KUSHTET E NAMAZIT 

 

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani

Në mënyrë që namazi i personit të pranohet, ai duhet të plotësojë disa kushte. E nëse lihet ndonjëri prej këtyre kushteve, atëherë namazi është i pavlefshëm. Këto kushte janë:

 

1. Njohja se ka filluar koha e namazit

Nëse personi që do të falet është i sigurt se koha e namazit përkatës ka hyrë, atëherë ai mund të falet. Mënyra se si ai arriti në një vendim të tillë nuk është e rëndësishme. Kjo mund të jetë me lajmërimin e një njeriu të besueshëm, dëgjimit të ezanit, përpjekjes personale ose me mënyra të tjera, të cilat e bindin atë se vërtetë ka hyrë koha e namazit.

 

2. Pastrimi nga papastërtitë e mëdha (xhunubllëku) si dhe ato të vogla (gjendja pa abdes)

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا قُمْتُمْ إِلَى الصَّلاَةِ فَاغْسِلُوا وُجُوهَكُمْ وَأَيْدِيَكُمْ إِلَى الْمَرَافِقِ وَامْسَحُوا بِرُءُوسِكُمْ وَأَرْجُلَكُمْ إِلَى الْكَعْبَيْنِ وَإِنْ كُنْتُمْ جُنُبًا فَاطَّهَّرُوا

“O ju që besoni! Kur të ngriheni për të falur namaz, lani fytyrat tuaja, duart deri në bërryla dhe fërkoni duart e lani këmbët deri në nyje. Nëse jeni të papastër, atëherë pastrohuni!”.

Ibn Umeri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu nuk pranon ndonjë

namaz që është falur në gjendje papastërtie (xhunub ose pa abdes) dhe as nuk e pranon lëmoshën e vjedhur”.[1] Transmeton “Grupi”, përveç Buhariut.

3. Pastrimi i trupit, rrobave dhe i vendit të faljes nga papastërtia e dukshme

Elementet e përmendura më sipër duhen pastruar nga papastërtitë fizike sa më shumë që të jetë e mundur. Nëse personi që falet nuk mund t’i heqë këto papastërti, ai mund të falet në atë gjendje dhe nuk ka nevojë që ta përsërisë namazin e tij më vonë. Përsa i përket pastërtisë trupore, Enesi trasnmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ruajuni nga urina, sepse pjesa më e madhe e dënimit në varr është për shkak të saj”.[2] Transmeton Darakutni, i cili ka thënë se ky hadith është i besueshëm.

Aliu (r.a.) ka transmetuar: “Unë kisha një sasi të madhe rrjedhjeje të lëngut prostatik, kështu që i kërkova një burri që ta pyeste të Dërguarin e Allahut në lidhje me këtë gjë (sepse unë kisha turp ta pyesja atë, për shkak se isha i martuar me vajzën e tij). Burri e pyeti atë dhe Profeti (a.s.) u përgjigj: “Merr abdes dhe laje organin gjenital!”.[3] Transmeton Buhariu dhe të tjerë.

Gjithashtu, Aishja (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut u tha asaj gruas që kishte rrjedhje të gjatë gjaku: “Pastroje gjakun dhe falu!”.[4]

Ndërsa, përsa i përket pastërtisë së rrobave kemi argumentet vijuese:

Allahu thotë: وَثِيَابَكَ فَطَهِّرْ “Dhe pastroni rrobat tuaja”. (El Mudethir, 4)

Xhabir ibën Semure ka transmetuar se ka dëgjuar një burrë duke e pyetur Profetin (a.s.): “A mund të falem me të njëjtat rroba që i kam patur të veshura gjatë marrëdhënieve seksuale?” Profeti (a.s.) i është përgjigjur: “Po, por nëse sheh ndonjë njollë në to, atëherë duhet t’i lash”.[5] Ky hadith transmetohet nga Ahmedi dhe Ibën Maxhe. Njerëzit që e kanë treguar atë janë të besueshëm.

