Autor
Dijetari dhe muhadithi i kohës
Imam Muhamed Nasirudin el Albani
(Allahu e mëshiroftë!)
Përktheu: Shuajb Rexha Ebu Duxhanah
Pyetja 1: Shejh i nderuar, lexova në një libërth një hadith në të cilin thuhej: "Merr nga Kurani ç'të duash për çfarë të duash"[1]. A është i saktë ky hadith? Na jepni përfitim në këtë çështje. Allahu ju shpërbleftë.
Përgjigje: Ky hadith: "Merr nga Kurani ç'të duash për çfarë të duash" është i përhapur nëpër gojët e disa njerëzve por (me keqardhjen e thellë) ky është nga hadithet (e shpikura) të cilat nuk kanë bazë aspak në Sunet, prandaj nuk lejohet transmetimi dhe konsiderimi i tij si hadith nga Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!). Plus kësaj, ky kuptim i gjerë dhe përfshirës i këtij hadithi: "Merr nga Kurani ç'të duash për çfarë të duash" nuk është i saktë dhe nuk ka bazë në Sheriatin Islam. P.sh.:nëse unë ulem dhe qëndroj në shtëpinë time dhe nuk dal për të punuar në atë zanat apo punë që di të bëj dhe kërkoj nga Zoti im që të më zbresë furnizim nga qielli, sepse po marr nga Kurani diçka për këtë qëllim! Kush mund ta thojë diçka të tillë?!! Kjo është fjalë e kotë dhe ndoshta një nga shpikjet e sufive dembelë, të cilëve u është bërë natyrë qëndrimi dhe moslëvizja në ato çfarë ata i quajnë "fortifikata", qëndrojnë aty duke pritur t'u vijë furnizimi i Allahut nëpërmjet njerëzve të cilët i vizitojnë.
Duhet ditur se kjo nuk është në natyrën e muslimanit, sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!) i edukoi muslimanët që të jenë me vullnet të fortë dhe krenari në vetvete, duke thënë (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!): "Dora e sipërme është më e mirë se dora e poshtme, dora e sipërme është ajo që jep kurse dora e poshtme ajo që lyp".[2]
Me këtë rast do ishte me vend të them një histori që e kam lexuar rreth disa sufive dhe "zahidave" (nuk do e zgjas shumë se historitë e tyre janë të shumta dhe të çuditshme): Thuhet se njëri prej tyre u nis për udhëtim pa marrë me vete furnizim, erdhi puna saqë desh vdiq nga uria. Pa nga larg një fshat, u afrua atje dhe qëlloi të ishte ditë e xhuma. Sipas pretendimit të tij ky kishte dalë duke iu mbështetur Allahut, ndaj për të mos prishur mbështetjen e tij (të rreme) u fsheh që të mos e shihnin ata që ishin në xhami, u fut poshtë minberit që të mos zbulohej nga askush por në të njëjtën kohë kishte dëshirë që dikush ta zbulonte. Mbaroi hatibi hutben dhe ky person nuk u fal me xhematin!! Pasi që e mbaroi imami hutben dhe namazin, filluan njerëzit të dalin nga dyert e xhamisë, saqë kur e ndjeu ky person se xhamia po boshatiset dhe atëherë do mbylleshin dyert dhe do mbetej i vetëm në xhami pa ushqim e pije, nuk kishte ç'të bënte tjetër veçse të kollitej që ta kuptonin të pranishmit se është dikush. Disa njerëz e kuptuan që është dikush dhe e gjetën personin i cili ishte shndërruar në një grumbull kockash nga uria dhe etja, e morën dhe e shpëtuan.
Pastaj e pyetën:
-Kush je?
-Unë jam zahid që i jam mbështetur Allahut, -tha
- Si guxon të thuash që i je mbështetur Allahut në një kohë që për pak sa s'po vdisje nga uria?! Sikur të ishe vërtetë i mbështetur nuk do lypje dhe nuk do tërhiqje vëmendjen e njerëzve duke u kollitur, por do vdisje në gjynahun tënd.- i thanë.
