NAMAZI I TERAVIVE (2)

I dijetarit të madh dhe muhadithit të kohës

Muhamed Nasirudin el Albani (Allahu e mëshiroftë!)

Përktheu Dr. Bledar Albani


  1. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ka falur më shumë se njëmbëdhjetë rekate në namazin e teravive

Pas vërtetimit të ligjshmërisë së faljes në kolektiv të namazit të teravive, me aprovimin e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), veprën dhe nxitjen e tij për të, tani do të sqarojmë numrin e rekateve që ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali në ato netë Ramazani bashkë me njerëzit. Dijeni se në këtë çështje posedojmë dy hadithe:

Hadithi i parë (Sahih): Transmetohet nga Ebu Seleme ibën Ebi Abdurrahman, se ai pyeti Aishen (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) për formën e namazit të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Ramazan dhe ajo tha: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk shtonte më tepër se njëmbëdhjetë rekate në namazin e natës[1], as në Ramazan e as në muajt e tjerë. Ai falte katër rekate[2], dhe mos pyet për përsosmërinë dhe gjatësinë e tyre, pastaj falte katër të tjera dhe mos pyet për përsosmërinë dhe gjatësinë e tyre. Pastaj falte tre rekate (vitrin).”

Këtë hadith e transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Avane, Ebu Daudi, Tirmidhiu, En Nesai, Ahmedi, Maliku dhe nga ai e ka marrë edhe Bejhakiu.

Hadithi i dytë (Hasen): Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  fali me ne tetë rekate në muajin e Ramazanit (teravi) dhe pastaj fali vitrin. Të nesërmen ne u mblodhëm në xhami dhe shpresonim që ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të dilte. Qëndruam në pritje deri në sabah. Atëherë shkuam tek ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i thamë: O i Dërguari i Allahut, mbrëmë u mblodhëm në xhami dhe po prisnim që ti të vije të faleshe me ne. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Unë kisha frikë se iu bëhej i detyrueshëm.” D.m.th: namazi i teravive dhe i natës përgjithësisht.

Këtë hadith e transmeton Ibën Nasr dhe Taberani. Senedi i tij është i mirë (hasen) duke u nisur nga hadithi para këtij, ndërsa El Hafidh (Ibën Haxheri) e ka quajtur të forte, në librin “Fet’hul Bari” dhe në librin “Et Tehlis”, pastaj ia adresoi atë Ibën Huzejmes dhe Ibën Hibanit në dy sahihat e tyre.


Hadithi për faljen e teravive me njëzet rekate është shumë i dobët dhe nuk lejohet të punohet me të

Pas përmendjes së hadithit për faljen e teravive me njëzetë rekate, Ibën Haxheri në “Fet’hul Bari” (4/205-206), në shpjegimin e tij, thotë:  “Sa i përket hadithit të transmetuar nga Ibën Ebi Shejbe, nga hadithi i Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “I Dërguari i Allahut falte njëzetë rekate në muajin e Ramazanit dhe pastaj falte vitrin”, senedi i këtij hadithi është Daif-i dobët dhe ai bie në kundërshtim me hadithin e Aishes që transmetohet në dy sahihat e Buhariut dhe Muslimit, duke qënë e ditur se ajo di më mirë për gjendjen e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  se të tjerët.

Megjithëse atë (Ibën Haxherin) e ka paraprirë në këtë perceptim El Hafidh Ez Zejlei në librin “Nasbu er Raje”.

Them: Ky hadith i Ibën Abasit është shumë i dobët, siç thotë edhe Es Sujuti në “El Havi lil fetava” (2/73). Defekti i tij qëndron se në mesin e transmetuesëve të tij gjendet Ebu Shejbe Ibrahim ibën Uthman, për të cilin Ibën Haxheri, në librin “Et Tekrib” ka thënë: “Atij i lihet hadithi (nuk i merret).” Dhe sepse ai transmeton hadithe të shpifura, si hadithi “Të gjithë popujt që janë shkatërruar, janë shkatërruar në muajin mars dhe se Kijameti do të bëhet në muajin mars.”

Po kështu edhe hadithi i tij për teravitë është prej grupit të haditheve të tij të refuzuara.

Ndërsa Es Subki ka shprehur qartë se kushti i të punuarit me hadithin e dobët është që dobësia e tij të mos jetë e fortë.

Them: Në përcjelljen e fjalës së Subkit kuptohet se El Hejthemi nuk mendon se teravitë falen me njëzetë rekate.

Pas përmendjes së hadithit të Xhabirit, nga transmetimi i Ibën Hibanit, Es Sujuti thotë:

“Përfundimi është se të falurit e teravive me njëzetë rekate nuk është bërë nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe se hadithet e gjendura në “Sahihun” e Ibën Hibanit janë caku ku shkojmë dhe zgjedhim, duke u kapur gjithashtu në atë që transmetohet në Sahihun e Buhariut nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk shtonte më shumë se njëmbëdhjetë rekate në namazin e natës, në muajin Ramazan apo në muajt e tjerë.

