KAPITULLI I TRETE

 

 

RRUGET E MARRJES SË DIJES

DHE DISA GABIME NGA TË CILAT DUHET PASUR KUJDES

 

 

1. Rrugët e marrjes së dijes

 

Është mëse e ditur se kur njeriu synon të arrijë në një vend, duhet patjetër që njohë rrugën që të çon atje, e nëse ka më shumë se një rrugë për te ai vend, atëherë zgjedh më të shkurtrën dhe më të lehtën e tyre. Prej këtu, është shumë e rëndësishme që nxënësi i dijes ta ndërtojë kërkimin e dijes mbi baza dhe rregulla dhe të mos i ngatërrojë gjërat e t’i bëjë lëmsh, sepse “kush nuk i zotëron bazat, nuk mund të arrijë te synimi.”

Poeti thotë:

Dija është det i madh i mbushur plot

Fundin e të cilit nuk mund ta arrijë kushdo që të përpiqet

Por në bazat e saj gjen lehtësim për arritjen e saj

Ndaj kujdesu për to, dhe ke për të gjetur rrugë

Shfrytëzoi rregullat dhe bazat

Sepse kush i humb ato, nuk arrin

 

Bazat janë dija dhe çështjet e ndryshme janë degët. Njësoj si rrënjët e pemës dhe degët e saj; n.q.s degët nuk janë mbi rrënjë të mira e të forta, atëherë ato dobësohen dhe vdesin.

Por, çfarë janë bazat?

A mos janë argumentet e sakta?

Apo rregullat dhe disiplinat?

Apo që të dyja këto së bashku?

Përgjigja: Bazat janë argumentet e Kuranit dhe të Sunetit, rregullat dhe disiplinat e përfituara nga vrojtimi dhe vëzhgimi i kujdesshëm dhe i studiuar nga Kurani dhe Suneti. Këto janë gjërat më të rëndësishme për të cilat ka nevojë nxënësi i dijes.

Për shembull, rregulli: “Mundimi dhe vështirësia tërheq lehtësimin”, është marrë nga Kurani dhe Suneti. Nga Kurani është marrë nga Fjala e Allahut të Madhëruar: “Ai (Allahu) nuk u ka ngarkuar me ndonjë vështirësi në fe.” [El Haxh, 78].

Ndërsa nga Suneti, nga fjala e Pejgamberit  (salallahu alejhi ue selem) ku i thotë Imran ibën Husajnit: “Falu duke qëndruar në këmbë, e nëse nuk mundesh, atëherë falu i ulur, e nëse përsëri nuk mundesh, atëherë falu i mbështetur.”[1]

Si dhe nga fjala e Pejgamberit  (salallahu alejhi ue selem): “Kur iu urdhëroj për diçka, bëni prej saj sa të mundeni.”[2]

Duke ditur këtë rregull, sikur të të vijnë një mij çështje të formave të ndryshme, ti do të keshë mundësi të gjykosh për secilën prej tyre duke u bazuar mbi këtë rregull. Por sikur të mos e dish këtë rregull, ka për t’u pështjelluar çështja qoftë edhe nëse të vijnë vetëm dy çështje apo pyetje.

Për marrjen e dijes ka dy rrugë:

Rruga e parë: Marrja e saj nga librat e besueshëm dhe të saktë të cilët i kanë shkruar dijetarët e njohur për dijen e tyre, besnikërinë dhe akiden e tyre të pastër prej bidateve dhe trillimeve.

Duke e marrë dijen nga librat mund të arrish në një synim të caktuar, por këtu has dy vështirësi:

E para: Koha e gjatë. Njeriut i duhet shumë kohë, përpjekje e stërmundim që të arrijë atë dije që synon, vështirësi të cilën ndoshta nuk e përballojnë shumë prej njerëzve, sidomos kur sheh të tjerët rreth përreth që të kenë humbur shumë kohë pa pasur dobi, dhe kështu të hyn dembelizmi, lodhja dhe neveritja, dhe nuk e arrin atë që synon.