Muavije tregon se ka pyetur Umu Habiben: “A falet Profeti (a.s.) me të njëjtat rroba që i ka patur të veshura gjatë marrëdhënieve seksuale?” Ajo iu përgjigj: “Po, nëse nuk ka njolla në to”.[6] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Nesaiu dhe Ibën Maxhe.

Ebu Seidi ka treguar se, njëherë, Profeti (a.s.) u fal e hoqi këpucët dhe njerëzit bënë të njëjtën gjë. Kur ai e mbaroi namazin, i pyeti: “Pse i hoqët këpucët tuaja?” Ata iu përgjigjën: “Të pamë ty duke i hequr të tuat”. Profeti (a.s.) tha: “Erdhi tek unë Xhibrili dhe më tha se kishte papastërti në to. Prandaj, kur ndonjëri prej jush vjen në xhami, ai duhet t’i kthejë këpucët përmbys dhe t’i kontrollojë ato. Nëse gjen ndonjë papastërti, ai duhet t’i fshijë pas tokës dhe të falet me to”.[7] Hadithi transmetohet nga Ahmedi, Ebu Daudi, Hakimi, Ibën Hibani dhe Ibën Huzejme. Ky i fundit thotë se hadithi është i vërtetë.

Ky hadith tregon se nëse një person hyn në xhami (me këpucë të veshura), duke qenë i pavetëdijshëm apo ka harruar në lidhje me ndonjë papastërti që ndodhet në to dhe kujtohet gjatë namazit për këtë gjë, atëherë ai duhet të mundohet ta largojë këtë papastërti dhe të vazhdojë namazin. Nuk është e nevojshme që ai ta përsërisë këtë namaz më vonë.

Përsa i përket pastërtisë së vendit ku do të falet dikush, Ebu Hurejra (r.a.) ka thënë: “Njëherë, një beduin urinoi në xhami. Njerëzit u ngritën për ta pastruar atë, ndërsa Profeti (a.s.) tha: “Lëreni dhe hidhni një kovë me ujë mbi urinën e tij. Ju jeni dërguar për të qenë të butë me njerëzit dhe jo të ashpër me ta”.[8] Transmeton “Grupi”, përveç Muslimit.

Duke komentuar mbi këtë çështje, Sheukani thotë: “Personi që falet duhet ta dijë se është detyrim që ai t’i ketë rrobat të pastra. Ai që falet dhe ka papastërti në rrobat e tij, ka lënë mënjanë një nga detyrimet e namazit. Gjithsesi, namazi i tij nuk do të jetë i pavlefshëm”.

Në “Er-Raudatu En-Nadije”, thuhet: “Shumica e dijetarëve janë të mendimit se është detyrë që të pastrohen tre gjëra: trupi, rrobat dhe vendi i faljes. Disa prej dijetarëve janë të mendimit se ky pastrim është kusht për vlefshmërinë e namazit dhe të tjerët thonë se është vetëm një sunet. E vërteta në lidhje me këtë gjë është se pastrimi i tre elementëve të mësipërm është detyrim. Personi që falet në mënyrë të qëllimshme, duke pasur papastërti në rrobat e tij, ka lënë mënjanë një nga obligimet e namazit, edhe pse namazi i tij është përsëri i vlefshëm”.

4. Mbulimi i pjesëve të turpshme të trupit (aureti)

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: يَابَنِي آدَمَ خُذُوا زِينَتَكُمْ عِنْدَ كُلِّ مَسْجِدٍ

O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz!” (El Araf, 31)

Fjala “vishuni”, e përmendur në këtë ajet kuranor, nënkupton mbulimin e pjesëve të turpshme të trupit. Kështu, ajeti i mësipërm ka kuptimin: “Mbuloni auretin tuaj për çdo namaz”.

