Kapitulli i dytë 

Koha e shfaqjes së trazirave (fitnes). Lindja e tyre,

përforcimi dhe fundi i tyre[1]

 

 

Janë përcjellë disa hadithe të cilat tregojnë fitnen e parë në këtë popull dhe nëse do të ishte shtypur që në fillim të shfaqjes së saj, nuk do të kishin ndodhur më trazira. Por ky është ligji i Allahut në krijim, nëpërmjet të cilit qartësohen shumë çështje të sheriatit, sidomos ato që kanë lidhje me shpitin njerëzor dhe me ligjet shoqërore.

Transmetohet nga Ebu Bekrate se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kaloi pranë një burri i cili ishte duke bërë sexhde, ndërsa i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) po shkonte për në namaz. Pasi e kreu namazin, ai u kthye nga ai dhe e gjeti përsëri në sexhde. Atëherë i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Kush e vret këtë?”

Atëherë ngrihet një person, zgjat duart dhe nxjerr shpatën e tij, por pastaj dridhet dhe thotë: “O Lajmëtar i Allahut, më i shtrenjti tek unë, si mund të vras një njeri i cili është në sexhde dhe dëshmon se nuk meriton të adhurohet askush tjetër, përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij?!”

Pastaj ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Kush e vret këtë?”

Atëherë ngrihet një person tjetër dhe tha: “Unë”. Pastaj  zgjati duart dhe nxjerri shpatën e tij, i dridhet dora dhe thotë:

“O Lajmëtar i Allahut, si mund të vras një njeri i cili është në sexhde dhe dëshmon se nuk meriton të adhurohet askush tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij?!”

Atëherë i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Për Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, sikur ta kishit vrarë atë, do të kishte qenë trazira (fitneja) e parë dhe e fundit!”[2]

Në një transmetim tjetër të Ahmedit thuhet se këta burra kanë qënë Ebu Bekri, Umeri dhe në një shtesë tjetër edhe Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!), i cili shkon për ta vrarë atë burrin që falej, pasi dy të parët nuk mundën ta vrisnin, por ai nuk e gjen dhe kthehet, ndërsa i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Ky dhe shokët e tij e lexojnë Kuranin, por ai nuk i kalon gurmazet e tyre. Ata dalin nga feja, ashtu siç del shigjeta nga harku dhe pastaj nuk kthehen më në të, derisa të kthehet shigjeta në harkun e saj (prej të cilit doli). Vritini ata, sepse ata janë krijesat më të këqija!”

Ky hadith është i saktë me të gjitha rrugët e tij tëtransmetimit dhe nuk ka dyshim në të, por ai ka nevojë për meditim dhe kuptimin e tij. Hadithi tregon qartë se nëse do të vritej ai person, i cili është ai që kundërshtoi të Dërguarin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në çështjen e ndarjes së plaçkës së luftës kur tha: “Ti i ndave, por nuk i ke ndarë drejtë“, atëherë nuk do të kishte më kurrë trazira pas tij.

Ky hadith tregon lindjen dhe fillimin e trazirave në këtë popull, por kur është koha e shtrëngimit dhe shtimit të tyre? Këtë do ta shohim më poshtë:

I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka pasur për qëllim që ta paralajmërojë popullin e tij se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, prej trazirave dhe shkaqeve të tyre, në mënyrë që ata të kujdesen dhe të ruhen prej tyre.

Duhet të kemi parasysh se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ka për qëllim sharjen e vendit apo të kohës, sepse trazirat e kohës së fundit (para Kiametit) do të shtohen dhe do të vërshojnë si dallgët e detit, gjë e cila fillon me vrasjen e Umer ibën el Hatabit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

Buhariu ka nxjerrë në Sahihun e tij, në kapitullin e kohëve të faljes, në kapitullin e zekatit, në kapitullin e agjërimit, në kapitullin e trazirave etj.