Vështirësia e dytë: Në shumicën e rasteve, dija e atij i cili e merr dijen vetëm nga librat është e dobët dhe mbi të nuk ndërtohen rregulla e baza. Ndaj gjejmë shumë gabime tek ata të cilët e marrin dijen nga librat, pasi që nuk kanë baza dhe rregulla mbi të cilat mbështetet dhe mbi të cilat të ndërtojë degëzimet që gjenden në Kuran dhe në Sunet. Gjejmë disa njerëz që të mbështeten në një hadith i cili nuk ekziston në librat e konsideruara të hadithit prej “Sahihave”, apo “Mesanideve”, etj, rrugë e cila është në kundërshtim me bazat e konsideruara tek dijetarët, madje tek i gjithë ymeti musliman, pastaj i gjejmë ata të marrin këtë hadith dhe të ndërtojnë akiden e tyre mbi të, gjë e cila padyshim që është gabim, pasi që Kurani dhe Suneti kanë disa baza rreth të cilave sillen çështjet dhe degët e ndryshme. Dhe duhet patjetër që këto degëzime t’i ballafaqosh me bazat, në mënyrë që nëse në këto degëzime gjen diçka në kundërshtim me bazat dhe nuk mund të bashkosh mes tyre, atëherë i lëmë këto degëzime.

Rruga e dytë për kërkimin e dijes është: të kërkuarit e saj nga një mësues i besueshëm në dijen dhe fenë e tij. Kjo rrugë është më e shpejtë dhe më e sigurtë për kërkimin e dijes, pasi që në rrugën e parë mundet që kërkuesi të humbë rrugë pa e ditur për shkak të kuptimit të gabuar ose mosditurisë, apo për shkaqe të tjera. Ndërsa rruga e dytë përmban diskutim, marrje e dhënie me mësuesin, duke bërë që nxënësit ti happen dyer të shumta të kuptimit, verifikimit, mënyrës së mbrojtjes së fjalëve të vërteta dhe kundërpërgjigjes ndaj fjalëve të dobëta.

E nëse kërkuesi i dijes bashkon mes këtyre dy rrugëve, kjo është më e mira dhe më e plota.

Nxënësi i dijes duhet të fillojë me më të rëndësishmet dhe me versionet e shkurtuara në shkencat e ndryshme para atyre të zgjatura, në mënyrë që të ngjitet shkallë pas shkalle, dhe të mos ngjitet në një shkallë më lart pa e zotëruar mirë atë para saj, me qëllim që ngjitja e tij të jetë e saktë dhe e sigurtë.

 

 

2. Gabime prej të cilave duhet pasur kujdes

 

Disa prej nxënësve të dijes bienë në disa gabime, prej të cilave përmendim:

1. Zilia (El Hased)

Zilia është: urrejtja e asaj mirësie që Allahu i ka dhënë dikujt tjetër. Ajo nuk është dëshira për largimin e mirësisë së Allahut nga tjetri, por thjesht urrejtja e asaj mirësie që Allahu ia ka dhënë dikujt tjetër. Kjo është zilia, qoftë kur dëshiron heqjen e asaj mirësie nga tjetri apo vazhdimësinë e saj, por e urren atë.

Në këtë përfundim ka arritur shejhu i lslamit, Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), i cili thotë: “Zilia është urrejtja e asaj mirësie të cilën Allahu ia ka dhënë dikujt tjetër.”

Zilia është diçka nga e cila thuajse nuk mund të shpëtojë shpirti, d.m.th. që ajo mund të jetë e domosdoshme për të, por në hadith ka ardhur kjo thënie: “Nëse të hyn zilia, mos bëj zullum, dhe nëse të hyn dyshimi, mos vepro (sikur të ishte i vërtetë).”[3] D.m.th: Kur njeriu sheh se ka zili në zemrën e tij për ndokënd, atëherë të mos i bëj zullum atij me fjalë apo vepër, sepse kjo është prej cilësive të çifutëve, për të cilët Allahu i Madhëruar thotë: “Apo mos kanë zili njerëzit për çfarë u ka dhuruar atyre Allahu nga Begatitë e Tij? Dhe Ne që më parë i kishim dhënë familjes së Ibrahimit Librin dhe urtësinë dhe u dhuruam atyre mbretërim madhështor.” [En Nisa, 54].

Përveç kësaj, ziliqari bie në shumë gjëra të ndaluara:

1. Urrejtja e asaj që ka caktuar Allahu, pasi që urrejtja e asaj mirësie të cilën Allahu ia ka dhënë atij personi është urrejtje e asaj që ka caktuar Allahu për të ndodhur si dhe kundërshtim i përmbushjes së paracaktimit të Allahut.

