Gjynahu i kobshëm

IMORALITETI

Përkufizimi i tij, moslejueshmëria, dëmet, shkaqet, mbrojtja prej tij

dhe çështje të ndryshme në lidhje me të

Autor: Ahmed ibën Hasen en NEHARI

Përktheu: Edmond AJDINI

 

بسم الله الرحمن الرحيم

 

Parathënie

 

Falënderimi i takon vetëm Allahut të Madhëruar, i Cili është i Gjithëdijshëm për shikimet me cep të syrit, si dhe për atë që fshehin zemrat. Dëshmoj se askush nuk meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut të Madhëruar, i Cili i jep lavdi atij që i frikësohet qëndrimit përpara Tij në ditën e dhënies së llogarisë dhe që e largon vetveten prej epsheve dhe shthurjes. Dëshmoj se Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është i Dërguar i Zotit. Ai është poseduesi i pozitës së lartë dhe nderit të ruajtur, i cili ka thënë: “Allahu më ka sjellë në jetë prej martese dhe nuk më ka sjellë në jetë prej imoraliteti.”[1]

Gjithashtu, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kam dalë prej martese dhe nuk kam dalë prej imoraliteti, që prej Ademit e deri kur më ka lindur nëna dhe babai im, si dhe nuk më ka prekur asgjë prej ndyrësive të injorancës.”[2]

Allahu i Lartësuar thotë:

 

لَئِنْ شَكَرْتُمْ لَأَزِيدَنَّكُمْ وَلَئِنْ كَفَرْتُمْ إِنَّ عَذَابِي لَشَدِيدٌ (7)

 

“Nëse falënderoni do t’ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë.” Ibrahim,7.

 

Gjithashtu i Lartësuari thotë:

 

مَا يَفْعَلُ اللَّهُ بِعَذَابِكُمْ إِنْ شَكَرْتُمْ وَآَمَنْتُمْ وَكَانَ اللَّهُ شَاكِرًا عَلِيمًا (147)

 

“E çfarë ka Allahu me dënimin tuaj (Allahu nuk ka për t’ju dënuar) nëse ju e falënderoni Atë dhe besoni tek Ai. Allahu është Mirënjohës i Dijshëm.” En Nisa, 147.

 

Ndërsa në një ajet tjetër ka thënë:

 

مَا أَصَابَكَ مِنْ حَسَنَةٍ فَمِنَ اللَّهِ وَمَا أَصَابَكَ مِنْ سَيِّئَةٍ فَمِنْ نَفْسِكَ

 

Çfarëdo e mirë që të vjen, është nga Allahu, e ç’ka të ndodh ndonjë e keqe, ajo është nga vetë ti.” En Nisa, 79.

 

Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Nuk zbresin fatkeqësitë, veçse si pasojë e gjynaheve dhe nuk eliminohen (largohen), vetëm se duke u penduar prej tyre.”[3]

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Gjynahet i shfarosin mirësitë prezente dhe i ndërpresin mirësitë e vazhdueshme. Pra i zhdukin ato mirësi që kemi dhe bëhen pengesë për arritjen e mirësive të tjera.”[4]

 

Zoti ynë e ka thënë të vërtetën në Librin e Tij madhështor:

 

إِنَّ اللَّهَ لَا يُغَيِّرُ مَا بِقَوْمٍ حَتَّى يُغَيِّرُوا مَا بِأَنْفُسِهِمْ

 

“Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat), derisa ata ta ndryshojnë veten e tyre…” Err Rra’d, 11.

 

Imam Esh Shenkiti (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Allahu i Lartësuar e ka bërë të qartë në këtë ajet se Ai nuk ia pengon një populli mirëqenien dhe mirësitë, derisa ata vetë të heqin dorë nga bindja dhe adhurimi i Tij. Kuptimi i kësaj është se Ai nuk i zhduk mirësitë të cilat ia ka dhuruar një populli, derisa ata të heqin dorë prej nënshtrimit ndaj Tij dhe prej bërjes së punëve të mira. Të njëjtin kuptim Allahu i Madhëruar e ka qartësuar edhe në ajete të tjera, siç është Fjala e Tij:

 

ذَلِكَ بِأَنَّ اللَّهَ لَمْ يَكُ مُغَيِّرًا نِعْمَةً أَنْعَمَهَا عَلَى قَوْمٍ حَتَّى يُغَيِّرُوا مَا بِأَنْفُسِهِمْ

 

“Këtë (masë ndëshkuese) e bëri, sepse Allahu nuk e ndryshon një begati, të cilën ia ka dhuruar një populli, derisa ata ta ndryshojnë gjendjen e tyre.” El Enfal, 53.

