NAMAZI I TERAVIVE (1)

I dijetarit të madh dhe muhadithit të kohës

Muhamed Nasirudin el Albani (Allahu e mëshiroftë!)

Përktheu Dr. Bledar Albani


Falënderimi i takon Allahut, i Cili ka bërë provë për dashurinë e Tij pasimin e shembullit të të Dërguarit të Tij.

I Madhërishmi thotë: “Thuaj: “Nëse e doni Allahun, atëherë më pasoni mua, që t’ju dojë Allahu dhe t’ju falë gjynahet tuaja!”

Lavdërimi dhe Paqja e Allahut qofshin mbi zotëriun dhe shembullin tonë, Muhamedin, thënësin e fjalës: “Faluni ashtu si më shihni mua të falem!”, mbi familjen dhe shokët e tij, të cilët e deshën dhe e pasuan atë, pastaj përcollën tek ne dhe e ruajtën hadithin e tij. Si dhe mbi të gjithë ata të cilët ndjekin udhëzimin dhe rrugën e tyre deri në Ditën e Kijametit!

Kjo është broshura e dytë nga gjashtë broshurat prej të cilave përbëhet libri ynë “Tesdid el isabe ila men zeame nusrate hulefai er rashidine ues sahabe” –(Goditja në shenjë atë që pretendon përkrahjen e prijësave të drejtë dhe sahabeve).

Subjekti i broshurës së parë ishte sqarim për shpifjet dhe gabimet e atyre autorëve të cilët janë përpjekur të na kthejnë kundërpërgjigje në librin e tyre “Shënjestra në përkrahjen e prijësave të drejtë dhe sahabeve”, por ata nuk qëlluan në shenjë dhe nuk ia dolën mbanë, siç e kam sqaruar edhe në broshurën e sipërpërmendur, e cila me t’u botuar e t’u shpërndarë, u tërhoq dhe u pranua nga njerëzit më fisnikë dhe me idera nga më të ndryshmet dhe kjo sepse ata gjetën në të –megjithëse e shkurtër- kërkime të dobishme të mbështetura me argumente e prova bindëse, paanësi në kundërpërgjigje, në drejtësi në kritikë dhe moskthim të sulmit me sulm të njëjtë si ai.

Lus Allahun e Lartëmadhëruar ta pranojë atë prej nesh dhe të na e ruajë shpërblimin e saj deri në Ditën e Rikthimit te Ai; “Atë ditë ku nuk bën dobi pasuria dhe as fëmija, përveç atij që shkon tek Allahu me zemër të pastër.”

Kësaj radhe po i sjellim lexuesit të nderuar broshurën e dytë, e cila është e para prej pesë broshurave për të cilat dhamë fjalën në broshurën e parë të përmendur më sipër.

Këto pesë broshura janë:

  1. “Namazi i teravive.”
  2. “Falja e namazit të bajrameve në namazgja, ky është suneti”
  3. “Bidati”
  4. “Paralajmërimi i atij i cili vë kokën në sexhde, nga marrja e varreve për xhamia”
  5. “Ndërmjetësimi. Llojet dhe rregullat e tij”

Ndërsa subjekti i broshurës që keni në duar është shqyrtimi i namazit të teravive përgjithësisht dhe verifikimi i numrit të rekateve të tij veçanërisht. Kjo për arsye se ata autorë kanë pretenduar në broshurën e tyre (f. 6) se: “Falja e njëzetë rekateve është e qëndrueshme nga vepra e vazhdueshme e hulefave të drejtë, përveç të sinqertit (Ebu Bekrit)”. Ashtu si dhe ia kanë mveshur këtë risi Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), por me sa duket ata kanë për qëllim bashkimin në faljen e teravive, sepse kanë përmendur në libër fjalën e El Iz ibën Abduselam, ku në mesin e shembujve të bidateve të pëlqyeshme, ai ka përmendur edhe “namazin e teravive”.[1]

Ndërkohë që Ibën Abduselami (Allahu e mëshiroftë!) mund të ketë pasur për qëllim me fjalën e tij “namazi i teravive”, d.m.th. faljen e tyre me xhemat, si dhe faljen e tyre me njëzetë rekate bashkë, por ata shkrimtarë kanë thënë një shprehje nga e cila mund të kuptohet se ata thonë që të shtuarit në numrin e teravive nuk është bidat. Kështu që mbetet të thuhet se qëllimi i tyre me “shpikjen”, të cilën ia kanë mveshur prijësit të Besimtarëve, Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), ajo në fakt është bashkimi i njerëzve nga ai për të falur në kolektiv namazin e teravive!

