Muajt e shenjtë

Dhe vlera e dhjetëditëshit të parë të Dhul Hixhes

Përgatiti: Bledar Albani

Allahu i Madhëruar thotë:

إِنَّ عِدَّةَ الشُّهُورِ عِندَ اللّهِ اثْنَا عَشَرَ شَهْراً فِي كِتَابِ اللّهِ يَوْمَ خَلَقَ السَّمَاوَات وَالأَرْضَ مِنْهَا أَرْبَعَةٌ حُرُمٌ ذَلِكَ الدِّينُ الْقَيِّمُ فَلاَ تَظْلِمُواْ فِيهِنَّ أَنفُسَكُمْ وَقَاتِلُواْ الْمُشْرِكِينَ كَآفَّةً كَمَا يُقَاتِلُونَكُمْ كَآفَّةً وَاعْلَمُواْ أَنَّ اللّهَ مَعَ الْمُتَّقِينَ [التوبة : 36]

 “Numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë muaj, në Librin e Allahut, që ditën kur krijoi qiejt dhe tokën. Katër prej tyre janë të ndaluar (të shenjtë). Kjo është feja e drejtë, ndaj mos i bëni padrejtësi vetes suaj në to. E, luftoni të gjithë kundër idhujtarëve ashtu si luftojnë ata të gjithë kundër jush, dhe dijeni se Allahu është me të devotshmit.” [Et Teube, 36].

Imam Ibën Xherir et Taberi thotë: “Numri i muajve tek Allahu në librin ku ka shkruar çdo gjë që do të krijojë deri në ditën e Kiametit, është dymbëdhjetë muaj, d.m.th. në paracaktimin e Allahut: “që ditën kur krijoi qiejt dhe tokën, katër prej tyre janë të ndaluar (të shenjtë).”

Këto katër muaj i shenjtëronin edhe idhujtarët në kohën e injorancës paraislamike dhe e quanin të ndaluar luftën në to, sa që sikur dikush prej tyre të takonte vrasësin e babit të tij gjatë këtyre muajve, nuk e sulmonte.

Këto katër muaj janë: Raxheb, Dhul Kaade, Dhul Hixhe dhe El Muharram…

Ebu Bekrah (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Koha është kthyer[1] ashtu siç ka qenë në ditën kur Allahu krijoi qijet dhe tokën: viti me dymbëdhjetë muaj, katër prej të cilëve janë të shenjtë; tre prej tyre janë njëri pas tjetrit: Dhul Kaade, Dhul Hixhe, El Muharram dhe muaji Raxheb i cili është mes muajit Xhumada dhe Shabanit. –Në cilin muaj jemi tani? –Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë –thamë ne. Pejgamberi heshti pak sa që menduam se do e quante me emër tjetër, pastaj tha: “A nuk jemi në muajin Xhul Hixhe? –Po, i thamë. –Në cilin vend jemi? –Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë –thamë ne. Pejgamberi heshti pak sa që menduam se do e quante me emër tjetër, pastaj tha: “A nuk jemi në Qytet (qytetin e shenjtë, në Mekë)? –Po, i thamë.  –Në cilën ditë jemi? –Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë –thamë ne. Pejgamberi heshti pak sa që menduam se do e quante me emër tjetër, pastaj tha: “A nuk jemi në ditën e Kurbanit?” –Po, o i Dërguari i Allahut. –“Gjaqet tuaj, pasuritë tuaj dhe nderet tuaja janë të shenjta për ju, njësoj si shenjtëria e kësaj e kësaj dite, në këtë vend dhe në këtë muaj. Keni për ta takuar Zotin tuaj dhe Ai do t’ju pyesë për veprat tuaja, ndaj pas meje (vdekjes sime) mos u ktheni në mohues duke vrarë njëri-tjetrin! Ai që është present t’ja përcjellë këto fjalë atij që nuk është present, se ndoshta dikush prej atyre që u përcillet fjala mund ta perceptojë më mirë se dikush që e ka dëgjuar atë.” Pastaj tha: “A nuk e shpalla!”[2]

Ibën Xherir et Taberi thotë: “Fjala e Allahut: “ndaj mos i bëni padrejtësi vetes suaj në to” d.m.th. mos thyeni urdhrin e Allahut në to dhe mos i bëni të lejuara ato që Allahu ka ndaluar, sepse përndryshe do ta ngarkoni veten tuaj me atë që nuk e mban dot prej zemërimit të Allahut dhe dënimit të Tij.

