HAXHI DHE UMRA (7)

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve me gjykimet e shejh Albanit: Rrugetepaqes.net


Kafshët për kurban

Këto kafshë sillen në Xhaminë e Shenjtë për të kërkuar afërsinë dhe kënaqësinë e Allahut, i Cili thotë në Kuran:

وَالْبُدْنَ جَعَلْنَاهَا لَكُمْ مِنْ شَعَائِرِ اللَّهِ لَكُمْ فِيهَا خَيْرٌ فَاذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ عَلَيْهَا صَوَافَّ فَإِذَا وَجَبَتْ جُنُوبُهَا فَكُلُوا مِنْهَا وَأَطْعِمُوا الْقَانِعَ وَالْمُعْتَرَّ كَذَلِكَ سَخَّرْنَاهَا لَكُمْ لَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ

“Devetë (therjen e tyre për kurban) ua kemi bërë prej dispozitave të Allahut e ju prej tyre keni dobi. Prandaj përmendeni emrin e Allahut duke qenë ato (gati për therrje) në këmbë dhe kur të shtrihen në tokë (dhe t’u dalë shpirti). Hani prej tyre dhe ushqeni nevojtarin dhe lypësin. Ne ua vëmë ato në shërbimin tuaj që ju të jeni mirënjohës”. (El-Haxh, 36).

Omeri ka thënë: “Bëni kurban, sepse Allahu e do kurbanin”. Profeti (a.s.) bëri kurban vullnetarisht njëqind deve për kënaqësi të Allahut.[1]

 

Kafshët më të mira për kurban

Dijetarët kanë rënë dakord se kurbani duhet të jetë prej kafshëve të mëposhtme, të cilat janë renditur sipas epërsisë që kanë në kurban: devetë, më pas lopët, pastaj delet e kështu me radhë. Deveja është më me përfitim për të varfërit për shkak të madhësisë së saj (më shumë njerëz mund të përfitojnë prej mishit të saj) dhe në mënyrë të ngjashme, një lopë është më e dobishme se një dele.

Megjithatë, ka një ndryshim mendimesh përsa i përket se çfarë është më e mira për një individ që të bëjë kurban duke ndarë një të shtatën e çmimit të tyre. Pra, të marrë pjesë në bërjen kurban të një deveje, lope apo dele. Në dukje, parapëlqimi nga kjo anë lidhet me atë që është me e dobishme dhe me përfitim për të varfërit dhe nevojtarët.

 

Numri minimal për të bërë kurban

Njeriu mund të zgjedhë të bëjë kurban çfarëdolloj kafshe. Profeti (a.s.) bëri kurban njëqind deve vullnetarisht. Numri minimal i kafshëve që një person është i detyruar të bëjë kurban është një dele ose një e shtata e një deveje apo lope (duke ndarë një të shtatën e çmimit të tyre). Një deve ose lopë mund të bëhet kurban në emër të shtatë personave.

Në lidhje me këtë Xhabiri ka thënë: “Ne e kryenim haxhin me Profetin (a.s.) dhe thernim një deve për shtatë veta ose një lopë për shtatë veta”.[2] Transmeton Muslimi dhe Ahmedi.

Nuk është e nevojshme që të gjithë ortakët të jenë të një mendjeje për të qenë kurbani i pranueshëm. Kështu, nëse disa e bëjnë për kënaqësi të Allahut, ndërsa të tjerët për të marrë mish, përsëri kurbani do të ishte i vlefshëm. Megjithatë, shkolla hanefite mendon se një kusht i domosdoshëm është se të gjithë ortakët duhet të kenë në mendje kënaqësinë e Allahut kur therin kurbanin.

 

Kur është e detyrueshme që të bëhet kurban një deve?

Bërja kurban e nje deveje është e detyrueshme për atë haxhi që kryen tavafin në gjendje papastërtie (xhunub) ose për një pelegrine femër, e cila kryen tavafin ndërsa është ende me menstruacione ose lehonë pas lindjes së fëmijës. Po ashtu, kjo është detyrë edhe për atë haxhi që kryen marrëdhënie seksuale me bashkëshorten pasi ka kaluar ditën në Arafat, por përpara rruajtjes apo prerjes së flokëve. Po ashtu, kjo gjë është e detyrueshme edhe për atë haxhi që betohet të bëjë kurban një deve. Pra, në të gjitha këto raste, ai duhet të bëjë kurban një deve dhe nëse nuk gjen dot një deve, atëherë, në vend të saj duhet të bëjë kurban shtatë dele.

Ibën Abasi transmeton se një burrë shkoi te Profeti (a.s.) dhe i tha se duhet të bënte kurban një deve, për të cilën ishte në gjendje ta përballonte si shpenzim, por nuk po gjente dot një të tillë. Për këtë, Pejgamberi (a.s.) i tha: “Bli shtatë dele dhe bëji kurban në vend të devesë.” [3] Kjo është transmetuar nga Ahmedi dhe Ibën Maxhe me një varg të sigurt transmetuesish.

