GJËRAT QË E BËJNË TË LEJUAR MOSAGJËRIMIN

DHE RREGULLAT E SHLYERJES SË AGJËRIMIT TË PRISHUR

 

Tema

Agjërimi dhe mosagjërimi në udhëtim

53. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Hamza ibën Amër el Eslemi i tha të Dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!): “A të agjëroj kur jam në udhëtim?” –Ai agjëronte shumë. I Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Nëse do, agjëro dhe nëse do, mos agjëro.” E transmeton Grupi.

54. Ebu Darda (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Dolëm me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në muajin e Ramazanit, në një të nxehtë të madh, sa që vendosnim duart mbi kokë nga i nxehti. Askush nga ne nuk ishte agjërueshëm, përveç të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe Abdullah ibën Ravaha.” Muttefekun alejhi.

55. Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ishte në një udhëtim dhe pa një grup njerëzish në mesin e të cilëve dikush që po i bënin hije. I Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Çfarë është ky?” –Është agjërueshëm, -i thanë ata. I Dërguari tha: “Agjërimi në udhëtim nuk është nga vepra e mirë.” Muttefekun alejhi.

56. Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Kur udhëtonim me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), as ata që agjëronin nuk i quanin gabimtarë ata që nuk agjëronin, as ata që nuk agjëronin nuk i quanin gabimtarë ata që agjëronin.” Muttefekun alejhi.

57. Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) doli nga Medina me 10 mijë burra, në krye të tetë viteve nga emigrimi në Medine. Ai lëvizi bashke me ata që ishin me të duke qenë agjërueshëm, ai dhe ata, deri sa mbërritën në Kedid –një burim mes Usfanit dhe Kudejdit-, ku nuk agjëroi as ai as të tjerët. Gjithësesi, nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) duhet marrë gjëja e fundit fare që ai ka vepruar apo thënë.” Muttefekun alejhi, por Muslimi transmeton kuptimin e këtij hadithi dhe nuk i përmend 10 mijë burrat dhe as datën e daljes.

58. Transmetohet nga Hamza ibën Amër el Eslemi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë gjej fuqi te vetja që të agjëroj edhe pse jam në udhëtim, a kam gjynah që nuk agjëroj?” I Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Mosagjërimi në udhëtim është lehtësim nga Allahu i Lartësuar; kush e merr këtë lehtësim, ka vepruar mirë dhe kush dëshiron të agjëron, nuk ka ndonjë gjynah.” E transmeton Muslimi dhe Nesai. Ky hadith është argument i fortë për të mirën që ka mosagjërimi në udhëtim.

59. Transmetohet nga Ebu Seidi dhe Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se kanë thënë: “Udhëtuam me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe disa agjëronin, kurse të tjerë nuk agjëronin, por askush nuk e quante gabim tjetrin.” E transmeton Muslimi.

60. Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Udhëtuam me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) për në Meke duke qenë agjërueshëm. Kur arritëm në një vend të caktuar, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Tashmë iu afruat armikut, dhe mosagjërimi është më i mirë për fuqinë tuaj.” Kjo tregonte lehtësim për ne, kështu që disa prej nesh agjëruan, kurse të tjerët nuk agjëruan. Më pas arritëm në një pozicion tjetër dhe i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Në sabah do përballeni me armikun tuaj, kështu që mosagjërimi është më i mirë për fuqinë tuaj, prandaj mos agjëroni!” Kjo ishte urdhër për ne, kështu që nuk agjëruam. Më pas, disa prej nesh i shihje të agjëronin kur ishin me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në ndonjë udhëtim.” E transmeton Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Daudi.

