(2) MARTESA

Autor: Dijetari i madh
Muhamed ibën Salih el Uthejmin
(Allahu e mëshiroftë!)
Përktheu: Enes Ajdini


Kuptimi i martesës nga ana gjuhësore dhe fetare

 

Me fjalën Nikah – martesë, në gjuhën arabe nënkuptohen dy gjëra:

1. Akti martesor

2. Marrëdhëniet intime

Ebu Ali el Kali ka thënë: “Arabët e bëjnë dallimin ndërmjet dy kuptimeve të fjalës Nikah duke parë formën se si ajo vjen në fjali. Për shembull kur thuhet: Nekeha binte fulanin – u martua me vajzën e filanit, ka për qëllim: Lidhi me të aktin martesor. Ndërsa kur thotë: Nekeha zeuxhetehu – Martoi bashkëshorten e vet, nuk ka gjë tjetër për qëllim, përveç se marrëdhënieve intime”.

Kuptimi i martesës nga ana fetare është: “Akti i cili lidh ndërmjet një mashkulli dhe një femre duke patur për qëllim të kënaqurit e tyre të ndërsjelltë mes veti dhe formimin e një familjeje të zellshme e një shoqërie të shëndetshme.”

Me anë të këtij përkufizimi na bëhet e qartë se qëllimi i martesës nuk është thjesht kënaqësia trupore, por krahas kësaj është për qëllim edhe diçka tjetër e rëndësishme; formimi i familjes së zellshme dhe shoqërisë së shëndetshme. Edhe pse të dy këto qëllime kanë rëndësinë e vet, ndodh që ndonjëri prej tyre, në rrethana të caktuara mund të jetë më dominant se  tjetri, e kjo në varësi të nevojave të personit.

2

Gjykimi në lidhje me martesën

 

Martesa është një kërkesë e përforcuar fetare për personin e epshëm i cili është në gjendje të martohet. Madje ajo është prej traditës së profetëve. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne dërguam edhe para teje të Dërguar dhe atyre u mundësuam të kenë gra e fëmijë. [Err Rra’d 38].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është martuar, madje ai ka thënë: “Unë martohem me gra, e ai që i largohet traditës sime, nuk është prej meje.”[1]

Duke u nisur prej kësaj, dijetarët kanë thënë: “Për epshorin, martesa në lidhje me të është më mirë se adhurimi nafile“, kjo për shkak të dobive të shumta dhe fryteve të pëlqyeshme të cilat vijnë si pasojë e martesës, ashtu siç do t’i shpjegojmë më vonë  disa prej tyre, nëse dëshiron Allahu.

Martesa në disa raste mund të jetë edhe obligim i domosdoshëm (vaxhib), siç është rasti kur personi nuk është në gjendje ta mbizotërojë epshin e tij dhe frikësohet se nëse nuk martohet mund të bie pre e gjërave të ndaluara. Në këtë rast martesa për të është obligim për të ruajtur të pastër veten e tij dhe për t’iu shmangur të ndaluarës.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “O ju të rinj, kush prej jush është në gjendje të martohet le të martohet, sepse martesa ndihmon për shmangien e shikimit (prej harameve) dhe bëhet shkak për ruajtjen e nderit. Ndërsa ai i cili nuk është në gjendje të martohet le të agjerojë, sepse agjërimi e dobëson epshin e tij.”[2]

3

Kushtet e martesës

 

Prej faktorëve që vënë në dukje organizimin e mirëfilltë të fesë islame dhe përpikmërinë e imtësishme në vendosjen e dispozitave dhe ligjeve, është edhe fakti se për çdo kontratë ka vendosur kushtëzime të cilat përcaktojnë qartë vlefshmërinë e aktit dhe kohëzgjatjen e tij. Çdo kontratë, në mënyrë që të konsiderohet ligjërisht e vlefshme ka nevojë për  disa kushte.

