HAXHI DHE UMRA (5)

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve me gjykimet e shejh Albanit: Rrugetepaqes.net


Tavafi – rrotullimi rreth Qabes

 

Kryerja e Tavafit

1) Haxhiu duhet ta fillojë Tavafin (rrethrrotullimin) me shpatullën e djathtë të zbuluar duke e patur Qaben në anën e majtë dhe kur të jetë afër Gurit të Zi, ta puthë atë, nëse është e mundur ose ta prekë me dorë apo të tregojë me gisht në drejtim të tij duke thënë: “Bismil-lahi ue All-llahu ekber, All-llahumme imanen bike ue tasdikan bikitabike ue uefa’en bi ahdike, Ua ittiba’en li sunnetin-nebijji sal-Allahu alejhi ue sel-lem” [1] (Në emër të Allahut. Allahu është më i Madhi. O Allah! E filloj këtë tavaf me besim te Ti, duke pohuar të vërtetën në Librin Tënd, duke përmbushur premtimin tim me Ty dhe duke ndjekur shembullin e Profetit a.s.).

2) Ecja me vrap të lehtë gjatë tri xhirove të para rreth Qabes është e preferueshme. Pelegrini duhet të ecë shpejt, të rrijë sa më afër Qabes që të jetë e mundur dhe të bëjë hapa të shkurtër. Në katër xhirot e tjera duhet të ecë me hap normal. Nëse nuk është në gjendje të vrapojë lehtë apo t’i afrohet Qabes, për shkak të numrit të madh të njerëzve atje, ai mund ta kryejë tafavin në atë mënyrë që është e mundur.

Gjithashtu, preferohet të preket Këndi (Qoshja) i Jemenit (Er-Ruknul Jemani) dhe po ashtu, nëse është e mundur, preferohet të puthet apo të preket edhe Guri i Zi në secilën nga shtatë xhirot e tavafit.

3) Gjithashtu, preferohet që të përmendet Allahu dhe t’i bëhen lutje sa më shumë që të jetë e mundur. Për këtë qëllim, haxhiu mund të zgjedhë çfarëdolloj lutjeje që dëshiron, pa u kufizuar apo përsëritur atë që thonë të tjerët që ndodhen afër tij. Nuk ka asnjë lutje të përcaktuar për këtë qëllim. Lutjet që disa i marrin si të veçanta për xhiro të ndryshme të tavafit nuk kanë asnjë vlefshmëri. Asnjë prej këtyre lutjeve nuk është transmetuar nga Profeti (a.s.). Haxhiu duhet të lutet për veten, për familjen dhe vëllezërit e tij muslimanë për çfarëdo të mire në këtë jetë e në botën tjetër.

Disa nga lutjet e transmetuara në lidhje me këtë jepen më poshtë:

a- Kur ishte përballë Gurit të Zi, Profeti (a.s.) thoshte:

“Allahumme imanen bike ue tasdikan bikitabike, ue uefa’en bi ahdike ue ittiba’an li sunneti nebijjike, bismil-lahi ue Allahu ekber”[2]

(O Allah! E filloj këtë tavaf me besim te Ti, duke pohuar të vërtetën në Librin Tënd, duke përmbushur premtimin tim me Ty dhe duke ndjekur shembullin e profetit Tënd. Në emër të Allahut! Allahu është më i Madhi!)

b- Në fillim të tavafit, haxhiu duhet të thotë:

“Subhane Allah uel hamdu lil-lahi, ue la ilahe il-Allahu ue Allahu akber, ue la haule ue la kuvete il-la bil-lah”.[3] Transmeton Ibën Maxhe.

“Lavdia i takon vetëm Zotit. I gjithë falënderimi i takon Allahut, nuk ka zot tjetër përveç Tij dhe Ai është më i Madhi. Nuk ka asnjë forcë e asnjë pushtet pa lejen e Allahut”.

c- Me të mbërritur te këndi i Jemenit, duhet thënë:

“Rabbena atina fid dunja haseneten, ua fil akhireti haseneten, ua kina adhaben-nar!” [4]

(Zoti ynë! Na jep të mira në këtë botë dhe në botën tjetër dhe na shpëto nga ndëshkimi i zjarrit!)Transmeton Ebu Daudi dhe Shafiu prej Profetit (a.s.).

d- Shafiu ka thënë: “Mua më pëlqen që një pelegrin të thotë “Allahu Ekber” çdo herë që e kalon Gurin e Zi, e ndërsa shkon me vrap të lehtë duhet të lutet duke thënë:

“Allahumme ixh’alhu haxhen mebruran, ua dhenben magfuran ua sea’jen meshkuran”

(O Allah! Le të jetë ky një haxh i pranuar, me mëkate të falura dhe një përpjekje e vlerësuar mirë”. Gjatë secilës xhiro të tavafit duhet të thuhet:

“Rabbigfir uerham ua’afu amma ta‘lem, ue entel eazzul ekram, Allahumme atina fid dunja haseneten ua fil akhireti haseneten ue kina adhaben-nar!”[5]

(O Zoti im! Na fal dhe ki mëshirë për ne! Fali mëkatet tona që vetëm Ti i di, Ti je më i Nderuari dhe më Madhështori. O Allah! Jepna të mira në këtë botë dhe të mira në botën tjetër! Na mbro nga dënimi i zjarrit!)

Është transmetuar rreth Ibën Abasit se, ndërsa ai ishte duke ecur ndërmjet Këndit (Qoshes) të Jemenit dhe Gurit të Zi, thoshte:

“Allahumme kanni’ni bima razekteni, ue barik li fijhi uehluf alejje kul-le ga’ibetin bihajr!” Transmeton Seid ibën Mensuri dhe Hakimi.

(O Allah! Më bëj të ndihem i kënaqur me atë që me ke furnizuar. O Allah! Bekoje atë për mua! O Allah! Zëvendësoje çdo gjë që më mungon me diçka të mirë!).

Këndimi i Kuranit për atë që bën tavaf

Një person mund të lexojë Kuranin në kohën që kryen tavafin, sepse qëllimi i tavafit është të përkujtuarit e Allahut dhe Kurani është mënyra më e mirë për këtë. Aishja (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Tavafi rreth Shtëpisë së Allahut, ecja ndërmjet Safas dhe Merves dhe goditja e gurëve janë bërë për përmendjen e Allahut”.[6] Transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, i cili e vlerëson hasen-sahih.

 

Vlera e Tavafit

Ibën Abasi transmeton se i Dërguari i Allahut, Muhamedi (a.s.) ka thënë: “çdo ditë Allahu zbret njëqind e njëzet pjesë të mëshirës së Tij për robërit e Tij që kryejnë haxhin. Gjashtëdhjetë prej tyre janë të përcaktuara për njerëzit që kryejnë tavafin, dyzet për ata që falen atje dhe njëzet për ata që shohin (Qaben)”.[7] Transmeton Bejhakiu me varg të besueshëm transmetuesish.

4) Kur kryen tavafin, haxhiu duhet të falë dy rekate namaz në Vendqëndrimin e Ibrahimit, duke recituar vargun kuranor:

وَاتَّخِذُوا مِنْ مَقَامِ إِبْرَاهِيمَ مُصَلًّى

“Pranojeni për vendfaljeje vendin ku qëndroi Ibrahimi!” (El-Bekare, 125). Me këtë përfundon edhe tavafi.

Ky tavaf është quajtur Tavafi Kudum (Rrethrrotullimi i Mbërritjes), nëse haxhiu ka bërë nijet të kryejë vetëm haxhin (ifrad). Përndryshe, ai quhet Tavaf Tahije (Rrethrrotullimi i Përshëndetjes ose Tavafud-Duhul(Rrethrrotullimi i Hyrjes). Ky nuk është as një kusht i rëndësishëm as një detyrim. Për një pelegrin që kryen Haxhin Temettu’ (duke ndërthurur haxhin dhe umren me një pushim në mes) ose që kryen Haxhin Kiran(duke ndërthurur haxhin dhe umren pa pushim në mes), është Tavaf el Umra (Rrethrrotullimi i Umrës) dhe pasi ta këtë kryer atë, haxhiu nuk ka nevojë të kryejë Tavafu et-Tahije ose Tavaful-Kudum. Megjithatë, ky haxhi duhet ta përfundojë umren duke bërë sa’jin (shtatë xhiro ecje) ndërmjet kodrave të Safas dhe Merves.

Llojet e Tavafit

1)      Tavafu el-Kudum (Rrethrrotullimi i Mbërritjes).

2)      Tavafu el Ifada (Kthimi nga Rrethrrotullimi i Minas)

3)      Tavafu el Veda (Rrethrrotullimi i Lamtumirës)

4)      Tavafu el Tetavu (Rrethrrotullimi vullnetar)

Haxhiu duhet ta shfrytëzojë plotësisht qëndrimin në Mekë duke kryer sa më shumë që të jetë e mundur tavafe dhe namaze vullnetare në Xhaminë e Shenjtë. Një namaz në të është më i vlefshëm se njëqind mijë të tillë në çdo xhami tjetër. Në një tavaf vullnetar, haxhiu nuk mund ta mbajë shpatullën e zbuluar dhe të ecë me vrap të lehtë. Ndryshe nga xhamitë e tjera, në të cilat ata që hyjnë në to falin dy rekate namaz si përshëndetje për xhaminë, me të hyrë në Xhaminë e Shenjtë, është sunet që të kryhet një tavaf rreth Qabes si përshëndetje për Xhaminë e Shenjtë.

 

 

Parakushtet e Tavafit

1) Pastrimi prej të gjitha papastërtive të mëdha (xhunubllëkut) e të vogla (marrja e abdesit pas kryerjes së nevojave, daljes së gazrave, etj.).[8]

Ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Tavafi është njësoj si namaz, por Allahu i Madhëruar e ka bërë të lejueshëm për atë (që kryen tavafin) të flasë. Kështu, kushdo që flet (kur është duke kryer tavafin) duhet të thotë vetëm gjëra të mira”.[9] Transmeton Tirmidhiu dhe Darakutni. Është transmetuar gjithashtu nga Hakimi, Ibën Huzejme dhe Ibën Sekeni si një hadith i besueshëm.

