Studime dhe fetva në lidhje me mes’hun mbi Meste

 

Shkëputur nga broshura me titull “Buhuthun ue Fetaua fil Mes’hi alel Khufejn”

E shejhut dhe dijetarit te madh
Muhamed ibën Salih el Uthejmin

Përktheu
Shuajb Rexha Ebu Duxhanah

 

– Së pari, studime në lidhje me dhënien mes’h. Këto janë disa studime

(të shkurtra) në lidhje me dhënien mes’h.

Studimi i parë: Dhënia mes’h asaj që është e grisur dhe asaj tek e cila duket këmba ngaqë është e hollë ose e tejdukshme.
Dijetarët kanë rënë në kundërshtim në lidhje me këtë çështje. Ajo që është e njohur në medh-hebin e imam Ahmedit është se mes’hi në këtë rast nuk është i saktë.
Autori i librit “el Munteha”, duke renditur kushtet e mes’hit pasi që përmendi që mestja duhet të mbulojë të gjithë pjesën që është detyrë të lahet, tha: “Dhe të mos jetë që shihet lëkura e këmbës nëpërmjet saj ngaqë është e hollë ose e tejdukshme”.

Në librin “el Mexhmu” të imam Neueuiut, në fikhun shafij (vëll 1, fq. 480), ka përmendur dy mendime në këtë çështje dhe më e sakta e tyre është që nuk i jep mes’h. Po në këtë libër, në fq. 481, thuhet se Ibnul Mundhir ka transmetuar se Sufjan (Eth Theurij), Is’hak (bin Rahujeh), Jezid bin Harun dhe Ebu Theuri e kanë lejuar t’i jepet mes’h të gjitha llojeve te mesteve. Ibnul Mundhiri thotë:”Me këtë mendim jam dhe unë, sepse Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, e lejoi mes’hin mbi meste me thënie të përgjithshme e cila i përfshin të gjitha mestet”.

Në librin “el Ikhtijarat” të shejhul islam Ibn Tejmijeh, fq. 13, thuhet: “Lejohet t’i jepet mes’h mestes së grisur për sa kohë që ia vlen t’i thuhet meste dhe është e mundur të ecet me të. Kjo është një nga dy fjalët e hershme të Shafiut. Këtë mendim ka zgjedhur Ebul Berakat dhe dijetarë të tjerë”.

Në librin “el Muhala” (të Iben Hazmit), vëll. 2, fq. 100, thuhet: “Lejohet mes’hu mbi mesten e grisur edhe nëse shfaqet shumica e këmbës, për sa kohë që një pjesë e mestes qëndron në këmbë, si dhe është transmetuar nga Sufjan eth Theuri se ka thënë: “I jepet mes’h përderisa quhet meste”.
Në librin “el Mexhmu”, vëll. 2, fq. 482, thuhet: “Nëse griset pjesa e sipërme e mestes dhe pjesa e poshtme e saj është e trashë, lejohet t’i japë mes’h ose përndryshe nuk lejohet sepse konsiderohet si e zbuluara. Ka përmendur Rujani dhe Rafiij një mendim të dobët e të çuditshëm: që lejohet t’i japë mes’h edhe nëse pjesa e poshtme është e hollë”.
Në fq. 484, ka transmetuar Ibnul Mundhiri lejimin e dhënies mes’h mbi meste nga nëntë sahabe dhe tha: “Kanë përmendur dijetarët e medh-hebit tonë se Umeri dhe Aliu (radijallahu anhuma) e lejonin dhënien mes’h edhe nëse mestja është e hollë. Po ashtu kjo fjalë transmetohet nga Ebu Jusufi, Muhamed (Ibn Hasen), Is’hak (Ibn Rahujeh) dhe Daud (edh Dhahirij)”.
Në fq. 486 thuhet: “Nëse vesh meste prej qelqi në mënyrë të atillë që mund të ecet me to, lejohet t’i japë mes’h edhe pse nëpërmjet saj shihet lëkura e këmbës”.

Në librin “Xheuahirul Iklil Sherh Mukhtesar el Khalil”, vëll. 1 fq. 24, thuhet: “El Xheurab është veshja të cilën e përdor personi në formë të mestes, e prodhuar nga pambuku apo leshi, e cila njihet tek banorët e Egjiptit me emrin çorape (shurab)”.

Studimi i dytë: Nëse vesh meste mbi meste, ka dy raste:

Rasti i parë: Ta veshë mesten e dytë pasi ta ketë prishur abdesin. Në këtë rast gjykimi është t’i japë mes’h mestes së parë (të poshtmes) dhe nuk i lejohet t’i japë mes’h të sipërmes.

Rasti i dytë: Ta veshë mesten e dytë para se ta prishë abdesin. Në këtë rast është i lirë të zgjedhë: nëse i jep mes’h të poshtmes, gjykimi bie mbi të dhe nuk i prish punë nëse e heq mesten e sipërme, ndërsa nëse i jep mes’h të sipërmes, gjykimi bie mbi të, kështu që nëse e heq të sipërmen pasi t’i japë mes’h, atëherë duhet ta heqë dhe të poshtmen. Pra, nëse i jep mes’h njërës (të poshtmes apo të sipërmes), nuk lejohet të zhvendoset tek tjetra. Gjithashtu nuk lejohet t’i japë mes’h nëse janë të dyja të grisura dhe nuk lejohet t’i japë mes’h të poshtmes nëse është e grisur.

Në librin “el Furu”, vëll. 1, fq. 160, thuhet: “Dhe nuk i jep mes’h asaj mesteje që është veshur mbi meste tjetër, të cilës i është dhënë mes’h më parë, ndërsa sipas imam Malikut lejohet”.
Në fq. 172 thuhet: “Transmetohet nga imam Malik se nëse e heq mesten e sipërme, të cilës i ka dhënë mes’h, atëherë duhet ta heqë dhe të poshtmen, pastaj merr abdes ose lan vetëm këmbët, sipas kundërshtimit që kanë dijetarët në këtë çështje”.

Transmetohet nga imam Maliku në një thënie tjetër, se nuk e ka detyrë ta heqë ta poshtmen por merr abdes (duke larë këmbët) ose i jep mes’h vetëm të poshtmes, sipas kundërshtimit që kanë dijetarët në këtë çështje.

Them (Iben Uthejmini): Nëse ecim me fjalën se heqja e mestes nuk e prish abdesin, atëherë nuk ka detyrë asgjë (as abdes të ri e as larje të këmbëve).

Në librin “el Mexhmu”, vëll. 1, fq. 490, thuhet: “Nëse e lejojmë t’i jepet mes’h mestes që vishet mbi meste, sidomos në vendet e ftohta, ka tre mendime të cilat i ka përmendur Ebul Abas ibn Surejxh. Më e sakta e tyre është që mestja e sipërme është në vend të mestes së poshtme dhe mestja e poshtme konsiderohet në vend të këmbës.

Mendimi i dytë: Veshja e poshtme konsiderohet si mbështjellëse për këmbën ndërsa e sipërmja konsiderohet meste.

Mendimi tretë: Të dyja janë si një meste e vetme, e sipërmja konsiderohet ana e jashtme e mestes kurse e poshtmja konsiderohet ana e brendshme.
Duke u nisur nga këto kuptime, dijetarët e medh-hebit kanë nxjerrë çështje të shumta, p.sh nëse e heq të sipërmen dhe e lë të poshtmen, siç është po qe se ecim me mendimin e parë, nuk e ka detyrë ta heqë të poshtmen dhe lejohet t’i japë mes’h, por a duhet ta përsërisë abdesin nga fillimi apo mjafton t’i japë mes’h (të poshtmes)? Siç dihet ka dy fjalë në lidhje me atë që heq mesten.
Nëse ecim me mendimin e tretë, nuk ka obligim asgjë.
Nëse ecim me mendimin e dytë, e ka detyrë ta heqë të poshtmen dhe t’i lajë këmbët. Ndërsa a e ka obligim ta përsërisë abdesin, ka dy opinione në këtë çështje.

