KAPITULLI I ITIKAFIT

1. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) qëndronte në Itikaf (mbyllur në xhami për adhurim) dhjetë netët e fundit të Ramazanit, deri sa e mori Allahu i Madhëruar tek Ai.” Muttefekun alejhi.

2. Ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) bënte Itikaf në dhjetë netët e fundit të Ramazanit.” Muttefekun alejhi. Në një transmetim të Muslimit, Nafiu thotë: “Abdullahi (Ibën Umeri) më tregoi vendin ku i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) qëndronte në Itikaf.”

3. Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) bënte Itikaf në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit, por një vit nuk e bëri këtë, kështu që vitin pas tij ai qëndroi në Itikaf njëzet ditë.” E transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu, i cili e quan të saktë. Ahmedi, Ebu Daudi dhe Ibën Maxheh transmetojnë hadith me të njejtin kuptim nga transmetimi i Ubej ibën Keab. [Sahih – Sahih Ebi Daud 2126].

4. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dëshironte të bënte Itikaf, falte namazin e Sabahut pastaj hynte në Itikaf. Ai urdhëroi të ngrihej një çadër brenda xhamisë në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit kur donte të bënte Itikaf, dhe Zejnebja urdhëroi që të ngrihej çadra dhe ajo u ngrit. Pastaj të gjitha gratë e tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) urdhëruan të ngrinin çadër në xhami, dhe ato u ngritën. Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) fali sabahun, pa gjithë ato çadra dhe tha: “A duan të bëjnë mirë me këtë vepër?” Pastaj urdhëroi që çadrat e tij të mbylleshin dhe e la Itikafin në muajin e Ramazanit, duke e shtyrë për në dhjetëditëshin e fundit të Shevalit.” E transmeton Grupi, me përjashtim të Tirmidhiut, por edhe ky transmeton një pjesë të tij ku thuhet: “Kur donte të bënte Itikaf, falte Sabahun pastaj hynte në vendin e tij të Itikafit.”

Në hadith ka argument se: zotimi nuk bëhet i detyrueshëm thjesht duke bërë nijetin për të, veprat vullnetare mund të zëvendësohen më pas, atij që bën itikaf i lejohet të zerë një vend të caktuar në xhami dhe se kush vendos të bëjë itikaf në ditë të caktuara nuk është i detyruar ta fillojë itikafin që në natën e parë të atyre ditëve.

5. Transmetohet nga Nafiu, nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) futej në Itikaf, i shtrohej shtrati apo krevati pas shtyllës së quajtur Shtylla e Teubes (në xhami).” E transmeton Ibën Maxheh. [Daif – I dobët: Ibën Maxheh 1774].

6. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se: “Ajo i krehte kokën të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) duke qenë me të përmuajshmet kurse ai ishte në Itikaf në xhami. Ajo qëndronte në dhomën e saj (ngjitur me xhaminë) kurse ai zgjaste kokën. Ai nuk hynte në shtëpinë e tij gjatë itikafit, veçse për nevojat personale.” Muttefekun alejhi.

7. Transmetohet gjithashtu nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka thënë: “Unë hyja në shtëpi për të kryer nevojat personale dhe nëse aty kishte një të sëmurë, nuk pyesja për të veçse duke ecur.” Muttefekun alejhi.

8. Safije bintu Hujej (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ishte në Itikaf dhe një natë unë shkova te ai për ta vizituar. Pasi fola me të, u ngrita të kthehem në shtëpi, ai u ngrit me mua të përcillte.” Shtëpia e saj ishte te shtëpia e Usame ibën Zejdit.” Muttefekun alejhi.

9. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ishte në Itikaf dhe kalonte pranë ndonjë të sëmuri, ai ecte dhe nuk ndalonte kur pyeste për të.” E transmeton Ebu Daudi. [Daif – Daif Ebi Daud 424. Kjo është e saktë si vepër e Aishes dhe jo e të Dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)].

10. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Suneti është që personi që bën itikaf të mos e vizitojë të sëmurin, të mos shkojë në xhenaze, të mos e prekë bashkëshorten dhe të mos kryejë marrëdhënie intime me të dhe të mos dalë nga xhamia për nevojat e tij, përveç ndonjë nevoje të domosdoshme. Nuk bëhet Itikaf veçse duke qenë agjërueshëm dhe nuk bëhet Itikaf veçse në xhami të madhe (ku falen të pesta vaktet me imam të rregullt).”  E transmeton Ebu Daudi. [Hasen Sahih – Sahih Ebi Daud 2135].

11. Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e pyeti të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!): “Në kohën e injorancës isha zotuar që të qëndroja në Itikaf një natë, në xhaminë e Shenjtë të Mekes.” I Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Atëherë përmbushe zotimin tënd.” Muttefekun alejhi. Në transmetimin e Buhariut shtohet: “bëj Itikaf një natë.”

12. Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ai që bën Itikaf nuk ka detyrim të agjërojë, përveç nëse ia bën detyre vetes.” E transmeton Darakutni dhe thotë: “Ebu Bekër es Susi e ngre atë te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), kurse të tjerët nuk e ngrenë. [Daif – Es Silsiletu ed Daife 4378, dhe Daiful Xhami 4896].

13. Transmetohet nga Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ky i tha Ibën Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Ti e di se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk bëhet Itikaf veçse në një prej tre xhamive të shenjta (Meke, Medine, Kuds).” –Ose ka thënë: “Në xhami përmbledhëse (ku falen të gjitha namazet me imam të rregullt).” E transmeton Seidi në Sunenet e tij. [Sahih – Es Sahiha 2786].

14. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) bëri Itikaf, bashke me një prej grave të tij, e cila ishte me Istihada dhe e shihte gjakun, madje vendosi nën vete një enë për shkak të gjakut.” E transmeton Buhariu. Në një transmetim tjetër thuhet: “Bashkë me të Dërguarin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) bëri Itikaf edhe një nga gratë e tij, e cila e shihte gjakun dhe ngjyrën e verdhë, dhe nën vete mbante një enë, dhe falej.” E transmeton Ahmedi, Buhariu dhe Ebu Daudi.

Tema

Përpjekja (me adhurim) në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit, vlera e të falurit në natën e Kadrit, çfarë lutje bëhet atë natë dhe cila është ajo natë

15. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se: “Kur hynte dhjetëditëshi i fundit i Ramazanit, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e gdhinte natën, zgjonte familjen dhe shtrëngonte brezin (nuk kryente marrëdhënie me gratë).” Muttefekun alejhi.

Në një transmetim tjetër të Ahmedit dhe Muslimit thuhet: “Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) përpiqej (me adhurim) në dhjetëditëshin e fundit (të Ramazanit), me një përpjekje që nuk e bënte në ditët e tjera (të vitit).”

16. Transmetohet nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush falet në natën e Kadrit me besim dhe duke llogaritur (shpresuar) shpërblimin e Allahut, atij i falen të gjitha gjynahet që ka bërë më parë.” E transmeton grupi, përveç Ibën Maxhes.

17. Transmetohet nga Aisha se ka thënë: “Thashë: O i Dërguari i Allahut! Nëse unë e marr vesh se cila është nata e Kadrit, çfarë të them atë natë? – Thuaj: O Zoti im! Ti je që fal shumë dhe e do faljen, pra më fal mua!” E transmeton Tirmidhiu dhe e ka konsideruar të saktë. E transmeton gjithashtu Ahmedi dhe Ibën Maxheh, por në transmetimin e tyre thuhet: “Sikur unë t’ia qëlloj natës së Kadrit.” [Sahih – Mishkatul Mesabih 2091].

18. Transmetohet nga Ibën Umeri se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush përpiqet t’a gjejë atë (natën e Kadrit), atëherë ta kërkojë atë në natën e njëzet e shtatë. Ose ka thënë: Kërkojeni atë në natën e njëzet e shtatë – d.m.th. natën e Kadrit.”

E transmeton Ahmedi me sened të saktë.

19. Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: O Lajmëtari i Allahut! Unë jam një plak i madh dhe i sëmurë, dhe e kam të rëndë që të qëndroj në këmbë (në namaz). Ndaj më urdhëro (apo më cakto) që të falem një natë se ndoshta Allahu më jep sukses që t’ia qëlloj natës së Kadrit! – Ruaj natën e shtatë (të 27), tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).” E transmeton Ahmedi.

20. Transmetohet nga Muavije ibën Ebi Sufjan se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), për natën e Kadrit ka thënë: “Ajo është nata e njëzet e shtatë.” E transmeton Ebu Daudi. [Sahih – Sahih Ebi Daud 1254].

21. Transmetohet nga Zur ibën Hubejsh se ka thënë: “Kam dëgjuar Ubej ibën Keab, pasi i është thënë se Abdullah ibën Mesudi thotë: “Kush falet natën gjatë gjithë vitit, ai e ka qëlluar natën e Kadrit”, Ubeji tha: Betohem për Allahun, përveç të Cilit nuk ka Zot (të adhuruar) tjetër! Se nata e Kadrit është në Ramazan. – Dhe betohej pa thënë “inshaAllahu”. Pastaj tha: Për Allahun! Unë e di se cila është ajo natë. Është ajo natë në të cilën i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na urdhëroi të faleshim në të. Ajo është nata e njëzet e shtatë dhe shenja e saj është se dielli lind i bardhë dhe pa rreze në mëngjesin e ditës së (pas) asaj nate.” E transmeton Ahmedi, Muslimi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu i cili e ka konsideruar të saktë.

