Autor: Dijetari i madh
Muhamed ibën Salih el Uthejmin
(Allahu e mëshiroftë!)

Përktheu: Edmond Ajdini

 

Parathënie

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut. Vetëm Atë falënderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje të gjynaheve tona. I kërkojmë mbrojtje Allahut prej ligësisë së shpirtrave tanë dhe të këqijave të punëve tona. Atë që Allahu e udhëzon nuk ka kush ta humbasë dhe atë që Allahu e humb, nuk ka kush ta udhëzojë.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një të Vetëm e të Pashok dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij. Paqja e Allahut dhe bekimet e pashtershme qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij!

Ndihem vërtet i lumtur që m’u dha rasti të marr pjesë në keto leksione të këtij manifestimi kulturor, të cilin e organizojnë “Fakulteti i Sheriatit (legjislacionit islam)” dhe ai i “Gjuhës arabe” këtu në qytetin e Kasim-it. Ajo ç’ka i jep zë gëzimit tim, është pikërisht dobia, që shpresoj ta përfitoj unë vetë dhe kushdo që do të dëgjojë apo lexojë ligjëratën time, me dëshirën e Allahut. E lus Allahun e Madhëruar që t’i bëjë të gjitha punët tona, të sinqerta në kërkim të kënaqësisë së Tij dhe në përputhje me atë që Ai e do dhe është i kënaqur me të!

Mirëpo, unë para se të hyj në zemër të temës të cilën e kam përgatitur, do të kisha dëshirë të flisja dy fjalë në lidhje me atë realitet të hidhur të cilin ne të gjithë e përjetojmë. Bëhet fjalë për faktin se feja islame sot luftohet në shumë drejtime:

1. Nga ana ideologjike.

2. Nga ana morale.

3. Nga ana e besimit.

Është më se e natyrshme, që sa herë të forcohen dhe egërsohen këto sulme ndaj fesë sonë, të ketë në ballafaqim kundërveprues dhe neutralizues në të njëjtin nivel, madje pse jo, edhe më superior se ato. E nëse nuk ndodh kështu, atëherë vërtet Islamin e ka kapluar një disfatë e rëndë.

S’ka dyshim se kjo është detyrë parësore e dijetarëve dhe e prijësave te fesë në veçanti, të cilët duhet të përpiqen me të gjitha forcat për t’i ndaluar këto rryma të cilat u janë vërsulur muslimanëve nga të gjitha anët. Ato kanë bërë që muslimanët e thjeshtë, madje edhe intelektualët prej tyre të jenë te hutuar dhe konfuzë; nuk dinë se nga t’ja nisin për të reaguar.

Kemi dëgjuar shpesh prej armiqve të islamit të thonë: Përqëndrimi ynë parësor duhet të jetë mbi Mbretërinë e Arabisë Saudite, pasi ajo është djepi i fesë islame, pikëreferimi i muslimanëve dhe udhëheqja e tyre. Pikërisht për këtë arsye, vazhdimisht hasim sulme të egra, të njëpasnjëshme dhe intriga të shumta, të përpiluara me delikatesë dhe dinakëri, të adresuara në drejtim te mbretërisë sonë.

Nëse qytetari i kësaj mbretërie, e sidomos dijetarët dhe intelektualët e sinqertë të saj, nuk i bëjnë ballë kësaj stuhie dhe t’i përplasin derën në fytyrë, atëherë nuk është çudi kur ajo t’u shkundë themelet e t’u shëmbë muret, e atëherë vërtet do të shihni gjëra për të cilat do t’u vijë hidhur.

Ajo çka del si detyrë për ne vëllezër, karshi këtyre rrymave është:

1. Njësimi i thirrjes sonë.

2. Bashkimi dhe njësimi i përpjekjeve tona.

3. Të mos lejojmë që armiku të gjejë në mesin tonë pikëmbështetje dhe ndihmëtar.

Mirëpo, unë e them me sinqeritet të plotë se edhe pse ne punojmë për realizimin e kësaj dhe qëllimi ynë mund të jetë i përbashkët, në të vërtetë nuk gjen dy persona bashkë, përveç atyre që Allahu u ka dhënë sukses, të punojnë duke ndjekur metodologji të njëjtë në realizimin e këtij qëllimi. Prandaj e theksoj edhe një here se është detyrë e domosdoshme për dijetarët e këtij vatani, pa marrë parasysh se ku ndodhen, në Rijad, Hixhaz, Kasim apo tjetërkund, që ta njësojnë fjalën e tyre dhe t’i kushtojnë këtyre çështjeve një rëndësi parësore, sepse për mendimin tim, ato me të vërtetë janë çështje serioze e delikate.

Ky problem kërkon një studim rrënjësor dhe të gjithanshëm, ku pjesë e problemit në të duhet të jenë mjetet e komunikimit masiv (mass media), aktivitetet kulturore, programet mësimore, si dhe pa harruar këtu shtrembërimet morale dhe largimin e njerëzve nga mësimet bazë të fesë së tyre dhe degët e saj.

Gjithashtu është për të ardhur keq kur shikon se si shumë prej nxënësve të dijes, në vend që t’i preokupojë marrja e dijes dhe të punuarit me të, i gjen ata të rendin pas dynjasë dhe grumbullimit të pasurisë. E kjo patjetër që e dobëson thirrjen e tyre për tek e mira dhe bëhet pengesë për pranimin e saj nga ana e njerëzve të thjeshtë. Morali i thirrësit luan nje rol më se të rëndësishëm në pranimin e asaj për tek e cila ai thërret. Nëse populli i thjeshtë nuk do të shihte tek dijetarët dhe thirrësat veçse të rendurit e tyre pas pasurisë dhe kënaqësive të kasaj bote, ashtu siç veprojnë edhe njerëzit e rëndomtë, atëherë ata kurrsesi nuk do të kenë besim tek ata dhe nuk do të ndikoheshin prej dijes dhe udhëzimit të tyre për tek e mira.

E njëjta gjë vlen edhe për udhëheqësit tanë. Është detyrë e jona që ata t’i këshillojmë, ashtu siç ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Feja është këshillë”, dhe e ka përsëritur këtë tre herë. (Sahabët) Thanë: “Për kë o i Dërguari i Allahut?” Tha: “Për Allahun, Librin e Tij, të Dërgarin e Tij, për prijësit e muslimanëve dhe popullin në përgjithësi.”[1]

Pra, e theksoj edhe një herë se është detyrë e jona që t’i këshillojmë prijësit tanë dhe nuk duhet që asnjëri prej nesh të mendojë se kjo është detyrë e një, dy, tre apo katër vetëve që të jenë këshilltarë të prijësave.

Nëse këshilla e përzemërt do t’u drejtohej atyre nga shumë persona dhe e vërteta do t’u bëhej e qartë nga të gjitha anët, atëherë me siguri që ata do ta pranojnë atë dhe do të ndjekin udhëzimin e pastër dhe metodologjinë e drejtë, rrugën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), gjë për të cilën lusim Allahun e Madhëruar që t’u japi sukses në zbatimin dhe realizimin e saj, haptazi dhe në fshehtësi!

Po ashtu, edhe në lidhje me popullin e thjeshtë, për fatin e keq gjejmë në shumicën e xhamive se imamët e tyre janë injorantë dhe shumë pak të arsimuar. Ata nuk i udhëzojnë njerëzit, nuk i këshillojnë dhe shumë pak u tërheqin vërejtje atyre. Ndryshe ishte realiteti kohë më parë, atëherë kur njerëzve ende nuk u ishte hapur dynjaja me stolitë e saj, imami edhe pse ndoshta nuk ishte nxënës i dijes, ai merrte ndonjë libër të cilin e shihte të përshtatshëm dhe ua lexonte njerëzve e përfitonin prej tij.

Ndërsa sot, në shumicën e xhamive kjo nuk ndodh. Imami nuk e vret shumë mendjen që t’i udhëzojë njerëzit dhe t’i këshillojë ata për atë që u bën dobi atyre, e si rrjedhojë i gjen njerëzit tepër injorantë dhe të paditur në lidhje me fenë e tyre. E gjithë kjo si pasojë e neglizhencës së drejtuesve të fesë dhe autoriteteve fetare. Pra, le të bashkohemi vëllezër dhe t’i unifikojmë përpjekjet tona, t’i këshillojmë prijësit tanë dhe të përpiqemi me të gjitha forcat që ta udhëzojmë popullin tonë, duke mos e kursyer ndaj tyre këshillën, në xhami, rrugë apo kudo ku mund të arrijë zëri ynë.

Një tjetër çështje e rëndësishme e cila ia vlen të përmendet është edhe hendeku i krijuar midis rinisë dhe prijësave fetar, hendek ky i cili ka bërë që rinia të jetë në një dilemë dhe qorrsokak, larg prej udhëzimit të drejtë. E fajtor për këtë është neglizhenca e të moshuarve ndaj të rinjve dhe përçmimi që tregohet ndaj mendimit dhe vullnetit të tyre. Është detyrë për ne që të jemi pranë tyre dhe problemeve që kanë. Të përpiqemi në gjetjen dhe eleminimin e atyre shkaqeve të cilat përbëjnë hendekun midis rinisë dhe fesë. E s’ka dyshim se nëse përcaktojmë sëmundjen, edhe kurimi bëhet më i lehtë.