Seleme ibën El Eku i ka thënë Profetit (a.s.): “O i Dërguar i Allahut! A mund të falem me një këmishë të gjatë?” Profeti (a.s.) u përgjigj: “Po, por mbërtheje atë, qoftë edhe vetëm me një gjemb”.[9] Transmeton Buhariu në “Tarihun” e tij.[10]

Burri duhet të mbulojë pjesën e përparme dhe të pasme të zonës së turpshme

Ekziston një mospajtim midis dijetarëve në lidhje me çështjen e mbulimit të kërthizës, kofshëve dhe gjunjëve. Transmetimet duket sikur bien ndesh me njëra-tjetrën. Hadithet e mëposhtme përdoren për të vërtetuar se pjesë të tilla trupore nuk janë pjesë të zonës së auretit të burrit:

Ekspozimi i kofshëve të burrit

Aishja (r.a.) tregon: “Profeti (a.s.) ishte ulur me kofshët e tij të zbuluara kur Ebu Bekri kërkoi leje për të hyrë. E njëjta gjë ndodhi edhe me Umerin. Por, kur Othmani kërkoi leje për të hyrë, Profeti (a.s.) u mbulua me rrobat e tij. Kur ata u larguan, unë i thashë: “O i Dërguar i Allahut! Ti i lejove Ebu Bekrin dhe Umerin të hynin, ndërkohë që kofshët e tua ishin të zbuluara. Kur Othmani të kërkoi leje për të hyrë brenda, ti u mbulove me rrobat e tua”. Ai tha: “O Aishe, a nuk duhet të kem turp nga një njeri, nga i cili, për Zotin, kanë turp edhe engjëjt?”[11] Transmeton Ahmedi dhe Buhariu në formën mualak.

Enesi (r.a.) ka thënë: “Gjatë betejës së Hajberit, xhybja e Profetit (a.s.) ishte e tërhequr nga kofshët e tij aq sa unë mund ta shihja bardhësinë e tyre”.[12] Transmeton Ahmedi dhe Buhariu.

Ibën Hazmi thotë: “Është diçka e saktë të thuhet që kofshët nuk janë pjesë e auretit. Nëse do të ishin të tilla, pse do ta lejonte Allahu Profetin e Tij (i cili është i mbrojtur nga mëkatet), që t’i zbulojë ato aq shumë, saqë Enesi dhe të tjerët të mund t’i shihnin? Allahu do ta kishte ndaluar nga të vepruarit në këtë mënyrë”.

Sipas Xhabirit, siç është regjistruar në dy sahihet, njëherë, kur Profeti (a.s.) ishte i ri (përpara profecisë së tij), ai po mbante gurët e Qabesë dhe kishte veshur një copë rreth ijeve. Xhaxhai i tij, Abasi, i tha: “O nipi im, pse nuk e zgjidh rrobën tënde të mesit dhe ta vendosësh atë mbi supe si mbulojë? Profeti (a.s.) veproi në këtë mënyrë, por pas kësaj i ra të fikët. Ai nuk u pa asnjëherë i zhveshur pas kësaj ngjarjeje”.[13]

Muslimi ka transmetuar nga Ebu El Alijete se Abdullah ibën Samiti e goditi tek kofshët dhe i tha: “Unë e thirra Ebu Dherrin dhe ai më qëlloi tek kofshët ashtu sikurse të qëllova unë ty, duke më thënë: “E thirra të Dërguarin e Allahut dhe ai më goditi tek kofshët ashtu sikurse të godita unë dhe më tha: “Fale namazin në kohën e tij…”[14]

Ibën Hazmi thotë: “Nëse kofshët ishin auret, atëherë pse duhej që i Dërguari i Allahut t’i prekte ato?” Nëse sipas Ebu Dherrit, kofshët ishin auret, atëherë pse duhej t’i prekte ai me dorën e tij? E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Abdullah Ibën Samitin dhe Ebu El Alijete. Nuk është e lejuar për muslimanin që të gjuajë me dorën e tij tek pjesa e auretit të një burri tjetër apo gruaje tek rrobat mbi këto pjesë.

