LIDHJA E MORALIT ME BINDJEN DHE BESIMIN (3)

Autor: Sulejman ibën Salih el Gasn


SHKATËRRUESIT E BESIMIT QË LIDHEN ME GJUHËN

Islami ka tërhequr vërejtjen për rrezikun e gjuhës (së të folurit), ka sqaruar dëmet e saj dhe ka nxitur për mbajtjen e saj ose për përdorjen e saj në të mirë.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka lajmëruar Muadh bin Xhebel (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se  mbikqyrja e të gjithë punës është në mbajtjen e gjuhës.

Muadhi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) tha:

“A do të japim llogari edhe për atë që flasim o i Dërguari i Allahut?!”

I  Dërguari (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) tha:

» ثَكَلَتْكَ أُمُّكَ يا مُعاذ، و هَلْ يَكُبُّ الناسض في النارِ على وُجُوهِهِمْ أَوْ على مَناخِرِهِمْ إلاَّ حَصائِدُ أَلْسِنَتِهِمْ «

“Të pastë nëna o Muadh! A do t’i fusë njerëzit në zjarr mbi fytyrat apo turinjtë e tyre gjë tjetër përveç asaj që korrin me gjuhët e tyre?”[1]

Pra, ato që korr gjuha janë shkak për hedhjen e njerëzve në zjarr, ashtu siç është mbajtja e saj nga të folurit e të kotës prej shkaqeve të hyrjes në Xhenet.  Thotë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të):

» مَنْ يَضْمَنْ لي ما بَيْنَ لِحْيَيْهِ، و ما بَيْنَ رِجْلَيهِ، أَضمَنْ لَهُ الجَنَّةَ «

“Ai që më siguron mua (se do t’a ruajë) atë që ka ndërmjet dy mjekrave (mjekrës dhe mustaqeve, gojën) dhe atë që ka ndërmjet dy këmbëve, do t’i siguroj atij Xhenetin.”[2]

Vështro pak tek ai rregull madhështor të cilin e sqaroi i Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) me fjalën e tij:

» مَنْ كانَ يُؤْمِنُ بِاللهِ و اليَوْمِ الآخِرِ فضلْيَقُلْ خَيْرًا أَوْ لِيَصْمُتَ «

“Kush beson  në Allahun  dhe Botën tjetër, le të flasë mirë (fjalë të vërteta) ose të heshtë.”[3]

Siç shihet, e ka lidhur fjalën e gjuhës me besimin në Allahun dhe Botën tjetër.

Kështuqë, është detyrë mbi muslimanin  të flasë fjalë të mira që të marë sevape (ti regjistrohen si punë të mira) ose të heshtë nga nxjerja e fjalëve të këqia që  të shpëtojë nga gjynahet.

Tek fjalët e mira hyn çdonjë prej përkujtimit, këshillës, ftesës për në të mira, tërheqja e vërejtjes nga të këqiat e të tjera.

Ai që sheh në realitetin e muslimanëve sot, gjen shumë dukuri të kundërta me këto këshilla e udhëzime të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të).

Përshembull, gënjeshtra. Shohim dhe dëgjojmë  të tilla çdo ditë e nga më të habitshmet.

Shitësi e shoqëron mallin e tij që shet me betime të rrena,  vjedhje e mashtrim, ndërsa blerësi pretendon se e ka gjetur të njëjtin mall apo se e ka blerë me çmim më të ulët.

E gjen përgjegjësin në punën e tij ta zotërojë mirë shpërndarjen e njerëzve, kthimin e tyre mbrapsht  e moskryerjen e nevojave të tyre, me premtime të rrena, kërcënime  boshe  e  pasoja të fallsifikuara.

Nëse ata e kundërshtojnë duke i sjellë si argument raste dhe çështje të tjera të ngjashme të cilat bëjnë të qartë vetëkundërshtimin apo devijimin e tij, ai nuk gjen përgjigje, por e mbyll polemikën dhe kthehet me fitore në strehën e tij.

Nevojtari, kur do të kryejë një nevojë të tijën, nuk mjaftohet me paraqitjen e saj para atij që i intereson, me gjithë sinqeritet, hapësi e qartësi, por vjen duke qënë i bindur se nevoja e tij nuk do të kryhet dhe problemi i tij nuk do të zgjidhet vetëm nëse ai e zmadhon atë dhe gënjen në parashtrimin e tij.