Qoftë ky qëllimi i tyre me “shpikjen”, apo ajo që është më e gjerë se kjo, kur ne besojmë se Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) nuk ka shpikur gjë të re në këtë namaz, as xhematin dhe as njëzetë rekatet, por ai në atë vepër ka qënë shembulli i besimtarit më të mirë që pason sunetin e të Dërguarit të tij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  ashtu siç duhet, si dhe kur besojmë gjithashtu se të falurit e teravive me njëzetë rekate nuk qëndron nga asnjë prej katër prijësave të drejtë dhe prej këtu, duhet patjetër që ne t’ia sqarojmë këtë realitet njerëzve, ashtu që të mos mashtrohet ndokush me atë që i mveshin prijësit të besimtarëve prej “shpikjes”, edhe nëse ata e shohin atë si të mirë. Kjo sepse e vërteta e pranuar plotësisht tek dijetarët është se “pasimi është më i mirë se shpikja”, edhe nëse do të supozonim se ka edhe shpikje të mirë (në Fe).

Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Mesatarja në pasimin e të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është më e mirë se përpjekja (orvatja) në bidat.”

Prej gjërave të habitshme të këtyre autorëve, si dhe prej padrejtësisë e prishjes së tyre është se ata, megjithëse janë vetë ata që e akuzojnë prijësin e besimtarëve me “shpikje”, pikërisht ata thonë se ne (shejh Albani) jemi ata të cilët e kemi quajtur atë (Umerin) bidatçi!

Për këtë gjë ata kanë përdorur disa shprehje, njërën prej të cilave e kemi përmendur në këtë broshurë, në pikën e parë të saj, bashkë me përgjigjen që i takon, kështu që nuk po i përsërisim fjalët këtu.

Ata nuk janë mjaftuar me këtë akuzë të pabazë e të kotë, por shtuan mbi të diçka që e lehtëson njohjen e lajthitjes së tyre. Ata thanë se ne e kemi mallkuar Umerin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), Allahu na ruajtë nga kjo dhe nga ajo që është më  e vogël se kjo! Madje shtuan edhe më tepër, duke thënë se ne i kemi mallkuar të gjithë selefët.

Në faqen (10) të librit të tyre, ata thonë: “O ti që i ke quajtur selefët të humbur!”. Gjithashtu në faqen (8) thonë: “Ata (shejhu) kanë mallkuar të parët e këtij populli dhe të fundit e tij”. – Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Na mjafton Allahu dhe Ai është Ndihmuesi më i mirë!

Betohem në Allahun! Nuk kam parë më të gatshëm se këta për të akuzuar të pafajshmit. Allahu i rregulloftë dhe i drejtoftë në Rrugën e Drejtë!

Pas kësaj fjale hyrëse, bëjmë me dije lexuesin se kjo broshurë përbëhet nga tetë pika kryesore:

  1. Preferenca e të falurit e namazit të teravive me xhemat (në kolektiv).
  2. I Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ka falur më shumë se njëmbëdhjetë rekate në namazin e teravive.
  3. Të mjaftuarit e të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me njëmbëdhjetë rekate është argument për moslejimin e të shtuarit mbi to.
  4. Ringjallja e sunetit nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) në faljen e teravive me xhemat dhe urdhëri i tij që ato të falen me njëmbëdhjetë rekate.
  5. Nuk është e vërtetë se ndonjë prej sahabeve i ka falur teravitë me njëzetë rekate. Verifikimi i gjurmëve të përcjella nga ata dhe sqarimi i dobësisë së tyre.
  6. Domosdoshmëria e të kapurit për njëmbëdhjetë rekate (në namazin e teravive) dhe argumenti për këtë.
  7. Format me të cilat i Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka falur namazin e natës dhe atë të vitrit.
  8. Nxitja për faljen sa më mirë të namazit dhe kërcënimi për të kundërtën.

