Historia e shfaqjes së  havarixhëve

Nga Libri: Metoda e Selefeve ne Trajtimin e Fitneve

Autor: Dr. Bledar Karaj


Transmetohet nga Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “Ndërsa ne ishim tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndërkohë ai po ndante plaçkën e luftës, aty erdhi Dhul Huuejsira, i cili ishte një burrë nga fisi beni temim dhe tha:

 – Nda drejt, o i Dërguari i Allahut!

-Mjerë ti! Kush mund të gjykojë drejt, nëse nuk gjykoj drejt unë? Unë do të isha i dështuar dhe i humbur nëse nuk do të gjykoja drejt. – u përgjigj i Dërguari.

-A më lejon që t’ia heq kokën, o i Dërguari i Allahut? – ndërhyri Umeri.

-Lëre! Ai ka disa shokë, para namazit të së cilëve ju e përbuzni namazin tuaj dhe para agjërimit të tyre ju e përbuzni agjërimin tuaj. Ata e lexojnë Kuranin, por ai nuk i kalon gurmazet e tyre (nuk ngrihet tek Allahu, ose nuk punojnë me të). Ata dalin nga feja, ashtu siç del shigjeta nga harku. Ai vështron majën e shigjetës së tij, por në të nuk ka gjë (nuk ka gjak), pastaj vështron në fundin e shigjetës, por në të nuk gjen gjë. Pastaj vështron tek shigjeta e prishur nga përdorimi i shumtë, por në të nuk gjen gjë, pastaj vështron tek penda e shigjetës së tij, por në të nuk ka gjë. Shigjeta e tij ka hyrë dhe ka dalë para se të vrarit t’i dalë jashtqitja dhe gjaku. (Ashtu si nuk përlyhet shigjeta e tyre me gjak, ashtu dalin edhe ata nga Islami, pa u ndikuar prej tij). Shenja e njohjes së tyre është një burrë i zi, njëri nga muskujt e krahëve të së cilit është si thitha e sisës së gruas, apo si një copë mishi që shfaqet e humbet. Ata dalin në atë kohë kur njerëzit përçahen me njëri-tjetrin. – tha i Dërguari i Allahut.

Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: “Unë dëshmoj se këtë hadith e kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe dëshmoj se Ali ibën ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i luftoi, ndërkohë që unë isha me të.

 Ai urdhëroi që t’i sillnin atë person dhe pasi u gjend, unë vështrova tek ai dhe ai ishte tamam ashtu siç e kishte përshkruar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”

Transmetohet, gjithashtu, nga Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dërgoi tek i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ca ar dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ndau atë ndërmjet katër personave: El Akra ibën Habis, El Handhali el Muxhashi, Ujejne ibën Bedër el Fezari, Zejd et Tai, i cili u bë më pas një nga fisi beni nebuhan dhe Alkame ibën Ulathe el Amiri, i cili më pas u bë një nga ata të fisit beni kilab.”

Por kurejshët dhe ensarët u mërzitën dhe thanë: “Ai i jep fisnikëve prej banorëve të Nexhdit dhe na lë neve!”

Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Unë desha t’i afroj ata.”

Pastaj erdhi një njeri me sy të futur thellë, me fytyrë të nxjerrë përpara, me ballë të dalë, me mjekërr të dendur dhe me kokë të rruajtur. Ai tha: ‘Ki frikë Allahun, o Muhamed!”

Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Kush i bindet Allahut, nëse e kundërshtoj unë? Ai më ka besuar për njerëzit e tokës, ndërsa ju nuk më besoni?!”

Një burrë i kërkoi që t’i japë leje për ta vrarë, më duket se ishte Halid ibën el Uelid, por ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ndaloi atë.

Kur ai persdon u largua, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Në origjinën, apo në pasardhësit e këtij janë disa njerëz të cilët e lexojnë Kuranin, por ai nuk i kalon gurmazet e tyre (nuk ngrihet tek Allahu, apo nuk veprojnë sipas tij). Ata dalin nga feja si dalja e shigjetës nga harku. Vrasin muslimanët dhe lënë idhujtarët. Sikur unë t’i arrij ata, do t’i vrasë si vrasja e popullit të Adit.”