Në lidhje me shprehjen “në to” dijetarët kanë mospajtim nëse i kthehet të gjithë muajve apo vetëm katër muajve të shenjtë? Më e sakta është se ai kthehet te të gjithë muajt në përgjithësi dhe në katër muajt e shenjtë në veçanti. Pra nuk lejohet që të shkelen urdhrat e Allahut dhe as të kryhen ndalesat e Tij në asnjë prej dymbëdhjetë muajve, ndërsa në këto katër muaj ndalimi është është edhe më i madh, si dhe shpërblimi i veprave të mira është gjithashtu më i madh.

Katade thotë: “Padrejtësia (bërja e gjynaheve dhe lënia e detyrimeve) gjatë muajve të shenjtë është gabim dhe gjynah edhe më i madh se në muajt e tjerë, megjithëse në çdo kohë padrejtësia është gjë e madhe, por Allahu shenjtëron dhe zmadhon çfarë të dojë prej çështjeve të Tij…”

Ndërsa në lidhje me luftën në këto katër muaj është pyetur shejh Ibën Uthejmin nëse vazhdon të jetë e ndaluar lufta në to apo është abroguar, dhe shejhu u përgjigj:

“Muajt e shenjtë janë katër, ashtu si ka thënë Allahu i Madhëruar … Këto muaj të shenjtë kërkojnë përkujdesje të veçantë në lidhje me largimin nga padrejtësia qoftë mes njeriut dhe Zotit të tij, qoftë mes njerëzve e njëri-tjetrin, ndaj Allahu i Madhëruar thotë:

يَسْأَلُونَكَ عَنِ الشَّهْرِ الْحَرَامِ قِتَالٍ فِيهِ قُلْ قِتَالٌ فِيهِ كَبِيرٌ وَصَدٌّ عَن سَبِيلِ اللّهِ وَكُفْرٌ بِهِ وَالْمَسْجِدِ الْحَرَامِ وَإِخْرَاجُ أَهْلِهِ مِنْهُ أَكْبَرُ عِندَ اللّهِ وَالْفِتْنَةُ أَكْبَرُ مِنَ الْقَتْلِ وَلاَ يَزَالُونَ يُقَاتِلُونَكُمْ حَتَّىَ يَرُدُّوكُمْ عَن دِينِكُمْ إِنِ اسْتَطَاعُواْ وَمَن يَرْتَدِدْ مِنكُمْ عَن دِينِهِ فَيَمُتْ وَهُوَ كَافِرٌ فَأُوْلَـئِكَ حَبِطَتْ أَعْمَالُهُمْ فِي الدُّنْيَا وَالآخِرَةِ وَأُوْلَـئِكَ أَصْحَابُ النَّارِ هُمْ فِيهَا خَالِدُونَ” [البقرة : 217[

“Të pyesin ty për muajin e shenjtë, për luftën në të. Thuaju: “Luftimi në atë kohë është gjynah i madh, por pengimi i njerëzve prej udhës së Allahut, mohimi i Tij, pengimi i njerëzve nga vizita e Xhamisë së Shenjtë dhe dëbimi i banorëve të saj nga ajo, janë gjynah më i madh tek Allahu. Kurse adhurimi i idhujve është gjynah më i madh se vrasja.” Ata vazhdimisht do të luftojnë kundër jush, që të mund t’ju kthejnë nga besimi juaj. Ata që e mohojnë fenë dhe vdesin si mohues, – veprat e tyre (të mira) do të humbasin në këtë botë dhe në tjetrën. Ata do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.” [El Bekare, 217].

Prej këtu, këtë dijetarët kanë mospajtim nëse lufta në këto muaj vazhdon të jetë e ndaluar apo ky ligj është abroguar?

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se ky ligj është abroguar pasi që Allahu i Madhëruar më pas ka urdhëruar që të luftohen të gjithë idhujtarët në përgjithësi.

Ndërsa disa dijetarë të tjerë janë të mendimit se ky ligj, d.m.th. ndalimi i luftës në këto muaj vazhdon të jetë në fuqi  dhe se neve nuk na lejohet të fillojmë të parët me sulm ndaj tyre në këto muaj, porn a lejohet të vazhdojmë luftën e nisur para këtyre muajve nëse na zënë këto muaj në luftë e sipër. Po kështu na lejohet t’i luftojmë ata nëse fillojnë të parët me sulm ndaj nesh në këto muaj. Pra në këtë çështje ka mospajtim nëse na lejohet të fillojmë të parët me sulm apo jo, në këto muaj dhe në çdo rast çështja i kthehet udhëheqësve të shtetit të cilët merren me çështjet e luftës dhe të xhihadit.” http://www.ibnothaimeen.com/all/noor/article_6700.shtml

Vlera e dhjetë ditëve të para të muajit Dhul Hixhe

Allahu i Madhëruar thotë:

“وَالْفَجْرِ. وَلَيَالٍ عَشْرٍ”

“Betohem për muzgun e agimit, dhe për dhjetë netët!”