Aishja transmeton se Profeti (a.s.) njëherë hyri në shtëpinë e saj dhe e gjeti duke qarë. E pyeti: “A të kanë nisur rrjedhjet e tua të përmuajshme?” (d.m.th. ti po qan sepse je me menstruacione). Ajo iu përgjigj: “Po”. Pastaj Profeti (a.s.) i tha: “Kjo është një gjë e shkruar nga Allahu i Madhëruar për të gjitha bijat e Ademit. Ti duhet t’i kryesh të gjitha ritet e haxhit, përveç tavafit, të cilin duhet ta kryesh pasi të pastrohesh”.[10]Transmeton Muslimi.

Gjithashtu, Aishja (r.a.) ka thënë: “Gjëja e parë që bëri Profeti (a.s.) me të mbërritur në Mekë ishte marrja e abdesit dhe më pas tavafi rreth Qabes”.[11] Transmeton Buhari dhe Muslimi.

Ndër dijetarët pranohet përgjithësisht se, nëse një person vuan nga një sëmundje, e cila bën që ai të jetë në mënyrë të vazhdueshme i papastër fizikisht, si p.sh.: rrjedhja e urinës ose gjakrrjedhja e vazhdueshme si në rastin e gruas me menstruacione, haxhiu mund ta kryejë tavafin pa u dënuar për këtë dhe pa patur nevojë të bëjë ndonjë kompensim.

Maliku transmeton se një grua shkoi te Abdullah ibën Umeri për t’i marrë një fetva dhe i tha: “Shkova në Xhaminë e Shenjtë për të kryer tavafin, por kur arrita te dera e xhamisë filloi të më rridhte gjak. Kështu që u largova dhe prita derisa u pastrova, dhe pastaj u ktheva te Xhamia e Shenjtë. Por përsëri, kur arrita te dera e xhamisë, më filloi gjakrrjedhja. U largova dhe u riktheva kur isha e pastër. Por kur arrita te dera e xhamisë më filloi prapë gjakrrjedhja. (çfarë duhet të bëj?) Ibën Umeri tha: “Ajo gjakderdhje është një shpërthim prej djallit. Ti duhet të lahesh, të vendosësh disa peceta në pjesët e tua intime dhe pastaj kryej tavafin tënd”.[12]

2) Mbulimi i Auretit[13] (pjesëve intime)

Ebu Hurejra transmeton: “Gjatë haxhit[14] i Dërguari i Allahut caktoi Ebu Bekrin si udhëheqës. Ebu Bekri më dërgoi bashkë me një grup Ditën e Kurbanit për të bërë shpalljen se: “Asnjë idhujtar apo person i zhveshur nuk do të lejohet të kryejë tavaf rreth Qabes pas këtij viti”.[15] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

3) Haxhiu duhet t’i plotësojë të shtata xhirot rreth Qabes

Kështu, nëse dikush lë pa bërë qoftë dhe një hap të vetëm në një prej xhirove të tij, xhiroja nuk do të llogaritet. Nëse dikush ka dyshim përsa i përket numrit të xhirove që ka kryer, ai duhet të llogarisë numrin më të vogël për të qenë më i saktë dhe të plotësojë pastaj të shtata xhirot. Në rastet kur pelegrini plotëson tavafin dhe pastaj nuk e ndjen veten të sigurt për numrin e xhirove të kryera, ai nuk merr asnjë dënim dhe as nuk i kërkohet të bëjë ndonjë gjë për këtë.

4) Tavafi duhet të fillojë dhe të mbarojë te Guri i Zi.

 

5) Kur kryen tavafin, haxhiu duhet ta ketë Qaben në krah të majtë

Rrethrrotullimi duke patur Qaben nga e djathta është i pavlefshëm. Xhabiri ka transmetuar: “Kur i Dërguari i Allahut arriti në Mekë, shkoi te Guri i Zi, e puthi atë dhe pastaj eci nga e djathta e tij. Ai eci me vrap të lehtë tri xhirot e para dhe eci me hap në katër xhirot e mbetura”.[16] Transmeton Muslimi.

6) Tavafi duhet të kryhet jashtë Qabes dhe rretheqark saj

Kështu, nëse dikush do të ecte brenda Hixhrit[17], tavafi i tij nuk do të jetë i vlefshëm, sepse si Hixhri dhe Shadhirvani[18] janë pjesë të Qabes. Allahu na ka urdhëruar t’i vijmë përqark Qabes dhe jo brenda saj, duke thënë:

وَلْيَطَّوَّفُوا بِالْبَيْتِ الْعَتِيقِ

 “…dhe le të sillen (bëjnë tavaf) rreth shtëpisë së lashtë”. (El-Haxh, 29). Megjithatë, është e pëlqyeshme që haxhiu të qëndrojë sa më afër Qabes, nëse e ka të lehtë.

7) Tavafi duhet të shoqërohet menjëherë nga sa’ji (ecja ndërmjet Safas dhe Merves). Kështu thotë Maliku dhe Ahmedi. Megjithatë, ndërmjet tyre mund të bëhet edhe një pushim i shkurtër. Gjithashtu, është e lejueshme dhe nuk përbën problem, nëse bëhet një ndërprerje më e gjatë për një arsye të vlefshme. Shkollat hanefite dhe ajo shafite mendojnë se një vazhdueshmëri (vijimësi) e tillë (e sa’jit menjëherë pas tavafit) është traditë e Profetit (a.s.). Në mënyrë të ngjashme, tavafi nuk bëhet i pavlefshëm nëse dikush e kryen atë pjesë-pjesë apo me ndërprerje të gjata në mes, madje edhe nëse kjo bëhet pa një arsye të vlefshme. Një person i tillë mund të vazhdojë xhirot e mbetura dhe të plotësojë tavafin.

Seid ibën Mensuri transmeton nga Humejd ibën Zejdi se ai ka thënë: “Kam parë Abdullah ibën Umerin të shkonte tri ose katër herë rreth Qabes dhe pastaj u ul për të pushuar, ndërkohë që shërbyesi i tij i bënte fresk. Më pas, ai rifilloi tavafin prej aty ku e kishte lënë.”[19]

Si shkolla hanefite, ashtu edhe ajo shafite mendojnë se, nëse haxhiu e prish abdesin gjatë tavafit, atëherë ai duhet të marrë sërish abdes dhe të vazhdojë tavafin për të plotësuar xhirot e mbetura, pavarësisht nga gjatësia e kohës së pushimit.

Transmetohet se njëherë Ibën Umeri dëgjoi ikametin në kohën kur ishte duke kryer tavafin. Ai e ndërpreu tavafin dhe fali namazin bashkë me xhematin. Pastaj ai e rinisi tavafin prej atje ku e kishte lënë.[20]

Është transmetuar se Atau të ketë dhënë një mendim në lidhje me një person, të cilit i duhej të ndërpriste tavafin me qëllim që të merrte pjesë në një namaz xhenazeje, duke thënë se ai person mund ta rifillojë tavafin dhe të plotësojë më vonë xhirot e mbetura.[21]

Sunetet e Tavafit

Është sunet që në tavaf të kryhen disa veprime në mënyrën që jepet më poshtë:

1) Duke u kthyer me fytyrë nga Guri i Zi në nisje të tavafit dhe duke shqiptuar ndërkohë një tekbir (Allahu Ekber), një tehlil (La ilahe il-Allah), ngritja e duarve ashtu siç ngrihen për namaz dhe nëse është e mundur prekja e tij me të dyja duart dhe puthja e tij qetësisht apo vendosja e njërës faqe mbi të. Ndryshe, haxhiu mund ta prekë atë me dorë dhe të puthë dorën e tij ose ta prekë me diçka dhe pastaj ta puthë atë dhe nëse kjo gjë nuk është e mundur, ai mundet thjesht të tregojë në drejtim të tij me një shkop, etj., siç përmendet në disa hadithe që jepen më poshtë:

Ibën Umeri ka thënë: “I Dërguari i Allahut u kthye me fytyrë nga Guri i Zi, e preku atë dhe pastaj vuri buzët mbi të dhe qau për një kohë të gjatë”. Gjithashtu, Umeri qau për një kohë të gjatë dhe Profeti (a.s.) i tha: “O Umer! Ky është vendi ku njeriu duhet të derdhë lotë”.[22] Transmeton Hakimi, i cili e konsideron me varg të besueshëm transmetuesish.

Është transmetuar nga Ibën Abasi se Umeri u përkul në drejtim të Gurit të Zi dhe tha: “Për Allah! Unë e di që ti je një gur i thjeshtë dhe nëse nuk do ta kisha parë Profetin (a.s.) duke të puthur dhe prekur, unë kurrë nuk do ta kisha bërë këtë gjë”. Pastaj ai citoi ajetin kuranor: “Ju me të vertetë keni te i Dërguari i Allahut një model të bukur (sjelljeje)”.[23] Kjo është transmetuar nga Ahmedi dhe të tjerë me fjalë paksa të ndryshme.

Nafiu ka thënë: “Kam parë Ibën Umerin duke prekur Gurin e Zi me dorë, pastaj ka puthur dorën e tij dhe ka thënë: “Qëkurse kam parë Profetin (a.s.) duke vepruar kështu, nuk e kam lënë kurrë pa e bërë këtë gjë”.[24] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Suvejd ibën Gafleh ka thënë: “Kam parë Ibën Umerin duke e prekur Gurin e Zi dhe duke e puthur atë”. Më tej ai ka thënë: “Unë e di se Profeti (a.s.) ishte veçanërisht shumë i interesuar për këtë gjë”.[25] Transmeton Muslimi.

Ibën Umeri transmeton se Pejgamberi (a.s.) shkonte në Qabe, prekte Gurin e Zi dhe pastaj thoshte: “Bismil-lahi ua Allahu Ekber (Në emër të Allahut, se Ai është më i Madhi).[26] Transmeton Ahmedi.

Muslimi ka transmetuar nga Ebu Tufejli, se ky i fundit ka thënë: “Unë e kam parë Profetin (a.s.) duke bërë tavaf rreth Qabes dhe duke e prekur atë me një shkop dhe pastaj duke puthur shkopin e tij”.[27]

Buhariu, Muslimi dhe Ebu Daudi transmetojnë se Umeri iu afrua Gurit të Zi dhe e puthi atë. Pastaj ai tha: “Unë e di që ti je thjesht një gur që nuk mund të bëjë as ndonjë të keqe as ndonjë të mirë. Sikur të mos e kisha parë Profetin (a.s.) duke të puthur, unë kurrë nuk do të të kisha puthur”.[28]

El-Hatabi ka thënë: “Kjo tregon se veprimi në përputhje me Sunetin e Profetit (a.s.) është detyrues, pavarësisht në e kuptojmë apo jo arsyen apo urtësinë pas tij”.