Ibën Hazmi thotë se Xhubejr ibën El Huvejrith i pa kofshët e Ebu Bekrit kur ato ishin të zbuluara dhe se Enes ibën Malik shkoi tek Kas ibën Shemes, kur kofshët e këtij të fundit ishin të zbuluara.

Megjithatë, për të treguar se kofshët janë pjesë e auretit, si argument përdoren këto hadithe: Muhamed Xhahshi ka treguar: “I Dërguari i Allahut kaloi afër Muamarit, ndërkohë që kofshët e këtij të fundit ishin të zbuluara. Profeti (a.s.) i tha atij: “O Muamar! Mbuloji kofshët sepse ato janë pjesë e auretit”.[15] Ky hadith transmetohet nga Ahmedi, Hakimi dhe Buhariu në ‘Tarih” dhe në formën mualak në Sahihun e tij.

Xherhedi tregon se i Dërguari i Allahut kishte kaluar afër tij, në kohën kur manteli me të cilin kishte veshur nuk i mbulonte kofshët e tij. Pastaj ai i kishte thënë: Mbuloji kofshët, sepse kofsha është auret”.[16] Ky hadith transmetohet nga Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, i cili thotë se ky hadith është hasen. Gjithashtu ky hadith transmetohet edhe nga Buhariu në formën mualak në Sahihun e tij.

Këto janë argumente të dy palëve dhe besimtarit i mbetet të zgjedhë. Nga ana fetare është më e preferuar që ai që falet të mbulojë pjesën në mes gjurit dhe kërthizës, nëse ka mundësi.

Buhariu thotë: “Hadithi i Enesit është më i sigurt nga ana e vargut të tij, ndërsa hadithi i Xherhedit është më real në atë që kërkon maturia fetare.

Aureti i gruas dhe mbulesa (hixhabi)

Në lidhje me pjesët e auretit të gruas nuk ka diskutime midis dijetarëve. I gjithë trupi i saj është auret dhe duhet të mbulohet, përveç duarve dhe fytyrës së saj. Në Kuran, Allahu thotë:

وَلاَ يُبْدِينَ زِينَتَهُنَّ إِلاَّ مَا ظَهَرَ مِنْهَا

“…Dhe mos i tregoni zbukurimet tuaja përveç atyre që janë të dukshme” (En-Nur, 31), që do të thotë të mos i zbulojnë vendet e zbukurimit, përveç fytyrës dhe duarve.

Transmetohet nga Ibën Abasi, Ibën Umeri dhe Aishja (r.a.) se Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu nuk e pranon namazin e një gruaje, në rast se ajo nuk vë një mbulesë për kokën e saj (hixhab).[17] Ky hadith transmetohet nga grupi i “të pestëve”, përveç Nesaiut dhe po ashtu edhe nga Ibën Huzejme dhe Hakimi, të cilët e vlerësojnë si të vërtetë. Tirmidhiu e klasifikon këtë hadith si të besueshëm (hasen).

Transmetohet nga Umu Seleme se njëherë ajo e pyeti Profetin (a.s.): “A mund të falet gruaja në një këmishë të gjatë (p.sh. këmishë nate) dhe me një mbulesë koke, por pa mantel të gjatë?” Profeti (a.s.) u përgjigj: “Po, nëse këmisha është e gjatë dhe e gjerë si dhe i mbulon majat e këmbëve të saj”.[18] Ky hadith transmetohet nga Ebu Daudi. Dijetarët thonë se ky hadith është sahih në formën e tij meukuf (si thënie e Umu Selemes dhe jo e Profetit a.s.).