2. Zilia i ha veprat e mira ashtu si zjarri ha drutë, sepse në shumicën e rasteve ziliqari i bën zullum atij që ka zili duke përmendur ato që urren tek ai, duke larguar njerëzit prej tij, duke i ulur vlerën, e ngjashëm me këto, gjëra të cilat janë nga gjynahet e mëdha dhe që mund të fshijnë veprat e mira.

3. Ajo që ndodh në zemrën e ziliqarit prej hidhërimit, ferrit dhe zjarrit i cili e ha nga brenda. Sa herë që ky sheh një mirësi tek ai që ka zili, vreroset dhe i ngushtohet gjoksi. Gjithnjë e ruan dhe e studion atë person dhe sa herë që Allahu i jep mirësi atij, ky mërzitet, vreroset dhe i ngushtohet dynjaja.

4. Në të pasurit zili ka përngjasim me çifutët, dhe siç dihet: kush vepron një prej cilësive të mosbesimtarëve, ai është prej tyre në atë cilësi, bazuar në fjalën e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem): “Kushdo që i përngjason një populli, ai është prej tyre.”[4]

5. Sado që zilia jote të rritet dhe të forcohet, nuk mundesh kurrë që ta heqësh mirësinë e Allahut nga ai person që ti ke zili. Dhe përderisa kjo është e pamundur, atëherë përse të kesh zili?!

6. Zilia e pengon plotësimin e besimit, sepse Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Askush nga ju nuk beson deri sa të dojë për vëllanë e tij atë që do për vete.”[5] Kjo do të thotë se ti duhet të urresh heqjen e mirësisë nga vëllai yt dhe nëse nuk e urren këtë gjë, atëherë ti nuk do për vëllanë tënd atë që do për vete, gjë e cila e pengon plotësimin e besimit.

7. Zilia bën që të mos i kërkosh Allahut nga mirësitë e Tij, por të preokupohesh me mirësinë që Allahu i ka dhënë dikujt tjetër, ndërsa Allahu thotë: “Dhe mos dëshironi ato gjëra me të cilat Allahu ka bërë që disa prej jush të dallohen nga të tjerët. Për burrat do të ketë shpërblim për çfarë ata kanë fituar dhe për gratë do të ketë shpërblim për çfarë ato kanë fituar dhe kërkoni Allahut nga Begatitë e Tij. Allahu është kurdoherë i Gjithëdituri për çdo gjë.” [En Nisa, 32].

8. Zilia bën që ziliqari t’i përbuzë mirësitë e Allahut mbi të, d.m.th. ziliqari sheh se nuk është në mirësi, ndërsa tjetri është në mirësi më të madhe se ky. Dhe kështu, ai i përbuz mirësitë e Allahut mbi të dhe si rrjedhojë nuk falënderon për to.

9. Zilia është moral i keq, pasi që ziliqari ndjek mirësitë e Allahut tek njerëzit e shoqërisë së tij dhe përpiqet me sa të mundet që të largojë njerëzit nga personi që ky ka zili, herë duke i ulur vlerën, herë me përçmimin e veprave të mira që ai bën, e herë me gjëra të tjera.

10. Kur ziliqari ka zili, në shumicën e rasteve ai i bën zullum tjetrit dhe kështu ai tjetri merr prej të mirave të këtij deri sa të mos mbesë gjë prej tyre, pastaj merren prej të këqia të këtij dhe i hidhen mbi shpinë ziliqarit, pastaj hidhet në zjarr.

Përfundimi është se zilia është moral negativ dhe për të ardhur keq, ajo ekziston më së shumti mes dijetarëve dhe nxënësve të dijes, mes tregtarëve, mes kolegëve dhe atyre që kanë të njëjtin profesion. Por për të ardhur keq, ajo ekziston më shumë mes dijetarëve dhe mes nxënësve të dijes, megjithëse më parësore dhe më e lartë do të ishte që poseduesit e dijes të ishin njerëzit më larg zilisë dhe më afër moraleve të përsosura.

Vëlla! Nëse sheh se Allahu i ka dhënë mirësi një robi të Tij, përpiqu të bëhesh si ai dhe mos e urre atë përson të cilit Allahu i ka dhënë mirësi, por thuaj: “O Zot! Shtoja atij mirësinë Tënde dhe më jep mua edhe më të mirë se atij!” Zilia nuk ndryshon asgjë nga gjendja aktuale, por siç e përmendëm më sipër, ajo përmban këto dhjetë negativitete dhe të ndaluara, dhe kush mediton më tepër mund të gjejë edhe më shumë se këto, e Allahu është Ndihmuesi më i mirë!