Një informacion i tillë e kalon detyrimin mbi të gjithë ata tek të cilët arrin, madje edhe nëse nuk mund të kuptohet plotësisht domethënia e tij. Megjithatë, është e ditur se puthja e Gurit të Zi do të thotë respekt për të, pranim të detyrimit tonë ndaj tij dhe përdorimin e tij si një mjet për kërkimin e bekimeve të Allahut. Me të vërtetë Allahu ka vlerësuar disa gurë mbi të tjerët, ashtu siç ka vlerësuar disa vende, qytete, ditë, netë dhe muaj. Fryma në bazë të gjithë këtyre është nënshtrimi i plotë ndaj Allahut.

Megjithatë, në disa hadithe që thonë se “Guri i Zi është dora e djathtë e Allahut në tokë”[29] e gjejmë një shpjegim të arsyeshëm dhe justifikim bindës për këtë pohim. Me fjalë të tjera, kushdo që prek Gurin e Zi, i zotohet Allahut për besnikëri, si të thuash, duke dhënë dorën në dorën e Allahut, ashtu si disa ndjekës i premtojnë varësi mbretërve dhe sundimtarëve të tyre, duke u puthur apo shtrënguar duart atyre.

El-Muhelebi ka thënë: “Hadithi i Umerit i hedh poshtë pohimet e atyre që thonë se “Guri i Zi është dora e djathtë e Allahut në tokë, me të cilën Ai shtrëngon duart e robërve të tij”.

Mos e dhëntë Zoti që ne t’i atribuojmë ndonjë organ trupor Allahut! Urdhëresa për ta puthur Gurin e Zi ka për synim të provojë dhe të paraqesë në mënyrë të dukshme se cili bindet dhe nënshtrohet. Kjo mund të krahasohet me urdhërimin e Iblisit për t’u përkulur përpara Ademit.

Ne nuk kemi prova të qarta për të besuar se ndonjë prej gurëve të përdorur që në ndërtimin e Qabes (nga Ibrahimi dhe Ismaili) ekziston ende, me përjashtim të Gurit të Zi.

Shtyrja e njerëzve te Guri i Zi

Nuk ka asgjë të keqe në shtyrjen e njerëzve që janë rreth Gurit të Zi për aq kohë sa asgjë e keqe nuk u ndodh njerëzve të tjerë. Ibën Umeri përpiqej shumë për të kaluar përmes turmës me qëllim që të arrinte te Guri i Zi. Ai mundohej aq shumë, sa ndonjëherë (merrte goditje në fytyrë dhe) i rridhte gjak nga hundët.

Profeti (a.s.) i tha njëherë Umerit: “O Ebu Hafsa! Ti je një burrë i fuqishëm. Mos i shtyj të tjerët që janë rreth Gurit të Zi, se mund të lëndosh ndonjë që është i dobët. Nëse gjen një rast për ta arritur me qëllim që ta puthësh a prekësh, bëje! Nëse jo, thuaj “Allahu Ekber” dhe vazhdo (tavafin tënd)”[30] Transmeton Shafiu në Sunenin e tij.

1)      El-Idtiba’ (lënia e shpatullës së djathtë e pambuluar)

Ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) dhe shokët e tij deklaruan qëllimin e tyre për të kryer umren prej El-Xhi’ranes duke veshur ihramin, por duke e lënë shpatullën e djathtë të pambuluar, duke e sjellë ihramin nga poshtë sqetullës së djathtë rreth shpatullës së majtë dhe duke e mbuluar kështu këtë të fundit.[31]Transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi.

Shumica e dijetarëve kanë një pikëpamje të ngjashme dhe thonë se veprimi në këtë mënyrë në reml(vrapimin e lehtë) është i dobishëm gjatë kryerjes së tavafit. Megjithatë, Maliku është i mendimit se veprimi në këtë mënyrë nuk është i miratuar, pasi as nuk njihet si praktikë dhe as nuk ka parë ndonjë të veprojë kështu. Pranohet në përgjithësi se kjo gjë është e padëshirueshme në namazin e tavafit (salatul tavaf).

2)      Remli[32] ose ecja me hap të shpejtë

Ibën Umeri transmeton se i Dërguari i Allahut shkonte me hap të shpejtë nga Guri i Zi e sërish te ai tri herë dhe ecte me hap normal katër xhirot e mbetura.[33] Transmeton Muslimi dhe Ahmedi.

Nëse një person nuk ecën me hap të shpejtë në tri xhirot e para, atëherë atij nuk i kërkohet t’i zëvendësojë ato në katër xhirot e fundit. Remli (ecja me hap të shpejtë) dhe idtiba’ (lënia e shpatullës së djathtë e pambuluar) janë të urdhëruar për burrat vetëm kur bëjnë tavafin për umre dhe në çdo tavaf të haxhit, i cili pasohet me sa’j. Shkolla shafite mendon se haxhiu që bën idtiba’ (d.m.th. lë pa mbuluar shpatullën e djathtë) dhe bën reml (d.m.th. ecën me hap të shpejtë), kur bën Tavaf El-Kudum-in në mbërritje dhe sa’jin ndërmjet Safas dhe Merves, nuk i kërkohet të përsërisë idtiba’n dhe remlin në Tavafin El-Ifada (pas kthimit nga Arafati). Nëse ai nuk kryen sa’jin pas bërjes së tavafit dhe e shtyn atë deri pas Tavafit të Vizitës duhet të bëjëidtiba’ (të lërë shpatullën e djathtë të pambuluar) dhe reml (të ecë me hap të shpejtë) kur kryen Tavaf ez-Zijarah.

Gratë nuk janë të detyruara të ecin me hap të shpejtë apo të lënë shpatullën e djathtë zbuluar, sepse ato duhet të mbulohen si duhet. Ibën Umeri ka thënë: “Gratë nuk janë të detyruara të ecin me hap të shpejtë rreth Qabes dhe as kur bëjnë sa’jin ndërmjet Safas dhe Merves”.[34] Transmeton Bejhakiu.

Urtësia e ecjes me hap të shpejtë (Remlit)

Është transmetuar nga Ibën Abasi se, kur Profeti (a.s.) dhe shokët e tij shkuan në Mekë, ata u ligën nga ethet në Jethrib. Prej kësaj, idhujtarët thanë: “Ka ardhur te ju një popull i ligur nga ethet dhe ata i ka gjetur e keqja”.

Allahu i Plotfuqishëm e vuri në dijeni Profetin e Tij (a.s.) rreth thënieve të tyre. Kështu që ai i urdhëroi shokët e tij të ecnin me hap të shpejtë gjatë tri xhirove të para të tavafit rreth Qabes dhe të ecnin ndërmjet dy qosheve (këndeve). Kur idhujtarët panë muslimanët duke ecur më vrap të lehtë, thanë: “A janë këta njerëzit për të cilët ju thatë se janë të ligur për shkak të etheve?! Ata qenkan më të fortë se ne”. Ibën Abasi thotë: “Profeti (a.s.) nuk i urdhëroi ata të ecnin me vrap të lehtë në të shtata xhirot me qëllim që të mos stërmundoheshin”. [35]  Kjo është transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe Ebu Daudi dhe ky tekst është i Ebu Daudit. Umeri ishte i mendimit se vrapimi i lehtë duhet të ndërpritej, përderisa nuk kishte më nevojë për të, pasi muslimanët ishin bërë të fortë dhe të fuqishëm. Megjithatë, ai vendosi ta linte në formën e tij origjinale, kështu që brezat e ardhshëm të muslimanëve të kenë të përbashkët një formë dhe të ngjashme me ato që kanë praktikuar muslimanët e hershëm.

Muhibudin Et-Tabari ka thënë: “Ndonjëherë, në fe disa udhëzime janë të urdhëruara për një arsye të veçantë dhe më vonë, edhe pse ajo arsye e veçantë nuk ekziston më, përsëri udhëzimi mbetet i vlefshëm”.

Zejd ibën Eslemi transmeton nga babai i tij se ai ka thënë se ka dëgjuar Umer ibën El-Hatabin të thotë: “Pse të vrapojmë lehtë rreth Qabes  dhe në sa’j sot? Pse të mbajmë shpatullat pa i mbuluar (në tavaf)? Allahu e ka bërë Islamin të fortë dhe të fuqishëm dhe e ka dëbuar mosbesimin dhe pabesimtarët.[36] Sidoqoftë, ne kurrë nuk do e braktisim atë që kemi bërë në kohën e Profetit (a.s.)”.[37]

Prekja e Këndit (Qoshes) Jemeni

Kjo mbështetet në thënien e Ibën Umerit: “Unë kurrë nuk e pashë Profetin (a.s.) te ndonjë pjesë tjetër e Qabes, përveç dy këndeve (qosheve): Gurin e Zi dhe Këndin Jemeni”.[38]

Ai (Ibën Umeri) gjithashtu ka thënë: “Pavarësisht sa të vështira dhe të rënda të ishin rrethanat, unë nuk i kam lënë pa prekur këto dy kënde – Këndin Jemeni dhe Gurin e Zi – qëkurse pashë Profetin (a.s.) duke vepruar kështu”.[39] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Haxhiu që bën tavafin duhet të prekë vetëm këto dy kënde dhe jo të tjerë, për shkak të vlerës së tyre. Këndi i Zi dallohet nga dy gjëra: 1) është i vendosur mbi themelet e ngritura nga Profeti Ibrahim (a.s.); dhe 2) në të është Guri i Zi, i cili shënon fillimin dhe mbarimin e tavafit. Këndi i Jemenit është pikërisht në të kundërt të tij dhe ashtu si Guri i Zi, ai qëndron mbi themelet e ngritura nga Ibrahimi.