 

Llojet e kurbanit

Kurbani mund të ndahet në dy kategori: i pëlqyeshëm (mustehab); i detyrueshëm (vaxhib).

Sa për kategorinë e kurbanit të pëlqyeshëm, një shembull është ajo çfarë kërkohet për haxhilerët që kryejnë vetëm haxhin (haxhin Ifrad) ose vetëm umren. Sa për kategorinë e kurbanit të detyrueshëm, ajo mund të ndahet në:

1,2- Atë që është i detyrueshëm për ata që kryejnë Haxhin kiran (duke ndërthurur haxhin dhe umren pa një pushim në mes), ose Haxhin Temettu’ (duke ndërthurur haxhin dhe umren me një pushim në mes).

3- Atë që është i detyrueshëm për haxhiun që lë pa kryer një rit të rëndësishëm (vaxhib) të haxhit, p.sh. goditjen me gurë, veshjen e ihramit në një mikat (një vend i caktuar për të hyrë në gjendjen e ihramit) ose bashkimin e ditës dhe natës kur qëndrohet në Arafat. Po ashtu, edhe në rastin e kalimit të natës në Muzdelife ose Mina apo largimi nga Meka pa kryer Tavafin el-Veda (rrethrrotullimin e Lamtumirës).

4- Atë që është i detyrueshëm (vaxhib) për haxhilerët që bëjnë diçka të ndaluar në gjendjen e ihramit, përveç marërdhenieve seksuale, si hedhje të parfumit apo rruajtje.

5- Atë që është i detyrueshëm (vaxhib) për kryerjen e një krimi brenda rrethinave të shenjta të Haramit, si gjuetia dhe prerja e drurëve atje. Të gjitha këto janë shpjeguar më lart në ndarjet përkatëse.

 

Kushtet e kurbanit

Kafsha për kurban duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:

1- Duhet të jetë dyvjeçare, përveç deles. Sa për delen, mund të bëhet kurban edhe një qingj gjashtëmuajsh, por duhet që të jetë i majmë dhe i shëndetshëm.

Sa për devenë, ajo duhet të jetë të paktën pesëvjeçare, lopa duhet të jetë dyvjeçare dhe dhia duhet të jetë të paktën njëvjeçare.

2- Kafsha për kurban duhet të jetë e shëndetshme dhe pa asnjë të metë fizike. Nuk duhet të jetë me një sy, nuk duhet të çalojë, nuk duhet të jetë me zgjebe apo të jetë shumë e dobët dhe e pafuqishme.

El-Hasani citon dijetarët të kenë thënë: “Nëse dikush blen një kafshë të shëndetshme për ta bërë kurban, por më vonë, përpara se ta therë kafsha sëmuret ose humb ndonjë sy apo fillon të çalojë, atëherë ai mund ta therë atë si kurban dhe kjo do t’i mjaftojë atij për të përmbushur detyrimin”. Transmeton Seid ibën Mensuri.

 

Përzgjedhja e kafshës për kurban

Maliku ka transmetuar nga Hisham ibën Urvah se babai i këtij të fundit u thoshte djemve të tij: “O bijtë e mi! Mos bëni kurban për hir të Allahut një kafshë të tillë që ju do ta ndjenit veten ngushtë po t’ia jepnit si dhuratë një mikut tuaj të ngushtë dhe të repsektuar. Allahu është më i Nderuari e më Bujari dhe Ai meriton më shumë se kushdo tjetër që t’i falet më e mira e asaj që keni”.[4]

Seid ibën Mensuri transmeton se, njëherë, Ibën Umeri hipi mbi një deve të hijshme, të cilën ai e pëlqente shumë dhe tha duke e admiruar: “E shkëlqyer! E shkëlqyer!”. Pastaj zbriti prej saj dhe i vuri shenjën e kurbanit për ta flijuar për kënaqësinë e Allahut.

 

Shenjimi i kafshës për kurban dhe vënia e një qaforeje

Ish’ar (ose shenjim) do të thotë se një deve apo lopë që do të theret është shenjuar duke i prerë në njërën anë gungat në kurriz. Kjo shërben për të shënuar se ato janë të caktuara për t’u bërë kurban, kështu që askush nuk duhet t’u bëjë atyre ndonjë dëm.

Edhe taklidi ose vënia e një qaforeje do të thotë të vendosësh një copë lëkure rreth qafës së një kafshe për kurban për ta shenjuar atë si të tillë. Profeti (a.s.) i vuri qafore deleve që ai kishte përcaktuar për kurban dhe i dërgoi ato në Mekë me Ebu Bekrin, kur kreu haxhin në vitin e nëntë.[5]

Është vërtetuar se Profeti (a.s.) i vuri qafore kafshëve të tij për kurban, i shenjoi ato dhe veshi ihramin për të kryer umren në kohën e Hudejbijes.[6] Shumica e dijetarëve, përveç Ebu Hanifes, janë të mendimit se shenjimi i kafshëve për kurban është një veprim i pëlqyeshëm.

