LIDHJA E MORALIT ME BINDJEN DHE BESIMIN (6)

Autor: Sulejman ibën Salih el Gasn


Muslimani i përkushtuar Zotit të tij, ka frikë se mos i ikin të mirat e tij

Muslimani ka frikë se i ikin dhe i fshihen për shkak të të këqiave që ai bën dhe  padrejtësive, duke e ndjerë apo duke mos e ndjerë.

I frikësohet asaj Dite në të cilën i shfaqet llogaria dhe mëson sasinë e tij të të mirave dhe të  të këqiave, pastaj i thuhet:

“(Do t’i thuhet): “Lexoje librin tënd. Ti vetë  je i mjaftueshëm këtë Ditë si gjykues kundër vetes tënde.”[1]

Dhe siç thotë Allahu i Lartësuar:

“Dhe Libri (veprat e shkruara të secilit) do t’i vihet secilit përpara (në të djathtë për besimtarët e në të majtë për mosbesimtarët) dhe do t’i shohësh Muxhriminët (mëkatarët, kriminelët, politeistët) të frikësuar prej asaj që është e shkruar në të. Këta do të thonë: “Mjerë ne! C’lloj Libri është  ky që s’lë asgjë të vogël e të madhe pa u shkruar e pa u marrë në llogari!”

Kështu ata do të gjejnë gjithçka që ata bënë të vendosur para tyre dhe, Zoti yt nuk i bën askujt padrejtësi.”[2]

Ai që ka mendje dhe është i zgjuar punon dhe përpiqet për të liruar e shpëtuar veten e tij duke i dhënë të drejtat atyre që i kanë, mosbërja padrejtësi askujt, bamirësia ndaj njerëzve, frika nga Allahu në lidhje me ta, i bën mirë atyre duke shpresuar shpërblimin nga Allahu i Madhëruar, ndalohet nga dëmtimi i tyre duke pasur frikë dënimin e Allahut të Lartësuar, nuk do prej tyre shpërblim e as falenderim, as lavdërim e madhërim.

Ai sillet me ta në të gjitha gjëndjet duke shpresuar Fytyrën e Allahut të Lrtësuar (shpërblimin e Tij me Xhenet dhe shikimin në Fytyrën e Tij të Ndritshme).

Ndërsa ai tjetri, i cili nuk i bën mirë vetëm se atij që i bën mirë atij dhe, nuk ndalohet nga keqbërja vetëm se ndaj atij i cili nuk i bën keq; ky nuk është prej të zotëve të shkallëve dhe moraleve të larta.

Nuk është i lidhur me shpërblimet, por i lidhuri me to është ai i cili lidhet me atë që ndahet prej tij (zemërohet dhe nuk i flet), i bën mirë atij që i ka bërë keq dhe afrohet tek Allahu i Lartësuar me moralet që ai mvishet.

Kjo sepse moralet janë prej Fesë (Islamit) dhe punëve të mira, por këto nuk pranohen vetëm me kusht që të kryhen me sinqeritet për hir të Allahut të Lartësuar:

“…Kështu pra, kushdo që shpreson për Takimin me Zotin e tij, le të punojë mirë e drejtësi dhe të mos i bashkojë askënd për shok në adhurim Zotit të tij.”[3]

Thotë imam El-Bejhaki (Allahu e mëshiroftë) në fjalën e tij për kuptimin e moralit të mirë prej muslimanit:

“Ai (muslimani) në marrëdhëniet me njerëzit duhet të jetë falës i të drejtave të tij , mos t’ia kërkoj ato të tjerëve, por të kryejë detyrat që ka ndaj tyre.

