Llojet e tregtive të ndaluara

 

255. Transmetohet nga Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndaloi nga shitja e quajtur El Munabedhe –e cila bëhet duke hedhur dikush rroben e tij tjetrit para se të takohen apo pa e parë atë, si dhe nga shitja e quajtur El Mulamese, e cila është blerja e rrobes që prek, pa e parë atë.”[1]

 

256. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mos u dilni para karvaneve tregtare (para se të vinë në vendbanim me qëllim që t’ua blejnë mallin më lirë)! Askush të mos shesë mbi shitjen e tjetrit (duke ulur apo ngritur çmimin)! Mos shisni duke rritur çmimin nga një palë e tretë shok i të parës, me qëllim që ta blerësi të mashtrohet në çmim! I civilizuari të mos i shesë (dhe as t’i blejë) beduinit! Mos i lini delet pa mjelur para shitjes me qëllim që të duken me shumë qumësht, dhe nëse dikush e blen një dele të atillë, ai ka të drejtën të zgjedhë më të mirën për veten e tij, pasi që ta mjelë atë; nëse e pëlqen, ta mbajë, e nëse nuk e pëlqen, atëherë ta kthejë bashkë me një tas hurma.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ai ka të drejtën e zgjedhjes brenda tri ditëve.”[2]

 

257. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga shitja e këlyshit të këlyshit që ka në bark deveja barsë (d.m.th. të pritet që deveja të pjellë, pastaj të pritet të mbarset këlyshi i saj nëse është femër, dhe kjo të paguhet që në mbarsjen e devesë gjyshe), e cila ka qenë një lloj shitblerjeje e njerëzve në kohën e injorancës. Dikush e blente devenë që para se të dilte në jetë duke qenë se gjyshja e saj ishte barsë, pastaj të mbarsej nëna e saj me të. Dikush e shiste devenë e tij të madhe në moshë kundrejt këlyshit të këlyshit që kishte në bark deveja e palës tjetër.”[3]

 

258. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga shitja e fryteve të pemëve para se të dallohet pjekja e tyre. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndaloi edhe shitësin edhe blerësin (nga kjo gjë).”[4]

 

259. Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga shitja e fryteve para dallimit të pjekjes së tyre (para ndryshimit të ngjyrës). Dikush tha: E ç’është kjo? –Deri sa të skuqen, tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Pastaj tha: Po sikur Allahu ta ndalojë pjekjen e fryteve, me çfarë do t’ia bësh të lejuar vetes pasurinë e vëllait të tij?”[5]

 

260. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga dalja para karvaneve tregtare dhe nga shitblerja ndërmjet të qytetëruarit dhe beduinit. –I thashë Ibën Abasit (Ai që i ka thënë Ibën Abasit është transmetuesi nga ai, Taus ibën Kejsan el Jemani): Çfarë është për qëllim me të qytetëruarin dhe beduinin? –Të mos bëhet matrapas ndërmjet tij dhe blerësit! –tha ai.”[6]

 

261. Transmetohet nga Abdullah ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga shitblerja e quajtur El Muzabene (shitja e diçkaje të ditur me diçka të paditur) –që dikush të shesë frutat e kopështit të tij; nëse janë në palma, ti shesë me hurma (arabije) me peshë, e nëse janë rrush i njomë (në vresht), ti shesë me rrush të thatë me peshë, e nëse janë agrume (në arë), ti shesë me grurë me peshë. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga të gjitha këto.”[7]

 

262. Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga El Muhabera, nga El Muhakale (shitja e grurit në kalli me grurë të shirë), nga El Muzabene, nga shitja e frutave para se të fillojnë të piqen dhe nga të shiturit me gjë tjetër përveç dinarit (arit) dhe dirhemit (argjendit), me përjashtim të shitjes El Araja (shitja e hurmave të njoma me të thata për të varfërit).”[8]

 

263. Transmetohet nga Ebi Mesud el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga çmimi (shitblerja) e qenit, fitimi i kurvërisë dhe nga ajo që u jipet fallxhorëve.”[9]

 

264. Transmetohet nga Rafiu ibën Hadixh (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Çmimi i qenit është i ndytë, mehri –pagesa- e kurvërisë është e ndytë dhe fitimi i atij që bën hixhame (nxjerja e gjakut me gota) është i ndytë.”[10]



[1] E transmeton Buahriu (367), Muslimi (1512), etj.

[2] E transmeton Buhariu (2140), Muslimi (1515), etj.

[3] E transmeton Buhariu (2143), Muslimi (1514), etj.

[4] E transmeton Buhariu (1486), Muslimi (1534), etj.

[5] E transmeton Buhariu (1488), Muslimi (1555), etj.

[6] E transmeton Buhariu (2158), Muslimi (1521), etj.

[7] E transmeton Buhariu (2171), Muslimi (1521), etj.

[8] E transmeton Buhariu (1487), Muslimi (1536), etj.

[9] E transmeton Buhariu (2237), Muslimi (1567), etj.

[10] E transmeton Muslimi (1567), etj.