 

Po ashtu, ka thënë:

 

وَمَا أَصَابَكُمْ مِنْ مُصِيبَةٍ فَبِمَا كَسَبَتْ أَيْدِيكُمْ وَيَعْفُو عَنْ كَثِيرٍ (30)

 

“Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija), e për shumë të tjera Ai u falë.” Esh Shura, 30.

 

Fjala e Allahut të Lartësuar në ajetin e mësipërm derisa ata ta ndryshojnë gjendjen e tyre”, përfshin edhe ato raste kur ai ndryshim bëhet nga një pakicë njerëzish, ashtu siç ndodhi në betejën e Uhudit ku shigjetarët i ndryshuan pozicionet e tyre të luftës, ndërkohë që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i kishte urdhëruar ata të mos lëviznin prej pozicioneve të tyre për çfarëdo arsye. Kur ata e thyen urdhrin e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), e gjithë ushtria pësoi disfatë. E kanë pyetur të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “A mund të na përfshijë dënimi, teksa gjenden midis nesh edhe njerëz të mirë? I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Po, nëse shtohen ligësitë.”[5]

Prej gjynaheve më të mëdha dhe prej krimeve më të shëmtuara të cilat bëhen shkak për zhdukjen e mirësive dhe përhapjen e fatkeqësive, është edhe krimi i imoralitetit. Ky krim ia ndryshon njeriut rrjedhën e jetës dhe ia shkatërron këtë botë dhe botën tjetër. Këtë krim të shëmtuar (Zoti na ruajt prej tij!) e refuzojnë shpirtrat e ndershëm dhe e përbuzin njerëzit me natyrshmëri të pastër. E urrejnë atë poseduesit e moralit të lartë, si dhe largohen prej tij ata që kanë logjikë të shëndoshë. Si të mos jetë kështu, kur këtë krim e kanë ndaluar të gjitha shpalljet e zbritura nga Zoti. Pra, u shkatërroftë e u shkatërroftë, ai person të cilin e robëroi epshi i tij mëkatar, derisa e shtyu atë të bëj kurvëri me një femër imorale!

Mjerim, mjerim për atë person i cili e humbi moralin dhe nderin e tij për një dëshirë të momentit!

I drejtohem atij të cilit vetja e tij e shtyu të bjerë pre e këtij krimi të shëmtuar dhe e këtij gjynahu të madh…! A nuk ka ardhur koha të pendohesh me zemër të sinqertë, përpara se të hidhërohesh dhe përpara se të mbërrijë shpirti në fyt (të të vijë vdekja) ?!

Mjerë për atë person i cili ka vdekur pasiqë ka qenë pre e këtij krimi të shëmtuar, krim i cili bëhet shkak për humbjen e dinjitetit, si dhe për zhdukjen e xhelozisë nga zemrat.[6]

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Nëse xhelozia zhduket prej zemrës, atëherë zhduket prej saj edhe dashuria, madje zhduket e gjithë feja.”

Është detyrë për çdo musliman të tregojë kujdes për ruajtjen e personalitetit, si dhe për mbrojtjen e nderit të tij. Qysh në kohët e hershme, njerëzit krenoheshin me moralin e mirë dhe përkujdeseshin duke i kushtuar rëndësi të madhe ruajtjes së personalitetit dhe nderit, madje edhe në kohën e injorancës. Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u mori premtimin grave se nuk do të bëjnë kurvëri, Hind bintu Utbe tha: “A mos vallë, gratë e lira (të cilat nuk janë robëresha) ndodh që të veprojnë kështu?!”

Xhelozia ka qenë e madhe tek sahabët. Shiko për këtë, xhelozinë e sahabiut të nderuar Sead ibën Ubade, në hadithin të cilin e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi nga El Mugira ibën Shuabe, i cili ka thënë se Sead ibën Ubade tha: “Nëse do të shihja një burrë me gruan time do ta godisja atë me tehun e shpatës.” Kur kjo fjalë i arriti të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “A çuditeni me xhelozinë e Seadit?! Dijeni se unë xhelozoj më tepër se ai, ndërsa Allahu xhelozon më tepër se unë.”

Në “Sahihun” e Buhariut është transmetuar se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Askush nuk xhelozon më tepër se sa Allahu, kur bën kurvëri robi i Tij, apo kur bën kurvëri robëresha e Tij. O populli i Muhamedit! Betohem në Allahun se sikur ta dinit ju atë që di unë, do qeshnit pak e do qanit shumë.”