Tema

Fillimi i agjërimit dhe më pas prishja e tij gjatë ditës

61. Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) doli për në Mekë në vitin e Çlirimit të Mekës dhe agjëroi deri sa arriti në fushën Kuraal Gamim. Edhe njerëzit e tjerë agjëruan bashkë me të. Disa i thanë atij: “Njerëzit poi lodh shumë agjërimi, por ata veprojnë ashtu si të shohin ty të veprosh.” Atëherë ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) kërkoi një gotë ujë pas namazit të ikindisë dhe e piu, ndërsa njerëzit e shihnin. Disa prej tyre e prishën agjërimin, kurse të tjerë vazhduan të agjërojnë. Kur i thanë se disa njerëz vazhduan të agjërojnë, ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Ata janë kundërshtues të urdhrit (mëkatarë).” E transmeton Musimi, Nesai dhe Tirmidhiu i cili e quan të saktë.

62. Transmetohet nga Ebi Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) arriti te një lum me ujë qielli (shiu), ndërsa njerëzit e tij ishin agjërueshëm në një ditë vere. Ata ishin këmbësorë, kurse ai kaluar mbi mushkë. Ai u tha: “Pini, o njerëz!” Por ata refuzuan të pinin. Atëherë ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Unë nuk jam si ju, unë eci më lehtë se ju, sepse jam kaluar.” Por ata përsëri refuzuan. Atëherë ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) përtheu gjurin, zbriti nga kafsha dhe piu ujë, pastaj pinë edhe njerëzit e tjerë. E bëri këtë edhe pse nuk donte të pinte.” E transmeton Ahmedi. [Sahih – Es Sahiha 2575].

63. Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) doli në vitin e Çlirimit të Mekës, në muajin e Ramazanit. Ai agjëroi deri sa kaloi pranë një rrjedhe uji në rrugë, në kohën para drekës. Njerëzit ishin të etur dhe filluan të zgjasnin kokat në drejtim të ujit, dhe nefsi ua kërkonte. Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) kërkoi një enë me ujë, e kapi me dorë që ta shihnin njerëzit dhe e piu. Pastaj, pinë edhe njerëzit.” E transmeton Ahmedi.

 

Tema

A e prish agjërimin ai që niset për udhëtim gjatë ditës,

dhe kur mund ta prishë agjërimin

64. Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) doli në Ramazan, në drejtim të Hunejnit, ndërsa njerëzit që ishin me të, disa prej tyre agjëronin, kurse të tjerë jo. Kur u ul mbi kafshën e tij, i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) kërkoi një gotë me qumësht –ose ujë- dhe e vendosi mbi kafshën e tij –ose mbi pëllëmbën e tij. Pastaj, njerëzit që nuk agjëronin i panë ata që agjëronin ta prishnin agjërimin.” E transmeton Buhariu. Profesori ynë, Abdurrazak ibën Abdulkadir thotë: “Më e sakta është se udhëtimi ka qenë në drejtim të Hajberit ose të Mekës, sepse te keto të dyja ka udhëtuar i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në këtë muaj, kurse në Hunejn ka shkuar dyzet ditë pas çlirimit të Mekës.”

65. Muhamed ibën Keab thotë: “Shkova të Enes ibën Malik në Ramazan, i cili do të nisej për udhëtim, dhe unë i bëra gati kafshën e udhëtimit. Ai veshi rrobat e udhëtimit, kërkoi ushqim dhe hëngri. Unë i thashë: A është sunet kjo gjë? –Po, tha ai, sunet është. Pastaj i hipi kafshës së tij.” E transmeton Tirmidhiu. [Sahih – Sunenu Tirmidhi 799].

66. Ubejd ibën Xhubejr thotë: “Hipa në anije bashkë me Ebi Busra el Gifari, në Ramazan, nga Fustati. Ai afroi drekën e tij dhe më tha: “Afrohu (të hash)!” Unë i thashë: “A nuk je ende mes shtëpive (pa dalë nga qyteti)?” Ebu Busra tha: “A poi kthen shpinën sunetit të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)?” E transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi. [Sahih – El Irva 928, Sunenu Ebi Daud 2412].