Ai që bën ndonjë gabim  në punën e tij apo prish diçka për faj të tij, nuk e gjen atë forcë besimi që t’a bëjë të pranojë gabimin e tij dhe t’i kërkojë falje Allahut për gjynahin dhe fajin e tij, por vjen me arsyetime të rrena të cilat ia lehtësojnë fajin dhe ia largojnë kompensimin.

I gjen prindërit që nga ana teorike, t’i nxisin fëmijët e tyre që të thonë të vërtetën dhe mos të gënjejnë, por nga ana praktike ata ushtrojnë me ta gënjeshtrën dhe i edukojnë ata mbi të.

Babai e këshillon të birin që t’i thotë trokitësit në derë: -Babai nuk është në shtëpi.

Nëna i premton fëmijës së saj diçka por e thyen premtimin.

E shumë e shumë qëndrime edukativo-praktike të tjera të cilat të bëjnë të mësohesh me gënjeshtrën.

Shohim shumë  prej shkrimtarëve,  gazetarëve  e të tjerë, të gënjejnë në lajmet dhe njoftimet e tyre.

Ndryshojnë fjalën nga vendi i saj (trillojnë) duke kërkuar tërheqjen e vëmendjes, shikimit dhe dëgjimit të njerëzve në një ngjarje të caktuar.

Një tjetër lavdëron apo shan të tjerët me fjalë të kota, pa pasur qëllim, bazë apo çështje tjetër, vetëm se përfitimet e tija personale.

Bota është pazari i tij, të hollat karburanti i tij, lapsi dhe gjuha e tij janë  me atë që i jep më shumë.

Ai është tellall dhe daulle e atij që e paguan më shumë. Asnjëherë nuk qëndron në të njëjtën fjalë, por rrotullohet në to sipas interesit.

Qëllimi i tij është i prishur dhe brendësia e tij e fëlliqur.

Shembujt për këto lloj dukurishë janë të shumta, por më e çuditshme është se nuk gjen askënd që kënaqet nëse i thuhet se ai është gënjeshtar, apo se gënjeshtra është ngarkesa dhe malli i tij.

Ai gënjen dhe e di që dëgjuesit janë në dijeni se ai gënjen, madje mund ti ngarkojë ata që ta besojnë gënjeshtrën e tij me  apo pa hir (duan apo nuk duan).

Më e keqja është se ky moral i ulët është bërë diçka normale tek shumë prej njerëzve.

Madje shumë prej tyre u pëlqen dhe nuk u bën më përshtypje as gënjeshtra e as gënjeshtari.

Nëse dëgjojnë ndokënd të mburret sepse ka mundur të arrijë diçka duke gënjyer, e quajnë këtë gjë zgjuarsi apo politikë e përvojë.

Ka arritur gjendja deri aty, saqë shumë prej njerëzve nuk e besojnë fjalën e njëri-tjetrit vetëm pasi të stabilizohet gjendja dhe të dalë  hapur e vërteta.

Të gjithë këta kanë harruar që këto qëndrime mashtruese, çfarëdo lloj emri që t’u vihet e çdo lloj komentimi që t’u bëjnë, ato bien në kundërshtim me bindjet Islame dhe e largojnë besimin.

Thotë Ebu Bekr Es-Sidiku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij):

“Gënjeshtra e largon besimin.”[4]

Gënjeshtra është gjithashtu prej degëve të hipokrizisë (dyftyrësisë) dhe cilësi e hipokritëve.

Thotë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të):

» آيَةُ  المُنافِقِ ثَلاثٌ: إذا حَدَّثَ كَذَبَ، و إِذا وَعَدَ أَخْلَفَ، و إذا ائْتُمِنَ خانَ «

“Shenjat e munafikut (hipokritit) janë tre: Kur flet

gënjen, kur premton se mban premtimin dhe kur jep besën tradhton…”[5]

 Këta harrojnë se gënjeshtra të çon në gjynahe dhe se gjynahet të çojnë në zjarr, dhe se e gjithë e mira është në shtrëngimin e të vërtetës edhe pse ajo ndonjëherë mund të jetë e vështirë mbi disa njerëz, por fundi i saj është gjithnjë i mirë dhe shpresë për në Xhenet.