Ky pra, është një shembull që tregon se ku të çon ky lloj hadithi: "Merr nga Kurani ç'të duash për çfarë të duash". Shkurtimisht: Ky hadith është i pabazë.
Pyetja 2. Shejh i nderuar: Kuranijunët thonë duke u argumentuar me Fjalën e Allahut: "Ne kemi sqaruar çdo gjë në mënyrë të hollësishme" [El Isra 12] dhe: "Ne nuk kemi lënë mangët asgjë në Libër (Leuhi el Mahfudh)" [Enam 38], dhe Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!) thotë: "Me të vërtetë njëra anë e këtij Kurani është në Dorën e Allahut dhe ana tjetër është në duart tuaja, prandaj kapuni pas tij sepse me të nuk do humbisni dhe nuk do të shkatërroheni kurrë"[3]. Kërkojmë nga hirësia juaj diçka rreth kësaj.
Përgjigje: Për sa i përket ajetit: "Ne nuk kemi lënë mangët asgjë në Libër" ka për qëllim me Fjalën "Libër" Leuhi Mahfudhin, dhe nuk e ka për qëllim Kuranin Fisnik. Ndërsa ajeti: "Ne kemi sqaruar çdo gjë në mënyrë të hollësishme" ka nevojë që Kuranit t'i bashkëngjitet diçka tjetër, të cilën e sqaruam më parë dhe kështu plotësohet fakti që Allahu ka sqaruar çdo gjë hollësisht, pra së bashku me diçka tjetër. Ju e dini se sqarimi herë bëhet në mënyrë përgjithësuese duke treguar rregulla të përgjithshme të cilat përmbajnë në vetvete çështje të shumta, pra rregulla nëpërmjet të cilave kuptohet domethënia e ajetit. Po ashtu sqarimi mund të jetë në mënyrë të hollësishme e të imtësishme siç kuptohet nga ajeti i mësipërm dhe siç ka thënë Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!): "Nuk kam lënë gjë me të cilën u ka urdhëruar Allahu veçse u kam urdhëruar me të, dhe nuk kam lënë gjë nga e cila u ka ndaluar Allahu veçse u kam ndaluar prej saj".[4]
Pra sqarimi herë bëhet me rregulla të përgjithshme që përfshijnë në vetvete çështje të shumta dhe herë bëhet duke treguar hollësitë e ibadeteve (adhurimeve) dhe gjykimeve, duke e bërë të panevojshme kthimin tek rregullat e përgjithshme. P.sh.: nga rregullat të cilat hyjnë nën to çështje të shumta dhe nëpërmjet të cilave shfaqet madhështia e Islamit dhe gjerësia e horizontit të tij, fjala e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!): "Nuk ka dëm ndaj vetes e as dëm reciprok"[5] dhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!): " Cdo pije dehëse është khamr (pije alkoolike) dhe çdo khamr është i ndaluar"[6] dhe fjala e tij: "Cdo bidat është humbje dhe çdo humbje është në zjarr"[7].
