MERTESA (4)

Autor: Dijetari i madh
Muhamed ibën Salih el Uthejmin
(Allahu e mëshiroftë!)
Përktheu: Enes Ajdini


 

7

Urtësia e martesës

 

Para se ta shqyrtojme këtë çështje në hollësi, është e domosdoshme që ta kemi më se të qartë se të gjitha dispozitat e legjistlaturës islame përmbajnë urtësi në vetvete dhe që të gjitha këto dispozita janë me vend dhe se asgjë nuk është përcaktuar më kot apo gabimisht.

E si mund të ndodhë ndryshe, pasi që dihet se ato janë përcaktim i të Urtit, të Mirënjohurit?! Mirëpo, a thua vallë se këto urtësi janë të perceptueshme për të gjitha krijesat?

Njeriu është i kufizuar në dijen, mendjen dhe perceptimin e tij. Është e pamundur për të që të jetë në gjendje t’i kuptojë dhe t’i dijë të gjitha gjërat. Allahu i Madhëruar thotë: “Juve nuk ju është dhënë prej dijes, veçse pak.” [El Isra 85].

Pra, është detyrë për ne që të jemi të kënaqur me dispozitat e sheriatit, pa marrë parasysh faktin nëse e dimë apo jo urtësinë e tyre. Nëse ne nuk e kemi të qartë urtësinë e ndonjërës prej këtyre dispozitave, kjo kurrësesi nuk do të thotë se në të nuk ka urtësi, por e vërteta është se mangësia qëndron në mendjet dhe të kuptuarit tonë në lidhje me perceptimin e asaj urtësie. Prej urtësive të ligjshmërisë së martesës përmendim:

1. Ruajtja e moralit dhe nderit të dy bashkëshortëve.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “O ju të rinj, kush prej jush është në gjendje të martohet le të martohet, sepse martesa ndihmon për shmangien e shikimit (prej harameve) dhe bëhet shkak për ruajtjen e nderit. Ndërsa ai i cili nuk është në gjendje të martohet le të agjerojë, sepse agjërimi e dobëson epshin e tij.”[1]

2. Ruajtja e shoqërisë prej të këqijave dhe imoralitetit.

Sikur të mos ishte martesa do përhapeshin mes njerëzve ndyrësitë dhe shthurjet.

3. Martesa mundëson të kënaqurit e ndërsjelltë midis dy bashkëshortëve.

Ajo përcakton qartë të drejtat dhe detyrimet e tyre karshi njëri-tjetrit. Është detyrë e burrit që të përkujdeset për bashkëshorten e vet duke shpenzuar prej pasurisë së tij, sipas mundësisë që ka, në plotësimin e nevojave të domosdoshme të saj, siç janë: banesa, ushqimi, veshja etj.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Është e drejtë e tyre (grave) ndaj jush që t’i ushqeni dhe vishni, sipas mundësisë që keni.”[2]  Po ashtu edhe gruaja i vjen burrit në ndihmë duke kryer detyrimet që ka karshi tij, duke u kujdesur për mbarëvajtjen e shtëpisë dhe kujdesin ndaj familjes.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “… kurse gruaja është bareshë (përgjegjëse) në shtëpinë e bashkëshortit të saj dhe mban përgjegjësi për atë që ka në ngarkim.”[3]

4. Martesa është shkak për lidhjen dhe afrimitetin e njerëzve.

Sa e sa familje të cilat as që njiheshin me njëra-tjetrën, bashkohen për shkak të martesës dhe formojnë lidhje ndërmjet tyre?! Ashtu siç edhe e kemi përmendur më lart, Allahu i Madhëruar e ka vendosur martesën  në të njëjtin nivel me lidhjen farefisnore si formues të lidhjeve familjare.

5. Martesa mundëson ekzistencën normale të racës njerëzore.

Pra, është martesa ajo e cila siguron trashëgiminë dhe rigjenerimin e brezave. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj i Cili ju krijoi prej një veteje (njeriu) dhe nga ai krijoi palën (shoqen) e tij, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra.” [En Nisa 1].