Në brendësi të këtyre pikave gjenden edhe nëntema të tjera dhe dobi nga fikhu e hadithi, të cilat lexuesi do t’i gjejë në libër.

Lus Allahun e Lartësuar të më japë sukses në të qëlluarit e të vërtetës, në atë që kam shkruar në këtë broshurë e në të tjera dhe që ajo të jetë e sinqertë për Hir të Tij, si dhe t’i bëjë dobi me të vëllezërve të mi besimtarë! Ai është Mirëbërësi, Mëshirëploti.

Damask/ 4/9/1377 h.

Muhamed Nasirudin el Albani


  1. Preferenca e të falurit e namazit të teravive me xhemat (në kolektiv)

 Askush që ka njohuri për sunetin sot, nuk dyshon në ligjshmërinë e faljes së namazit të natës në muajin e Ramazanit me xhemat, atë namaz i cili njihet me emrin  “namazi i teravive”, dhe kjo për tre arsye:

  1. Aprovimi i faljes së tyre me xhemat nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
  2. Vetë i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka vepruar diçka të tillë.
  3. Sqarimi i të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për vlerën e faljes së tyre (me xhemat).
  4. a) Aprovimi i tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është bërë në hadithin e transmetuar nga Thealebe ibën Ebu Malik el Kuradhi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili thotë: Në një natë të Ramazanit, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli (nga shtëpia) dhe pa disa njerëz duke u falur në një qoshe të xhamisë. Atëherë tha: “Çfarë po bëjnë këta (çfarë namazi falin)?” Dikush tha: “O i Dërguari i Allahut! Ata nuk dinë përmendësh shumë nga Kurani, kështu që falen pas Ubej ibën Keabit, me namazin e tij. -Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Mirë kanë vepruar!” apo: “Ia kanë qëlluar!” Duke mos e urryer veprën e tyre.”

Ky hadith është Hasen. Atë e ka nxjerë Bejhakiu (2/495) dhe ka thënë: Ky hadith është mursel (i ndërprerë; nuk është përmendur sahabiu), hasen-i mirë.

Them (shejh Albani): Ky hadith është përcjellë i lidhur, por me rrugë tjetër, nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) me sened (zinxhir transmetuesish) jo të keq, në ndjekësit dhe dëshmuesit për të prej haditheve të tjera. Atë e ka nxjerë Ibën Nasr në librin “Namazi i natës” (20), Ebu Daudi (1/217) dhe Bejhakiu.

  1. b) Ndërsa për praktikimin e kësaj vepre nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kanë ardhur disa hadithe, prej të cilave po përmendim:

Hadithi i parë (Sahih): Transmetohet nga En Neuman ibën Beshir (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “U falëm me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në natën e njëzetë e tre të muajit të Ramazanit, deri në një të tretën e parë të natës. Pastaj u falëm me të në natën e njëzetë e pestë, deri në mesin e natës. Pastaj, në natën e njëzetë e shtatë, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u fal me ne derisa menduam se nuk do ta arrinim syfyrin.”

Këtë hadith e transmeton Ibën Ebu Shejbe në “El Musanef” (2/90/2), Ibën Nasr (89), En Nesai (1/238), Ahmedi (4/272) dhe El Ferjabi.

Senedi i këtij hadithi është “Sahih” dhe të tillë e ka konsideruar edhe El Hakim (1/440) dhe thotë: “Në këtë hadith ka argument të qartë se falja e namazit të teravive në xhamitë e muslimanëve është sunet i bërë rrugë. Ali ibën Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e shtynte Umerin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) që ta vinte në jetë këtë sunet, derisa ai e bëri këtë gjë.”