2. Dhënia fetva pa pasur dije

Të qenurit myfti është post i lartë, pasi që personi që ka këtë post përballet me sqarimin e gjërave që u ngatërrohen masës së gjerë të popullit në çështjet e fesë duke i drejtuar ata në rrugën e drejtë. Ndaj këtë post madhështor nuk mund ta marrë  veçse dikush që është kompetent, kështu që njerëzit duhet të kenë frikë Allahun e Madhëruar dhe të mos flasin veçse me dije dhe mendjehollësi. Duhet ta dinë se vetëm Allahut i takon krijimi dhe urdhri. Nuk ka krijues tjetër përveç Allahut, nuk ka rregullues e sistemues tjetër të krijesave përveç Allahut dhe nuk ka ligj tjetër për krijesat përveç ligjit të Allahut. Allahu është Ai i Cili e bën të detyrueshme diçka dhe të ndaluar një gjë tjetër. Ai bën të preferuar diçka dhe e bën të lejuar atë, ndërsa për ata të cilët bëjnë diçka të lejuar apo të ndaluar sipas dëshirës dhe pasionit të tyre, Allahu thotë: “Thuaju: “Më thoni, çfarë të mirash ju ka zbritur juve Allahu! Dhe ju vetë i keni bërë ato të ligjshme e të paligjshme.” Thuaju: “A ju ka lejuar Allahu (të bëni kështu), apo ju shpifni gënjeshtër ndaj Allahut?” Dhe çfarë mendojnë ata që trillojnë gënjeshtra kundër Allahut, për Ditën e Kijametit (a mendojnë se do të falen)?” [Junus, 59-60].

Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë: “Por mos thoni në lidhje me atë që jua thotë goja duke gënjyer: “Kjo është e ligjshme dhe kjo është e ndaluar”, që të shpifni gënjeshtër ndaj Allahut, (pasi) me të vërtetë ata të cilët shpifin gënjeshtra ndaj Allahut kurrë nuk do të fitojnë.  (Veç) një kënaqësi të shpejtë e kalimtare do të shijojnë, por për ta do të jetë ndëshkim i dhimbshëm.” [En Nahl, 116-117].

Nga krimet më të mëdha është që dikush të thotë për diçka se ajo është hallall, duke qenë se nuk e di gjykimin e Allahut për të, ose që të thotë se ajo është haram, pa e ditur gjykimin e Allahut për të. Ose të thotë për diçka se ajo është vaxhib (obligim), duke mos e ditur nëse Allahu e ka bërë obligim apo jo, ose të thotë se nuk është obligim, pa e ditur se Allahu nuk e ka bërë obligim atë. Ky është krim dhe sjellje e paedukatë me Allahun e Madhëruar.

Si është me ty, o njeri, që e di se gjykimi i takon vetëm Allahut, pastaj i paraprin Atij duke folur në fenë dhe sheriatin e Tij pa pasur dije?! Allahu e ka shoqëruar të folurit për Të pa dije me shirkun (shokvënien), kur thotë: “Thuaj: “(Por në të vërtetë) gjërat që i ka ndaluar Zoti im janë mëkatet që kryhen hapur ose fshehur, gjynahet (e tjera të çdo lloji), shtypja pa të drejtë, vënia shok Allahut në adhurim, gjë për të cilën Ai nuk ka dhënë asnjë të drejtë e asnjë provë, si dhe përfolja për Allahun për gjëra për të cilat ju nuk keni dijeni.” [El Araf, 33].

Ka edhe shumë prej masës së gjerë të cilët i japin fetva njëri-tjetrit pa pasur dije. I gjen ata të thonë: “Kjo është hallall”, apo “haram”, apo “obligim”, apo “nuk është obligim”, duke qenë se nuk dinë asgjë për të. A nuk e dinë këta se Allahu ka për t’i pyetur ata në ditën e Kiametit për atë që thonë? A nuk e dinë këta se sikur të humbin një person duke i bërë të lejuar atij diçka që është e ndaluar, apo duke i bërë të ndaluar diçka që është e lejuar, se atyre u kthehet gjynahu i tij dhe ata kanë gjynah njësoj si ai që vepron për shkak të gjykimit që i kanë dhënë atij?

