KAPITULLI  I  XHENAZESË

 

156. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) njoftoi për vdekjen e Nexhashiut në ditën që ai vdiq dhe doli me njerëzit në namazgja. I rreshtoi ata dhe fali namazin e xhenazesë së tij me katër tekbire.”[1]

 

157. Transmetohet nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i fali xhenazenë Nexhashiut dhe unë isha në rreshtin e dytë apo të tretë.”[2]

 

158. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali xhenazenë e një të vdekuri te varri i tij, pasi që ishte varrosur. Ai e fali xhenazenë e tij me katër tekbire.”[3]

 

159. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u qefinos në tre copa të bardha jemenase. Në mesin e tyre nuk kishte këmishë (me mëngë) dhe as imame (çallmë apo të ngjashme me të) për kokën.”[4]

 

160. Transmetohet nga Umu Atije el Ensarije se ajo ka thënë:  “Kur të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i vdiq e bija (Zejnebja), ai hyri te ne dhe tha: Lajeni atë tre herë, ose katër, pesë apo më shumë herë nëse e shihni të nevojshme, me ujë dhe me sidër (zambak apo lloj bime me aromë të mirë) dhe në fund parfumoseni me kafur. Kur të mbaroni, më thërrisni. Kur mbaruam, e thirrëm dhe ai na dha izarin e tij (rrobën që vishet nga mesi e poshtë) dhe tha: Mbështilleni me të –d.m.th. me izarin e tij.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ose shtatë herë. Pastaj tha: Filloni me të djathtat e saj dhe me gjymtyrët e avdesit. –Umu Atije thotë: Ne ia lidhëm flokët në tre bishta (apo gërsheta).”[5]

 

161. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka thënë: “Ndërsa një burrë ishte duke qëndruar në Arafat, ai ra nga deveja dhe ajo ia theu qafën. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Lajeni atë (xhenazenë e tij) me ujë dhe zambak, pastaj qefinoseni në rrobat e tij (të Ihramit), por kini parasysh të mos e parfumosni dhe të mos ia mbuloni kokën, sepse ai do të ringjallet duke thënë “lebbejke Al;lahume lebbejke –të përgjigjem Ty, o Zot! Të përgjigjem!”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Por mos ia mbuloni fytyrën dhe as kokën.”[6]

 

162. Transmetohet nga Umu Atije el Ensarije (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka thënë: “Ne (gratë) u ndaluam nga shkuarja pas xhenazesë, por kjo nuk na u ndalua rreptësisht.”[7]

 

163. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Shpejtoni me xhenazenë në krah, sepse nëse i vdekuri ka qenë i mirë, ju i bëni mirë duke e çuar në një vend të mirë, e nëse ka qenë ndryshe, atëherë që të hiqni një të keqe nga shpatullat tuaja!”[8]

 

164. Transmetohet nga Semura ibën Xhundub se ka thënë: “U fala pas të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) namazin e xhenazesë së një gruaje e cila vdiq në kohën e periodave të saj. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndroi në mes të trupit të xhenazesë së saj.”[9]

 

165. Transmetohet nga Ebu Musa –Abdullah ibën Kajs- se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u lirua (u pastrua nga faji) nga ajo grua e cila ngre zërin, nga ajo që qeth kokën dhe nga ajo që shqyen rrobat në rast fatkeqësie.”[10]

 

166. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte i sëmurë (në shtratin e vdekjes), njëra prej grave të tij përmendi një kishë që kishte parë në tokat e Abisinisë dhe të cilës i thonin “Kisha e Maries”. Umu Seleme dhe Umu Habibe kishin qenë në tokat e Abisinisë, dhe ato përmendën bukurinë e asaj kishe dhe fotografitë që gjendeshin në të. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ngriti kokën dhe tha: “Kur atyre u vdes një burrë i mirë, ata ndërtojnë faltore mbi varrin e tij dhe vendosin Brenda saj fotografi të atilla. Ata janë krijesat më të këqia tek Allahu.”[11]

 

167. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në sëmundjen nga e cila nuk u ngrit më tha: “Allahu i mallokftë çifutët dhe të krishterët, të cilët i morën (i kthyen) varret e pejgamberëve të tyre për xhamia (faltore)!”

–Aisha thotë: Sikur të mos e kishte thënë këtë fjalë, varri i tij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) do të ngrihej nga toka, por ekzistonte frika se mund të merrej për xhami (vend faljeje).”[12]

 

168. Transmetohet nga Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që godet (apo gërvisht) fytyrën, shqyen rrobat dhe lutet me lutjen e injorancës (duke thënë: O mbështetja ime! O zotëriu im! O shpirti im! E të ngjashme me këto)”[13]

 

169. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush prezenton xhenazenë deri sa t’i falet namazi, ai ka një kirat sevape. Ndërsa kush e shoqëron atë deri sa të varroset, ai ka dy kirate sevape. –Dikush tha: Ç’janë dy kiratet? –Sa dy male të mëdhenj, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”

Ndërsa në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “më i vogli i atyre dyve është sa mal ii Uhudit.”[14]



[1] E transmeton Buhariu (1245), Muslimi (951), etj.

[2] E transmeton Buhariu (3878).

[3] E transmeton Buhariu (857), Muslimi (954), etj.

[4] E transmeton Buhariu (1264), Muslimi (941), etj.

[5] E transmeton Buhariu (1253), Muslimi (939), etj.

[6] E transmeton Buhariu (1265), Muslimi (1206), etj.

[7] E transmeton Buhariu (1278), Muslimi (938), etj. Në fakt kanë ardhur hadithe të tjera të qarta dhe më të forta në argumentim të cilat e bëjnë të ndaluar për gratë shkuarjen pas xhenazesë. [“Ihkamu el Ehkam, sherhu Umdetu el Ahkam” (f. 310)].

[8] E transmeton Buhariu (1315), Muslimi (944), etj.

[9] E transmeton Buhariu (1331), Muslimi (964), etj.

[10] E transmeton Buhariu (1296), Muslimi (104), etj.

[11] E transmeton Buhariu (1341), Muslimi (528), etj.

[12] E transmeton Buhariu (435), Muslimi (531), etj.

[13] E transmeton Buhariu (1294), Muslimi (103), etj.

[14] E transmeton Buhariu (1325), Muslimi (945), etj.