Pra, le të themi në mënyrë të përmbledhur që në këtë çështje ka pesë mendime:
1. Nuk ka obligim asgjë
2. (Më i sakti) Vetëm duhet t’i japë mes’h të poshtmes
3. E ka detyrë t’i japë mes’h të poshtmes duke përsëritur abdesin
4. E ka detyrë heqjen e mestes së poshtme dhe larjen e këmbëve
5. E ka detyrë heqjen e mestes dhe përsëritjen e abdesit.

Në fq. 490 thuhet: “Nëse vesh mesten duke qenë me abdes e pastaj i prishet abdesi, pastaj merr abdes të ri dhe i jep mes’h mestes, pastaj vesh meste të dytë, duke qenë me abdesin që i dha mes’h të poshtmes. Në këtë rast ka dy mendime të njohura: a lejohet apo jo t’i japë mes’h të sipërmes (mestes së dytë)”.
Pastaj më poshtë thotë: “Lejimi është mendimi më i saktë dhe kjo është që ne zgjedhim, sepse e ka veshur (mesten e dytë) duke qenë i pastër (me abdes). Ndërsa fjala e tyre (palës tjetër) që kjo pastërti është e mangët, është fjalë e papranueshme”.
Rafiiu ka thënë: Shejh Ebu Aliu ka thënë: “Nëse e lejojmë që t’i japë mes’h (mestes së dytë), atëherë koha e mestes do llogaritet që kur ka prishur abdesin e parë pas veshjes së mestes së parë dhe jo pas veshjes së mestes së dytë”.

Them (Iben Uthejmini): “Fjala e tij që koha e mestes do llogaritet që kur ka prishur abdesin e parë është një nga dy mendimet në këtë çështje, të cilën do e përmendim më poshtë”.

Studimi i tretë: Përcaktimi i kohës së mes’hit.

Në këtë çështje ka kundërshtim mes dijetarëve: mendimi i shumicës së dijetarëve nga sahabët, tabiinët dhe të tjerët pas tyre është që mes’hi është i përcaktuar me një ditë-natë për mukimin (ai që nuk është udhëtar) dhe tre ditë e netë për mysafirin (udhëtarin).

Mendimi i dytë i disa dijetarëve që koha e mes’hit është e papërcaktuar (nuk ka kufizim).

Në librin “el Mexhmu”, vëll. 1, fq. 467, thuhet: “Dijetarët e medh-hebit tonë (shafiij) kanë thënë që kjo fjalë (mospërcaktimi i kohës së mes’hit) është e Ebu Selemeh Ibn Abdurrahman, Sha’bij, Rrabiah, Lejth dhe shumicës së dijetarëve të medh-hebit malikij dhe kjo është fjala e njohur nga vetë imam Maliku. Transmetohet nga imam Maliku, në një fjalë tjetër, që koha e mes’hit është e përcaktuar. Po ashtu transmetohet nga ai, në një fjalë tjetër, që koha e mes’hit është e përcaktuar për mukimin dhe e papërcaktuar për mysafirin.
Ibnul Mundhir tha: Seid Ibn Xhubejri ka thënë: “I jep mes’h nga mëngjesi deri në darkë”.

Në librin “el Ikhtijarat”, fq. 15, shejhul islam Ibn Tejmijeh thotë: “Nuk ka përcaktim koha e mes’hit për mysafirin, i cili ka vështirësi në heqjen dhe veshjen e mesteve si p.sh postieri i cili rend në dobi të muslimanëve”.

(Ibn Uthejmini): “Nëse ecim me mendimin që koha e mes’hit është e papërcaktuar, lind pyetja: kur fillon llogaritja e kësaj kohe?” Shumica e dijetarëve thonë që koha e mes’hit fillon që nga momenti kur prish abdesin pas veshjes së mesteve.

Në librin “el Mexhmu”, vëll. 1, fq. 470, thuhet: Euzai dhe Ebu Theuri kanë thënë: “Fillimi i kohës është që nga momenti kur t’i japë mes’h për herë të parë pasi të ketë prishur abdesin. Kjo fjalë është një ndër transmetimet nga imam Ahmedi, është mendimi i Daud (edh-Dhahirij) dhe kjo është që ne zgjedhim, si dhe më e sakta që mbështetet në argument. Këtë mendim ka zgjedhur Ibnul Mundhiri dhe në të njëjtën kohë e ka transmetuar këtë nga Umer ibn Khatab.
Ndërsa Mauerdi dhe Shashi kanë transmetuar nga Hasan el Basri, se ai e konsideron fillimin e kohës që nga momenti i veshjes.

Studimi i katërt: Nëse ndryshon gjendja e personit që ka veshur meste nga qëndrim në udhëtim ose e kundërta, cila nga këto dy gjendje do merret parasysh (për përcaktimin e kohës)?

Kjo çështje ka tre raste:

Rasti i parë: Të ndodhë ndryshimi i gjendjes para se të prishë abdesin. Pra i vesh mestet duke qenë mukim, pastaj para se të prishë abdesin udhëton ose e kundërta: i vesh duke qenë në udhëtim pastaj mbërrin në vendin e tij para se të prishë abdesin. Në situatën e parë i jep mes’h si udhëtar. Në librin “el Mexhmu”, vëll. 2, fq. 472, thuhet: “Kjo është me ixhma”. Ndërsa në situatën e dytë i jep mes’h si mukim, pa asnjë problem.

Rasti i dytë: Të ndodhë ndryshimi i gjendjes pas prishjes së abdesit dhe para se t’i japë mes’h. Pra i vesh mestet duke qenë mukim, pastaj i prishet abdesi, pastaj udhëton para se t’i japë mes’h ose e kundërta: i vesh duke qenë udhëtar pastaj i prishet abdesi, pastaj mbërrin në vendin e tij para se t’i japë mes’h.
Në situatën e parë i jep mes’h si mysafir. Në librin “el Insaf”, vëll. 1, fq. 179, thuhet: “Ky është medh-hebi (hanbelij) dhe mendimi i dijetarëve të tij”.
Në librin “el Furu”, vëll. 1, fq. 168, tek ky mendim ka vendosur shkronjën “uau”, shenjë që tregon miratimin e këtij mendimi nga të tre imamët. Pastaj më poshtë thotë: “Në një ndër transmetimet nga imam Ahmedi thuhet se i jep mes’h si mukim”.
Në librin “el Mugnij”, vëll. 1, fa. 290, thuhet: “Nuk dimë të ketë kundërshtim (khilaf) në faktin që ai e plotëson mes’hin si mysafir”.

Ndërsa në situatën e dytë i jep mes’h si mukim dhe nuk kam parë kundërshtim nga askush në këtë gjë.

Rasti i tretë: Të ndodhë ndryshimi i gjendjes pas prishjes së abdesit dhe pas dhënies mes’h. Pra i vesh mestet, i prishet abdesi, i jep mes’h duke qenë mukim pastaj udhëton dhe e kundërta: i vesh mestet, i jep mes’h duke qenë musafin dhe pastaj mbërrin në vendin e tij. Në këtë rast kanë rënë në kundërshtim dijetarët. Në situatën e parë ka dy alternativa: ose ka mbaruar koha e mes’hit si mukim, ose jo.

Alternativa e parë: Nëse ka mbaruar koha e mes’hit (si mukim), nuk i jep mes’h, gjë për të cilën nuk kam parë kundërshtim, përveç asaj që është përmendur në librin “el Muhala”, vëll. 2, fq. 109: “Që i lejohet ta plotësojë mes’hin si udhëtar”.

Alternativa e dytë: Nëse ka mbetur akoma diçka nga koha e mes’hit si mukim, këtu ka kundërshtim mes dijetarëve. Medh-hebi i imam Malikut, Shafiut, i Ahmedit, në një nga transmetimet e tij, Is’hak (ibn Rahujeh) dhe i Daudit, në një nga transmetimet e tij është që ta plotësojë mes’hin si mukim. Ndërsa medh-hebi i Sufjan Theurit, është që ta plotësojë mes’hin si udhëtar. Gjithashtu ky mendim është një transmetim nga imam Ahmedi dhe Daudi. Shiko librin “el Mexhmu”, vëll. 1, fq. 472.

