HAXHI DHE UMRA (8)

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani


UMRA

 

Në gjuhën arabe fjala umre rrjedh nga el-i’timar, që do të thotë vizitë. Këtu ka kuptimin e vizitës në Qabe, kryerjen e tavaf-it rreth saj, ecjen në këmbë ndërmjet Safas dhe Marvas shtatë herë dhe më pas rruajtjen e kokës ose prerjen e flokëve shkurt.

Ndër dijetarët ka një mendim të përbashkët se ky është një adhurim i ligjshëm.

Ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Një umre në muajin e Ramazanit është e barabartë (në shpërblim) me kryerjen e një haxhi”.[1] Transmeton Ahmedi dhe Ibën Maxhe. Megjithatë, kjo nuk e largon detyrimin për të kryer haxhin e detyrueshëm.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nga njëra umre në tjetrën lahet çldo mëkat i kryer gjatë kësaj periudhe dhe shpërblimi për një haxh të pranuar nuk është gjë tjetër veçse xheneti.”[2] Transmeton Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.

 

Përsëritja e umres

Nafiu ka thënë: “Gjatë kohës së prijësit Ibën Ez-Zubejr, Abdullah ibën Umeri e kryente umren dy herë në vit”.[3]

El Kasimi ka thënë se Aishja kreu tre umre në një vit. Disa njerëz e pyetën El Kasimin nëse ndonjë nga dijetarët e kishte kritikuar Aishen për këtë. Ai u përgjigj: “Allahu qoftë i Bekuar! (Kritikojnë) Nënën e Besimtarëve?!”.[4] Shumica e dijetarëve e mbështet këtë pikëpamje. Megjithatë, Maliku mendon se përsëritja e umres më shumë se një herë në vit nuk është e pëlqyeshme.

 

Umra përpara dhe gjatë muajve të haxhit

Njeriu mund ta kryejë umren gjatë muajve të haxhit, edhe pa kryer haxhin. Transmetohet se Umeri e kreu umren gjatë muajit Sheval dhe u kthye në Medine pa e kryer haxhin.[5]

Mundet që, ashtu siç bënte Umeri, umra të kryhet edhe përpara haxhit.

Tausi ka thënë: “Në ditët e injorancës (paditurisë para-islame), arabët e shihnin kryerjen e umres gjatë muajve të haxhit si një nga mëkatet më të mëdha dhe thonin: “Kur muaji i Seferit mbaron, devetë kthehen me plagët e shëruara në këmbët e tyre dhe vazhdat e gjurmëve të haxhilerëve janë fshirë, atëherë kush dëshiron mund ta kryejë umren”.[6] Pas ardhjes së Islamit, njerëzit ishin të urdhëruar të kryenin umren edhe gjatë muajve të haxhit. Kështu pra, umra e lejuar gjatë muajve të haxhit deri në Ditën e Gjykimit.

 

Umrat e kryera nga Profeti (a.s.)

Ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) kreu katër umre gjatë jetës së tij: Umren e Hudejbijes, një që e kreu për të zëvendësuar një umre të humbur, një të tretë që e kreu duke dalë nga El-Xhi’rana dhe të katërtën të ndërthurur me haxhin.[7] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe me një varg të besueshëm transmetuesish.

 

Statuti i saj ligjor

Sipas shkollës hanefite dhe malikite umra është sunet siç paraqitet në hadithin e transmetuar nga Xhabiri, i cili tregon se Profeti (a.s.) u pyet njëherë rreth umres, nëse ajo ishte e detyrueshme (vaxhib). Ai u përgjigj: “Jo, nuk është, por është më mirë që ju ta kryeni atë”.[8] Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu, të cilët e konsiderojnë këtë hadith të besueshëm.

Shkolla shafite dhe Ahmedi e konsiderojnë umren të detyrueshme (farz) duke u mbështetur në ajetin kuranor:

وَأَتِمُّوا الْحَجَّ وَالْعُمْرَةَ لِلَّهِ

“E kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut”. (El-Bekare, 196)

Në ajetin e mësipërm umra është përmendur bashkë me haxhin, i cili është i detyrueshëm, gjë që do të thotë se po ashtu edhe umra është e detyrueshme. Kjo megjithëse mendimi që thotë se umra është sunet është më i pëlqyeshëm.

Autori i “Fet’h El-Alam” thotë: “Në këtë kapitull ka disa hadithe, mbi bazën e të cilave nuk mund të merren vendime”.

Tirmidhiu ka transmetuar se Shafiu ka thënë: “Në lidhje me umren nuk ka asnjë dëshmi. Ajo është një veprim adhurimi vullnetar”.

 

Koha për të kryer umren

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se umra mund të kryehet në çdo kohë gjatë vitit. Megjithatë, Ebu Hanife është i mendimit se nuk është e pëlqyeshme që umra të kryhet në pesë ditët e mëposhtme: “Ditën e Arafatit, Ditën e Nehrit (dita e dhjetë e Dhul-Hixhes) dhe tre ditët e Teshrikut (ditët 11, 12 dhe 13 të Dhul-Hixhes). Ebu Jusufi e quan të papëlqyeshme në ditën e Arafatit dhe gjatë tri ditëve pas saj. Megjithatë, të gjithë ata janë të një mendimi mbi lejueshmërinë e kryerjes së umres gjatë muajve të haxhit.

Buhariu ka transmetuar nga Ikrime ibën Halidi se ai ka thënë: “Unë e pyeta Abdullah ibën Umerin rreth kryerjes së umres përpara haxhit dhe ai u përgjigj: “Nuk ka dëm në të vepruarit kështu, sepse vetë Profeti (a.s.) e kreu umren para haxhit”.[9]

Xhabiri transmeton se, njëherë, Aishes i filluan menstruacionet në kohën që ajo po kryente haxhin, por ajo i kreu të gjitha ritet përveç tavafit rreth Qabes. Kur periodat e saj përfunduan dhe ajo ishte pastruar, kreu tavafin dhe tha: “O i Dërguar i Allahut! Gjithsecili ka kryer haxhin dhe umren bashkë, por unë kreva vetëm haxhin”. Për këtë arsye, Profeti (a.s.) urdhëroi të vëllanë e saj, Abdurrahmanin, ta shoqëronte për në Tan’im (me qëllim që të kryente umren). Kështu, ajo kreu umren menjëherë pas haxhit në muajin e Dhul-Hixhes.”[10]

Koha më e mirë për të kryer umren është gjatë muajit të Ramazanit.

 

Mikati[11] për umren

Në rast se një person që ka për qëllim të kryejë umren është jashtë mikatit të caktuar për haxh, nuk i lejohet të kalojë në këto vende të caktuara pa deklaruar ihramin.

Buhariu transmeton se Zejd ibën Xhubejri shkoi te Ibën Umeri dhe e pyeti: “Prej ku duhet ta deklaroj nijetin tim për të kryer umren?” Ai iu përgjigj: “Profeti (a.s.) ka caktuar Karnin si mikat për popullin e Nexhdit (prej nga ku ata duhet të deklarojnë ihramin e tyre) dhe në mënyrë të ngjashme për popullin e Medines ka caktuar Dhul Hulejfen dhe për popullin e Sirisë ka caktuar El-Xhuhfën”.[12]

Ai që ndodhet brenda kufijve të zonës së mikatit – edhe nëse është brenda rrethinave të shenjta të vetë Haramit – duhet të shkojë në mikat dhe ta deklarojë ihramin prej atje, siç është e qartë në hadithin e mësipërm të Buhariut, i cili thotë se ishte urdhëruar nga Profeti (a.s.) që të shkonte në Tan’im dhe ta vishte ihramin për umre atje.