Kur Ibën Omerit i treguan për thënien e Aishes se: “Një pjesë e Hixhri Ismailit i përket Qabes”, ai tha: “Unë mendoj se Aishja e ka dëgjuar këtë nga Profeti (a.s.). Mendoj se Profeti (a.s.) nuk i ka lënë kurrë pa i prekur ata kur bënte tavafin. Megjithatë, ata të dy nuk janë në themelet e Shtëpisë dhe njerëzit sillen rreth Hixhrit për këtë arsye”.[40] Transmeton Ebu Daudi.

Megjithatë, bashkësia muslimane pajtohet në lidhje me pëlqimin e prekjes së këtyre dy Këndeve të Jemenit. Person që bën tavafin e Qabes, nuk duhet t’i prekë dy Këndet e tjera. Ibën Hibani ka transmetuar në Sahihun e tij se Profeti (a.s.) ka thënë: “Guri i Zi dhe Këndi i Jemenit bëhen shkak për faljen e mëkateve”.[41]

 

Falja e dy rekateve namaz pas Tavafit

Është sunet të falen dy rekate namaz pas përfundimit të tavafit në Vendqëndrimin e Ibrahimit (a.s.) apo në ndonjë vend tjetër të Xhamisë së Shenjtë, pavarësisht nëse tavafi është vullnetar apo i detyrueshëm, (qoftë haxh apo umra). Xhabiri transmeton se, kur Profeti (a.s.) shkoi në Mekë, ai u soll rreth Qabes shtatë herë, pastaj shkoi te Vendqëndrimi i Ibrahimit dhe recitoi vargun kuranor:

 وَاتَّخِذُوا مِنْ مَقَامِ إِبْرَاهِيمَ مُصَلًّى

“Pranojeni për vendfalje vendin ku qëndroi Ibrahimi!”. (El-Bekare, 125)

Ai u fal pas tij dhe pastaj shkoi te Guri i Zi dhe e puthi atë”.[42] Transmeton Tirmidhiu, i cili e konsideron hasen-sahih.

Në këto dy rekate namaz është sunet që të lexohet surja El-Kafirun në rekatin e parë dhe surja El-Ihlas në të dytin, pas këndimit të El-Fatihasë.[43] Transmeton Muslimi dhe disa të tjerë.

Këto dy rekate mund të falen në çdo kohë të ditës apo natës, përfshirë edhe kohët e ndaluara.

Xhubejr ibën Mut’im transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “O fisi i Abdu Menafit! Mos pengoni asnjeri të kryejë tavafin rreth Qabes. Kushdo mund të falet (në Xhaminë e Shenjtë) në çdo kohë gjatë ditës apo natës”.[44]Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, i cili e konsideron këtë hadith të vërtetë. Shafiu dhe Ahmedi kanë këtë pikëpamje.

Edhe pse është sunet që këto dy rekate namaz të falen në Xhaminë e Shenjtë pas tavafit, ato mund të falen gjithashtu edhe jashtë saj. Umu Seleme transmeton se ajo kreu një tavaf rreth Shtëpisë hipur mbi një kafshë, por ajo nuk i fali dy rekatet deri në kohën kur u largua nga Xhamia.[45] Transmeton Buhariu.

Maliku transmeton nga Umeri se ai i kishte falur këto dy rekate në Luginën Dhi-Tuva.[46]

Gjithashtu, Buhariu ka transmetuar se Umeri i ka falur këto dy rekate jashtë Xhamisë së Shenjtë.[47]

Nëse dikush fal një namaz farz pas tavafit, atëherë namazi i tij është i mjaftueshëm edhe për dy rekatet në fjalë. Shkolla shafite ka këtë pikëpamje, e cila është gjithashtu në përputhje me qëndrimin e mirënjohur të mbajtur nga Ahmedi. Ndërsa shkolla malikite dhe ajo hanefite janë të mendimit se këto dy rekate duhet të falen dhe asnjë falje tjetër nuk mund t’i zëvendësojë ato.

 

Kalimi përpara atyre që falen në Xhaminë e Shenjtë

Është e lejueshme që të falet namazi në Xhaminë e Shenjtë në kohën kur njerëzit, femra e meshkuj, kalojnë përpara një personi që falet. Nuk ka asgjë të keqe në të dhe kjo është një nga karakteristikat e veçanta të Xhamisë së Shenjtë.

Kethir ibën Kethir ibën El-Mutalibi ibën Vida’ah transmeton nga disa anëtarë të familjes së tij dhe nga gjyshi i tij se ky i fundit kishte thënë: “Kam parë Profetin (a.s.) të falte namazin në Xhaminë e Shenjtë në zonën ngjitur me Beni Sehm, ndërkohë që njerëzit kalonin përpara tij dhe ai nuk kishte vendosur ndonjë sutre (mbrojtje) përpara vetes”.

Ndërsa Sufjan ibën Ujejne ka thënë: “Nuk ka pasur asnjë sutre (ndarës) ndërmejt tij dhe Qabes.”[48]Transmeton Ebu Daudi, Nesaiu dhe Ibën Maxhe.

Tavafi i burrave së bashku me gratë

Ibën Xhurejxh transmeton: “Atau më tregoi se kur Ibën Hishami i ndaloi gratë të kryenin tavafin bashkë me burrat, ai e pyeti: “Si guxon t’i ndalosh ato ndërkohë që gratë e Profetit (a.s.) e kryenin tavafin bashkë me burra të tjerë? Ai shtoi: “E pyeta: Ato vepruan kështu para apo pas urdhëresës për të mbajtur shami”. Ai tha: “Ato vepruan kështu pas shpalljes së urdhëresës për të mbajtur shami”. Atëherë unë i thashë: “Si mund të përziheshin ato me burrat?” Ai tha: “Ato nuk përziheshin me burrat. Aishja e kryente tavafin duke ndenjur veç nga burrat dhe pa u përzier me ta. Një grua e pyeti: “O Nëna e Besimtarëve! A do shkojmë ta prekim Gurin e Zi dhe ta puthim atë? Aishja i tha: “Shko!” dhe nuk pranoi të bashkohej me të.

Ato shkonin natën të mbuluara dhe kryenin tavafin me burrat, por kur hynin në xhami, ato prisnin dhe hynin kur të iknin burrat.[49] Transmeton Buhariu.

Gratë mund ta prekin dhe ta puthin Gurin e Zi kur kanë mundësi dhe kur nuk ka burra përqark. Transmetohet se Aishja i ka thënë një gruaje: “Mos u shtyj me të tjerët te Guri i Zi, por nëse gjen një mundësi, preke dhe puthe atë. Nëse ka shumë njerëz, bëj një tekbir (Allahu është më i Madhi) kur je përkundrejt tij, bëj tavafin dhe mos i bëj dëm kujt”.

 

Kryerja e Tavafit hipur mbi një kafshë

Edhe nëse është në gjendje të ecë, personi mund ta kryejë tavafin hipur (mbi një kafshë), me kusht që të ketë një arsye të vleshme për këtë.

Ibën Abasi transmeton se gjatë Haxhit të Lamtumirës, Profeti (a.s.) e kreu tavafin hipur në devenë e tij dhe e preku Gurin e Zi me një shkop (që e mbante me vete).”[50] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Xhabiri transmeton se, gjatë Haxhit të Lamtumirës, Profeti (a.s.) kreu tavafin dhe bëri sa’jin ndërmjet Safas dhe Merves kur ishte duke ngarë kafshën e tij të ngarkesës, në mënyrë që t’ua tregonte atë njerëzve, për të tërhequr vëmendjen e tyre dhe për t’iu dhënë një mundësi që t’i bënin ndonjë pyetje që kishin, pasi që njerëzit e mbuluan atë.[51]

Nuk pëqehet që një lebroz të përzihet me të tjerët në Tavaf

Maliku transmeton nga Ibën Ebu Mulijke se Umer ibën El-Hatabi pa një grua të prekur nga lebroza duke kryer tavafin me të tjerët dhe i tha: “O robëreshë e Allahut! Mos i bëj keq të tjerëve. Përse nuk rri në shtëpinë tënde?” Ajo ia dëgjoi fjalën dhe qëndroi në shtëpinë e saj.

Kur vdiq Umeri, një burrë e vizitoi atë grua dhe i tha: “Ai që të ndaloi ty të kryeje rrethrrotullimin e Qabes ka ndërruar jetë. Ti mund të shkosh tani ta kryesh tavafin”. Ajo iu përgjigj: “Unë nuk i bindem një njeriu vetëm sa është gjallë dhe pastaj të mos i bindem pasi të ndërrojë jetë”.[52]

Pëlqehet pirja nga Uji i Zemzemit

Me mbarimin e shtatë xhirove të tavafit dhe pas faljes së dy rekateve pranë Vendqëndrimit të Ibrahimit, është mirë të pihet ujë nga burimi i Zemzemit.

Buhariu dhe Muslimi pohojnë se Profeti (a.s.) piu ujë Zemzemi dhe tha: “Ky është ujë i bekuar; është ushqim për të uriturit dhe shërues për të sëmurët”.[53]

Është transmetuar se engjëlli Xhebrail e ka larë zemrën e Profetit (a.s.) me këtë ujë natën e Israsë.[54]

Ibën Hibani dhe Tabaraniu në “El-Kebir” kanë transmetuar nga Ibën Abasi se Profeti (a.s.) ka thënë: “Uji më i mirë në tokë është ai i Zemzemit. Ai është ushqim për të uriturit dhe shërues për të sëmurët”.[55]Transmeton Ibën Hibani dhe Tabaraniu. El-Mundhiri thotë se transmetuesit e këtij hadithi janë njerëz të besueshëm.

Rregullat e pirjes së ujit të Zemzemit

Ai që pi ujë Zemzemi duhet të ketë për qëllim dhe të shpresojë shërimin, bekimet dhe çfarëdo gjëje që është më e mira për të në këtë jetë dhe në botën tjetër. Lidhur me këtë, Profeti (a.s.) ka thënë: “Uji i Zemzemit shërben për çfarëdolloj qëllimi që pihet”.[56]

Suvejd ibën Seidi transmeton: “Kur i sollën ujë Zemzemi Abdullah ibën El-Mubarekut, unë pashë që ai piu pak prej tij dhe u lut duke u kthyer me fytyrë nga Qabja: “O Allah! Ibën Ebi El-Meuali, duke patur burim të besueshëm Muhamed ibën El-Munkedirin, i cili transmetonte nga Xhabiri, na tregoi se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Uji i Zemzemit shërben për çfarëdolloj qëllimi që pihet”. Unë mendoj ta pi këtë ujë që të shpëtoj nga etja në Ditën e Gjykimit”. Pastaj ai piu pjesën e mbetur të ujit”.[57] Transmeton Ahmedi me një varg të vërtetë transmetuesish dhe Bejhakiu.

Ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Uji i Zemzemit shërben për çfarëdolloj qëllimi që pihet. Nëse e pi për të kërkuar shërimin, Allahu do të të japë shërim. Nëse e pi për t’u ngopur, Allahu do të ngopë. Nëse e pi për të shuar etjen, Allahu do ta shuajë atë. Zemzemi është një burim i hapur nga engjëlli Xhebrail me anë të të cilit Allahu shuajti etjen e Ismailit”. [58] Kjo është transmetuar nga Darakutni dhe Hakimi, i cili shton: “Dhe nëse ju e pini atë duke kërkuar strehë te Allahu, Ai do t’ju sigorojë juve strehim”.

Është e dëshirueshme që uji i Zemzemit të pihet me tri ndërprerje për të marrë frymë dhe me fytyrë nga Qabja sa më shumë të jetë e mundur. Kur pihet ky ujë pëlqehet që të lavdërohet Allahu, të falënderohet Ai dhe t’i bëhet lutje, ashtu siç ka bërë Ibën Abasi.

Ebu Muleike transmeton: “Një burrë erdhi te Ibën Abasi. Ai e pyeti burrin: “Prej nga vjen?” Burri iu përgjigj: “Piva nga pusi i Zemzemit”. Ibën Abasi e pyeti: “A ke pirë ujë prej tij ashtu siç duhet?” Burri e pyeti: “O Ibën Abas, si duhet ta pij atë?” Ibën Abasi iu përgjigj: “Kur pi ujin e tij (pusit të Zemzemit) duhet të kthehesh me fytyrë në drejtim të Qabes, të përmendësh Allahun, ta pish me tri ndërprerje për të marrë frymë, të pish sa më shumë të jetë e mundur, të lavdërosh dhe të falënderosh Allahun pasi të mbarosh së piri”. Profeti (a.s.) ka thënë: “Një dallim i madh ndërmjet nesh dhe hipokritëve është se ata nuk mund të pijnë sasi të shumtë të ujit Zemzem”.[59] Transmeton Ibën Maxhe, Darakutni dhe Hakimi.

Ibën Abasi i lutej Allahut sa herë që pinte ujë Zemzemi duke thënë:

“All-llahumme inni es’eluke ilmen na’fien ue rizkan uasi’an ua shifa’an min kuli da’in” (O Allah! Më jep dije të dobishme, furnizime të bollshme dhe shërim nga çdo sëmundje!)”[60]

Zanafilla e pusit të Zemzemit

Duke shpjeguar zanafillën e Zemzemit, Ibën Abasi ka thënë: “Kur Haxhireja arriti në kodrën Merve në kërkim të ujit për foshnjen e saj Ismailin dhe për vete për të shuar etjen, ajo dëgjoi një zhurmë dhe tha me vete: “Hesht!” Ajo e dëgjoi përsëri zhurmën, pas së cilës tha: “Unë të dëgjova. Më ndihmo nëse mundesh!”. Papritmas ajo gjeti një engjëll në vendin ku është tani Zemzemi. Ai ose e gërmoi pusin me thembrën e këmbës, ose e preku tokën me flatër dhe u shfaq një burim uji. Haxhireja e rrethoi ujin me dhe. Mori pak ujë në një enë që kishte me vete, ndërkohë që ai vazhdonte të gurgullonte pa pushim”.

Ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu e mëshiroftë nënën e Ismailit. Sikur ta kishte lënë të paprekur ose (transmetuesi nuk është i sigurt) sikur të mos kishte pirë nga uji i tij, Zemzemi do të ishte kthyer thjesht në një burim të rrjedhshëm”.

Pastaj ka shtuar: “Kështu që ajo e piu ujin dhe i dha gji të birit. Engjëlli i tha: “Mos ki frikë se humb, sepse ky është vendi i Shtëpisë së Allahut, të cilën ky djalë dhe i ati do ta ndërtojnë. Allahu nuk do ta humbë këtë familje. Shtëpia i ngjante një kodrine, të cilën kur vinin ujërat e merrnin nga të dyja anët; nga e djathta dhe nga e majta e saj”.[61]

Vlera e lutjeve në El-Multezem[62]

Pas pirjes së ujit të Zemzemit, është e këshillueshme që të bëhen disa lutje në El-Multezem. Ibën Abasi transmeton se qëndronte ndërmjet këndit të Gurit të Zi dhe derës së Qabes dhe thoshte: “Hapësira ndërmjet Gurit të Zi dhe derës së Qabes quhet El-Multezem dhe kushdo që qëndron këtu dhe i lutet Allahut, Ai i jep atij çfarë kërkon”.[63] Transmeton Bejhakiu.

Amër ibën Shuajbi transmeton nga babai i tij dhe ky nga babai i tij, se ai kishte thënë: “Unë e kam parë Profetin (a.s.) të rrinte me fytyrë dhe kraharor përkundrejt El-Multezemit”.[64]

Disa dijetarë, përfshirë edhe Buhariun, thonë se El-Hatimi është vetë Hixhri i Ismailit. Për të mbështetur këtë pikëpamje, ata citojnë hadithin e natës së Israsë, në të cilin Profeti (a.s.) ka thënë: “Ndërsa isha në gjumë në (vendin e quajtur) “El-Hatim” ose ndoshta ka thënë “El-Hixhr…”

 

Pëlqehet hyrja në Qabe dhe në Hixhrin e Ismailit

Ibën Umeri transmeton se Profeti (a.s.) hyri në Qabe bashkë me Usame ibën Zejdin dhe Uthman ibën Talhan dhe mbyllën derën. Kur dolën, Bilali më tha se Profeti (a.s.) u fal brenda në Qabe ndërmjet dy shtyllave të Jemenit”.[65] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Kjo i ka çuar disa dijetarë të arrijnë në përfundimin se hyrja në Qabe dhe falja e namazit brenda saj është sunet. Megjithatë, të tjerë thonë se edhe pse është sunet, nuk është pjesë e riteve të haxhit, siç pohohet nga Ibën Abasi, i cili ka thënë: “O njerëz! Hyrja në Qabe nuk është një nga ritet e haxhit”. Transmeton Hakimi me një varg të besueshëm transmetuesish.

Për haxhiun që nuk është në gjendje të hyjë në Qabe, është e këshillueshme që të hyjë në Hixhrin e Ismailit dhe të falë namazin aty, sepse ai është pjesë e Qabes.

Ahmedi transmeton nga Seid ibën Xhubejri se Aishja (r.a.) ka thënë: “O Profet i Allahut! E gjithë familja jote, përveç meje, kanë qenë brenda Qabes!” Profeti (a.s.) i tha: “Dërgo porosi për Shejben[66] që të të hapë derën.” Ajo ashtu bëri dhe Shejbe i tha: “Ne nuk mund ta hapnim kurrë derën gjatë natës as në kohët para Islamit dhe në ato të Islamit. Pastaj Profeti (a.s.) i tha Aishes: “Falu brenda Hixhrit të Ismailit. Ai është pjesë e Qabes, por njerëzit tuaj e lanë jashtë kur e rindërtuan Qaben dhe nuk e përfshinë atë në strukturën e saj”.[67]

Sa’Ji (ECJA) ndërmjet Safas dhe Merves

Sfondi historik i ligjshmërisë së tij

Ibën Abasi ka thënë: “Profeti Ibrahim (a.s.) solli Haxhiren, gruan e tij dhe të birin, Ismailin (a.s.), të cilin ajo e kishte ende në gji dhe i la ata në vendin ku është sot Qabja, nën një pemë afër Zemzemit. Meka në atë kohë ishte një vend i shkretë, nuk kishte ujë dhe askush nuk banonte aty. Ai u la atyre një trastë me hurma dhe një enë me ujë. Pastaj, Ibrahimi (a.s.) u nis të ikte, por nëna e Ismailit i tha: “O Ibrahim! Ku po shkon? Dhe në dorë të kujt po na lë në këtë luginë të shkretë?” Ajo i përsëriti këto fjalë disa herë, por ai nuk iu përgjigj. Në fund, ajo e pyeti: “Allahu të ka urdhëruar të veprosh kështu?” Ai iu përgjigj: “Po”. Pas kësaj, ajo tha me vendosmëri: “Atëherë, Ai nuk do të na lërë të vdesim”.[68] Transmeton Buhariu.

Në një tjetër transmetim, lexojmë: “Ajo e pyeti atë: “Në dorë të kujt po na lë?” Ai u përgjigj: “Të Allahut”. Pas kësaj, ajo i tha: “Unë jam e kënaqur” dhe u kthye te vendi. Ibrahimi u largua dhe kur la pas një grykë, nga ku nuk mund t’i shihte më, u kthye me fytyrë nga Qabja, ngriti duart lart dhe u lut:

رَبَّنَا إِنِّي أَسْكَنتُ مِنْ ذُرِّيَّتِي بِوَادٍ غَيْرِ ذِي زَرْعٍ عِنْدَ بَيْتِكَ الْمُحَرَّمِ رَبَّنَا لِيُقِيمُوا الصَّلاَةَ فَاجْعَلْ أَفْئِدَةً مِنْ النَّاسِ تَهْوِي إِلَيْهِمْ وَارْزُقْهُمْ مِنْ الثَّمَرَاتِ لَعَلَّهُمْ يَشْكُرُونَ

“Zoti Ynë! Unë një pjesë të familjes sime e vendosa në një luginë, ku nuk ka bimë pranë shtëpisë Tënde të Shenjtë. Zoti ynë (i vendosa aty) që të falin namazin. Bëj që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ata dhe furnizoji ata me fruta për të falënderuar me mirënjohje”. (Ibrahim, 37).