Thotë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të):

» إنَّ الصِّدْقَ يَهْدِي إلى البِرِّ، و إنَّ البِرَّ يَهْدي إلى الجنَّة، و إنَّ الرَّجُلَ لَيَصْدُقُ حَتَّى يُكْتَبَ عِنْدَ اللهِ صِدِّيْقًا، و إنَّ الكَذِبَ يَهْدِي إلى الفُجُورِ و إنَّ الفُجُورَ يَهْدِي إلى النارِ، و إنَّ الرَّجُلَ لَيَكْذِبُ حَتَّى يُكْتَبَ عِنْدَ اللهِ كَذَابًا «

“Sinqeriteti të çon në punë të mira e bindje (ndaj Allahut të Madhëruar) dhe puna e mirë të çon në Xhenet. Dhe njeriu  vazhdon të jetë i sinqertë derisa të shkruhet tek Allahu prej të sinqertëve.

Ndërsa gënjeshtra të çon në gjynahe dhe gjynahet të çojnë në zjarr. Dhe njeriu vazhdon të gënjejë derisa të shkruhet tek Allahu si gënjeshtar.”[6]

Një shembull tjetër për devijimin e gjuhës nga rruga dhe ngjyra e besimit është sharja, ofendimi, mallkimi i shokut apo të folurit atij me fjalë të pista.

Gjen disa njerëz të cilët janë shumë të ndyrë në gojë, pa frerë, pa turp, që nxjerrin vetëm shprehje të këqia.

Dëgjon disa prej atyre të prishurve që kur duan t’i tregojnë shokut se shoqëria ndërmjet atyre dyve mbaroi, ia shpreh atë me mallkim e fjalë të ndyta.

Madje shumë prej tyre e kanë përcjellë këtë moral të ulët tek fëmijët e tyre, kështu që i sheh ata (fëmijët) të shajnë e mallkojnë shpesh shokët e tyre, prindërit e gjyshërit.

Çudi me këta! A nuk e kanë dëgjuar fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) në hadithin që e transmeton Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij):

» لا يَنْبَغي لِصِدِّيْقٍ أنْ يَكُونَ لَعَّانًا «

“Nuk duhet  për të  sinqertin (nuk i shkon për shtat), që të jetë mallkues.”[7]

Dhe në hadithin e transmetuar nga Ebu Darda (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

» لاَ يَكُونُ اللَّعَّانُونَ شُفَعَاءَ و لا شُهَداءَ يَوْمَ القِيامَةِ  «

“Nuk do të jenë mallkuesit ndërmjetësa dhe as dëshmorë në Ditën e Kiametit.”[8]

A nuk kanë dëgjuar për historinë e asaj gruas e cila mallkoi devenë e saj dhe e dëgjoi atë i  Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të)

e i tha:

»  خُذُوا ما عَلَيْها و دَعُوها فَإنَّها مَلْعُونَةٌ «

“Merrni barrën që është mbi të (devenë) dhe pastaj lëshojeni atë, sepse ajo është e mallkuar.”

Thotë Imran bin Husajn-transmetuesi i hadithit-(Allahu qoftë i kënaqur prej tij):

“Unë e shoh atë tani të ecë nëpër rrugë dhe nuk e merr atë askush.”[9]

Vëre se si ndaloi i Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) që t’i shoqërojë ata një deve e mallkuar! Atëherë, si është puna me atë që mallkon shokët e fëmijët e tij?!

Prej argumenteve të dobësimit tek disa njerëz është ndytësia në fjalët e tyre dhe ultësia në shprehjet  e tyre. I sheh ata të mburren me fjalët e pista në gojët e tyre dhe me  fëlliqësitë në gjuhët e tyre, me një mënyrë e cila nuk mund të përmendet, apo që turpërohen të respektueshmit nga përmendja e saj.