 

Tavafi i Lamtumirës

Është quajtur Tavafi i Lamtumirës sepse nëpërmjet tij haxhiu i jep lamtumirën Qabes, Shtëpisë së Allahut. Gjithashtu njihet edhe si Tavaf Es-Sadr (Tavafi përpara nisjes) për arsye se shënon nisjen për largimin e haxhilerëve nga Meka. Në të nuk bëhet vrapimi i lehtë (reml) dhe është riti i fundit që kryhet nga ai haxhi që nuk është banor i Mekës[13] përpara se të niset për në shtëpinë e tij.

Maliku ka transmetuar në “El-Muata” se Umeri ka thënë: “Riti i fundit i haxhit është tavafi rreth Qabes”.[14]

Sa për banorët e Mekës dhe gratë pelegrine që janë me menstruacione, ata nuk janë të detyruar që ta kryejnë atë dhe as nuk duhet të paguajnë ndonjë dëmshpërblim për moskryerjen e tij. Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar nga Ibën Abasi se ai ka thënë: “Një grua pelegrine që është me menstruacione lejohet të niset (pa kryer Tavafin e Latumirës)”.[15]

Sipas një transmetimi tjetër, ai ka thënë: “Njerëzit u urdhëruan ta bënin tavafin rreth Qabes ritin e fundit; megjithatë, gratë që ishin me menstruacione ishin të përjashtuara prej tij.[16]

Gjithashtu, transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi se Safija, gruaja e Profetit (a.s.), ishte njëherë me periodat mujore gjatë haxhit. Kur u njoftua Profeti (a.s.) për këtë, ai tha: “A na ka bllokuar nga të ikurit (derisa të kryejë ritet e haxhit)?” Atij i treguan se ajo i kishte kryer të gjitha ritet e haxhit përveç Tavafit të Lamtumirës. Profeti (a.s.) tha: “Atëherë nuk na paska bllokuar (le të shkojmë)!”[17]

 

Statuti ligjor i Tavafit të Lamtumirës

Ndër dijetarët ka një pajtim mendimesh se Tavafi i Lamtumirës është i ligjshëm. Muslimi dhe Ebu Daudi transmetojnë nga Ibën Abasi se ai ka thënë: “Njerëzit (haxhilerët) largoheshin prej Mekës nga cilido drejtim (pa ndonjë rend të caktuar). Për këtë arsye Profeti (a.s.) tha: “Asnjëri prej jush të mos largohet nga Meka pa kryer Tavafin rreth Qabes, si të fundmin e riteve të haxhit”.[18]

Megjithatë, ka një mospajtim mendimesh rreth përcaktimit të tij ligjor. Maliku, Daudi dhe Ibën El Mundhiri thonë se ai është sunet dhe nëse lihet pa bërë, nuk ka dënim për të. Gjithashtu, Shafiu mbron këtë pikëpamje. Shkolla hanbelite, ajo hanefite dhe sipas një transmetimi të Shafiut Tavafi i Lamtumirës është i detyrueshëm (vaxhib) dhe ai që e lë pa kryer duhet të therë një kurban si shenjë dëmshpërblimi.

 

Koha për Tavafin e Lamtumirës

Ky rit duhet të kryhet pas përfundimit të të gjitha riteve të tjera dhe pikërisht para largimit nga Meka, kështu që ky është riti i fundit që kryen haxhiu, ashtu siç përmendet në hadithin e mësipërm.

Pas përfundimit të Tavafit të Lamtumirës, pelegrini duhet të largohet nga Meka, pa u marrë me ndonjë shitje apo blerje ose pa qëndruar aty më pas për shumë kohë. Ai që bën njërën nga këto, duhet ta përsërisë Tafavin para se të largohet nga Meka. Megjithatë, mund të ndalohet për pak kohë me qëllim që të blihen furnizimet e nevojshme.

Në nisje këshillohet që t’i drejtohesh Allahut me lutje, siç është transmetuar nga Ibën Abasi:

Allahumme inni abduke ua ibnu abdike ua ibnu emetike

Hamelteni ala ma sakharte li min khalkike

Ua seterteni fi biladika hatta belegteni bini’matike- ila bejtike

Ua e’anteni ala eda-i nusuki

Fe -in kunte radijte anni

Fez-did ‘anni ridan

Ua il-la fe-min-elane ferda anni

Kable an tan’a an bejtike dari

Fa hadha auanu insirafi

In edhinte li gajra mustebdilin bike ue la bi-bejtike

Ua la ragibun anke ua la an bejtike

Allahumme fes-habni  el afijete fi bedeni

Ua sihate fi xhismi

Ual ismetu fi dini, ua ahsin munkelebi

Ua rzukni ta’ateke ma ebkajteni

Ua xhmea li bejne hajrej dunja uel ahireti

Inneke ala kuli shejin kadijr

 

“O Allah! Unë jam robi Yt, bir i robit Tënd dhe i robëreshës Tënde. Ti më bëre të aftë që të qëndroj mbi atë që Ti vure në shërbimin tim prej krijimit Tënd. Ti më mbrojte mua në këtë tokë Tënden, derisa Ti me mirësinë Tënde më solle në Shtëpinë Tënde. Ti më ndihmove të kryeja ritet e haxhit. O Allah! Nëse je i kënaqur me mua, rrite kënaqësinë që ke prej meje! Ndryshe falmë mua kënaqësinë Tënde përpara se të nisem nga Shtëpia Jote! O Allah! Tani është koha për mua të nisem, me lejen Tënde, pa ndryshuar (qëndrimin tim) drejt Teje dhe Shtëpisë Tënde, as duke ikur tutje nga Ti dhe Shtëpia Jote. O Allah! Më fal shëndet në trupin tim, pastërti në fenë time, bekoje rikthimin tim dhe më ndihmo të të bindem për sa kohë Ti më jep jetë! Më jep mua të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër. Ti ke pushtet mbi të gjitha gjërat”.

Shafiu ka thënë: “Më pëlqen që, kur një haxhi largohet nga Shtëpia e Zotit, të qëndrojë pranë El-Multezemit dhe pastaj të thotë lutjen e përmendur në hadithin e mësipërm”.[19]

 

Një përmbledhje e shkurtër mbi mënyrën e kryerjes së haxhit dhe umres

Me të mbërritur në mikat (vendi i caktuar për veshjen e ihramit), haxhiu duhet të presë mustaqet, të shkurtojë flokët, të presë thonjtë e gishtave dhe të lahet ose të marrë abdes, të hedhë pak parfum dhe pastaj të veshë ihramin. Ai duhet të falë dy rekate dhe pastaj të deklarojë qëllimin (nijetin) e tij për të kryer haxhin ose haxhin dhe umren apo vetëm umren, sipas rastit.

Veshja e ihramit dhe deklarimi i nijetit për të kryer haxhin ose umren është një pjesë thelbësore (rukën) e të dyve dhe asnjëri prej tyre nuk do të ishte i saktë pa to.

