(3) MARTESA

Autor: Dijetari i madh
Muhamed ibën Salih el Uthejmin
(Allahu e mëshiroftë!)
Përktheu: Enes Ajdini


5

Femrat me të cilat është e ndaluar martesa

 

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu me të vërtetë i ka përcaktuar disa obligime dhe ka vendosur kufij, prandaj mos i tejkaloni ato.”[1]

Në grupin e kufijve të sheriatit të vendosura prej Allahut të Madhëruar, bëjnë pjesë edhe dispozitat në lidhje me lejueshmërinë apo moslejueshmërinë e martesës me disa prej femrave. Si rrjedhojë, burrit nuk i lejohet martesa dhe lidhja e kurorës me disa femra, për shkak të afërsisë së tyre nga lidhja e gjakut, për shkak të vëllazërisë së gjirit, për shkak të lidhjes së krushqisë[2], apo për ndonjë arsye tjetër të vlefshme. Femrat me të cilat martesa është e ndaluar mund t’i klasifikojmë në dy llojëshe:

Në njërin grup bëjnë pjesë ato femra martesa me të cilat është e ndaluar përgjithmonë, ndërsa në grupin tjetër, ato me të cilat ndalohet martesa përkohësisht.

I. Femrat me të cilat është e ndaluar martesa përgjithmonë

Ato klasifikohen në tre grupe:

a) Femrat me të cilat martesa nuk lejohet për shkak të lidhjeve familjare.

Ato janë shtatë, e që të gjitha Allahu i Madhëruar i ka përmenduar në fjalën e Tij: “U janë ndaluar juve (të martoheni me)nënat tuaja, bijat tuaja, motrat tuaja, hallat tuaja, tezet tuaja, vajzat e vëllait, vajzat e motrës”. [En Nisa 23].

1. Ne Fjalën e Allahut “nënat tuaja” janë për qëllim përveç nënës edhe gjyshet, qofshin nga ana e babait apo nënës.

2. Vajzat: qofshin ato vajzat vetjake, vajzat e djemve apo vajzat e vajzave.

3. Motrat: qofshin nga babai dhe nëna, vetëm nga babai apo vetëm nga nëna.

4. Hallat: në to bëjnë pjesë hallat e personit, hallat e babait të tij, hallat e gjyshërve të tij, hallat e nënës së tij si dhe hallat e gjysheve.

5. Tezet: duke u përfshirë në to tezet e personit, tezet e babait të tij, tezet e gjyshërve të tij, tezet e nënës së tij si dhe tezet e gjysheve.

6. Vajzat e vëllait: përfshihen këtu; vajzat e vëllait nga babai dhe nëna, vajzat e vëllait vetëm nga babai, vajzat e vëllait vetëm nga nëna, vajzat e djemve dhe vajzave të tyre.

7. Vajzat e motrës: përfshihen këtu: vajzat e motrës nga babai dhe nëna, vajzat e motrës vetëm nga babai, vajzat e motrës vetëm nga nëna, vajzat e djemve dhe vajzave të tyre.

b) Femrat me të cilat martesa nuk lejohet për shkak të gjirit.

Ato që kemi përmendur në lidhje me ndalesën për shkak të lidhjeve familjare vlejnë edhe këtu, pasi nuk ka asnjë dallim midis tyre. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ndalohet për shkak të tajitjes (ushqimit me gji, mëndja) ajo çka ndalohet për shkak të lidhjes së gjakut.”[3]

Është e nevojshme të përmendim këtu se tajitja për të qenë penguese duhet të plotësojë disa kushte:

– Tajitja duhet të bëhet pesë apo më tepër herë.

Nëse foshnja pi qumësht prej një gruaje katër herë, ajo nuk konsiderohet nënë e gjirit për të. Argument për këtë është hadithi të cilin e transmeton Muslimi nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ajo ka thënë: “Prej asaj çka ka zbritur në Kuran në lidhje me tajitjen, përmendeshin dhjetë pirje të plota ato që e bënin pengesën. Më pas ato u abroguan me pesë të tilla. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndërroi jetë, ndërsa ato lexoheshin prej Kuranit.[4]

– Të bëhet tajitja para se foshnjës t’i ndërpritet dhënia e gjirit.