Gjithashtu, transmetohet se edhe Aishes (r.a.) iu bë kjo pyetje: “Me sa rroba duhet të falet gruaja”? Ajo u përgjigj: “Pyetni Ali ibën Ebu Talibin dhe pastaj ejani tek unë dhe më tregoni se çfarë do ju thotë ai”. Përgjigjja e Aliut (r.a.) ishte: “Gruaja duhet të falet me një mbulesë koke dhe me një këmishë të gjatë dhe të gjerë”. Më pas, një përgjigje e tillë iu tregua edhe Aishes (r.a.) dhe ajo tha: “Aliu ka thënë të vërtetën!”[19]

Rrobat e veshura duhet të mbulojnë pjesët e auretit dhe nëse janë aq të ngushta sa të nxjerrin në pah format e këtyre pjesëve dhe janë aq të holla saqë mund të shihet ngjyra e lëkurës së gruas, atëherë ato nuk janë të lejuara për t’u falur në to.

Preferohet që për faljen e namazit të vishen dy rroba

Është një veprim i pëlqyer që personi që do të falet të veshë të paktën dy rroba, por ai mund të veshë edhe vetëm një, nëse ajo është e vetmja që ka.

Transmeton Ebu Hurejra se Pejgamberi (a.s.) është pyetur për namazin kur falet me një rrobë të veshur e ai ka thënë: “A ka çdo njeri nga ju dy rroba?”[20] (Transmeton Muslimi, Maliku dhe të tjerë). Preferohet që namazi të falet në dy rroba e më tepër e personi të zbukurohet aq sa mundet.

Ibën Umeri ka transmetuar se Profeti (a.s.) ka thënë:

“Nëse ndonjëri nga ju do të falet, atëherë ai duhet të veshë dy rroba, sepse duhet të dukeni mirë përpara Allahut. Nëse ndokush nuk i ka dy veshje, atëherë ai duhet ta mbulojë veten me një mantel apo pelerinë kur ai të falet, por jo sipas mënyrës që veprojnë çifutët”.[21] Transmeton Tabaraniu dhe Bejhakiu.

Abdurezaku ka treguar se Ubej ibën Keabi dhe Abdullah ibën Mesudi patën një diskutim në lidhje me këtë çështje. Ubeji mendonte se ishte një veprim i lejuar falja e namazit me një rrobë të veshur, ndërkohë që Ibën Mesudi thoshte se një gjë e tillë ishte e lejuar vetëm kur dikush nuk kishte rroba të mjaftueshme.

Umeri u ngjit në minber dhe tha: “Mendimi i saktë është ajo që ka thënë Ubej ibën Keab dhe Ibën Mesudi nuk ka lënë gjë mangut. Nëse Allahu ju jep më shumë të mira (ju furnizon), atëherë ju duhet të vishni më shumë rroba. Njeriu mund t’i mbledhë rrobat e veta përreth tij ose të falet me një bluzë dhe me një mantel apo me një bluzë dhe me një këmishë të gjatë, apo me një bluzë dhe me një kaftan apo me pantallona lëkure dhe me një kaftan apo me pantallona lëkure dhe një këmishë”. Dhe unë (treguesi i kësaj ngjarjeje) kujtoj se ai tha: “Pantallona lëkure dhe një mantel”.[22]

Burejde transmeton se Profeti (a.s.) e ka ndaluar që njeriu të falet duke qenë i veshur me mbulesë të papërshtatshme (që nuk është e vendosur në mënyrën e duhur për të mbuluar pjesët e auretit), apo të falet me pantallona, pa veshur ndonjë mantel apo pelerinë.[23] Ky hadith transmetohet nga Ebu Daudi dhe Bejhakiu.

Transmetohet se, kur Hasan ibën Aliu falej, ai vishte rrobat e tij më të mira. Njëherë, u pyet në lidhje me një fakt të tillë dhe ai u përgjigj: “Me të vërtetë, Allahu është i bukur dhe e do të bukurën, kështu që unë zbukurohem për Zotin tim”. Ky veprim është në përputhje me fjalët e Allahut: “Dhe zbukurohuni për çdo namaz!”

