Kapitulli i katërt

 

LIBRAT E NXËNËSIT TË DIJES

 

Në fillim të këtij kapitulli duhet patjetër që të sqarojmë disa çështje të rëndësishme për nxënësin e dijes. Ato çështje janë:

1. Si të sillemi me librin?

Sjellja me librin bëhet me disa gjëra:

E para: Njohja e subjektit të librit me qëllim që të përfitosh prej tij në fushën që kërkon, pasi që mund të jetë libër magjie, fallesh apo me gjëra të pavërteta. Pra duhet patjetër që të njohësh subjektin e librit me qëllim që të arrish dobinë e kërkuar prej tij.

E dyta: Njohja e termave të përdorura në libër, gjë e cila zakonisht tregohet në parathënien e librit. Kjo është e rëndësishme pasi që kështu ti kursen shumë kohë, dhe prandaj dijetarët i vendosin parathënie librave.

P.sh: Ne e dimë se kur autori i librit “Bulugul Meram” thotë: “Ky hadith është Muttefekun Alejhi”, ka për qëllim Buhariun dhe Muslimin, ndërsa autori i librit “Munteka el Ahbar” ka për qëllim gjë tjetër. Kur thotë “Muttefekun alejhi” ai ka për qëllim se atë hadith e transmeton Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.

Po kështu në librat e Fikhut bëhet dallim mes termave “dy thënie”, “dy drejtime”, “dy transmetime”, “dy mundësi” e kështu. “Dy transmetimet” janë nga imami i medhhebit. “Dy drejtimet” janë nga shokët e tij, dijetarët e mëdhenj të medhhebit ata të cilët i japin drejtim gjërave në medhheb. “Dy mundësitë” përdoret kur ka lëkundje mes dy thënieve dhe “dy thëniet” janë më të përgjithshme se të gjitha këto.

Po kështu duhet të dish p.sh. se kur autori thotë “ixhmaan” – në unanim, apo “uifakan”-në përputhje, në këtë rast me fjalën “unanim” është për qëllim unanimi i metit dhe kur thotë “në përputhje” d.m.th. në përputhje me tre imamët, siç e përdor këtë shprehje autori i librit “El Furu”-Degëzimet, në fikun hanbeli. Po kështu edhe dijetarët e medhhebeve të tjerë, secili ka termat e veta, kështu që duhet të njohësh termat që përdor autori.

E treta: Njohja e stilit dhe shprehjeve të librit, ndaj kur lexon një libër, dhe veçanërisht kur është libër shkencor i mbushur me dije, ndesh me shprehje të cilat kërkojnë meditim dhe mendim të thellë që t’i kuptosh, për shkak se ende nuk je mësuar me stilin e tij, por kur e lexon përsëri, mësohesh me të.

Ekziston edhe diçka tjetër jashtë sjelljes me librin, dhe bëhet fjalë për shënimet poshtë apo anash faqes. Nxënësi i dijes duhet t’i shfrytëzojë këto vende bosh në faqen e librit për të shënuar sqarimin, argumentin apo analizimin e një çështje që ndesh në libër dhe ka frikë se mos e harron. Shpesh njeriut i shpëtojnë këto dobi të cilat sikur t’i shënonte, nuk do i merrnin veçse një apo dy minuta kohë, dhe kur i kthehet përsëri atij libri, harxhon kohë të gjatë deri sa të kujtojë ku e ka lexuar atë dobi të caktuar, madje ndoshta nuk e gjen më.

Pra, nxënësi i dijes duhet të kujdeset për këtë gjë, sidomos në librat e fikhut. Shpesh në librat e fikhut ndesh një çështje të caktuar bashkë me gjykimin e saj, për të cilën ti stepesh dhe ajo çështje të bëhet problematike. Kur kthehesh në librat e fikhut më të zgjeruara se libri që ke në dorë, dhe gjen atje një thënie e cila e sqaron plotësisht çështjen tënde, atëherë ti duhet ta shënosh këtë thënie me qëllim që të kthehesh tek ajo herë tjetër në rast nevoje, pa u kthyer përsëri tek libri i madh nga i cili e ke marrë atë. Kjo gjë të kursen shumë kohë.

2. Leximi i librave bëhet në dy mënyra:

E para: Lexim me vëmendje dhe përqendrim për të kuptuar. Në këtë mënyrë të të lexuarit, njeriu duhet të mendohet dhe të përqendrohet.

E dyta: Lexim dhe shfletim për të parë se për çfarë bën fjalë libri dhe çfarë kapitujsh përmban, duke e shfletuar shpejt atë, gjë në të cilët nuk përkushtohet vëmendje dhe përqendrim si në mënyrën e parë të leximit.