S’ka dyshim se kjo argumenton qartë përpikmërinë dhe përsosmërinë e sheriatit, duke treguar se këto dispozita janë të zbritura prej të Urtit, të Mirënjohurit, i Cili e di më së miri se çfarë është më e dobishme për robërit e Tij. Pikërisht për këtë Allahu i Madhëruar ka vendosur për robërit e Tij ligje dhe dispozita, zbatimi i të cilave bën që njeriu të jetojë jetë të mirë në këtë botë dhe në botën tjetër, duke mos lejuar që të ketë vend për çrregullime dhe paqartësi.

Njëra nga këto kontrata është edhe akti i martesës. Që akti martesor të jetë i vlefshëm, duhet medoemos të përmbushen disa kushte, ku ndër më të rëndësishmet përmendim:

1. Pëlqyeshmëria ndërmjet dy bashkëshortëve

Nuk lejohet që mashkullit t’i imponohet martesa me një femër të cilën ai nuk e do dhe as të detyrohet femra të martohet me një mashkull të cilin ajo nuk e pëlqen. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, nuk është e lejuar për ju të trashëgoni gratë (e të vdekurve) në mënyrë të dhunshme.” [En Nisa 19]. Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: Nuk lejohet të martohet robëresha, veçse me aprovimin e saj dhe nuk lejohet të martohet virgjëresha, veçse me lejen e saj. Sahabët thanë: “O i Dërguari i Allahut, si është leja e saj?” Tha: “Nëse ajo hesht.”[3]

Pra, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  ka ndaluar të martohet femra pa pëlqimin e saj, qoftë ajo e virgjër apo vejushë, vetëm se për vejushën është e domosdoshme që ajo ta shprehë pëlqimin e saj me fjalë, ndërsa për virgjëreshën mjafton heshtja, kjo për shkak se asaj mund t’i vijë turp për t’u shprehur me fjalë.

Nëse femra nuk dëshiron të martohet, nuk i lejohet askujt, madje as babait të saj që ta detyrojë të martohet kundër vullnetit të saj. Argument për këtë është fjala e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)“Virgjëreshës i merr lejë babai i saj.”[4] Në këtë rast, babai i vajzës nuk merr gjynah për shkak se nuk e marton vajzën, sepse është vetë ajo që nuk dëshiron të martohet, mirëpo gjithësesi babai e ka për detyrë të kujdeset për të dhe t’i dalë krah asaj.

Nëse vajzën e kërkojnë për martesë dy persona njëkohësisht dhe ajo pëlqen njërin prej tyre, ndërsa kujdestari i saj i thotë: “Martohu me tjetrin”, ajo çka merret për bazë është dëshira e saj dhe është e drejta e saj që të martohet me atë që dëshiron, me kusht që niveli i burrit t’i përshtatet asaj. Nëse burri nuk është i përshtatshëm për të, atëherë i lejohet kujdestarit të saj të ndërhyjë dhe të mos e lejojë atë të martohet me të, pa u ngarkuar me  gjynah për këtë veprim.

2. Kujdestari

Akti martesor pa kujdestarin e femrës është i pavlefshëm, bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)“Nuk ka martesë, veçse me kujdestar.”[5] Nëse gruaja e marton vetë veten e saj, atëherë martesa e saj është e pa vlefshme, pa marrë në konsideratë faktin nëse ky akt u ndërmor në mënyrë direkte nga ajo, apo ja ngarkoi këtë dikujt tjetër.

Kujdestar për femrën konsiderohet ai mashkull i cili e ka arritur moshën e pjekurisë, i saktë mendërisht dhe që ka me të lidhje gjaku, por nga ana e babait dhe jo nga farefisi i nënës. Prej atyre që i plotësojnë këto kushte janë: babai, gjyshi nga ana e babait, djali (për vejushen), djali i djalit, vëllai (prej babës dhe nënës), vëllai nga ana e babait, xhaxhai (nuk bën pjesë xhaxhai i cili është vëlla me babain vetëm nga ana e nënës së tyre), djemtë e xhaxhait dhe djemtë e djemve të tyre.

Nuk marrin pjesë në kujdestarinë e femrës vëllezërit vetëm nga nëna  dhe as djemtë e tyre. Po ashtu nuk merr pjesë në kujdestari edhe gjyshi i saj nga ana e nënës dhe dajallarët.