 

Urtësia e Isharit dhe Taklidit

Urtësia pas këtyre dy veprimeve ka të bëjë me nderimin për urdhërat e Allahut dhe kjo është një shprehje e këtij nderimi. Veç kësaj, kjo shërben si një mjet për t’i bërë me dije njerëzit se këto kafshë janë rrugës për në Shtëpinë e Shenjtë, që të theren atje për kënaqësinë e Tij.

 

Hipja mbi kafshët që janë caktuar për kurban

Lejohet hipja mbi kafshët që janë caktuar për kurban. Po ashtu është dhe përfitimi prej tyre si devetë, lopët etj.

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

لَكُمْ فِيهَا مَنَافِعُ إِلَى أَجَلٍ مُسَمًّى ثُمَّ مَحِلُّهَا إِلَى الْبَيْتِ الْعَتِيقِ

“Ju keni dobi nga ato (shenja-kurbanë) për një kohë të caktuar, e pastaj vendi i tyre është te Shtëpia e Lashtë”. (El-Haxh, 30).

Dahaku dhe Atau kanë thënë: “Përfitimi prej tyre këtu e ka kuptimin te përdorimi i tyre për t’i ngarë kur është e nevojshme dhe përfitimi prej qumështit dhe leshit të tyre”. Fraza “një kohë e caktuar” lidhet me periudhën që nga koha kur një haxhi e shenjon kafshën për ta bërë kurban derisa ajo të theret. Për sa u përket fjalëve: “… dhe pastaj vendi i tyre është te Shtëpia e Lashtë” lidhet me ditën e Kurbanit, pikërisht ditën e dhjetë të Dhul-Hixhes.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) pa një burrë që po tërhiqte devenë e tij për në vendin e kurbanit. Profeti (a.s.) i tha: “Hipi!” Burri iu përgjigj: “Është kafshë për kurban”. Profeti (a.s.) i tha dy a tri herë: “I mjeri ti, hipi!” [7] Transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi dhe Nesaiu.

Gjithashtu, ky është mendimi i Ahmedit, Is’hakut dhe pajtohet me një qëndrim të mirënjohur të Malikut. Ndërsa Shafiu mendon se një person mund t’i hipë një kafshe të tillë, nëse e ka të nevojshme.

 

Koha e prerjes së kurbanit

Dijetarët kanë mendime të ndryshme rreth kohës së prerjes së kurbanit. Sipas Shafiut, kurbani duhet bërë ditën e Nehrit (ditën e Kurbanit), të dhjetën ditë të Dhul-Hixhes dhe gjatë ditëve të Teshrikut (dita e njëmbëdhjetë, e dymbëdhjetë dhe e trembëdhjetë e Dhul-Hixhes). Imam Shafiu e bazon këtë te fjalët e Profetit (a.s.): “Të gjitha ditët e Teshrikut janë ditë për Kurban”.[8] Transmeton Ahmedi.

Nëse dikujt i kalon koha e prerjes së kurbanit, atëherë ai duhet të therë një kafshë më vonë për ta zëvendësuar. Maliku dhe Ahmedi mendojnë se, pavarësisht nëse therja e një kafshe është e detyrueshme apo akt vullnetar adhurimi, ajo duhet bërë gjatë ditëve të caktuara. Gjithashtu, shkolla hanefite ka të njëjtën pikëpamje në lidhje me pelegrinin që kryen Haxhin Temettu’ apo Haxhin Kiran. Ky haxhi duhet të therë kafshën gjatë ditëve të caktuara (teshrikut).

Përveç këtij lloji kurbani, të tjerë kurbanë mund të theren në çdo kohë gjatë vitit.

Këta lloje kurbanësh aplikohen për përmbushjen e ndonjë betimi, shlyerjen e mëkateve, kurbanin si akt vullnetar adhurimi etj.

Ebu Seleme ibën Abdurrahmani dhe En-Nahiu kanë treguar se koha për therjen e kurbanit është që nga dita e Kurbanit deri në fund të muajit Dhul-Hixhe.

 

Vendi i therjes së Kurbanit

Kurbani, qoftë i detyrueshëm apo vullnetar, nuk mund të bëhet përveçse në rrethinat e shenjta të Haremit. Haxhiu mund të bëjë kurban kafshën që ka caktuar për këtë qëllim kudo që të jetë brenda këtyre rrethinave.

Xhabiri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “E gjithë Mina është vend për therjen e kurbanëve, e tërë Muzdelifa është vend për të kaluar natën dhe të gjitha rrugët e Mekës janë vendkalime dhe vende për të bërë kurbane”.[9] Transmeton Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

Megjithatë, për haxhiun është më e pëlqyeshme që ta therë kurbanin e vet në Mina. Për atë që kryen umren, është e pëlqyeshme që ta therë kurbanin afër Merves, meqë ky është vendi ku haxhilerët dalin nga gjendja e ihramit, si për haxhin ashtu edhe për umren.