Këto janë rregulla dhe parime të përgjithshme të cilat nuk lenë të dalë jashtë tyre asgjë që ka të bëjë me dëmin ndaj vetes apo dëmin ndaj pasurisë siç u përmend në hadithin e parë, si dhe atë që ka të bëjë me pijet dehëse siç u përmend në hadithin e dytë, qoftë kjo pije dehëse e nxjerrur nga rrushi (siç ndodh zakonisht), apo nga misri apo nga çdo lloj lënde tjetër. Pra përderisa cilësohet si pije dehëse është e ndaluar. Po ashtu në hadithin e tretë i cili megjithëse i paktë në fjalë dhe me gjithë numrin e madh të bidateve dhe pamundësinë për t'i përfshirë ato, hadithi shprehet qartë: "Dhe çdo bidat është humbje dhe çdo humbje është në zjarr". Ky është një lloj sqarimi por me rregulla të përgjithshme. Kurse sa u përket ibadeteve të cilat i dini, ato në përgjithësi janë të sqaruara detajisht në sunet por ndonjëherë dhe në Kuran, si p.sh.: rregullat që kanë të bëjnë me trashëgiminë, të cilat janë përmendur në Kuranin Fisnik. Sa i përket hadithit i cili u përmend (në pyetje) është hadith i saktë dhe ajo që ne duhet të bëjmë është të punojmë me të dhe të kapemi pas tij, siç ka ardhur në hadithin e saktë: "U kam lënë dy gjëra që për sa kohë të kapeni pas tyre nuk do humbisni: Librin e Allahut dhe sunetin e të Dërguarit të Tij".[8] Të kapurit pas Litarit të Allahut (i cili gjendet mes nesh) bëhet duke punuar me sunetin, i cili është sqarues i Kuranit Fisnik.
Pyetja 3. Dikush thotë: Nëse një hadith bie në kundërshtim me një ajet kuranor, atëherë ai hadith refuzohet sado i saktë që të jetë dhe përmendi si shembull hadithin ku thuhet: "I vdekuri do dënohet (në varr) për shkak të vajtimit (nga familja e tij)"[9] dhe u argumentua me fjalën e Aishes në refuzimin e hadithit me ajetin kuranor: "Dhe askush nuk bartë barrën e dikujt tjetër" [Fatir 18]
Pra cila është përgjigja ndaj atij i cili thotë diçka të tillë?
Përgjigje: Refuzimi i këtij hadithi është nga problemet e shumta të refuzimit të sunetit me Kuran dhe tregon njëkohësisht për devijimin e kësaj metode. Kurse përgjigja ndaj hadithit (dhe veçoj me këtë përgjigje atë i cili kapet pas fjalës së Aishes) do jetë si më poshtë:
Së pari: Nga ana studimore e hadithit. Ky hadith nuk mund të refuzohet sipas shkencës së hadithit për dy arsye.
Arsyeja e parë: që ky hadith është transmetuar me zinxhirë të saktë nga Ibën Umeri.
Arsyeja e dytë: Ibën Umeri nuk është i vetmi i cili e ka transmetuar këtë hadith, përkundrazi ka transmetim të ngjashëm nga Umer ibën Hattabi. E megjithatë nuk është vetëm Umeri dhe djali i tij si transmetues të këtij hadithi, por ka transmetim tjetër nga Mugira ibën Shubeh, kjo është që unë kujtoj tani për tani në lidhje me transmetimet e këtij hadithi nga këta tre sahabe në dy Sahihet. Por nëse dikush do merrte përsipër të bënte një studim kërkues të veçantë për këtë hadith patjetër që do gjejë dhe rrugë të tjera. Të tre këto transmetime janë me zinxhirë të saktë prandaj nuk mund të refuzohen për shkak të pretendimit se gjoja bien në kundërshtim me Kuranin Fisnik.
Së dyti: Nga aspekti i shpjegimit të këtij hadithi. Këtë hadith e kanë shpjeguar dijetarët me dy shpjegime:
Shpjegimi i parë: Ky hadith ka të bëjë me atë të vdekur, i cili kur ishte gjallë e dinte se familja e tij do bënin këto lloj gjërash të ndaluara pas vdekjes së tij, e megjithatë nuk i ka këshilluar e as nuk i ka porositur që të mos e vajtojnë, duke ua bërë të qartë se ky vajtim bëhet shkak për dënimin e të vdekurit në varr. Në hadith me fjalën "i vdekuri" (në formën e shquar) nuk është për qëllim përfshirja e çdo te vdekuri, pra nuk ka për qëllim që çdo i vdekur do dënohet për shkak të vajtimit nga familja, por është për qëllim ai i vdekur i cili nuk i këshillon familjarët që të mos bëjnë gjëra të ndaluara pas vdekjes së tij. Ky është që dënohet për shkak të vajtimit të familjes, ndërsa ai i cili e kryen obligimin e tij duke i këshilluar dhe porositur që të mos e vajtojnë e të mos bëjnë veprime të ndaluara të cilat bëhen zakonisht në raste të tilla, ky person nuk dënohet, ndërsa nëse nuk këshillon e porosit atëherë dënohet. Ky është sqarimi sipas të cilit duhet ta kuptojmë këtë hadith, sqarim ky i bërë nga shumë dijetarë të mëdhenj e të njohur si Neueuiu e të tjerë.