Cilësimi i llojit të haxhit, në është ifrad (vetëm haxh), temettu (haxh dhe umre të ndërthurura me një pushim në mes tyre) ose Kiran (haxh dhe umre pa pushim në mes tyre), nuk është thelbësor. Nëse dikush e bën nijet të kryejë haxhin pa e cilësuar llojin, ihrami i tij mbetet i vlefshëm dhe ai mund të kryejë cilindo nga të tre llojet e haxhit. Sapo hyn në gjendjen e ihramit, haxhiu duhet të shprehë më zë të lartë telbijen kudo që të jetë; kur ngjitet në kodër apo zbret në luginë, kur takon një grup njerëzish apo një person të vetëm, herët në mëngjes apo pas çdo faljeje të urdhëruar.

Kur është në gjendjen e ihramit personi duhet të shmangë marrëdhëniet seksuale dhe të gjitha gjërat që të çojnë aty. Ai duhet të shmangë zënkat dhe grindjet e panevojshme e as duhet që të martohet apo të lidhë të tjerë me martesë.

Muhrimi nuk duhet të veshë rroba të qepura apo këpucë që i mbulojnë këmbët e tij mbi kyçe. Ai nuk duhet ta mbulojë kokën, as të përdorë ndonjë parfum, as të presë flokët apo thonjtë, as të merret me gjuetinë e ndonjë kafshe të egër dhe as të presë pemët apo barin në rrethinat e shenjta të Haremit.

Është e dëshirueshme që hyrja e haxhiut në Mekë të jetë nga ana e sipërme e saj, nëse është e mundur, pas pastrimit me ujin e pusit Dhi Taua në Zahir. Pastaj, ai duhet të shkojë në Qabe dhe të hyjë në Xhaminë e Shenjtë nga porta e quajtur Babu Es-Selam duke bërë lutjet e hyrjes në xhami dhe duke zbatuar rregullat e tjera të hyrjes në xhami me përulje, frikë dhe duke thënë telbijen.

Kur shihet Qabja, duhet të ngrihen duart lart dhe t’i bëhet Allahut lutje për të mirat e Tij. Pastaj, duhet të shkohet drejt e te Guri i Zi për ta puthur atë qetësisht apo për ta prekur me dorë e pastaj puthet dora. Nëse kjo nuk është e mundur dhe nëse dikush nuk mund ta arrijë Gurin e Zi, ai thjesht mund të tregojë me gisht drejt tij nga një largësi. Pastaj rri afër tij (në drejtim të tij) dhe lutet me duatë që janë transmetuar në sunetin e Pejgamberi (a.s.). Pas kësaj, duhet të fillohet tavafi rreth Qabes duke u lutur me fjalët e transmetuara nga Profeti (a.s.).

Në tre xhirot e para, është e pëlqyeshme që haxhiu të zbulojë shpatullën e tij të djathtë dhe të vrapojë me ritëm të ngadaltë. Në xhirot e tjera, ai mund të ecë me hap normal. Është sunet që në çdo xhiro të preket Këndi i Jemenit dhe të puthet Guri i Zi. Pas përfundimit të tavafit, haxhiu duhet të shkojë te Vendqëndrimi i Ibrahimit në përputhje me urdhëresën e Allahut:

وَاتَّخِذُوا مِنْ مَقَامِ إِبْرَاهِيمَ مُصَلًّى

 “Pranojeni për vendfalje vendin ku qëndroi Ibrahimi!”. (El-Bekare, 125). Atje ai duhet të falë dy rekate të tavafit.

Pastaj ai duhet të shkojë në pusin e Zemzemit dhe të pijë nga uji i tij sa më shumë të jetë e mundur. Pas kësaj, haxhiu shkon në El-Multezem dhe qëndron aty duke iu lutur Allahut për veten e tij për çfarëdo të mire që dëshiron në këtë botë dhe në tjetrën. Pas kësaj, ai duhet (nëse është e mundur) të shkojë te Guri i Zi dhe ta puthë atë.

Pastaj duhet t’i afrohet kodrës së Safas nëpërmjet portës Es-Safa për të filluar sa’jin në përputhje me fjalët e Allahut:

إِنَّ الصَّفَا وَالْمَرْوَةَ مِنْ شَعَائِرِ اللَّهِ فَمَنْ حَجَّ الْبَيْتَ أَوْ اعْتَمَرَ فَلاَ جُنَاحَ عَلَيْهِ أَنْ يَطَّوَّفَ بِهِمَا

 “Safa dhe Merve janë nga shenjat (për adhurimin) e Allahut. Kush hyn në atë shtëpi për haxh (në Qabe për haxh) ose për umre , nuk është mëkat për të nëse i viziton të dyja (të ecë në ato dy vende)”. (El-Bekare, 158).

Ai duhet të ngjitet në Safa, të shohë drejt Qabes dhe pastaj t’i lutet Allahut duke përdorur ndonjë nga lutjet e transmetuara nga Profeti (a.s.). Pas kësaj, ai duhet të zbresë prej aty dhe të fillojë të ecë drejt kodrës së El-Merves si nisje të shtatë xhirove ndërmjet atyre dy kodrave, duke përmendur Allahun dhe duke iu lutur Atij.

Me të arritur te njëri nga dy shenjuesit e gjelbër, ai duhet të bëjë vrap të lehtë deri të shenjuesi i dytë i gjelbër. Pastaj duhet të rifillojë ecjen normale drejt Merves. Me të mbërritur në Merve, duhet të ngjitet në të, të kthehet drejt Qabes, t’i lutet Allahut e ta lartësojë Atë. Në këtë mënyrë përfundon një xhiro. Pastaj, ai duhet të bëjë gjashtë xhirot që mbeten në mënyrë të ngjashme, duke plotësuar kështu të shtata xhirot.

Sa’ji është një ritual i detyruar (vaxhib) i haxhit dhe kushdo që nuk mund ta kryejë atë ose ndonjë pjesë të tij, duhet të therë një kafshë si dëmshpërblim për këtë. Së fundi, nëse haxhiu kryen haxhin temettu’ (haxh dhe umre me një pushim ndërmjet tyre), ai duhet ose të rruajë kokën ose t’i presë flokët shkurt. Kjo do ta çlironte atë nga të gjitha kufizimet e gjendjes së ihramit dhe të gjitha gjërat që i ishin ndaluar në të bëhen të lejuara për të, përfshirë edhe marrëdhëniet seksuale me gruan e tij.

Ata që kanë për qëllim kryerjen e haxhit ifrad (vetëm haxhin) ose haxhin kiran (haxhin dhe umrën bashkë pa ndërprerje), duhet të vazhdojnë gjendjen e ihramit. Ata që kanë për qëllim kryerjen e haxhit temettu’, në ditën e tetë të Dhul-Hixhes nga banesat e tyre rihyjnë dhe njëherë në gjendjen e ihramit dhe shkojnë në Mina dhe e kalojnë natën atje, bashkë me ata që ishin në mënyrë të vazhdueshme në këtë gjendje.

Në agimin e ditës së nëntë të Dhul-Hixhes haxhilerët largohen për në Arafat dhe, nëse është e mundur, qëndrojnë pranë Xhamisë së Nemiras. Atje ata lahen (nëse kanë mundësi) dhe falin namazin e drekës dhe iqindisë bashkë në mënyrë të shkurtuar dhe të ndërthurur pa u vonuar në kohë, falje të cilën e udhëheq një imam. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë haxhiu duhet të falet vetëm në mënyrën më të mirë që mundet, duke ndërthurur dhe shkurtuar të dyja faljet.

