbur dhe prej rrugës së të cilëve është parrulla: “Nëse pyet për rrugën tonë, ne themi: ajo është e saktë por mund të jetë edhe gabim. Ndërsa nëse pyetemi për rrugën e të tjerëve, ne themi: Ajo është e gabuar por mund të jetë edhe e saktë.” Si dhe ata të cilët thonë se namazi pas kundërshtarit në medhheb është i papëlqyer, apo i pavlefshëm dhe për këtë shkak ata ndahen në grupe brenda një xhamie të vetme dhe veçanërisht në xhematin e namazit të vitrit në muajin e Ramazanit, sepse sipas mendimit të disa prej tyre, namazi i vitrit nuk vlen, nëse imami i ndan dy rekatet e para të tij nga teku (vitri), megjithëse kjo është më e preferuara dhe e qëndrueshme nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), siç do ta shohim më pas.

Ky është qëndrimi ynë dhe unë nuk besoj se ndonjë që ka logjikë na kundërshton në të, ndërsa ai që na mvesh gjë tjetër përveç kësaj, ai ka gabuar, është i padrejtë dhe ka bërë padrejtësi, ndërsa llogaria e tij është tek Allahu.

Qëllimi ynë në përhapjen e sunetit në këtë çështje e në të tjera është i qartë e i dukshëm. Qëllimi është komunikimi i tij tek populli, sepse i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Komunikoni nga unë qoftë edhe një ajet…”

Këtë hadith e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ndoshta kur ai tu komunikohet atyre, ata binden për vërtetësinë e tij dhe e zbatojnë atë, gjë në të cilën gjendet shpëtimi dhe lumturia e tyre në të dyja botët.

Në këtë vepër (komunikimin e sunetit) na shumëfishohet edhe shpërblimi –insha Allahu- sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kush hap një rrugë (ringjall një sunet, vepër) të mirë në Islam, ai ka shpërblimin e saj dhe shpërblimin e atyre që do ta veprojnë atë deri në Ditën e Kijametit.”

Ndërsa ai që nuk bindet me të, si rezultat i ndonjë pështjellimi dhe jo nga pasimi i dëshirave e epsheve, as nga pasimi i baballarëve e gjyshërve, për tek ai (quajtjen e tij të humbur) nuk ka rrugë, aq më tepër kur të ketë pasur edhe dijetarë të mëdhenj që të mos jenë kapur pas asaj vepre, siç është puna në çështjen tonë.


Më e paqshme është pasimi i sunetit

Sido që të thuhet për lejimin e të shtuarit në numrin e teravive apo jo, unë nuk besoj se ndonjë musliman qëndron në mëdyshje –pas sqarimit të mësipërm- se numri i teravive që është përcjellë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është më i mirë të praktikohet sesa të shtuarit mbi të, sepse i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka shprehur qartë në fjalën e tij se: “Udhëzimi më i mirë është ai i Muhamedit” Këtë hadith e transmeton Muslimi. Atëherë çfarë i pengon muslimanët sot që të veprojnë sipas këtij udhëzimi Muhamedan dhe ti lënë shtesat mbi të?!

Çfarë i pengon muslimanët sot që të veprojnë sipas këtij udhëzimi Muhamedan dhe ti lënë shtesat mbi të, qoftë edhe nga këndvështrimi: “Lëre të dyshimtën dhe shko tek ajo e padyshimta!”, aq më tepër kur shumica e tyre e prishin formën e kryerjes së namazit të teravive me njëzetë rekate, për shkak të shpejtësisë së tepërme në kryerjen e tyre, saqë mund të thuhet se namazi i tyre është krejt i pavlefshëm për shkak të defektit në të falurit qetë, e cila është një prej shtyllave (rukneve) të namazit, pa të cilin namazi nuk vlen, siç do ta shohim më pas.

Kështu që sikur ata ti falnin teravitë me numrin e përcjellë nga suneti i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), gjatë të njëjtës periudhë kohore në të cilën ata falin njëzetë rekate, atëherë namazi i tyre do të ishte i saktë dhe i pranuar, sipas mendimit të të gjithë dijetarëve. Këtë e përforcon edhe hadithi i transmetuar nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili ka thënë: E pyetën të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se cili namaz është më i miri? Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Ai me qëndrim sa më të gjatë në këmbë”.

Prandaj, kapuni për sunetin e të Dërguarit tuaj (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), o ju muslimanë! Shtrëngojeni fortë me dhëmballë atë, sepse “Udhëzimi më i mirë është ai i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) “.


[1] “El Ibdau fi Medari el Ibtidai”, i Ali Mahfudh (21-22). Ky është një libër shumë i dobishëm, të cilin duhet ta lexojë çdokush që dëshiron të mësojë për bidatet në Fe dhe realitetin e tyre.

[2] “El Ibdau fi Medari el Ibtidai” (15).


<<< Namazi i Teravive 2               |               Namazi i Teravive 4 >>>