Në librin “el Mugni”, vëll. 1, fq. 292, thuhet: El Khalal ka thënë: “Imam Ahmedi është kthyer nga mendimi i tij i parë tek ky mendim i dytë (pra që ta plotësojë mes’hin si udhëtar)”.
Në librin “el Insaf”, vëll. 1, fq. 178, është transmetuar nga autori i librit el Faik se ka thënë: “Kjo është fjala e fundit dhe e prerë (nga imam Ahmedi) dhe këtë ne zgjedhim”.

Ndërsa në situatën e dytë përsëri ka dy alternativa: Ose të ketë mbaruar koha e mes’hit si udhëtar, ose jo.
Alternativa e parë: nëse ka mbaruar koha e mes’hit (si udhëtar), atëherë nuk i jep më mes’h.
Alternativa e dytë: nëse ka mbetur diçka nga koha e mes’hit, e plotëson atë si mukim.

Në librin “el Mugni”, vëll. 1, fq. 293, thuhet: “Kjo është fjala e Shafiut dhe e atyre që e përdorin shumë llogjikën (as’habu rraj: me këtë shprehje zakonisht është për qëllim Ebu Hanifja dhe pasuesit e tij) dhe nuk di të ketë kundërshtim në këtë”.
Në librin “el Furu”, vëll. 1, fq. 168, tek ky mendim ka vendosur shkronjën “و”, shenjë që tregon miratimin e kësaj fjale nga të tre imamët.
Pastaj tha: Në librin “el Mubhexh” thuhet: “E plotëson mes’hin si udhëtar nëse i ka dhënë mes’h në udhëtim më shumë se një ditë-natë”.
Në librin “el Muhala”, vëll. 2, fq. 109, thuhet: “Fillon t’i japë mes’h si mukim nëse i ka dhënë mes’h në udhëtim dy ditë e netë ose më pak, ndërsa nëse i ka dhënë mes’h më shumë se dy ditë e netë, le ta plotësojë mes’hin si udhëtar po qe se ka mbetur diçka nga koha e mes’hit”.

 

Studimi i pestë: Kur të mbarojë koha e mes’hit ose e heq mesten nga këmba, a prishet abdesi apo jo?

Në këtë mesele ka kundërshtim mes dijetarëve, siç e ka përmendur autori i librit “el Mexhmu”, vëll. 1, fq 511.

Mendimi i parë: Abdesi nuk prishet dhe nuk ka obligim asgjë. I lejohet të falet me atë abdes derisa ta prishë. Këtë mendim e ka transmetuar Ibnul Mundhiri nga Hasan el Basri, Katadeh, Sulejman bin Harb dhe e zgjodhi si më të saktën.
Imam Neueuiu ka thënë: “Ky është mendimi më i zgjedhur dhe më i fortë”.

Them (Ibën Uthejmini): Këtë fjalë e ka zgjedhur dhe Ibn Hazmi (el Muhala, vëll. 2, fq. 94) duke e përmendur bashkë me çështjen e mëparshme (mbarimi i kohës së mes’hit) dhe e ka transmetuar këtë mendim nga Ibrahim Nekhai, Hasan el Basri, Ibn Ebi Lejla, Daudi, pastaj tha:”Kjo është fjala e saktë që nuk lejohet të thuhet tjetër veç saj”.

Më poshtë, në fq. 95, thotë: “Nëse i jep mes’h para se t’i mbarojë koha (koha si udhëtar apo si mukim), qoftë edhe me një minutë të vetme, i lejohet të falet me atë abdes derisa ta prishë”.
Po ashtu në vëll. 2, fq. 105, në lidhje me çështjen e dytë (nëse e heq mesten) ka zgjedhur të njëjtin mendim, që nuk prishet abdesi dhe tha: “Kjo fjalë është transmetuar nga një grup selefësh. Gjithashtu këtë mendim ka zgjedhur shejhul islam Ibn Tejmijeh, në të dyja çështjet”.

Mendimi i dytë: E ka detyrë të lajë vetëm këmbët. Ky mendim është i Alkames, Atasë, el Esued. Eshtë transmetuar nga Ibrahim Nekhai. Ky është medh-hebi i Ebu Hanifes me pasuesit e tij, i Sufjan Theurit, Ebu Theurit, el Muzenij dhe një transmetim nga imam Ahmedi.

Mendimi i tretë: E ka detyrë të marrë abdes. Kjo fjalë është e Mekhulit, Ibrahim Nekhai, Zuhriut, Ibn Ebi Lejla, Euzai, Hasan ibn Salih, Is’hak (ibn Rahujeh) dhe transmetimi më i saktë nga imam Ahmedi.

Mendimi i katërt: I mjafton të lajë vetëm këmbët nëse i lan menjëherë pas heqjes së mesteve, ndërsa nëse zgjatet koha pas heqjes së mesteve dhe larjes së këmbëve, atëherë e ka detyrë të marrë abdes nga fillimi. Kjo fjalë është e imam Malikut dhe Lejthit.

Këtu mbaron ajo që kisha dëshirë të shkruaja, duke lutur Allahun të bëjë dobi. Me të vërtetë Ai është Bujar, që jep shumë.

Mbaroi së shkruari ditën e Mërkurë, 16 Rabiu Thani, të vitit 1407h,
me lapsin e Muhamed bin Salih el Uthejmin.

– Së dyti, çështje të ndryshme në lidhje me mes’hin

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botërave. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamed, si dhe mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij. E më pas:
Këto janë disa çështje në lidhje me mes’hin, në të cilat jam mjaftuar me përmendjen e asaj çfarë unë e pashë të saktë në bazë të argumenteve të sheriatit. E lus Allahun që të jetë e sinqertë për hir të Allahut dhe e saktë sipas sheriatit të Tij.

1) Kanë rënë në kundërshtim dijetarët në lidhje me lejimin e mes’hit mbi mesten e grisur. Mendimi i saktë është që lejohet t’i jepet mes’h për sa kohë që ia vlen të quhet meste (khuf). Ky mendim është i Ibnul Mundhirit, të cilin njëkohësisht e ka transmetuar nga Sufjan Theuri, Is’hak (ibn Rahujeh), Jezid ibn Harun, Ebu Theur. Dhe, këtë mendim ka shejhul islam Ibn Tejmijeh: për sa kohë që quhet meste dhe mund të ecet me të.

2) Lejohet t’i jepet mes’h mestes së hollë, sipas fjalës më të saktë.
Imam Neueuiu thotë:”Kanë transmetuar dijetarët e medh-hebit tonë nga Umeri dhe Aliu (radijallahu anhuma), se ata e lejonin t’i jepej mes’h mestes edhe nëse është e hollë. Po ashtu e kanë transmetuar këtë mendim nga Ebu Jusufi, Muhamed (ibn Hasen), Is’hak (bin Rahujeh) dhe Daud (edh-Dhahirij)”. Neueuiu më poshtë thotë:”Fjala e saktë dhe e qëlluar është ajo që ka përmendur el kadij Ebu Tajjib, Kafali dhe një grup dijetarësh të zgjedhur që: Lejohet t’i jepet mes’h nëse është e mundur të ecet me të sido që të jetë, ndërsa nëse nuk mund të ecet me të, atëherë nuk lejohet”.

3) Koha e mes’hit është një ditë-natë për mukimin dhe tre ditë e netë për musafirin.
Fillimi i kohës së mes’hit është që nga momenti kur t’i japë mes’h për herë të parë pasi të prishë abdesin. Kjo është fjala më e saktë. Ky mendim është një nga transmetimet e imam Ahmedit, është fjala e Euzaiut, Ebu Theurit, e ka zgjedhur si të saktë Ibnul Mundhiri dhe e ka transmetuar nga Umeri, radijallahu anhu.

4) Nëse i vesh mestet duke qenë mukim, pastaj udhëton para se të prishë abdesin, i jep mes’h si udhëtar.

5) Nëse i vesh mestet duke qenë udhëtar, pastaj shndërrohet në mukim para se të prishë abdesin, i jep mes’h si mukim.

6) Nëse i vesh duke qenë mukim, pastaj i prishet abdesi dhe udhëton para se t’i japë mes’h, atëherë do i japë mes’h si udhëtar.

7) Nëse i vesh duke qenë udhëtar, pastaj i prishet abdesi dhe shndërrohet në mukim para se t’i japë mes’h, atëherë i jep mes’h si mukim.