Argument për këtë është gjithashtu se prej zakonit të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte se kur ai punonte një vepër, e vazhdonte atë dhe nuk e ndërpriste, ashtu siç kryente vazhdimisht dy rekatet (sunete të drekës) që i falte kaza pas namazit të ikindisë, ndërkohë që të falurit në këtë kohë është e ndaluar. Kështu që, nëse ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) do t’i kishte falur teravitë me njëzetë rekate, qoftë edhe një herë të vetme, ai nuk do ta kishte lënë atë dhe nëse kjo do të kishte ndodhur, nuk do të mund ti kishte shpëtuar Aishes, e cila ka thënë fjalën e saj të mësipërme.

Them: Në këtë fjalë të tij ka shenjë të fortë në zgjedhjen e tij namazin e teravive me njëmbëdhjetë rekate dhe në refuzimin e tij të falurit e tyre me njëzetë rekate, që përmendet në hadithin e Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), kjo për shkak të dobësisë së fortë në të, ndaj medito!


[1] Në një transmetim tjetër të Ibën Ebi Shejbe, Muslimit, etj, thuhet: “Numri i rekateve të namazit të natës që falte i Dërguari i Allahut  (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Ramazan e në muajt e tjerë ishte trembëdhjetë rekate, prej të cilave ishin edhe dy rekatet e sabahut (sunetet).”

Por në një transmetim tjetër të Malikut, nga i cili e ka marrë edhe Buhariu e të tjerë, thuhet se Aisha (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  falte trembëdhjetë rekate natën, pastaj falte dy rekate (sunete) të lehta  kur dëgjonte ezanin e sabahut.”

El Hafidh (Ibën Haxheri) thotë: Në kuptim të parë, ky hadith kundërshton atë të parin, por ky kuptohet duke thënë se ajo ka llogaritur edhe dy rekatet sunete të namazit të jacisë, për shkak se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i falte ato në shtëpinë  e tij, ose mund të jenë ato dy rekatet e lehta me të cilat hapte namazin e natës, siç ka ardhur në hadithin që transmeton Muslimi, nga Aisha (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se: “Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e hapte namazin e natës me dy rekate të lehta.”

Gjithësesi, bashkimi që ka zgjedhur Ibën Haxheri, se transmetimi i Malikut ka ardhur i sqaruar në lidhje me dy rekatet e lehta, përkrahet edhe nga ajo që transmetohet nga Zejd ibën Halid el Xhuheni se ka thënë: “Këtë natë do të përgjoj namazin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  fali dy rekate të lehta, pastaj fali dy rekate të gjata, të gjata, të gjata. Pastaj fali dy rekate por jo aq të gjata sa dy të parat. Pastaj fali dy rekate por jo aq të gjata sa ato dy para atyre. Pastaj fali dy rekate por jo aq sa ato para tyre. Pastaj fali dy rekate por jo aq sa ato para tyre. Pastaj fali vitrin një rekat dhe me të u plotësuan trembëdhjetë rekate.”

Këtë hadith e transmeton Maliku dhe nga ai e ka marrë Muslimi, Ebu Avane, Ebu Daudi dhe Ibën Nasr.

Them: Unë mendoj se këto dy rekate të lehta mund të jenë dy sunetet e namazit të Jacisë, madje kjo është ajo që kuptohet në vështrim të parë. Kjo sepse unë nuk kam gjetur ndonjë transmetim që t’i përmend ato bashkë me këto trembëdhjetë rekate, por kam gjetur atë që e përkrah këtë që thashë. Kam për qëllim hadithin e transmetuar nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!)  se ai ka thënë: “U kthyem nga Hudejbija bashkë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kur mbërritëm në Sukja (fshat mes Mekës dhe Medines), i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngrit të falej dhe Xhabiri qëndroi në krah të tij. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali namazin e darkës dhe pastaj fali trembëdhjetë rekate.” E transmeton Ibën Nasr.

Ky hadith është si tekst i prerë se sunetet e jacisë përfshihen në trembëdhjetë rekatet (e namazit të natës). Transmetuesit e këtij hadithi janë të besueshëm, përveç Sherhabil ibën Sead, në të cilin ka dobësi.

[2] D.m.th: me një selam të vetëm në fund të tyre. Neveviu, në Sherhun e “Sahihu Muslim”, thotë: “Kjo tregon lejueshmërinë e kësaj gjëje, por më e preferuar është që të jepet selam pas çdo dy rekatesh. Kjo është edhe ajo që njihet nga vepra e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe nga urdhëri i tij që namazi i natës të falet me dy e nga dy rekate.”

Them: Ai e ka thënë të vërtetën, Allahu e mëshiroftë!


<<< Namazi i Teravive 1               |               Namazi i Teravive 3 >>>