Qëndrimi i haxhilerëve në Arafat fillon vetëm pasi dielli e ka kaluar zenitin. Gjatë kësaj kohe ata duhet të qëndrojnë pranë shkëmbinjve të Arafatit ose sa më afër të jetë e mundur, sepse prej aty niste qëndrimin e tij Profeti (a.s.). Qëndrimi në Arafat është riti kryesor i haxhit, por ngjitja në kodrën e Mëshirës nuk është as sunet dhe as nuk duhet të synohet. Gjatë këtij qëndrimi, haxhiu duhet të kthejë fytyrën në drejtim të Qabes, të lartësojë Allahun dhe ta kujtojë Atë, t’i lutet Atij sa më shumë të jetë e mundur deri në muzg.

Pas muzgut, haxhilerët duhet të nisen për në Muzdelife dhe kur të arrijnë atje, duhet të falin namazin e akshamit dhe jacisë duke i ndërthurur ato dhe duke i falur nga fundi i kohës së zakonshme. Pastaj ta kalojnë natën atje.

Në agim, (pas faljes së namazit të sabahut në Muzdelife), haxhilerët qëndrojnë në Mesh’ar el Haram(Monumenti i Shenjtë), e kujtojnë dhe e lartësojnë Allahun deri në kohën para lindjes së diellit. Më pas ata duhet të rikthehen në Mina pasi të mbledhin guralecët në Muzdelife.

Qëndrimi pranë Monumentit të Shenjtë është detyrim dhe kushdo që nuk mund ta bëjë këtë, duhet të bëjë një kurban për ta dëmshpërblyer.

Pas lindjes së diellit, haxhiu duhet të gjuajë shtatë guralecë në Xhemren El-Akabe (Shtyllën El-Akabe). Pastaj duhet të therë kafshën për kurban, nëse është e mundur, të rruajë kokën ose të presë flokët shkurt. Kjo do ta çlirojë atë nga kufizimet e ihramit dhe ai mund të merret me çfarëdo veprimtarie normale, përveç marrëdhënieve seksuale me gruan e tij.

Pastaj duhet të rikthehet në Mekë për të kryer Tavaf El-Ifadan, një pjesë kryesore e haxhit, i njohur gjithashtu dhe si Tavaf Ez-Zijarah. Ai duhet ta kryejë në të njëjtën mënyrë siç kreu më parë Tavaf El-Kudumin. Nëse haxhiu po kryen haxhin temettu’, ai duhet të bëjë një sa’j pas Tavafit El-Ifada. Për haxhiun që kryen haxhin kiran apo atë Ifradsa’ji i dytë nuk është i rëndësishëm, nëse ka kryer Tavaf El-Kudumin duke ardhur për në Mekë.

Pas këtij Tavaf el-Ifadas, haxhiu mund të kryejë të gjitha veprimet e ligjshme, përfshirë edhe marrëdhëniet seksuale me gruan e tij.

Pastaj haxhiu duhet të rikthehet në Mina dhe të qëndrojë gjithë natën atje. Ky qëndrim gjithë natën në Mina është i rëndësishëm dhe lënia e tij duhet të shpërblehet duke bërë një kurban.

Pas mesditës së ditës së njëmbëdhjetë të Dhul-Hixhes, haxhiu duhet të bëjë gjuajtjen e gurëve në të trija Xhemerat (shtyllat), duke filluar nga ajo që është më afër Minas, pastaj atë të mesit dhe të qëndrojë për pak kohë, ndërsa kujton Allahun dhe i lutet Atij. Pastaj ai duhet të shkojë te Xhemreja (shtylla) e fundit, të bëjë gjuajtjen e gurëve dhe të largohet pa ndaluar aty. Haxhiu duhet të mbarojë së gjuajturi gurët në të trija Xhemretë pa filluar perëndimi i diellit. Në ditën e dymbëdhjetë të Dhul-Hixhes, ai duhet të përsërisë ritet e ditës së mëparshme. Pas gjuajtjes së gurëve, haxhiu mund të kthehet në Mekë ose mund ta kalojë ditën e trembëdhjetë të Dhul-Hixhes në Mina duke goditur me guralecë Xhemretë. Gjuajtja e gurëve është një rit i rëndësishëm i haxhit dhe për moskryerjen e tij duhet të bëhet një kurban. Pas rikthimit në Mekë, nëse haxhiu dëshiron të kthehet në vendin e tij, ai duhet të kryejë Tavaf-el-Veda’ ose Tavafin e Lamtumirës, i cili është gjithashtu një rit i rëndësishëm i haxhit. Në rast se ai nuk është në gjendje ta kryejë atë dhe nëse nuk e ka kaluar mikatin, ai duhet të kthehet në Mekë dhe ta kryejë atë, përndryshe duhet të bëjë kurban një dele.

Shkurt, ritet e rëndësishme të haxhit dhe të umrës janë: deklarimi i ihramit nga mikatitavafi, sa’ji, halku (rruajtja e kokës) ose kasri (prerja shkurt e flokëve). Me këto ritet e umres plotësohen.

Në rastin e haxhit, duhet të kryhen disa rite shtesë. Ritet kryesore të haxhit janë: qëndrimi në Arafat në Ditën e Arafatit, gjuajtja e gurëve, Tavaf El-Ifada, qëndrimi në Mina, bërja e një kafshe kurban, rruajtja e kokës ose prerja shkurt e flokëve. Kjo është një përmbledhje e shkurtër e të gjitha riteve të haxhit dhe të umres.

 

Kthimi në shtëpi pas kryerjes së haxhit

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Udhëtimi nuk është veçse një lloj torture, në të cilin njeriu pengohet nga ngrënia dhe pirja (si duhet). Kështu, kur ndonjë prej jush (udhëton dhe)përfundon punën e tij, ai duhet të nxitojë të kthehet te familja e tij”.[20] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Aishja transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush e kryen haxhin, ai duhet të nxitojë të kthehet te familja e tij e për këtë atij do t’i shtohet shpërblimi”.[21] Transmeton Darakutni.

Muslimi ka transmetuar nga El-Ala ibën El-Hadrami se Profeti (a.s.) ka thënë: “Një haxhi që vjen nga jashtë mund të qëndrojë për tri (ditë) pas përfundimit të haxhit”.[22]

 

El-Ihsar (Bllokimi)

El-Ihsar (siç përdoret në Kuran) do të thotë bllokim i rrugës për në Shtëpinë e Zotit. Allahu i Madhëruar thotë:

وَأَتِمُّوا الْحَجَّ وَالْعُمْرَةَ لِلَّهِ فَإِنْ أُحْصِرْتُمْ فَمَا اسْتَيْسَرَ مِنْ الْهَدْيِ

“E kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut, po në qoftë se pengoheni, atëherë (therni për kurban)çka t’ju vijë më lehtë prej kurbanëve….”  (El-Bekare, 196).

Ky ajet kuranor u shpall në kohën kur Profeti (a.s.) bashkë me shokët e tij ishin në Hudejbije dhe u penguan të vizitonin Xhaminë e Shenjtë.[23]

Në mënyrë të nënkuptuar, kjo do të thotë pengim nga tavafi në rastin e umres ose qëndrimin në Arafat dhe pengimi nga Tavaf-El-Ifada në rastin e haxhit.

Megjithatë, ndër dijetarët ka mendime të ndryshme mbi shkakun dhe çka përbën një gjendje pengimi apo bllokimi. Maliku dhe Shafiu mendojnë se një gjendje e tillë i referohet bllokimit nga një armik, sepse ajeti kuranor u shpall për Profetin (a.s.), i cili u bllokua për kryerjen e umres. Gjithashtu edhe Ibën Abasi ka një pikëpamje të ngjashme.