8) Nëse i vesh duke qenë mukim dhe i prishet abdesi, i jep mes’h dhe pastaj udhëton para se t’i mbarojë koha e mes’hit. Në këtë rast e plotëson mes’hin si udhëtar, sipas fjalës më të saktë.
Ky është medh-hebi i Ebu Hanifes dhe transmetimi i fundit nga imam Ahmedi, pasiqë u kthye nga fjala e tij e parë që ta plotësojë si mukim. Në librin el Faik thuhet:”Kjo është fjala e fundit dhe e prerë (d.m.th nga imam Ahmedi) dhe ky është mendimi i zgjedhur”. Ndërsa nëse mbaron koha e mes’hit para se të udhëtojë, e ka detyrë që kur të marrë abdes t’i heqë mestet dhe t’i lajë këmbët.

9) Nëse i vesh në udhëtim dhe i prishet abdesi, i jep mes’h, e pastaj shndërrohet ne mukim, atëherë e plotëson mes’hin si mukim, nëse ka ngelur diçka nga koha e mes’hit. Ndërsa nëse nuk ka ngelur më nga koha e mes’hit, duhet t’i heqë mestet. Në librin el Mugnij ka thënë:”Nuk di të ketë kundërshtim në këtë gjë”.

10) Nëse vesh meste apo çorape, pastaj vesh mbi të tjetër para se të prishë abdesin, është i lirë t’i japë mes’h cilës të dojë, të poshtmes ose të sipërmes.

11) Nëse vesh meste apo çorape, pastaj i prishet abdesi dhe vesh mbi të meste tjetër para se të marrë abdes, në këtë rast gjykimi bie mesten e parë.

12) Nëse vesh meste apo çorape, pastaj i prishet abdesi dhe i jep mes’h (kur të marrë abdes), pastaj vesh mbi të meste të dytë, i lejohet t’i japë mes’h mestes së dytë, sipas fjalës më të saktë.
Në librin el Furu thuhet:”Lejimi i kësaj gjëje është më afër të saktës, ashtu siç është mendimi i imam Malikut”.
Neueuiu ka thënë:”Kjo fjalë është më e fortë dhe është ajo që ne zgjedhim, sepse ka veshur meste duke qenë i pastër (me abdes) dhe fjala e tyre (e palës tjetër) që kjo është pastërti e mangët, është fjalë e papranueshme”.
Nëse ecim me këtë fjalë, do të thotë që fillimi i kohës së mes’hit është nga momenti kur i ka dhënë mes’h mestes së parë.

13) Nëse vesh meste mbi meste apo çorape dhe i jep mes’h të sipërmes dhe pastaj e heq, a lejohet të vazhdojë në kohën e mbetur me mes’h mbi mesten e poshtme?
Nuk kam parë dikë të jetë shprehur qartë në këtë çështje, por Neueuiu ka përmendur nga Ebul Abas ibn Surejxh tre mendime në lidhje me mesten mbi meste. Një ndër këto mendime: që të dy mestet konsiderohen si një e vetme; mestja e sipërme është ana e jashtme kurse mestja e poshtme është ana e brendshme.
Thashë (Ibn Uthejmini):”Duke u mbështetur në këtë mendim, lejohet t’i japë mes’h mestes së poshtme derisa të mbarojë koha e mestes së sipërme, sepse kjo çështje është njësoj sikur po t’i griset mestja e sipërme dhe vazhdon t’i japë mes’h mestes së poshtme”.

14) Nëse e heq mesten apo çorapen pasi që i ka dhënë mes’h, kjo nuk e prish abdesin. Pra i lejohet të falet sa të dojë derisa t’i prishet abdesi, sipas fjalës më të saktë.
Ibnul Mundhiri e ka transmetuar këtë fjalë nga disa tabiin. Gjithashtu e ka transmetuar këtë fjalë Ibn Hazmi nga një grup selefësh dhe e ka zgjedhur si më të saktën. Neueuiu ka thënë:”Kjo është fjala më e fortë të cilën ne e zgjedhim”. Po ashtu këtë mendim ka zgjedhur dhe shejhul islam Ibn Tejmijeh.

15) Mbarimi i kohës së mes’hit nuk e prish abdesin. Pra i lejohet të falet derisa ta prishë abdesin, sipas fjalës më të saktë.
Këtë mendim e kanë zgjedhur të njëjtët dijetarë që përmendëm në çështjen e mëparshme. Ibn Hazmi ka thënë:”Kjo është fjala e saktë, që nuk lejohet të thuhet tjetër veç saj”. Gjithashtu ka thënë:”Nëse i jep mes’h para se t’i mbarojë koha (si udhëtar apo si mukim), qoftë edhe me një minutë të vetme, i lejohet të falet derisa ta prishë këtë abdes”.
Allahu e di më së miri, ue salallahu ue seleme ala nebijjina Muhamed ue ala alihi ue as-habihi ue etbaihi ile jeumi din.
Shkruar me datë 7 Rabiu Thani të vitit 1411h nga Muhamed bin Salih el Uthejmin, dhe falënderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botërave. Coj salavate dhe selame mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, salallahu alejhi ue selem, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë me të drejtë deri në Ditën e Gjykimit. E më pas:
I kontrollova dhe i vërtetova nëpërmjet incizimit përgjigjet e këtyre pyetjeve, të cilat më janë drejtuar mua në lidhje me mes’hin mbi meste, mes’hin mbi imameh (çallma me të cilën mbulohet koka) dhe mes’hin mbi xhebirah (çdo gjë me të cilën lidhet kocka e thyer, qoftë allçi, apo fashë, apo çdo gjë tjetër). Pasi bëra disa shtesa dhe korrigjime të vogla, i jap leje për botim atij që dëshiron ta botojë me kushtin: t’i kushtojë rëndësi saktësisë në botim dhe të mos i kufizojë të drejtat e botimit për vete apo për dikë tjetër.
E lus Allahun të na japë sukses të gjithëve.

E tha këtë fjalë autori:

Muhamed bin Salih el Uthejmin, me datë 19/5/1410h.

Mes’hi mbi meste

Pyetja 1: Cfarë është për qëllim me fjalën el khuf (meste) dhe xheurab?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut Zotit të botërave. Coj salavate dhe selame mbi pejgamberin tonë, Muhamedin, salallahu alejhi ue selem, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.
Me fjalën el khuf (shumësi saj khifaf) është për qëllim ajo veshje që vishet në këmbë, e bërë nga lëkura apo material tjetër i ngjashëm me të. Me fjalën xheurab (shumësi i saj xheuarib) është për qëllim ajo veshje që vishet në këmbë, e bërë nga pambuku apo të ngjashme, e cila sot njihet me emrin çorape.

Pyetja 2: Cfarë gjykimi ka mes’hi mbi meste (el khuf) dhe çorape (xheuarib)? Cili është argumenti i ligjshmërisë së mes’hit nga Kurani dhe Suneti?

Përgjigje: T’i japësh mes’h është nga sunetet me të cilat ka ardhur Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, prandaj kush ka të veshura meste është më mirë për të t’u japë mes’h se sa t’i heqë ato dhe t’i lajë këmbët. Argumenti i kësaj që thamë është hadithi i Mugirah bin Shubeh, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, po merrte abdes dhe tha Mugirah:”U ula me të shpejtë që t’ia hiqja mestet (për të larë këmbët). Ai, salallahu alejhi ue selem, tha:”Lëri mos i hiq, sepse unë i kam veshur duke qenë i pastër (me abdes)”, dhe u dha mes’h. (Transmeton Buhari nr. 206 dhe Muslim nr. 274) Mes’hi është i ligjëruar në Librin e Allahut dhe në Sunetin e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem.

Përsa i përket librit të Allahut, e gjejmë në fjalën e Tij në suren Maide, ajeti 6:”O ju të cilët keni besuar, kur doni të ngriheni për të falur namazin lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja (parakrahët) deri në bërryla, kaloni duart e lagura mbi kokat tuaja dhe lani këmbët deri në nyje (kyçe)”. Në pjesën e ajetit “këmbët tuaja”, ka dy lexime të sakta të transmetuara nga Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem. Në njërën lexohet:”ue erxhulekum” (me “e” pas shkronjës “l”) duke e bashkëngjitur gjykimin e këmbëve me gjykimin e lajres së duarve dhe fytyrës, pra sipas kësaj duhen larë këmbët. Në leximin e dytë lexohet:”ue erxhulikum” (me “i” pas shkronjës “l”) duke e bashkëngjitur gjykimin e këmbëve me gjykimin e dhënies mes’h të kokës, pra i jepet mes’h dhe këmbëve.