Pra, është kusht që të pesta pirjet të kenë qenë që të gjitha para se foshnja të arrijë moshën e heqjes së gjirit. Nëse foshnja pas kësaj moshe pi qumësht prej nje gruaje, ajo nuk konsiderohet për të nënë; madje edhe nëse disa prej pirjeve kanë qenë para se foshnja të arrinte moshën e heqjes së gjirit (por më pak se pesë) dhe pjesa tjetër pas heqjes së gjirit.

Nëse kushtet e tajitjes plotësohen, foshnja konsiderohet fëmijë për gruan e cila i dha gji, ndërsa fëmijët e saj janë vëllezër të foshnjës, pa marrë parasysh nëse kanë lindur para tij apo lindin pas tij.

Gjithashtu edhe fëmijët e bashkëshortit të gruas e cila e ushqeu me gji bëhen vëllezër të gjirit, kjo edhe në qoftë se ata fëmijë do t’i kishte me një grua tjetër dhe jo me atë që i dha gji.

Këtu është e domosdoshme të përmendim se të afërmit e foshnjës të cilit i është dhënë gji nuk kanë asnjë lidhje me pasojat e tajitjes dhe ajo nuk ndikon aspak tek ata, përveç pasardhësve te tij. Pra i lejohet vëllezërve (prej babait dhe nënës) të foshnjës që të martohen me gruan e cila i dha qumësht vëllait të tyre apo me vajzën e saj e cila është motër prej qumështi e vëllait të tyre. Kurse pasardhësit e tij konsiderohen fëmijë të gruas e cila i ka dhënë qumësht babait të tyre, ndërsa bashkëshorti i saj gëzon për ta, të njëjtën pozitë që gëzon edhe për babain e tyre.

c) Femrat me të cilat ndalohet martesa për shkak të lidhjes së krushqisë:

Bëjnë pjesë:

1. Bashkëshortet e baballarëve dhe gjyshërve, qofshin ata nga ana e babait apo nënës. Argument për këtë është Fjala e Allahut të Madhëruar: “Mos u martoni me ato gra me të cilat qenë martuar baballarët tuaj…” [En Nisa 22]. Në momentin që një burrë lidh aktin e martesës me një femër, ajo bëhet e ndaluar për djemtë e tij dhe djemtë e djemve dhe vajzave të tij, pa marrë parasysh nëse kreu marrëdhënie intime me të apo thjesht kreu aktin martesor.

2. Bashkëshortet e djemve dhe nipërve. Argument për këtë është Fjala e Allahut të Madhëruar: “… dhe (janë të ndaluara) gratë e bijëve tuaj që janë të lindjes suaj (jo të bijëve të adoptuar).” [En Nisa 23]. Nëse një person e lidh aktin e martesës me një femër, nuk i lejohet më babait dhe gjyshërve të tij martesa me atë femër, qofshin ata (gjyshërit) nga ana e babait apo nënës si dhe pa marrë parasysh nëse kreu marrëdhënie intime me të apo thjesht kreu aktin martesor.

3. Nëna e bashkëshortes dhe gjyshet e saj. Argument për këtë është Fjala e Allahut të Madhëruar: “… Nënat e grave tuaj (vjehrrat).” [En Nisa 23]. Në momentin që një burrë lidh aktin e martesës me një femër, bëhet e ndaluar për të martesa me nënën dhë gjyshet e saj qofshin ato (gjyshet) nga ana e babait apo nënës si dhe pa marrë parasysh nëse kreu marrëdhënie intime me të apo thjesht kreu aktin martesor.

4. Vajzat e bashkëshortes, vajzat e djemve dhe vajzat e vajzave të saj. Këto janë ato të cilat Allahu i Madhëruar i ka quajtur Rrabaib. Veçse këtu duhet patur parasysh se që vajzat e bashkëshortes të bëhen të ndaluara për burrin, nuk mjafton për këtë thjesht lidhja e aktit, por kjo ndodh vetëm pasi ai të ketë kryer marrëdhënie intime me të. Nëse ndodh që burri të ndahet para se të kryejë marrëdhënie me bashkëshorten, atëherë i lejohet atij martesa me vajzat apo mbesat e saj. Argument për çka thamë është Fjala e Allahut të Madhëruar: “… dhe vajzat që janë nën kujdesin tuaj e të lindura (prej tjetër babai) nga gratë tuaja me të cilat patët kontakt, e nëse nuk keni pasur kontakt me to (me gratë) atëherë s’ka pengesë (të martoheni me ato vajza).” [En Nisa 23].