Disa prej nesh kur dëgjojnë diçka të gabuar prej të rinjve tanë, reagojnë ashpër, i qortojnë rëndë ata dhe e përgjithësojnë gabimin e tyre te e gjithë rinia, si dhe i shohin ata me përçmim. Kjo bëhet shkak që edhe të rinjtë të reagojnë negativisht ndaj prijësve të fesë dhe dijetarëve, të mos e dëgjojnë fjalën e tyre, duke i dhënë mundësi shejtanit që t’i shmangë ata prej rrugës së drejtë. Pra vëllezër, duhet që ne t’i kushtojmë kësaj çështjeje delikate një rëndësi parësore.

Një këshillë të veçantë ua drejtoj mësuesve, duke kërkuar prej tyre që të përpiqen për edukimin e nxënësve me edukatën fetare dhe kulturën e pastër islame. T’i nxisin ata për tek shpallja me të cilën erdhi i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), për tek Libri i Allahut të Madhëruar dhe suneti i të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

T’u tregojnë nxënësve vërtetësinë e kësaj feje madhështore, si dhe t’ua bëjnë të qarta dispozitat e fesë, duke u zbuluar atyre vlerat dhe urtësitë e sheriatit. Kjo pasi unë kam vënë re se mësimdhënia në shkolla ka njëfarë mangësie, e sidomos në universitete ku disa prej pedagogëve e paraqesin lëndën disi të thatë e jo vitale, duke mos i shpjeguar nxënësit argumentin në lidhje me çështjen për të cilën bëhet fjalë dhe as urtësinë e saj.

Është e vërtetë që besimtari duhet ta zbatojë urdhërin e Allahut dhe urdhërin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pavarësisht nëse arrin ta kuptojë urtësinë e tij apo jo. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i Dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfarë.” [El Ahzabë 36].

Mirëpo, nëse ai do ta dinte urtësinë dhe shkakun për të cilin Allahu ka urdhëruar për të, atëherë do të gjente qetësi në zemër dhe atij do t’i shtohej dashuria dhe dëshira për zbatimin me korrektësi të dispozitave të fesë dhe ligjeve të sheriatit. Prandaj kërkoj prej vëllezërve të mi pedagog që leksionet t’i mbajnë vitale, të gjalla dhe mbresëlënëse. Të jenë mësime që pastrojnë shpirtrat, ngazëllejnë zemrat dhe i kthjellojnë mendjet.

E tani i kthehem temës që kam përgatitur.

Tema e leksionit tim është: “Akti i martesës, pasojat dhe konsekuencat e tij dhe të tjera çështje në lidhje me të”.

E zgjodha këtë temë për shkak të rëndësisë së madhe së saj dhe për shkak se shumë prej njerëzve janë injorantë ndaj shumë prej dispozitave dhe rregullave që kanë të bëjnë me martesën. Po ashtu, me këtë temë delikate kanë të bëjnë shumë prej problemeve shoqërore, për të cilat, çdo njeri i urtë dhe i sinqertë në dashurinë që ka ndaj umetit të tij, kërkon të gjejë zgjidhje për to.

Çdo problemi, nëse do t’i kushtohet rëndësia që meriton dhe do të studiohet me kujdes dhe pa e neglizhuar, me siguri që do të gjendet zgjidhje për të. Ndërsa në të kundërt, nëse problemi anashkalohet dhe neglizhohet, atëherë do të mbetet gjithnjë i tillë, madje mund të bëhet akoma më i zymtë e më i komplikuar.

Këtë temë e kam shtjelluar në dhjetë pika:

1. Kuptimi i martesës nga ana gjuhësore dhe fetare

2. Gjykimi në lidhje me martesën

3. Kushtet e martesës

4. Cilësitë e pëlqyeshme të gruas e cila kërkohet për martesë

5. Femrat me të culat martesa është e ndaluar

6. Numri i lejueshëm i grave për martesë

7. Urtësia e martesës

8. Detyrimet e lindura nga martesa, ku prej tyre përmendim: Mehri, përkrahja financiare, traditat që kanë të bëjnë me dy bashkëshortët ndërmjet veti dhe me familjarët e tyre, ndalesat martesore dhe trashëgimia

9. Vendimi i sheriatit në lidhje me divorcin dhe gjërat që duhen patur parasysh në lidhje me të

10. Konsekuencat e divorcit

____________________________________

[1]E transmeton Muslimi në “Sahihun” e tij, kapitulli i besimit, tema ” Qartësim se nuk do të futet në xhenet, veçse ai që është besimtar”, me nr 55.

 

1

Kuptimi i martesës nga ana gjuhësore dhe fetare

Me fjalën Nikah – martesë, në gjuhën arabe nënkuptohen dy gjëra:

1. Akti martesor

2. Marrëdhëniet intime

Ebu Ali el Kali ka thënë: “Arabët e bëjnë dallimin ndërmjet dy kuptimeve të fjalës Nikah duke parë formën se si ajo vjen në fjali. Për shembull kur thuhet: Nekeha binte fulanin – u martua me vajzën e filanit, ka për qëllim: Lidhi me të aktin martesor. Ndërsa kur thotë: Nekeha zeuxhetehu – Martoi bashkëshorten e vet, nuk ka gjë tjetër për qëllim, përveç se marrëdhënieve intime”.

Kuptimi i martesës nga ana fetare është: “Akti i cili lidh ndërmjet një mashkulli dhe një femre duke patur për qëllim të kënaqurit e tyre të ndërsjelltë mes veti dhe formimin e një familjeje të zellshme e një shoqërie të shëndetshme.”

Me anë të këtij përkufizimi na bëhet e qartë se qëllimi i martesës nuk është thjesht kënaqësia trupore, por krahas kësaj është për qëllim edhe diçka tjetër e rëndësishme; formimi i familjes së zellshme dhe shoqërisë së shëndetshme. Edhe pse të dy këto qëllime kanë rëndësinë e vet, ndodh që ndonjëri prej tyre, në rrethana të caktuara mund të jetë më dominant se tjetri, e kjo në varësi të nevojave të personit.

 

2

Gjykimi në lidhje me martesën

Martesa është një kërkesë e përforcuar fetare për personin e epshëm i cili është në gjendje të martohet. Madje ajo është prej traditës së profetëve. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne dërguam edhe para teje të Dërguar dhe atyre u mundësuam të kenë gra e fëmijë. [Err Rra’d 38].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është martuar, madje ai ka thënë: “Unë martohem me gra, e ai që i largohet traditës sime, nuk është prej meje.”[1]

Duke u nisur prej kësaj, dijetarët kanë thënë: “Për epshorin, martesa në lidhje me të është më mirë se adhurimi nafile”, kjo për shkak të dobive të shumta dhe fryteve të pëlqyeshme të cilat vijnë si pasojë e martesës, ashtu siç do t’i shpjegojmë më vonë disa prej tyre, nëse dëshiron Allahu.

Martesa në disa raste mund të jetë edhe obligim i domosdoshëm (vaxhib), siç është rasti kur personi nuk është në gjendje ta mbizotërojë epshin e tij dhe frikësohet se nëse nuk martohet mund të bie pre e gjërave të ndaluara. Në këtë rast martesa për të është obligim për të ruajtur të pastër veten e tij dhe për t’iu shmangur të ndaluarës.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “O ju të rinj, kush prej jush është në gjendje të martohet le të martohet, sepse martesa ndihmon për shmangien e shikimit (prej harameve) dhe bëhet shkak për ruajtjen e nderit. Ndërsa ai i cili nuk është në gjendje të martohet le të agjerojë, sepse agjërimi e dobëson epshin e tij.”[2]

 

3

Kushtet e martesës

Prej faktorëve që vënë në dukje organizimin e mirëfilltë të fesë islame dhe përpikmërinë e imtësishme në vendosjen e dispozitave dhe ligjeve, është edhe fakti se për çdo kontratë ka vendosur kushtëzime të cilat përcaktojnë qartë vlefshmërinë e aktit dhe kohëzgjatjen e tij. Çdo kontratë, në mënyrë që të konsiderohet ligjërisht e vlefshme ka nevojë për disa kushte.

S’ka dyshim se kjo argumenton qartë përpikmërinë dhe përsosmërinë e sheriatit, duke treguar se këto dispozita janë të zbritura prej të Urtit, të Mirënjohurit, i Cili e di më së miri se çfarë është më e dobishme për robërit e Tij. Pikërisht për këtë Allahu i Madhëruar ka vendosur për robërit e Tij ligje dhe dispozita, zbatimi i të cilave bën që njeriu të jetojë jetë të mirë në këtë botë dhe në botën tjetër, duke mos lejuar që të ketë vend për çrregullime dhe paqartësi.

Njëra nga këto kontrata është edhe akti i martesës. Që akti martesor të jetë i vlefshëm, duhet medoemos të përmbushen disa kushte, ku ndër më të rëndësishmet përmendim:

1. Pëlqyeshmëria ndërmjet dy bashkëshortëve

Nuk lejohet që mashkullit t’i imponohet martesa me një femër të cilën ai nuk e do dhe as të detyrohet femra të martohet me një mashkull të cilin ajo nuk e pëlqen. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, nuk është e lejuar për ju të trashëgoni gratë (e të vdekurve) në mënyrë të dhunshme.” [En Nisa 19]. Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk lejohet të martohet robëresha, veçse me aprovimin e saj dhe nuk lejohet të martohet virgjëresha, veçse me lejen e saj. Sahabët thanë: “O i Dërguari i Allahut, si është leja e saj?” Tha: “Nëse ajo hesht.”[3]

Pra, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar të martohet femra pa pëlqimin e saj, qoftë ajo e virgjër apo vejushë, vetëm se për vejushën është e domosdoshme që ajo ta shprehë pëlqimin e saj me fjalë, ndërsa për virgjëreshën mjafton heshtja, kjo për shkak se asaj mund t’i vijë turp për t’u shprehur me fjalë.