Nëse ai sëmuret dhe nuk e vizitojnë, apo kthehet nga udhëtimi dhe përsëri nuk e vizitojnë, jep selam (përshëndet) dhe nuk ia kthejnë atë, shkon mik dhe nuk e respektojnë, ndërmjetëson dhe nuk ia kryejnë, bën mirë dhe nuk falenderohet, hyn tek ndonjë grup dhe nuk i bëjnë vend, flet dhe nuk heshtin për t’a dëgjuar, kërkon leje për të hyrë te ndonjë shok në shtëpinë e tij dhe nuk i jepet leje, kërkon dorën e ndonjë vajze te prindërit e saj por nuk ia japin, kërkoi që t’ia shtyjnë borxhin por nuk ia shtynë, apo kërkoi që t’ia ulin pak atë dhe nuk ia ulin e të tjera si këto, megjithatë ai nuk nxehet, nuk mer hak, nuk ndjen në veten e tij se është përzënë prej tyre apo nuk është i mirëpritur, nuk e kthen të gjithë këtë nëse i jepet rasti me të njëjtën mënyrë,  por është i bindur se nuk do të hakmeret për ndonjë gjë nga këto, do t’a takojë çdonjërin prej tyre me sjellje më të mirë se ajo e atij dhe më të afërt tek puna e mirë e devotshmëria, me sjellje të pëlqyeshme e të lavdërueshme, i plotëson detyrat që ka ndaj tij si të ruante gjërat e  veta.

Nëse sëmuret vëllai i tij musliman, ai e viziton atë, nëse i vjen për të ndërmjetësuar ia kryen atë, nëse i kërkon t’ia shtyjë borxhin, ia shtyn atë , nëse ka nevojë për ndihmën e tij, ai e ndihmon, nëse kërkon t’ia uli çmimin në shitblerje, ia ul atë.

Të gjitha këto duke mos parë në mënyrën e sjelljes së tij me këtë më parë.

Në marrëdhëniet e tij me njerëzit merr për shembull atë më të mirin, shkon drejt tij dhe nuk e kundërshton atë.”[4]

Muslimani nuk mvishet me moral vetëm në sipërfaqe, për syefaqësi apo për ndonjë interes të çastit. Por ai mvishet me moral të mirë prej fesë së tij, nuk pret shpërblim prej njerëzve, nuk sillet keq nëse nuk bashkpunojnë me të  ashtu si bashkpunon ai me ta.

Nëse muslimani mvishet me morale të mira, morale të besimit, sillet me njerëzit mirë, dhe e bën këtë për hir të Allahut të Lartësuar e për t’u afruar te Ai, atëherë i qetësohet shpirti, gjendja e tij bëhet e qëndrueshme, nuk mërzitet nëse ia mohojnë të mirat që u ka bërë,  apo bëjnë sikur i kanë harruar.

Dijetari i Islamit Ibnu Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë:
“Dhe lumturia në bashkëpunimin me  njerëzit është:

Të sillesh mirë me ta për hir të Allahut të Lartësuar, të shpresosh me ata (me sjelljen tënde ndaj tyre) kënaqësinë e Allahut dhe jo kënaqësinë e tyre mbi atë të Allahut, t’u bësh mirë atyre duke shpresuar shpërblimin e Allahut dhe jo kompensimin e tyre, mos t’u bësh padrejtësi nga frika prej Allahut dhe jo nga frika prej tyre,  siç ka ardhur në një thënie të Sahabëve (shokëve të Muhamedit a.s) :

“Shpreso Allahun me njerëzit dhe jo njerëzit me Allahun (d.m.th. shpreso kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij me sjelljen dhe bamirësinë tënde ndaj njerëzve dhe, mos shpreso kënaqësinë dhe lavdërimin e njerëzve me adhurimin tënd që i bën Allahut apo punët e tua të mira).

Dhe ki frikë Allahun te njerëzit dhe jo njerëzit te Allahu (d.m.th. ki frikë Allahun se mos u bën padrejtësi njerëzve apo nuk bën detyrën tënde ndaj tyre dhe, mos ki frikë njerëzit kur kryen urdhërat e Allahut ashtu si ka urdhëruar).”

Vazhdon Ibnu Tejmijje (Allahu e mëshiroftë) dhe thotë: “D.m.th. mos bëj ndonjë lloj adhurimi apo punë që të afron tek Allahu, për hir të tyre, as duke shpresuar lavdërimin e tyre dhe as nga nga frika se mos të shajnë, por shpreso Allahun dhe mos iu frikëso atyre në Allah (kur bën një punë që ka urdhëruar Allahu), as në atë që ka shkuar e as në të ardhmen dhe, kryej atë me të cilën je urdhëruar edhe nëse ata e urrejnë atë…”[5]

Pra morali i mirë nuk është prej degëve të besimit vetëm nëse bëhet me sinqeritet për Allahun e Lartësuar dhe, mos hedhja sytë nga njerëzit.