Megjithatë, shumica e dijetarëve, përfshirë hanefitë dhe Ahmedin, janë të mendimit se një person konsiderohet i bllokuar kur ai pengohet të shkojë në Shtëpinë e Zotit, për shkak të një fuqie armike [24] ose sëmundjeje, e cila mund të përkeqësohet nga lëvizja apo udhëtimi, një gjendje e frikës (dhe pasigurisë), humbjes së furnizimeve ose në rastin e gruas, kur i vdes mahremi (shoqëruesi i afërt) që e shoqëron atë ose ndonjë shkak tjetër i ngjashëm. Madje Ibën Mesudi mendon se një njeri i kafshuar nga gjarpri konsiderohet gjithashtu nga të penguarit.

Këta dijetarë e mbështesin argumentin e tyre mbi faktin se fjalët “…por në qoftë se pengoheni…” të përdorura në vargun e mësipërm kuranor rreth Profetit (a.s.) janë të përgjithshme dhe nuk janë të kufizuara në ndonjë rast të cilësuar të pengimit. Kjo është dhe pikëpamja më e fortë për këtë temë.

 

Personi i penguar duhet të therë një dele ose një kafshë më të madhe

Vargu i sipërpërmendur kuranor është mjaft i qartë se personi i penguar mund të therë çfarëdo kafshe që është në gjendje të ketë. Ibën Abasi transmeton se, kur Profeti (a.s.) u pengua nga kryerja e umres (nga Kurejshët), rruajti kokën, kreu marrëdhënie me bashkëshorten dhe theri kafshën e tij. Vitin tjetër ai e kreu umren për të zëvendësuar atë të vitit që humbi.[25] Transmeton Buhariu.

Shumica e dijetarëve, duke u bazuar në këtë hadith, mendojnë se personi i penguar duhet të therë një dele, një lopë ose një deve. Megjithatë, Maliku ka mendim të ndryshëm dhe thotë se therja e një kafshe nuk është e rëndësishme.

Autori i “Fat’h El’Alam” vëren: “Maliku ka të drejtë në mendimin e tij, sepse të gjithë shokët e Profetit (a.s.) që u penguan bashkë me të në Hudejbije nuk kishin kafshë për të therur me vete, pasi ata nuk ishin në gjendje të kryenin umren. Profeti (a.s.) theri kafshën e tij, të cilën e kishte sjellë me vete nga Medina në mënyrë vullnetare”. Nuk ka asnjë nënkuptim të ndonjë detyrimi në këtë ajet. Me saktë, vargu kuranor i mëposhtëm i referohet ndodhisë me Profetin (a.s.):

وَالْهَدْيَ مَعْكُوفًا أَن يَبْلُغَ مَحِلَّهُ

“…dhe (penguan) kafshët për kurban që të arrinin në vend” (El-Fet’h, 25).

 

Vendi për therjen e kafshëve nga njerëzit që pengohen të vizitojnë Qaben

Autori i “Fat’h El Alam” thotë: “Dijetarët kanë mendime të ndryshme në lidhje me vendin e therjes në Ditën e Hudejbijes, në është brenda apo jashtë rrethinave të shenjta të Haramit. Me sa duket, fjalët e Allahut “…dhe (penguan) kafshët për kurban që të arrinin në vend”  sugjerojnë se kafshët ishin therur jashtë rrethinave të shenjta të Haramit. Rreth kësaj ka pikëpamje të ndryshme. Njëra prej tyre – ajo më kryesorja – është se një person i penguar mund të therë kafshën e tij për kurban brenda ose jashtë rrethinave të shenjta të Haramit. Një tjetër pikëpamje e shkollës hanefite është se kafsha duhet të theret brenda rrethinave të shenjta të Haramit. Një pikëpamje e tretë e Ibën Abasit dhe e një grupi dijetarësh është se, nëse një person i penguar është në gjendje të dërgojë kafshën e tij për kurban në Rrethinat e Shenjta të Haramit, duhet ta therë atë atje dhe vetëm atëherë duhet t’i japë fund ihramit të tij. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë ai mund ta therë atë në vendin ku është penguar (bllokuar).

 

Personit të penguar nuk i kërkohet të përsërisë haxhin përveç atij të detyruar

Duke komentuar vargun kuranor: “po në qoftë se pengoheni, atëherë (therni për kurban) çka t’ju vijë më lehtë prej kurbanëve….”, Ibën Abasi ka thënë: “Nëse dikush ka patur për qëllim të kryejë haxhin ose umren, por u pengua që t’i afrohej Shtëpisë së Zotit, atëherë ai duhet të therë çfarëdo kafshe që ka mundësi: një dele apo një kafshë më të madhe”.[26]

Nëse një person ka patur për qëllim të kryejë haxhin dhe është penguar, atëherë ai duhet ta zëvendësojë atë më vonë, por nëse kishte për qëllim një haxh vullnetar, atij nuk i duhet që ta zëvendësojë atë.

Maliku thotë se atij i kishin treguar se Profeti (a.s.) dhe shokët e tij shkuan në Hudejbije dhe atje therën kafshët e tyre, rruajtën kokën, i dhanë fund ihramit dhe rifilluan rrjedhën normale të jetës, pa e patur bërë së pari Tavafin e Qabes ose pa çuar kafshët për kurban atje. Sipas Buhariut nuk ka asnjë dëshmi se Profeti (a.s.) urdhëroi shokët e tij që ta zëvendësonin umrën (e humbur) ose të riktheheshin në Xhaminë e Shenjtë për ta përsëritur atë, megjithëse Hudejbija është jashtë rrethinave të shenjta të Haremit të Mekës.[27]

Shafiu mendon se një person i penguar mund të therë kurbanin e tij në vendin ku është ndaluar dhe t’i japë fund ihramit e pastaj të rifillojë jetën normale. Atij nuk i kërkohet ta zëvendësojë atë që humbi, sepse Allahu nuk e ka përmendur një gjë të tillë.

Shafiu shton: “Sepse ne e dimë nga dëshmitë e transmetuara se disa njerëz, që kanë qenë me Profetin (a.s.) në kohën e Hudejbijes nuk u rikthyen vitin tjetër për të zëvendësuar umren e humbur. Ata nuk ishin të detyruar të ktheheshin mbrapsht për ndonjë shkas, sëmundje apo punë të kësaj bote. Nëse zëvendësimi i umres do të ishte i rëndësishëm, Profeti (a.s.) me siguri, do t’i kishte urdhëruar ata që të bashkoheshin me të dhe jo të ktheheshin”.

Duke vazhduar, ai thotë: “Kjo umre u quajt umretul Kada (ose umra e kryer për të zëvendësuar umren e humbur) për shkak të gjykimit midis Profetit (a.s.) dhe Kurejshëve dhe jo se është detyrim dhe duhej të zëvendësohej më vonë nga një umre tjetër”.

 

Muhrimi që kushtëzon t’i japë fund gjendjes së ihramit për shkak të sëmundjes ose ndonjë arsyeje tjetër

Shumë dijetarë mendojnë se është mundur për dikë që të caktojë një kusht kur hyn në gjendjen e ihramit që të lirohet prej tij nëse sëmuret.