Haxhireja u ul nën një pemë me fëmijën e saj pranë vetes. Ajo piu ujë nga ena që ishte varur aty pranë dhe i dha gji foshnjes së saj. Vazhdoi kështu derisa mbaroi uji dhe në fund i shteroi edhe gjiri. Koha kalonte dhe i biri filloi të ndihej gjithnjë e më i uritur. Ajo mezi duronte teksa e shihte në atë gjendje. Pastaj shkoi dhe qëndroi në Safa – kodra që ishte më pranë saj. Hodhi vështrimin poshtë në luginë për të parë nëse mund të kishte aty përreth ndonjë njeri që t’i ndihmonte, por nuk pa asnjeri. Kështu që, zbriti nga Safa për në luginë. Ajo u përpoq shumë, kaloi përmes luginës dhe arriti në Merve. Qëndroi në Merve dhe vështroi rreth e përqark. Përsëri nuk po shihte njeri përreth. Ajo e përsëriti këtë shtatë herë. Lidhur me këtë, Ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Prandaj (për të përkujtuar këtë ecje) haxhilerët ecin ndërmjet Safas dhe Merves”.[69]

 

Statuti ligjor

Dijetarët kanë mendime të ndryshme lidhur me statutin ligjor të sa’jit ndërmjet Safas dhe Merves. Ata ndahen në tre grupe:

 

A) Aishja, Ibën Umeri dhe Xhabiri mendojnë se sa’ji i Safës dhe Merves është pjesë themelore (rukn) e riteve të haxhit. Maliku, Shafiu dhe Ahmedi (sipas një transmetimi të këtij të fundit) kanë gjithashtu një mendim të ngjashëm.

Kështu, nëse një pelegrin nuk do të kryente sa’jin, haxhi i tij do të konsiderohej i pavlefshëm dhe therja e një kurbani nuk do të ishte e mjaftueshme për ta zëvendësuar atë. Këta dijetarë i kanë bazuar mendimet e tyre në argumentet që paraqiten në rastet e mëposhtme:

1- Ez-Zuhri transmeton nga Urvah se ai kishte thënë: “Unë e pyeta Aishen rreth kësaj dhe i recitova asaj vargun:

إِنَّ الصَّفَا وَالْمَرْوَةَ مِنْ شَعَائِرِ اللَّهِ فَمَنْ حَجَّ الْبَيْتَ أَوْ اعْتَمَرَ فَلاَ جُنَاحَ عَلَيْهِ أَنْ يَطَّوَّفَ بِهِمَا

“Safa e Merva janë nga shenjat (për adhurimin) e Allahut, e kush vjen në Qabe për haxh ose për umre, nuk është mëkat për të nëse i viziton ato të dyja (të ecë në ato dy vende)”. (El-Bekare, 158). Pastaj i thashë asaj: “Për Atë Zot, unë shoh (në dritën e këtij vargu) se nuk është mëkat për një person që nuk e kryen sa’jinndërmjet Safas dhe Merves!” Aishja më tha: “Nipi im! Ky është interpretimi më i keq që i ke bërë këtij vargu. Me të nuk kuptohet ajo që thua ti. Nëse do të kuptohej ajo që thua ti, atëherë formulimi tij do të kishte qenë: “të mos i vizitojë ato të dyja”. Ky varg është shpallur në lidhje me Ensarët, të cilët adhuronin idhullin Manat në një zonë të quajtur El-Mushelel dhe kishin frikë se mos bënin mëkat po të ecnin ndërmjet Safës dhe Merves. Pasi përqafuan Islamin, ata e pyetën Profetin (a.s.) për këtë. Në këtë pikë, Allahu shpalli këtë varg kuranor. Profeti (a.s.) e ka provuar nëpërmjet praktikës së tij vërtetësinë e sa’jit ndërmjet këtyre dy kodrave dhe askush nuk ka të drejtë ta hedhë poshtë”.[70] Transmeton Buhariu.

2- Muslimi ka transmetuar se Aishja (r.a.) ka thënë: “Profeti (a.s.) dhe muslimanët kyen sa’jin ndërmjet Safas dhe Merves. Kështu u përcaktua si sunet, pa të cilin betohem se asnjë haxh nuk është i plotë”.[71]

3- Habibja, e bija e Ebu Texhrahut prej fisit Abdul Dar, tregon: “Unë me disa gra të tjera kurejshe shkuam në shtëpinë e Ebu Huseinit dhe pamë Profetin (a.s.) duke kryer sa’jin ndërmjet Safas dhe Merves. Pjesa e poshtme e veshjes së tij tundej për shkak të përpjekes së madhe që bënte, derisa mendova se do të shoh gjunjët e tij. Pashë gjunjët e tij dhe e dëgjova të thoshte: “Kryejeni sa’jin sepse Allahu e ka urdhëruar atë për ju!”[72] Transmeton Ibën Maxhe, Ahmedi dhe Shafiu.

4- Ashtu si tavafi rreth Qabes, edhe sa’ji është një kusht themelor i haxhit edhe i umres, sepse është prej riteve të tyre.

B) Ibën Abasi, Enesi, Ibën Zubejri, Ibën Sirini dhe Ahmedi (sipas një transmetimi të tij) mendojnë se sa’jiështë sunet, i cili po të mos kryhet nuk përbën ndonjë dënim për personin që e lë.

1- Në mbështjetje të pikëpamjes së tyre, këta dijetarë i referohen vargut kuranor që ndodhet në suren El Bekare, ajeti 158. Aty thuhet se nuk është mëkat nëse një person nuk e kryen atë llo ecjeje. Me fjalë të tjera, ai nuk është i detyrueshëm. Që është vetëm sunet, kjo është e qartë nga fakti se Safa dhe Merve janë të përshkruar si “rite (për adhurimin) e Allahut”.

Transmetohet se në Mus’hafin e Ubej dhe Ibën Mesudit lexohet: “… nëse ata që mësyjnë Qaben për haxh dhe umre, nuk do t’i vizitojnë ato (Safan dhe Merven), nuk kanë bërë ndonjë mëkat”. Ky nuk është tekst i Kuranit, por përcjell një pjesë të rëndësishme informacioni dhe një interpretim të tekstit kuranor.

2- Për më tepër, sa’ji ndërmjet Safas dhe Merves është një rit, i cili përbëhet nga një numër i caktuar, por që nuk ka lidhje me Shtëpinë e Allahut dhe ashtu si goditja (e Xhemerave) me guralecë, nuk është një rit themelor.

C) Ebu Hanife, Thauri dhe Hasani mendojnë se sa’ji ndërmjet Safas dhe Merves është një rit i rëndësishëm (vaxhib), por nuk është kusht themelor (rukn) për haxhin dhe për umren. Prandaj, nëse një pelegrin nuk mund ta kryejë atë, ai duhet ta shpaguajë (të therë jë dele për kurban).

Autori i “El-Mugnit” parapëlqen këtë mendim dhe thotë: “Ky është i preferueshëm, sepse argumenti i atyre që e mbajnë për vaxhib (detyrim) mbështet padiskutueshmërinë e detyrimit më tepër sesa parimin se çfarëdo gjëje që nevojitet për të përmbushur një detyrimin është gjithashtu e detyrueshme. Pohimi i Aishes për këtë është i ndryshëm nga çfarë kanë transmetuar shokët e tjerë të Profetit (a.s.). Hadithi i të bijës së Ebu Texhrahut ka ndër transmetuesit e tij një person me emrin Abdullah ibën Muemel, i cili është i diskutueshëm. Këtë e thotë Ibën Mundhiri. Megjithatë, sipas tij ky veprim është i detyrueshëm.

Vargu i cituar më lart u shpall në lidhje më ata njerëz që kishin frikë se mos bënin mëkat nëse ecnin ndërmjet Safas dhe Merves, si bënin më parë në ditët e Xhahilijetit (injorancës), kur në majat e Safas dhe Merves ishin vendosur dy idhuj”.

 

Parakushtet për të kryer sa’jin

Që sa’ji të jetë i vlefshëm dhe i pranueshëm, duhet të plotësohen kushtet e mëposhtme:

1)      Duhet të kryhet pas tavafit

2)      Duhet të kryhet në shtatë xhiro

3)      Duhet të fillojë nga Safa dhe të mbarojë në Merve.

4)      Duhet të kryhet në El-Mas’a, shtegu ndërmjet Safas dhe Merves, sepse Profeti (a.s.) veproi kështu, dhe, për më tepër ai shprehimisht ka thënë: “Merrini (nga unë)ritet tuaja fetare!”[73] Prandaj, sa’ji që kryhet pa bërë tavafin para tij ose ai që fillon nga Merva dhe përfundon në Safa apo që kryhet në një vend tjetër nga ai i caktuari (ndërmjet Safas dhe Merves), është i pavlefshëm.[74]

Ngjitja në kodrën e Safas

Ngjitja në majë të Safas ose të Merves nuk është një kusht i domosdoshëm për sa’jin, por duhet të përshkohet distanca e plotë ndërmjet këtyre dy pikave. Në rast se ndonjë pjesë e kësaj distance lihet pa u përshkuar, sa’ji do të mbetet i mangët derisa të plotësohet.

 

Vijueshmëria e sa’jit ndërmjet Safas dhe Merves

Vijueshmëria në sa’ji nuk është një kusht i domosdoshëm për vlefshmërinë e tij. [75] Kështu, nëse haxhiu e ndalon sa’jin (ndërmjet Safas dhe Merves) për disa arsye, p.sh.: kur është koha e faljes dhe ai bashkohet me xhematin, në të gjitha këto raste, ai mund ta rinisë sa’jin aty ku e la, kur arsyeja që e detyroi të ndalonte të mos ekzistojë më.

Transmetohet se Ibën Umeri e bëri sa’jin ndërmjet Safas dhe Merves. Ai donte të urinonte dhe u largua (për të kryer nevojën personale) pastaj kërkoi ujë për abdes dhe u ngrit për të plotësuar sa’jin e tij,[76] pasi vijueshmëria e tij nuk është kusht.

Autori i “ElMugnit” thotë: “Ahmedi thotë se nuk ka asnjë të keqe nëse sa’ji vonohet pas tavafit derisa haxhiu të jetë i çlodhur ose të shtyhet deri në mbrëmje. Gjithashtu, Atau dhe El Hasani nuk shohin asgjë të keqe në bërjen e tavafit herët dhe në shtyrjen e sa’jit ndërmjet Safas dhe Merves deri në mbrëmje. El-Kasimi dhe Seid ibën Xhubejri e pasuan këtë, sepse vijueshmëria e sa’jit nuk është kusht i domosdoshëm.

