Historia po Përsëritet

 

Arabët në epokën para-Islame nuk kishin asnjë Libër Qiellor dhe asnjë profet nuk ishte dërguar në mesin e tyre, siç thotë i Plotfuqishmi: “Ne nuk u kemi dërguar asnjë Libër, për ta mësuar ata dhe Ne nuk u kemi dërguar atyre para teje asnjë paralajmërues.” [Sebe’, 44].

Arabët atëherë jetonin nën mëshirën e fuqive të mëdha rreth tyre, Persët dhe Romakët, dhe nuk kishin ligj apo sistem që t’i udhëhiqte përveç disa rregullave të kohës së injorancës që i zbatonin në rrethin e fiseve.

Kur Allahu i dërgoi atyre një të Dërguar nga mesi i tyre dhe u dërgoi një Libër (Kuranin) në gjuhën e tyre, për ta u ngrit një shtet i bashkuar nën një sundimtar që i udhëhiqte me Librin e Allahut, dhe ata mësuan nga Libri i Allahut të gjitha shkencat dhe njohuritë me anë të sqarimeve të të Dërguarit të Tij -Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!-, dhe më pas në duart e trashëgimtarëve të tij, dijetarëve të Islamit: “Është Ai që u solli të analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë, ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë” [Xhumuah, 2].

Atëherë ata sunduan botën dhe kombet e tjera iu nënshtruan atyre, e ata u bënë profesorët e botës në shkencë, dije dhe vepra. Ata ngritën qytetërimin e tyre dhe arritën një vend të lartë në mesin e popujve, duke vendosur drejtësi dhe duke përhapur dijen dhe shkencën, siç ka thënë i Plotfuqishmi: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” [El Enbija, 107].

Kështu, ata shpëtuan të shtypurit nga padrejtësia e të pushtetarëve zullumqarë, dhe shpëtuan njerëzit nga adhurimi i idhujve dhe të tjerëve, drejt adhurimit të Një Zoti të vetëm, e të Pashoq…

Por, kur arabët mohuan fenë e tyre dhe në mesin e tyre u përhapën risitë dhe idhujtaritë, kur u pushtuan nga ambiciet personale, dhe kur importuan sistemet perëndimore, sjelljet dhe moralet e tyre, kur ndryshuan dhe u bënë të tjerë, atëherë edhe Allahu e ndryshoi gjendjen e tyre: “Kjo ndodh se Allahu nuk ia ndryshon kurrë një mirësi që ia ka dhënë një populli, derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në veten e tyre. Vërtet, Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” [El Enfal, 53]. U ndanë në grupe dhe parti, “si ata, që fenë e vet e kanë përçarë dhe janë ndarë në grupe,

e ku çdo grup është i kënaqur me atë që ka.” [Er Rum, 32].
Dhe kështu, Allahu ia lejoi mosbesimtarëve të kenë pushtet mbi ta, të nxisin mosmarrëveshje ndërmjet tyre, të luftojnë njëri-tjetrin dhe të planifikojnë për ta dinakëri e tradhti. Shteti i tyre i unifikuar u rrëzua dhe ata u ndanë në shtete të vogla, me qëllim që vendet jomuslimane t’i drejtojnë nën dëshirat e tyre dhe të lakmojnë të mirat e vendeve të tyre, siç ka paralajmëruar i Dërguai i Allahut – Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të! – :

– Kombet e botës do të thërrasin njëri-tjetrin për t’u hedhur mbi ju ashtu siç bëjnë egërsirat për t’u hedhur mbi prenë e tyre.

– A do të jetë kjo për shkak se do të jemi pak në numër, o i dërguar i Allahut? – thanë të pranishmit.

– Jo, -tha ai, ju do të jeni shumë në atë kohë, por do të jeni të pavlerë, si shkuma e përroit. Madhështia dhe hija e rëndë që keni pasur në zemrat e armiqve tuaj do të hiqet dhe dobësia do të pushtojë zemrat tuaja.

– Çfarë dobësie? – thanë ata.

– Dashuria për dynjanë dhe urrejtja për vdekjen, – tha ai – Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!

Dhe në këto ditë, pabesimtarët monitoruan shkatërrimin e muslimanëve me dobësinë dhe shpërbërjen që ata kishin derisa të rrëzonin plotësisht shtetet e tyre, kështu që nxitën popujt mbi sundimtarët e tyre, shkatërruan vendet e tyre, duke i futur në probleme dhe rrugë pa krye, nga të cilat nuk mund të shpëtojnë, përveç nëse i kthehen origjinës që i bashkoi ata herën e parë, që i dha krenarinë  dhe fitoren, dhe që është Libri i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit të Tij. I Plotfuqishmi thotë: “Në të vërtetë, fuqia dhe krenaria është vetëm e Allahut, e të Dërguarit të Tij dhe e besimtarëve, por hipokritët nuk e dinë.” [El Munafikun, 8], dhe “Mos u ligështoni dhe mos u trishtoni, sepse ju jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” [Al imran, 139].

Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Nuk mund ta përmirësojë gjendjen e pasardhësve të këtij ymeti, veçse ajo që përmirësoi gjendjen e të parëve të tyre.”

Për fat të keq, ka në mesin tonë që thotë se përmirësimi vjen duke ndjekur rrugën e Perëndimit, duke rënë kështu në përmbysje të natyrshmërisë; Arabët nuk e kam arritur shkëlqimin dhe fuqinë veçse me Islamin, dhe që ditën kur ata filluan të ndjekin Perëndimin, u bënë të përulur dhe të pavlerë në mesin e popujve.

O Allah, na kthe në zbatimin e plotë të Islamit, dhe bashkoje fjalën e muslimanëve në të vërtetën. Bekimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Profetin tonë Muhamed, familjen dhe shokët e tij!

Shkruar nga

Shejh, Dr. Saleh bin Feuzan Al-Feuzan

Anëtar i Këshillit të Lartë të Dijetarëve

04-06-1433H / 26-04-2012