 

O popull musliman!

 

Ku është xhelozia në lidhje me ndalesat e Allahut?! Ne sot jetojmë në kohë të vështira, ku çdokush është në gjendje të bjerë pre e kurvërisë, e këtij krimi të shëmtuar, si dhe të përlyet në llumin e ndyrësive dhe megjithatë komenti që i bëjnë kësaj është se këto janë nevoja trupore të cilat nuk përbëjnë shkelje ligjore, përderisa ato bëhen me kënaqësinë e të dyja palëve dhe pa përdorimin e dhunës.

 

O ju që keni besuar!

 

Ky krim dhe gjynah i madh është përhapur në kohën e sotme, si dhe ka gjetur përkrahës të cilët nxisin dhe inkurajojnë për në këtë rrugë pa krye. Janë të shumta organizatat e armiqëve të Allahut të cilat programojnë dhe thurin plane për përhapjen e këtij krimi. Sa e sa organizata të ndryshme e përkrahin financiarisht përhapjen e tij?!

 

O ju që keni besuar!

 

Si pasojë e imoralitetit janë përhapur në ditët e sotme sëmundje nga më të rrezikshmet, siç janë sëmundja e sidës, gonorresë etj., të cilat kanë qenë shkak për vdekjen e miliona njërëzve. Mjekët në të gjithë botën u treguan të paaftë për t’i gjetur kurim këtyre sëmundjeve të rrezikshme.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka thënë të vërtetën: “Nuk shfaqet në një popull imoraliteti dhe kamata, veçse ai popull ia ka bërë të lejuar vetvetes dënimin e Allahut.” Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “…ndëshkimin e Allahut.”[7]

 

Është transmetuar nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u kthye drejt nesh dhe tha: “O emigruesit në rrugë të Allahut! Janë pesë gjëra për të cilat lus Allahun të mos sprovoheni me to e të mos i arrini ato. Nuk është përhapur imoraliteti në ndonjë popull derisa ta shfaqin haptazi, e të mos përhapen në mesin e tyre murtaja (sëmundjet ngjitëse) dhe sëmundje të tjera të cilat nuk kanë ekzistuar te të parët e tyre…” Hadithin e ka transmetuar El Hakim dhe Ibën Maxhe. Do të vij më vonë analiza e tij.

 

Kam përgatitur në këtë libër për ty lexues i nderuar temat e mëposhtme:

 

  1. Përkufizimi i imoralitetit (kurvërisë) nga ana gjuhësore dhe fetare.

  2. Domethënia e kurvërisë në gjuhën arabe.

  3. Ajetet e shpallura mbi ndalimin e kurvërisë, si dhe mbi urdhërimin për mosekspozimin e pjesëve të turpshme.

  4. Hadithet e transmetuara mbi ndalimin e kurvërisë, si dhe mbi urdhërimin  për mosekspozimin e pjesëve të turpshme.

  5. Fjalë të të parëve tanë të mirë (selefëve) mbi demaskimin e imoralitetit.

  6. Urtësia legjislative në lidhje me moslejueshmërinë e imoralitetit (kurvërisë).

  7. Dëmet shëndetësore të imoralitetit.

  8. Shkaqet që çojnë te imoraliteti.

  9. Masat mbrojtëse kundër imoralitetit (kurvërisë).

10. Gjykimi i imoralitetit.

11. Hadithe të dobëta në lidhje me imoralitetin.

 

Dije lexues i dashur, se ti ke fatin e mirë të përfitosh dobitë e këtij libri dhe të korrësh frytet e tij, ndërsa autori është lodhur dhe ka derdhur mund, prandaj nëse e gjen atë të përshtatshëm dhe të dobishëm, kërkoi Allahut falje për mua.[8] E nëse gjen në të ndonjë gabim apo pasaktësi, drejtoje këshillën apo sugjerimin tënd në adresën time të mëposhtme.

Lus Allahun ta pranojë këtë punë timen dhe ta bëjë atë të kuptueshme dhe të dobishme!

 

Shkroi: Ahmed ibën Hasen en Nehari err Rrimi

 

 


Kuptimi i kurvërisë (zinasë)

 në gjuhën arabe

 

Kjo fjalë përdoret për disa kuptime:

 

1. Fjala “Ez zina” përdoret me kuptimin “ngushtësi.”

Për këtë arsye, personi i cili vuan nga mbajtja e urinës emërtohet “zennaun”, sepse atij i janë ngushtuar rrugët e daljes së urinës. Po ashtu thuhet “zene’a” për personin i cili ngjitet në majën e malit, për shkak se ai ndjehet ngushtë nga lodhja gjatë ngjitjes në të.