Nëse femra nuk dëshiron të martohet, nuk i lejohet askujt, madje as babait të saj që ta detyrojë të martohet kundër vullnetit të saj. Argument për këtë është fjala e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Virgjëreshës i merr lejë babai i saj.”[4] Në këtë rast, babai i vajzës nuk merr gjynah për shkak se nuk e marton vajzën, sepse është vetë ajo që nuk dëshiron të martohet, mirëpo gjithësesi babai e ka për detyrë të kujdeset për të dhe t’i dalë krah asaj.

Nëse vajzën e kërkojnë për martesë dy persona njëkohësisht dhe ajo pëlqen njërin prej tyre, ndërsa kujdestari i saj i thotë: “Martohu me tjetrin”, ajo çka merret për bazë është dëshira e saj dhe është e drejta e saj që të martohet me atë që dëshiron, me kusht që niveli i burrit t’i përshtatet asaj. Nëse burri nuk është i përshtatshëm për të, atëherë i lejohet kujdestarit të saj të ndërhyjë dhe të mos e lejojë atë të martohet me të, pa u ngarkuar me gjynah për këtë veprim.

2. Kujdestari

Akti martesor pa kujdestarin e femrës është i pavlefshëm, bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Nuk ka martesë, veçse me kujdestar.”[5] Nëse gruaja e marton vetë veten e saj, atëherë martesa e saj është e pa vlefshme, pa marrë në konsideratë faktin nëse ky akt u ndërmor në mënyrë direkte nga ajo, apo ja ngarkoi këtë dikujt tjetër.

Kujdestar për femrën konsiderohet ai mashkull i cili e ka arritur moshën e pjekurisë, i saktë mendërisht dhe që ka me të lidhje gjaku, por nga ana e babait dhe jo nga farefisi i nënës. Prej atyre që i plotësojnë këto kushte janë: babai, gjyshi nga ana e babait, djali (për vejushen), djali i djalit, vëllai (prej babës dhe nënës), vëllai nga ana e babait, xhaxhai (nuk bën pjesë xhaxhai i cili është vëlla me babain vetëm nga ana e nënës së tyre), djemtë e xhaxhait dhe djemtë e djemve të tyre.

Nuk marrin pjesë në kujdestarinë e femrës vëllezërit vetëm nga nëna dhe as djemtë e tyre. Po ashtu nuk merr pjesë në kujdestari edhe gjyshi i saj nga ana e nënës dhe dajallarët.

Përderisa prania e kujdestarit në aktin e martesës është kusht i domosdoshëm, atëherë është detyrë dhe përgjegjësi mbi të që, në rast se kërkesat për vajzën janë të shumta dhe janë disa ata të cilët tregojnë interes për t’u fejuar me të, të zgjedhi midis tyre atë i cili është më i miri dhe më i përshtatshmi për të. Pra, nëse e shikon se ndonjëri prej tyre është i përshtatshëm për vajzën dhe ajo bie dakord, atëherë ai duhet ta martojë atë.

Pikërisht këtu dëshiroj të ndaloj pak në mënyrë që të vë në dukje barrën dhe përgjegjësinë e madhe e cila rëndon mbi shpatullat e kujdestarit, në lidhje me amanetin që Allahu i ka ngarkuar atij duke e bërë atë përgjegjës për të tjerët. Pra, duhet që kujdestari ta përmbushi këtë amanet pa e neglizhuar atë dhe kurrsesi nuk duhet të përfitojë duke e bërë atë mjet për të plotësuar qëllimet e tij personale, apo të përpiqet ta martojë femrën që e ka nën kujdestarinë e tij, duke dashur të përfitojë vetë nga ana materiale. Sigurisht që kjo do të ishte tradhëti nga ana e tij.

Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin, e ashtu të tradhëtoni amanetet tuaja, pasi që ju e dini sa e keqe është kjo.” [El Enfal 27].

Gjithashtu i Lartësuari ka thënë: “Allahu nuk e do asnjë tradhtar e bukëpërmbystë.” [El Haxh 38].

Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në lidhje me këtë ka thënë: “Të gjithë ju jeni barinj (përgjegjës) dhe të gjithë do të mbani përgjegjësi për atë që keni në ngarkim.”[6]

Është për të ardhur keq kur shikon se disa prej kujdestarëve, edhe pse shkon dhe e kërkon dorën e vajzës së tyre ndonjë djalosh i përshtatshëm dhe për vajzen ky do të ishte një rast i volitshëm për martesë, ata e kthejnë mbrapsht atë.

Të njëjtën gjë veprojnë edhe me tjetrin, tjetrin, e kështu me radhë. Në të tillë rast, ju hiqet atyre e drejta e vendimmarrjes në lidhje me martesën e femrës që kanë në varësi dhe e marton atë dikush tjetër prej kujdestarëve të saj duke i dhënë përparësi më të afërmit prej tyre.

 

4

Cilësitë e pëlqyeshme të gruas e cila kërkohet për martesë

Ashtu siç edhe e kemi përmendur më sipër, qëllimi dhe urtësia e martesës është arritja e kënaqësisë së ndërsjelltë midis mashkullit dhe femrës, si dhe formimi i një shoqërie të zellshme e i një familjeje të shëndetshme. Duke u nisur prej kësaj, themi se një grua e mirë me të cilën preferohet martesa, është pikërisht ajo femër e cila më së miri do të mundësonte përmbushjen e këtyre dy qëllimeve.

Bëhet fjalë për femrën e bukur fizikisht dhe shpirtërisht. Për sa i përket bukurisë fizike, në të bën pjesë përkryerja e formimit të jashtëm të saj. Kjo për shkak se gruaja nëse është simpatike dhe mendjemprehtë, atëherë syri kënaqet dhe përqëndrohet tek ajo, veshi çlodhet me dëgjimin e shprehjes së intelektit të saj, ndërsa zemra shpaloset, gjoksi zgjerohet, kurse shpirti gjen prehje dhe qetësi, ashtu siç në lidhje me të cilën Allahu i Madhëruar ka thënë: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), në mënyrë që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë.” [Err Rrum 21].

Ndërsa bukuria shpirtërore është përkryerja e saj nga ana e moralit dhe fesë. Sa më e devotshme të jetë bashkëshortja nga ana e besimit dhe sa më e dëlirë moralisht, aq më e dashur është për bashkëshortin e saj, e sidomos pasi që dihet mirë se këto cilësi janë një tregues i qartë për një të ardhme të sigurt. Gruaja e cila posedon fe dhe besim, i kushton rëndësi parësore dispozitave të Allahut.

Ajo i njeh mirë detyrimet që ka ndaj bashkëshortit të saj, i ruan të drejtat e tij, e ruan nderin karshi atij, përkujdeset për pasurinë e tij dhe për mbarëvajtjen e fëmijëve të tij. Ajo e ndihmon bashkëshortin e saj për bindje dhe devotshmëri ndaj Allahut të Madhëruar. Nëse ai shpërkujdeset, ajo shpejt e përkujton atë.

Nëse plogështohet, e rigjallëron atë dhe nëse ai zemërohet, ajo nxiton që ta kënaqi. E tillë është gruaja e virtytshme, e dashur për bashkëshortin e vet, e respektueshme ndaj tij; nuk vonohet në kryerjen e asaj që ai e dëshiron shpejt dhe nuk ngutet në atë gjë që ai e do të ngadaltë.

Është pyetur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se cilat gra janë më të mirat dhe ka thënë: “Ajo e cila e kënaq bashkëshortin e vet kur e shikon, i bindet kur e urdhëron, e ruan nderin e saj karshi tij dhe pasurinë e tij nuk e shpërdoron.”[7] Gjithashtu i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Martohuni me ato që janë të dashura, të cilat lindin fëmijë, sepse unë do të krenohem me numrin tuaj para profetëve” apo ndoshta tha: “para popujve”[8]

Nëse burri arrin të martohet me një femër të bukur fizikisht dhe shpirtërisht, kjo do të ishte për të një mirësi e përkryer; burim i lumturisë së pashtershme, e shoqëruar kjo me suksesin e Allahut të Madhëruar.

________________________________

[1] E ka transmetuar Buhariu, kapitulli i martesës, tema: “Të nxiturit për tek martesa”, me nr. 5063. E transmeton gjithashtu Muslimi në kapitullin me të njejtin titull, tema: “Cilido prej jush që është i aftë për martesë, le të martohet” me nr. 1401.