Pas këtij detajimi u bë e qartë se nuk ka kundërthënie mes këtij hadithi dhe ajetit kuranor ku thuhet: "Dhe askush nuk bart barrën e dikujt tjetër" [Enam 164].
Do kishte kundërthënie nëse fjala: "i vdekuri" në hadith do kuptohej si gjithëpërfshirës, pra që çdo i vdekur do dënohet, në këtë rast do kishte kundërthënie dhe përplasje mes ajetit dhe hadithit, mirëpo pasi që njohëm kuptimin e mëparshëm nuk ngelet vend për përplasje dhe kundërthënie sepse ai i cili dënohet në varr, do dënohet për shkak të moskryerjes së obligimit që kishte për të këshilluar dhe porositur. Ky është shpjegimi i parë në lidhje me këtë hadith për të hedhur poshtë kundërthënien e paqenë.
Shpjegimi i dytë: Eshtë ai që ka përmendur shejhul Islam Ibën Tejmijeh (Allahu e mëshiroftë!) në një nga librat e tij se: "Nuk është për qëllim dënimi në varr e as dënimi në ahiret, por keqardhja dhe mërzitja që ndjen i vdekuri, pra kur i vdekuri dëgjon vajtimin e familjes së tij për të, mërzitet dhe i vjen keq për pikëllimin e tyre". Kështu thotë shejhul Islam Ibn Tejmijeh, dhe sikur kjo fjalë të jetë e qëlluar do e eliminonte keqkuptimin e ngritur. Por unë them se ky shpjegim bie ndesh me dy të vërteta (realitete) ndaj nuk na ngelet veçse t'i mbështetemi kuptimit të parë të hadithit.
E vërteta e parë me të cilën bie ndesh fjala e shejhul Islamit është: Në hadithin e Mugira ibën Shubes të cilin e përmenda më herët ka një shtesë e cila qartëson se me dënimin nuk është për qëllim keqardhja. Por dënimi i cili shkon nëpër mendje kur dëgjon këtë fjalë, pra dënimi me zjarr përveç nëse e fal Allahu siç thuhet qartë në Fjalën e Tij: "Me të vërtetë Allahu nuk fal që t'i përshkruhet Atij shok dhe ia fal kujt të dojë çdo gjë tjetër përveç shirkut" [Nisa 48]. Në transmetimin e Mugiras thuhet: "I vdekuri do dënohet ditën e Gjykimit për shkak të vajtimit nga familja e tij", ky është i qartë se i vdekuri do dënohet Ditën e Gjykimit për shkak të vajtimit nga familja dhe jo në varr, siç e komentoi Ibën Tejmijeh me mërzi e keqardhje.