Po të mos ishte martesa, me siguri që do të ndodhte njëra prej dy gjërave:

a) Zhdukja e njerëzimit.

b) Ekzistenca e disa njerëzve të ardhur në jetë si pasojë e imoralitetit dhe shthurjes. Njerëz të cilëve nuk u dihet origjina dhe që nuk e njohin moralin.

Në mbyllje të kësaj nënteme dëshiroj të bëj të qartë gjykimin e sheriatit në lidhje me të ashtuquajturin kufizim të lindjeve. Kufizimi i lindjeve, pra kufizimi dhe përcaktimi i numrit të fëmijëve bie ndesh me natyrën dhe kërkesat e sheriatit. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  i urdhëroi besimtarët që të martohen me gratë  e dashura, të cilat lindin shumë fëmijë, duke na treguar se ai do lavdërohet me numrin tonë para popujve ose profetëve.

Juristët islamë kanë thënë: “Preferohet për martesë ajo femër për të cilën mendohet se lind shumë. Kjo mund të vihet re nëse ajo ka qenë më parë e martuar dhe njihet për lindje të shpeshta, apo mund të vihet re tek të afërmet e saj si nëna apo motrat, nëse nuk ka qenë e martuar më parë.”

Pastaj, me të drejtë lind pyetja: Cila është arsyeja e cila e bën të nevojshëm kufizimin e lindjeve?! A është frika se mos po pakësohet rrizku e furnizimi?! Apo është mendimi se numri i madh i fëmijëve e vështirëson edukimin e tyre?

Nëse është e para, atëherë ky  do të ishte një mendimi i keq për Allahun e Madhëruar. I Madhërishmi nuk i ka krijuar krijesat, veçse u ka përcaktuar atyre furnizim. Ai thotë: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ja ketë garantuar furnizimin e saj.” [El Hud 6].

Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “Sa e sa gjallesa janë që nuk kanë mundësi për furnizimin e vet. Allahu i furnizon ato edhe juve. Ai është Dëgjuesi i Dijshmi.” [El Ankebut 60]. Ndërsa në lidhje me ata të cilët fëmijët e tyre i vrasin prej frikës së varfërisë thotë: “Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve.” [El Isra 31].

Nëse ekziston mendimi se numri i madh i fëmijëve e vështirëson edukimin e tyre, atëherë themi se ky mendim është i gabuar. Sa e sa fëmijë të pakët në numër i lodhin prindërit e tyre gjatë përpjekjes së tyre për t’i edukuar?! Ndërsa në të kundërt, janë të shumta ato familje me shumë fëmijë të cilat e përsosin edukimin e fëmijëve të tyre. Nuk duhet harruar se vështirësia apo lehtësimi në lidhje me edukimin e fëmijëve është në varësi të suksesit që Allahu i Madhëruar i jep robërve të Tij.

Sa më i devotshëm të jetë njeriu dhe sa më shumë kujdes të tregojë në zbatimin e dispozitave dhe kërkesave të sheriatit, aq më tepër Allahu ia lehtëson çështjet. Allahu thotë: “E kush i frikësohet Allahut, Ai atij ia lehtëson çështjet.” [Et Talak 4].

Pasi që u bë e qartë se kufizimi i lindjeve bie ndesh me dispozitat e sheriatit, lind pyetja: A është planifikimi familjar, duke e shtyrë shtatzaninë për shkak se gjendja e gruas nuk është e përshtatshme për të, i njëjtë me kufizimin e lindjeve?

Përgjigja është: Jo, nuk është planifikimi familjar në këtë rast aspak i ngjashëm me kufizimin e lindjeve. Ajo që kam për qëllim me planifikimin familjar është që të përdorin bashkëshortët, apo vetëm njëri prej tyre ndonjë mënyrë e cila bëhet pengesë për shtatzaninë në ndonjë periudhë të caktuar kohe (jo përherë).