Ai i cili e bëri të qartë gjykimin e këmbëve se a duhet të lahen apo t’u jepet mes’h, është suneti. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, kur i kishte këmbët të zbathura i lante ato, ndërsa kur kishte të veshura meste u jepte mes’h.

Ligjshmëria e mes’hit në Sunet:

Eshtë transmetuar suneti në këtë çështje muteuatiran (sh.p:në rrugë të shumta transmetimi, të pakundërshtueshme) nga Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem. Imam Ahmedi thotë:”Nuk ka në zemrën time asnjëlloj dyshimi apo sikleti në lidhje me mes’hin. Janë transmetuar 40 transmetime nga i Dërguari i Allahut dhe sahabet e tij”.
Me këtë rast mund të përmendim fjalën e poetit:
“Mima teuatera hadithu men kedheb
Ue men bena lilahi bejten uehteseb
Ue ru’jetun, shefaatun uel haudu
Ue mes’hul khufejni ue hadhi ba’du”.
(sh.p:Shpjegimi i vargjeve:
“Mima teuatera hadithu men kedheb”: Nga çështjet në të cilat suneti është muteuatir, hadithi që ndalon nga shpifja ndaj Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem.
“Ue men bena lilahi bejten uehteseb”: Dhe hadithi që kush ndërton një xhami për hir të Allahut duke kërkuar shpërblimin e Tij, do shpërblehet me një shtëpi në xhenet.
“Ue ru’jetun, shefaatu uel haudu”: Dhe hadithet që flasin për shikimin e Allahut në Ahiret, për ndërmjetësimin e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, në Ditën e Gjykimit, dhe hadithet që tregojnë për burimin e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, në Ditën e Gjykimit.
“Ue mes’hul khufejni ue hadhi ba’du”: Si dhe hadithet për dhënien mes’h mbi meste. Këto që përmendëm janë vetëm disa shembuj nga çështjet në të cilat hadithet janë muteuatirah.)
Ky pra ishte argumenti i ligjshmërisë së mes’hit nga Kurani dhe Suneti.

Pyetja 3: Cilat janë kushtet e sakta për mes’hin, me argumentet përkatëse?

Përgjigje: Mes’hi mbi meste ka katër kushte.
Kushti i parë: T’i ketë veshur duke qenë me abdes. Argumenti i këtij kushti është fjala e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, kur i tha Mugirah bin Shubes:”Lëri mos i hiq, sepse unë i kam veshur duke qenë i pastër (me abdes)”.
Kushti i dytë: Të jenë mestet apo çorapet të pastra, sepse nëse janë të pista nuk lejohet t’u jepet mes’h. Argumenti i këtij kushti është se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, po falej një ditë me shokët e tij dhe kishte të veshura nallet e tij, të cilat i hoqi gjatë namazit. Pasi mbaroi namazin i lajmëroi sahabet se i erdhi Xhibrili dhe e lajmëroi që në nallet e tij kishte papastërti. (Transmeton Ebu Daudi nr. 650) Ky hadith tregon që nuk lejohet të falet namazi me diçka në të cilën ka papastërti. Nëse do i japë mes’h me dorë të lagur papastërtisë (që gjendet në meste), do i ngjitet ajo personit, kështu që mes’hi në këtë rast nuk mund të jetë pastrues.

Kushti i tretë: Të jetë mes’hi në papastërtinë e vogël dhe jo në xhunubllëk, apo çfarë e bën të detyrueshme guslin. Argumenti i këtij kushti është hadithi i Safuan bin Asal, i cili tha:”Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, na ka urdhëruar që kur të jemi në udhëtim mos t’i heqim mestet tona për shkak të urinës, jashtëqitjes, apo gjumit tri ditë e netë, përveç nëse ndodh xhunubllëk”. (Transmeton Tirmidhiu nr. 96, Nesai nr. 127, Ibn Maxheh nr. 478). Pra, mes’hi jepet në papastërtinë e vogël dhe nuk lejohet t’i jepet mes’h në papastërtinë e madhe, siç dëshmon hadithi i lartpërmendur.

Kushti i katërt: Të jetë mes’hi gjatë kohës së caktuar me sheriat, kohë e cila është një ditë-natë për mukimin dhe tre ditë e netë për musafirin. Argument për këtë kusht është hadithi të cilin e transmeton Ali bin Ebi Talib, i cili tha:”Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, i ka caktuar mukimit një ditë-natë kurse mysafirit tre ditë e netë, d.m.th në mes’hin mbi meste”. (Transmeton Muslimi nr 276) Koha e mes’hit fillon që nga momenti kur t’i japë mes’h për herë të parë pasi t’i prishet abdesi dhe mbaron pas 24 orësh për mukimin dhe pas 72 orësh për mysafirin. P.sh një person mori abdes për namazin e sabahut ditën e martë, dhe e ka mbajtur atë abdes deri pas namazit të jacisë (që i bie të jetë nata e së mërkurës). Pastaj fjeti gjumë dhe u ngrit për të falur namazin e sabahut të ditës së mërkurë. I dha mes’h në orën 5 të mëngjesit. Pra fillimi i kohës së mes’hit do jetë në orën 5 të ditës së mërkurë dhe do vazhdojë deri në orën 5 të mëngjesit të ditës së enjte. Nëse ditën e enjte i jep mes’h para orës 5, i lejohet të falet me atë abdes namazin e sabahut të ditës së enjte dhe çfarë të dojë tjetër për sa kohë që nuk e prish abdesin, sepse fjala më e saktë e dijetarëve është që abdesi nuk prishet nëse mbaron koha e mes’hit.

I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, nuk e ka përcaktuar kohën e abdesit por ka përcaktuar kohën e mes’hit. Kështu që kur mbaron koha e mes’hit nuk lejohet t’i japë më mes’h, ndërsa abdesi i tij vazhdon të jetë i saktë derisa ta prishë, sepse ky abdes është i saktë dhe i vërtetuar me argument nga sheriati, dhe çdo gjykim që vërtetohet me argument nga sheriati nuk mund të hidhet poshtë dhe nuk mund të ndryshohet veçse me argument nga sheriati. Kështu që nuk ka argument që tregon se abdesi prishet nëse mbaron koha e mes’hit, sepse origjina është që: çdo gjë ngelet në atë gjykim që kishte më parë derisa të vërtetohet diçka tjetër.

Këto janë kushtet për mes’hin mbi meste. Ka disa kushte të tjera të cilat i përmendin disa dijetarë, por disa nga këto kushte nuk janë bindëse.

Pyetja 4: A është i saktë kushti që e kanë vendosur disa fukaha, që mes’hi duhet të mbulojë të gjithë pjesën që është detyrë të lahet?

Përgjigje: Ky kusht nuk është i saktë pasi nuk ka argument për diçka të tillë. Përsa kohë që ia vlen të quhet meste apo çorape, lejohet t’i jepet mes’h sepse suneti e ligjëroi mes’hin mbi meste në mënyrë të përgjithshme, dhe nuk i lejohet askujt ta përkufizojë diçka që sheriati e ka ligjëruar në mënyrë të përgjithshme veçse duke pasur argument nga sheriati, apo duke u bazuar në ndonjë rregull, (parim bazë) me të cilin bëhet i qartë përkufizimi. Duke u nisur nga kjo që thamë, lejohet t’i jepet mes’h mestes së grisur dhe mestes së hollë, sepse qëllimi i mestes nuk është të fshehë lëkurën e këmbës por qëllimi i saj është të ta mbajë këmbën ngrohtë dhe të jetë e dobishme për të. Mes’hi mbi meste është lejuar sepse heqja e mestes i sjell vështirësi, gjë në të cilën nuk ka dallim mes çorapes së hollë dhe çorapes së trashë, apo mes çorapes së grisur dhe asaj që nuk është e grisur. E rëndësishme është që për sa kohë që ia vlen të quhet meste, lejohet i jepet mes’h.