Në momentin që një burrë martohet me një femër dhe kryen marrëdhënie seksuale me të, bëhen të ndaluara për të vajzat e saj dhe vajzat e djemve dhe vajzat e vajzave të saj, qofshin këto prej një bashkëshorti tjetër para apo pas tij. Mirëpo, ashtu siç edhe e shpjeguam, nëse ai ndahet me bashkëshorten e tij para se të kryejë me të marrëdhënie, i lejohet ne këtë rast të martohet me vajzat dhe mbesat e saj.

II. Femrat me të cilat ndalohet

martesa përkohësisht

 

Prej tyre përmendim:

1. Motra e bashkëshortes, halla dhe tezja e saj. Kjo ndalesë nuk është e vlefshme pas vdekje së bashhkëshortes si edhe pasi që burri e ndan bashkëshorten dhe ajo e ka plotësuar periudhën e pritjes. Argument për këtë është Fjala e Allahut të Madhëruar: “… dhe (është e ndaluar) të bashkoni (përnjëherë në një martesë) dy motra.” [En Nisa 23].  Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: Nuk lejohet bashkimi (në martesë) i një gruaje dhe hallës së saj, apo i një gruaje dhe tezes së saj.”[5]

2. Femra e ndarë e cila është në periudhën e pritjes. Është e ndaluar martesa me femrën e cila është në periudhën e pritjes pasi që e ka ndarë bashkëshorti i saj, deri sa t’i mbarojë periudha e pritjes.

3. Femra e cila është në ihram për kryerjen e Haxhit apo Umras. Nuk lejohet lidhja e aktit martesor me atë femër e cila është në ihram, deri sa ta kryejë atë.

Përveç këtyre që përmendëm ka edhe femra të tjera me të cilat martesa është e ndaluar, mirëpo nuk po i përmendim ato nga droja e tejzgjatjes. Për sa i përket menstruacioneve, ato nuk janë pengesë për lidhjen e aktit martesor. Pra, lejohet lidhja e aktit martesor me femrën e cila është në periudhën e menstruacioneve, mirëpo nuk lejohet kryerja e marrëdhënieve seksuale me të deri sa të pastrohet prej tyre e të marrë gusul.

6

Numri i lejueshëm i grave për martesë

 

Përderisa lënia në dëshirën e mashkullit që të martohej me sa gra të dëshironte do të sillte medoemos trazira dhe padrejtësi; si dhe do të bëhej e pamundur mbajtja e drejtësisë midis bashkëshorteve, ndërsa në të kundërt; kufizimi i martesës së burrit vetëm me një grua mund të çonte në vepra të papëlqyeshme dhe mund të bëhej shkak që burri të kërkonte shfrenimin e epshit të tij në mënyrë të ndaluar, duke i patur parasysh të gjitha këto, sheriati ia ka lejuar burrit të martohet deri në katër gra.

Ky është kufiri i lejuar i grave për martesë, në të cilin është e mundur mbajtja e barazisë midis bashkëshorteve dhe plotësimi i detyrimeve ndaj tyre.

Po ashtu kjo do të ishte e mjaftueshme për plotësimin e nevojave të burrit nëse do të kishte nevojë për më tepër se një bashkëshorte. Allahu i Madhëruar thotë: “… atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë; me dy tri e me katër. E nëse i frikësoheni padrejtësisë (ndaj tyre), atëherë vetëm me një.” [En Nisa 3].

Në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e pranoi islamin Gajlan eth Thekafi, e ky ishte martuar me dhjetë gra. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e urdhëroi atë që të zgjidhte katër midis tyre dhe të tjerat t’i lëshonte. Ndërsa Kajs ibën el Harith ka thënë: “Në kohën kur pranova islamin isha i martuar me tetë gra. Shkova tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ia përmenda këtë çështje. “Zgjidh katër prej tyre.” –tha.[6]

 

Dobitë e të martuarit me më tepër se një grua

1. Të martuarit me më tepër se një grua në disa raste mund të jetë edhe domosdoshmëri, siç është rasti kur bashkëshortja është e madhe në moshë apo e sëmurë, saqë nëse burri mjaftohet vetëm me të kjo mund të bëhet shkak që ai ta ketë të vështirë ruajtjen e nderit dhe moralit të tij.