Gjithashtu edhe Muslimi në kapitullin e trazirave me senedet e tyre nga Ebu Uail, vëllai i Ebu Selemes, i cili ka thënë: “Kam dëgjuar Hudhejfen të thotë: “Ndësa ne ishim të ulur tek Umeri, ai tha: “Kush prej jush e ka ruajtur fjalën e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për trazirat (fitnen)?

-Sprovën e burrit në familjen e tij (gruan), pasurinë e tij, fëmijën dhe në komshiun e tij e fshin falja (namazi) dhe lëmosha e tij si dhe urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja.

-Nuk po të pyes për këtë, por për trazirat që vërshojnë si dallgët e detit.

-Nuk ke pse të shqetësohesh për to, o prijësi i besimtarëve, sepse ndërmjet teje dhe tyre është një derë e mbyllur.

-A do të thyhet ajo derë apo do të hapet?

-Do të thyhet.

-Atëherë nuk do t’u mbyllka më kurrë.

-Po, ashtu është.

Ne i thamë Hudhejfes: -A e dinte Umeri se kush ishte ajo derë?

-Po, ashtu siç e di unë që me ditën e nesërme na ndan nata, sepse unë i tregova atij një hadith të vërtetë që nuk përmban gabime. – tha Hudhejfja

Ne donim ta pyesnim se kush ishte dera, kështu që i thamë Mesrukut që ta pyeste dhe ai e pyeti:

-Kush është ajo derë?

-Umeri, – u përgjigj Hudhejfja

Muslimi e ka nxjerrë gjithashtu këtë hadith në kapitullin e imanit nga Hudhejfe, duke thënë: “Ishim tek Umeri dhe ai na tha:

– Kush prej jush e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të flasë për trazirat?

– Ne e kemi dëgjuar, – u përgjigj dikush.

-Ndoshta keni për qëllim sprovën e burrit në familjen dhe komshiun e tij? – vazhdoi Umeri.

-Po.

-Atë e fshin namazi, agjërimi e lëmosha, por kush prej jush e ka dëgjuar të Dërguarin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) flasë për trazirat që vërshojnë si dallgët e detit?

Njerëzit heshtën. Unë, – tha Hudhejfja

-Ti! I Zotit qoftë babai yt (që bëri një si ti)!

-Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Trazirat lidhen me zemrat dhe lënë gjurmë në to, ashtu siç lë gjurmë rrogozi vija-vija kur fle me fytyrë mbi të. Çdo zemër që i fut brenda plotësisht dhe i pi ato (trazirat), shënohet në të një njollë e zezë dhe çdo zemër që i kthen mbrapsht ato, shënohet në të një pikë e bardhë. Pastaj ato (trazirat) do t’i ballafaqohen dy zemrave; një zemre të bardhë si guri i lëmuar, në të cilin nuk është ngjitur asgjë (për shkak të besimit të fortë dhe pastërtisë së tij nga të metat) dhe këtë zemër nuk e cënon asnjë trazirë sa të jenë qiejt dhe toka; si dhe (do t’i ballfaqohen) një zemre tjetër të zezë e të nxirë si një koçan misri i përmbysur, që nuk njeh të mirën dhe nuk ndalon nga e keqja, përveç asaj me të cilën ka mbushur zemrën prej dëshirave të tij.” – tregoi Hudhejfja 

-Ndërmjet teje dhe tyre është një derë e mbyllur, e cila është afër thyerjes (ato nuk do të shfaqen sa të jesh ti gjallë).

-A do të thyhet? A je i vetedijshëm për atë që thua? Sikur ajo të hapej, ndoshta edhe mund të mbyllej përsëri, – pyeti Umeri

-Jo, ajo do të thyhet.

Hudhejfe thotë se i tregoi atij një hadith të vërtetë dhe jo ndonjë përcjellje gabim të njerëzve, se kjo derë është një burrë i cili do të vritet ose do të vdesë.