Hadithi i dytë (Sahih): Transmetohet nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “Ndërsa i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte duke u falur në muajin e Ramazanit, unë shkova dhe qëndrova në krah të tij. Pastaj erdhi një burrë tjetër dhe pastaj një tjetër, derisa u bëmë një grup (më pak se dhjetë vetë). Kur i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ndjeu që unë isha pas tij, ai e lehtësoi namazin (e shkurtoi leximin në të), pastaj hyri në shtëpinë e tij. Kur hyri në shtëpi, ai fali një namaz të cilin nuk e kishte falur me ne (të gjatë). Kur shkuam në namazin e sabahut, ne i thamë: O i Dërguari i Allahut, a na vure re mbrëmë? Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Po, dhe kjo gjë më shtyu të veproja ashtu si veprova.”

Këtë hadith e transmeton Ahmedi dhe Ibën Nasr, me dy senede të sakta, si dhe Et Taberani në “El Eusat”; të ngjashëm me të. Hadithi gjendet gjithashtu në Sahihun e Muslimit (nr. 1104).

Hadithi i tretë (Sahih): Trasmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ka thënë: “Njerëzit faleshin në netët e Ramazanit (teravitë), në xhaminë e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të ndarë në grupe. Dikush që dinte diç nga Kurani (përmendësh) printe në namaz një grup prej pesë-gjashtë vetësh, apo më shumë a më pak. Një natë, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më urdhëroi që ti shtroja atij një hasër (rrogoz) para derës së dhomës sime dhe unë e vendosa atë. Pasiqë fali namazin e fundit të darkës, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli dhe shkoi tek ai hasri.

-Thotë: Atëherë u mblodhën pas tij të gjithë ata që ishin në xhami dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali me ta një pjesë të gjatë të natës (teravitë), pastaj i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngrit dhe hyri në shtëpi, ndërsa hasrin e la në vendin e tij. Të nesërmen në sabah njerëzit po flisnin me njëri-tjetrin për namazin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me ata që gjendeshin në xhami atë natë. Atëherë u mblodhën më shumë njerëz (në natën tjetër) dhe xhamia u ngrys me gumëzhima nga zërat e njerëzve. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli natën e dytë dhe njerëzit u falën pas tij. Të nesërmen njerëzit e përhapën përsëri këtë gjë dhe numri i atyre që erdhën në xhami në natën e tretë u rrit shumë, saqë ajo u mbush plot. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të! doli dhe u fal me ta (teravitë).

Natën e katërt, xhamia nuk i nxinte ata që kishin ardhur dhe i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali me ta namazin e jacisë, pastaj hyri në shtëpi, ndërsa njerëzit qëndruan në xhami.

-Thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më tha mua: O Aishe! Çfarë kanë njerëzit? Unë i thashë: O i Dërguari i Allahut! Ata dëgjuan për namazin tënd të mbrëmshëm nga ata që ishin në xhami dhe erdhën për t’u falur me ty.

-Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Palose hasrin tënd, o Aishe!

-Thotë: Unë e palosa atë dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fjeti me vetëdije (qëllimisht dhe jo nga harresa), ndërsa njerëzit qëndruan në xhami, derisa disa burra prej tyre filluan të thonë: “Namazi! Namazi!”

-I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli për namazin e sabahut dhe pas faljes së tij, ai u drejtua nga njerëzit, përmendi teshehudin (duanë e hapjes së fjalimit) dhe tha: O njerëz! Për Allahun! Unë nuk fjeta këtë natë nga pavëmendja –uel-hamdu lilah- dhe as duke mos e ditur që ju ishit këtu, por unë kisha frikë se iu bëhej obligim (farz) [në një transmetim tjetër thuhet: kisha frikë se iu bëhej i detyrueshëm namazi i natës dhe ju nuk do të mundeshit ta kryenit atë], kështu që veproni ato punë që keni mundësi ti bëni, sepse Allahu nuk mërzitet  derisa të mërziteni.”