 

3. Grumbullimi i librave

Nxënësi i dijes duhet të kujdeset për grumbullimin e librave, por duhet të fillojë nga më të rëndësishmit në më pak të rëndësishmit. Nëse njeriu ka pak mundësi financiare, nuk është prej hajrit dhe as prej urtësisë që të blejë shumë libra dhe të fus veten në borxhe për çmimin e tyre. Kjo është prej menaxhimit të keq. N.q.s. nuk ke mundësi të blesh një libër, atëherë ti mund ta marrësh atë hua nga ndonjë bibliotekë.

 

4. Përkujdesja për përvetësimin e librave të rëndësishme

Nxënësi i dijes duhet të kujdeset për përvetësimin e librave nënë dhe bazë, dhe jo librat e shkruara së fundi, pasi që disa autorë të rinj nuk janë në dijen e thelluar dhe me baza, ndaj kur lexon atë që kanë shkruar këta, i gjen gjëra sipërfaqësore. Mund edhe të kenë përcjellë shprehje të librave të vjetër, por me ndryshim të shprehjes duke e zgjatur atë me fjalë të shumta të pavlera.

Ndaj, kujdesu për librat nënë të selefëve, sepse ato janë shumë më të mira dhe më të begata se librat e halefëve (të mëvonshmëve), dhe kjo sepse shumica e librave të këtyre të fundit janë kuptimpakë dhe shprehjeshumë, sa që lexon një faqe të tërë dhe mund ta përmbledhësh atë me një apo dy rreshta. Ndërsa librat e të parëve i gjen të lehta, të thjeshta, të arritshme dhe të matura. Madje nuk gjen një fjalë të vetme pa pasur kuptim.

Prej librave më madhështore për të cilat duhet të kujdeset nxënësi i dijes janë librat e shejhut të Islamit, Ibën Tejmijes (Allahu e mëshiroftë!) dhe librat e nxënësit të tij, Ibnul Kajjim (Allahu e mëshiroftë!). Siç është e njohur, librat e Ibnul Kajjim janë më të lehta dhe të thjeshta se ato të Ibën Tejmijes, sepse Ibën Tejmije përdor shprehje të forta për shkak të dijes së tij të gjerë dhe forcës së intelektit të tij. Ndërsa Ibnul Kajjim pa një shtëpi të ngritur dhe u preokupua me zbukurimin dhe renditjen e saj. Nuk kemi për qëllim këtu të themi se Ibnul Kajjim është kopje e Ibën Tejmijes. Përkundrazi, Ibnul Kajjim ka qenë i lirë në mendimet dhe zgjedhjet e tij, dhe kur shihte se shejhu i tij e kundërshtonte diçka që ky e shihte të saktë, atëherë ai fliste, siç ka bërë në lidhje me obligueshmërinë e shndërrimit të Haxhit në Umra për atë që nuk e sjell me vete kurbanin ndërkohë që ka bërë nijet për Haxh Mufrid apo Kiran, siç ishte edhe mendimi i Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Ndërsa Ibën Tejmije kishte mendimin se kjo gjë ishte e obliguar në këtë mënyrë posaçërisht për sahatet. Pasi përmend fjalën e Ibën Abasit, ibnul Kajjim thotë: “Unë më shumë anoj nga fjala e tij se sa nga fjala e shejhut tonë.” D.m.th. shprehu kundërshtimin e tij.

Pra Ibnul Kajjim (Allahu e mëshiroftë!) ka qenë i pavaruar dhe i lirë në mendimet e tij, por nuk ka çudi që ai të përputhet me shehun e tij në atë që mendon se është e saktë dhe e vërtetë, dhe nuk ka dyshim se nëse ti i mendon thellë shumicën e zgjedhjeve të Ibën Tejmijes, i gjen se ato janë të sakta, gjë të cilën e njohin mirë ata që lexojnë librat e atyre dyve (Ibën Tejmijes dhe Ibnul Kajjim).

 

5. Vlerësimi i librave

Librat ndahen në tre lloje:

Lloji i parë: Libra të hajrit

Lloji i dytë: Libra të sherrit

Lloji i tretë: Libra as të hajrit dhe as të sherrit

Ti kujdesu që libraria jote të mos përmbajë libra në të cilat nuk ka hajër, apo në të cilat ka sherr.

Ekzistojnë edhe disa libra të cilave u thuhet “Libra letërsie”, por në të vërtetë këto libra e therin kohën dhe e vrasin atë pa përfituar dobi. Si dhe ekzistojnë gjithashtu libra të dëmshme që përmbajnë ide të caktuara, as këto mos i fut në librarinë tënde, qofshin ato në menhexh apo në akide, siç janë librat e bidatçnjve të cilat dëmtojnë akiden dhe librat revolucionare të cilat dëmtojnë menhexhin.

