Kurani i Lartë është Fjalë e Allahut dhe nuk është i krijuar


Nga libri: AKIDEJA  E  SELEFËVE DHE DIJETARËVE TË HADITHIT

Autor: Imam Ebu Uthman Ismail ibën Abdurrahman es Sabuni (373-449 h.)

Përktheu: Bledar Albani


Dijetarët e Hadithit dëshmojnë dhe besojnë se Kurani është Fjala e Allahut, Libri i Tij, Shpallja e Tij, ajo që Allahu ka zbritur dhe nuk është i krijuar. Ndërsa ai që thotë se Kurani është i krijuar dhe ka bindje për këtë, ai është kafir (i dalë nga Feja).

Kurani, i cili është Fjalë e Allahut dhe Shpallje prej Tij, është ai Kuran me të cilin ka zbritur Xhibrili te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në gjuhën arabe dhe që është përgëzues e qortues për popullin që sheh.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Dhe sigurisht që ky (Kurani) është shpallje nga Zoti i gjithësisë, me të cilin ka zbritur Shpirti i besueshëm (Xhibrili) në zemrën tënde (O Muhamed) që të mund të jesh prej këshilluesëve. Ai është zbritur në gjuhën e qartë arabe.” [Esh Shuara: 192-195].

Ai është Kurani, të cilin Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ia komunikoi popullit të tij, ashtu siç u urdhërua në Fjalën e Allahut të Lartësuar:

“O ti i Dërguar (Muhamed)! Shpalle mesazhin i cili të është zbritur ty nga Zoti yt!…” [El Maide: 67].

Kështu, ajo që ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u shpalli atyre me urdhërin e Allahut, ishte Fjala e Allahut të Lartësuar për të cilën i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“A më pengoni mua që të shpall Fjalën e Zotit tim?!”[1]

Është ai Kuran, i cili ruhet në gjokse (përmendësh), lexohet me gjuhë dhe shkruhet në letër. I gjithë ai është Fjalë e Allahut të Lartësuar dhe nuk është i krijuar. Ndërsa ai që pretendon se Kurani është i krijuar, ai e ka mohuar Zotin e Lartësuar.

Autori thotë: Kam dëgjuar El Hakim Ebu Abdullah, të thotë: Kam dëgjuar Ebu el Uelid Hasan ibën Muhamed të thotë: Kam dëgjuar imam Ebu Bekr Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejmeh të thotë:

“Kurani është Fjalë e Allahut dhe nuk është i krijuar, ndërsa ai që thotë se Kurani është i krijuar, e ka mohuar Allahun e Lartësuar (është kafir) dhe nuk i pranohet shehadeti, nuk vizitohet kur është i sëmurë, nuk i falet xhenazeja dhe nuk varroset në varrezat e muslimanëve. Atij i jepet afat tri ditë që të pendohet e nëse nuk e bën, atëherë i pritet koka.”[2]

Shqiptimi i Kuranit

Shejh Ebu Bekër el Ismaili el Xhurxhani, në broshurën e tij të cilën ia dërgoi banorëve të Xhilanit, shkruante:

“Kush thotë se të shqiptuarit e Kuranit është i krijuar dhe ai ka për qëllim vetë Kuranin, ai ka thënë se Kurani është i krijuar.”

Ibën Mehdi et Taberi në librin “Akideja” të cilin e shkroi për banorët e atyre vendeve (të Taberisë), thotë:

“Pasuesit e Sunetit dhe Xhematit kanë bindjen se Kurani është Fjalë e Allahut të Lartëmadhëruar, shpallja e Tij, ajo që Ai ka zbritur, Urdhëri dhe ndalesa e Tij, dhe nuk është i krijuar. Ndërsa kush thotë se ai është i krijuar, ai e ka mohuar Allahun e Lartësuar. Kurani është i ruajtur në gjokset tona, lexohet me gjuhët tona dhe është i shkruar në letër. Ai është Fjalë me të cilën Allahu i Lartësuar ka folur, ndërsa kush thotë: Kurani me të shqiptuarin tim është i krijuar, ose se shqiptimi im i Kuranit është i krijuar, ai është injorant, i humbur dhe mohues i Allahut të Lartësuar.”