Disa njerëz nga masat e gjera bëjnë një krim tjetër: kur shohin dikë që kërkon të pyesë ndonjë dijetar, i thonë atij: “Nuk është nevoja që të pyesësh për këtë. Kjo është diçka e qartë. Kjo është haram.” Ndërkohë që në realitet ajo është hallall ndërsa ky bën haram atë që Allahu e ka lejuar. Ose thonë: “Ky është obligim”, duke i ngarkuar diçka me të cilën nuk e ka ngarkuar Allahu, e kështu. Kjo gjë është krim ndaj sheriatit të Allahut dhe tradhti ndaj vëllait tënd musliman, pasi që i ke dhënë fetva pa pasur dije. Sikur dikush të të pyeste për rrugën që të shpie në filan vend, dhe ti t’i thoshe se rruga është këtej, pa e ditur se nga ishte rruga, a nuk e konsiderojnë njerëzit këtë gjë si tradhti nga ana jote? Atëherë si mundesh të flasësh për rrugën e xhenetit, e cila është sheriati i zbritur nga Allahu, ndërkohë që ti nuk di gjë për të?!

O vëllezër! Prej logjikës, besimit dhe frikës ndaj Allahut dhe madhërimit të Tij është që kur njeriu nuk e di diçka, të thotë: “Nuk e di! Pyet dikë tjetër.” Kjo gjë është nga logjika e shëndoshë, sepse kur njerëzit shohin që ai sigurohet para se të flasë, besojnë tek ai, dhe sepse ai e di vlerën e vetes dhe në këtë rast i jep asaj vendin që i takon. Kjo gjë është gjithashtu nga plotësimi i besimit në Allah, i frikës ndaj tij, pasi që ky nuk i paraprin Zotit të tij në dhënien e vendimeve dhe nuk përflet në fenë e Tij atë që nuk e di. Edhe i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), i cili është më i dituri prej krijesave të Allahut me fenë e Allahut, pyeste për ato gjëra për të cilat nuk kishte zbritur shpallje dhe priste t’i zbriste shpallja dhe Allahu t’i përgjigjej pyetjes së tij: “Të pyesin ty (O Muhammed) se ç’është e lejuar për ta. Thuaj: “Të lejuara për ju janë të gjitha ushqimet e mira.” [El Maide, 4].Të pyesin ty (O Muhammed) edhe për Dhulkarnejnin. Thuaju: “Unë do t’ju rrëfej diçka nga historia e tij.”[El Kehf, 83]. “Të pyesin ty (O Muhammed) për Orën (Çastin e Fundit, Kiametin): “Kur është përcaktuar koha e tij?” Thuaju: “Dija për të është Vetëm tek Zoti im. Askush nuk ta shpall kohën e tij përveç Atij.” [El Araf, 187].

Po kështu edhe shokët e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), kur u paraqitej një çështje për të cilën nuk e dinin gjykimin e Allahut, ata kishin frikë dhe heshtnin përballë saj.

Ebu Bekër es Sidiku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Ç’qell do të më mbulonte dhe ç’tokë do të më mbante sikur të flisja për librin e Allahut diçka pa pasur dije?!”

Kur Umer ibën el Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përballej me një çështje të re, mblidhte sahabet dhe konsultohej me ta.

Ibën Sirin thotë: “Nuk ka pasur më të ruajtur se Ebu Bekri në lidhje me atë që nuk e dinte dhe nuk ka pasur më të ruajtur pas Ebu Bekrit se sa Umeri.”

Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “O njerëz! Kush pyetet për diçka që ai e di, le ta thotë atë, ndërsa kush nuk ka dije për atë që pyetet, të thotë: “Allahu e di”, pasi që prej dijes është që për atë që nuk e di, të thuash “Allahu e di”.

Sheabiu u pyet për një çështje dhe ai tha: “Nuk e di mirë atë”. Shokët i thanë: “U turpëruam me ty!” Ai tha: “Por engjëjt nuk u turpëruar kur thanë: “Ne nuk kemi dije përveç asaj që na ke mësuar Ti.” [El bekare, 32].