Të dy këto hadithe janë muttefekun alejhima.

Kjo ishte shfaqja e parë e tyre, apo shfaqja e kokës së tyre. Më pas ata u shfaqën për të formuar një grup të konsiderueshëm pas vrasjes së Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) në Irak. Ibën Kethiri kur përmend historinë e daljes së tyre në librin “El bidaje uen nihaje”, thotë:

“Këta lloj njerëzish janë nga speciet më të çuditshme të bijëve të Ademit. I Lartësuar është Ai që i ka bërë të shumëllojshme krijesat e Tij, ashtu si Ai do dhe si është shkruar në Caktimin e Tij të hershëm. Nuk ka fjalë më të mirë se ajo që kanë thënë selefët për hauarixhët se ata janë për qëllim në Fjalën e Allahut: “Thuaj: A t’ju njoftojmë juve me humbësit më të mëdhenj të veprave të tyre? Ata të cilëve u ka shkuar mundi kot në jetën e dynjasë, duke menduar se po përfitonin mirësi nga veprat e tyre!

Ata janë ata të cilët i mohojnë ajetet e Zotit të tyre dhe takimin me Të, kështu që veprat e tyre janë të kota dhe nuk do t’iu sjellin dobi dhe në Ditën e Kijametit, Ne nuk do t’u japim peshë atyre.” [El Kehf: 103-105].

Këta injorantë janë të humbur, të prishur në fjalë e vepra. Mendimi i tyre u bashkua për të dalë kundra grupit të muslimanëve. Ata bashkëpunuan në fshehtësi që të dilnin nëpër qytetet e muslimanëve dhe t’i sundonin ato, të ruheshin pas mureve të tyre dhe të thërrisnin vëllezërit dhe shokët e tyre që të bashkohen me ta. Ata të cilët janë në të njëjtin mendim dhe në të njëjtën rrugë me ta, prej banorëve të Basras e të qyteteve të tjera, kishin bërë plane që bashkimi i tyre të bëhej në të (në Basra).

Zejd ibën Husajn et Tai u tha atyre: “Ju nuk mund t’i merrni qytetet (Basran), sepse në to është një ushtri e madhe të cilës nuk i bëni dot ballë, por lini takim me vëllezërit tuaj në urën e lumit Xhuha dhe mos dilni nga Kufa në grupe, por dilni një nga një, me qëllim që të mos bini në sy!”

Atëherë ata shkruan një letër të përgjithshme, për të gjithë ata që ishin në rrugën dhe drejtimin e tyre prej banorëve të Basras dhe vendeve të tjera, që të takoheshin me ta te lumi dhe të bëheshin një dorë e vetme kundra njerëzve. Pastaj dolën një nga një pa marrë vesh askush prej tyre. Ata dolën nga mesi i baballarëve, nënave, dajeve e tezeve dhe u ndanë prej të gjithë të afërmëve të tyre, duke besuar me atë injorancën e tyre dhe mangësinë e dijes dhe mendjes së tyre, se kjo gjë e kënaq Zotin e tokës e të qiejve. Por ata nuk e dinin se ai ishte prej gjynaheve më të mëdha, gjynaheve shkatërruese, prej gabimeve më të mëdha dhe prej zbukurimit të Iblisit, shejtanit të mallkuar, i cili është përzënë nga qiejt dhe që i ka shpallur armiqësinë babait tonë Ademit dhe më pas pasardhësve të tij për sa ta kenë shpirtin në trupa.

Ne lusim Allahun që të na ruajë prej tij me Fuqinë e Tij, Ai është Plotësuesi i lutjeve.”

Më poshtë po paraqesim një fragment tjetër të daljes së tyre dhe se si i shtypi ata ushtria e muslimanëve.