Dhe të gjitha këto, i konsiderojnë trimëri e burrëri. Nuk e dinë këta, të cilëve u pëlqen vetja, se kjo nuk ka qenë prej udhëzimeve të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) dhe as prej natyrës së të turpshmëve e besimtarëve të cilët i ruajnë gjuhët e tyre nga fjalët e ndyta dhe jo për shkak se nuk dinë apo nuk munden, por për të ruajtur besimin e tyre dhe nga turpi prej Zotit të tyre, duke praktikuar kështu fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) i cili ka thënë:

» لَيْسَ المُؤْمِنُ بِاللَّعَّانِ، و لا الطَّعَّانِ، و لا الفاحِشِ ، و لا البَذِيءِ «

“Nuk është besimtari mallkues, as ofendues,  as i ndytë në gjuhë dhe as i  fëlliqur.”[10]

Duke praktikuar gjithashtu mësimet e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) të cilin shokët e tij e përshkruajnë se ai:

» لَمْ يَكُنْ سَبَّابًا و لا فَحَّشًا و لا لَعَّانًا  «  و أنَّهُ » لَمْ يَكُنْ فاحِشًا و لا مُتَفَحِّشًا «

“Nuk ka qenë sharës, as i ndytë në gojë dhe as mallkues.” 

Dhe se ai (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të):

“Nuk ka qenë i ndytë dhe as nuk shante ndokënd me fjalë të ndyta.”[11]

Gjithashtu ai (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka qenë, siç transmeton Ebu Seid El-Hudri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij):

» أشَدَّ حَياءً من العَذْراءِ في خَدْرِها، فإذا رَأى شَيْئًا يَكْرَهْهُ عَرَفْناهُ في وَجْهِهِ «

“Më i turpshëm se virgjëresha nën vellon e saj. Nëse shihte diçka që nuk i pëlqente e kuptonim prej fytyrës së tij.”[12]

Ndytësia e mohon turpin, ndërsa turpi është prej besimit, siç thuhet në hadith se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të)  kaloi pranë një burri i cili po shante vëllanë e tij për turpin e shumtë që kishte dhe po i thoshte se ai turp po të dëmton. I tha atij i Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të):

» دَعْهُ فَإنَّ الحَياءَ منَ الإيمانِ «

“Lëre atë (të qetë) sepse turpi është prej besimit…”[13]

Nuk është për qëllim me turpin këtu, pamundësia dhe nënshtrimi, por turpi fetar (Islam) i cili është moral që të nxit për bërjen e punëve të mira dhe lënien e punëve të këqia.

Gjen sot, ndonjë  prej muslimanëve që i ruan shtyllat e Islamit, madje nuk e ndërpret kryerjen e disa veprave vullnetare, të pëlqueshme, por gjuha e tij pret vëllezërit e tij muslimanë duke përgojuar,  mbajtur nëpër gojë, tallur e ofenduar, sikur të mos e ketë dëgjuar fjalën e Allahut të Lartësuar që thotë:

(( يآأيُّها الذينَ آمَنوا اجْتَنِبوا كَثيرًا مِنَ الظَّنِّ إنَّ بَعْضَ الظَّنِّ إثْمٌ و لا تَجَسَّسُوا و لا يَغْتَبْ بَعْضُكُمْ بَعْضًا أَ يُحِبُّ أَحَدُكُمْ أنْ يَأْكُلَ لَحْمَ أَخِيهِ مَيْتًا فَكَرِهْتُموهُ و اتَّقُوا اللهَ إنَّ اللهَ تَوَّابٌ رَحيمٌ))( سورة الحجرات: 12 )

“O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime. Vërtet mjaft nga dyshimet përbëjnë gjynahe. Dhe mos përgjoni e as mos përgojoni njëri-tjetrin. A do të donte ndonjëri prej jush të hante mishin e vëllait të vet të vdekur? Vërtet që do ta urrenit (po kështu pra të urreni edhe marrjen nëpër gojë të tjerët). Dhe kini frikë Allahun. Vërtet që Ai fal dhe e pranon pendimin, është Mëshirëplotë.”[14]

Dhe sikur mos ta kishte dëgjuar fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) që thotë:

» لا يَدْخُلُ الجَنَّةَ نَمَّامٌ «

“Nuk do të hyjë në Xhenet ai që është thashethemexhi (transportues fjalësh).”[15]

Gjithashtu fjalën e tij (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të):

» المسلمُ مَنْ سَلِمَ المُسْلِمُونَ مِنْ لِسانِهِ و يَدِهِ  «

“Musliman është ai, prej gjuhës dhe dorës së të cilit janë të qetë muslimanët.”[16]

Ndonjëherë mund të flasë ndonjë fjalë ky i shkretë e cila e fut atë në zjarr, siç ka ardhur në hadithin që transmeton Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

» إنَّ العَبْدَ لَيَتَكَّلَمُ بِالكَلِمَةِ ما يَتَبَيَّنُ ما فيها يَهْوِي بِها في النارِ أَبْعَدَ ما بَينَ المشْرِقِ و المَغْرِبِ «

“Njeriu flet një fjalë pa e ditur se çka në të, dhe  ajo e fut atë në Zjarr me një thellësi më të madhe se largësia ndërmjet lindjes dhe perëndimit.”[17]

         Shembujt për sëmundjet e gjuhës janë të shumta, por ne kemi për qëllim të kujtojmë rrezikun e tyre në besimin e muslimanit dhe akiden (bindjen) e tij, si dhe ndikimin e tyre të keq në fenë e tij.