Zbulimi i kokës gjatë faljes së namazit

Ibn Asakir ka transmetuar nga Ibën Abasi se ndonjëherë Profeti (a.s.) e hiqte mbulesën e kokës[24] dhe e vendoste atë përpara tij për të shërbyer si sutër.[25]

Sipas hanefive, personi që falet mund ta bëjë një veprim të tillë. Në fakt, ata thonë se ky veprim është i mirë nëse ai bëhet si nënshtrim dhe si frikë ndaj Zotit.[26] Sidoqoftë, nuk ekziston ndonjë argument që të vërtetojë se mbulimi i kokës gjatë faljes së namazit është një veprim i pëlqyer.

5. Kthimi i fytyrës nga Qabeja

Të gjithë dijetarët janë të mendimit se personi që falet, duhet të kthehet nga Qabeja në Mekë gjatë çdo namazi. Në Kuran, Allahu thotë:

فَوَلِّ وَجْهَكَ شَطْرَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ وَحَيْثُ مَا كُنتُمْ فَوَلُّوا وُجُوهَكُمْ شَطْرَهُ

“Pra, kthehu nga xhamia e shenjtë (Qabja)! Kudo që të jeni, ktheni fytyrën nga ajo!” . (El Bekare, 144)

El Berra transmeton se janë falur me të Dërguarin e Allahut për rreth gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë muaj në drejtim të Jeruzalemit (Kudsit), kohë pas së cilës ai u kthye në drejtim të Qabesë.[27] Transmeton Muslimi.

Nëse personi që falet nuk mund ta shohë Qabenë, atëherë ai duhet të kthehet me fytyrë në drejtim të saj

Nëse personi në fjalë nuk mund ta shohë Qabenë, atëherë ai duhet të kthehet me fytyrë në drejtim të saj, sepse ky veprim është e gjitha çfarë është në gjendje të bëjë ai. Ebu Hurejra (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kibla (drejtimi i faljes) është e tërë hapësira ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”.[28] Ky hadith transmetohet nga Ibën Maxhe dhe Tirmidhiu. Ky i fundit thotë se hadithi është hasen sahih.

Ky hadith i referohet njerëzve të Medines dhe gjithë atyre që kanë një vendndodhje të ngjashme me ta. (p.sh. banorëve të Sirisë, të gadishullit Arabik si dhe Irakut). Ndërsa për banorët e Jemenit lindja duhet të jetë në të djathtë të atij që falet e perëndimi në të majtë të tij. Për banorët e Egjiptit, kibla ndodhet ndërmjet lindjes dhe jugut. Në Indi drejtimi i lindjes mbetet pas atij që falet, ndërsa perëndimi para tij. Ka disa mënyra për ta përcaktuar drejtimin e kibles. Mund të jetë vendi i faljes së imamit në xhami e po ashtu edhe busulla orientuese.

Rastet kur personi që falet nuk mund ta përcaktojë drejtimin e kiblës

Në këto raste, personi duhet të pyesë dikë që ka dijeni në lidhje me këtë gjë. Nëse ai nuk gjen ndonjë njeri për ta pyetur, atëherë duhet të përpiqet që ta përcaktojë vetë këtë drejtim, me aq sa ka mundësi. Në një rast të tillë, namazi i tij është i vlefshëm dhe ai nuk ka nevojë që ta përsërisë atë, edhe nëse e merr vesh më vonë faktin se ka qenë i kthyer me fytyrë në drejtim të gabuar. Ndërkohë që ai falet, nëse i bëhet e qartë se është kthyer me fytyrë në drejtim të gabuar, ai duhet vetëm të kthehet në drejtimin e duhur, pa e ndërprerë namazin. Ky përfundim bazohet në ngjarjen e mëposhtme:

Ibn Umeri ka treguar se në xhaminë Kuba, njerëzit po falnin namazin e sabahut, kur një njeri erdhi tek ata dhe u tha: “Allahu i ka dërguar Profetit (a.s.) disa vargje nga Kurani, në të cilat ne urdhërohemi që gjatë namazit të kthehemi me fytyrë nga Qabeja, pra kthehuni në drejtim të saj!” Ata i kthyen menjëherë fytyrat e tyre nga Siria, në drejtim të Qabesë”.[29] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Nëse një njeri falet në bazë të përcaktimit të drejtimit nga ana e tij dhe pastaj dëshiron të falë një namaz tjetër, ai duhet të përpiqet përsëri për të përcaktuar drejtimin e kiblës. Nëse rezulton se drejtimi i vërtetë i saj është i ndryshëm me drejtimin e përcaktuar më parë prej tij, atëherë ai duhet të falet duke u kthyer me fytyrë nga drejtimi i ri, duke mos e përsëritur namazin e mëparshëm.

Dy rastet në të cilat njeriu që falet mund të mos kthehet me fytyrë nga Qabja

Rasti i parë është kur njeriu i fal namazet vullnetare (nafile), ndërkohë që është mbi ndonjë kafshë, në makinë etj. Kur është në këtë gjendje, personi në fjalë mund ta ulë kokën si për rukutë ashtu edhe për sexhdet, por me një dallim të vogël, që për sexhdet ai duhet ta ulë kokën më shumë. Ai mund të kthehet me fytyrë nga drejtimi në të cilin është duke udhëtuar (me ndonjë kafshë apo me makinë).

Amir ibën Rabia thotë: “E pashë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke u falur mbi devenë e tij i drejtuar nga të drejtohej ajo (deveja).”[30]

Ky hadith transmetohet nga Buhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu. Ky i fundit ka shtuar se “ai e përkulte lehtazi kokën e tij”.

Megjithatë, Profeti (a.s.) nuk vepronte në këtë mënyrë kur bëhej fjalë për namazet farze. Ahmedi, Muslimi dhe Tirmidhiu kanë regjistruar se ai falej hipur mbi kafshën e tij kur udhëtonin nga Meka në Medinë, duke u drejtuar me fytyrë larg Mekës. Në lidhje me këtë, Allahu shpalli ajetin kuranor:

وَحَيْثُ مَا كُنتُمْ فَوَلُّوا وُجُوهَكُمْ شَطْرَهُ

“Ngado që të kthehesh, ti do të gjesh fytyrën e Allahut”.[31]

Ibrahim Nehai thotë: “Ata faleshin mbi kafshët e tyre në atë drejtim nga ishin duke shkuar”.

Ibën Hazmi thotë se kështu vepronin sahabët dhe tabi’inët kur ishin vendas dhe kur ishin në udhëtim.

Rasti i dytë është falja e namazit i detyruar nga kushtet, sëmundja dhe frika. Në rrethana të tilla është e lejuar falja e namazit pa u kthyer me fytyrë në drejtim të kiblës, nëse për këtë nuk ekziston mundësia. Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse unë ju urdhëroj për të bërë diçka, bëni atë që jeni në gjendje për të bërë”.[32]

Ndërsa, Allahu i Madhëruar thotë:

فَإِنْ خِفْتُمْ فَرِجَالاً أَوْ رُكْبَانًا

“E nëse keni frikë (nga armiku), atëherë faluni duke ecur apo mbi kuajt tuaj…” (El Bekare, 239)

Ibën Umeri ka shtuar: “Në drejtim të kiblës ose jo”.[33] Transmeton Buhariu.


[1] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[2] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[3] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[4] Buhariu 306.

[5] Hadith Sahih. “Eth Themerul Mustetab” 1/328. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 542, Ahmedi 5/97.

[6] Hadith Sahih. “Eth Themerul Mustetab” 1/329. E ka nxjerrë Ebu Daudi 366, Nesai 293, Ibën Maxheh 540.

[7] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[8] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[9] Hadith Hasen. “Irvaul Galil” 268. E ka nxjerrë Buhariu Mualekan, Ebu Daudi 632, Nesai 765, Shafiu në “El Um” 1/78, El Hakim 1/250, Bejhakiu 2/240.