Pra, ky lloj veprimi është i lejuar nëse bëhet me pëlqimin e të dy bashkëshortëve dhe është e nevojshme, siç është rasti kur gruaja është e dobët e shëndetligë dhe shtatzania do t’ia përkeqësonte edhe më tepër shëndetin. Në këtë rast i lejohet asaj përdorimi i medikamenteve apo tabletave të cilat e pengojnë shtatzaninë, kjo pasi të ketë marrë edhe pëlqimin e burrit.

Pra, përdorimi i këtyre medikamenteve të cilat e pengojnë shtatzaninë për një periudhë kohe, është i lejuar. Është transmetuar se në kohën e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) sahabët ndonjëherë e bënin jashtë mitrës ejakulimin dhe nuk u ndaluan nga ky veprim. Ejakulimi jashtë nga ana e mashkullit është pa dyshim prej shkaqeve që e pengojnë shtatzaninë.

8

Detyrimet  e lindura nga  martesa

 

Martesa bëhet shkak për lindjen e një sërë detyrimesh, ndër to përmendim:

1. Deturueshmëria e dhënies së mehrit.

Mehri është pasuri të cilën burri ja jep nuses së tij si pasojë e lidhjes së aktit martesor. Dhënia e mehrit është detyrë për burrin, pa marrë parasysh nëse përmendet apo jo në aktin e martesës.

Nëse shuma e mehrit përcaktohet që në lidhjen e aktit martesor, atëherë është detyrë për bashkëshortin që ta japë atë, qoftë pak apo shumë, ashtu siç përmendet në akt. Nëse mehri nuk është përmendur gjatë aktit të martesës atëherë burri është i detyruar që t’i japë asaj mehrin e përafërt, të bashkëmoshatareve të saj në atë vend.

Mehri mund të jetë pasuri materiale, ashtu siç mund të jetë edhe përfitim. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) njërit prej sahabëve i përcaktoi si mehr për martesë, që t’i mësonte bashkëshortes së tij diçka prej Kuranit përmendësh.[4]

Është e pëlqyeshme që shuma e mehrit të jetë e vogël. Sa më i pakët dhe i mundshëm të jetë mehri aq më mirë do të ishte, duke marrë si shëmbëlltyrë sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Mehri i pakët është shkak për arritjen e begatisë, e sa më i pakët të jetë mehri aq më e bereqetshme bëhet martesa.

Muslimi ka transmetuar në “Sahihun” e tij se njëri prej sahabëve të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha atij:  

-O i Dërguari i Allahut, u martova!

-E sa i përcaktove për mehër bashkëshortes? – e pyeti i Dërguari i Allahut ((Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

-Katër okë (një qind e gjashtëdhjetë dirhem argjend).

– Katër okë?! Ju sikur e nxirrni argjendin prej shpatit të këtij mali! Nuk kemi ç’të të japim, por ndoshta të nisim në ndonjë ekspëditë e po përfiton prej saj.”[5]

Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Mos e shtrenjtoni mehrin e grave! Nëse shtrenjtimi i tij do të ishte nderim në këtë botë apo devotshmëri në botën tjetër, do t’ju paraprinte në të i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ai nuk i përcaktoi ndonjërës prej bashkëshorteve të tij për mehër më tepër se dymbëdhjetë okë. Po ashtu edhe vajzat e tij, nuk qe mehri i ndonjërës prej tyre më tepër se dymbëdhjetë okë, ndërsa një okë është i barabartë me dyzetë dirhem.”