Përderisa prania e kujdestarit në aktin e martesës është kusht i domosdoshëm, atëherë është detyrë dhe përgjegjësi mbi të që, në rast se kërkesat për vajzën janë të shumta dhe janë disa ata të cilët tregojnë interes për t’u fejuar me të, të zgjedhi midis tyre atë i cili është më i miri dhe më i përshtatshmi për të. Pra, nëse e shikon se ndonjëri prej tyre është i përshtatshëm për vajzën dhe ajo bie dakord, atëherë  ai duhet ta martojë atë.

Pikërisht këtu dëshiroj të ndaloj pak në mënyrë që të vë në dukje barrën dhe përgjegjësinë e madhe e cila rëndon mbi shpatullat e kujdestarit, në lidhje me amanetin që Allahu i ka ngarkuar atij duke e bërë atë përgjegjës për të tjerët. Pra, duhet që kujdestari ta përmbushi këtë amanet pa e neglizhuar atë dhe kurrsesi nuk duhet të përfitojë duke e bërë atë mjet për të plotësuar qëllimet e tij personale, apo të përpiqet ta martojë femrën që e ka nën kujdestarinë e tij, duke dashur të përfitojë vetë nga ana materiale. Sigurisht që kjo do të ishte tradhëti nga ana e tij.

Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin, e ashtu të tradhëtoni amanetet tuaja, pasi që ju e dini sa e keqe është kjo.” [El Enfal 27].

Gjithashtu i Lartësuari ka thënë: “Allahu nuk e do asnjë tradhtar e bukëpërmbystë.” [El Haxh 38].

Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në lidhje me këtë ka thënë: “Të gjithë ju jeni barinj (përgjegjës) dhe të gjithë do të mbani përgjegjësi për atë që keni në ngarkim.”[6]

Është për të ardhur keq kur shikon se disa prej kujdestarëve, edhe pse shkon dhe e kërkon dorën e vajzës së tyre ndonjë djalosh i përshtatshëm dhe për vajzen ky do të ishte një rast i volitshëm për martesë, ata e kthejnë mbrapsht atë.

Të njëjtën gjë veprojnë edhe me tjetrin, tjetrin, e kështu me radhë. Në të tillë rast, ju hiqet atyre e drejta e vendimmarrjes në lidhje me martesën e femrës që kanë në varësi dhe e marton atë dikush tjetër prej kujdestarëve të saj duke i dhënë përparësi më të afërmit prej tyre.

4

Cilësitë e pëlqyeshme të gruas e cila kërkohet

për martesë

 

Ashtu siç edhe e kemi përmendur më sipër, qëllimi dhe urtësia e martesës është arritja e kënaqësisë së ndërsjelltë midis mashkullit dhe femrës, si dhe formimi i një shoqërie të zellshme e i një familjeje të shëndetshme. Duke u nisur prej kësaj, themi se një grua e mirë me të cilën preferohet martesa, është pikërisht ajo femër e cila më së miri do të mundësonte përmbushjen e këtyre dy qëllimeve.

Bëhet fjalë për femrën e bukur fizikisht dhe shpirtërisht. Për sa i përket bukurisë fizike, në të bën pjesë përkryerja e formimit të jashtëm të saj. Kjo për shkak se gruaja nëse është simpatike dhe mendjemprehtë, atëherë syri kënaqet dhe përqëndrohet tek ajo, veshi çlodhet me dëgjimin e shprehjes së intelektit të saj, ndërsa zemra shpaloset, gjoksi zgjerohet, kurse shpirti gjen prehje dhe qetësi, ashtu siç në lidhje me të cilën Allahu i Madhëruar ka thënë: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), në mënyrë që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë.” [Err Rrum 21].

Ndërsa bukuria shpirtërore është përkryerja e saj nga ana e moralit dhe fesë. Sa më e devotshme të jetë bashkëshortja nga ana e besimit dhe sa më e dëlirë moralisht, aq më e dashur është për bashkëshortin e saj, e sidomos pasi që dihet mirë se këto cilësi janë një tregues i qartë për një të ardhme të sigurt. Gruaja e cila posedon fe dhe besim, i kushton rëndësi parësore dispozitave të Allahut.