22. Transmetohet nga Ebi Seidi se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndroi në Itikaf (i mbyllur në xhami) në dhjetëditëshin e parë të Ramazanit, pastaj qëndroi në Itikaf në dhjetëditëshin e mesëm të Ramazanit, nën një kube turke në pragun e së cilës ishte një hasër (rrogoz). Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e mori hasirin me dorën e tij dhe e vendosi në anë të kubes, pastaj nxori kokën dhe u foli njerëzve. Ata u afruan dhe ai tha: Unë qëndrova në Itikaf në dhjetëditëshin e parë me qëllim që të qëlloj këtë natë, pastaj qëndrova në Itikaf në dhjetëditëshin e mesëm, pastaj erdha dhe më thanë (engjëjt): Ajo është në dhjetëditëshin e fundit. Ndaj kush dëshiron prej jush të qëndrojë në Itikafë, atëherë të qëndrojë. Atëherë njerëzit hynë në itikaf bashkë me të. Thotë (transmetuesi): Unë e pashë atë (natën e Kadrit) në natë teke dhe në mëngjesin e asaj nate unë bëja sexhde mbi baltë e ujë. Në mëngjesin e natës së njëzet e një u ngrit për të falur sabahun dhe nga qielli binte shi. Xhamia filloi të pikonte dhe unë shihja baltën dhe ujin. Kur mbaroi namazi, unë e pashë atë (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me ballin dhe hundën të bërë me baltë e ujë. Ajo ishte nata e njëzet e një nga dhjetëditëshi i fundit i Ramazanit.” Muttefekun alejhi, por Buhariu nuk e ka përmendur itikafin në dhjetëditëshin e parë të Ramazanit.

23. Transmetohet nga Abdullah ibën Unejs se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Unë e pashë natën e Kadrit, pastaj m’u harrua dhe më kujtohet se në mëngjesin e saj unë bëja sexhde në ujë e në baltë.” Thotë (transmetuesi): Ra shi dhe ishte nata e njëzet e tretë. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u fal me ne, pastaj u largua, ndërsa gjurmët e ujit dhe të baltës shiheshin në ballin dhe në hundën e tij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”  E transmeton Ahmedi dhe Muslimi, por ky i dyti shton: “Abdullah ibën Unejsi thoshte se ajo ishte nata e njëzet e tretë.”

24. Transmetohet nga Ebi Bekrate se ai ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Kërkojeni atë në nëntë netët e mbetura nga Ramazani, ose në shtatë të mbeturat, ose në pesë të mbeturat, ose në tre të mbeturat, ose në natën e fundit të muajit. Thotë: Ebu Bekrate, na njëzet Ramazan falte namazin që falte gjatë gjithë vitit, ndërsa kur hynte dhjetëshi i fundit, ai përpiqej më shumë.” E transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu i cili e ka konsideruar të saktë. [Sahih – Sunenu Et Tirmidhi 794].

25. Transmetohet nga Ebu Nadra; nga Ebu Seidi se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli tek njerëzit dhe tha: O njerëz! Nata e Kadrit m’u bë e ditur dhe unë dola që t’ua tregoja atë, por erdhën dy burra që po grindeshin dhe me të cilët ishte shejtani, dhe unë e harrova atë. Megjithatë, ju kërkojeni atë në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Kërkojeni atë në natën e nëntë, të pestë e të shtatë.

Thotë: Thashë: O Ebu Seid! Ju e dini më mirë se ne numërimin e ditëve. – Po, tha ai, ne e dimë më mirë se ju këtë gjë. – Atëherë ç’është e nënta, e pesta dhe e shtata? – Kur të kalojë dita e njëzet e një e Ramazanit, pas saj vjen dita e njëzet e dytë, dhe ajo (nata ndërmjet tyre) është e nënta. Kur të kalojnë njëzet e tre ditë, ajo që vjen pas saj është nata e shtatë dhe kur të kalojnë njëzet e pesë ditë, ajo që vjen pas saj është nata e pestë.” E transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

26. Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kërkojeni atë në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Nata e Kadrit është në natën e nëntë që ka mbetur nga muaji, ose në të shtatën e mbetur, ose në të pestën e mbetur.” E transmeton Ahmedi, Buhariu dhe Ebu Daudi. Në një transmetim tjetër thuhet: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: Ajo është në dhjetëshin e fundit; në shtatë të kaluarat (pas njëzetës) ose në nëntë të mbeturat – d.m.th. nata e Kadrit.” E transmeton Buhariu.

27. Transmetohet nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “Disa burra nga shokët e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e panë në ëndërr natën e Kadrit, në natën e shtatë të dhjetëditëshit të fundit. Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Shoh që ëndërrat tuaja janë përputhur me njëra-tjetrën për natën e shtatë të dhjetëshit të fundit, ndaj kush e kërkon atë natë, ta kërkojë atë në shtatëditëshin e fundit.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi. Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Një burrë kishte parë në ëndërr se nata e Kadrit ishte në natën e njëzet e shtatë të Ramazanit dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Shoh që ëndërrat tuaja sillen rreth dhjetëditëshit të fundit, kështu që kërkojeni atë (natën e Kadrit) në netët teke të tij.”

28. Transmetohet nga Aisha se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit.” E transmeton Muslimi dhe Buhariu, por ky i dyti thotë: “në netët teke të dhjetëditëshit të fundit.”