Tema

Lejimi i mosagjërimit për atë që hyn si udhëtar në një vendbanim

dhe nuk e ka vendosur sa do të qëndrojë

67. Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e zhvilloi luftën e Çlirimit të Mekes në Ramazan dhe agjëroi deri sa arriti në El Kedid, në burimin mes Kudejdit dhe Usfanit. Ai vazhdoi të mos agjëronte deri sa kaloi muaji i Ramazanit.” E transmeton Buhariu. Pika e argumentimit në këtë hadith është se Çlirimi i Mekës ka ndodhur dhjetë ditë para mbarimit të Ramazanit, siç ka ardhur në një hadith Muttefekun alejhi.

Tema

Çfarë ka ardhur për të sëmurin, të moshuarin, shtatzënën dhe gjidhënësen

68. Enes ibën Malik el Keabi transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu i Madhëruar ia ka hequr udhëtarit agjërimin dhe gjysmën e namazit, kurse gruas shtatzënë dhe gjidhënëses i ka hequr agjërimin.” E transmetojnë të pestët. [Sahih – Sahih Ebi Daud 2083].

69. Seleme ibën el Ekvau thotë: “Kur zbriti ajeti “Ndërsa ata të cilët e përballojnë me vështirësi atë, le të japin shpagim duke ushqyer një të varfër (për çdo ditë agjërimi).” [El Bekare 184], kush donte nuk agjëronte por jepte shpagim, deri sa zbriti ajeti pas këtij[1] dhe e abrogoi atë të parin.” E transmeton Grupi, përveç Ahmedit.

70. Abdurrahman ibën Ebi Lejla përcjell nga Muadh ibën Xhebel (Allahu qoftë i kënaqur me të!) hadith të ngjashëm me atë të Selemes para këtij, por në të shtohet: “Pastaj Allahu zbriti ajetin: “Kushdo nga ju që e arrin këtë muaj, ta agjërojë atë.” [El Bekare 185], dhe kështu Allahu e bëri detyrim agjërimin për vendaliun e shëndetshëm, e lejoi mosagjërimin për të sëmurin dhe udhëtarin, caktoi shpagimin me ushqim për të moshuarin që nuk mund të agjërojë.” I shkurtuar nga transmetimi i Ahmedit dhe Ebu Daudit. [Sahih – Sahih Ebi Daud 524].

71. Transmetohet nga Atai se ai dëgjoi Ibën Abasin të lexonte ajetin: “Ndërsa ata të cilët e përballojnë me vështirësi atë, le të japin shpagim duke ushqyer një të varfër (për çdo ditë agjërimi).” [El Bekare 184], pastaj Ibën Abasi tha: “Ky ajet nuk është abroguar, por ai është për të moshuarin dhe të moshuarën që nuk munden të agjërojnë, por të ushqejnë një të varfër në vend të çdo dite agjërimi.” E transmeton Buhariu.

72. Ikrima transmeton se Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Shpagimi me ushqim është caktuar për gruan shtatzënë dhe atë gjidhënëse.” E transmeton Ebu Daudi. [Sahih – Sahih Ebi Daud 2007].

Tema

Zëvendësimi i ditëve të prishura nga Ramazani

njëra pas tjetrës dhe të ndara, si dhe vonimi i zëvendësimit të tyre

deri në muajin Shaban para Ramazanit të ardhshëm

73. Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ai që zëvendëson ditët e paagjëruara nga Ramazani, nëse do i agjëron të ndara e nëse do, i agjëron njëra pas tjetrës.” E transmeton Darakutni. [Daif – I dobët; El Irva 943]. Buhariu thotë: “Ibën Abasi thotë: “Nuk ka problem të agjërohen të ndara, sepse Allahu thotë: “…të agjërojë po aq ditë në ditët e mëvonshme.” [El Bekare 185]. (D.m.th. pa kushtëzuar që të jenë njëra pas tjetrës. Buhariu e përmend këtë thënie të Ibën Abasit pa zinxhir transmetimi – mualak. Shënim i përkthyesit).

74. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Në fillim ajeti zbriti kështu: “të agjërojë po aq ditë në ditët e mëvonshme në mënyrë të njëpasnjëshme.”, por më pas u rrëzua fjala “të njëpasnjëshme”.” E transmeton Darakutni dhe thotë: Senedi i tij është i saktë.

75. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Më ndodhte që të kisha ditë pa agjëruar nga Ramazani i kaluar, dhe nuk kisha mundësi t’i zëvendësoja veçse në muajin Shaban (muajin para Ramazanit tjetër). Kjo ishte për shkak të pozitës që kishte i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).” E transmeton Grupi. Transmetohet me sened tjetër të dobët nga Ebu Hurejra, nga i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), se një burrë u sëmur në Ramazan dhe e prishi agjërimin. Më pas u shërua, por nuk i zëvendësoi ditët e prishura deri sa e zuri Ramazani tjetër, atëherë i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Në fillim të agjërojë muajin aktual, pastaj të agjërojë muajin që e ka prishur, dhe njëkohësisht të ushqejë një të varfër për çdo ditë.” E transmeton Darakutni nga Ebu Hurejra, prej fjalës së këtij të fundit, dhe thotë: Senedi i tij është i saktë por meukuf – fjalë e Ebu Hurejrës.

76. Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell nga i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) se ai ka thënë: “Kush vdes duke lënë ditë pa agjëruar nga Ramazani, të jepet ushqim për të; në vend të çdo dite ushqyerja e një të varfri.” Senedi i këtij hadithi është i dobët. Tirmidhiu thotë: “E vërteta është se kjo është thënie e Ibën Umerit dhe jo e të Dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).”

77. Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Nëse dikush sëmuret në Ramazan pastaj vdes pa agjëruar, për të duhet të jepet ushqim, dhe nuk ka shpagim tjetër, por nëse ka qenë zotuar, kujdestari i tij agjëron për të.” E transmeton Ebu Daudi. [Sahih – Sahih Ebi Daud 2078].

Tema

Agjërimi për të cilin ishte zotuar i vdekuri para se të vdiste

78. Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se: “Një grua tha: “O i Dërguari i Allahut! Nëna ime vdiq, por ajo la pa gjëruar një agjërim për të cilin ishte zotuar, a të agjëroj unë në vend të saj?” Ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Sikur nëna jote të kishte borxh për të shlyer, a do ia shlyeje atë? A do i quhej asaj borxhi i shlyer?” Ajo iu përgjigj: “Po.” –Atëherë agjëro në vend të nënës tënde, – i tha i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).” E transmeton Buhariu dhe Muslimi. Në një transmetim tjetër thuhet: “Një grua hipi në anije për në një udhëtim dhe u zotua se: Nëse Allahu do e shpëtonte atë, do të agjëronte një muaj. Allahu e shpëtoi atë, por ajo nuk agjëroi deri sa i erdhi vdekja. Një e afërme e saj erdhi te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe ia tregoi historinë e saj, kurse ai i tha: “Agjëro ti në vend të saj.” E ka nxjerrë Ahmedi, Nesai dhe Ebu Daudi.

79. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush vdes duke lënë agjërim të detyruar pa plotësuar, në vend të tij mund të agjërojë kujdestari i tij.” Muttefekun alejhi.

80. Burejde (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Ndërsa isha ulur te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) erdhi një grua dhe i tha: “Unë i dhashë lëmoshë nënës sime një skllave, por nëna vdiq.” I Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Shpërblimi yt është bërë i pakthyeshëm nga Allahu, dhe trashëgimia ta ktheu po ty atë skllave.” Ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut! Nëna ime kishte një muaj agjërim të dëtyrueshëm për të agjëruar, a të agjëroj në vend të saj?” Ai tha: “Agjëro në vend të saj.” Ajo i tha: “Nëna ime nuk e ka kryer Haxhin, a ta bëj unë në vend të saj?” Ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Bëje Haxhin në vend të saj.” E transmeton Ahmedi, Muslimi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu i cili e quan të saktë. Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “agjërimi i dy muajve”.

 

[1] Është fjala për ajetin 185 në të njëjtën sure “Kushdo nga ju që e arrin këtë muaj, ta agjërojë atë.”