Transmetohet nga Zejd ibën Uehbi se ai ishte në ushtrinë e atyre që ishin me prijësin e besimtarëve, Aliun (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), të cilët shkuan tek hauarixhët. Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tha: “O Njerëz! Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Nga populli im do të dalin disa njerëz të cilët do ta lexojnë Kuranin dhe leximi juaj para leximit të tyre nuk është asgjë, as namazi juaj nuk do të jetë gjë para namazit të tyre dhe as agjërimi juaj nuk do të jetë gjë para agjërimit të tyre!

Ata e lexojnë Kuranin dhe mendojnë  se ai është për ta (për t’u shpërblyer me të), por ai është kundra tyre. Namazi i tyre nuk i kalon klavikulat e tyre. Ata dalin nga Islami ashtu siç del shigjeta nga harku. Sikur ushtria që do t’i luftonte ata ta dinte se ç’është premtuar për ta nga gjuha e të Dërguarit të tyre, ata do t’i kishin lënë të gjitha punët e tjera.

Shenja e kësaj është se në mesin e tyre është një burrë me muskuj dhe pa parakrahë. Në muskulin e tij ka një si thitha e gjoksit mbi të cilën ka disa qime të bardha.

A do të shkoni tek Muauija dhe banorët e Shamit, ndërsa këta t’i lini pas tek familjet dhe pasuritë tuaja?!  Për Allahun, unë mendoj se këta janë ata që duhet të luftojmë, sepse ata kanë derdhur gjakun e ndaluar dhe kanë sulmuar pasurinë e njerëzve, të cilën e kanë fituar me mund e djersë! Shkoni me Emrin e Allahut!”

Seleme ibën Kuhejl tregon: “Zejd ibën Uehbiu më tregoi shumë gjëra, derisa tha: “Kaluam pranë një kupole dhe aty u ndeshëm me hauarixhët. Ata kishin prijës të tyre Abd ibën Uehbi er Rasibi, i cili u tha atyre: “Hidhini shtizat dhe futini shpatat në këllëfet e tyre! Unë kam frikë se do të bëjnë be, ashtu siç bënë në ditën e Harurasë.”

Ata i hodhën shtizat e tyre, i futën shpatat dhe njerëzit i ngacmuan me shtizat e tyre.

Disa prej tyre u vranë njëri mbi tjetrin, ndërsa nga ushtria e Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) nuk u vranë atë ditë veçse dy prej tyre. Prijësi i besimtarëve, Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tha: “Kërkoni në mesin e tyre atë të mangëtin (pa duar).” Ata kërkuan por nuk e gjetëm. Atëherë Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) u ngrit vetë që ta kërkonte, derisa mbërriti tek disa njerëz që ishin vrarë njëri mbi tjetrin dhe tha: “Hiqini ata nga njëri-tjetri! E gjeti atë të fundit në tokë (poshtë të gjithëve) dhe madhëroi Allahun, pastaj tha: “Allahu ka thënë të Vërtetën dhe i Dërguari i Tij e komunikoi atë.”

Ubejde es Selmani shkoi tek ai dhe i tha: “O prijësi i besimtarëve, betohu për Zotin që është Një dhe i Pashok, a e ke dëgjuar këtë hadith nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)?”

Ai tha: “Po, për Zotin që është Një dhe i Pashok!”

Këtë betim ia kërkoi tre herë dhe ai i betohej atij.” Transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

Vrasja e prijësit të besimtarëve, Ali ibën Ebi Talib

(Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)[1]

Ibën Xherir et Taberi dhe dijetarë të tjerë të historisë kanë përmendur se tre prej hauarixhëve: Abdurrahman ibën Amër, i njohur si Ibën Mulxhim el Humejri Senani, aleat i fisit beni hanife nga Egjipti, esmer, me fytyrë të bukur dhe në ballin e tij dalloheshin gjurmët e sexhdes.

I dyti ishte El Berk ibën Abdullah et Temimi, ndërsa i treti ishte Amër ibën Bekër et Temimi.

Këta të tre u bashkuan dhe po kujtonin vrasjen e vëllezërve të tyre në Nehrauan nga Aliu dhe i kërkonin Allahut falje e mëshirë për ta.