Pyetja 5: Një person mori tejemum dhe pastaj veshi mestet. A i lejohet t’i japë mes’h pasi të gjejë ujë (për abdes) duke pasur parasysh se i ka veshur mestet duke qenë i pastër (me pastërtinë e tejemumit)?

Përgjigje: Nuk lejohet t’i japë mes’h nëse pastërtia është pastërti tejemumi, sepse Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha:”Unë i kam veshur duke i pasur këmbët e pastra (duke qenë me abdes)”, dhe pastërtia e tejemumit nuk ka të bëjë me këmbët por vetëm me fytyrën dhe duart. Nëse një person nuk ka ujë ose është i sëmurë që nuk përdor dot ujin për abdes, i lejohet t’i veshë mestet edhe po nuk qe i pastër, dhe i mban të veshura pa kohë të përcaktuar derisa të gjejë ujë apo derisa të shërohet nga sëmundja e tij, sepse këmba nuk ka lidhje me pastërtinë e tejemumit.

Pyetja 6: A është detyrë nijeti, d.m.th: nëse do të veshë meste apo çorape, a duhet të bëjë nijet që do u japë mes’h? A duhet ta bëjë nijet që do u japë mes’h si mukim apo si udhëtar, apo nijeti nuk është detyrë?

Përgjigje: Nijeti nuk është detyrë në këtë çështje, sepse gjykimi është i lidhur me ekzistencën e mes’hit pa pasur nevojë për nijet. Kjo është njësoj si veshja e rrobës për të cilën nuk është kusht ta bësh nijet për të mbuluar auretin në namaz, pra nuk është kusht që kur t’i veshë mestet ta bëjë nijet për t’iu dhënë mes’h. Po ashtu nuk është kusht nijeti i përcaktimit të kohës gjatë së cilës do i japë mes’h. Nëse është mysafir ka të drejtën e mes’h tre ditë e net, e bëri apo nuk e bëri nijet, ndërsa nëse është mukim ka të drejtën e mes’hit një ditë-natë, e bëri apo nuk e bëri nijet.

Pyetja 7: Sa është largësia e udhëtimit apo cili është udhëtimi në të cilin lejohet mes’hi tre ditë e net?

Përgjigje: Ai udhëtim në të cilin lejohet ta shkurtosh namazin është i njëjti udhëtim në të cilin lejohet mes’hi tre ditë e net, sepse në hadithin e Safuan bin Asal, që e përmendëm më parë, thuhet:”Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, na ka urdhëruar që kur të jemi në udhëtim…”, pra përsa kohë që njeriu konsiderohet udhëtar dhe shkurton namazin, i lejohet t’i japë mes’h tre ditë e netë.

Pyetja 8: Nëse mbërrin musafiri në vendin e tij ose udhëton mukimi pasiqë ka filluar në mes’h, si do e llogarisë kohën e mes’hit?

Përgjigje: Nëse i jep mes’h duke qenë mukim e pastaj udhëton, e plotëson mes’hin e tij si udhëtar sipas fjalës më të saktë. Nëse është udhëtar dhe mbërrin në vendin e tij, e plotëson mes’hin si mukim dhe kjo është fjala më e saktë. Disa dijetarë kanë thënë që, nëse i jep mes’h duke qenë mukim dhe pastaj udhëton, e plotëson mes’hin si mukim por mendimi më i saktë është ajo që përmendëm më sipër, sepse këtij personi i ka mbetur akoma diçka nga koha e mes’hit para se të udhëtojë e pastaj udhëtoi, kështu që e meriton të konsiderohet udhëtar dhe si i tillë mes’hi i tij është tre ditë e net.

Pyetja 9: Nëse një person nuk e mban mend mirë kur ka filluar koha e mes’hit, çfarë të bëjë?

Përgjigje: Në këtë rast do ecë me atë çfarë është i sigurt në të. Psh: nuk është i sigurt a i ka dhënë mes’h për herë të parë në namaz të drekës apo të ikindisë. Në këtë rast e konsideron fillimin e mes’hit nga namazi i ikindisë, sepse origjina është që nuk i ka dhënë mes’h. Argumenti i kësaj origjine që përmendëm është rregulli: çdo gjë ngelet në atë gjykim që kishte më parë derisa të vërtetohet diçka tjetër. Origjina është mosekzistenca, sepse kur një person u ankua tek Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, se atij i dukej sikur nxirrte gazra në namaz, ai, salallahu alejhi ue selem, tha:”Mos ta ndërpresë namazin derisa të dëgjojë zhurmë apo të ndjejë erë”. (Transmeton Buhari nr. 137 dhe Muslimi nr. 361)

Pyetja 10: Një person i ka dhënë mes’h pas mbarimit të kohës së mes’hit dhe është falur, çfarë gjykimi ka për namazin e tij?

Përgjigje: Nëse i jep mes’h pas mbarimit të kohës së mes’hit, qoftë mukim apo musafir, namazi që fal me këtë abdes është i kotë, i pasaktë, sepse abdesi i tij është i pasaktë pasi i ka mbaruar koha e mes’hit. Prandaj e ka detyrë të marrë abdes të plotë nga fillimi duke larë këmbët, dhe t’i përsërisë të gjitha namazet të cilat i ka falur me atë abdes në të cilin i ka dhënë mes’h pas mbarimit të kohës.

Pyetje 11: Nëse personi i heq çorapet duke qenë me abdes e pastaj i vesh përsëri pa u prishur abdesi, a i lejohet t’i japë mes’h?

Përgjigje: Nëse i heq çorapet e pastaj i vesh përsëri duke qenë me abdesin e tij të parë (abdes në të cilin i ka larë këmbët) nuk ka problem që t’i veshë mestet dhe t’i japë mes’h. Ndërsa nëse u ka dhënë mes’h çorapeve dhe i heq, nuk lejohet që t’i veshë dhe t’u japë mes’h, sepse veshja e mesteve duhet të bëhet duke qenë i pastër me pastërti ujore (pra me abdes në të cilin i ka larë këmbët), kurse në rastin e mësipërm pastërtia është me mes’h. Kjo eshte që dihet nga dijetaret.
Nëse dikush thotë që lejohet t’i japë mes’h përderisa koha e mes’hit vazhdon të jetë edhe nëse i vesh duke qenë me pastërtinë e mes’hit, kjo është fjalë e fortë por nuk kam parë dikë ta thotë këtë fjalë. Pra ajo që më ndalon mua të zgjedh këtë fjalë është vetëm fakti që nuk kam gjetur dikë ta thotë këtë, ama nëse gjendet ndonjë dijetar që e ka thënë këtë fjalë, ky është mendim më i saktë për mua, sepse pastërtia e mes’hit është pastërti e plotë dhe ashtu siç i jep mes’h asaj të cilën e ka veshur me pastërti ujore, po ashtu i lejohet t’i japë mes’h asaj të cilën e ka veshur me pastërti mes’hi, por unë nuk kam parë askënd ta thojë këtë fjalë.

Pyetje: Pra nuk mund të themi që heqja e mesteve e prish mes’hin?

Përgjigje: Nëse e heq mesten nuk i prishet abdesi por i prishet mes’hi, kështu që nëse i vesh mestet përsëri dhe i prishet abdesi, duhet patjetër t’i heqë mestet dhe të marrë abdes duke larë këmbët. Pra është e rëndësishme të dihet se duhet të vishen mestet me abdes, në të cilin i ka larë këmbët. Kjo është që dimë nga dijetarët.

Pyetja 12: Nëse një person fillimisht i jep mes’h mestes së sipërme e pastaj e heq mesten e sipërme dhe i jep mes’h çorapes (dmth mestes së poshtme), a është i saktë ky mes’h apo duhet t’i lajë këmbët?

Përgjigje: Ka kundërshtim në këtë çështje. Një pjesë e dijetarëve thonë që nëse i jep mes’h njërës meste, të poshtmes apo të sipërmes, gjykimi bie mbi të dhe nuk lejohet t’i japë mes’h tjetrës. Një pjesë tjetër e dijetarëve thonë që lejohet t’i japë mes’h tjetrës përderisa koha e mes’hit vazhdon të jetë. Psh nëse i jep mes’h të sipërmes e pastaj e heq dhe do të marrë abdes, i lejohet t’i japë mes’h xheurabit e cila është çorapja, sipas fjalës më të saktë. Gjithashtu nëse i jep mes’h të poshtmes dhe pastaj vesh mbi të meste tjetër, i lejohet t’i japë mes’h të sipërmes pa asnjë problem përserisa koha e mes’hit vazhdon të jetë – sipas fjalës më të saktë – por do llogaritet koha e mes’hit që nga momenti kur i ka dhënë mes’h mestes së parë dhe jo nga mes’hi i të dytës.