Në një transmetim tjetër shtohet se Zuhriu tha: Më pas i Dërguari i Allahut ndërroi jetë dhe njerëzit vazhduan ta vepronin këtë gjë si në jetën e tij (namazin e teravive me xhemat). Kështu vazhdoi kjo gjë edhe në kohën e hilafetit të Ebu Bekrit dhe në fillim të hilafetit të Umerit.[2]

Them: Këto hadithe argumentojnë dukshëm për ligjshmërinë e të falurit e namazit të teravive me xhemat, sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vazhdoi ti falte ato në ato netë me njerëzit dhe lënia e tij faljen e tyre në natën e katërt nuk e kundërshton këtë gjë, sepse ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e sqaroi atë me fjalën e tij: “Kisha frikë se iu bëhej i detyrueshëm” dhe padyshim se kjo frikë mbaroi me vdekjen e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pasi që Allahu e plotësoi Sheriatin e Tij.

Kështu që me vdekjen e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hiqet gjithashtu ajo që shkaktonte frikën, d.m.th: lënia e të falurit e teravive me xhemat dhe kthehet gjykimi i mëparshëm, d.m.th. ligjshmëria e të falurit e tyre me xhemat.

Për këtë shkak, Umer ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e ringjalli këtë vepër, siç e thamë më parë dhe do të vijë edhe më pas, dhe sipas të cilës është mendimi i shumicës së dijetarëve.

Hadithi i katërt (Sahih): Transmetohet nga Hudhejfe ibën El Jeman (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngrit të falej në një natë të Ramazanit, në një dhomë (kasolle) prej lëkure hurmash (palmash), hodhi në të një kovë ujë, pastaj tha: “Allahu ekber, Allahu ekber”, tre herë, pastaj tha: “Dhel melekuti uel xheberuti uel kibrijai uel adhame”-(që do të thotë: I Gjithëpushtetshmi, i Plotfuqishmi, Kryelarti dhe Madhështori). Pastaj lexoi suren Bekare.

-Thotë: Pastaj u përkul në gjunjë (ruku) dhe qëndroi në të aq sa qëndroi në këmbë, duke thënë: “Subhane rabijel adhim, subhane rabijel adhim” -që do të thotë: Larg të metave është Zoti im, Madhështori. Pastaj ngriti kokën nga rukuja dhe qëndroi në këmbë aq sa qëndroi në ruku dhe thoshte: “Lirabijel hamdu” -që do të thotë: Zotit tim i takon lavdërimi e falenderimi. Pastaj ra në sexhde dhe qëndroi në të aq sa qëndroi në këmbë, duke thënë: “Subahne rabijel eala” –që do të thotë: Larg të metave është Zoti im, më i Larti. Pastaj ngriti kokën nga sexhdja dhe qëndroi ulur. Në mes dy sexhdeve ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thoshte: “Rabi gfirli, rabi gfirli” –”O Zot, më fal mua!”. Qëndroi ulur aq sa qëndroi në sexhde, pastaj ra në sexhden e dytë dhe tha: “Subahne rabijel eala” dhe qëndroi në të aq sa qëndroi në këmbë. Në këtë formë ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali katër rekate në të cilat lexoi suren Bekare, Al Imran, En Nisa, El Maide dhe El Enam. Derisa erdhi Bilali, atëherë ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i dha lejë atij që të thërriste ezanin (e sabahut).”

Këtë hadith e transmeton Ibën Ebi Shejbe, Ibën Nasr, En Nesai, Ahmedi, Muslimi e të tjerë, me disa ndryshime në disa shprehje. E ka nxjerrë gjithashtu El Hakim i cili e ka konsideruar të saktë dhe për këtë e ka mbështetur edhe Dhehebiu. Transmetuesit e këtij hadithi janë të besueshëm.