Seid ibën Mensuri transmeton se Seuda, gruaja e Urva ibën El Zubejrit kreu sa’jin ndërmjet Safas dhe Merves për tri ditë, për arsye se ishte trupmadhe dhe e rëndë”.

Pastrimi për sa’jin

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se nuk është e nevojshme të jesh me abdes dhe pa menstruacione për kryerjen e sa’jit ndërmjet Safas dhe Merves, duke u mbështetur në thënien që Profeti (a.s.) i drejtoi Aishes, kur ajo ishte me menstruacione: “Ti mund të kryesh të gjitha ritet (e haxhit) si të gjithë haxhilerët e tjerë, përveç tavafit rreth Qabes, të cilin mund ta bësh pasi të jesh pastruar dhe të jenë ndalur menstruacionet”.[77]Transmeton Muslimi.

Aishja dhe Umu Seleme kanë thënë: “Një grua që kyen tavafin, fal dy rekate

namaz (pranë Vendqëndrimit të Ibrahimit) dhe pastaj sheh se i kanë filluar periodat, ajo mund të kryejë sa’jin ndërmjet Safas dhe Merves”. Transmeton Seid ibën Mensuri.

Megjithatë, është e pëlqyeshme që njeriu të jetë në gjendje të pastërtisë së plotë kur kryen rite të ndryshme të haxhit, pasi pastërtia është e këshillueshme në Islam.

Ecja hipur mbi një kafshë dhe më këmbë gjatë sa’jit

Sa’ji mund të kryhet qoftë i hipur mbi një kafshë, qoftë dhe më këmbë, por kjo e fundit është më e pëlqyeshme. Në hadithin e transmetuar nga Ibën Abasi, shohim se Profeti (a.s.) e kreu sa’jin në këmbë, por kur u shtuan njerëzit dhe ai pa se ata donin të dinin më shumë rreth fesë së tyre, ai hipte në devenë e tij kështu që ata mund ta shihnin dhe ta pyesnin për çfarë dëshironin.

Ebu Tufejli e pyeti Ibën Abasin: “Më trego për sa’jin ndërmjet Safas dhe Merves! A është me të vërtetë sunet që të kryhet hipur mbi një kafshë, sepse njerëzit tuaj pretendojnë se është i tillë?” Ibën Abasi iu përgjigj: “Ata kanë të drejtë, por dhe gabojnë”. Pastaj, shtoi duke treguar: “Njerëzit u grumbulluan pranë Profetit (a.s.) duke thënë: “Ky është (Profeti) Muhamedi, ky është (Profeti) Muhamedi”. Madje dhe vajzat e reja dolën prej shtëpive të tyre për ta parë atë. Kështu që, kur njerëzit u shtuan shumë, ai hipi mbi devenë e tij, sepse njerëzit nuk shtyheshin për t’i hapur atij rrugën. Ecja në këmbë në sa’j është më e mirë se hipja në një kafshë, edhe pse e lejuar, nuk është e pëlqyeshme.”[78] E transmeton Muslimi dhe të tjerë.

Tirmidhiu ka transmetuar se një grup dijetarësh nuk e kanë pëlqyer ecjen hipur mbi kafshë gjatë kryerjes së tavafit në Qabe dhe gjatë sa’j pa një arsye të vlefshme. Ky është mendimi i Esh-Shafi’it.

Malikitët mendojnë se një person, që kryen sa’jin ndërmjet Safas dhe Merves i hipur mbi një kafshë pa një arsye të vlefshme, duhet ta përsërisë atë, nëse ka ende kohë për të. Dhe, nëse nuk ka më kohë, atëherë ai duhet të bëjë një kurban si dënim, sepse për atë që është në gjendje të ecë, është vaxhib (e detyrueshme). Ebu Hanife ka një pikëpamje të ngjashme. Sipas këtyre dijetarëve, Profeti (a.s.) e kreu sa’jin hipur mbi devenë e tij për shkak të numrit të madh të njerëzve rreth tij dhe kjo është një arsye e justifikueshme.

 

Ecja me vrap të lehtë ndërmjet dy Shenjave të Gjelbra

Është e këshillueshme ecja ndërmejt Safas dhe Merves, përveçse ndërmjet dy shenjuesve ku është mirë të ecet me vrap të lehtë. Hadithi i vajzës së Ebu Texhrahut na tregon se Profeti (a.s.) vraponte me aq fuqi, saqë veshjen e tij të poshtme e kishte mbështjellë rreth trupit e ajo i tundej e tëra.

Kështu, vrapimi i lehtë ndërmjet këtyre dy shenjuesve është i pëlqyeshëm, por gjithahstu dhe ecja është e lejueshme.

Seid ibën El Xhubejri transmeton: “Unë e kam parë Umerin duke ecur ndërmjet Safas dhe Merves”. Pastaj ai shtoi: “Nëse juve dëshironi, mund të ecni, sepse unë e kam parë Profetin (a.s.) duke ecur. Pra, nëse dëshironi të vraponi lehtë, ju mund të veproni kështu, sepse unë e kam parë Profetin (a.s.) duke vrapuar, por unë jam një burrë i moshuar”.[79]

Kjo vlen vetëm për haxhiun mashkull. Sa për gruan, asaj nuk i kërkohet të ecë shpejt ndërmjet këtyre dy shenjuesve. Ajo duhet të ecë me hap normal. Shafiu ka transmetuar se një herë Aishja pa disa gra duke ecur shpejt dhe u tha: “Ju duhet të ndiqni shembullin tonë. Ju nuk jeni të detyruara të bëni vrap të lehtë (kur kryeni sa’jin)”.[80]

 

Lutjet që bëhen në Safa dhe në Merve

Gjatë ngjitjes në Safa dhe në Merve është mirë të bëhet lutje për të mirën dhe mirëqenien materiale dhe shpirtërore. Gjatë lutjeve haxhiu duhet të kthehet me fytyrë nga Qabja.

Dihet mirë se Profeti (a.s.) kalonte nëpërmjet portës së Safas dhe duke iu afruar asaj lexonte vargun kuranor:

إِنَّ الصَّفَا وَالْمَرْوَةَ مِنْ شَعَائِرِ اللَّهِ

“Safa dhe Merve janë nga shenjat (për adhurimin) e Allahut”. (El-Bekare, 158). Pastaj thoshte: “Unë filloj më atë që Vetë Allahu filloi”.

Ai u ngjit në Safa deri aty prej nga mund të shihte Qaben dhe qëndroi. U kthye me fytyrë nga Qabja, deklaroi tri herë njëshmërinë e Allahut, e lartësoi Atë, e lavdëroi Atë dhe pastaj tha: “Nuk ka zot tjetër të denjë për t’u adhuruar përveç Allahut. Ai nuk ka shok. Atij i përket mbretëria dhe i gjithë lavdërimi. Vetëm Ai e jep jetën dhe shkakton vdekjen e Ai ka pushtet mbi gjithçka. Nuk ka zot tjetër përveç Tij. Ai e ka përmbushur premtimin, i ka dhënë fitore robit të Tij dhe ai i Vetëm i mundi grupacionet”.

Ai u lut në këtë mënyrë tre herë dhe pastaj eci drejt Merves dhe u ngjit në të. Prej aty ai mund të shihte Qaben. Atje ai u lut ashtu si në Safa.[81]

Nafiu transmeton se ka parë Abdullah ibën Umerin duke qëndruar në Safa dhe duke u lutur me këto fjalë: “O Allah! Ti ke thënë: “Lutmuni Mua dhe Unë do t’i përgjigjem lutjes tuaj”. Me të vërtetë, Ti nuk e thyen premtimin Tënd. O Allah! Unë të lutem që ashtu siç më udhëzove në Islam, ashtu mos më zhvish mua prej tij deri në ditën që do të sjellësh vdekjen time”.[82]

 

Lutjet ndërmjet Safas dhe Merves

Lutjet, përmendja e Allahut dhe recitimi i Kuranit në kohën kur ecet ndërmjet Safas dhe Merves, janë të gjitha vepra të pëlqyeshme. Transmetohet se, ndërsa Profeti (a.s.) po bënte sa’jin, lutej duke thënë: “O Zoti im! Më fal, ki mëshirë për mua dhe më udhëzo në rrugën e drejtë!” [83]

Gjithashtu ai lutej: “O Zoti im! Më fal dhe ki mëshirë për mua! Ti je më i Nderuari dhe më Madhështori”.[84]

Pas kryerjes së tavaf-it dhe të sa’jit, haxhiu përfundon ritet e umres. Në mënyrë të ngjashme, një person që kryen haxhin Temettu mund t’i japë fund gjendjes së tij të ihramit duke i prerë flokët shkurt ose duke i rruajtur krejt. Megjithatë, haxhiu duhet ta ruajë gjendjen e ihramit nëse është duke kryer haxhin Kiran. Ai mund t’i japë fund gjendjes së ihramit ditën e Kurbanit (Jeum en-Nehr) pas therjes së kurbanit. Për atë që kryen haxhin kiransa’ji do të mjaftojë në vend të atij që haxhilerët e tjerë duhet të bëjnë pas Tavaf El-Fardkur kthehen nga Mina. Sa për ata haxhilerë që e bashkojnë haxhin me umren me një pushim në mes (d.m.th. ata që bëjnë haxh temettu’), ata duhet të kryejnë një tjetër sa’j dhe të qëndrojnë në Mekë deri në Jeum el-Teruije (ditën e tetë të Dhul-Hixhes).

 

Qëndrimi në Mina dhe në Arafat

Vijon …


[1] Hadith Meukuf Daif. “Ed Daife” 1049. E ka nxjerrë Taberani në “El Eusat” 488, 5617, 5971, Bejhakiu 5/79.

[2] Hadith Daif Meukuf. Shih hadithin e mësipërm.

[3] Hadith Daif. “El Mishkat” 2591, “Daiful Xhami” 5683. Ibën Maxheh 2957.

[4] Hadith Hasen me shprehjen “mes dy këndeve”. Ebu Daudi 1892, el Hakim 1/455.

[5] Hadith Daif. E ka nxjerrë Taberani në el Eusat”, nga hadithi Ibën Mesudit. Shih “Telhis el Habir” 2/269.

[6] Hadith Daif. “Daiful Xhami” 2056, “El Mishkat” 2624. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1888, Tirmidhiu 910, Bejhakiu 5/145.