Kjo sepse, siç na u bë e qartë prej haditheve të mësipërme, punët e tilla si: gënjeshtra, mallkimi e thashethemet, mund të jenë shkak për futjen e ushtruesit të tyre në Zjarr dhe cilësimin e tij me cilësitë e munafikinëve (hipokritëve).

Dhe ai, gjëndja e të cilit është kjo, s’ka dyshim se akideja e tij ka mangësi, dhe besimi i tij dobësi e rënie.

Së treti:

SHKATËRRUESIT E BESIMET QË LIDHEN ME MANGËSINË NË TË DREJTAT E TË TJERËVE

Vijon …


[1]Transmeton Tirmidhiu në: “Dyert e besimit”, kap.  “Hurmetus-salat”, 4/125.  Dhe e ka saktësuar shejh Albani siç thuhet në “Sahihut-Tirmidhi”, 2/329.

[2]Trans. Buhariu në Sahihun e tij, “Kitabur-rikak”, kap. “Ruajtja e gjuhës”, 7/184

[3]Trans. Buhariu në Sahihun e tij, “Libri i edukatës”, kap. “Kush beson në Allahun dhe Botën tjetër, mos t’a dëmtojë komshiun e tij.”, 7/78-79.

[4]E ka nxjerrë El-Bejhaki në “Esh-shuab” me zinxhir transmetuesish të saktë dhe e nxorri “merfuan”(të ngritur te Muhamedi a.s., d.m.th. që e ka thënë ai), por më e saktë është që ai është “meukuf” (që ngel te shoku i Muhamedit a.s., në rastin tonë Ebu Bkri r.a. d.m.th. që është prej fjalëve të tij)  siç e ka përmendur hafiz Ibn Haxheri në “Fet’hul-bari-komentimin e sahihut të Buhariut”, 10/508.

[5]Trans. Buhariu në Sahihun e tij, “Libri i edukatës”, kap. O ju që keni besuar! Kijeni frikë Allahun dhe jini me të sinqertët.”,  7/95.

[6]Trans. Buhariu në Sahihun e tij, “Libri i edukatës”, kap. “O ju që keni besuar! Kijeni frikë Allahun dhe jini me të sinqertët.” 7/95.  Dhe Muslimi me të njëjtin tekst në “Kitabul-birri ues-sileh”, Nr.103, 4/2012-2013.

[7]Trans. Muslimi në librin “El-birru ues-sileh”, Nr.84, 4/2005

[8]Trans. Muslimi në librin “El-birru ues-sileh”, Nr. 4/2006.

[9]Trans. Muslimi në librin “El-birru ues-sileh”, Nr.80, 4/2004.

[10] E ka nxjerrë Ahmedi, 1/416. Dhe Tirmidhiu në “Ebuabul-birri ues-sileh”, kap. “Ç’farë është thënë për mallkimin”, 3/236.  E ka saktësuar Albani (Allahu e mëshiroftë) në    “Sahihut-Tirmidhi”, 2/189.

[11] I trans. Buhariu të dy ato në “Libri i edukatës”, kap. Me të njëjtën shprehje me hadithin në fjalë, 7/81.

[12] Trans. Buhariu, “Libri i edukatës”, kap. “Ai që nuk i drejtohet njerëzve me  korigjime.

[13] Trans. Buhariu, “Libri edukatës”, kap. “Turpi”, 7/100.

[14] Suretu: El-Huxhurat/12.

[15] Trans. Muslimi, “Libri i Besimit”, 168,  1/101.

[16]Trans. Buhariu, “Libri i besimit”, kap. “Kush është islami më i mirë”, 1/9.

[17]Trans. Mualimi, “Libri i zuhdit dhe rakaik”, Nr.50, 4/2290.