Shembujt ne lidhje me dhënien fetva pa pasur dije janë të shumtë. Prej tyre p.sh. kur të sëmurit i ndoten rrobat dhe ai nuk ka mundësi t’i pastrojë ato, dikush i thotë që të mos falet deri sa të pastrojë rrobat.  Kjo është një fetva e pavërtetë dhe e gënjeshtërt, pasi që i sëmuri duhet të falet qoftë edhe me rroba të ndotura, qoftë edhe me trup të papastër përderisa nuk ka mundësi të pastrohet, sepse Allahu thotë: “Kini frikë Allahun sa të mundeni…” ‘Et tegabun, 16]. Pra, të sëmurit i lejohet të falet sipas gjendjes së tij dhe sipas mundësisë që ka. Ai mund të falet në këmbë dhe nëse nuk mundet, atëherë mund të falet ulur, dhe nëse nuk mundet ulur, atëherë të falet i mbështetur dhe të bëjë me shenjë me kokën e tij nëse mundet, e nëse nuk mundet, atëherë bën me shenjë me sytë e tij, sipas mendimit të disa dijetarëve. Nëse as me sy nuk mundet dhe e ka mendjen në vend, atëherë bën nijet për kryerjen e veprave me zemrën e tij dhe fjalët i thotë me gojë. P.sh: Të thotë “Allahu Ekber”, pastaj të lexojë Fatihanë dhe një sure, pastaj të thotë: “Allahu Ekber” dhe të bëjë nijet për rënien në ruku, pastaj të thotë: “Semiallahu limen hamideh” dhe të bëjë nijet ngritjen nga rukuja. Po kështu të veprojë në sexhde dhe në veprat e tjera të namazit; të bëjë nijet me zemër veprën që nuk ka mundësi ta bëjë dhe të mos e vonojë namazin nga koha e tij.

Për shkak të kësaj fetvaje të gënjeshtërt mund të vdesin disa prej muslimanëve duke qenë lënës të namazit për shkak të saj, dhe sikur ata ta dinin se njeriu i sëmurë mund të falet në çdo gjendje që të jetë, do të vdisnin duke qenë që faleshin.

Çështjet si kjo dhe të ngjashme me të janë të  shumta, ndaj masat e gjera duhet t’i mësojnë rregullat e këtyre çështjeve nga dijetarët me qëllim që të mësojnë gjykimin e Allahut për to dhe me qëllim që të mos flasin pa dije në fenë e Allahut.

3. Mendjemadhësia

Mendjemadhësinë e ka sqaruar Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) me sqarimin më përmbledhës dhe më të qartë, kur thotë: “Mendjemadhësia është mohimi i të vërtetës dhe përçmimi i njerëzve.”[6]

Mohimi i të vërtetës është kthimi mbrapsht i saj, ndërsa përçmimi i njerëzve është përbuzja e tyre. Prej mendjemadhësisë është edhe që t’ja kthesh mësuesit tënd, t’i flasësh pa turp dhe të sillesh keq me të.

Po kështu edhe shpërfillja e atij që të sjell një dobi por i cili është më i vogël se ti, është mendjemadhësi. Kjo ndodh tek disa nxënës të cilët kur i tregon diçka dikush që është më poshtë gradës së tyre në dije, e shpërfill dhe nuk e pranon atë.

Neglizhimi yt në të punuarit me dijen tënde është shenjë humbjeje, Allahu na ruajtë!

Në lidhje me këtë, poeti thotë:

Dija është luftë për djaloshin kryelartë

Ashtu siç është rrëkeja luftë për vendin e lartë

Domethënia e këtyre vargjeve është: djaloshi kryelartë nuk mund ta arrijë dijen, pasi që dija është luftë për të ashtu si rrëkeja që është luftë për vendin e lartë, pasi që në vendin e lartë rrëkeja shkon majtas e djathtas dhe nuk qëndron mbi të. Po kështu edhe dija nuk qëndron me mendjemadhësinë dhe kryelartësinë, madje për shkak të këtyre dija mund të ikë nga njeriu.

4. Fanatizmi për një medhheb apo një mendim

Nxënësi i dijes duhet të zhvishet nga njëanshmëria dhe particizmi; që të mos e lidhë dashurinë dhe urrejtjen për hir të një grupi apo partie të caktuar, gjë e cila padyshim që është në kundërshtim me metodën e selefëve, të cilët nuk kanë qenë të ndarë në parti, por kanë qenë një parti e vetme, të përfshirë në Fjalën e Allahut: “Është Ai (Allahu) që ju ka emëruar ju Muslimanë edhe më pare…” [El Haxh, 78].