Ajo i njeh mirë detyrimet që ka ndaj bashkëshortit të saj, i ruan të drejtat e tij, e ruan nderin karshi atij, përkujdeset për pasurinë e tij dhe për mbarëvajtjen e fëmijëve të tij. Ajo e ndihmon bashkëshortin e saj për bindje dhe devotshmëri ndaj Allahut të Madhëruar. Nëse ai shpërkujdeset, ajo shpejt e përkujton atë.

Nëse plogështohet, e rigjallëron atë dhe nëse ai zemërohet, ajo nxiton që ta kënaqi. E tillë është gruaja e virtytshme, e dashur për bashkëshortin e vet, e respektueshme ndaj tij; nuk vonohet në kryerjen e asaj që ai e dëshiron shpejt dhe nuk ngutet në atë gjë që ai e do të ngadaltë.

Është pyetur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se cilat gra janë më të mirat dhe ka thënë: “Ajo e cila e kënaq bashkëshortin e vet kur e shikon, i bindet kur e urdhëron, e ruan nderin e saj karshi tij dhe pasurinë e tij nuk e shpërdoron.”[7] Gjithashtu i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Martohuni me ato që janë të dashura, të cilat lindin fëmijë, sepse unë do të krenohem me numrin tuaj para profetëve” apo ndoshta tha: “para popujve”[8]

Nëse burri arrin të martohet me një femër të bukur fizikisht dhe shpirtërisht, kjo do të ishte për të një mirësi e përkryer; burim i lumturisë së pashtershme, e shoqëruar kjo me suksesin e Allahut të Madhëruar.  

  

5

Femrat me të cilat është e ndaluar martesa

Vijon … 

 



[1] E ka transmetuar Buhariu, kapitulli i martesës, tema: Të nxiturit për tek martesa”,  me nr. 5063. E transmeton gjithashtu Muslimi  në kapitullin me të njejtin titull, tema: Cilido prej jush që është i aftë për martesë, le të martohet” me nr. 1401.

[2] E transmeton Buhariu, kapitulli i martesës, tema: Ndërsa ai i cili nuk është në gjendje të martohet le të agjeroi” me nr. 5066 dhe Muslimi, kapitulli i martesës, tema: Kush prej jush është në gjendje të martohet le të martohet” me nr. 1400

[3] E transmeton Buhariu, kapitulli i martesës, tema: Nuk i lejohet babait te vajzës apo dikujt tjetër që ta martoj femrën, e virgjër apo vejushë qoftë, veçse me pëlqimin e saj” me nr. 5136. E transmeton gjithashtu Muslimi  në kapitullin me të njejtin titull, tema: “Kërkimi i aprovimit të vejushes për martesëme nr. 1419

[4] E transmeton Muslimi, kapitulli i martesës, tema: “Vejushës i merret aprovimi për martesë me fjalë, ndërsa virgjëreshës me heshtje” me nr. 1421

[5] E ka transmetuar Ebu Daudi, kapitulli i martesës, tema: Kujdestari” me nr. 2085, Et Tirmidhi kapitulli i martesës, tema: “Çfarë ka ardhur në lidhje me hadithin Nuk ka martesë, veçse me kujdestar”, me nr. 1101 dhe Ibën Maxhe në kapitullin me të njejtin titull, tema: “Nuk ka martesë, veçse me kujdestar” me nr. 1881

[6] E ka transmetuar Buhariu, kapitulli i martesës, tema: Ruajeni vetveten dhe familjet tuaj prej një zjarri…”, me nr. 5188 dhe Muslimi, kapitulli El Imaratu(Pushteti), tema: “Vlerat e prijësit të drejtë” me nr. 1829

[7] E transmeton Ahmedi dhe En Nesai, kapitulli i martesës, tema: “Cilat gra janë më të mirat?” me nr. 3231

[8] E ka transmetuar Ebu Daudi, kapitulli i martesës, tema: “Moslejueshëria e të martuarit me atë e cila nuk lind” me nr. 2050 dhe En Nesai, kapitulli i martesës, tema: “Mospëlqyeshmëria e të martuarit me atë e cila nuk lind” me nr. 3227