Pastaj thanë: “Ç’na duhet më qëndrimi në këtë jetë pas vdekjes së tyre, ndërsa ata ishin që nuk kishin frikë në fenë e Allahut asgjë. Si thoni sikur t’i shesim vetet tona për Allahun dhe të vrasim kokat e rrugës së humbur, kështu lirojmë vendet prej tyre dhe marrim hak për vëllezërit tanë.”

Ibën Mulxhim tha: “Unë iu siguroj vrasjen e Ali ibën ebi Talibit.”

El Berak tha: “Unë ju siguroj Muauijen.”

Amër ibën Bekër tha: “Ndërsa unë iu siguroj Amër ibën el Asin.” Pastaj i dhanë besën njëri-tjetrit që nuk do t’i ndaheshin atij që kishin marrë përsipër vrasjen e tij, derisa ta vrisnin, ose të vriteshin duke luftuar me të.

Atëherë morën shpatat e tyre dhe i helmuan, pastaj ranë dakord që secili prej tyre duhet të gjendej në vendin e objektivit të tij në natën e shtatëmbëdhjetë të Ramazanit.

Ebu Mulxhim u nis për në Kufa dhe e fshehu qëllimin e tij edhe nga shokët e tij prej hauarixhëve që gjendeshin atje. Ndërsa ai ishte ulur me disa njerëz nga fisi beni rabab dhe po kujtonin të vrarët e tyre në Nahrauan, aty vjen një grua prej fisit të tyre, të cilën e quanin Kutam bintu Shexhne e cila ishte shumë e bukur dhe e njohur për bukurinë e saj. Asaj i kishte vrarë Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) në ditën e Nahrauanit babanë dhe vëllanë. Ajo ishte veçuar nga njerëzit dhe qëndronte në xhaminë kryesore për të adhuruar Allahun në të. Kur Ibën Mulxhimi e pa atë, atij iu prish mendja dhe e harroi misionin për të cilin gjendej aty. Ai shkoi t’i kërkojë dorën asaj, por ajo i vuri atij kusht që t’i jepte asaj tre mijë dirhem, një shërbëtor, një shërbëtore dhe që të vriste për të Ali ibën ebi Talib.

Ai tha: “Ai është i yti (do ta vras) dhe për Allahun, nuk më ka sjellë në këtë vend, veçse vrasja e Aliut. Pastaj u martua me të dhe ajo filloi ta nxiste për misionin e tij. Për këtë gjë ajo i dha atij në shërbim një burrë prej fisit të saj, të cilin e quanin Uirdan. Ibën Mulxhimi mori edhe një burrë tjetër, të cilin e quanin Shebib ibën Nexhde el Eshxhei, i cili tha:

A dëshiron që të arrish nderin në këtë botë dhe në botën tjetër?

E si mund ta arrijë këtë?

Duke vrarë Aliun.

Të humbtë nëna, e si mund ta bëjmë një gjë të tillë?

Të fshihemi në xhaminë e tij dhe kur ai të dalë për t’u falur në namazin e sabahut, atëherë i hidhemi dhe e vrasim. Nëse shpëtojmë pas kësaj, atëherë kemi qetësuar shpirtin tonë dhe kemi marrë hakun tonë dhe nëse vritemi, atëherë ajo që është tek Allahu është më e mirë se kjo dynja!

-Ç’thua? Si mund ta bëjmë një gjë të tillë kur dihet që Aliu ka hyrë herët në Islam dhe ai është i afërm i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kështu që unë nuk shoh se më qetësohet shpirti me vrasjen e tij.”

A nuk e di se ai ka vrarë shokët tanë në Nahrauan?

Po, e di.

Atëherë ta vrasim për shkak se ai ka vrarë ata.

Atëherë ai ra dakord.