Maliku ka transmetuar se atij i kishin thënë se Profeti (a.s.) kishte thënë në Mina: “Ky është një vend për të therur kurban dhe e gjithë Mina është vend për therjen e kurbanit”. Duke folur rreth umres, Profeti (a.s.) ka thënë: “Kjo (Merva) dhe të gjitha rrugët e Mekës janë vende për therjen e kurbanëve”.[10]

 

Therja e deveve më këmbë

Pëlqehet që devetë të theren gjatë kohës që ato qëndrojnë më këmbë me këmbën e majtë të lidhur si në hadithet e mëposhtme:

1) Muslimi transmeton nga Zijad ibën Xhubejri se Ibën Umeri hasi një burrë që po therte një deve ndërsa ajo rrinte ulur. Ai i tha burrit: “Lëre të ngrihet dhe lidhja këmbët, se ky është suneti i Profetit tënd”.[11]

2) Ebu Daudi transmeton nga Xhabiri se Profeti (a.s.) dhe shokët e tij i thernin devetë për kurban me këmbët e majta të lidhura dhe duke qëndruar mbi tri këmbë.[12]

3) Hakimi transmeton nga Ibën Abasi në lidhje me vargun kuranor: “…andaj përmendeni emrin e Allahut duke qenë ato (të përgatitura për therrje) në këmbë …” (El-Haxh, 36), se ai intepretonte se ka kuptimin “duke qenë të përgatitura dhe duke qëndruar mbi tri këmbë.

Sa për lopët dhe delet, është e pëlqyeshme që ato të theren duke qenë shtrirë. Sipas disave, nuk është e pëlqyeshme që të theret më këmbë një kafshë që duhet të theret shtrirë dhe anasjellas. Të tjerët nuk pajtohen me këtë dhe mendojnë se nuk është e papëlqyeshme.

Pëlqehet që haxhiu ta therë kafshën me duart e veta nëse është e mundur, përndryshe, ai mund të caktojë dikë tjetër ta bëjë këtë në vend të tij, por duhet që të jetë i pranishëm vetë aty.

 

Shpërblimi i kasapit me mish kurbani

Nuk është e lejueshme që kasapi të shpërblehet me mishin e kafshës. Megjithatë, një kasapi mund t’i jepet një hise e caktuar e mishit për bamirësi. Kjo mbështetet në thënien e Aliut: “Profeti (a.s.) më urdhëroi të kujdesesha për devetë e tij që do të thereshin për kurban dhe të shpërndaja mishin, lëkurët e çdo gjë tjetër të tyren (nevojtarëve), por ai më kishte urdhëruar që të mos i jepja ndonjë hise kasapit”. Pastaj, ai tha: “Ne do t’ia japim atij nga vetja jonë (e jo nga kurbani)”.[13] Transmeton “Grupi”.

Ky hadith tregon se haxhiut i lejohet të caktojë dikë tjetër për të therur kafshën në vend të tij dhe t’ua shpërndajë mishin, lëkurën dhe pjesë të tjera të dobishme të saj njerëzve të tjerë, por atij nuk i lejohet që t’i japë si shpërblim kasapit ndonjë hise prej tij, si pagesë për punën e kryer.[14]

Megjithatë, një kasap duhet të paguhet për punën e tij siç ka thënë Profeti (a.s.): “Ne do t’i japim nga vetja jonë”.

Është transmetuar se El-Haseni ka thënë: “Nuk ka asgjë të keqe në dhënien e lëkurës së kafshës kasapit”.[15]

 

 

Ngrënia e mishit të kurbanit

Allahu i urdhëron muslimanët që të hanë kafshët e therura për kurban:

فَكُلُوا مِنْهَا وَأَطْعِمُوا الْبائس الفقير

“Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!”. (El-Haxh, 28)

Në pamje të parë, ky urdhër vlen si për kurbanin e detyrueshëm dhe për atë vullnetar. Juristët kanë mendime të ndryshme mbi këtë temë.

Ebu Hanife dhe Ahmedi janë të mendimit se haxhiu mund të hajë nga kurbani i bërë për haxhin Temettu’[16] ose haxhin Kiran[17] apo i flijuar vullnetarisht, por nuk mund të hajë ndonjë kurban tjetër.

Maliku mendon se haxhiu mund të hajë nga një kafshë e bërë kurban si dënim për prishjen e haxhit të mëparshëm, për moskryerjen e haxhit, për kurbanin e bërë nga haxhiu që kryen haxhin temettu ose çfarëdo kafshe tjetër të bërë kurban, përveç asaj të flijuar si dëmshpërblim për vrasjen e një kafshe të egër e ajo që është bërë kurban për ndonjë detyrim të haxhit që është lënë për shkak të ndonjë sëmundjeje apo atë që është bërë nijet për të varfërit dhe që është flijuar vullnetarisht, përveçse kur ekziston frika se kafsha do të dëmtohet përpara se të arrijë në vendin e kurbanit.

Shafiu mendon se personit nuk i lejohet të hajë nga një kurban i detyrueshëm, p.sh. një kurban i detyrueshëm i bërë për dënim ose një i tillë i bërë për vrasjen e një kafshe të egër ose një që flijohet për prishjen e haxhit, ose për haxhin Temettu apo haxhin Kiran.