Muslimi transmeton nga Ibën Abasi se Profeti (a.s.) i tha Dabas: “Kryeje haxhin, por cakto një kusht që duhet të lirohesh nga ihrami kurdo që pengohesh (për shkak të sëmundjes, etj).” [28]

Në një rast të tillë, nëse një haxhi pengohet nga kryerja e haxhit ose umres për ndonjë arsye, sëmundje ose diçka tjetër, ai mund t’i japë fund gjendjes së ihramit dhe nuk i kërkohet të therë ndonjë kurban apo të agjërojë si dëmshpërblim.

 

Mbulimi i Qabes

Në periudhën paraislame arabët e mbulonin Qaben me një mbulesë pëlhure. Kur Islami mbizotëroi, e ruajti këtë traditë. El-Uakidi ka thënë se Ismail ibën Ibrahim Ebu Habijbe ka transmetuar prej babait të tij se në periudhën paraislame, Qabja mbulohej me velenxa të bëra me lëkurë të kuqe. Më vonë Profeti (a.s.) e mbulonte me pëlhura jemenase, ndërsa Umeri dhe Othmani e mbulonin me një pëlhurë të bardhë egjiptiane. Haxhaxhi e mbulonte me mëndafsh të qendisur me ar.

I pari që e mbuloi atë ishte një burrë nga Jemeni i quajtur Esad El Himejri.[29] Maliku transmeton se Ibën Umeri zgjidhte Kabatin (pëlhurë egjiptiane) më të mirë dhe më të shtrenjtë dhe e dërgonte për të mbular Qaben.[30]

Gjithashtu El-Vakidi ka transmetuar nga Is’hak ibën Ebu Xheafer Muhamed ibën Ali, se ky i fundit ka thënë: “Njerëzit dërgonin mbulesa pëlhure për Qaben dhe po ashtu ata dërgonin deve të ngarkuara me pëlhurë jemeni për t’i bërë kurban.

Jezid ibën Muavije e mbulonte me mëndafsh të qendisur me ar dhe kështu bëri dhe Mus’ab ibën Ez-Zubejr më pas. Ai e mbulonte Qaben ditën e Ashures.[31]

Seid ibën Mensuri ka transmetuar se Umer ibën Hatabi çdo vit e hiqte mbulesën e vjetër të Qabes, e priste në copa dhe ua shpërndante haxhilerëve, të cilët e përdornin si strehë për t’u mbrojtur nga nxehtësia e Mekës.[32]

 

Lyerja me erë të mirë e Qabes

Aishja (r.a.) ka thënë: “Parfumoseni Qaben, sepse kjo është pjesë e pastrimit të saj!”.[33]

Ibën Zubejri e parfumoste krejt pjesën e brendshme të Qabes. Ai digjte një paund temjan (përafërsisht 0.5 kg) çdo ditë, por të xhumanë digjte dy të tillë.

 

Ndalimi i veprave të këqija në Harem[34]

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

وَمَنْ يُرِدْ فِيهِ بِإِلْحَادٍ بِظُلْمٍ نُذِقْهُ مِنْ عَذَابٍ أَلِيمٍ

 “…kushdo që përpiqet të bëjë ndonjë të keqe a ndonjë mëkat, Ne kemi për ta dënuar me një dënim të idhët”. (El-Haxh, 25)

Ebu Daudi transmeton nga Musa ibën Badhan se ai ka thënë: “Unë shkova te Ja’la ibën Umeje, i cili ka thënë se Profeti (a.s.) ka thënë: “Monopolizimi i ushqimit në Harem (të Mekës) është mosbesim në të”.[35]

Buhariu transmeton në “Et-Tarih El-Kebir” nga Umeri se ka thënë: “Monopolizimi mbi ushqimin në Haram është një veprim përdhosës”.

Ahmedi transmeton se Ibën Umeri shkoi te Ibën Zubejri, i cili po rrinte në El-Hixhr[36] dhe i tha: “O Ibën Zubejr! Bëj kujdes nga veprat përdhosëse kur je në Haramin e Allahut! Unë dëshmoj se e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Një njeri nga Kurejshët do të dhunojë shenjtërinë e saj”. Fjalët e një transmetimi tjetër janë: “Një njeri nga Kurejshët do të kryejë vepra përdhosëse në të. Mëkatet e tij do të jenë baraz me mëkatet e njerëzve dhe xhindëve bashkë, nëse do të vihen në peshë me to. Bëj kujdes të mos jesh ti ai njeri”.[37]

Muxhahidi ka thënë se veprat e mira shumëfishohen në Mekë e po ashtu edhe mëkatet. U pyet njëherë Ahmedi: “A regjistrohen mëkatet më shumë se një herë?” Ai u përgjigj: “Jo, përveçse në Mekë për shkak të shenjtërisë së atij qyteti”.

 

Pushtimi i Qabes

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Aishja se Profeti (a.s.) ka thënë:

“Një ushtri do ta sulmojë Qaben. Kur ata do të arrijnë një vend në shkretëtirë, do të ndodhë që do t’i përpijë toka deri te i fundit”.

Aishja pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Si është puna, sepse mes tyre mund të ketë njerëz të tjerë të mirë që nuk janë me ta?”

Profeti (a.s.) tha: “Ata do të përpihen të gjithë nga toka, por ata do të ringjallen (Ditën e Gjykimit)sipas qëllimeve të tyre”.[38]

 

Udhëtimi në tri Xhamitë e Shenjta

Seid ibën El-Musejeb transmeton nga Ebu Hurejra se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ju nuk duhet të ndërmerrni një udhëtim të veçantë për të vizituar ndonjë vend, përveç tri xhamive: Xhamisë së Shenjtë të Mekës, Xhamisë sime dhe Xhamisë El-Aksa (në Kuds)”.[39] Transmeton Buhariu, Muslimi dhe Ebu Daudi.

Në një tjetër transmetim, fjalët janë: “Për tre xhami mund të ndërrmeret një udhëtim: në Xhaminë e Shenjtë (Qaben),  xhaminë time dhe në Xhaminë e Kudsit”.

Ebu Dherri transmeton se e ka pyetur Profetin (a.s.): “O Profet i Allahut! Cila xhami është ndërtuar e para në tokë?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Xhamia e Shenjtë e Mekës”. Ebu Dherri pyeti përsëri: “Cila është ndërtuar pas saj?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Xhamia El-Aksa”. Ebu Dherri pyeti sërish: “Sa e gjatë ishte periudha ndërmjet tyre?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Dyzet vjet. Prandaj, faluni kudo që t’ju zërë koha e faljes, se mirësia është në atë vend”.[40]

Udhëtimi për në këto tri xhami është i urdhëruar për shkak të vendit të tyre të veçantë në Islam.

Xhabiri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Një falje në xhaminë time është më e mirë se 1000 falje në vende të tjera, përveç Xhamisë së Shenjtë. Një falje në Xhaminë e Shenjtë është më e mirë se njëqind mijë falje në cilëndo xhami tjetër”.[41] Transmeton Ahmedi me një varg të vërtetë transmetuesish.

Enes ibën Maliku transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që fal dyzet vakte të njëpasnjëshme në xhaminë time pa humbur asnjë nga faljet e detyrueshme, ai do të largohet nga xhehenemi, dënimi dhe hipokrizia”.[42] Transmeton Ahmedi dhe Tabaraniu nëpërmjet një vargu të vërtetë transmetuesish.

Në hadithe të ndryshme lexojmë se një namaz në xhaminë El-Aksa është pesëqind herë më lart (në shpërblim) se namazi që falet në ndonjë xhami tjetër, përveç Xhamisë së Shenjtë dhe Xhamisë së Profetit (në Medine).