Pyetja 13: Shpeshherë njerëzit pyesin: Cila është mënyra e saktë e dhënies mes’h dhe vendi të cilit i jepet mes’h?

Përgjigje: Mënyra e dhënies mes’h është të kalojë dorën e tij të lagur që nga majat e gishtërinjve të këmbës e deri aty ku fillon kërciri. Vetëm kaq. Pra vendi të cilit i jepet mes’h është pjesa e sipërme e mestes, duke e kaluar dorën nga majat e gishtërinjve të këmbës deri aty ku fillon kërciri. Mes’hi bëhet me të dyja duart mbi të dyja këmbët, pra me dorën e djathtë i jep mes’h këmbës së djathtë dhe me dorën e majtë i jep mes’h këmbës së majtë. I jep mes’h me të dyja duart njëkohësisht, ashtu siç bën me veshët. Kjo është që kuptohet nga Suneti në pamje të jashtme, siç tha Mugirah bin Shubeh:”Dhe u dha mes’h të dyjave. Pra nuk tha: Filloi me të djathtën, por tha: U dha mes’h të dyjave. Kjo është që kuptohet nga hadithi. Po, nëse dikujt nuk i funksionon njëra dorë, i jep mes’h me dorën tjetër të dy këmbëve, duke filluar me të djathtën dhe pastaj të majtën.

Shumë njerëz i japin mes’h të djathtës duke përdorur të dyja duart dhe po ashtu të majtës me të dyja duart. Me aq sa di unë, kjo është diçka pabazë sepse dijetarët thonë: I jep mes’h me dorën e djathtë këmbës së djathtë dhe me dorën e majtë këmbës së majtë.

Pyetja 14: Shohim disa persona që i japin mes’h pjesës së poshtme së mes’hit dhe pjesës së sipërme, çfarë gjykimi ka ky mes’h që ata bëjnë dhe çfarë gjykimi ka namazi i tyre?

Përgjigje: Namazi i tyre është i saktë dhe abdesi i tyre është i saktë, por duhet t’u tërhiqet vërejtja se mes’hi i pjesës së poshtme nuk është nga suneti. Transmetohet në librat e Sunetit se Ali bin Ebi Talib ka thënë:”Sikur të ishte feja me llogjikë, do ishte pjesa e poshtme e mestes më parësore për t’i dhënë mes’h sesa pjesa e sipërme. E kam parë Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, duke i dhënë mes’h pjesës së sipërme të mesteve të tij”. (Ebu Daud nr 162 dhe 164) Ky hadith tregon se është e ligjëruar t’i jepet mes’h vetëm pjesës së sipërme.

Pyetja 15: Si ta kuptojmë fjalën e Ibn Abasit, radijallahu anhuma:”Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, nuk i ka dhënë mes’h pas zbritjes së sures Maide”, dhe fjalën e Aliut, radijallahu anhu:”Libri i Allahut u ka paraprirë mesteve?

Përgjigje: Nuk e di se sa e saktë është kjo që po thuhet nga ata dy sahabe. Unë përmenda më parë se Ali ibn Ebi Talib është ndër ata të cilët kanë transmetuar hadithet e mes’hit nga i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, dhe i ka transmetuar këto hadithe pas vdekjes së Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, duke bërë të qartë se i Dërguari i Allahut e ka caktuar kohën e mesteve, gjë e cila tregon se gjykimi i dhënies mes’h është i vlefshëm dhe i konsiderueshëm tek Aliu, radijallahu anhu, edhe pas vdekjes së Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem. Dhe siç dihet, pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut, salallahu alejhi ue selem, nuk mund të ketë anullim të dispozitave të sheriatit.

Pyetja 16: A janë të vlefshme dispozitat e mes’hit për gratë ashtu siç janë për burrat? A ka dallim mes në këtë gjë?

Përgjigje: Nuk ka asnjë lloj dallimi mes burrave dhe grave në këtë gjë. Duhet ta keni gjithmonë parasysh një rregull (parim bazë) i cili thotë: Origjina është që çdo gjykim që vërtetohet për burrat është i njëjtë edhe për gratë. Po ashtu dhe e kundërta, përveçse në ato gjëra ku ka argument që e dallon njërën palë nga tjetra me gjykim të veçantë.

Pyetja 17: Cfarë gjykimi ka nëse heq çorapen apo një pjesë të tij për të kruar këmbën apo për të hequr diçka si p.sh gur, etj?

Përgjigje: Nëse e fut dorën nën çorape nuk ka problem, ndërsa nëse e heq duhet të shohim: nëse e heq një pjesë të vogël nuk prish punë, ama nëse heq një pjesë të madhe të mes’hit, në mënyrë të atillë që e shfaq shumicën e këmbës, kjo e prish mes’hin.

Pyetja 18: Eshtë përhapur tek shumë njerëz ideja se mes’hi është vetëm për pesë namaze, pastaj duhet të marrin abdes për t’i dhënë mes’h përsëri?

Përgjigje: Po, është përhapur tek njerëzit e thjeshtë (auamët), të cilët mendojnë se mes’hi një ditë-natë do të thotë t’i japësh mes’h vetëm pesë namaze por kjo nuk është e saktë, sepse caktimi i mes’hit me një ditë-natë do të thotë: i lejohet t’i japë mes’h gjatë një dite dhe nate sado që të falet, fali pesë namaze apo më shumë. Që nga koha e veshjes së mestes, ai mund të falë 10 namaze apo edhe më shumë. Psh nëse një person i vesh mestet për namaz të sabahut ditën e hënë dhe e mban abdesin deri pas jacie kur të bie në gjumë (e cila është nata e së martës), pastaj kur të ngrihet nga gjumi për namazin e sabahut mëngjesin e së martës i jep mes’h për herë të parë, i lejohet t’i japë mes’h deri për namaz të sabahut të ditës së mërkurë. Pra, i bie të ketë falur me këtë meste veshur ditën e hënë sabahun, drekën, ikindinë, akshamin dhe jacinë, e gjithë kjo kohë nuk i llogaritet sepse është para se t’i japë mes’h. Pastaj të martën i dha mes’h për namaz të sabahut dhe u fal. Pastaj i dha mes’h për drekë dhe u fal. Pastaj në ikindi, aksham dhe jaci, dhe mund t’i japë mes’h për namaz të sabahut ditën e mërkurë para se t’i mbarojë koha e mes’hit. Pra nëse të martën i ka dhënë mes’h për namaz të sabahut në orën pesë fiks, i lejohet të mërkurën t’i japë mes’h për namaz të sabahut në orën pesë pa një çerek dhe e mban atë abdes derisa të falë jacinë e asaj dite (e cila i bie të jetë nata e së enjtes), duke falur sabahun e së mërkurës, drekën, ikindinë, akshamin dhe jacinë. Pra i bie të ketë falur 15 namaze që kur i ka veshur mestet, sepse i veshi në namaz të sabahut të hënën, e mbajti abdesin e tij e pastaj i dha ka dhënë mes’h në mëngjesin e së martës në orën pesë, dhe i ka dhënë mes’h për namaz të sabahut të mëkurën në orën pesë pa një çerek dhe e ka mbajtur abdesin deri në jaci, duke falur kështu 15 nanaze.

Pyetja 19: Nëse një person merr abdes dhe i jep mes’h, pastaj gjatë kohës së mes’hit i heq mestet, psh para namazit të ikindisë, a i lejohet të falet dhe a është i saktë ai namaz apo abdesi i tij prishet me heqjen e mesteve?