[2] E transmeton Buhariu, kapitulli i martesës, tema: “Ndërsa ai i cili nuk është në gjendje të martohet le të agjeroi” me nr. 5066 dhe Muslimi, kapitulli i martesës, tema: “Kush prej jush është në gjendje të martohet le të martohet” me nr. 1400

[3] E transmeton Buhariu, kapitulli i martesës, tema: “Nuk i lejohet babait te vajzës apo dikujt tjetër që ta martoj femrën, e virgjër apo vejushë qoftë, veçse me pëlqimin e saj” me nr. 5136. E transmeton gjithashtu Muslimi në kapitullin me të njejtin titull, tema: “Kërkimi i aprovimit të vejushes për martesë” me nr. 1419

[4] E transmeton Muslimi, kapitulli i martesës, tema: “Vejushës i merret aprovimi për martesë me fjalë, ndërsa virgjëreshës me heshtje” me nr. 1421

[5] E ka transmetuar Ebu Daudi, kapitulli i martesës, tema: “Kujdestari” me nr. 2085, Et Tirmidhi kapitulli i martesës, tema: “Çfarë ka ardhur në lidhje me hadithin “Nuk ka martesë, veçse me kujdestar”, me nr. 1101 dhe Ibën Maxhe në kapitullin me të njejtin titull, tema: “Nuk ka martesë, veçse me kujdestar” me nr. 1881

[6] E ka transmetuar Buhariu, kapitulli i martesës, tema: “Ruajeni vetveten dhe familjet tuaj prej një zjarri…”, me nr. 5188 dhe Muslimi, kapitulli El Imaratu (Pushteti), tema: “Vlerat e prijësit të drejtë” me nr. 1829

[7] E transmeton Ahmedi dhe En Nesai, kapitulli i martesës, tema: “Cilat gra janë më të mirat?” me nr. 3231

[8] E ka transmetuar Ebu Daudi, kapitulli i martesës, tema: “Moslejueshëria e të martuarit me atë e cila nuk lind” me nr. 2050 dhe En Nesai, kapitulli i martesës, tema: “Mospëlqyeshmëria e të martuarit me atë e cila nuk lind” me nr. 3227

 

5

Femrat me të cilat është e ndaluar martesa

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu me të vërtetë i ka përcaktuar disa obligime dhe ka vendosur kufij, prandaj mos i tejkaloni ato.”[1]

Në grupin e kufijve të sheriatit të vendosura prej Allahut të Madhëruar, bëjnë pjesë edhe dispozitat në lidhje me lejueshmërinë apo moslejueshmërinë e martesës me disa prej femrave. Si rrjedhojë, burrit nuk i lejohet martesa dhe lidhja e kurorës me disa femra, për shkak të afërsisë së tyre nga lidhja e gjakut, për shkak të vëllazërisë së gjirit, për shkak të lidhjes së krushqisë[2], apo për ndonjë arsye tjetër të vlefshme. Femrat me të cilat martesa është e ndaluar mund t’i klasifikojmë në dy llojëshe:

Në njërin grup bëjnë pjesë ato femra martesa me të cilat është e ndaluar përgjithmonë, ndërsa në grupin tjetër, ato me të cilat ndalohet martesa përkohësisht.

I. Femrat me të cilat është e ndaluar martesa përgjithmonë

Ato klasifikohen në tre grupe:

a) Femrat me të cilat martesa nuk lejohet për shkak të lidhjeve familjare.

Ato janë shtatë, e që të gjitha Allahu i Madhëruar i ka përmenduar në fjalën e Tij: “U janë ndaluar juve (të martoheni me): nënat tuaja, bijat tuaja, motrat tuaja, hallat tuaja, tezet tuaja, vajzat e vëllait, vajzat e motrës”. [En Nisa 23].

1. Ne Fjalën e Allahut “nënat tuaja” janë për qëllim përveç nënës edhe gjyshet, qofshin nga ana e babait apo nënës.

2. Vajzat: qofshin ato vajzat vetjake, vajzat e djemve apo vajzat e vajzave.

3. Motrat: qofshin nga babai dhe nëna, vetëm nga babai apo vetëm nga nëna.

4. Hallat: në to bëjnë pjesë hallat e personit, hallat e babait të tij, hallat e gjyshërve të tij, hallat e nënës së tij si dhe hallat e gjysheve.

5. Tezet: duke u përfshirë në to tezet e personit, tezet e babait të tij, tezet e gjyshërve të tij, tezet e nënës së tij si dhe tezet e gjysheve.

6. Vajzat e vëllait: përfshihen këtu; vajzat e vëllait nga babai dhe nëna, vajzat e vëllait vetëm nga babai, vajzat e vëllait vetëm nga nëna, vajzat e djemve dhe vajzave të tyre.

7. Vajzat e motrës: përfshihen këtu: vajzat e motrës nga babai dhe nëna, vajzat e motrës vetëm nga babai, vajzat e motrës vetëm nga nëna, vajzat e djemve dhe vajzave të tyre.

b) Femrat me të cilat martesa nuk lejohet për shkak të gjirit.

Ato që kemi përmendur në lidhje me ndalesën për shkak të lidhjeve familjare vlejnë edhe këtu, pasi nuk ka asnjë dallim midis tyre. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ndalohet për shkak të tajitjes (ushqimit me gji, mëndja) ajo çka ndalohet për shkak të lidhjes së gjakut.”[3]

Është e nevojshme të përmendim këtu se tajitja për të qenë penguese duhet të plotësojë disa kushte:

– Tajitja duhet të bëhet pesë apo më tepër herë.

Nëse foshnja pi qumësht prej një gruaje katër herë, ajo nuk konsiderohet nënë e gjirit për të. Argument për këtë është hadithi të cilin e transmeton Muslimi nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ajo ka thënë: “Prej asaj çka ka zbritur në Kuran në lidhje me tajitjen, përmendeshin dhjetë pirje të plota ato që e bënin pengesën. Më pas ato u abroguan me pesë të tilla. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndërroi jetë, ndërsa ato lexoheshin prej Kuranit.[4]

– Të bëhet tajitja para se foshnjës t’i ndërpritet dhënia e gjirit.

Pra, është kusht që të pesta pirjet të kenë qenë që të gjitha para se foshnja të arrijë moshën e heqjes së gjirit. Nëse foshnja pas kësaj moshe pi qumësht prej nje gruaje, ajo nuk konsiderohet për të nënë; madje edhe nëse disa prej pirjeve kanë qenë para se foshnja të arrinte moshën e heqjes së gjirit (por më pak se pesë) dhe pjesa tjetër pas heqjes së gjirit.

Nëse kushtet e tajitjes plotësohen, foshnja konsiderohet fëmijë për gruan e cila i dha gji, ndërsa fëmijët e saj janë vëllezër të foshnjës, pa marrë parasysh nëse kanë lindur para tij apo lindin pas tij.

Gjithashtu edhe fëmijët e bashkëshortit të gruas e cila e ushqeu me gji bëhen vëllezër të gjirit, kjo edhe në qoftë se ata fëmijë do t’i kishte me një grua tjetër dhe jo me atë që i dha gji.

Këtu është e domosdoshme të përmendim se të afërmit e foshnjës të cilit i është dhënë gji nuk kanë asnjë lidhje me pasojat e tajitjes dhe ajo nuk ndikon aspak tek ata, përveç pasardhësve te tij. Pra i lejohet vëllezërve (prej babait dhe nënës) të foshnjës që të martohen me gruan e cila i dha qumësht vëllait të tyre apo me vajzën e saj e cila është motër prej qumështi e vëllait të tyre. Kurse pasardhësit e tij konsiderohen fëmijë të gruas e cila i ka dhënë qumësht babait të tyre, ndërsa bashkëshorti i saj gëzon për ta, të njëjtën pozitë që gëzon edhe për babain e tyre.

c) Femrat me të cilat ndalohet martesa për shkak të lidhjes së krushqisë:

Bëjnë pjesë:

1. Bashkëshortet e baballarëve dhe gjyshërve, qofshin ata nga ana e babait apo nënës. Argument për këtë është Fjala e Allahut të Madhëruar: “Mos u martoni me ato gra me të cilat qenë martuar baballarët tuaj…” [En Nisa 22]. Në momentin që një burrë lidh aktin e martesës me një femër, ajo bëhet e ndaluar për djemtë e tij dhe djemtë e djemve dhe vajzave të tij, pa marrë parasysh nëse kreu marrëdhënie intime me të apo thjesht kreu aktin martesor.

2. Bashkëshortet e djemve dhe nipërve. Argument për këtë është Fjala e Allahut të Madhëruar: “… dhe (janë të ndaluara) gratë e bijëve tuaj që janë të lindjes suaj (jo të bijëve të adoptuar).” [En Nisa 23]. Nëse një person e lidh aktin e martesës me një femër, nuk i lejohet më babait dhe gjyshërve të tij martesa me atë femër, qofshin ata (gjyshërit) nga ana e babait apo nënës si dhe pa marrë parasysh nëse kreu marrëdhënie intime me të apo thjesht kreu aktin martesor.

3. Nëna e bashkëshortes dhe gjyshet e saj. Argument për këtë është Fjala e Allahut të Madhëruar: “… Nënat e grave tuaj (vjehrrat).” [En Nisa 23]. Në momentin që një burrë lidh aktin e martesës me një femër, bëhet e ndaluar për të martesa me nënën dhë gjyshet e saj qofshin ato (gjyshet) nga ana e babait apo nënës si dhe pa marrë parasysh nëse kreu marrëdhënie intime me të apo thjesht kreu aktin martesor.