Shtrenjtimi i mehrit këto vitet e fundit ka ndikuar tepër negativisht, pasi kjo dukuri është bërë shkak për pengimin e martesës së shumë të rinjve dhe të rejave, sa që burrit për përgatitjen e mehrit i duhen vite të tëra pune. Prej dëmeve që shkaktohen si pasojë e shtrenjtimit të mehrit përmendim:

a) Pengimi i martesës së shumë të rinjve dhe të rejave.

b) Mehri është preokupimi kryesor i shumë prej kryefamiljarëve të vajzës, pasi e shohin atë si përfitimin kryesor që do të marrin prej të fejuarit të saj. Nëse shuma që ai ofron është e majme ata bien dakord, kjo edhe nëse ai nuk është i përshtatshëm për të dhe si rrjedhojë mund të ketë edhe pasoja në të ardhmen. Nëse shuma që ai ofron është e pakët, ata e kthejnë mbrapsht të fejuarin, edhe pse ai mund të jetë me fe dhe moral të mirë.

c) Në qoftë se bashkëshorti është i pakënaqur prej bashkëshortes së vet dhe mehri që ai i ka dhënë asaj është një shumë goxha e madhe, atëherë ai do të përpiqet t’ia bëjë jetën skëterrë bashkëshortes së vet, me qëllim që e gjora të detyrohet të kërkojë divorcin tek gjykatësi, në këmbim të kthimit të mehrit të shoqit. Në të kundërt, po qe se mehri do të ishte një shumë modeste, bashkëshorti i saj nuk do ta vriste mendjen shumë për të. Nëse ai e shikon të pamundur ecurinë e martesës së tyre, do ta ndante bashkëshorten pa i bërë padrejtësi asaj.

Sikur njerëzit të tregoheshin më të matur për sa i përket mehrit dhe secili të përpiqej për pakësimin e tij kur e ka në dorë këtë, atëherë një dukuri tepër pozitive do të shfaqej në mesin e shoqërisë. Njerëzit nuk do ta ndjenin më veten në siklet si dhe do t’u hapej drita jeshile për martesë shumë burrave dhe grave. Mirëpo është për të ardhur keq, kur vëren se njerëzit garojnë se kush po e ngre mehrin më tepër se tjetri! Në çdo vit atij i shtojnë diçka të re e cila nuk ka qenë e njohur më parë dhe nuk dihet se në ç’pikë do të arrijnë.

Një traditë e mirë lidhur me këtë dukuri është ajo që veprojnë disa njerëz, e sidomos beduinët të cilët pasi që e përcaktojnë shumën e mehrit, një pjesë të tij e japin në çast, ndërsa pjesën tjetër e afatizojnë në të ardhmen. Në këtë mënyrë edhe bashkëshorti e ka disi më të lehtë.

2. Përkrahja financiare.

Është detyrë e bashkëshortit që të shpenzojë për bashkëshorten e vet, me aq sa ka mundësi. T’i sigurojë asaj ushqimin, pijen, veshjet dhe banesën. Në qoftë se ai tregon koprraci ndaj asaj që e ka për detyrë, do të ishte gjynahqar. Në këtë rast i lejohet bashkëshortes që të marrë prej pasurisë së tij aq sa i nevojitet, apo të marrë borxh në emrin e burrit, i cili e ka për detyrë ta shlyejë atë.

Prej shpenzimeve që i takojnë burrit është edhe gostia e dasmës. Me të është për qëllim ushqimi të cilin burri e përgatit gjatë ditëve të dasmës e me të cilin i gostit njerëzit. Gostia e dasmës është sunet me të cilin jemi porositur. Argument për këtë është vepra e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pasi ai kështu ka vepruar, madje edhe ka urdhëruar për të.

Duhet patur parasysh që gjatë dasmës të mënjanohen harxhimet e tepërta dhe shpërdorimi. Shpenzimet e dasmës duhet të jenë të pranueshme për gjendjen ekonomike të burrit. Ndërsa përsa i përket asaj çka veprojnë shumë  njerëz në kohën e sotme duke harxhuar dhe shpërdoruar pa masë, një veprim i tillë është i papranueshëm, pasi pjesa më e madhe e këtyre harxhimeve nuk sjell ndonjë dobi.