Në përgjithësi, çdo libër të dëmshëm mos e fut në librarinë tënde, pasi që librat janë ushqim për shpirtin njësoj si ngrënia dhe pirja për trupin, dhe nëse e ushqen shpirtin me libra të tillë, ty të shkaktohet dëm i madh dhe merr drejtim të kundërt me rrugën e saktë të nxënësit të dijes.

 

Librat e nxënësit të dijes

 

Së pari: Në Akide

1. Libri “Tre parimet”

2. Libri “Katër bazat”

3. Libri “Largimi i dyshimeve”

4. Libri “Kitabu et Teuhid”

Të katërta këto libra janë të shejhut të Islamit, imam Muhamed ibën Abdulvehab (Allahu e mëshiroftë!).

5. Libri “Akidja el Vasitije” e cila përmban sqarim të Teuhidit El Esma ue Sifat dhe është nga librat më të mirë që janë shkruar në këtë temë dhe e meriton të lexohet dhe të referohesh tek ai.

6. Libri “El Hamavije”

7. Libri “Et Tedmurije”, që të dy këto libra janë më të zgjeruara se libri “El Vasitije”. Të tre këto libra janë të shejhut të Islamit Ibën Tejmijes (Allahu e mëshiroftë!).

8. Libri “Akidja Tahavije”, e shejh Ebu Xheafer Ahmed ibën Muhamed et Tahavi.

9. Libri “Sqarimi i Akides Tahavije”, i Ebu el Hasen Ali ibën Ebil Iz (Allahu e mëshiroftë!).

10. Libri “Margaritarët shkëlqyes në përgjigjet Nexhdije”, grumbullim i shejh Abdurrahman ibën Kasim (Allahu e mëshiroftë!).

11. Libri “Margaritarët ndriçues në akiden e grupit të pëlqyer”, i Muhamed ibën Ahmed es Sefarini el Hanbeli, por duhet pasur parasysh se në të përmenden disa shprehje të cilat e kundërshtojnë menhexhin e selefëve, siç është fjala e tij:

Zoti ynë nuk është as materie dhe as gjë aksidentale

As trup nuk është Ai, i Larti në lartësi

Prandaj nxënësi i dijes duhet ta mësojë akiden në duart e një shejhu i cili e njeh mirë akiden e selefëve, me qëllim që t’i sqarojë atij shprehjet dhe bindjet që janë në kundërshtim me akiden e selefëve.

 

Së dyti: Në Hadith

1. Libri “Fet’hul Bari, sqarim i Sahihut të Buhariut”, i Ibën Haxher el Askilani (Allahu e mëshiroftë!).

2. Libri “Subulu as selam, sqarim i Bulugu al meram”, i Saneanit, një libër i cili bashkon mes hadithit dhe fikhut.

3. Libri “Nejlu al eutar, sqarim i Munteka el Ahbar” i Sheukanit.

4. Libri “Umdetu al Ahkam” i El Makdesi, një libër i specializuar shumica e haditheve të të cilit janë në dy Sahihat dhe nuk është nevoja të kërkohet për saktësinë e tyre.

5. Libri “Dyzet hadithet e Neveviut”, i Ebu Zekerija en Nevevi Allahu e mëshiroftë! Ky libër është shumë i mirë sepse në të ka mësime të mira, stil të mirë dhe rregulla shumë të dobishme, siç është p.sh. hadithi: “Nga islami i mirë i njeriut është lënia e asaj që nuk i intereson.”[1] Ky hadith është një rregull, po të ecësh sipas të cilit, do të ishte i mjaftueshëm. Po kështu edhe rregulli në lidhje me të folurin: “Kush beson Allahun dhe botën tjetër, të flasë mirë ose të heshtë!”[2]

6. Libri “Bulugu al Meram”, i hafiz Ibën Haxher el Askilani, një libër shumë i dobishëm veçanërisht me faktin se ai përmend transmetuesit e haditheve dhe se kush e ka konsideruar të saktë apo të dobët një hadith të caktuar, si dhe bën shënimet e veta në hadithe.

7. Libri “Nuhbetu el fikr”, i Ibën Haxher el Askilani, i cili konsiderohet një libër përmbledhës. Sikur nxënësi i dijes ta kuptojë dhe ta përvetësojë këtë libër, ai i mjafton në vend të shumë librave në terminologjinë e hadithit. Në këtë libër, Ibën Haxheri ka edhe një stil shumë të dobishëm, i cili është: shqyrtimi dhe ndarja. Kur e lexon këtë libër, nxënësi i dijes është aktiv pasi që ai është i ndërtuar në atë mënyrë që të kërkon të vesh mendjen në punë. Madje unë them se nxënësi i dijes bën mirë ta mësojë përmendësh atë, sepse ai është një përmbledhje e dobishme në shkencën e hadithit.