4. Vajzat e bashkëshortes, vajzat e djemve dhe vajzat e vajzave të saj. Këto janë ato të cilat Allahu i Madhëruar i ka quajtur Rrabaib. Veçse këtu duhet patur parasysh se që vajzat e bashkëshortes të bëhen të ndaluara për burrin, nuk mjafton për këtë thjesht lidhja e aktit, por kjo ndodh vetëm pasi ai të ketë kryer marrëdhënie intime me të. Nëse ndodh që burri të ndahet para se të kryejë marrëdhënie me bashkëshorten, atëherë i lejohet atij martesa me vajzat apo mbesat e saj. Argument për çka thamë është Fjala e Allahut të Madhëruar: “… dhe vajzat që janë nën kujdesin tuaj e të lindura (prej tjetër babai) nga gratë tuaja me të cilat patët kontakt, e nëse nuk keni pasur kontakt me to (me gratë) atëherë s’ka pengesë (të martoheni me ato vajza).” [En Nisa 23].

Në momentin që një burrë martohet me një femër dhe kryen marrëdhënie seksuale me të, bëhen të ndaluara për të vajzat e saj dhe vajzat e djemve dhe vajzat e vajzave të saj, qofshin këto prej një bashkëshorti tjetër para apo pas tij. Mirëpo, ashtu siç edhe e shpjeguam, nëse ai ndahet me bashkëshorten e tij para se të kryejë me të marrëdhënie, i lejohet ne këtë rast të martohet me vajzat dhe mbesat e saj.

II. Femrat me të cilat ndalohet  martesa përkohësisht

 

Prej tyre përmendim:

1. Motra e bashkëshortes, halla dhe tezja e saj. Kjo ndalesë nuk është e vlefshme pas vdekje së bashhkëshortes si edhe pasi që burri e ndan bashkëshorten dhe ajo e ka plotësuar periudhën e pritjes. Argument për këtë është Fjala e Allahut të Madhëruar: “… dhe (është e ndaluar) të bashkoni (përnjëherë në një martesë) dy motra.” [En Nisa 23]. Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: Nuk lejohet bashkimi (në martesë) i një gruaje dhe hallës së saj, apo i një gruaje dhe tezes së saj.”[5]

2. Femra e ndarë e cila është në periudhën e pritjes. Është e ndaluar martesa me femrën e cila është në periudhën e pritjes pasi që e ka ndarë bashkëshorti i saj, deri sa t’i mbarojë periudha e pritjes.

3. Femra e cila është në ihram për kryerjen e Haxhit apo Umras. Nuk lejohet lidhja e aktit martesor me atë femër e cila është në ihram, deri sa ta kryejë atë.

Përveç këtyre që përmendëm ka edhe femra të tjera me të cilat martesa është e ndaluar, mirëpo nuk po i përmendim ato nga droja e tejzgjatjes. Për sa i përket menstruacioneve, ato nuk janë pengesë për lidhjen e aktit martesor. Pra, lejohet lidhja e aktit martesor me femrën e cila është në periudhën e menstruacioneve, mirëpo nuk lejohet kryerja e marrëdhënieve seksuale me të deri sa të pastrohet prej tyre e të marrë gusul.

 

6

Numri i lejueshëm i grave për martesë

Përderisa lënia në dëshirën e mashkullit që të martohej me sa gra të dëshironte do të sillte medoemos trazira dhe padrejtësi; si dhe do të bëhej e pamundur mbajtja e drejtësisë midis bashkëshorteve, ndërsa në të kundërt; kufizimi i martesës së burrit vetëm me një grua mund të çonte në vepra të papëlqyeshme dhe mund të bëhej shkak që burri të kërkonte shfrenimin e epshit të tij në mënyrë të ndaluar, duke i patur parasysh të gjitha këto, sheriati ia ka lejuar burrit të martohet deri në katër gra.

Ky është kufiri i lejuar i grave për martesë, në të cilin është e mundur mbajtja e barazisë midis bashkëshorteve dhe plotësimi i detyrimeve ndaj tyre.

Po ashtu kjo do të ishte e mjaftueshme për plotësimin e nevojave të burrit nëse do të kishte nevojë për më tepër se një bashkëshorte. Allahu i Madhëruar thotë: “… atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë; me dy tri e me katër. E nëse i frikësoheni padrejtësisë (ndaj tyre), atëherë vetëm me një.” [En Nisa 3].

Në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e pranoi islamin Gajlan eth Thekafi, e ky ishte martuar me dhjetë gra. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e urdhëroi atë që të zgjidhte katër midis tyre dhe të tjerat t’i lëshonte. Ndërsa Kajs ibën el Harith ka thënë: “Në kohën kur pranova islamin isha i martuar me tetë gra. Shkova tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ia përmenda këtë çështje. “Zgjidh katër prej tyre.” –tha.[6]

Dobitë e të martuarit me më tepër se një grua

1. Të martuarit me më tepër se një grua në disa raste mund të jetë edhe domosdoshmëri, siç është rasti kur bashkëshortja është e madhe në moshë apo e sëmurë, saqë nëse burri mjaftohet vetëm me të kjo mund të bëhet shkak që ai ta ketë të vështirë ruajtjen e nderit dhe moralit të tij.

Gjithashtu ndodh që burri të ketë fëmijë me bashkëshorten e cila është e madhe ne moshë, nëse atij nuk do t’i lejohej të martohej me tjetër përveç saj, kjo mund të bëhej shkak që ai të binte pre e gjërave të ndaluara për të plotësuar nevojat e tij, e nëse ai do ta ndante bashkëshorten (në mënyrë që të martohej me tjetër) ai në këtë mënyrë do të ndante midis saj dhe fëmijëve të saj. Sigurisht që mënyra më e mirë për zgjidhjen e këtij problemi do të ishte poligamija.

2. S’ka dyshim se martesa është shkak për lidhjen dhe afrimitetin e njerëzve ndërmjet njëri-tjetrit. Allahu i Madhëruar e ka vendosur martesën në një nivel me lidhjen farefisnore si formues të lidhjeve familjare, pasiqë në lidhje me të thotë: “Dhe Ai nga uji (fara) krijoi njeriun, e bëri atë të ketë fis dhe të ketë miqësi.” [El Furkan 54]. Pra, martesa me më shumë se një grua bëhet shkak për lidhjen midis veti të shumë familjeve, madje kjo ka qenë ndër arsyet për të cilat i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u martua me shumë gra.

3. Prej dobive të poligamisë është edhe fakti se ajo bëhet shkak për zgjidhjen e problemeve të shumë prej grave (të cilat nuk kanë mundur të martohen) duke u mundësuar atyre përkujdesje sociale, vendbanim dhe kushte normale jetese. Po ashtu, ajo bëhet shkak që edhe ato të ndjejnë kënaqësinë e të qenurit nënë dhe të kenë fëmijët e tyre të cilët i trashëgojnë, e s’ka dyshim se kjo është prej pikësynimeve të sheriatit.

4. Tek shumë meshkuj, edhe pse ata e duan dlirësinë dhe moralin e lartë, ndjenja e epshit mund të jetë e theksuar saqë një femër e vetme nuk është e mjaftueshme për plotësimin e nevojave të tyre. Pikërisht që ata të mos bien pre e imoralitetit dhe ndyrësive, Allahu i Madhëruar prej mëshirës së Tij ndaj krijesave, ua lejoi atyre poligaminë, duke patur parasysh normat dhe rregullat e sheriatit.

________________________________________

[1] Hadithin e ka transmetuar Ed Derakutni ne “Sunenin” e tij [vëll. IV, faq. 184]. Hadithi është i dobët (daif) sipas imam Albanit (Allahu e mëshiroftë!) (Sh.p)

[2] Siç është rasti kur babai i djalit martohet me nje femër, kjo gjë e bën të ndaluar martesën e të birit me atë femër pas vdekjes së babait, apo nëse ai e ndan atë. (Sh.p)

[3] E ka transmetuar Buhariu, kapitulli i dëshmive, tema: “Dëshmitë mbi përkatësitë farefisnore dhe tajitjen” me nr. 2645, 2646 dhe Muslimi, kapitulli Err Rrada’atu – tajijtja, tema: “Çfarë ndalohet për shkak të lindjes” me nr. 1447, 1444

[4] E transmeton Muslimi, kapitulli Err Rrada’atu – tajitja, tema: “Ndalesa hyn në fuqi me pesë të pira” me nr. 1452

[5] E ka transmetuar Buhariu, kapitulli i martesës, tema: “Nuk bashkohet në martesë gruaja dhe halla e saj” me nr. 5109. E transmeton gjithashtu Muslimi në kapitullin me të njejtin titull, tema: “Moslejueshmëria e bashkimit në martesë midis gruas dhe hallës së saj” me nr. 1408. –Muttefekun alejhi.

[6] E transmeton Ebu Daudi, kapitulli i divorcit, tema: “Në lidhje me atë i cili e pranon islamin dhe është i martuar me më tepër se katër gra” me nr. 2241

 

7

Urtësia e martesës

Para se ta shqyrtojme këtë çështje në hollësi, është e domosdoshme që ta kemi më se të qartë se të gjitha dispozitat e legjistlaturës islame përmbajnë urtësi në vetvete dhe që të gjitha këto dispozita janë me vend dhe se asgjë nuk është përcaktuar më kot apo gabimisht.

E si mund të ndodhë ndryshe, pasi që dihet se ato janë përcaktim i të Urtit, të Mirënjohurit?! Mirëpo, a thua vallë se këto urtësi janë të perceptueshme për të gjitha krijesat?