3. Traditat që kanë të bëjnë me dy bashkëshortët ndërmjet njëri tjetrit.

Allahu i Madhëruar ka vendosur ndërmjet dy bashkëshortëve dashuri dhe mëshirë. Lidhja e tyre e bën të domosdoshënm zbatimin e disa detyrimeve të ndërsjellta ashtu siç janë të përcaktuara në traditën islame. Kur do që krijohen lidhje apo marrëdhënie të caktuara ndërmjet njerëzve, lindin domosdoshmërisht të drejta dhe detyrime reciproke, varesisht nga shkalla e lidhjes së krijuar.

4. Ndalesat martesore.

Burrit i ndalohet martesa me nënën dhe gjyshet e bashkëshortes së tij, sado të largëta qofshin ato. Gjithashtu atij i ndalohet martesa me vajzat e bashkëshortes së vet të cilat i ka me burrë tjetër para tij, e po ashtu i ndalohet martesa me vajzat e fëmijëve të bashkëshortes së vet (mbesat e bashkëshortes). Kjo me kusht që ai të ketë kryer marrëdhënie intime me nënën e tyre (dhe jo thjesht të ketë bërë aktin e martesës). Po ashtu edhe gruaja është e ndaluar të martohet me babain e bashkëshortit të saj dhe gjyshërit e tij, sado të largët qofshin ata, si dhe me fëmijët (dhe niprit) e bashkëshortit të saj (që i ka me grua tjetër).

5. Trashëgimia

Nëse një burrë lidh akt martesor të saktë (brenda rregullave) me një grua, atëherë ata të dy e trashëgojnë njëri-tjetrin. Argument për këtë është Fjala e Allahut të Madhëruar: “Nga ajo që lënë gratë tuaja, juve ju takon për pjesë gjysma në qoftë se ato nuk kanë fëmijë, por në qoftë se lënë një fëmijë, ju takon një e katërta e asaj që mbetet pas dhënies së amanetit që ato lënë me dëshirën e tyre, ose pas shlyerjes së borxheve. Nga ajo që lini ju, pjesa e atyre (grave tuaja) është një e katërta, nëse nuk lini pas fëmijë, por nëse lini një fëmijë, atëherë atyre u takon një e teta e asaj që mbetet pas dhënies së amanetit që ju lini me dëshirën tuaj ose pas shlyerjes së borxheve.” [En Nisa, 12]. Në këtë rast nuk ka dallim dhe nuk përbën problem fakti se a ka kryer bashkëshorti marrëdhënie intime me të shoqen ose është veçuar me të apo jo.

 

9

Vendimi i sheriatit në lidhje me divorcin

dhe gjërat që duhen patur parasysh në lidhje me të

Vijon … 

 

 


[1] E kemi shfaqur më parë analizën e këtij hadithi.

[2] E ka transmetuar Ahmedi [vell. 5, faq. 73], Ebu daudi, kapitulli El Menesik- Dispozitat e Haxhit, tema: Forma e Haxhit të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!, me nr [1905] dhe Ibën Maxhe, kapitulli El Menesik- Dispozitat e Haxhit, tema: Haxhi i Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!, me nr [3074]  

[3] E kemi shfaqur më parë analizën e këtij hadithi (shiko faqen 6).

[4] E ka transmetuar Buhariu, kapitulli i martesës, tema: “Tezuixhul muasiri – Martesa e atij që e ka gjendjen ekonomike  të keqe me nr. 5087. E transmeton gjithashtu Muslimi  në kapitullin me të njejtin titull, tema: “Es sadaku ue xheuezu keunihitealimul Kuran – Mehri dhe lejueshmëria e qënies së tij mësim i Kuranit” me nr. 1425

[5] E transmeton Muslimi  në kapitullin e martesës, tema: “Nedbun nedhari ilel mer’ati – Pëlqyeshmëria e shikimit të bashkëshortes” me nr. 1424