[10] Padyshim që Buhariu kishte shumë më tepër vepra sesa ajo e Sahih-ut. Tarih-u është koleksioni i treguesve të dobët dhe atyre të besueshëm. Prandaj, fakti që një hadith i tillë nuk është përmendur nga Buhariu në njërën nga veprat e tij, nuk do të thotë se ky hadith nuk është sahih.

[11] Hadith Sahih. “El Irva” 1/298-299. E ka nxjerrë Tahaviu në “El mushkil” 2/283-284, Bejhakiu2/231, Ibën Shahin në “Sherhu es Suneh” 5/52.

[12] Ahmedi dhe Buhariu 371.

[13] Buhariu 364, Muslimi 770.

[14] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[15] Hadith Daif. “El Mishkat” 3114. E ka nxjerrë Ahmedi 5/290, El Hakim 4/180, Bejhakiu 2/228.

[16] Hadith Sahih. “El Irva” 1/298, Temamul Mineh” 159. E ka nxjerrë Ebu Daudi 4014, Tirmidhiu 2798, Ahmedi 3/478.

[17] Hadith Sahih. “El Irva” 196,267,272,14541794. E ka nxjerrë Ebu Daudi 641, Tirmidhiu 377, Ibën Maxheh 655, Ahmedi 6/150, El Hakim 1/251, Bejhakiu 2/233.

[18] Hadith Daif, i pavërtetë si merfu edhe meukuf. “Tamamul Mineh” 161, “El Irva” 274. E ka nxjerrë Ebu Daudi 640, El Hakim 1/250, Bejhakiu 2/233.

[19] Hadith Sahih Ligajrihi. “Tamamul Mineh” 161-162. E ka nxjerrë Abdurrazaku në “El Musanef” 3/128, Ibën Ebi Shejbe 2/224.

[20] Muslimi 1148, Ebu Daudi 625, Nesai 763, Ibën Maxheh 1047, Maliku 1/140.

[21] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 6/404, nën hadithin nr. 2905, “Sahihul Xhami” 768. E ka nxjerrë Ebu Daudi 635, Bejhakiu 2/236

[22] Abdurrazaku 1/357, Bejhakiu 2/236.

[23] Hadith Hasen. E ka nxjerrë Ebu Daudi 636, Bejhakiu 2/236.

[24] Duhet ditur se, në periudhën e të Parëve (Selefëve), cilësohej si një veprim jo shumë i pëlqyeshëm bërja zakon e zbulimit të kokës (heqja e çallmës, festes apo kësulës) nga individi (burri në këtë rast), duke ecur nëpër tregje apo rrugë kokëzbuluar, si dhe të hyrja nëpër faltore në atë gjendje. Për më tepër ky ishte një zakon i huaj që u infiltrua në botën islame gjatë periudhës së rënies. Temamul Minneh, Shejh El Albani.

[25] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 164, “Ed Daife” 2538.

[26] Pëlqimi i zbulimit të kokës (sipas dispozitave islame) si pasojë e frikës, respektit dhe nënshtrimit ndaj Zotit, përbën një risi (bidat) që nuk bazohet në argument tjetër veç arsyetimit të atyre që e kanë shprehur. Temamul Minneh, El Albani.

[27] Buhariu 4492, Muslimi 1177.

[28] Hadith Sahih. “El Irva” 292. E ka nxjerrë Tirmidhiu 342,343,344, Ibën Maxheh 1011, Maliku 1/196.

[29] Buhariu 403,4491,7251, Muslimi 1178, Nesai 492.

 

[30] Buhariu 1000 nga Ibën Umer, Muslimi 1609 nga Ibën Umer dhe 1917 nga babai i Amirit dhe ky është teksti i përmendur nga autori.

[31] Muslimi 1610, Tirmidhiu 2958.

[32] Buhariu 7288.

[33] Buhariu 4535.