Po ashtu, edhe atë për të cilin haxhiu është zotuar. Megjithatë, në rastin e kurbanit vullnetar, një person mund të hajë prej tij vetë si edhe t’u japë dhe të tjerëve.

 

Sasia e mishit që duhet të hahet nga kurbani

Një person që bën kurban mund të konsumojë pa asnjë kufizim çfarëdo sasie mishi që mund të dëshirojë. Po ashtu, ai mund të falë apo japë për bamirësi sasinë që dëshiron. Disa prej dijetarëve kanë thënë se një person mund të hajë gjysmën dhe të japë gjysmën tjetër për bamirësi, ndërsa disa të tjerë kanë thënë se mishi duhet të ndahet në tri pjesë; njërën pjesë mund ta mbajë për vete, një pjesë tjetër ta shpërndajë dhe pjesën e mbetur ta japë për bamirësi.

 

Rruajtja apo prerja e flokëve

Praktika e rruajtjes apo prerjes së flokëve është pohuar nga Kurani, Suneti i Profetit (a.s.) dhe konsensusi i dijetarëve. Lidhur me këtë, Allahu i Madhëruar thotë:

لَقَدْ صَدَقَ اللَّهُ رَسُولَهُ الرُّؤْيَا بِالْحَقِّ لَتَدْخُلُنَّ الْمَسْجِدَ الْحَرَامَ إِنْ شَاءَ اللَّهُ آمِنِينَ مُحَلِّقِينَ رُءُوسَكُمْ وَمُقَصِّرِينَ لاَ تَخَافُونَ

 “Allahu e vërtetoi ëndrrën e të dërguarit të Vet, se me lejen e Allahut do të hyni në Xhaminë e Shenjtë (në Qabe) të siguruar, të rruani flokët e kokave tuaja, t’i shkurtoni ato pa pasur frikë”. (El-Fet’h, 27).

Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar se Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu i mëshiroftë të gjithë ata që rruajtën kokat e tyre!” Shokët e pyetën: “O i Dërguar i Allahut! Po ata që i presin flokët shkurt?” Pas kësaj, Profeti (a.s.) tha përsëri: “Allahu i mëshiroftë të gjithë ata që rruajtën kokat e tyre!” Ata e përsëritën pytjen dhe përsëri Profeti (a.s.) tha: “Allahu i mëshiroftë të gjithë ata që rruajtën kokat e tyre!” Dhe kur ata e pyetën për herë të tretë, Profeti (a.s.) u përgjigj: “(Allahu i mëshiroftë) Dhe ata që i presin flokët shkurt!”[18].[19]

Gjithashtu, Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Profeti (a.s.) e rruajti kokën. Kështu bënë dhe një grup i shokëve të tij, ndërsa të tjerët vetëm i prenë flokët shkurt.[20]

Rruajtje këtu ka kuptimin e heqjes së flokëve me brisk, me ndonjë mjet tjetër të ngjashëm ose shkuljen e tyre. Megjithatë, është e mjaftueshme që të hiqen së paku tri fije floku. Prerja e flokëve shkurt ka kuptimin e prerjes së flokëve në gjatësinë e një maje gishti.[21] Megjithatë, shumica e juristëve nuk ndajnë të njëjtat pikëpamje në lidhje me këtë çështje. Shumica e dijetarëve mendojnë se rruajtja apo prerja e flokëve shkurt është e detyrueshme dhe ai që nuk e bën këtë duhet të therë një kafshë si dëmshpërblim. Shkolla shafite është e mendimit se rruajtja apo shkurtimi i flokëve është pjesë përbërëse (rukn) e haxhit.

 

Koha për rruajtjen apo shkurtimin e flokëve

Haxhiu mund të rruajë apo presë shkurt flokët menjëherë pasi godet me gurë Xhemrenë El-Akabe në Ditën e Nehrit – të dhjetën ditë të Dhul-Hixhes. Megjithatë, nëse haxhiu ka me vete kafshën që do të bëjë kurban, atëherë ai mund të rruajë apo presë shkurt flokët vetëm pasi të ketë therur kafshën.

Në një hadith të transmetuar nga Ma’mer ibën Abdullahu, lexojmë se Profeti (a.s.) e theri kafshën për kurban në Mina dhe tha: “Ai më urdhëroi të rruaj (kokën)”. Transmeton Ahmedi dhe Tabaraniu.

Koha që haxhiu të rruajë apo presë flokët shkurt, ndërsa kryen umren është menjëherë pas përfundimit të sa’jit – shtatë xhirot- ndërmjet Safas dhe Merves. Sa për ata që i sjellin kafshët e tyre për kurban me vete, ata mund të rruhen menjëherë pas t’i kenë therur ato.

Në kohën e rruajtjes apo prerjes shkurt të flokëve, sipas Ebu Hanifes dhe Malikut, haxhiu duhet të jetë në Haram (brenda rrethinave të shenjta të Xhamisë së Shenjtë) dhe kjo duhet të ndodhë gjatë ditëve të Kurbanit. Po ashtu, këtë mendim e mbështet edhe një transmetim i Ahmedit.