[7] Hadith Daif. “Ed Daife” 187, “Et Targib” 722, “Daiful Xhami” 1760. E ka nxjerrë Taberani në “El Eusat” 1/123 dhe në “El Kebir” 11475, Ibën Asakir 9/476.

[8] Shkolla hanefite mendon se pastrimi nga papastërtitë nuk është një kusht i domosdoshëm, por një detyrim, i cili, nëse nuk plotësohet, mund të kompensohet me një kurban. Kështu, nëse dikush kryen tavaf pa abdes, tavafi i tij do të jetë përsëri i vlefshëm, por atij do t’i duhet të bëjë kurban një dele. Nëse një person i tillë është xhunub apo një grua është me menstruacione), tavafi do të jetë përsëri i vlefshëm, por si dënim do t’i duhet të bëjë kurban një deve dhe ta përsërisë tavafin për sa kohë që do të qëndrojë në Mekë. Sa për pastrimin e rrobave dhe trupit, shkolla hanefite e konsideron vetëm si sunet.

[9] Hadith Sahih. “El Irva” 121, “El Mishkat” 2576, “Et Targib” 1141, “Sahihul Xhami” 3955. E ka nxjerrë Tirmidhiu 960, Darimi 2/44, Ibën Huzejme 2739, Ibën Hibani 998, Ibën Xharud 461, El Hakim 1/459, 2/267, Bejhakiu 5/85.

[10] Buhariu 294, 5548, 5559, Muslimi 2910, Nesai 289, 347.

[11] Buhariu 1614, 1615, Muslimi 2991.

[12] Maliku 471.

[13] Mashkulli duhet të mbulohet nga kërthiza deri te gjuri dhe femra duhet të mbulojë të tërë trupin përveç fytyrës, duarve dhe këmbëve.

[14] Përpara Haxhit të Lamtumirës.

[15] Buhariu 369, 1622, 3177, 4363, 4655, 4656, Muslimi 3274, Ebu Daudi 1946, Nesai 2957.

[16] Muslimi 2944, Tirmidhiu 856, Nesai 2939.

[17] E njohur zakonisht si Hixhr Ismail dhe ndodhet në veri të Qabes. Ajo rrethohet nga një mur gjysmërrethor. Prej kësaj, pjesë e saj është vetëm një sipërfaqe prej gjashtë kutësh (afërsisht tri metra) që zgjatet nga Qabja.

[18] Shadhirvani është një ndërtesë ngjitur me Qaben, në të cilën janë ngulur unazat që mbajnë mbulesën e Qabes.

[19] Ibën Ebi Shejbe 4/454.

[20] Buhariu e ka përmendur Mualak në kapitullin e haxhit, tema “Kur ndalon mes tavafit”, Ibën Mensuri në “Sunenet” e tij.

[21] Buhariu e ka përmendur Mualak në kapitullin e haxhit, Ibën Mensuri dhe Abdurrazaku e kanë nxjerrë me zinxhir transmetimi. Shih “El Fet-h” 3/565.

[22] Hadith Daif Xhiden – shumë i dobët. “El Irva” 1111 (4/308). E ka nxjerrë Ibën Maxheh 2945, el Hakim 1/454.

[23] Buhariu 1605, 1610, Muslimi 3056.

[24] Muslimi 3054.

[25] Muslimi 3060, Nesai 2936.

[26] Ahmedi 2/14.

[27] Muslimi 3066, Ebu Daudi 1879, Ibën Maxheh 2949.

[28] Buhariu 1597, Muslimi 3058, Ebu Daudi 1873, Tirmidhiu 860, Nesai 2937.

[29] Hadith Munker Daif. “Ed Daife” 223, “Daiful Xhami” . E ka nxjerrë Ibën Halad në “El Fevaid” 1/224, Ibën Udej 17/2, Ibën Bushran në “El Emali” 2/3, El Hatib el Bagdadi 6/328.   

[30] Hadith Daif. E ka nxjerrë Seid ibën Mensuri, siç thuhet në El Fet-h 3/556, Ahmedi 12/34, Bejhakiu 5/80.

[31] Hadith Sahih. “El Irva” 1094. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1884, Bejhakiu 5/79, Ahmedi 1/371.

[32] Reml ka kuptimin ecje e shpejtë, duke lëvizur energjikisht shpatullat dhe me hapa të vegjël, duke dhënë kështu një përshtypje force dhe energjie.

[33] Muslimi 3040, Ahmedi 12/18.

[34] Bejhakiu 5/48.

[35] Buhariu 1602, 4256, Muslimi 3048, Ebu Daudi 1886, Nesai 2945.

[36] Ky është dhe argumeti i mosaplikimit të këtyre shfaqjeve në të gjitha rrotullimet rreth Qabes.

[37] Hadith Hasen Sahih. “Sahihu Ebi Daud” 1649. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1887, 2952.

[38] Buhariu 1609, Muslimi 3050, Ebu Daudi 1874, Nesai 2949.

[39] Buhariu 1606, Muslimi 3053, Nesai 2952.

[40] Hadith Sahih. Ebu Daudi 1875, Bejhakiu 5/89.

[41] Hadith Sahih Ligajrihi. “Et Targib” 1139.

[42] Hadith Sahih. Tirmidhiu 862, Ibën Maxheh 1374.

[43] Muslimi 2941, Ebu Daudi 1905, 1909, Ibën Maxheh 3074.

[44] Hadith Sahih. “El Irva” 841, “El Mishkat” 1045. Ebu Daudi 1894, Nesai 585, Tirmidhiu 868, Ibën Maxheh 1254, Darimi 2/70, Darakutni 162, el Hakim 1/448, Bejhakiu 2/461, Ahmedi 4/80.

[45] Buhariu 1626.

[46] Buhariu e ka përmendur Mualak (pa sened) në kapitullin e Haxhit, tema “Tavafi pas sabahut dhe ikindisë”, ndërsa Maliku e ka përmendur më sened 722.

[47] Buhariu e ka përmendur Mualak në kapitullin e Haxhit, tema “Falja e dy rekateve të Tavafit jashtë xhamisë së shenjtë”.

[48] Hadith Daif. “Ed Daife” 928. Ebu Daudi 2016, Nesai 758, 2959, Ibën Maxheh 2958, Ibën Hibani 415, Bejhakiu 2/273, Ahmedi 6/399.

[49] Buhariu 1618.

[50] Buhariu 1607, Muslimi 3062, Nesai 2954, Ibën Maxheh 2948.

[51] Muslimi 3063, 3064, Ebu Daudi 1880.

[52] Maliku 477.

[53] Muslimi 6309 pa shtesën “dhe shërues për të sëmurët”, Bejhakiu 5/147.

[54] Buhariu 1636.

[55] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 1056, “Sahihul Xhami” 3322, “Et Targib” 1161. E ka nxjerrë Taberani në “El Kebir” 3/112, Ed Dijaa në “El Muhtara” 67/114/2.

[56] Hadith Sahih. “El Irva” 1123, “Sahihul Xhami” 5502. E ka nxjerrë Ahmedi 3/357, 372, Ibën Maxheh 3062, Bejhakiu 5/148.

[57] Hadith Sahih. Shih hadithin e mësipërm.

[58] Batil Meudu – i pavërtetë, i trilluar. “El Irva” 1126, “Et Targib” 750. E ka nxjerrë Darakutni 284, el Hakim 1/473.

[59] Hadith Daif Xhiden – shumë i dobët. “El Irva” 4/328 (1125). E ka nxjerrë Darakutni 284.

[60] Transmetim Daif. “Et Targib” 750.

[61] Të gjitha këto i transmeton Buhariu 3362, 3364.

[62] El-Multezemi është pjesë e Qabes dhe ndodhet ndërmjet derës së saj dhe Gurit të Zi.

[63] Bejhakiu 5/164.

[64] Hadith Hasen. “Sahihul Xhami” 5012. E ka nxjerrë Bejhakiu 5/164, Darakutni 2/289.

[65] Buhariu 1598, 6908, Muslimi 3222.

[66] Emri i tij ishte Ibën Othman ibën Talha; ai ishte mbajtësi i çelësave të Qabes.

[67] Hadith Sahih. “El Irva” 4/307. E ka nxjerrë Ahmedi 6/67, Bejhakiu 5/158.

[68] Buhariu 3364.

[69] Buhariu 3364.

[70] Buhariu 1634.

[71] Muslimi 3069, Ibën maxheh 2986.

[72] Hadith Sahih. “El Irva” 1072, 1088, “Sahihul Xhami” 968. E ka nxjerrë Ahmedi 6/421, Ibën Seadi 8/180, El Hakim 4/70, Taberani në “El Kebir”, Shafiu 1025, Darakutni 270, Bejhakiu 5/98. 

[73] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[74] Shkolla hanefite mendon se sa’ji pas tavafit dhe nisja e tij nga Safa në Merve, nuk janë dy kushte por të detyrueshëm për vlefshmërinë e haxhit. Kështu, nëse dikush e bën sa’jin përpara tavafit dhe e fillon atë nga Merva dhe e përfundon në Safa, sa’ji i tij është i vlefshëm, por ai duhet të therë një kafshë.

[75]Megjithatë, Maliku mendon se vazhdimësia e sa’jit pa një pushim të gjatë është një kusht i domosdoshëm për të.

[76] Transmeton Seid ibën Mensuri.

[77] Buhariu 294, 5548, 5559, Muslimi 2910, Nesai 289, 347, 2740, Ibën Maxheh 2963.

[78] Muslimi 3044, Ebu Daudi 1885, Ahmedi 1/297, Bejhakiu 5/100.

[79] Hadith Sahih. “Sahihu Ebi Daud” 1662. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1904, Tirmidhiu 864, Ibën Maxheëh 2988, Ahmedi 6105.

[80] Bejhakiu 5/84.

[81] Muslimi 2941, Ebu Daudi 1905, 1909, Ibën Maxheh 3074.

[82] Maliku 732, Bejhakiu 5/94.

[83] Hadith Daif. “Ed Daife” 3634.

[84] Sahih Meukuf nga Ibën Mesudi dhe Ibën Umeri, ndërsa Merfu nuk është i saktë. “Haxhi i Pejgamberit” 119. E ka nxjerrë Bejhakiu.