  1. c) Ndërsa argumenti për sqarimin e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vlerën e faljes së tyre (me xhemat) është hadithi (Sahih) i transmetuar nga Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “Agjëruam (Ramazanin) dhe i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk u fal natën me ne (teravitë), derisa mbetën edhe shtatë netë nga muaji. Atë natë u fal me ne derisa kaloi një e treta e natës. Natën e gjashtë para mbarimit të muajit, ai nuk u fal me ne (teravitë), por u fal me ne natën e pestë para mbarimit të muajit dhe u falëm derisa kaloi gjysma e natës. -Ne i thamë: O i Dërguari i Allahut, përse nuk fal namaz vullnetar me ne edhe pjesën e mbetur të kësaj nate?

-Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Kush e fal namazin e natës (teravitë) me imamin derisa ai të mbarojë së faluri, atij i shkruhet sikur është falur gjithë natën.” -Pastaj nuk u fal me ne, veçse natën e tretë para mbarimit të muajit, në të cilën thirri edhe familjen e gratë e tij dhe u fal me ne derisa u frikësuam kohës së syfyrit.”

Këtë hadith e transmeton Ibën Ebi Shejbe, Ebu Daudi, Tirmidhiu i cili e ka konsideruar të saktë, En Nesai, Ibën Maxheh, Tahaviu në “Sherh meani el ethar”, El Ferjabi dhe Bejhakiu. Zinxhiri i transmetuesëve të tyre është i saktë.

Pika dëshmuese në hadith është fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Kush e fal namazin e natës (teravitë) me imamin”. Kjo fjalë tregon qartë vlerën e namazit të teravive me imamin.

Këtë e mbështet gjithashtu ajo që ka transmetuar Ebu Daudi në librin “El mesail” (f. 62), ka thënë: “Dëgjova kur dikush i tha Ahmedit: Cilën preferon më shumë, që burri të falet me njerëzit në muajin e Ramazanit (teravitë), apo të falet vetëm? -Të falet me njerëzit, -tha ai.

E kam dëgjuar gjithashtu të thotë: Më e preferuar për mua është që të falesh me imamin dhe ta falësh vitrin gjithashtu me të, sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse burri falet me imamin (namazin e teravive) derisa ai të përfundojë, Allahu i shkruan  edhe faljen e pjesës së mbetur të natës.”

Të ngjashëm me këtë ka përmendur edhe Ibën Nasr (f. 91) nga Ahmedi.

Pastaj Ebu Daudi tha: Dikush i tha Ahmedit, ndërsa unë dëgjoja: “A mund ta vonojmë namazin e natës –d.m.th. teravitë- deri në fund të natës?” –“Jo”, – tha ai. Rruga e muslimanëve është më e dashur për mua.”[3]


[1] Vërejtje: Prej provave argumentuese për mosekzaktësinë e atyre autorëve në përcjelljen e fjalëve të marra nga librat e të tjerëve, është se kur ata argumentuan me ndarjen që i ka bërë El ibën Abduselam bidatit, në pesë lloje, ata kanë përmendur vetëm të gjitha llojet e tjera përveç bidatit të urryer. Pra, ata e kanë fshirë qëllimisht fjalën e Ibën Abuselamit, e cila ka të bëjë me shembujt për bidatin e urryer, ndërsa ai (Ibën Abduselami), në librin “El Kavaid”, thotë: “Prej shembujve të bidateve të urryera është edhe zbukurimi i xhamiave dhe stolisja e Kuranëve.”