Shafiu, Muhamed ibën El-Haseni dhe një qëndrim i njohur i Ahmedit janë të pikëpamjes se rruajtja apo prerja shkurt e flokëve duhet të bëhet brenda rrethinave të shenjta të Haremit, por jo domosdoshmërisht gjatë ditëve të Nehrit. Nëse dikush e shtyn rruajtjen e kokës deri pas këtyre ditëve, ai nuk ka bërë asgjë të keqe dhe nuk merr asnjë dënim për këtë.

 

Rregullat e rruajtjes dhe shkurtimit të flokëve

Është e pëlqyeshme që kur rruan kokën, haxhiu së pari duhet të rruajë gjysmën e djathtë të kokës, pastaj të majtën, me fytyrë nga Kibla dhe duke thënë Allahu Ekber. Në fund pëlqehet që të falë dy rekate namaz.

Vakiu ka treguar se Ebu Hanife i ka thënë atij njëherë: “Unë e kisha gabim në lidhje me pesë ritet e haxhit dhe një kupavënës m’i mësoi këto duke më korrigjuar. Kjo ndodhi kur unë shkova te një kupavënës dhe e pyeta: “Sa do për të më rruajtur kokën?” Kupavënësi më tha: “Nga Iraku je?” Unë i thashë: “Po.” Kupavënësi më tha: “Ulu, ky është një rit i haxhit dhe asnjë kusht nuk mund të vihet për të’. Unë u ula me fytyrë paksa anash drejtimit të Kiblës. Në atë moment ai më tha: “Ktheje fytyrën drejt Kiblës”. Unë i ktheva atij anën e majtë të kokës për ta rruajtur të parën, gjë për të cilën ai më tha: “Kthe anën e djathtë të kokës që të mund ta rruaj të parën”. Unë ktheva anën e djathtë dhe po rrija në heshtje. Ai foli përsëri: “Thuaj Allahu Ekber”, gjë të cilën e bëra derisa u ngrita për t’u larguar. Ai më tha: “Ku po shkon?” Unë i thashë: “Po shkoj te çadra ime”. Ai tha: “Përpara se të largohesh fal dy rekate namaz!” Unë e pyeta: “Ku i ke mësuar të gjitha këto?” Ai u përgjigj: “Kam parë Ata’ ibën Ebi Rabahun duke vepruar kështu”. Kjo është transmetuar nga El-Muhib El-Tabari.

 

Pëlqehet që të kalohet brisku edhe mbi kokën e një qerosi

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se në rastin e një qerosi, i cili ka pak ose aspak flokë, pëlqehet që të kalohet brisku mbi kokën e tij. Ibën El-Mundhiri ka thënë: “Të gjithë dijetarët që njohim e pranojnë që mbi kokën e një qerosi të kalohet një brisk”. Ndërsa Ebu Hanife është i mendimit se veprimi i lartpërmendur është i detyrueshëm.

 

Prerja e thonjve dhe shkurtimi i mustaqeve

Pëlqehet për haxhilerët që rruajnë ose presin flokët shkurt të presin thonjtë e të shkurtojnë mustaqet. Sa herë që Ibën Umeri rruante ose priste shkurt flokët e tij në haxh apo umre, ai i priste gjithmonë thonjtë, i shkurtonte mustaqet dhe merrte nga mjekra e tij.[22]

Ibën El-Mundhiri ka thënë: “Është vërtetuar se, kur Profeti (a.s.) i rruante ose priste shkurt flokët, ai priste edhe thonjtë”.[23]

 

Gruaja duhet t’i shkurtojë flokët, por ndalohet t’i rruajë ato

Ebu Daudi dhe të tjerë kanë transmetuar nga Ibën Abasi se Profeti (a.s.) ka thënë: “Gratë (pelegrine) nuk duhet t’i rruajnë (kokat e tyre), ato duhet që vetëm t’i shkurtojnë flokët”.[24] El-Hafidhi e konsideron këtë një hadith të besueshëm.

Ibën El-Mundhiri ka thënë: “Dijetarët kanë rënë dakord në lidhje më këtë çështje, sepse rruajtja e kokës së gruas është një lloj ndëshkimi për të”.

 

Sa duhet t’i presë flokët gruaja?

Ibën Umeri ka thënë: “Kur një grua (pelegrine) dëshiron të presë flokët, ajo mund t’i hedhë përpara vetes dhe t’i presë sa një majë gishti”.[25]

Sipas mendimit të Ataut, gruaja, kur pret flokët, duhet t’i presë ato që janë anash kokës, si në rastin kur flokët janë të gjatë ashtu dhe kur janë të shkurtër.

Kjo është transmetuar nga Seid ibën Mensuri. Të tjerë mendojnë se nuk ka kufij përsa i përket gjatësisë së flokëve që një grua duhet të presë. Shkolla shafite mendon se prerja e vetëm tri fije floku është e mjaftueshme për një pelegrine.