Njeriu është i kufizuar në dijen, mendjen dhe perceptimin e tij. Është e pamundur për të që të jetë në gjendje t’i kuptojë dhe t’i dijë të gjitha gjërat. Allahu i Madhëruar thotë: “Juve nuk ju është dhënë prej dijes, veçse pak.” [El Isra 85].

Pra, është detyrë për ne që të jemi të kënaqur me dispozitat e sheriatit, pa marrë parasysh faktin nëse e dimë apo jo urtësinë e tyre. Nëse ne nuk e kemi të qartë urtësinë e ndonjërës prej këtyre dispozitave, kjo kurrësesi nuk do të thotë se në të nuk ka urtësi, por e vërteta është se mangësia qëndron në mendjet dhe të kuptuarit tonë në lidhje me perceptimin e asaj urtësie. Prej urtësive të ligjshmërisë së martesës përmendim:

1. Ruajtja e moralit dhe nderit të dy bashkëshortëve.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “O ju të rinj, kush prej jush është në gjendje të martohet le të martohet, sepse martesa ndihmon për shmangien e shikimit (prej harameve) dhe bëhet shkak për ruajtjen e nderit. Ndërsa ai i cili nuk është në gjendje të martohet le të agjerojë, sepse agjërimi e dobëson epshin e tij.”[1]

2. Ruajtja e shoqërisë prej të këqijave dhe imoralitetit.

Sikur të mos ishte martesa do përhapeshin mes njerëzve ndyrësitë dhe shthurjet.

3. Martesa mundëson të kënaqurit e ndërsjelltë midis dy bashkëshortëve.

Ajo përcakton qartë të drejtat dhe detyrimet e tyre karshi njëri-tjetrit. Është detyrë e burrit që të përkujdeset për bashkëshorten e vet duke shpenzuar prej pasurisë së tij, sipas mundësisë që ka, në plotësimin e nevojave të domosdoshme të saj, siç janë: banesa, ushqimi, veshja etj.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Është e drejtë e tyre (grave) ndaj jush që t’i ushqeni dhe vishni, sipas mundësisë që keni.”[2] Po ashtu edhe gruaja i vjen burrit në ndihmë duke kryer detyrimet që ka karshi tij, duke u kujdesur për mbarëvajtjen e shtëpisë dhe kujdesin ndaj familjes.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “… kurse gruaja është bareshë (përgjegjëse) në shtëpinë e bashkëshortit të saj dhe mban përgjegjësi për atë që ka në ngarkim.”[3]

4. Martesa është shkak për lidhjen dhe afrimitetin e njerëzve.

Sa e sa familje të cilat as që njiheshin me njëra-tjetrën, bashkohen për shkak të martesës dhe formojnë lidhje ndërmjet tyre?! Ashtu siç edhe e kemi përmendur më lart, Allahu i Madhëruar e ka vendosur martesën në të njëjtin nivel me lidhjen farefisnore si formues të lidhjeve familjare.

5. Martesa mundëson ekzistencën normale të racës njerëzore.

Pra, është martesa ajo e cila siguron trashëgiminë dhe rigjenerimin e brezave. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj i Cili ju krijoi prej një veteje (njeriu) dhe nga ai krijoi palën (shoqen) e tij, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra.” [En Nisa 1].

Po të mos ishte martesa, me siguri që do të ndodhte njëra prej dy gjërave:

a) Zhdukja e njerëzimit.

b) Ekzistenca e disa njerëzve të ardhur në jetë si pasojë e imoralitetit dhe shthurjes. Njerëz të cilëve nuk u dihet origjina dhe që nuk e njohin moralin.

Në mbyllje të kësaj nënteme dëshiroj të bëj të qartë gjykimin e sheriatit në lidhje me të ashtuquajturin kufizim të lindjeve. Kufizimi i lindjeve, pra kufizimi dhe përcaktimi i numrit të fëmijëve bie ndesh me natyrën dhe kërkesat e sheriatit. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i urdhëroi besimtarët që të martohen me gratë e dashura, të cilat lindin shumë fëmijë, duke na treguar se ai do lavdërohet me numrin tonë para popujve ose profetëve.

Juristët islamë kanë thënë: “Preferohet për martesë ajo femër për të cilën mendohet se lind shumë. Kjo mund të vihet re nëse ajo ka qenë më parë e martuar dhe njihet për lindje të shpeshta, apo mund të vihet re tek të afërmet e saj si nëna apo motrat, nëse nuk ka qenë e martuar më parë.”

Pastaj, me të drejtë lind pyetja: Cila është arsyeja e cila e bën të nevojshëm kufizimin e lindjeve?! A është frika se mos po pakësohet rrizku e furnizimi?! Apo është mendimi se numri i madh i fëmijëve e vështirëson edukimin e tyre?

Nëse është e para, atëherë ky do të ishte një mendimi i keq për Allahun e Madhëruar. I Madhërishmi nuk i ka krijuar krijesat, veçse u ka përcaktuar atyre furnizim. Ai thotë: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ja ketë garantuar furnizimin e saj.” [El Hud 6].

Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “Sa e sa gjallesa janë që nuk kanë mundësi për furnizimin e vet. Allahu i furnizon ato edhe juve. Ai është Dëgjuesi i Dijshmi.” [El Ankebut 60]. Ndërsa në lidhje me ata të cilët fëmijët e tyre i vrasin prej frikës së varfërisë thotë: “Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve.” [El Isra 31].

Nëse ekziston mendimi se numri i madh i fëmijëve e vështirëson edukimin e tyre, atëherë themi se ky mendim është i gabuar. Sa e sa fëmijë të pakët në numër i lodhin prindërit e tyre gjatë përpjekjes së tyre për t’i edukuar?! Ndërsa në të kundërt, janë të shumta ato familje me shumë fëmijë të cilat e përsosin edukimin e fëmijëve të tyre. Nuk duhet harruar se vështirësia apo lehtësimi në lidhje me edukimin e fëmijëve është në varësi të suksesit që Allahu i Madhëruar i jep robërve të Tij.

Sa më i devotshëm të jetë njeriu dhe sa më shumë kujdes të tregojë në zbatimin e dispozitave dhe kërkesave të sheriatit, aq më tepër Allahu ia lehtëson çështjet. Allahu thotë: “E kush i frikësohet Allahut, Ai atij ia lehtëson çështjet.” [Et Talak 4].

Pasi që u bë e qartë se kufizimi i lindjeve bie ndesh me dispozitat e sheriatit, lind pyetja: A është planifikimi familjar, duke e shtyrë shtatzaninë për shkak se gjendja e gruas nuk është e përshtatshme për të, i njëjtë me kufizimin e lindjeve?

Përgjigja është: Jo, nuk është planifikimi familjar në këtë rast aspak i ngjashëm me kufizimin e lindjeve. Ajo që kam për qëllim me planifikimin familjar është që të përdorin bashkëshortët, apo vetëm njëri prej tyre ndonjë mënyrë e cila bëhet pengesë për shtatzaninë në ndonjë periudhë të caktuar kohe (jo përherë).

Pra, ky lloj veprimi është i lejuar nëse bëhet me pëlqimin e të dy bashkëshortëve dhe është e nevojshme, siç është rasti kur gruaja është e dobët e shëndetligë dhe shtatzania do t’ia përkeqësonte edhe më tepër shëndetin. Në këtë rast i lejohet asaj përdorimi i medikamenteve apo tabletave të cilat e pengojnë shtatzaninë, kjo pasi të ketë marrë edhe pëlqimin e burrit.

Pra, përdorimi i këtyre medikamenteve të cilat e pengojnë shtatzaninë për një periudhë kohe, është i lejuar. Është transmetuar se në kohën e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) sahabët ndonjëherë e bënin jashtë mitrës ejakulimin dhe nuk u ndaluan nga ky veprim. Ejakulimi jashtë nga ana e mashkullit është pa dyshim prej shkaqeve që e pengojnë shtatzaninë.

 

8

Detyrimet e lindura nga martesa

Martesa bëhet shkak për lindjen e një sërë detyrimesh, ndër to përmendim:

1. Deturueshmëria e dhënies së mehrit.

Mehri është pasuri të cilën burri ja jep nuses së tij si pasojë e lidhjes së aktit martesor. Dhënia e mehrit është detyrë për burrin, pa marrë parasysh nëse përmendet apo jo në aktin e martesës.

Nëse shuma e mehrit përcaktohet që në lidhjen e aktit martesor, atëherë është detyrë për bashkëshortin që ta japë atë, qoftë pak apo shumë, ashtu siç përmendet në akt. Nëse mehri nuk është përmendur gjatë aktit të martesës atëherë burri është i detyruar që t’i japë asaj mehrin e përafërt, të bashkëmoshatareve të saj në atë vend.

Mehri mund të jetë pasuri materiale, ashtu siç mund të jetë edhe përfitim. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) njërit prej sahabëve i përcaktoi si mehr për martesë, që t’i mësonte bashkëshortes së tij diçka prej Kuranit përmendësh.[4]

Është e pëlqyeshme që shuma e mehrit të jetë e vogël. Sa më i pakët dhe i mundshëm të jetë mehri aq më mirë do të ishte, duke marrë si shëmbëlltyrë sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Mehri i pakët është shkak për arritjen e begatisë, e sa më i pakët të jetë mehri aq më e bereqetshme bëhet martesa.

Muslimi ka transmetuar në “Sahihun” e tij se njëri prej sahabëve të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha atij:

-O i Dërguari i Allahut, u martova!