Ai është si të gjitha punët e tjera të mira (të cilat që të pranohen nga Allahu duhet të bëhen me sinqeritet dhe sipas rrugës së të Dërguarit të Tij).

Vëre për shembull, fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të):
“Nuk është përulur ndokush për hir të Allahut vetëm se e ka ngritur atë Allahu.”[6]

Ka bërë si kusht për ngritjen me thjeshtësinë, të kryerit e saj për hir të Allaut dhe, jo për të thënë: “Filani është i thjeshtë, modest”, dhe as për të fituar ndonjë gjë të kësaj bote.

Medito fjalën e Allahut të Lartësuar në lidhje me edukatën e të duruarit, që thotë:
“Dhe ata që këmbëngulin me durim për Fytyrë të Zotit të tyre (për të arritur kënaqësinë e Tij)”[7]

Kështu thuhet për të gjitha moralet, qofshin ato të dukshme apo të padukshme, si për shembull: largimi i pengesës nga rruga. Muslimani e largon atë nga rruga për hir të Allahut, që ajo të mos i dëmtojë  muslimanët. Ai afrohet tek Allahu me këtë punë dhe nuk kërkon ndonjë shpërblim prej njerëzve.

Transmeton Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

“Një burrë kaloi pranë një dege peme e cila ishte në mesë të rrugës dhe tha: “Për Zotin! Do t’a heq këtë prej (rrugës së) muslimanëve që të mos i pengojë (dëmtojë) ata”. Tha i Dërguari:

Prej kësaj u fut në Xhenet.”[8] 

Dhe kështu në ushtrimin e të gjitha moraleve të mira dhe largimin prej moraleve të këqia. Afrohet muslimani tek Zoti i tij me të gjitha këto, dhe llogariten prej degëve të besimit e plotësuese të fesë së tij. Madje llogariten prej vetë Akides- bindjes së tij me të cilën ai e beson Zotin e tij.

Kështu që, prej Akides- bindjes (besimit) të Ehlis-suneh uel-xhemaah- pasuesëve të sunetit dhe të xhematit (grupit) të muslimanëve dhe, prej rrugës së Selefëve- të parëve të kësaj feje, është:

Mveshja me moralet e larta, nxitja e të tjerëve në to  dhe ruajtja prej çdo vepre që i kundërshton ato.

Këtë gjë e kanë shkruajtur  në librat e tyre, siç ka përmendur përshembull, imam Es-Sabuni (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij “Akideja e selefëve dhe dijetarëve të hadithit”, në fjalën e tij për  Akiden e dijetarëve të hadithit ku ka thënë:

“Dhe  këshillojnë njëri-tjetrin për faljen natën pas një pjese të gjumit, për mbajtjen e lidhjeve farefisnore, përhapjen e selamit, të ushqyerit e  nevojtarëve, mëshirimin e të varfërve, të vobektëve  e  jetimëve, interesimin për çështjet e muslimanëve, modestinë në të ngrënë, në të pirë,në veshje, në martesë e  në shpenzime. Këshillojnë njëri-tjetrin për të urdhëruar në punë të mira dhe për të ndaluar (penguar) nga punët e këqia si dhe për garimin në çdo punë të mirë. E duan njëri-jetrin prej fesë (për hir të Allahut) dhe, e urrejnë prej saj.