 

Tavaf El-Ifada

Ndër muslimanët ka një miratim të përgjithshëm se Tavaf El-Ifada është një nga elementet themelore të haxhit dhe nëse dikush nuk mund ta zbatojë atë, haxhi i tij është i pavlefshëm. Ky veprim bazohet në thënien e Allahut të Madhëruar: “…le të sillen (bëjnë tavaf) rreth Shtëpisë së Lashtë”. (El-Haxh, 29).

Sipas Ahmedit, haxhiu duhet të bëjë nijet të përcaktuar për kryerjen e këtij tavafi. Tre imamët e tjerë mendojnë se nijeti për të kryer haxhin mbulon dhe vlen për të gjitha ritet e tij, përfshirë edhe Tavaf El-Ifada.Shumica e dijetarëve mendojnë se Tavaf El-Ifada përbëhet nga të shtata xhirot rreth Qabes.

Megjithatë, Ebu Hanife mbron pikëpamjen se vetëm katër nga shtatë xhirot janë të rëndësishme në haxh dhe nëse këto katër xhiro lihen pa bërë, atëherë haxhi bëhet i pavlefshëm. Sipas Ebu Hanifes tri xhirot e mbetura janë të detyrueshme, por nuk janë kusht i domosdoshëm për kryerjen e haxhit. Haxhiu që nuk bën një apo të trija këto xhiro, humbet një pjesë të detyrueshme, por kjo gjë nuk e bën të pavlefshëm haxhin e tij, megjithëse ai duhet të bëjë një kurban si dëmshpërblim për këtë.

 

Koha kur duhet kryer Tavaf El-Ifada

Sipas Shafiut dhe Ahmedit, koha e parë për ta kryer atë fillon që nga mesnata e ditës së Kurbanit dhe përfundimi i saj është i pacaktuar. Megjithatë, haxhiut nuk i lejohet të ketë marrëdhënie seksuale me gruan e tij deri pasi të kryejë Tavaf El-Ifadan. Shtyrja e tij përtej ditëve të njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë dhe të trembëdhjetë të Dhul-Hixhes, nuk e detyron atë të therë një kafshë, por kjo gjë nuk është e pëlqyeshme.

Koha më e mirë për të kryer këtë Tavaf është përpara mesditës së Ditës së Kurbanit në ditën e dhjetë të Dhul-Hixhes. Sipas Ebu Hanifes dhe Malikut, koha e tij fillon me agimin e ditës së Bajramit. Ndërsa përsa i përket përfundimit të tij, dijetarët kanë mendime të ndryshme. Ebu Hanife mendon se duhet të kryhet gjatë Ditëve të Nehrit, por nëse e shtyn përtej tyre, atëherë ai duhet të therë një kafshë si dëmshpërblim për të. Nga ana tjetër, Maliku mbron pikëpamjen se nuk ka asgjë të keqe në shtyrjen e këtij riti deri pas ditës së trembëdhjetë të Dhul-Hixhes, edhe pse është më mirë që të bëhet më herët (gjatë ditëve të Teshrikut).

Koha për të është deri në fund të muajit Dhul-Hixhe dhe nëse kryhet pas tij, atëherë haxhiu duhet të therë një kafshë si dëmshpërblim. Haxhi i një personi të tillë do të jetë përsëri i vlefshëm, sepse sipas Malikut i gjithë muaji i Dhul-Hixhes përfshihet në muajt e haxhit.

 

Gratë dhe Tavaf El-Ifada

Pëlqehet që gratë ta kryejnë Tavaf El-Ifadan herët në ditën e Kurbanit, nëse ato kanë frikë se mos u fillojnë menstruacionet. Transmetohet se Aishja i urdhëronte gratë pelegrine që ta kryenin atë në ditën e dhjetë të Dhul-Hixhes si masë paraprake ndaj menstruacioneve.

Atau ka thënë: “Nëse një grua pelegrine ka frikë se mos i afrohen menstruacionet, ajo mund ta kryejë Tavafin rreth Qabes përpara së të gjuajë gurët në Xhemren El-Akaba, madje përpara sesa të theret kafsha e saj për kurban”.

Nuk ka asgjë të keqe që një grua pelegrine të marrë ndonjë ilaç për të vonuar të përmuajshmet, në mënyrë që të ketë mundësi ta kryejë këtë Tavaf. Seid ibën Mensuri transmeton se Ibën Umeri u pyet për një grua që merrte ilaçe për të vonuar të përmuajshmet dhe ai tha se nuk shihte gjë të keqe në të dhe tha që të përdornin ujin e Arakut.

Muhibudin El-Taberi ka thënë: “Nëse gruaja mund të vonohet në këtë rast nga menstruacionet, atëherë ajo mund të vonohet edhe në përcaktimin e periudhës së idetit (koha e pritjes pas divorcit) dhe të gjitha situatave të tjera. Sipas të njëjtit parim, ilaçet mund të përdoren edhe për të përshpejtuar menstruacionet”.