-E sa i përcaktove për mehër bashkëshortes? – e pyeti i Dërguari i Allahut ((Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

-Katër okë (një qind e gjashtëdhjetë dirhem argjend).

– Katër okë?! Ju sikur e nxirrni argjendin prej shpatit të këtij mali! Nuk kemi ç’të të japim, por ndoshta të nisim në ndonjë ekspëditë e po përfiton prej saj.”[5]

Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Mos e shtrenjtoni mehrin e grave! Nëse shtrenjtimi i tij do të ishte nderim në këtë botë apo devotshmëri në botën tjetër, do t’ju paraprinte në të i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ai nuk i përcaktoi ndonjërës prej bashkëshorteve të tij për mehër më tepër se dymbëdhjetë okë. Po ashtu edhe vajzat e tij, nuk qe mehri i ndonjërës prej tyre më tepër se dymbëdhjetë okë, ndërsa një okë është i barabartë me dyzetë dirhem.”

Shtrenjtimi i mehrit këto vitet e fundit ka ndikuar tepër negativisht, pasi kjo dukuri është bërë shkak për pengimin e martesës së shumë të rinjve dhe të rejave, sa që burrit për përgatitjen e mehrit i duhen vite të tëra pune. Prej dëmeve që shkaktohen si pasojë e shtrenjtimit të mehrit përmendim:

a) Pengimi i martesës së shumë të rinjve dhe të rejave.

b) Mehri është preokupimi kryesor i shumë prej kryefamiljarëve të vajzës, pasi e shohin atë si përfitimin kryesor që do të marrin prej të fejuarit të saj. Nëse shuma që ai ofron është e majme ata bien dakord, kjo edhe nëse ai nuk është i përshtatshëm për të dhe si rrjedhojë mund të ketë edhe pasoja në të ardhmen. Nëse shuma që ai ofron është e pakët, ata e kthejnë mbrapsht të fejuarin, edhe pse ai mund të jetë me fe dhe moral të mirë.

c) Në qoftë se bashkëshorti është i pakënaqur prej bashkëshortes së vet dhe mehri që ai i ka dhënë asaj është një shumë goxha e madhe, atëherë ai do të përpiqet t’ia bëjë jetën skëterrë bashkëshortes së vet, me qëllim që e gjora të detyrohet të kërkojë divorcin tek gjykatësi, në këmbim të kthimit të mehrit të shoqit. Në të kundërt, po qe se mehri do të ishte një shumë modeste, bashkëshorti i saj nuk do ta vriste mendjen shumë për të. Nëse ai e shikon të pamundur ecurinë e martesës së tyre, do ta ndante bashkëshorten pa i bërë padrejtësi asaj.

Sikur njerëzit të tregoheshin më të matur për sa i përket mehrit dhe secili të përpiqej për pakësimin e tij kur e ka në dorë këtë, atëherë një dukuri tepër pozitive do të shfaqej në mesin e shoqërisë. Njerëzit nuk do ta ndjenin më veten në siklet si dhe do t’u hapej drita jeshile për martesë shumë burrave dhe grave. Mirëpo është për të ardhur keq, kur vëren se njerëzit garojnë se kush po e ngre mehrin më tepër se tjetri! Në çdo vit atij i shtojnë diçka të re e cila nuk ka qenë e njohur më parë dhe nuk dihet se në ç’pikë do të arrijnë.

Një traditë e mirë lidhur me këtë dukuri është ajo që veprojnë disa njerëz, e sidomos beduinët të cilët pasi që e përcaktojnë shumën e mehrit, një pjesë të tij e japin në çast, ndërsa pjesën tjetër e afatizojnë në të ardhmen. Në këtë mënyrë edhe bashkëshorti e ka disi më të lehtë.

2. Përkrahja financiare.

Është detyrë e bashkëshortit që të shpenzojë për bashkëshorten e vet, me aq sa ka mundësi. T’i sigurojë asaj ushqimin, pijen, veshjet dhe banesën. Në qoftë se ai tregon koprraci ndaj asaj që e ka për detyrë, do të ishte gjynahqar. Në këtë rast i lejohet bashkëshortes që të marrë prej pasurisë së tij aq sa i nevojitet, apo të marrë borxh në emrin e burrit, i cili e ka për detyrë ta shlyejë atë.

Prej shpenzimeve që i takojnë burrit është edhe gostia e dasmës. Me të është për qëllim ushqimi të cilin burri e përgatit gjatë ditëve të dasmës e me të cilin i gostit njerëzit. Gostia e dasmës është sunet me të cilin jemi porositur. Argument për këtë është vepra e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pasi ai kështu ka vepruar, madje edhe ka urdhëruar për të.

Duhet patur parasysh që gjatë dasmës të mënjanohen harxhimet e tepërta dhe shpërdorimi. Shpenzimet e dasmës duhet të jenë të pranueshme për gjendjen ekonomike të burrit. Ndërsa përsa i përket asaj çka veprojnë shumë njerëz në kohën e sotme duke harxhuar dhe shpërdoruar pa masë, një veprim i tillë është i papranueshëm, pasi pjesa më e madhe e këtyre harxhimeve nuk sjell ndonjë dobi.

3. Traditat që kanë të bëjnë me dy bashkëshortët ndërmjet njëri tjetrit.

Allahu i Madhëruar ka vendosur ndërmjet dy bashkëshortëve dashuri dhe mëshirë. Lidhja e tyre e bën të domosdoshënm zbatimin e disa detyrimeve të ndërsjellta ashtu siç janë të përcaktuara në traditën islame. Kur do që krijohen lidhje apo marrëdhënie të caktuara ndërmjet njerëzve, lindin domosdoshmërisht të drejta dhe detyrime reciproke, varesisht nga shkalla e lidhjes së krijuar.

4. Ndalesat martesore.

Burrit i ndalohet martesa me nënën dhe gjyshet e bashkëshortes së tij, sado të largëta qofshin ato. Gjithashtu atij i ndalohet martesa me vajzat e bashkëshortes së vet të cilat i ka me burrë tjetër para tij, e po ashtu i ndalohet martesa me vajzat e fëmijëve të bashkëshortes së vet (mbesat e bashkëshortes). Kjo me kusht që ai të ketë kryer marrëdhënie intime me nënën e tyre (dhe jo thjesht të ketë bërë aktin e martesës). Po ashtu edhe gruaja është e ndaluar të martohet me babain e bashkëshortit të saj dhe gjyshërit e tij, sado të largët qofshin ata, si dhe me fëmijët (dhe niprit) e bashkëshortit të saj (që i ka me grua tjetër).

5. Trashëgimia

Nëse një burrë lidh akt martesor të saktë (brenda rregullave) me një grua, atëherë ata të dy e trashëgojnë njëri-tjetrin. Argument për këtë është Fjala e Allahut të Madhëruar: “Nga ajo që lënë gratë tuaja, juve ju takon për pjesë gjysma në qoftë se ato nuk kanë fëmijë, por në qoftë se lënë një fëmijë, ju takon një e katërta e asaj që mbetet pas dhënies së amanetit që ato lënë me dëshirën e tyre, ose pas shlyerjes së borxheve. Nga ajo që lini ju, pjesa e atyre (grave tuaja) është një e katërta, nëse nuk lini pas fëmijë, por nëse lini një fëmijë, atëherë atyre u takon një e teta e asaj që mbetet pas dhënies së amanetit që ju lini me dëshirën tuaj ose pas shlyerjes së borxheve.” [En Nisa, 12]. Në këtë rast nuk ka dallim dhe nuk përbën problem fakti se a ka kryer bashkëshorti marrëdhënie intime me të shoqen ose është veçuar me të apo jo.

________________________________________

[1] E kemi shfaqur më parë analizën e këtij hadithi.

[2] E ka transmetuar Ahmedi [vell. 5, faq. 73], Ebu daudi, kapitulli El Menesik- Dispozitat e Haxhit, tema: Forma e Haxhit të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!, me nr [1905] dhe Ibën Maxhe, kapitulli El Menesik- Dispozitat e Haxhit, tema: Haxhi i Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!, me nr [3074]

[3] E kemi shfaqur më parë analizën e këtij hadithi (shiko faqen 6).

[4] E ka transmetuar Buhariu, kapitulli i martesës, tema: “Tezuixhul muasiri – Martesa e atij që e ka gjendjen ekonomike të keqe” me nr. 5087. E transmeton gjithashtu Muslimi në kapitullin me të njejtin titull, tema: “Es sadaku ue xheuezu keunihitealimul Kuran – Mehri dhe lejueshmëria e qënies së tij mësim i Kuranit” me nr. 1425

[5] E transmeton Muslimi në kapitullin e martesës, tema: “Nedbun nedhari ilel mer’ati – Pëlqyeshmëria e shikimit të bashkëshortes” me nr. 1424

 

9

Vendimi i sheriatit në lidhje me divorcin

dhe gjërat që duhen patur parasysh në lidhje me të

Me divorc është për qëllim; Ndarja e bashkëshortes me fjalë, shkrim apo gjeste.