I frikësohen polemikave kur kanë lidhje me Allahun (punët, cilësitë e Tij) dhe zënkave në to…”[9] 

Ka përmendur gjithashtu, dijetari i Islamit, Ibnu Tejmijje (Allahu e mëshioroftë), në fjalën e tij për bindjen (besimin) e grupit të shpëtuar dhe palës së ndihmuar nga Allahu i Lartësuar:

“Pastaj, ata me këto baza: Urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja sipas asaj që obligon Sheriati-legjislacioni Islam, shohin kryerjen e Haxhit-peligrinimit, Xhihadit-luftën për çështjen e Allahut, bashkimin e dy faljeve (në kohë vështirësie, shiu, udhëtimi etj.) dhe faljet e dy barjameve, pas  udhëheqësave  të tyre, qofshin ata vepërmirë apo vepërkeq. Ruajnë kryerjen e faljes në grup, këshillojnë popullin dhe kanë bindje të tyren (besojnë) kuptimin e fjalës së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) që thotë:

“Besimtari për besimtarin është si një ndërtesë e vetme, shtrëngojnë (mbjnë) njëri-tjetrin” Dhe lidhi (futi) gishtat e duarve me njëri-tjetrin (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të).[10] 

Gjithashtu, fjalën e tij (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të):

“Shembulli i besimtarëve në dashurinë e tyre për njëri-tjetrin, mëshirimin e tyre të njëri-tjetrit dhe butësinë e tyre ndaj njri-tjetrit; është si shembulli i një trupi të vetëm në të cilin, nëse ankohet një gjymtyrë (pjesë) e tij, ndjen dhimbje dhe vuan i gjithë trupi.”[11]

Ata urdhërojnë (këshillojnë) për durim në çdo fatkeqësi dhe, për falenderim në çdo mirësi, si dhe të jenë të kënaqur me (Allahun) në caktimin e hidhur.

Ftojnë për në moralet e larta, punët e bukura dhe kanë bindje të tyren kuptimin e fjalës së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të):
“Besimtari me besim më të plotë është ai që ka moralin më të mirë.”

Nxisin për t’u lidhur (pajtuar) me atë që të ka ndarë (është zemëruar), t’i japësh atij që ta ka ndaluar (nuk të jep) dhe ti’a falësh atij që të ka bërë padrejtësi.

Urdhërojnë për bindjen ndaj prindërve, mbajtjen e lidhjeve farefisnore, sjelljen mirë me komshitë, bamirësinë ndaj jetimëve, të varfërve dhe udhëtarëve, si dhe sjelljen butë me robërit (shërbëtorët).

Ndalojnë nga mburrja,  kryelartësia, padrejtësia dhe shtrirja e dorës mbi krijesat (dëmtimi i tyre) me apo pa të drejtë.

Urdhërojnë për moralet e larta dhe ndalojnë nga moralet e ulëta.

Dhe, çdo gjë që ata thonë apo veprojnë, prej këtyre apo të tjera si këto; ata pasojnë në këtë gjë Librin e Allahut- Kur’anin e Ndershëm dhe sunetin-rrugën e të Dërguarit të Tij.[12]

 


MBYLLJA


Pas këtij parashtrimi të përmbledhur dhe vërejtjeje të shkurtuar, na bëhet i qartë raporti i lidhjes së moralit të besimtarit me akiden-bindjen dhe besimin e tij.

Degët e besimit i përfshijnë të gjitha llojet e të mirave dhe bamirësive, si dhe të gjitha punët e mira, qofshin ato të dukshme apo të padukshme.

Dhe ato janë në grada të ndryshme; ka prej tyre që janë shtylla (të domosdoshme), ka që janë vaxhib (obligim) dhe  të tjera të pëlqyeshme (punë vullnetare), siç ka ardhur në hadithin e saktë që transmeton Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

“Imani-besimi  ka shtatëdhjetë e disa degë. Më e larta prej tyre është fjala “La ilahe ila-llah” –dëshmia se nuk Zot tjetër përveç Allahut, dhe më e ulëta (e vogla) largimi i pengesës nga rruga. Dhe turpi është një nga degët e besimit.”[13]

Ndërsa i lumturi është ai që i përfshin të gjitha këto degë në punën e tij, Allahu na bëftë prej tyre.

Na u bë e qartë gjithashtu se morali i keq është tregues i dobësimit në besim dhe mangësisë në vërtetimin e Teuhidit-njësimit të Allahut. Kjo për shkak se prej moraleve të këqia, ka që janë degë e hipokrizisë, siç është gënjeshtra, mashtrimi, mëkatet, tradhëtia, shkelja e premtimit etj; dhe ka prej tyre që janë prej punëve të kohës së injorancës, siç është sharja në prejardhje, mburrja me prindërit e gjyshërit, zbukurimi (i grave në rrugë) dhe lakuriqësia etj; dhe ka që janë prej degëve të Kufrit-mosbesimit, siç është mendjemadhësia e krueneçësia e të tjera si këto, sqarimi i të cilave kaloi me ne.