 

Rregullat e sjelljes kur viziton xhaminë e Profetit (a.s.) dhe varrin e tij

1) Këshillohet që Xhamisë së Profetit t’i afrohesh qetësisht dhe me vetpërmbajtje. Kush shkon aty duhet të parfumoset, të vishet bukur e pastër dhe të hyjë në xhami me këmbën e djathtë duke thënë:

E udhu bil-lahil adhim

Ue bi-uaxh’hihi el kerijm

Ue sultanihi el kadijm

Min esh-shejtanirr-raxhim

Bismilah, Allahumme sal-li ala Muhammedin

Ue alihi ue selim

Allahumme igfir li dhunubi

Ue iftah li ebuabe rahmetike

“Unë kërkoj strehim te Allahu i Madhëruar me Fytyrën e Tij Fisnike dhe Pushtetin e Tij të Përjetshëm (të më ruaj) nga djalli i mallkuar. Në emrin Tënd o Allah! Bekoje Muhamedin, familjen dhe ndjekësit e tij! O Allah! M’i fal mua mëkatet dhe hapi dyert e mëshirës Tënde për mua!”[43]

 

2) Gjithashtu këshillohet që të shkohet fillimisht në raudah[44] dhe atje të falen dy rekate me qetësi dhe përulje si përshëndetje për xhaminë.

 

3) Pas kësaj, vizitori duhet të kthehet drejt varrit të Profetit (a.s.), me fytyrë nga ai e me kurriz nga Qabja dhe i jep selam Profetit (a.s.) duke thënë:

[

Es-selamu alejke ja resul Allah

Es-selamu alejke ja nebij Allah

Es-selamu alejke ja khijrati khalkilah min khalkihi

Es-selamu alejke ja khajra khalkilahi

Es-selamu alejke ja habijb Allah

Es-selamu alejke ja sejjid el murselin

Es-selamu alejke ja rasule rabil alemin

Es-selamu alejke ja ka’idel gurri muhaxhelijn

Esh-hedu en la ilahe il-Allah

Ue esh-hedu enneke abduhu ue rasuluhu

Ue emijnuhu ua khijretuhu min khalkihi

Ue esh-hedu enneke kad belegte er-risalate

Ue edejte el emanate ue nasahte el ummete

Ue xhehadte fil-lahi haka xhihadihi

 

“Paqja qoftë mbi ty o i Dërguar i Allahut! Paqja qoftë mbi ty o Profet i Allahut! Paqja qoftë mbi ty o më i zgjedhuri ndër krijesat e Allahut! Paqja qoftë mbi ty o i dashuri i Allahut! Paqja qoftë mbi ty o Udhëheqës i të Dërguarve (të Allahut)! Paqja qoftë mbi ty i Dërguar i Zotit të gjithësisë! Paqja qoftë mbi ty o Udhëheqës i brezit të papërsëritshëm. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se ti je robi, i dërguari, i besuari i Tij dhe më i zgjedhuri ndër krijesave të Tij. Unë dëshmoj se ti e përhape me të vërtetë mesazhin (e Allahut), e kreve amanetin, e këshillove bashkësinë muslimane (umetin) dhe luftove për hir të Allahut ashtu siç Ai e meritonte”.[45]

 

4) Më pas, duke lëvizur rreth një metër djathtas, vizitori duhet të t’i japë selam (ta përshëndesë) Ebu Bekër Es-Sidikut dhe pastaj të lëvizë përsëri dhe rreth një metër tjetër në të njëjtin drejtim dhe t’i japë selam Umer ibën Hatabit.

5) Pastaj duke u drejtuar me fytyrë nga Kibla, vizitori duhet të lutet për veten, familjen, miqtë, të afërmit e tij dhe për të gjithë muslimanët e tjerë e pastaj të largohet.

 

6) Vizitori nuk duhet ta ngrejë zërin më shumë nga sa mund të dëgjojë vetë. Njerëzit e ngarkuar për mbajtjen e rendit duhet t’i ndalojnë të tjerët që të ngrejnë zërin me urtësi dhe mirësjellje. Është transmetuar se Umer ibën Hatabi pa dy burra që ngritën zërin në Xhaminë e Profetit (a.s.) dhe u tha: “Sikur ta dija se jeni prej këtij qyteti, do t’ju kisha ndëshkuar.”[46]

 

7) Duhet shmangur prekja me duar apo puthja e varrit të Profetit, sepse vetë Profeti (a.s.) i ka ndaluar të gjitha këto lloj gjërash. Ebu Daudi transmeton nga Ebu Hurejra se Profeti (a.s.) ka thënë: “Mos i ktheni shtëpitë tuaja në varre e as mos e bëni varrin tim një vend adhurimi dhe festimi. M’i dërgoni selamet tuaja, sepse ato më përcillen mua prej kudo që të jeni”.[47]

Abdullah ibën Haseni pa një njeri që vizitonte shpesh varrin e Profetit (a.s.) dhe bënte lutje e i tha: “O filan! Profeti (a.s.) ka thënë: Mos e bëj varrin tim një vend adhurimi dhe festimi, por dërgoji selamet për mua prej kudo që të jesh, sepse selamet e tua më përcillen mua”. Nga kjo anë nuk ka dallim ndërmjet teje dhe një personi nga (një vend i largët si) Andaluzia”.

 

Vlera e faljes në Raudah

Buhariu transmeton nga Ebu Hurejra se Profeti (a.s.) ka thënë: “Largësia ndërmjet shtëpisë sime dhe minberit tim është (raudah) një[48] nga kopshtet e xhenetit dhe minberi im është mbi hauzin (burimin)tim.”[49]

 

Falja në Xhaminë e Kubas

Profeti (a.s.) shkonte atje me deve ose në këmbë çdo të shtunë dhe falte dy rekate.[50]

Ai i këshillonte të tjerët që të bënin të njëjtën gjë duke u thënë: “Kushto që merr abdes në shtëpi dhe pastaj shkon e falet në Xhaminë e Kubës, ai do të ketë një shpërblim si ai i umrës”.[51] Transmeton Ahmedi, Nesaiu, Ibën Maxhe dhe El-Hakimi, i cili thotë se ka një varg të vërtetë transmetuesish.

 

Vlerat e Medines

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Me të vërtetë besimi tubohet në Medine, ashtu si një gjarpër kthehet në skutën e tij (kur është në rrezik)”.[52]

Tabaraniu ka transmetuar nga Ebu Hurejra se Profeti (a.s.) ka thënë: “Medina është kupola e Islamit, vend i besimit, i hixhretit, i hallallit dhe i haramit”.[53]

Umeri transmeton se një herë u ngritën çmimet në Medine dhe Profeti (a.s.) u thoshte njerëzve që kishin vështirësi: “Jini të durueshëm (dhe të gëzuar) dhe pritni lajme të mira! Unë i bekova masat e ushqimit tuaj, sa’an dhe muddin. Prandaj, hani së bashku në grupe! Ushqimi për një person do të mjaftojë sa për dy; i dyve sa për katër dhe ushqimi për katër persona do të jetë i mjaftueshëm për pesë apo gjashtë veta. Bashkësia është e bereqetshme. Ai që ngulmon dhe është i durueshëm në periudhat e saj (d.m.th. Medines) të mundimeve dhe vështirësive, unë do të jem ndërmjetës dhe dëshmitar për të në Ditën e Gjykimit. Ai që largohet prej saj (d.m.th. Medines) duke përbuzur çfarë ka aty (vështirësitë), Allahu do ta zëvendësojë atë me dikë më të mirë se ai. Kushdo që do t’i bëjë keq, Allahu do ta tresë (shkatërrojë), ashtu si kripa në ujë”.[54] Transmeton Bezari më një varg të besueshëm transmetuesish.