Hyri muaji i Ramazanit dhe Ibën Mulxhim la takim me ta të xhumanë, në natën e shtatëmbëdhjetë të Ramazanit dhe tha: “Kjo është nata në të cilën u kam dhënë besën shokëve të mi, të cilët do të marrin hak ndaj Muauijes dhe Amër ibën el Asit.

Këta të tre: Ibën Mulxhimi, Uirdani dhe Shebibi, hynë në xhami me shpatat të fshehura dhe u ulën përballë derës nga e cila dilte Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Kur ai doli, filloi të zgjonte njerëzit për namaz, duke thënë: “Namazi, namazi!”

Atëherë Shebibi i vërsulet dhe e godet me shpatë, por ajo nuk e kapi dhe goditi atë në harkun e tij. Pastaj e godet Ibën Mulxhimi me shpatë në ballë dhe gjaku i rrodhi në mjekrrën e tij (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Kur e goditi Aliun (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), ai tha: “Gjykimi nuk i takon askujt tjetër, përveç Allahut dhe nuk të takon ty, o Ali dhe as shokëve të tu!” Pastaj filloi të lexojë Fjalën e Allahut: “Dhe ka prej njerëzve që e shesin veten e tyre për të kërkuar Kënaqësinë e Allahut dhe Allahu është i Mëshirshëm me robërit e Tij.”

Aliu tha: “Kapeni atë!”

Ndërsa Uirdani ia mbathi, por atë e zuri një burrë nga Hadrameuti dhe e vrau. Ndërsa Shebibi iku dhe u shpëtoi njerëzve. Ndërsa Ibën Mulxhimi u kap. Atëherë Aliu vuri Xheade ibën Hubejra ibën ebi uehbi, si imam të njerëzve për namazin e sabahut, ndërsa atë e çuan në shtëpi.

Më pas i shpunë atij Ibën Mulxhimin, i cili qëndroi i lidhur para tij, Allahu e fëlliqtë! Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i tha atij:

O armik i Allahut, a nuk të kam bërë mirë ty?

Po, – u përgjigj ai.

Atëherë ç’të shtyu që ta bësh këtë?

Unë e futa shpatën për dyzetë ditë në helm dhe i kërkova Allahut që të vriste me të krijesën më të keqe të Tij.

Nuk shoh ndryshe, vetëm se të vritesh me atë shpatë dhe nuk të shoh ty, veçse krijesën më të keqe të Allahut. Nëse unë vdes, vriteni atë dhe nëse rroj, e di unë se ç’do të bëj me të. – tha Aliu.

Xhundub ibën Abdullah tha:

O prijës i besimtarëve, nëse ti vdes, a t’ia japim besën Hasenit?

Unë as nuk ju urdhëroj, as nuk ju ndaloj. Ju e dini më mirë çështjen tuaj, – u përgjigj Aliu.

Kur po i dilte shpirti, ai (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) filloi të thoshte: “La ilahe il-lAllah” dhe asgjë tjetër. Gjithashtu, thuhet se fjala e fundit që ai tha ishte: “Kush vepron një të mirë sa grimca, ai do ta shohë atë dhe kush vepron një të keqe sa grimca, ai do ta shohë atë.”

Ai la amanetet e tij kur në kokën e tij ishte Hasani dhe Husejni (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!), të cilët i porositi që të kenë frikë Allahun, të falin namazin, të japin zekatin, të mbajnë hidhërimin, të mbajnë lidhjet e gjakut, të sigurohen në çështjet e fesë dhe t’i kthejnë ato tek Kurani dhe Suneti si dhe këshilla të tjera.[2]

Kjo histori tregon qartë injorancën dhe mendjelehtësinë e tyre, ashtu siç thoshte Ibën Kethiri më sipër. Prandaj të të mos gënjejë aparenca dhe devotshmëria sipërfaqësore e tyre! Por shtrëngohu për xhematin e muslimanëve sipas rrugës së të parëve të këtij populli!


[1] Shkëputur nga libri “El bidaje uen nihaje” i Ibën Kethirit.

[2] Shkëputur nga libri “El-bidaje uen-nihaje”: vëll.VII, f.325-330.