Gjithashtu  ndodh që burri të ketë fëmijë me bashkëshorten e cila është e madhe ne moshë, nëse atij nuk do t’i lejohej të martohej me tjetër përveç saj, kjo mund të bëhej shkak që ai të binte pre e gjërave të ndaluara për të plotësuar nevojat e tij, e nëse ai do ta ndante bashkëshorten (në mënyrë që të martohej me tjetër) ai në këtë mënyrë do të ndante midis saj dhe fëmijëve të saj. Sigurisht që mënyra më e mirë për zgjidhjen e këtij problemi do të ishte poligamija.

2. S’ka dyshim se martesa është shkak për lidhjen dhe afrimitetin e njerëzve ndërmjet njëri-tjetrit. Allahu i Madhëruar e ka vendosur  martesën  në një nivel me lidhjen farefisnore si formues të lidhjeve familjare, pasiqë në lidhje me të thotë: “Dhe Ai nga uji (fara) krijoi njeriun, e bëri atë të ketë fis dhe të ketë miqësi.” [El Furkan 54]. Pra, martesa me më shumë se një grua bëhet shkak për lidhjen midis veti të shumë familjeve, madje kjo ka qenë ndër arsyet për të cilat i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u martua me shumë gra.

3. Prej dobive të poligamisë është edhe fakti se ajo bëhet shkak për zgjidhjen e problemeve të shumë prej grave (të cilat nuk kanë mundur të martohen) duke u mundësuar atyre përkujdesje sociale, vendbanim dhe kushte normale jetese. Po ashtu, ajo bëhet shkak që edhe ato të ndjejnë kënaqësinë e të qenurit nënë dhe të kenë fëmijët e tyre të cilët i trashëgojnë, e s’ka dyshim se kjo është prej pikësynimeve të sheriatit.

4. Tek shumë meshkuj, edhe pse ata e duan dlirësinë dhe moralin e lartë, ndjenja e epshit mund të jetë e theksuar saqë një femër e vetme nuk është e mjaftueshme për plotësimin e nevojave të tyre. Pikërisht që ata të mos bien pre e imoralitetit dhe ndyrësive, Allahu i Madhëruar prej mëshirës së Tij ndaj krijesave, ua lejoi atyre poligaminë, duke patur parasysh normat dhe rregullat e sheriatit.

7

Urtësia e martesës

Vijon … 

 



[1] Hadithin e ka transmetuar Ed Derakutni ne “Sunenin” e tij [vëll. IV, faq. 184]. Hadithi është i dobët (daif) sipas imam Albanit (Allahu e mëshiroftë!) (Sh.p)

[2] Siç është rasti kur babai i djalit martohet me nje femër, kjo gjë e bën të ndaluar martesën e të birit  me atë femër pas vdekjes së babait, apo nëse ai e ndan atë. (Sh.p)

[3] E ka transmetuar Buhariu, kapitulli i dëshmive, tema: “Dëshmitë mbi përkatësitë farefisnore dhe tajitjen” me nr. 2645, 2646 dhe Muslimi, kapitulli Err Rrada’atu – tajijtja, tema: “Çfarë ndalohet për shkak të lindjes” me nr. 1447, 1444

[4] E transmeton Muslimi, kapitulli Err Rrada’atu – tajitja, tema: “Ndalesa hyn në fuqi me pesë të pira” me nr. 1452

[5] E ka transmetuar Buhariu, kapitulli i martesës, tema: “Nuk bashkohet në martesë gruaja dhe halla e saj” me nr. 5109. E transmeton gjithashtu Muslimi në kapitullin me të njejtin titull, tema: “Moslejueshmëria e bashkimit në martesë midis gruas dhe hallës së saj” me nr. 1408. –Muttefekun alejhi.

[6] E transmeton Ebu Daudi, kapitulli i divorcit, tema: “Në lidhje me atë i cili e pranon islamin dhe është i martuar me më tepër se katër gra” me nr. 2241