 

Vlera e vdekjes në Medine

Tabaraniu transmeton me një varg të besueshëm transmetuesish nga një grua jetime nga Thakifi se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush ka mundësi të qëndrojë deri në vdekje në Medine, duhet të bëjë kështu, sepse po të rrijë aty, unë do të jem dëshmitari dhe ndërmjetësi i tij Ditën e Gjykimit”.[55]

Umeri i lutej Allahut që të vdiste në Medine. Buhariu transmeton nga Zejd ibën Eslemi dhe ai nga babai i tij se Umeri ka thënë: “O Allah! Më bëj dëshmor në Rrugën Tënde dhe bëj që të vdes në vendin e shenjtë të Profetit Tënd!”.[56]

 

 

[1] Buhariu 1782, 1863, Muslimi 3028, 3029, Nesai 2109, Ibën Maxheh 2994.

[2] Buhariu 1773, Muslimi 3276, Nesai 2628, Ibën Maxheh 2888.

[3] Bejhakiu 4/344, Ibën Ebi Shejbe 4/199.

[4] Bejhakiu 4/344.

[5] Maliku f. 143.

[6] Buhariu 1564, 3832, Muslimi 2999, Nesai 2812.

[7] Hadith Sahih. Ebu Daudi 1993, Tirmidhiu 816, Ibën Maxheh 3003.

[8] Hadith me sened Daif. Tirmidhiu 931, Ahmedi 11/58.

[9] Buhariu 1774.

[10] Buhariu 1785.

[11] Vend i caktuar për ihramin.

[12] Buhariu 1522.

[13] Pasi banori i Mekës, duke qenë se jeton në Mekë nuk ka arsye përse të kryejë Tavafin e Lamtumirës.

[14] Maliku 517, Bejhakiu 5/162.

[15] Buhariu 1755, 1760, Muslimi 3207.

[16] Buhariu 1760, Muslimi 3207.

[17] Buhariu 1757, Muslimi 3209.

[18] Muslimi 3206, Ebu Daudi 2002, Ibën Maxheh 3070.

[19] Ibën Haxheri, në “Telhisul Habir” 2/288 thotë: “Shafiu nuk e ka përmendur me sened këtë transmetim.”

[20] Buhariu 1804, 3001, 5429, Muslimi 4938, Ibën Maxheh 2882.

[21] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 1379, “Sahihul Xhami” 732. E ka nxjerrë Darakutni 289, el Hakim 1/477, Bejhakiu 5/259.

[22] Buhariu 3933 me të njëjtin kuptim, Muslimi 3284, 3285 Tirmidhiu 949, Nesai 1453, Ibën Maxheh 1073.

[23] Tefsiri i Taberiut 4/25.

[24] Një forcë jobesimtarësh ose grupi rebelësh.

[25] Buhariu 1809.

[26] Etherin e ka përmendur Ibën Haxheri në “Fet-hul Bari” 4/5.

[27] E ka përmendur Buhariu Mualak në “Kitabul Muhsar”, tema nr. 4.

[28] Muslimi 2899. Atë e ka nxjerrë gjithashtu Buhariu 5089, Muslimi 2894, 2895, Nesai 2767; nga Aisha (radiallahu anha).

[29] Këto ethere i ka përmendur Ibën Haxheri në “Fet-hul Bari” 3/536.

[30] Maliku në Muata 506. Ibën Haxheri e ka quajtur të saktë, në “El fet-h” 3/536.

[31] El Azraki në librin “Ahbaru Mekete” 1/318.

[32] El Azraki në librin “Ahbaru Mekete” 1/327.

[33] El Azraki në librin “Ahbaru Mekete” 1/323.

[34] Zonë e caktuar në Mekë, ku hyjnë në fuqi ndalesa të caktuara.

[35] Hadith Daif. “El Mishkat” 2723, “Daiful Xhami” 184. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2020.

[36] Sipërfaqe e ngushtë në formë gjysmëharkore ngjitur me Qaben i quajtur gjithashtu Hixhri i Ismailit.

[37] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 2462. E ka nxjerrë Ahmedi 2/196, 219.

[38] Buhariu 2118, Muslimi 7173.

[39] Buhariu 1189, Muslimi 3370, Ebu Daudi 2033, Nesai 699.

[40] Buhariu 3366, 3425, Muslimi 1161, Nesai 689, Ibën Maxheh 753.

[41] Hadith Sahih. “El Irva” 1129, “Sahihul Xhami” 3838. E ka nxjerrë Ahmedi 3/343, 397, Ibën Maxheh 1406.

[42] Hadith Munker – i huaj, i refuzuar. “Ed Daife” 364. E ka nxjerrë Ahmedi 3/155, Taberani në “El Eusat” 2/32 – 5576.

[43] Janë përmendur më parë.

[44] Sipas një hadithi raudah (fjalë për fjalë do të thotë kopësht) është hapësira në Xhaminë e Profetit ndërmjet varrit dhe minberit. Siç thuhet në hadithin më poshtë, Profeti (a.s.) ndërroi jetë në shtëpinë e tij dhe aty u varros.

[45] Ky selam i gjatë është i pabazë. Atë e ka përmendur Gazaliu. E ligjëruar është vetëm dhënia e selamit shkurt si zakonisht, si për Pejgamberin edhe për Ebu Bekrin dhe Umerin. “Haxhi i Pejgamberit” 1/138-140.

[46] Buhariu 470, Bejhakiu 2/448.

[47] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1910, 2418, “El Mishkat” 926, “Sahihul Xhami” 7226. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2042

[48] Thuhet se kjo fjalë e Profetit (a.s.) duhet marrë në kuptimin që ajo çka ndodh dhe praktikohet aty në fushat e adhurimit dhe dijes i ngjan një kopshti prej kopshteve të Xhenetit. Është njëlloj si fjala tjetër e Profetit (a.s.) që thotë: “Nëse kaloni pranë kopshteve të Xhenetit, kënaquni në to!” I thanë: “E cilat janë kopshtet e Xhenetit, o i Dërguari i Allahut?” Tha: “Rrethet e njerëzve që kujtojnë Allahun me përmendjen e Tij (Dhikër)”.

[49] Buhariu 1195, Muslimi 3356.

[50] Buhariu 1193, Muslimi 3376, Ebu Daudi 2040, Nesai 698.

[51] Hadith Sahih. “Et Targib” 1181, “Sahihul Xhami” 6154. E ka nxjerrë Nesai 699, Ibën Maxheh 1412, Ahmedi 3/487, El Hakim 3/12.

[52] Buhariu 1876, Muslimi 372, Ibën Maxheh 3111.

[53] Hadith Daif. “Ed Daife” 761, “Daiful Xhami” . E ka nxjerrë Taberani në “El Eusat” 1/124, Ibën Hibani në “Eth Thikat” 2/112 dhe në “Ed Duafa” 3/151.

[54] Hadith Munker – i huaj, i refuzuar. “Et Targib” 765.

[55] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 2928. E ka nxjerrë Taberani në “El Kebir” 24/331, Ibën Hibani 1032, Bejhakiu në “Shuabul Iman” 2/1/83.

[56] Buhariu 1890.