Pra nuk ka particizëm dhe as ndarje në grupe, as miqësim dhe as armiqësim veçse sipas asaj që ka ardhur në Kuran dhe Sunet.

Ka prej njerëzve për shembull, që anëtarësohen në një grup të caktuar, themelojnë rrugën e tij, argumentojnë për të me argumente që mund të jenë kundër tij dhe jo në favor të tij dhe e mbrojnë atë, duke i quajtur grupet e tjera si të humbur edhe pse mund të jenë më pranë të vërtetës se sa këta. Pastaj marrin edhe parimin: “Kush nuk është me mua është kundra meje”, i cili është një parim i keq, pasi që mund të ketë të mesëm për ty ose kundër teje, dhe nëse është kundër teje me të drejtë, atëherë le të jetë kundër teje, sepse në fakt ai është me ty në këtë rast. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Ndihmoje vëllanë tënd qoftë ai i cili e bën padrejtësinë apo të cilit i bëhet padrejtësia.”[7] Ndihmesa e zullumqarit bëhet duke e ndaluar atë nga zullumi.

Në Islam nuk ka particizëm, andaj kur në mesin e muslimanëve u shfaqën partitë, u ndanë rrugët, u përça populli dhe njerëzit filluan të quajnë njëri-tjetrin të humbur, të hanë mishin e vëllait të tyre të vdekur, i ndoqi ata dështimi, siç ka thënë Allahu i Madhëruar: mos u kundërshtoni me njëri-tjetrin që të mos humbni kurajon dhe të mos ju lënë fuqitë…” [El Enfal, 46].

Dhe kështu, i gjejmë disa nxënës të dijes të cilët shkojnë tek një prej shejhave (mësues, dijetar), që ta mbrojnë atë shejh me të drejtë dhe pa të drejtë, dhe lufton shejhat e tjerë, i quan të humbur dhe bidatçinj, dhe mendon se vetëm shejhu i tij është dijetar i vërtetë, ndërsa të tjerët janë injorantë ose prishës. Padyshim që ky është një gabim shumë i madh. Ajo që duhet të merret është fjala e atij e cila është në përputhje me Kuranin, Sunetin dhe me fjalën e sahabeve të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem).

5. Dalja në krye para kualifikimit

Nga gjërat për të cilat duhet pasur kujdes është që nxënësi i dijes të dalë në krye para se të kualifikohet për të kryesuar dhe udhëhequr; e nëse ai e bën këtë, kjo argumenton për disa gjëra:

E para: Pëlqimi i vetvetes për shkak të daljes në krye, duke e parë veten më të diturin e të diturve.

E dyta: Kjo është argument për moskuptimin dhe mosnjohjen e tij të çështjeve, pasi që kur del në krye, ndodh që të has në një çështje nga e cila nuk mund të dalë, pasi që kur njerëzit e shohin atë të dalë në krye, i paraqisin atij çështje me të cilat zbulohet defekti dhe mangësia e tij.

E treta: Kur del në krye para se të kualifikohesh, kjo të çon në të folurit për Allahun pa pasur dije, pasi që në shumicën e rasteve, ata që kanë për qëllim të udhëheqin, janë mospërfillës dhe përgjigjen për çdo gjë që pyeten, duke vënë në rrezik fenë e vet dhe duke folur për Allahun e Madhëruar pa pasur dije.

E katërta: Kur njeriu del në krye, në shumicën e rasteve ai nuk e pranon të vërtetën, pasi që me mendjelehtësinë e tij ai kujton se sikur t’i nënshtrohet dikujt tjetër qoftë edhe nëse e vërteta është me të, kjo do të ishte argument se ai nuk është dijetar.