Ashtu si janë moralet e këqia tregues të besimit të dobët, poashtu janë edhe gjynahet e tjera që lidhen me mangësinë në kryerjen e obligimeve apo bërja e disa gjynaheve.

Këto gjynahe e mohojnë vërtetimin e Njësimit dhe Adhurimit vetëm të Allahut të Lartësuar, sepse në to ka kundërshtim të urdhërave të Allahut të Lartësuar dhe një lloj pakësimi në madhërimin e ligjeve të Tij.

Dhe në mbyllje: “Eshtë detyrë mbi muslimanin që të kontrollojë gjëndjen e tij dhe qartësojë vendin e tij. Të ngrihet me veten e tij drejt shkallëve të përsosmërisë. Të llogarisë veten e tij për fjalët dhe veprat që bën dhe ti peshojë ato me peshojën e Sheriatit-ligjeve që ka vënë Allahu i Lartësuar.

Të shtojë sa më shumë nga lutja që bënte i Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) me fjalët e tij:

“All-llahume inni eudhu bike min munkeratil- ahlaki, uel- eamali, uel- ehuai.”[14]

“O Zoti im! Kërkoj mbrojtje prej Teje (që të më ruash) nga moralet e këqia, punët e këqia dhe pasimi i epsheve!”


“Ihdini li-ahsenil- ahlaki, la jehdi li-ahseniha il-la ente, ue-srif ani sejjieha, la jesrifu ani sejjieha il-la ente!”[15]

“Më udhëzo mua në moralet më të mira, sepse nuk udhëzon në to tjetërkush veç Teje dhe, largo prej meje moralet e këqia, sepse askush përveç Teje nuk mund të m’i  largojë ato!”

“All-llahume kema ahsente halki,  fe-ahsin huluki!”[16]

“O Zoti im! Ashtu si ke përsosur krijimin tim, ashtu përsos edhe moralin tim!”

Lusim Allahun e Lartësuar të na drejtojë  rrugë,  dhe të na forcojë në Rrugën e Tij të drejtë, Ai është  i Mundshëm për çdo gjë.

Dhe paqa dhe mëshira e Tij qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij.


Uel hamdu lilahi rabil alemin


——————————————————————————–


[1]
Suretu: El-Isra /14.

[2]
Suretu: El-Kehf /49.

[3]
Suretu: El-Kehf /110.

[4]
 Shkurtimi i librit “Degët e besimit” të Bejhakiut, shkutimi i El-Kazuijnit, faqe: 201-
202.

[5] 
Mexhmuul-Fetaua: 1/51.

[6]
Trans. Muslimi, “Libri El-Birru ues-sileh”, Nr.69, 4/2001.

[7]
Suretu: Er-Rad /22.

[8]
 Trans. Muslimi, “Libri El-birru ues-sileh”, Nr.128, 4/2021.

[9]
 “Akideja e selefëve dhe dijetarëve të hadithit”, e imam Ismail Es-Sabuni, 1/131.

[10]
Trans. Muslimi, “Libri El-birru ues-sileh”, Nr.65, 4/1999.

[11]
 Trans. Muslimi, “Libri El-birru ues-sileh’, Nr.66. 4/1999-2000

[12]
 “El-Akidetu el-Vasitije” e përfshirë në “Mexhmuul-fetaua”, 3/158-159.

[13]
 Trans. Muslimi, “Libri i besimit”, Nr.58, 1/63.

[14]
 Trans. Tirmidhiu, “Ebuabu dua”, kapitulli i dhjetë, 5/233.
E ka saktësuar El-Albani në “Sahihu Tirmidhi”, 3/184.

[15]
 Trans. Muslimi, “Falja e udhëtarëve”, Nr.201, 1/535.

[16] 
Trans. Ahmedi, 6/68. E ka saktësuar El-Albani në “Sahihul-Xhamiu”, 1/280.