E përmenda këtë pjesë nga libri i Ibën Mehdiut për shkak të përkrahjes sime të tij në të, sepse ai ka pasuar selefët prej dijetarëve të Hadithit në atë që ka thënë edhe pse ai ka qenë i zhytur në shkencën e oratorisë e filozofisë dhe shkrimet e tij në to janë të shumta, por këtë temë ai e ktheu te të zotët e saj dhe e mori atë prej tyre.

Na ka treguar hafiz Ebu Abdullah: Kam lexuar një shkrim të Ebu Amër el Mustemli të thoshte: Kam dëgjuar Ebu Uthman Seid ibën Ishkab të thotë: Kam pyetur Is’hak ibën Ibrahim për të shqiptuarit e Kuranit dhe ai tha:

“Kjo gjë nuk duhet të diskutohet. Kurani është Fjalë e Allahut dhe nuk është i krijuar.”

Ibën Xherir et Taberi, në librin “El Itikad” të cilin e ka veçuar për këtë temë, thotë:

“Përsa i përket të shqiptuarit e Kuranit prej njerëzve, nuk ka ndonjë gjurmë prej sahabëve apo tabiinëve, përveç asaj që ka ardhur nga ai, fjala e të cilit ka qënë e mjaftueshme dhe bindëse; në pasimin e të cilit është e vërteta dhe udhëzimi; fjala e të cilit vihet në vendin e imamëve të parë të këtij umeti: Ebu Abdullah Ahmed ibën Hanbel (Allahu e mëshiroftë!).

Ebu Ismail et Tirmidhi më ka thënë se ka dëgjuar Ebu Abdullah Ahmed ibën Hanbel (Allahu e mëshiroftë!) të thotë:

“Çështja e të shqiptuarit e Kuranit është prej xhehmive, ndërsa Allahu thotë:

“…atëherë siguroi atij strehim me qëllim që ai të dëgjojë Fjalën e Allahut…” [Et Teube: 6].

Prej kujt do ta dëgjojë atë? (a nuk do ta dëgjojë prej gojës së njeriut dhe megjithatë Allahu ka thënë: që të dëgjojë Fjalën e Allahut?!).”

Pastaj tha (Tirmidhiu): Kam dëgjuar një grup prej shokëve tanë, emrat e të cilëve nuk më kujtohen, se kanë thënë për imam Ahmedin (Allahu e mëshiroftë!), se ai thoshte:

“Kush thotë se shqiptimi im i Kuranit është i krijuar, ai është xhehmij, kurse ai që thotë se shqiptimi im i Kuranit nuk është i krijuar, ai është bidatçi (sepse këtë shprehje nuk e kanë thënë të parët).”

Muhamed ibën Xherir thotë:

“Nuk na lejohet të themi në këtë temë fjalë tjetër përveç fjalës së tij (imam Ahmedit), sepse nuk kemi paraardhës që të ketë thënë gjë tjetër përveç atij. Aq më tepër, kur ajo që ai ka thënë, është e mjaftueshme dhe bindëse, dhe se ai është imami që duhet të pasohet, mëshira dhe kënaqësia e Allahut qofshin mbi të!”

Këto ishin fjalët e Muhamed ibën Xheririt, të cilat i kam marrë nga libri i tij  “El I’tikad”.

Them (autori): Muhamed ibën Xheriri e ka pastruar veten e tij me këtë temë të librit të tij, nga e gjithë ajo që i është mveshur dhe me të cilën është akuzuar se gjoja ka dalë nga rruga e Sunetit dhe ka anuar nga bidati.

Përsa i përket asaj që ka treguar për Ahmedin (Allahu e mëshiroftë!), se të folurit në shqiptimin e Kuranit është prej xhehmive, këtë fjalë ai e ka thënë vërtetë dhe kjo për arsye se Xhehmiu[3] dhe pasuesit e tij qenë të parët, të cilët thanë se Kurani është i krijuar dhe qenë ata që folën për shqiptimin e Kuranit, duke arritur gradualisht në thënien se Kurani është i krijuar, por në atë kohë (në kohën e imam Ahmedit) kishin frikë prej pasuesëve të sunetit që ta shprehin hapur këtë fjalë, kështu që folën për shqiptimin e Kuranit, duke pasur për qëllim se ai me shqiptimin tonë është i krijuar. Për këtë shkak, imam Ahmedi i quajti ata me emrin xhehmije.