Divorci në origjinë është një veprim i urryer, pasi ai i zhduk të gjitha dobitë e martesës që përmendëm më sipër si dhe e shpërbën familjen. Mirëpo, përderisa divorci ndonjëherë është më se i domosdoshëm, kjo pasi në disa raste vazhdueshmëria e martesës mund të jetë e dëmshme për ndonjërin prej dy bashkëshortëve apo për të dy ata, si dhe për ndonjë qëllim tjetër; atëherë Allahu i Madhëruar prej mëshirës së Tij e lejoi atë për robërit e Tij dhe nuk zgjodhi për ta vështirësinë dhe rëndesën. Nëse burri e urren bashkëshorten e vet dhe nuk është në gjendje të bëjë durim ndaj saj, atëherë nuk ka problem nëse e divorcon atë. Mirëpo ai duhet të ketë parasysh rregullat e mëposhtme:

a) Të mos e divorcojë kur ajo është në periudhën e menstruacioneve. Nëse burri e divorcon gruan e vet ndërkohë që ajo është në periudhën e menstruacioneve, atëherë ai e ka kundërshtuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), si dhe ka bërë një veprim të ndaluar. Në këtë rast është detyrë për burrin që ta kthejë atë (gruan) dhe ta mbajë derisa ajo të pastrohet, e pas kësaj nëse dëshiron mund ta divorcojë. Ndërsa më parësore është që ta mbajë atë derisa t’i kthehen asaj periodat për herë të dytë e mbasi të jetë pastruar; nëse do e mban atë ose në të kundërt e divorcon.

b) Të mos e ndajë atë në periudhën e pastërtisë së saj, nëse ai ka kryer marrëdhënie me të, me përjashtim të rastit kur shtatzania e saj është e qartë. Nëse burri ka për synim që ta ndajë gruan dhe ka kryer marrëdhënie me të, pasi që ajo ishte pastruar prej menstruacioneve, atëherë ai nuk duhet që ta ndajë atë derisa t’i rikthehen sërish periodat dhe pastaj të pastrohet, sado e gjatë të jetë pritja. Mbas kësaj nëse dëshiron ai e ndan atë, por pa kryer me të marrëdhënie. Bën përjashtim këtu vetëm ai rast kur shtatzënia e saj është e qartë, apo nëse ka qenë shtatzënë. Pra, në këtë rast nuk ka problem nëse e divorcon atë. Allahu i Madhëruar thotë: “O ti Pejgamber! Kur t’i ndani gratë, i ndani ato në kohën e pastërtisë së tyre…” [Et Talak, 1].

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Nuk duhet (që burri) ta ndajë gruan gjatë periudhës së menstruacioneve dhe as në periudhën e pastërtisë së saj, nëse ai ka kryer marrëdhënie me të, por duhet që ta mbajë atë derisa t’i rikthehen sërish periodat dhe pastaj të pastrohet. Pas kësaj nëse dëshiron, e ndan atë .”

c) Të mos e ndaj atë me më tepër se një herë. Pra, të mos i thojë “Je dy herë e ndarë!” apo “Je tre herë e ndarë!” dhe as t’i përsërisë “Je e ndarë, je e ndarë, je e ndarë!” Të divorcuarit e trefishtë në të njëjtën kohë është i ndaluar (haram), pasi transmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në lidhje me një burrë i cili e ndau gruan e vet me divorc të trefishtë në të njëjtën kohë ka thënë: “A po luani me Librin e Allahut ndërkohë që unë gjendem midis jush?!” Një burrë u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, a ta vras atë?[1]

E vërteta është se shumë njerëz janë të pavetëdijshëm ndaj rregullave të divorcit. Kur u teket për të divorcuar, ata divorcojnë dhe as që duan t’ia dinë për kohën apo mënyrën e tij.

Njeriu e ka për detyrë t’u vetpërmbahet kufijëve (ndalesave) të Allahut dhe të mos i tejkalojë ato. Allahu i Madhëruar thotë: “… e kush del jashtë dispozitave të All-llahut, ai e ka dëmtuar vetveten.” [Et Talak, 1].

Po ashtu thotë: “Këto janë dispozita të Allahut, pra mos i kundërshtoni, sepse kush i tejkalon dispozitat e Allahut, pikërisht të tillët janë zullumqarët.” [El Bekare, 229].

 

10

Konsekuencat e divorcit

Ashtu si edhe e përmendëm, me divorc është për qëllim ndarja e bashkëshortes. Kjo ndarje bëhet duke patur parasysh një sërë rregullash, ndër të cilat përmendim:

a) Pritja e detyrueshme që bën gruaja pasi që është divorcuar. Për të qenë e detyrueshme kjo pritje, duhet që bashkëshorti të ketë kryer marredhënie intime me të apo të jetë veçuar siç veçohet burri me gruan. Ndërsa nëse ai e ndan para se të ketë hyrë apo të jetë veçuar me të, atëherë ajo nuk ka pritje (iddeh).

b) Argument për këtë është Fjala e Allahut të Madhëruar: “O ju që keni besuar! Kur të martoheni me besimtare dhe pastaj i ndani ato para se të bëni marrëdhënie me to, nuk ka Iddeh (kohë e përcaktuar për ndarjen e bashkëshortëve), për të pritur në lidhje me to.” [El Ahzab, 49].

Koha e përcaktuar për pritje për femrën e cila ka menstruacione është mbarimi i tre periodave. Nëse ajo nuk ka menstruacione, atëherë duhet të presë tre muaj. Po qe se është shtatzënë duhet të presi deri sa të lindë.

c) c) Gruaja bëhet e ndaluar për burrin nëse ai e ka ndarë dy herë të tjera para kësaj të fundit. Pra, bëhet fjalë për rastin kur ai e ndan një herë, pastaj e rikthen ndërkohë që asaj ende nuk i ka mbaruar pritja, apo i ka mbaruar pritja mirëpo ai martohet sërish me të (me akt të ri) dhe pastaj e ndan për herë të dytë dhe përsëri e rikthen në kohën e pritjes, apo e martohet sërish me të. Nëse burri e ndan atë për herë të tretë, mbas kësaj bëhet e ndaluar për të, derisa ajo të martohet me një burrë tjetër në mënyrë të vlefshme dhe ai të kryejë marrëdhënie intime me të. Pas kësaj, nëse burri i dytë i saj e ndan, atëherë ajo bëhet e lejuar për të parin. Argument për këtë është Fjala e Allahut të Madhëruar: “Lëshimi (pas të cilit mund të bëhet rikthimi) është dy herë, e (pastaj) ose jetë e njerëzishme (bashkëshortore) ose shkurorëzim me mirëkuptim.” [El Bekare, 229]. Deri në Fjalën e Tij: “E në qoftë se ai (burri) e lëshon atë (për herë të tretë), pas atij (lëshimi) nuk lejohet më derisa ajo të martohet me një burrë tjetër. E nëse ai (burri i dytë) e lëshon atë, atëherë për ata dy, po qe se mendojnë se do t’i zbatojnë dispozitat e Allahut, nuk ka pengesë të rikthehen (në bashkëshortësi). Këto janë dispozita të Allahut që ia sqaron një populli që kupton.” [El Bekare, 230].

Allahu i Madhëruar e bëri të ndaluar për burrin rikthimin e gruas pasi që e ka ndarë atë tre herë, derisa ajo të martohet me dikë tjetër përveç tij. Urtësia e kësaj është se njerëzit në fillim të Islamit i divorconin gratë e veta dhe i rikthenin ato sa herë të dëshironin, pa ndonjë numër të kufizuar. Një burrë u zemërua prej bashkëshortes së vet dhe asaj i tha: –Për Zotin, as nuk do të të mbaj e as nuk do të të ndaj!

– Si qenka kjo kështu?! – ja priti e shoqja.

– Do të të ndaj, sa që kur t’i jesh afruar fundit të periudhës së pritjes, do të të rikthej . Pastaj përsëri do të të ndaj, e kur sërish t’i jesh afruar periudhës së pritjes, do të të kthej.”

Gruaja shkoi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tregoi atij për çfarë kishte ngjarë.

Allahu i Madhëruar lidhur me këtë zbriti Fjalën e Tij: “Lëshimi (pas të cilit mund të bëhet rikthimi) është dy herë…” me anë të së cilës përcaktoi se nuk i lejohet burrit kthimi i bashkëshortes së divorcuar më tepër se tre herë, gjykim ky i cili qe mëshirë për gruan, pasi e mbron atë prej padrejtësisë së burrit.

 

Mbyllja

Vëllezër të nderuar!

Shpresojmë të kemi përmendur shkurtimisht dispozitat kryesore që kanë të bëjnë me martesën, gjithnjë duke u përpjekur që të mos tejzgjateshim në atë mënyrë e cila do të ishte e mërzitshme dhe as të mos përmblidhnim në atë mënyrë e cila do të qe e vakët.

Lus Allahun e Madhëruar të bëjë dobi me atë çka përmendëm e t”i bëjë punët tona të sinqerta për hir të Tij dhe në përputhje me atë që Ai e do dhe është i kënaqur prej saj!

E lusim Allahun e Madhëruar që të nxjerrë prej këtij umeti një gjeneratë që i njeh dispozitat e Tij, i ruan kufijët (ndalesat) e Tij, është gjithnjë në shërbim të fesë së Tij dhe udhëzuese për krijesat e Tij!

“Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde! Vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!”

“Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj nga ndëshkimi i Zjarrit!”

Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin,

mbi familjen dhe shokët e Tij!

__________________________________

[1] E transmeton En Nesai, kapitulli i Divorcit, tema: “Tre të shprehura bashkë dhe qortimi në lidhje me to” me nr. 3401