6. Të pasurit mendim të keq për tjetrin

Nxënësi i dijes duhet të ketë kujdes nga të pasurit mendim të keq për tjetrin, si p.sh. të thotë: “Ky nuk jep lëmoshë veçse për t’u dukur”, “ky nxënës nuk e ka bërë këtë pyetje veçse për t’u dukur dhe për t’u njohur se është nxënës që kupton”. Kështu bënin hipokritët në kohën e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem); kur dikush prej besimtarëve sillte lëmoshë të madhe, ata thoshin: “E bën për sy të njerëzve”, ndërsa kur dikush sillte lëmoshë të pakët, ata thonin: “Allahu nuk ka nevojë për lëmoshën e këtij”. Allahu thotë për ta: Ata të cilët marrin nëpër gojë dhe tallen me besimtarë të atillë që japin Sadaka me vullnetin e tyre dhe (me) ata të cilët nuk munden që të gjejnë për të dhënë Sadaka përveçse çfarë kanë në dorë, Allahu do t’ua përplasë vetë atyre përqeshjen dhe për ta do të ketë dënim të dhimbshëm.” [Et Teube, 79].

Ruaju mendimit të keq për atë që në pamje të jashtme është i drejtë. Nuk ka dallim mes mendimit të keq për mësuesin tënd apo për shokun tënd, pasi që obligimi është që të kesh mendim të mirë për atë që në pamje të jashtme shfaq drejtësi. Ndërsa për atë që shfaq gjë tjetër nga e drejta, nuk ka problem që të kesh mendim të keq për të, por megjithatë ti duhet të sigurohesh për këtë me qëllim që të heqësh nga vetja iluzionin, pasi që disa njerëz mund të mendojnë keq për dikë duke u bazuar në një iluzion të rrejshëm dhe të pavërtetë.

Pra, detyra jote kur ti e prish mendimin për një person, qoftë ai nga nxënësit e dijes apo të tjerë, detyra jote është që të shohësh nëse ka prova të qarta që të shtyjnë ty të kesh mendim të keq. Përndryshe, nëse janë thjesht iluzione të tuat, atëherë nuk të lejohet ty që të mendosh keq për muslimanin i cili në pamje të jashtme shfaq drejtësi. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar! Largoni shumë prej dyshimeve.” [El Huxhurat, 12]. Pra nuk thotë: “Të gjitha dyshimet” , pasi që disa dyshime kanë bazë dhe arsye. “Vërtet disa nga dyshimet përbëjnë gjynah.” Dhe jo të gjitha dyshimet. Ai dyshim nga i cili rrjedh armiqësi ndaj tjetrit, padyshim që është gjynah. Po kështu edhe dyshimi i pabazë. Por nëse dyshimi ka baza, atëherë nuk ka problem të mendosh keq në bazë të provave dhe argumenteve.

Prandaj nxënësi i dijes duhet t’i japë vetes vendin që i takon dhe të mos e ndotë atë me gjëra të ndyta, si dhe të ketë kujdes nga këto gabime që përmendëm, pasi që atë e ka nderuar Allahu me dije dhe e ka bërë shembull për të tjerët, sa që Allahu i ka kthyer çështjet e njerëzve, në të cilat hasin problem, tek dijetarët, kur thotë: “Pyesni njerëzit e Mesazhit nëse nuk dini.” [El Enbija, 7] “Kur atyre u vjen rëndë ndonjë çështje që prek sigurinë e njerëzve apo frikë, ata e përhapin atë (ndër njerëz). Sikur t’ia kishin paraqitur atë (për shqyrtim) të Dërguarit apo njerëzve të tjerë drejtues të tyre, shqyrtuesit përkatës do ta kishin kuptuar atë prej tyre.” [En Nisa, 83].

Përfundimi është se ti, o nxënës dije, je i nderuar, ndaj mos e zbrit veten tënde në fushën e përçmimit dhe poshtërimit, por qëndro ashtu si duhet të jesh.

 

 

Kapitulli i katërt

 

LIBRAT E NXËNËSIT TË DIJES

 « Kapitulli i Dytë  Kapitulli i Katërt »


[1] Buhariu dhe Muslimi.

[2] Buhariu dhe Muslimi.

[3] E ka përmendur Ibën Haxheri në “Fet’hul Bari” me sened Mursel. Por hadithi ka dëshmues të tjerë të nxjerrë nga Bejhakiu në :Shuabul Iman” dhe Ibën Abdulberr në “Et Temhid”.

[4] E ka nxjerrë Ahmedi 5/5, Ebu Daudi, El Hejthemi 10/271. Ahmed Shakir e ka konsideruar të saktë në “El Musned” të imam Ahmedit, hadithi nr. 5114.

[5] Buhariu.

[6] Muslimi.

[7] Buhariu dhe Muslimi.