Njohuri të përgjithshme

rreth Metodologjisë së Selefëve

Autor: Selim iben Ijd el Hilali

Përktheu: Bledar Albani

 

Parathënie

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë falënderojmë, prej Tij kërkojmë ndihmë dhe falje të gjynaheve tona. I lutemi Allahut të na ruajë nga e keqja e shpirtrave tanë dhe nga punët tona të këqija. Atë të cilin e udhëzon Allahu, nuk ka kush e humb dhe atë të cilin e humb Allahu, nuk ka kush e udhëzon.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut, Një e të Pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Allahut.
Thënia më e mirë është Fjala e Allahut dhe udha më e mirë është ajo e Muhamedit, ndërsa shpikjet në to janë punët më të këqija dhe çdo shpikje është bidat – risi, çdo bidat është humbje dhe çdo humbje e ka vendin në zjarr.

Pasuesi i metodologjisë (menhexhit) të selefëve me dije të sigurtë, i cili është edhe kushti i tij: “Thuaj: Kjo është rruga ime. Unë ftoj për tek Allahu me dije të sigurtë, unë dhe ata të cilët më pasojnë mua. I Lartëmadhëruar është Allahu dhe unë nuk jam prej idhujtarëve.” [Jusuf: 108], duhet t’a dijë se domethënia e kësaj fjale dhe përmbajtja e saj, ngrihet mbi barrën e particizmit të neveritshëm, pasi që ajo është e qartë si dielli në mesditë: “Dhe kush thotë fjalë më të bukur se ai i cili fton për tek Allahu, punon vepra të mira dhe thotë: Unë jam prej Muslimanëve?!” [Fusilet: 33].

Së pari

Domethënia e fjalës “selef” dhe “selefije”,

në kuptimin gjuhësor, terminologjik dhe kohor

Në kuptimin gjuhësor, kjo fjalë tregon ata që kanë kaluar dhe kanë paraprirë në dije, besim, meritë dhe bamirësi.
Ibën el Mendhur (autor i fjalorit “Lisanu el Arab”) thotë: “Kushdo që të ka paraprirë nga baballarët dhe të afërmit e tu të cilët janë mbi ty në moshë dhe meritë. Dhe për këtë arsye, brezi i parë i tabiinëve janë quajtur “Es Selefu es Salih” (të parët e mirë).”
Them (autori): Në këtë kuptim është edhe fjala e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) drejtuar bijës së tij, Fatimes: “Unë jam selefi më i mirë për ty.” [E transmeton Muslimi, me nr. 98, 2450].

Ndërsa në kuptimin terminologjik, “selef” është cilësi jokalimtare e cila kur përmendet e pakufizuar, janë për qëllim Sahabet (shokët e të Dërguarit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ndërsa të tjerët (pasardhësit e tyre) i shoqërohen atyre në këtë fjalë në mënyrë dytësore dhe si pasues të tyre.
El Kalshani ka thënë: “Es Selefu es Salih, të cilët janë brezi i parë, të vendosurit në dije të sigurtë, të udhëzuarit me udhëzimin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ruajtësit e rrugës së tij. Ata të cilët i zgjodhi Allahu për shoqërimin e të dërguarit të Tij, për ngritjen e Fesë së Tij dhe për të qenë të parët e popullit musliman. Ata u përpoqën dhe luftuan në Rrugën e Allahut me përpjekje të vërtetë, u angazhuan me këshillimin e popullit dhe sjelljen e dobisë atij dhe i dhanë vetet e tyre në kënaqjen e Allahut.”

Edhe “Ehlul Kelam” (skolastikët), të vjetërit dhe të rinjtë prej tyre e kanë pohuar këtë domethënie të fjalës “Es Selef”:
Gazali, në sqarimin që i bën fjalës “Selef”, thotë: “Kam për qëllim (me këtë fjalë) medhhebin (rrugën) e sahabëve dhe tabiinëve.”
Ndërsa el Bejxhuri thotë: “Eshtë për qëllim me “Selefët”, ata të cilët kanë kaluar prej pejgamberëve, sahabëve, tabiinëve dhe tabi tabiinëve.”

Edhe dijetarët e brezave të ndritshëm e kanë përcjellë këtë shprehje për të treguar kohën e sahabeve dhe menhexhin (rrugën dhe metodologjinë) e tyre:

1. Buhariu në “Sahihun” e tij thotë: Rashid ibën Sead ka thënë: “Selefët e pëlqenin kalin e fuqishëm sepse ai ecën më shpejt dhe është më trim.”
Ibën Haxheri, në sqarimin e fjalës “Selefët”, thotë: “D.m.th. prej sahabëve dhe atyre pas tyre.”
Them (autori): Janë për qëllim sahabët, pasi që vetë Rashid ibën Seadi ka qenë tabii, kështu që selefët për të kanë qenë sahabët, pa dyshim.

2. Muslimi ka nxjerrë në parathënien e “Sahihut” të tij, nga Abdullah ibën el Mubarek se ai thoshte në mesin e njerëzve: “Lëreni hadithin që transmeton Amër ibën Thabit, sepse ai fyen selefët.”
Them: Ka për qëllim sahabët.