Imam Taberiu thotë: “Eshtë fjala për dhjetë e netët e para të muajit Dhul Hixhe, për këtë është bashkuar fjala e të gjithë komentuesve të Kuranit.”

Ndërsa Ibën Kethiri e përforcon këtë me fjalën: “Janë për qëllim dhjetë netët e Dhul Hixhes, siç e ka thënë Ibën Abasi, Ibën Zubejri, Muxhahidi e të tjerë prej selefëve dhe halefëve (të mëvonshmëve). Ndërsa betimi në muzgun e agimit është për qëllim sabahu i ditës së Kurban Bajramit e cila është edhe mbyllja e dhjetëditëshit.”

Allahu i Madhëruar thotë:

“وَأَذِّنْ فِي النَّاسِ بِالْحَجِّ يَأْتُوكَ رِجَالاً وَعَلَى كُلِّ ضَامِرٍ يَأْتِينَ مِنْ كُلِّ فَجٍّ عَمِيقٍ. لِيَشْهَدُوا مَنَافِعَ لَهُمْ وَيَذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ فِي أَيَّامٍ مَعْلُومَاتٍ” [الحج: 27 -28]

“Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!” [El Haxh, 27-28].

Ibën Kethiri thotë: “Ibën Abasi thotë se“ditët e caktuara” janë dhjetë ditët e Dhul Hixhes. Këtë e ka përmendur edhe Buhariu në formën “mualak” –pa sened, por në mënyrë të prerë –që e ka thënë…”

Ibën Abasi (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilat veprat e mira janë më të dashura tek Allahu se sa në këto ditë –d.m.th. dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes.” Thanë: “O i Dërguari i Allahut! As xhihadi në rrugë të Allahut?” –“As xhihadi në rrugën e Allahut, përveç nëse një burrë del me pasurinë dhe veten e tij pastaj nuk kthehet me asnjë prej këtyre.” [Buhariu 969 me shprehje të përafërt, Ebu Daudi 2438, Tirmidhiu, Ibën Maxheh 1727, Ahmedi 1/346].

Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) u pyet për dhjetë e ditët e para të Dhul Hixhes dhe për dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, cilat prej tyre janë më të mira? Ai u përgjigj: “Dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes janë më të mira se dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, ndërsa dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë më të mira se dhjetë netët e para të Dhul Hixhes.” Ibnul Kajim thotë: “Nëse njeriu i zgjuar mediton pak në këtë përgjigje, e gjen atë të mjaftueshme dhe të plotë, pasi që nuk ka ditë ku veprat të jenë më të mira se sa dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes, ditë në të cilat gjendet Dita e Tervijes (dita e parë e haxhit), dita e Arafatit dhe dita e Kurbanit. Ndërsa dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë netë gjallërimi me adhurim të cilat i Dërguari i Allahut i përjetonte të gjitha me adhurim. Në ato natë gjendet edhe nata e Kadrit e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kush përgjigjet me sqarim tjetër përveç këtij, nuk ka sjellë argument të saktë.” [Mexhmuul fetava, 6/100].

Prej veprave të mira që kryhen në këto ditë përmendim: Namazet nafile, namazin e natës, lëmoshat e ndryshme, leximi i Kuranit, agjërimi, therja e kurbanit, e tjerë e tjerë prej veprave të mira e të dashura tek Allahu. Tërheqim vërejtjen këtu se nuk ka ardhur ndonjë argument që këto ditë të agjërohen të gjitha njëra pas tjetrës, por sipas mundësisë. Gjithashtu të mos harrohet dita e Arafatit, dita e nëntë e Dhul Hixhes, me agjërimin e të cilës falen gjynahet e dy viteve të njëpasnjëshme, siç ka ardhur në hadith të saktë. [Sahihu et Targib, 1012].

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi pejgamberin tonë, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!

 


[1] Idhujtarët i shenjtëronin katër muajt ashtu siç u kishte mbetur që nga koha e Ibrahimit (alejhi selam), por nga se nuk mund të duronin tre muaj rresht pa bërë luftë mes njëri-tjetrit, ata e shtynin shenjtërinë e njërit prej tre muajve që ishin pas njëri-tjetrit për të bërë të shenjtë një muaj tjetër më pas. Dhe kështu bënin çdo vit, e ndërronin muajin e shejntë, ndaj Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) tha se tani u kthye çdo gjë si në paracaktimin e Allahut.

[2] Buhariu 4406, Muslimi 4359.