Transmetohet gjithashtu se imam Ahmedi ka thënë: “Çështja e shqiptimit është më e keqe se ajo e xhehmijes.”

Ndërsa ajo që ka treguar Muhamed ibën Xheriri për imam Ahmedin, se ai ka thënë: “Kush thotë se shqiptimi im i Kuranit është i krijuar, ai është bidatçi”, ka pasur për qëllim me këtë se të parët prej Ehli Sunetit nuk e kanë zënë me gojë çështjen e shqiptimit të Kuranit dhe as që kanë pasur nevojë të hynë në të, por kjo fjalë është shpikur nga ata që kërkojnë të zhyten në gjëra që nuk u takojnë dhe nga mendjelehtët të cilët shpikën gjëra të paqëna dhe i kaluan kufijtë e ndalesave dhe të fjalëve të ulëta, duke u futur në atë që nuk janë futur të parët prej dijetarëve të Islamit. Për këtë shkak ka thënë imam Ahmedi, se kjo fjalë është bidat dhe se ai që pason sunetin duhet të largohet prej saj, mos ta shprehë atë dhe as ndonjë fjalë të ngjashme me të prej bidateve, por të qëndrojë te ajo që kanë thënë selefët prej dijetarëve që duhen ndjekur dhe të thonë: “Kurani është Fjalë e Allahut dhe nuk është i krijuar”, pa shtuar gjë tjetër mbi këtë fjalë!

Na ka treguar hafiz El Hakim Ebu Abdullah, se Ebu Bekër Muhamed ibën Abdullah El Xherahi u ka thënë (atij dhe atyre që ishin me të) në Merv (qyteti më i njohur në Horasan), se Jahja ibën Sasuvejh ka thënë: Abdulkerim es Sukeri ka thënë: Më ka treguar Uehb ibën Zumah  se Ali el Bashani ka thënë: Kam dëgjuar Abdullah ibën el Mubarek të thotë:

“Kush mohon një gërmë të vetme të Kuranit, ka mohuar të gjithë Kuranin dhe kush thotë se unë nuk e besoj këtë “lam” (shkronjën “lam”), ai ka dalë nga Feja.”[4]


[1] E ka nxjerrë Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibën Maxheh, Hakim,  Ed Darimi, Ahmedi. E ka saktësuar Hakimi dhe Dhehebiu. Hadithi i plotë është: “I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) shkonte te njerëzit kur bënin haxhin (para Islamit) dhe u thoshte: “A ka ndonjë që të më marrë te populli i tij, sepse kurejshët më penguan që të shpall Fjalën e Zotit tim?”

[2] Këtë fjalë e ka përmendur Dhehebiu, në librin “Sijeru ealami en nubela”.

[3] Ai është El Xhehëm ibën Safuan Ebu Mihraz es Samerkandi për të cilin Dhehebiu thotë: “Ai është i humbur, bidatçi dhe koka e xhehmive. Është vrarë në kohën e tabiinëve të vegjël dhe nuk di të jetë transmetuar gjë prej tij, por ai ka mbjellë një sherr shumë të madh.”

Ndërsa El Bagdadi thotë: “Prej veprave të këqia të Xhehmit ishte se ai ngrinte krye mbi udhëheqësit dhe ka dalë bashkë me Shurejh ibën el Harith, kundra Nasër ibën Sejar.” [Mizanu el itidal: 1/426, El ferku bejnel firak: f. 200].

[4] Këtë fjalë të Ibën el Mubarek e ka përmendur gjithashtu Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), me tekst të njëjtë, por pa zinxhir transmetuesish, duke e transportuar nga libri “El fusul fil usul” i Ebu Hasen el Kerhit. [Mexhmuul fetava: 4/182].