MARTESA (5)

Autor: Dijetari i madh
Muhamed ibën Salih el Uthejmin
(Allahu e mëshiroftë!)
Përktheu: Enes Ajdini


9

Vendimi i sheriatit në lidhje me divorcin

dhe gjërat që duhen patur parasysh në lidhje me të

 

Me divorc është për qëllim; Ndarja e bashkëshortes me fjalë, shkrim apo gjeste.

Divorci në origjinë është një veprim i urryer, pasi ai i zhduk të gjitha dobitë e martesës që përmendëm më sipër si dhe e shpërbën familjen. Mirëpo, përderisa divorci ndonjëherë është më se i domosdoshëm, kjo pasi në disa raste vazhdueshmëria e martesës mund të jetë e dëmshme për ndonjërin prej dy bashkëshortëve apo për të dy ata, si dhe për ndonjë qëllim tjetër; atëherë Allahu i Madhëruar prej mëshirës së Tij e lejoi atë për robërit e Tij dhe nuk zgjodhi për ta vështirësinë dhe rëndesën. Nëse burri e urren bashkëshorten e vet dhe nuk është në gjendje të bëjë durim ndaj saj, atëherë nuk ka problem nëse e divorcon atë. Mirëpo ai duhet të ketë parasysh rregullat e mëposhtme:

a) Të mos e divorcojë kur ajo është në periudhën e menstruacioneve. Nëse burri e divorcon gruan e vet ndërkohë që ajo është në periudhën e menstruacioneve, atëherë ai e ka kundërshtuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), si dhe ka bërë një veprim të ndaluar. Në këtë rast është detyrë për burrin që ta kthejë atë (gruan) dhe ta mbajë derisa ajo të pastrohet, e pas kësaj nëse dëshiron mund ta divorcojë. Ndërsa më parësore është që ta mbajë atë derisa t’i kthehen asaj periodat për herë të dytë e mbasi të jetë pastruar; nëse do e mban atë ose në të kundërt e divorcon.

b) Të mos e ndajë atë në periudhën e pastërtisë së saj, nëse ai ka kryer marrëdhënie me të, me përjashtim të rastit kur shtatzania e saj është e qartë. Nëse burri ka për synim që ta ndajë gruan dhe ka kryer marrëdhënie me të, pasi që ajo ishte pastruar prej menstruacioneve, atëherë ai nuk duhet që ta ndajë atë derisa t’i rikthehen sërish periodat dhe pastaj të pastrohet, sado e gjatë të jetë pritja. Mbas kësaj nëse dëshiron ai e ndan atë, por pa kryer me të marrëdhënie. Bën përjashtim këtu vetëm ai rast kur shtatzënia e saj është e qartë, apo nëse ka qenë shtatzënë. Pra, në këtë rast nuk ka problem nëse e divorcon atë. Allahu i Madhëruar thotë: “O ti Pejgamber! Kur t’i ndani gratë, i ndani ato në kohën e pastërtisë së tyre…” [Et Talak, 1].

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Nuk duhet (që burri) ta ndajë gruan gjatë periudhës së menstruacioneve dhe as në periudhën e pastërtisë së saj, nëse ai ka kryer marrëdhënie me të, por duhet që ta mbajë atë derisa t’i rikthehen sërish periodat dhe pastaj të pastrohet. Pas kësaj nëse dëshiron, e ndan atë .”

c) Të mos e ndaj atë me më tepër se një herë. Pra, të mos i thojë “Je dy herë e ndarë!” apo “Je tre herë e ndarë!” dhe as t’i përsërisë “Je e ndarë, je e ndarë, je e ndarë!” Të divorcuarit e trefishtë në të njëjtën kohë është i ndaluar (haram), pasi transmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në lidhje me një burrë i cili e ndau gruan e vet me divorc të trefishtë në të njëjtën kohë ka thënë: “A po luani me Librin e Allahut ndërkohë që unë gjendem midis jush?!” Një burrë u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, a ta vras atë?[1]

E vërteta është se shumë njerëz janë të pavetëdijshëm ndaj rregullave të divorcit. Kur u teket për të divorcuar, ata divorcojnë dhe as që duan t’ia dinë për kohën apo mënyrën e tij.

Njeriu e ka për detyrë t’u vetpërmbahet kufijëve (ndalesave) të Allahut dhe të mos i tejkalojë ato. Allahu i Madhëruar thotë: “… e kush del jashtë dispozitave të All-llahut, ai e ka dëmtuar vetveten.” [Et Talak, 1].

Po ashtu thotë: “Këto janë dispozita të Allahut, pra mos i kundërshtoni, sepse kush i tejkalon dispozitat e Allahut, pikërisht të tillët janë zullumqarët.” [El Bekare, 229].