Përgjigje: Mendimi më i saktë nga mendimet e dijetarëve është se abdesi nuk prishet me heqjen e mesteve. Këtë mendim ka zgjedhur shejhul islam Ibn Tejmijeh dhe një grup dijetarësh. Pra nëse i heq mestet pasi i ka dhënë mes’h, abdesi i tij nuk prishet sepse pastërtia e tij me dhënien mes’h është e plotë dhe e vërtetuar me argument nga sheriati. Kështu që kur e heq mesten vazhdon të mbetet me të ajo pastërti, e cila nuk mund të hidhet poshtë veçse me argument nga sheriati, dhe nuk ka argument që vërteton se heqja e mesteve e prish abdesin. Pra abdesi është i saktë dhe vazhdon të jetë, por nëse e vesh mesten për së dyti nuk i lejohet t’i japë mes’h (derisa të marrë abdes duke i larë këmbët). Kjo është që unë di nga fjalët e dijetarëve.

Mes’hi mbi imameh (çallmë)

Pyetja 20: A lejohet mes’hi mbi amaim (shumësi i fjalës imameh/çallmë)? Cfarë kushtesh ka për këtë? Cila është forma e imames?

Përgjigje: Dhënia mes’h mbi imameh është ndër gjërat të cilat janë transmetuar në sunetin e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem. Pra lejohet t’i jepet mes’h. I jepet mes’h të gjithës ose pjesës më të madhe të saj. Gjithashtu nga suneti është që së bashku me imamen t’i japë mes’h asaj pjese të kokës që ka ngelur pa mbuluar, si psh balluket ose pjesa anësore e kokës dhe veshët. (Siç transmetohet në Buhari nr. 205 dhe Muslim nr. 274).

Pyetja 21: A ka të njëjtin gjykim shimagu (shamia e kokës që përdorin Arabët) dhe khimari (mbulesa e kokës së gruas)?

Përgjigje: Përsa i përket shimagut dhe takijes, këto nuk marrin gjykimin e imames në mënyrë absolute. Ndërsa kapuçi që vishet dimrit, i cili e mbulon të gjithë kokën së bashku me veshët dhe që mund ta ketë pjesën e poshtme që mbështillet rreth qafës, ky është njësoj si imameh sepse ka vështirësi në heqjen e tij, prandaj i lejohet t’i japë mes’h. Përsa i përket grave, sipas medhhebit të imam Ahmedit (në fjalën më të njohur nga ai), lejohet t’i japin mes’h mbi khimar nëse është i mbështjellur nën fyt, sepse kjo është transmetuar nga disa gra të sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me to.

Pyetja 22: A lejohet t’i jepet mes’h qeleshes?

Përgjigje: Ajo që unë shoh në këtë çështje është që nëse nuk ka vështirësi në heqjen e qeleshes, nuk lejohet t’i japë mes’h sepse më shumë i ngjan takijes dhe origjina është: t’i jepet mes’h kokës derisa të bëhet e qartë që kësaj gjëje lejohet t’i jepet mes’h.

Mes’hi mbi xhebirah

Pyetja 23: Cfarë gjykimi ka mes’hi mbi xhebirah? Cili është argumenti i ligjshmërisë së saj nga Kurani dhe Suneti?

Përgjigje: Së pari duhet të kuptojmë çfarë është xhebirah. Xhebirah në origjinën e saj është çdo gjë me të cilën përmirësohet thyerja, ndërsa në përkufizimin e fukahave është për qëllim ajo çfarë vendoset në pjesët e abdesit për një shkak të caktuar, si psh allçia që përdoret në kockat e thyera ose fashoja me të cilën lidhet plaga, apo çfarë vendoset në shpinë për shkak të dhimbjeve, e të tjera të ngjashme si këto. Pra mes’hi mbi këto gjëra e zëvendëson larjen e asaj pjese. Psh nëse në parakrahun e atij që po merr abdes ka plagë të mbështjellur me fasho, pa të cilën nuk bën dot, i lejohet që t’i japë mes’h fashos në vend të larjes dhe kjo konsiderohet pastërti e plotë. Dmth nëse e heq fashon, abdesi i tij nuk prishet por vazhdon të jetë i saktë, sepse pastërtia e tij është kryer dhe plotësuar sipas sheriatit dhe nuk ka argument që tregon se heqja e fashos e prish abdesin.

Ka kundërshtim mes dijetarëve rreth saktësisë së argumenteve të cilat vërtetojnë ligjshmërinë e dhënies mes’h mbi xhebirah. Ka disa hadithe të dobëta, në të cilat janë mbështetur disa dijetarë, ndërsa disa të tjerë thonë: Ky grup hadithesh forcojnë njëra tjetrën dhe mund të merren si argument. Disa dijetarë të tjerë thonë: Hadithet janë të dobëta dhe si të tillë nuk mund të nxirret gjykim prej tyre. Kjo palë e dijetarëve kanë rënë në kundërshtim mes tyre në lidhje me gjykimin e asaj pjese në të cilën gjendet xhebirah. Dikush ka thënë që në këtë rast nuk e ka detyrë larjen e asaj pjese të abdesit ose larjen e vendit ku gjendet xhebirah, sepse nuk ka mundësi për diçka të tillë. Dikush tjetër thotë: të marrë tejemum për atë pjesë dhe mos t’i japë mes’h.

Fjala më e saktë dhe më afër rregullave të sheriatit është që t’i japë mes’h, pa marrë parasysh hadithet e dobëta të cilat janë transmetuar në këtë çështje, dhe nuk ka nevojë për tejemum sepse mes’hi mjafton. Duke u nisur nga kjo themi që: plaga e cila gjendet në një nga pjesët e abdesit ka disa situata.

Situata e parë: Të jetë plaga e zbuluar dhe nuk i bën dëm larja. Në këtë rast e ka detyrë larjen.

Situata e dytë: Të jetë plaga e zbuluar dhe i bën dëm larja por nuk i bën dëm mes’hi. Në këtë rast e ka detyrë mes’hin, jo larjen.

Situata e tretë: Të jetë plaga e zbuluar dhe i bën dëm larja, gjithashtu dhe mes’hi. Në këtë rast merr tejemum për atë pjesë.

Situata e katërt: Të jetë plaga e mbuluar me fasho apo diçka të ngjashme pa të cilën nuk bën dot. Në këtë rast i jep mes’h mbi fasho dhe kjo i mjafton në vend të larjes së asaj pjese.

Pyetja 24: A ka kushte mes’hi mbi xhebirah, si psh mos të jetë më shumë sesa nevoja reale?

Përgjigje: Xhebiras i jepet mes’h vetëm nëse është e nevojshme diçka e tillë dhe duhet të përcaktohet me aq sa e kërkon nevoja, ama duhet të dihet se nevoja nuk përkufizohet vetëm në vendin e dhimbjes apo të plagës, por përfshin dhe aq sa është e nevojshme për t’u lidhur dhe qëndruar fashoja apo xhebirah.

Pyetja 25: A hyn tek xhebirah copat mbështjellëse, si psh garzat, etj.?

Përgjigje: Po, hyn dhe kjo. Me këtë rast duhet ta dimë se xhebirah nuk ka kohë të caktuar, ashtu siç është mes’hi mbi meste. Përkundrazi, lejohet t’i japë mes’h për sa kohë që ka nevojë për diçka të tillë, si dhe lejohet t’i japë mes’h xhebiras në papastërtinë e vogël dhe në papastërtinë e madhe. Pra nëse i bëhet obligim gusli, lejohet t’i japë mes’h ashtu siç i jep në abdes, në ndryshim nga mes’hi mbi meste (në të cilin nuk lejohet diçka e tillë).

Pyetja 26: Cila është mënyra e dhënies mes’h mbi xhebirah? A duhet t’i japë mes’h të gjithës apo vetën një pjese prej saj? Ju lutemi me hollësi.

Përgjigje: Po, i jep mes’h të gjithës, sepse rregulli është që: zëvendësuesi ka të njëtin gjykim të atij që ka zëvendësuar derisa të vijë argument nga suneti që tregon të kundërtën. Në rastin tonë mes’hi është zëvendësues i larjes. Dhe ashtu siç është obligim larja e të gjithë pjesës në abdes, po ashtu e ka detyrë t’i japë mes’h të gjithë xhebiras, ndërsa mes’hi mbi meste është lehtësim në të cilin është lejuar të mjaftohet me mes’hin e një pjese prej tij, sepse kështu është transmetuar në sunet.