Urtësia legjislative në lidhje me moslejueshmërinë

e imoralitetit (kurvërisë)

 

Bekër ibën Abdullah Ebu Zejd (Allahu e ruajt!) ka thënë:

“Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) e ka shqyrtuar gjerësisht këtë temë. Ai është përpjekur të vërë në dukje qëllimin dhe urtësinë e legjislaturës islame në lidhje me ndalimin e imoralitetit, duke e pasuar argumentimin e tij me sqarimin e disa prej dëmeve më kryesore të këtij krimi. Ai po ashtu ka treguar dukuritë negative të imoralitetit, si dhe pasojat e dëmshme të cilat njeriut ia shkatërrojnë lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër. Të gjitha këto, Ibnul Kajim i ka përmendur në vende të ndryshme në librat e tij, prandaj e pashë të dobishme t’i grumbulloj dhe t’i rendis ato në formë të rregullt, njëra pas tjetrës ashtu siç vijon:

 

 

1. Imoraliteti e shkatërron mirëqenien e mbarë njerëzimit dhe bëhet shkak për humbjen e përkatësive farefisnore.

 

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Dëmet si pasojë e imoralitetit janë shkatërruese të mirëqenies se mbarë njerëzimit. Femra nëse bën imoralitet, e mbulon me turp familjen, bashkëshortin dhe të gjithë të afërmit e saj, si dhe bëhet shkak që ata ta humbasin krenarinë në mesin e njerëzve. Nëse ajo ngel shtatzënë si pasojë e imoralitetit, po ta vrasë fëmijën e saj, ajo ka bashkuar midis dy krimeve të shëmtuara, kurvërisë dhe vrasjes. Nëse e mbart atë tek bashkëshorti i saj, ka futur në familjen e tij një të huaj, i cili nuk është prej tyre. I trashëgon ata duke mos qenë prej tyre, merr përkatësinë e tyre duke mos qenë gjaku i tyre, si dhe janë edhe shumë e shumë dëme të tjera si pasojë e imoralitetit. Ndërsa, për sa i përket kurvërisë së burrit, ajo gjithashtu bëhet shkak për humbjen e përkatësisë familjare. Pas kësaj qëndron shkatërrimi i gruas dhe nderit të saj, si dhe vënia në rrezik e rolit të saj, duke e bërë atë burim të shthurjes dhe shkatërrimit. E s’ka dyshim se ky krim bëhet shkak për rrënimin e jetës së kësaj bote dhe botës tjetër (ahiretit). Janë të shumta gjynahet të cilat ndërmerren për shkak të imoralitetit. Sa e sa të drejta hidhen poshtë për shkak të tij?! Sa e sa padrejtësi ndodhin si pasojë e imoralitetit?!”

Po ashtu ka thënë: “E përderisa dëmet si pasojë e kurvërisë ishin prej dëmeve më të mëdha, ku ajo bëhej shkak për humbjen e përkatësive farefisnore, mosruajtjes së nderit dhe mosruajtjes së ndalesave të Allahut, bëhej shkak për futjen e urrejtjes dhe armiqësisë ndërmjet njerëzve, duke bërë që çdokush të cenojë nderin e gruas, vajzës, motrës apo nënës së tjetrit. E s’ka dyshim se këto që përmendëm janë prej shkaqeve kryesore të përhapjes së shkatërrimit në tokë. Pikërisht për të gjitha këto arsye, kurvëria u rendit menjëherë pas krimit të vrasjes për nga madhësia, kështu e ka renditur atë Allahu i Madhëruar në Librin e Tij dhe i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në sunetin e tij. Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Nuk di që pas vrasjes të ketë krim më të madh se kurvëria. Allahu e ka përforcuar moslejueshmërinë e saj me Fjalët e Tij:

 

وَالَّذِينَ لَا يَدْعُونَ مَعَ اللَّهِ إِلَهًا آَخَرَ وَلَا يَقْتُلُونَ النَّفْسَ الَّتِي حَرَّمَ اللَّهُ إِلَّا بِالْحَقِّ

 وَلَا يَزْنُونَ وَمَنْ يَفْعَلْ ذَلِكَ يَلْقَ أَثَامًا (68) يُضَاعَفْ لَهُ الْعَذَابُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ

 وَيَخْلُدْ فِيهِ مُهَانًا (69) إِلَّا مَنْ تَابَ…

 

“Edhe ata që përveç Allahut, nuk lusin ndonjë zot tjetër dhe nuk e vrasin njeriun që e ka ndaluar Allahu vrasjen e tij, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto ai e gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi Ditën e Kiametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë. Përveç atij që është penduar…” El Furkan, 68-69.