 

Prej këtyre transmetimeve përfitojmë shumë dobi, nga më të rëndësishmet e të cilave janë:

 

Llojet e trazirave[3]

Trazirat janë dy llojesh:

  1. 1.      Sprova e burrit në familjen, pasurinë, fëmijët dhe komshiun e tij.

 

Kjo fitne nuk i ndahet njeriut në asnjë vend dhe në asnjë kohë. Ajo lidhet me dashurinë e tepërt, maninë, koprracinë dhe ç’burrërinë, si dhe të preokupon nga kryerja e shumë veprave të tjera të mira.

Jeta e kësaj bote është e gjitha fitne dhe sprovë. Si e mira ashtu edhe e keqja e saj janë sprovë. Edhe dëshirat janë sprovë gjithashtu. Kjo është një sprovë që ka ekzistuar në të gjitha kohërat dhe i përfshin të gjithë bijtë e Ademit.

 

2. Trazirat që vërshojnë si dallgët e detit.

 

Këto trazira janë përngjasuar me dallgët e detit, për shkak të madhësisë së tepërt dhe përhapjes së tyre. Ky lloj i trazirave forcohet dhe shtohet me kalimin e kohës, duke u ndezur në disa vende, sipas Ligjit të Allahut në zbritjen e dënimeve, duke qenë herë në formë furtunash e herë në formë katastrofash, tërmetesh apo vullkanesh, të cilat bien mbi të këqinjtë dhe pastaj shtrihen deri tek shumica, te të mirët. Ato janë dënim dhe vuajtje për një grup njerëzish dhe mëshirë, mirësi e lartësim për disa të tjerë.

Përngjasimi i trazirave me dallgët e detit, të jep të kuptosh se janë të forta dhe të fuqishme, pastaj janë të njëpasnjëshme dhe se askush nuk mund të qëndrojë përballë tyre, sepse askush nuk mund të qëndrojë përballë dallgëve të detit. Lëvizja e njerëzve në kohën e këtyre trazirave do të çrregullohet, qetësia e tyre do të prishet, gjokset e tyre do të ngushtohen dhe fryma e tyre do t’iu mbahet, ashtu siç ndodh me atë që ndeshet me dallgët. Ne e dimë që dallgët e detit shtohen dhe rriten me shtimin e forcës së erës dhe përhapjen e reve, kështu që mund ta përfytyrojmë kohën e trazirave me një kohë të zymtë e të errët. Ai që vështron dallgën e detit të ngritur lart duke i shfaqur atij kaltërsinë e detit dhe sipër tij gjendet errësira e reve dhe madhësia e tyre, ndërkohë që era dhe furtuna është e fortë, ai ballafaqohet me këto trazira. Atë e rrethojnë errësirat dhe furtunat. Ai është i merakosur dhe i stresuar, nga jashtë dhe nga brenda vetes së tij. Dallgët kanë gjithashtu një zhurmë, por çfarë zhurme?! Edhe këto trazira kanë një zhurmë të atillë, që i ngrituri në atë kohë nuk dëgjon zhurmë tjetër, përveç zhurmës së tyre, por ajo e pushton atë sikur të ishte fryrja e ringjalljes në Ditën e Kiametit, në të cilën ai që ngrihet qëndron pezull, i frikësuar dhe i stresuar. Kërkon që të gjejë sigurinë, por nuk e gjen dot.

A mund të shpëtojë nga deti dhe dallgët e tij ndokush, përveç atij që qëndron larg tij? Ky është edhe vërtetimi i fjalës së të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i cili thotë:

“Njeriu më i mirë në atë ditë është ai besimtar i veçuar në një nga pronat e tij, i cili ruan devotshmërinë ndaj Allahut dhe i lë njerëzit të qetë nga sherri i tij.”[4]

Ajo që i përmbledh të gjitha rrjedhat e trazirave dhe ngjarjet e tyre është sprovimi dhe përgënjeshtrimi i atyre që pasojnë të parët e mirë të këtij populli në dije, përfytyrim dhe veprim, i atyre që sqarojnë të kuptuarit e tyre, i preokupojnë zemrat dhe i njësojnë qëllimet e tyre sipas rrugës së selefëve.