 

2. Fjala “Ez zina” nuk kufizohet vetëm në kryerjen e marrëdhënieve seksuale me një femër jashtë aktit martesor.

 

Kurvëria e syrit është shikimi…

Kurvëria e gjuhës është të folurit…

Kurvëria e dorës është prekja…

 

Dëshmi për këtë është hadithi të cilin e ka transmetuar Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Birit të Ademit i është përcaktuar në mënyrë të padiskutueshme hiseja (pjesa) e tij prej kurvërisë (zinasë). Kurvëria e syve është shikimi (i femrave të ndaluara), kurvëria e veshëve është dëgjimi, kurvëria e gjuhës është të folurit, kurvëria e dorës është prekja, kurvëria e këmbës është ecja (për kryerjen e haramit), zemra dëshiron dhe përfytyron, ndërsa organi seksual i vërteton ose i përgënjeshtron ato.” E transmeton Muslimi.

 

3. Përdorimi i fjalës“Ez Zina” për marrëdhëniet seksuale të jashtëligjshme.

Ky kuptim është për qëllim në përdorimin e kësaj fjale në Kuranin famëlartë, ashtu siç është përmendur në Fjalën e Allahut të Lartësuar:

 

يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ إِذَا جَاءَكَ الْمُؤْمِنَاتُ يُبَايِعْنَكَ عَلَى أَنْ لَا يُشْرِكْنَ بِاللَّهِ شَيْئًا

 وَلَا يَسْرِقْنَ وَلَا يَزْنِينَ

 

“O Pejgamber, kur të vijnë besimtaret që të të japin besën se nuk do t’i shoqërojnë shok Allahut, se nuk do të vjedhin, se nuk do të bëjnë kurvëri…” El Mumtehine,12.

 

Në një ajet tjetër thuhet:

 

وَلَا تَقْرَبُوا الزِّنَا إِنَّهُ كَانَ فَاحِشَةً وَسَاءَ سَبِيلًا (32)

 

“Dhe mos iu afroni kurvërisë (zinasë), sepse vërtet ajo është vepër e shëmtuar dhe rrugë shumë e keqe.” El Isra, 32.

 

 

Përkufizimi i kurvërisë

në aspektin fetar

 

 

Ibën Rrushd el Kurtubi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kurvëria është kryerja e marrëdhënieve seksuale, pa praninë e një akti martesor të saktë, madje pa praninë e një akti martesor qoftë ai edhe i dyshimtë, me një femër e cila nuk është nën posedimin e mashkullit (nuk është as bashkëshorte dhe as robëreshë e tij). Për këtë kanë rënë dakord, në përgjithësi, të gjithë dijetarët muslimanë.”[9]

Imam en Neueui (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Vërtetësia legjislative (fetare) e cila e bën të detyrueshëm ndëshkimin (për kurvërinë), është futja e majës së organit seksual mashkullor, apo e përmasës së saj, në organin seksual femëror…”[10]

Uthman el Hanbeli (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kurvëria është kryerja e marrëdhënieve seksuale të jashtëligjshme në vaginë apo anus.”[11]

Esh Sheukeni (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Zinaja është kryerja e marrëdhënieve seksuale nga ana e mashkullit në organin seksual të femrës, pa praninë e një akti martesor qoftë ai edhe i dyshimtë.”

Po ashtu, kanë thënë: “Kurvëria është penetrimi i organit seksual mashkullor në një tjetër organ seksual, sigurisht të ndaluar nga feja.”[12]

Khalili“Muhtesarin” e tij ka thënë: “Zinaja është kryerja e marrëdhënieve seksuale nga ana e muslimanit i cili i plotëson kushtet për përmbushjen e obligimeve fetare (ka hyrë në moshën e pjekurisë dhe është i rregullt psiqikisht), në organin e një njeriu tjetër që nuk është nën posedimin e tij, me vetëdije dhe qëllimisht.”[13]

Përveç përkufizimeve të mësipërme ka edhe të tjerë, e Allahu e di më së miri.

 

Përkufizimi më i saktë për kurvërinë është: “Kryerja e marrëdhënieve seksuale në vaginë, me femrën e cila nuk është nën posedimin e mashkullit, duke mos patur në të paqartësi që të lënë të dyshosh.”[14]

Bekër ibën Abdullah Ebu Zejd e ka pëlqyer këtë përkufizim, si dhe ka theksuar se penetrimi i organit seksual mashkullor në anus nuk konsiderohet “zina” (kurvëri) dhe se gjykimi për të është i ndryshëm nga ai i kurvërisë, por gjithsesi gjykimi për këtë të dytën është vrasja.