 

Allahu i Madhëruar në këtë ajet e ka shoqëruar kurvërinë me shirkun (të shoqëruarit shok Zotit) dhe vrasjen e njeriut padrejtësisht dhe si ndëshkim për këto në botën tjetër, përcaktoi dënim të dyfishtë e të përjetshëm, përveç se nëse njeriu e heq këtë barrë nga vetja e tij duke u penduar tek Allahu i Madhëruar, duke e përforcuar besimin dhe duke vepruar punë të mira. Allahu i Madhëruar thotë:

 

وَلَا تَقْرَبُوا الزِّنَا إِنَّهُ كَانَ فَاحِشَةً وَسَاءَ سَبِيلًا (32)

 

“Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ajo është vepër e shëmtuar dhe rrugë shumë e keqe.” El Isra, 32.

 

Allahu i Madhëruar në këtë ajet e ka cilësuar kurvërinë si “vepër e shëmtuar”, madje të qenët e saj një vepër shumë e keqe është një realitet i ngulitur në mendje, jo vetëm tek njerëzit por edhe te shumë prej kafshëve.

Buhariu (Allahu e mëshiroftë!) në “Sahihun” e tij ka përmendur një transmetim nga Amër ibën Mejmun el Eudi se ka thënë: “Kam parë në kohën e injorancës dy majmunë të cilët bënë kurvëri. Majmunët u mblodhën rreth atyre dyve dhe nisën t’i gjuajnë me gurë derisa ngordhën.”[1]

Allahu i Madhëruar e ka bërë të qartë se cili është përfundimi i kësaj vepre duke e quajtur atë “rrugë shumë e keqe”, kjo sepse kurvëria është rruga e skamjes, rrënimit dhe poshtërimit në këtë botë, si dhe ajo është rruga e vuajtjes, ndëshkimit dhe dëshpërimit në botën tjetër.”

 

2. Kurvëria i përmbledh të gjitha nyjet e së keqes.

 

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kurvëria i përmbledh të gjitha nyjet e së keqes. Ajo bëhet shkak për dobësimin e besimit, largimin e turpit, mungesën e personalitetit dhe humbjen e xhelozisë. Nuk ndodh që një imoral të jetë i turpshëm, përmbushës i amanetit, i besueshëm në fjalë, besnik ndaj shokut, si dhe të ndjejë xhelozi të plotë ndaj familjes së vet. Tradhtia, mashtrimi dhe gënjeshtra janë natyrë e tij. Paturpësia, mungesa e xhelozisë dhe moskujdesi për ruajtjen e ndalesave të Allahut; të gjitha këto janë simptoma të imoralitetit.”

 

3. Kurvëria i hap njeriut dyert e gjynaheve.

 

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) në sqarim të kësaj ka thënë: “Kurvëria e shtyn njeriun në prishjen e lidhjeve me të afërmit e tij, në mosrespektimin e prindërve, në kërkimin e pasurisë në rrugë të ndaluara dhe në bërjen padrejtësi ndaj të tjerëve. Kurvëria bëhet shkak për humbjen e bashkëshortes dhe fëmijëve, madje jo rrallë herë ajo e çon njeriun drejt dhunës dhe gjakderdhjes. Ka edhe prej atyre të cilët për të arritur te kurvëria, kërkojnë ndihmën e fallxhorëve dhe magjistarëve, e ky veprim, në shumicën e rasteve i shtyn ata drejt shirkut, qoftë kjo me apo pa dijen e tyre. Pra ky gjynah, nuk përmbushet ndryshe, veçse duke u shoqëruar me një varg gjynahesh para dhe pas tij; gjynahe këto të cilat lindin të tjera lloje gjynahesh. Kurvëria është gjëja më tërheqëse e të keqes së kësaj bote dhe botës tjetër. Ajo në të njëjtën kohë është gjëja më penguese e të mirës së kësaj bote dhe botës tjetër. Nëse njeriu bie pre e kurvërisë dhe ajo zë vend në zemër, si dhe shndërrohet në ves të tij, atëherë kurimi i saj bëhet tepër i vështire. Robi i saj është vështirë të lirohet, ndërsa viktima e saj nuk mund të kurohet. Allahu i Madhëruar i ka dhënë këtij krimi kompetencën e prishjes së mirësive. Nëse njeriu ka rënë pre e kurvërisë, atëherë le t’u thotë lamtumirë mirësive të Allahut, kjo sepse ato do të jenë të dobëta e shpejt do të jetë zhvendosja e tyre, e afërt do të jetë zhdukja e tyre. Allahu i Madhëruar në Librin e Tij ka thënë:

 

ذَلِكَ بِأَنَّ اللَّهَ لَمْ يَكُ مُغَيِّرًا نِعْمَةً أَنْعَمَهَا عَلَى قَوْمٍ حَتَّى يُغَيِّرُوا مَا بِأَنْفُسِهِمْ

 

“Këtë (masë ndëshkuese) e bëri, sepse Allahu nuk e ndryshon një begati, të cilën ia ka dhuruar një populli, derisa ata ta ndryshojnë gjendjen e tyre.” El Enfal, 53.

 

Gjithashtu i Lartësuari ka thënë:

 

وَإِذَا أَرَادَ اللَّهُ بِقَوْمٍ سُوءًا فَلَا مَرَدَّ لَهُ وَمَا لَهُمْ مِنْ دُونِهِ مِنْ وَالٍ (11)

 

“E nëse Allahu vendos ta ndëshkojë një popull, Atë nuk ka kush që ta zmbrapsë. Ata (njerëzit) nuk kanë mbrojtës tjetër përveç Tij.” Er Rra’d, 11.

 

4. Kurvëria shkakton sëmundje psikike dhe e sëmurë zemrën.

 

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) në sqarim të kësaj ka thënë: “Prej veçorive të imoralitetit, është gjithashtu edhe fakti se ai e hallakat zemrën dhe e sëmurë, në qoftë se nuk e vret atë. Ai fut mërzitje, dëshpërim dhe frikë në zemër. E largon njeriun nga Allahu i Madhëruar dhe e afron atë tek shejtani i mallkuar.”

Po ashtu ka thënë: “Prej pasojave të imoralitetit, është se ai e errëson zemrën dhe e shuan dritën e saj.” Ndërsa në një tjetër vend ka thënë: “Pasojë e kurvërisë është edhe trishtimi të cilin Allahu i Lartësuar e vendos në zemrën e lavirit, trishtim ky, shenjat e të cilit vërehen në fytyrën e tij. Në krah të kundërt, i moralshmi, në fytyrën e tij ka dritë dhe ëmbëlsi, në zemrën e tij ka rehati dhe qetësi. Nëse dikush ulet apo bisedon me të, shumë shpejt miqësohet dhe ndjen simpati ndaj tij. Ndërsa laviri, në fytyrën e tij vërehet trishtimi. Nëse dikush ulet apo bisedon me të, zmbrapset dhe ndjen neveri ndaj tij.

Po ashtu ka thënë: “Prej pasojave të imoralitetit është edhe ankthi dhe gjendja e keqe shpirtërore, kjo sepse laviri shpërblehet me të kundërtën e asaj që dëshironte. Ai i cili e kërkon kënaqësinë në ato gjëra që Allahu i Madhëruar i ka bërë të ndaluara, Allahu e ndëshkon atë me të kundërtën e asaj që kishte për qëllim. Kënaqësia e Allahut nuk arrihet ndryshe, veçse duke ju bindur Atij. Allahu i Madhëruar, gjynahet kurrsesi nuk i ka bërë shkaqe për arritjen e ndonjë të mire. E sikur ta dinte imorali se çfarë fshihet pas ndershmërisë, prej kënaqësisë, lumturisë, rehatisë shpirtërore dhe jetesës së mirë, do ta kuptonte se kënaqësia të cilën e ka humbur, është shumë herë më e madhe se ajo me të cilën e shkëmbeu atë.

 

5. Kurvëria shkakton skamje dhe varfëri.

 

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) në sqarim të kësaj ka thënë: “Prej veçorive të imoralitetit, është edhe fakti se ai shkakton skamje dhe varfëri. Në trashëgiminë fetare përmendet se Allahu i Madhëruar ka thënë: “Vërtet, Allahu i shkatërron zullumqarët dhe i varfëron imoralët.”