Sigurisht që nuk duhet shumë meditim nga lexuesi për të mësuar shkakun shtytës të këtyre autorëve që ata t’a fshinin këtë fjali nga fjala e El Iz ibën Abduselamit, sidomos nëse lexuesi e kujton atë me të cilën është mburrur autori i librit “Shënjestra…” dhe mbartësi i përgjegjësisë së madhe të saj, në ballinën e së cilës, poshtë emrit të autorit është shënuar: “Imami i xhamisë Er Rauda në Damask”. Vetë xhamia e tij është zbukuruar e stolisur së tepërmi, duke besuar se diçka e tillë është adhurim, për shkak se autorë të tillë heshtin dhe e fshehin dijen, nëse dinë në të vërtetë. Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë të vërtetën kur ka thënë: “Si do të jetë puna me ju kur t’ju pushtojë ndonjë sprovë (fitne) në të cilën plaket i madhi dhe rritet i vogli, [e njerëzit e marrin këtë për sunet – shembull] , sa që nëse lihet diçka prej tyre, do të thuhet: “U la një sunet”. –Ata që ishin present thanë: “Kur do të jetë kjo gjë?” –Kur të shkojnë (të vdesin) dijetarët tuaj, të shtohen lexuesit tuaj, të pakësohen fukahat – dijetarët e fikhut të cilët e kuptojnë fenë-, të shtohen princat tuaj, të pakësohen besnikët, të kërkohet dynjaja me punët e botës tjetër dhe kur të thelluarit në dije e kuptim të bëhet jo në shkencat e fesë.” [E transmeton Ed Darimi me dy zinxhirë transmetuesish; një të saktë e një të mirë.]

Por ky ether-fjalë e Sahabiut, edhe pse është meukuf-i mbetur te Ibën Mesudi nga fjala e tij, por ai merr gjykimin e hadithit të ngritur te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pasi çdo fjalë e tij është vërtetuar, siç e shohim me sytë tanë dhe veçanërisht për sa i përket sunteve dhe bidateve. A nuk i gjen njerëzit më të kujdesshëm për ndjekjen e sunetit dhe luftimin e bidatit, që të akuzohen nga kundërshtarët e tyre se ata bëjnë bidate dhe e lënë sunetin?! Dhe kjo vetëm sepse ata e kundërshtojnë dhe e refuzojnë atë që kanë shpikut njerëzit prej bidateve dhe të kapurit për to, duke besuar se ato janë sunet. Pikërisht kjo broshurë e tyre “Shënjestra…” është shembulli më i qartë për këtë.

Ku janë këta që pretendojnë ndihmën dhe përkrahjen e sahabeve, nga fjala e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), kur ai urdhëroi për zgjerimin e Xhamisë së Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Shiko të ruash njerëzit nga shiu dhe në asnjë mënyrë të mos ngjyrosësh me të kuqe a me të verdhë (mos e zbukuro atë)!” Apo nga fjala e Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Keni për t’i zbukuruar ato (xhamitë) ashtu si i zbukuruan çifutët dhe të krishterët.” [Të dy këto i transmeton Buhariu në shënimet e Sahihut të tij (1/427-248)]. Dhe nuk dihet të ketë ndonjë kundërshtues të këtyre dy sahabeve prej sahabeve, në këtë çështje.

Atëherë le t’a tregojnë këta autorë përkrahjen e tyre të sahabeve në refuzimin dhe ndalimin nga të zbukuruarit e xhamiave dhe të sqarojnë se =kjo gjë është prej bidateve, ashtu si ka bërë El Iz ibën Abduselam dhe dijetarë të tjerë përveç tij, nëse janë të sinqertë në përkrahjen e tyre të sahabeve! Në të kundërt, njerëzit tashmë e kanë të qartë se ata nuk e kanë shkruar broshurën e tyre, veçse për të kënaqur njerëzit dhe në pajtim me atë që ata veprojnë!

[2] Këtë hadith e transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi, En Nesai, El Ferjabi në librin “Agjërimi”, Ibën Nasri dhe Ahmedi. Ndërsa teksti i përmendur është i  këtyre dy të fundit.

[3] D.m.th: Të bashkuarit në xhami për faljen e namazit të teravive herët në fillim të natës është më i preferuar tek ai se të falurit vetëm, duke e vonuar namazin deri në fund të natës, edhe pse vonimi ka vlerë të veçantë, por falja me xhemat (në kolektiv) në Ramazan është më e mirë sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e veproi këtë gjë në ato netë që u fal me njerëzit në xhami, siç e pamë në hadithin e Aishes e të tjerëve. Për këtë shkak, sipas kësaj kanë vepruar muslimanët që nga koha e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e deri më sot.


Namazi i Teravive 2 >>>