E vërteta e dytë është se: Pasi që vdes, i vdekuri nuk ndjen asgjë nga ajo çfarë ndodh rreth tij qofshin të mira apo të këqija, siç është e vërtetuar kjo në argumentet e Kuranit dhe Sunetit përveç në disa raste të veçanta të cilat janë përmendur në disa hadithe për një situatë të caktuar apo për persona të caktuar të cilëve Allahu ua bëri të mundshme të dëgjojnë diçka, si mundim dhe vuajtje për ta. Si shembull i llojit të parë është hadithi të cilin e transmeton Buhariu në Sahihun e tij nga Enes bin Malik se ai tha: Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: "Kur robi vendoset në varrin e tij dhe kthehen përcjellësit e xhenazes së tij dhe ai e dëgjon trokitjen (zhurmën) e këpucëve të tyre, atëherë i vijnë dy engjëj..."[10]. Në këtë hadith të saktë u vërtetua një lloj dëgjimi i veçantë që i ndodh të vdekurit kur ai varroset dhe largohen njerëzit nga ai. Pra në kohën që dy engjëjt e ulin atë dhe i rikthehet shpirti, në këtë gjendje dëgjon trokitjen e këpucëve por normalisht nuk është për qëllim që kur u kthehen të vdekurve shpirtrat e tyre vazhdojnë të dëgjojnë gjatë gjithë kohës trokitjen e këpucëve sa herë që dikush kalon pranë varrit të tyre, jo nuk është ashtu. Ajo është vetëm një gjendje e veçantë dhe një lloj dëgjimi i veçantë në kohën kur i rikthehet shpirti. Kështu që, nëse do ecnim me mendimin e Ibën Tejmijes në shpjegimin e hadithit atëherë do e zgjeronim konceptin e ndjeshmërisë së të vdekurit të asaj çfarë ndodh rreth tij, qoftë gjatë përgatitjes së xhenazes, para se të varroset po ashtu dhe pas vendosjes në varr. E gjithë kjo sjell si pasojë që i vdekuri të dëgjojë vajtimin e të gjallëve për të, gjë kjo e cila ka nevojë për argument dhe një argument i tillë nuk ekziston.. Kjo ishte së pari.
Ndërsa së dyti: Kemi disa tekste nga Kurani dhe Suneti i saktë të cilat vërtetojnë se të vdekurit nuk dëgjojnë dhe ky është një studim i gjatë në vetvete, por unë do përmend vetëm një hadith me të cilin do e përfundoj edhe përgjigjen e kësaj pyetjeje. Bëhet fjalë për fjalën e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!): "Me të vërtetë Allahu ka engjëj të cilët shëtisin nëpër tokë dhe më komunikojnë mua salavatet e umetit tim"[11] Fjala e tij: "shëtitës" d.mt.h. që sillen nëpër mexhlise dhe sa herë që një musliman çon salavate për Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!) aty gjendet një melek i caktuar për komunikimin e këtij salavati tek Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!). Duke u nisur nga kjo, po të ishte që të vdekurit dëgjojnë atëherë do ishte Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!) i vdekuri më i meritueshëm për të dëgjuar, për vetë pozitën që gëzon tek Allahu dhe për veçoritë me të cilat është dalluar ndaj profetëve të tjerë dhe ndaj gjithë njerëzimit. Pra nëse ndonjë i vdekur do dëgjonte ai do ishte Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!). Dhe nëse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!) do dëgjonte diçka pas vdekjes së tij do dëgjonte salavatet e umetit të tij. Nga këtu kuptojmë gabimin madje dalaletin (humbjen) e atyre të cilët u kërkojnë ndihmë të vdekurve, jo vetëm Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!), por edhe njerëzve të tjerë veç tij, qofshin ata profetër apo njerëz të devotshëm, të mirë. Kjo sepse edhe sikur t'i luteshin Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të!) nuk do t'i dëgjonte, siç është e shprehur qartë në Kuran: "Ata të cilëve po u luteni përveç Allahut nuk janë gjë tjetër veçse robër si ju" [Araf 194] dhe: "Edhe nëse u luteni atyre(të vdekurve) nuk e dëgjojnë lutjen tuaj..."[Fatir 14] deri në fund të ajetit.
Pra, të vdekurit nuk dëgjojnë asgjë përveç asaj që është transmetuar me argument për një gjendje të veçantë (siç e përmendëm më lart) e cila është dëgjimi i trokitjes së këpucëve, me kaq mbaron dhe përgjigja e kësaj pyetjeje.