 

 

6. Kurvëria shkakton largimin e njerëzve, dhe bën që ata (që bëjnë zina) të shihen me neveritje nga të tjerët.

 

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) në sqarim të kësaj ka thënë: “Kurvëria bëhet shkak që personi të humbasë nderin dhe respektin në mesin e njerëzve. Ajo e ul pozitën e njeriut tek Allahu i Madhëruar dhe e ul vlerën e tij në sy të njerëzve… Si pasojë e kurvërisë është edhe humbja e autoritetit. Laviri nuk gëzon autoritet në zemrat e familjarëve të vet, të afërmve dhe njerëzve në përgjithësi. Ai është gjëja më e neveritshme në sytë e tyre. Në të kundërt, i moralshmi gëzon autoritet dhe posedon pozitë të lartë në mesin e njerëzve…

Pasojë e kurvërisë është edhe fakti se njerëzit e shohin lavirin me syrin e mosbesimit dhe tradhtisë. Atij askush nuk i zë besë për familjen dhe fëmijën e tij.

 

7. Kurvëria lë gjurmët e prishjes në fytyrën e vepruesit të saj.

 

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) në lidhje me këtë ka thënë: “Prej shenjave të imoralitetit është nxirja e fytyrës dhe errësira e saj. Në fytyrën e lavirit mbizotëron brenga dhe trishtimi, gjë kjo e cila vërehet nga njerëzit… Në krah të kundërt, i moralshmi, në fytyrën e tij ka dritë dhe ëmbëlsi, në zemrën e tij ka rehati dhe qetësi. Nëse dikush ulet apo bisedon me të, shumë shpejt miqësohet dhe ndjen simpati ndaj tij. Ndërsa laviri, në fytyrën e tij vërehet trishtimi. Nëse dikush ulet apo bisedon me të, zmbrapset dhe ndjen neveritje ndaj tij.

 

8. Kurvëria shkakton erë të rëndë dhe të neveritshme.

 

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Gjithashtu pasojë e kurvërisë është edhe era e keqe që del nga goja dhe trupi i lavirit. Këtë erë e dallon çdo njeri me zemër të shëndoshë. Sikur të mos ishte pjesëmarrja e njerëzve në këtë erë, do të përhapej dhe do të lëshonte britmë, duke treguar mbartësin e saj.”

 

9. Kurvëria bëhet shkak që njeriu të meritojë ndëshkimin në jetën e varrit dhe në Ditën e Kijametit.

 

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) në sqarim të kësaj ka thënë: “Rruga e kurvërisë është rruga më e keqe, dhe vendqëndrimi i lavirëve në ferr (xhehenem) është vendqëndrimi më i keq. Vendi i shpirtrave të tyre në barzakh është furra e ndezur fortë (tennuri). Poshtë tyre ata i godet flaka e zjarrit. Sa herë i kap flaka ata rënkojnë dhe përpiqen të largohen për t’u shpëtuar flakëve, e pastaj sërish kthehen në vendin e tyre. Ata vazhdojnë të jenë në këtë gjendje deri në Ditën e Kiametit, ashtu siç i ka parë në ëndërr i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), e s’ka dyshim se ëndrrat e profetëve janë pjesë e shpalljes.”

 

Këto janë çfarë vuri në dukje Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) prej urtësive të rralla dhe fshehtësive të imta legjislative, në sqarim të urtësisë së moslejueshmërisë së imoralitetit. Siç vërejtëm më sipër, të argumentuarit e tij ai e bazoi duke sqaruar dhe vënë në dukje dëmet dhe rreziqet e imoralitetit (kurvërisë), si dhe shkaqet negative të tij, të cilat janë shkatërruese të mirëqenies së mbarë njerëzimit, si në rang shoqëror ashtu edhe në atë individual. Në dorëshkrimet e Ibnul Kajim-it, lexuesit i bëhet e qartë urtësia legjislative e moslejueshmërisë së imoralitetit nga ana fetare. Autori (Allahu e mëshiroftë!) e shpalos temën në mënyrë të atillë argumentuese, saqë rrallë e gjen atë të shpalosur nga të tjerë dijetarë të cilët e kanë prekur këtë temë. S’ka dyshim se kjo argumenton edhe një herë aftësitë e gjera dhe gjithëpërfshirëse të këtij dijetari, si dhe mendjemprehtësinë dhe përpjekjet e tij për t’u zhytur thellë në urtësitë legjislative të kësaj feje madhështore.

 

 

Dëmet shëndetësore të imoralitetit

Vijon …



[1] E transmeton Buhariu në “Sahihun” e tij me nr. 3849.