8. Gjashtë Sunenet: Sahihu i Buhariut, Sahihu i Muslimit, Sunenu en Nesai, Sunenu Ebi Daud, Sunenu Ibën Maxheh dhe Xhamiu et Tirmidhi. E këshilloj nxënësin e dijes që të lexojë sa më shumë prej tyre, sepse në to ka dy dobi:

E para: Kthimi tek bazat e fesë.

E dyta: Përsëritja e emrave të transmetuesve në mendje, gjë e cila bën që kur të lexosh emrat e transmetuesve në çdo sened që të jenë, e dallon p.sh. se filani është nga transmetuesit e Buhariut, duke përfituar kështu këtë dobi në shkencën e hadithit.

 

Së treti: Në fikh

  1. Libri “Edukata e të ecurit për në xhami”, i shejhut të Islamit Muhamed ibën Abdulvehab, Allahu e mëshiroftë.
  2. Libri “Zadu el Nustekni, shkurtim i librit “El Mukni”, i El Haxhavi, një nga më të mirat libra të përmbledhura në fikh. Ky është një libër i shkurtuar dhe i përmbledhur, të cilin profesori ynë, dijetari i madh Abdurrahman es Seadi, Allahu e mëshiroftë, na këshilloi që ta mësonim përmendësh, ndërkohë që vetë ai kishte mësuar përmendësh tekstin e librit “Delijlu et Talib”.
  3. Libri “Er raudul murabea, sqarim i “Zadul Mustekni”, i shejh Mensur el Behuti.
  4. Libri “Umdetul Fikh”, i Ibën Kudames, Allahu e mëshiroftë!

 

Së katërti: Në ndarjen e trashëgimisë

  1. Libri “Metnu er Rrahabije”, i Er Rahabi.
  2. Libri “Metnul Burhanije”, i Muhamed el Burhani, një libër i shkurtuar, i dobishëm, përmbledhës për të gjitha trashëgimitë. Për mendimin tim, ky i dyti është më i mirë se libri Er Rrahabije, për shkak se ky është më përmbledhës dhe me njohuri më të zgjeruara.

 

Së pesti: Në Tefsir

1. Libri “Tefsiri i Kuranit të Madhërishëm”, i Ibën Kethirit, i cili është i mirë në tefsirin me gjurmët e të parëve, i dobishëm dhe i sigurtë (për nga akidja, etj). Por ai jep shumë pak në lidhje me anën gjuhësore dhe atë retorike.

2. Libri “Tejsijr el Kerijmi er Rrahman fi Tefsir Kelamil Menan”, i shejh Abdurrahman ibën Nasir es Seadi, Allahu e mëshiroftë! Ky është një libër i mirë, i lehtë për t’u përvetësuar dhe i sigurtë (për nga akidja, etj). Unë këshilloj për leximin e tij.

3. “El Mukadimetu fi et Tefsir”, e shejhut të Islamit Ibën Tejmije, i cili është hyrje e rëndësishme dhe e mirë në shkencën e Tefsirit.

4. Libri “Edvaul Bejan”, i dijetarit të madh Muhamed esh Shinkiti, Allahu e mëshiroftë! Ky është një libër përmbledhës i hadithit, fikhut, tefsirit dhe usuli fikhut.

 

Së gjashti: Libra të përgjithshme në disa shkenca të ndryshme

1. Në sintaksën arabe: “Metnul Axhrumije”, një libër i shkurtuar dhe i thjeshtë.

2. Gjithashtu në sintaksë: “Elfijtu Ibni el Malik”, i cili konsiderohet esenca e sintaksës.

3. Në Sira, libri më i mirë që kam parë është: “Zadul Miad”, i Ibnul Kajim, Allahu e mëshiroftë! Ky është një libër shumë i dobishëm i cili përmend historinë e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) në të gjitha gjendjet e tij, pastaj nxjerr ligje dhe dobi të shumta.

4. Libri “Kopështi i njerëzve të zgjuar”, i Ibën Hiban el Busti, Allahu e mëshiroftë! Ky është një libër i dobishëm edhe pse është i vogël, dhe ka mbledhur një numër të madh dobishë dhe gjurmë dijetarësh të hadithit e të tjerë.

5. Libri “Sijeru ealami en Nubela”, i Dhehebiut, një libër me dobi shumë të mëdha, nga i cili nxënësi i dijes duhet të lexojë dhe të kthehet tek ai.

 

Lusim Allahun të na japë dije të dobishme dhe të na bëjë dobi me dijen që na jep! Ai është Zot i kësaj dhe Plotfuqishëm për gjithçka.

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dërguarin tonë Muhamed, familjen dhe shokët e tij!

 

 


[1] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Tirmidhiu 2324, Ibën Maxheh 3976.

[2] Buhariu 6018, Muslimi 47.

« Kapitulli i Tretë