 

Qëndrimi në luginën e El-Muhasabit[26]

Është vërtetuar se Profeti (a.s.) qëndroi në El-Muhasab gjatë rrugës nga Mina për në Mekë. Aty ai fali namazet e drekës, iqindisë, akshamit dhe jacisë. Pastaj fjeti pak. Ibën Umeri bënte gjithmonë të njëjtën gjë.[27]

Ndër dijetarët ka mendime të ndryshme përsa i përket faktit se sa e dëshirueshme është kjo. Aishja ka thënë se Profeti (a.s.) qëndroi në El-Muhasab sepse ishte më e lehtë që të vepronte kështu, por kjo gjë nuk është sunet. Si rrjedhim, haxhiu mund të veprojë ose jo kështu.[28]

Hatabi ka thënë se kjo ishte diçka e praktikuar më parë, por më vonë u braktis. Tirmidhiu ka thënë se disa dijetarëve u pëlqente të pushonin në El-Abtah, pa trajtuar si të nevojshme këtë, veç për ata që e pëlqenin.

Urtësia në pushimin në këtë vend është për të falënderuar Allahun për atë që Ai i dha Profetit (a.s.) fitoren mbi armiqtë e tij, të cilët bojkotuan Benu Hashimin dhe Benu El-Mutalibin dhe u betuan të mos martoheshin me gratë e tyre e as t’u shisnin ndonjë gjë atyre, po të mos ua dorëzonin Profetin (a.s.).

Ibën El-Kajimi ka thënë: “Profeti (a.s.) kishte ndërmend të shpallte ritet e Islamit në një vend ku dominonte mosbesimi, blasfemia dhe armiqësia ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij”.

Kjo ishte praktika e zakonshme e Profetit (a.s.). Ai shfrytëzonte çdo rast për të shpallur njëshmërinë e Allahut në vende të zotëruara më parë nga simbolet e mosbesimit dhe politeizmit. Një shembull i tillë është ai që Profeti (a.s.) urdhëroi që në Taif të ndërtohej një xhami, pikërisht aty ku ishin vendosur dikur idhujt e Latit dhe Uzas.

 

UMRA

Vijon …

 

[1] Buhariu 1718.

[2] Muslimi 3174, Ahmedi 13/37.

[3] Hadith Daif. “El Irva” 1062. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 3136, Ahmedi 1/311, 312.

[4] Maliku 756.

[5] Buhariu 1702, 1703, Muslimi 3188, 3190, Ebu Daudi 1755, Nesai 2785, Ibën Maxheh 3096.

[6] Buhariu 1694, 1695, Ebu Daudi 1754.

[7] Buhariu 1689, 2755, 6160, Muslimi 3195, Ebu Daudi 1760, Nesai 2798.

[8] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 2476. E ka nxjerrë Ahmedi 4/82, Bejhakiu 9/295.

[9] Hadith Hasen Sahih. “El Mishkat” 2596, “Sahihul Xhami” 4536. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1937, Ibën Maxheh 3012.

[10] Maliku 1/393.

[11] Buhariu 1713, Muslimi 3180, Ebu Daudi 1768.

[12] Hadith Mursel Sahih. “El Irva” 4/365. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1767, Bejhakiu 5/237.

[13] Buhariu 1707, 1716, 1717, 1718, 2299, Muslimi 3167, Ebu Daudi 1769, Ibën Maxheh 3099, 3157.

[14] Dijetarët muslimanë, në unanimitet, janë të mendimit për moslejimin e shitjes së lëkurës së kurbanit, apo e ndonjë pjese të tij.

[15] Ibën Ebi Shejbe 4/298.

[16] Në të cilin haxhi dhe umra janë të ndërthurura me një pushim në mes.

[17] Në të cilin haxhi dhe umra janë të ndërthurura pa një pushim në mes.

[18] Thuhet se arsyeja për përsëritjen e lutjes për ata që rruajtën kokën është e qartë që të nxiten njerëzit që më mirë t’i rruajnë sesa vetëm t’i presin shkurt flokët, sepse duke i rruajtur ato tregohet sinqeriteti dhe përulja ndaj Allahut pa u merakosur për paraqitjen e jashtme.

[19] Buhariu 1727, Muslimi 3132, 3133, Ebu Daudi 1979, Ibën Maxheh 3044.

[20] Buhariu 1727, Muslimi 3131, Tirmidhiu 913.

[21] Ibën Mundhiri ka mendimin që për rastin e shkurtimit të flokëve, vlen që ato të shkurtohen sado pak, mjaft që kjo vepër të cilësohet si shkurtim flokësh.

[22] Buhariu 5892.

[23] Ahmedi 4/42.

[24] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 605. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1985, Darakutni f. 277, Darimi 2/64.

[25] Shih “El Mugni” 5/58.

[26] El-Muhasab ose El-Ebtah është një luginë në mes dy kodrave në Mekë; Nur dhe Huxhun.

[27] Buhariu 1768, Muslimi 3155, Ebu Daudi 2013.

[28] Buhariu 1765, Muslimi 3156, Ebu Daudi 2008.