 

Fundi i trazirave

Hadithi i mësipërm i dialogut të Hudhejfes me Umerin (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) të lë të kuptosh se sikur Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) të kishte vdekur jo me vrasje, atëherë do të ndizeshin trazira, por ato do të shuheshin dhe dera e tyre do të mbyllej. Ndërsa sikur ai të vritej, dera e trazirave do të qëndronte me të dyja kanatet të hapura dhe kështu ndodhi. Kjo tregon kohën e përforcimit të trazirave dhe dallgët e tyre, ndërsa fundi është përmendur në hadithin e transmetuar nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)  se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:  “Sikur ai të vritej sot, nuk do të ishin kundërshtuar dy burra nga populli im, derisa të dalë Dexhali!”[5]

Në një hadith tjetër të saktë thuhet se të gjitha trazirat janë gjendur për shkak të sprovës së Dexhalit, siç e ka nxjerrë Ahmedi, Bezari, Ibën Hibani dhe Taberani nga hadithi i Hudhejfes se ai ka thënë:

“Tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u përmend Dexhali dhe ai tha: “Unë kam më shumë frikë trazirat tuaja me njëri-tjetrin, sesa sprovës e Dexhalit, sepse ai që do të shpëtojë nga ato trazira, do të shpëtojë edhe nga sprova e tij. Nuk ka ndodhur ndonjë trazirë, që sa është krijuar kjo botë, as e vogël dhe as e madhe, vetëm se për sprovën e Dexhalit.”

Kështu që, trazirat janë një varg, ku secila hallkë e tij është kapur me shoqen e saj, derisa të arrijë tek Dexhali. Ato janë frika që kishte për ne i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), trazirat duke luftuar, vrarë dhe duke i bërë padrejtësi njëri-tjetrin. Pikërisht, kjo gjë filloi në kohën e shfaqjes së hauarixhëve, të cilët dolën nga ai burrë, i cili sikur të ishte vrarë, vrasja e tij do të kishte qenë trazira e parë dhe e fundit, siç ka thënë i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

***

 


[1] Ky kapitull është marrë përgjithësisht nga libri i shejh Mesh’hur Hasen el Selman me titull “”Iraku në hadithet dhe gjurmët e trazirave” vëll. I, f.51 e në vijim.

[2] Senedi i këtij hadithi është sahih sipas kushteve të Muslimit. Kështu ka thënë edhe shejh Albani në “Es Silsiletu es sahiha”. Gjithashtu edhe Ahmed Shakir e ka quajtur të saktë në shënimet që ka bërë në Musnedin e Imam Ahmedit ,i cili e transmeton këtë hadith.

Përveç imam Ahmedit, këtë hadith e ka nxjerrë Ibën ebu Asim në librin “Es Suneh”, El Harith ibën ebu Usame në “Musned” dhe Bejhakiu shkurtimisht. Këtë nxjerrje të hadithit e ka bërë Mesh’hur Hasen el Selman në librin “Iraku në hadithet dhe gjurmët e trazirave”.

[3] Shkëputur nga libri “Iraku në hadithet dhe etheret e trazirave” vëll.I, f.46-51

[4] Do të vijë më pas nxjerrja e tij.

[5] Këtë hadith e ka nxjerr Ebu Jeala në musnedin e tij me transmetues të senedit të saktë. Senedi i këtij hadithi është hasen, siç thotë Meshhur Hasen në librin e “Irakut” të sipërpërmendur.

 

Kapitulli i tretë

Historia e shfaqjes së  hauarixhëve

« Kapitulli i Parë    Kapitulli i Tretë »