10

Konsekuencat e divorcit

 

Ashtu si edhe e përmendëm, me divorc është për qëllim ndarja e bashkëshortes. Kjo ndarje bëhet duke patur parasysh një sërë rregullash, ndër të cilat përmendim:

a) Pritja e detyrueshme që bën gruaja pasi që është divorcuar. Për të qenë e detyrueshme kjo pritje, duhet që bashkëshorti të ketë kryer marredhënie intime me të apo të jetë veçuar siç veçohet burri me gruan. Ndërsa nëse ai e ndan para se të ketë hyrë apo të jetë veçuar me të, atëherë ajo nuk ka pritje (iddeh).

b) Argument për këtë është Fjala e Allahut të Madhëruar: “O ju që keni besuar! Kur të martoheni me besimtare dhe pastaj i ndani ato para se të bëni marrëdhënie me to, nuk ka Iddeh (kohë e përcaktuar për ndarjen e bashkëshortëve), për të pritur në lidhje me to.” [El Ahzab, 49].

Koha e përcaktuar për pritje për femrën e cila ka menstruacione është mbarimi i tre periodave. Nëse ajo nuk ka menstruacione, atëherë duhet të presë tre muaj. Po qe se është shtatzënë duhet të presi deri sa të lindë.

c) c)      Gruaja bëhet e ndaluar për burrin nëse ai e ka ndarë dy herë të tjera para kësaj të fundit. Pra, bëhet fjalë për rastin kur ai e ndan një herë, pastaj e rikthen ndërkohë që asaj ende nuk i ka mbaruar pritja, apo i ka mbaruar pritja mirëpo ai martohet sërish me të (me akt të ri) dhe  pastaj e ndan për herë të dytë dhe përsëri e rikthen në kohën e pritjes, apo e martohet sërish me të. Nëse burri e ndan atë për herë të tretë, mbas kësaj bëhet e ndaluar për të, derisa ajo të martohet me një burrë tjetër në mënyrë të vlefshme dhe ai të kryejë marrëdhënie intime me të. Pas kësaj, nëse burri i dytë i saj e ndan, atëherë ajo bëhet e lejuar për të parin. Argument për këtë është Fjala e Allahut të Madhëruar: “Lëshimi (pas të cilit mund të bëhet rikthimi)është dy herë, e (pastaj) ose jetë e njerëzishme (bashkëshortore) ose shkurorëzim me mirëkuptim.” [El Bekare, 229]. Deri në Fjalën e Tij: “E në qoftë se ai (burri) e lëshon atë (për herë të tretë), pas atij (lëshimi) nuk lejohet më derisa ajo të martohet me një burrë tjetër. E nëse ai (burri i dytë) e lëshon atë, atëherë për ata dy, po qe se mendojnë se do t’i zbatojnë dispozitat e Allahut, nuk ka pengesë të rikthehen (në bashkëshortësi). Këto janë dispozita të Allahut që ia sqaron një populli që kupton.” [El Bekare, 230].

Allahu i Madhëruar e bëri të ndaluar për burrin rikthimin e gruas pasi që e ka ndarë atë tre herë, derisa ajo të martohet me dikë tjetër përveç tij. Urtësia e kësaj është se njerëzit në fillim të Islamit i divorconin gratë e veta dhe i rikthenin ato sa herë të dëshironin, pa ndonjë numër të kufizuar. Një burrë u zemërua prej bashkëshortes së vet dhe asaj i tha: –Për Zotin, as nuk do të të mbaj e as nuk do të të ndaj!

– Si qenka kjo kështu?! – ja priti e shoqja.

– Do të të ndaj, sa që kur t’i jesh afruar fundit të periudhës së pritjes, do të të rikthej . Pastaj përsëri do të të ndaj, e kur sërish t’i jesh afruar periudhës së pritjes, do të të kthej.”

Gruaja shkoi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tregoi atij për çfarë kishte ngjarë.

Allahu i Madhëruar lidhur me këtë zbriti Fjalën e Tij: “Lëshimi (pas të cilit mund të bëhet rikthimi) është dy herë…” me anë të së cilës përcaktoi se nuk i lejohet burrit kthimi i bashkëshortes së divorcuar më tepër se tre herë, gjykim ky i cili qe mëshirë për gruan, pasi e mbron atë prej padrejtësisë së burrit.

Mbyllja

Vëllezër të nderuar!

Shpresojmë të kemi përmendur shkurtimisht dispozitat kryesore që kanë të bëjnë me martesën, gjithnjë duke u përpjekur që të mos tejzgjateshim në atë mënyrë e cila do të ishte e mërzitshme dhe as të mos përmblidhnim në atë mënyrë e cila do të qe e vakët.

Lus Allahun e Madhëruar të bëjë dobi me atë çka përmendëm e t”i bëjë punët tona të sinqerta për hir të Tij dhe në përputhje me atë që Ai e do dhe është i kënaqur prej saj!

E lusim Allahun e Madhëruar që të nxjerrë prej këtij umeti një gjeneratë  që  i njeh  dispozitat e Tij, i ruan kufijët (ndalesat) e Tij, është  gjithnjë  në shërbim të fesë së Tij dhe udhëzuese për krijesat e Tij!

“Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde! Vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!”

“Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj nga ndëshkimi i Zjarrit!”

 

Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin,

mbi familjen dhe shokët e Tij!

 

 


[1] E transmeton En Nesai, kapitulli i Divorcit, tema: “Tre të shprehura bashkë dhe qortimi në lidhje me to” me nr. 3401.