3. El Euzai ka thënë: “Shtrëngoje veten me durim në Sunet, qëndro aty ku kanë qëndruar ata njerëz, thuaj atë që kanë thënë ata dhe përmbaju (mos e thuaj) asaj që i janë përmbajtur, dhe ndiq rrugën e Selefëve (të parëve) tuaj të mirë dhe ka për të mjaftuar ajo që u mjaftoi atyre.”
Them (autori): Janë për qëllim Sahabet.

Për këtë arsye fjala “Selef” ka përfituar këtë domethënie terminologjike, të cilën nuk e tejkalon në ndonjë tjetër.

Ndërsa në kuptimin “kohor”, kjo fjalë përdoret për të treguar brezat më të mirë dhe më të privilegjuar për t’u pasuar dhe për t’u marrë për shembull. Dhe ato janë tre brezat e parë për të cilët është dëshmuar se janë brezat më të mirë, në gjuhën e të Dërguarit tonë (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në fjalën e tij: “Njerëzit më të mirë janë ata të brezit tim, pastaj ata të cilët vijnë pas tyre dhe pastat ata të cilët vijnë pas tyre. Ndërsa më pas do të vijnë njerëz, dëshmia e të cilëve i prin betimit të tyre dhe betimi i tyre i prin dëshmisë së tyre.”
Por përkufizimi kohor nuk është i përpiktë në përkufizimin e domethënies së fjalës “Selef”, pasi që shohim shumë prej grupeve të humbura dhe pasuesve të bidatit që ti kenë shfaqur kokat e tyre në atë periudhë kohore (periudhën e tabiinëve dhe tabi tabiinëve). Prandaj, të qenurit e dikujt që ka jetuar në atë kohë nuk mjafton për të gjykuar për të se ai ka qenë në menhexhin e Selefëve, përderisa nuk ka qenë në pajtim me Sahabet (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) në të kuptuarit e Kuranit dhe Sunetit, dhe për këtë arsye, dijetarët e kufizojnë këtë shprehje me fjalën “Es Selefu es Salih” (të parët e mirë).
Me këtë na bëhet e qartë se kur përmendet fjala “Selef” e pakufizuar, me të nuk është për qëllim thjesht ata që kanë kaluar më parë në kohë, por është për qëllim brezi i shokëve të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ata të cilët i kanë pasuar ata me sinqeritet dhe të mirë.
Sipas kësaj domethënieje është përqendruar shprehja “Selefët”. Pra ajo i drejtohet atyre të cilët kanë ruajtur pastërtinë e akides dhe menhexhit mbi atë në të cilën ka qenë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe sahabët e tij para kundërshtimit dhe përçarjes (së muslimanëve në brezat më pas).

Ndërsa fjala “Es Selefije” është adresim te “Selefët”, dhe ky është një adresim i lavdishëm në menhexhin e drejtë dhe nuk është shpikje e një medhhebi të ri.
Dijetari i Islamit, Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Nuk është turp për atë që shfaq medhhebin e selefëve, adresohet tek ai (medhheb) dhe krenohet me të, madje kjo gjë duhet pranuar pa asnjë kundërshtim, pasi që medhhebi i selefëve nuk është veçse i vërtetë.”

Dijetarët e hershëm, çdokënd që pasonte të kuptuarit e sahabeve (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) në akide dhe menhexh, e quanin “Selefij”.
Kështu, Historiani Islam, imam Dhehebiu (Allahu e mëshiroftë!) përcjell një fjalë të Hafiz Darakutnit (Allahu e mëshiroftë!), thotë: “Nuk ka gjë më të urrejtur për mua se sa “Ilmul Kelam” (Shkenca e fjalës, apo skolastika).” Pastaj thotë (imam Dhehbiu): “Ky burrë nuk është futur kurrë në “Ilmil Kelam”, as në atë të polemikës, dhe as është përzierë në to, por ka qenë Selefi.”

Po kështu edhe shejh Ahmed ibën Muhamed el Hanbeli (një nga nxënësit e Ibën Tejmijes) i dërgon një letër nxënësve të dijetarit të Islamit, Ibën Tejmijes, ku thotë: “…Në qoftë se Allahu i Madhëruar e lehtëson këtë gjë dhe ndihmon në këto çështje të mëdha, atëherë insha Allahu, veprat (shkrimet) e shejhut (profesorit) tonë (Ibën Tejmijes) do të bëhen zahire (rezerva, thesare) të dobishme për Islamin dhe njerëzit e tij, si dhe magazinë madhështore për ata të cilët do të shkruajnë dhe do të marrin nga ato, si dhe të cilët përkrahin Rrugën Selefije me bazat e saj, dhe që do të nxjerrin e do të përmbledhin deri në fundin e kohës në këtë dynja, me Lejen e Allahut të Madhëruar. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Allahu do të vazhdojë të mbjellë në fe të mbjella të cilët i përdor në të (në fe) me bindje ndaj Allahut…”

 

Së dyti

Menhexhi Selefi dhe e ardhmja e Islamit

Vijon …