Esh Sheukeni e ka përkrahur këtë fjalë duke thënë: “Nëse arrihet të argumentohet se kryerja e marrëdhënieve në anus konsiderohet “kurvëri” atëherë është i obligueshëm ndëshkimi, duke u argumentuar për këtë në fjalën e Allahut të Lartësuar:

 

الزَّانِيَةُ وَالزَّانِي فَاجْلِدُوا كُلَّ وَاحِدٍ مِنْهُمَا مِئَةَ جَلْدَةٍ

 

“Laviren dhe lavirin i rrihni secilin prej tyre me nga njëqind të rëna (me kamxhik)…” En Nurë, 2.

Mirëpo, nëse nuk arrihet të vërtetohet nga ana gjuhësore dhe legjislative se kjo vepër quhet “kurvëri“, atëherë nuk është i obligueshëm ndëshkimi (i posaçëm për kurvërinë) për atë që vepron këtë punë dhe as për atë i cili akuzon pa patur prova dikë se e ka vepruar këtë punë (pra nuk dënohet ashtu siç dënohet ai që ka shpifur për kurvërinë – sh.p.). Të argumentuarit me hadithin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i cili urdhëron që të vritet vepruesi dhe personi mbi të cilin kryhet veprimi[15] nuk është me vend këtu. Kjo, sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e bëri të detyrueshme vrasjen e atij i cili e kryen këtë krim, duke mos bërë dallim mes atij i cili ka qenë i martuar dhe beqar. Ndërsa në rastin e kurvërisë, dënimi për atë i cili është i pa martuar (i virgjër) është goditja njëqind herë me kamxhik, kurse dënimi për të martuarin është vrasja. Sa i përket argumentimit të autorit[16] se kryerja e marrëdhënieve seksuale në anus është krim më i madh se kurvëria, kjo nuk vlen për këtë çështje, sepse ndëshkimet (el hudud) nuk përpilohen me krahasime.[17]


[1] Shikoje këtë hadith në “El Irva” me nr.. 1914.

[2] I njëjti burim.

[3] Shiko librin “Edau ued Deuau” f. 118.

[4] Shiko librin “Edau ued Deuau” f. 164.

 

[5] E transmeton Buhariu me nr..7059  dhe Muslimi me nr.. 2880, nga hadithet e Zejneb bintu Xhahsh-it.

[6] Autori ka për qëllim atë person i cili nuk është penduar.

[7] E ka transmetuar El Hakim nga Ibën Mesudi dhe Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!).

[8] Fjala këtu është e autorit, po sikur t’i kërkosh Allahut falje edhe për mua (përkthyesin) unë do të lumturohesha shumë.

[9] “Bidajetu el muxhtehid ue nihajetu el muktesid”,, Vëll. VI, f. 107.

[10] “El Mexhmua”,, Vëll. XXI, f. 292.

[11] “Hidajetu err rragib li sherhi umdeti et talib”, f. 530.

[12] “Fet’hu el Kadir”,, Vëll. IV, f. 4.

[13] “Muhtesar Khalil mea esh sherh”,, Vëll.VIII, f. 245.

[14] “El hudud ue et ta’zirat”, f. 93.

[15] Esh Sheukeni (Allahu e mëshiroftë!) ka për qëllim hadithin e ardhur nga Ibën Abasi të cilin e ka transmetuar Ibën Maxhe dhe të tjerë përveç tij, teksti i të cilit është: “Nëse gjeni dikë të veprojë punën e popullit të Lutit (homoseksualizmin) atëherë vriteni bërësin dhe atij që i bëhet.” Po ashtu e ka transmetuar këtë hadith Ebu Daudi. Ndërsa Ahmedi dhe El Hakim e kanë transmetuar atë nga hadithet e Ebu Hurejrës, si dhe e ka saktësuar Esh Sheukeni në librin “Ueblu el gamam”,, Vëll. II, f. 326  dhe shejh El Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “El irva” me nr.. 2350.

[16] Ka për qëllim El Emir el Husni, autorin e librit “Shifau el euem”.

[17] “Ueblu el gammam ala shifau el euem “,, Vëll. II, f. 323.

Ajetet e shpallura mbi ndalimin e kurvërisë,

si dhe mbi urdhërimin për mosekspozimin

e pjesëve të turpshme

Faqa Tjetër »