HAXHI DHE UMRA (4)

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve me gjykimet e shejh Albanit: Rrugetepaqes.net


NDALESAT E IHRAMIT

Legjislacioni islam ka ndaluar disa gjëra për muhrimin, pasi ky i fundit ka veshur rrobën e ihramit:

1)      Marrëdhënien seksuale dhe të gjitha gjestet që çojnë në të, si p.sh.: puthja, prekja ose bisedat me gruan për marrëdhëniet seksuale apo çështje të tjera që lidhen me to.

2)      Bërja e mëkateve që sjellin shmangien nga rruga e bindjes ndaj Allahut.

3)      Grindja, diskutimi apo zëniet me shokët, shërbyesit e të tjerët.

Baza për ndalimin e këtyre gjërave janë fjalët e Allahut:

فَلاَ رَفَثَ وَلاَ فُسُوقَ وَلاَ جِدَالَ فِي الْحَجِّ

 “…nuk duhet afruar gruas, nuk duhen marrë nëpër këmbë dispozitat e sheriatit e as nuk duhet shkaktuar grindje…”  (El-Bekare, 197).

Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar nga Ebu Hurejra se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ai që e kryen haxhin pa bërë asnjë gjë të turpshme, pa marrë nëpër këmbë dispozitat e sheriatit e pa shkaktuar grindje, do të kthehet në shtëpi i lirë nga mëkatet si ditën që e ka lindur e ëma”.[1]

4)      Veshja e ndonjë rrobe të qepur, si psh. këmishë, kapuç, mantel, mbathje apo vënia në kokë e ndonjë kësule apo feste, etj. Po ashtu, nuk lejohet të vishen rroba të lyera me ndonjë ngjyrues të këndshëm aromatik ose të vishen këpucë apo pantofla të qepura.

Ibën Umeri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Një person në gjendjen e ihramit nuk lejohet të veshë një këmishë të qepur, një çallmë, kapuç, veshje të linjta, një veshje që është lyer me ndonjë aromatik erëmirë (si psh shafrani) këpucë ose pantofla të qepura, vetëm në rast se ai nuk është në gjendje të gjejë pantofla të zakonshme të paqepura, atëherë ai mund të veshë këpucë, me kusht që t’i presë ato deri te nyja e këmbës”.[2] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Dijetarët kanë rënë dakord se kufizimet e mësipërme vlejnë vetëm për burrat.

Sa për një pelegrine grua, ajo mund të veshë nga të gjitha sa u përmendën më lart. Por asaj i ndalohet të përdorë rroba të parfumosura, shami për të mbuluar fytyrën dhe doreza.

Ibën Umeri ka thënë: “I Dërguari i Allahut i ndaloi gratë pelegrine që të mbanin doreza, shami për të mbuluar fytyrën dhe rroba të lyera me shafran ose var[3].

Përveç këtyre, ato mund të veshin gjithçka tjetër të çfarëdolloj ngjyre si: rroba mëndafshi, stoli, pantallona apo këmisha e këpucë”.[4] Transmeton Ebu Daudi, Bejhakiu dhe Hakimi me një një varg të besueshëm transmetuesish.

Buhariu transmeton se Aishja veshi një fustan, i cili ishte ngjyer me usfur[5] kur ajo ishte në gjendjen e ihramit dhe tha: “Gruaja nuk duhet të mbajë shami për të mbuluar fytyrën e as të veshë rroba të ngjyera me shafran ose materiale të tjera ngjyruese”. Xhabiri ka thënë: “Unë nuk e quaj usfurin parfum”. Aishja (r.a.) mendonte se nuk kishte asgjë të keqe për gratë pelegrine që të mbanin stoli, rroba të zeza ose të kuqe dhe këpucë. [6]

Buhariu dhe Ahmedi kanë transmetuar se Profeti (a.s.) ka thënë: “Një grua pelegrine nuk duhet as ta mbulojë fytyrën e as të mbajë doreza”.[7]

Ky është argument se gruaja në gjendjen e ihramit nuk duhet ta mbulojë fytyrën me shami dhe duart me doreza. Megjithatë, dijetarët thonë se nuk ka asgjë të keqe, nëse ajo e mbulon fytyrën me diçka tjetër. Gjithashtu, ajo mund të përdorë një çadër ose një send tjetër të ngjashëm me të si perde ndërmjet saj dhe burrave. Por, nëse ajo ka frikën e tundimit të të tjerëve, ajo duhet ta mbulojë fytyrën.

Lidhur me këtë, Aishja (r.a.) ka thënë: “Njëherë ishim me Profetin (a.s.) në gjendjen e ihramit dhe pranë nesh kaluan disa burra hipur mbi deve. Ne e mbulonim fytyrën me xhybet tona kur ata kalonin pranë nesh dhe e zbulonim përsëri”.[8] Transmeton Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

Atau, Maliku, El Theuri, Shafiu, Ahmedi dhe Is’haku mendojnë se për gratë është e lejueshme që ta mbulojnë fytyrën kur janë në gjendjen e ihramit.

 

Haxhiu që nuk gjen rrobat dhe këpucët e duhura për ihram

Ai që nuk ka rroba dhe këpucët e duhura për haxh, mund të veshë çfarëdo gjëje që ka mundësi.

Ibën Abasi transmeton se i Dërguari i Allahut ka mbajtur një hytbe në Arafat dhe ka thënë: “Një musliman (haxhiu)  nuk gjen asnjë rrobë të përshtatshme (ihram), mund të veshë pantallona dhe nëse nuk gjen këpucë të përshtatshme, ai mund të mbajë pantofla[9].”[10] Transmeton Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.

Në një transmetim të Ahmedit, Amër ibën Dinar ka thënë se Ebu El-Sheatha e vuri në dijeni se Ibën Abasi ka dëgjuar Profetin (a.s.) të thotë: “Ai që nuk gjen rroba (për ihram), por që ka pantallona, mund t’i veshë ato dhe ai që nuk gjen pantofla (të përshtatshme), por ka këpucë (të paqepura), ai mund t’i veshë ato”. Pastaj Ebu El-Sheatha pyeti: “Dhe a tha gjë për prerjen e tyre?” Ibën Abasi tha: “Jo”.[11]

Prandaj, Ahmedi mendon se një muhrim, i cili nuk gjen asnjë rrobë apo pantofla të përshtatshme, ai mund të veshë pantallonat dhe këpucët e tij, siç tregohet në hadithin e Ibën Abasit, pa iu kërkuar të dëmshpërblejë për këtë.[12]

Sipas shumicës së dijetarëve, lejimi për të veshur këpucët në rast të mungesës së pantoflave të përshtatshme është i kushtëzuar në prerjen e tyre deri në nyjen e këmbës, sepse kjo i bën këpucët të ngjashme me pantoflat. Këta dijetarë e nxjerrin këtë gjykim në bazë të hadithit të mësipërm të Ibën Umerit, në të cilin thuhet: “Nëse nuk gjen pantofla, por këpucë, ai (haxhiu) duhet t’i presë ato deri në nyjen e këmbës”.[13]

Hanefitë mendojnë se ai që nuk ka asnjë rrobë të përshtatshme për haxh, duhet të shqepë pantallonat përpara se t’i përdorë ato si rrobë. Por ai që i vesh ashtu siç janë (pa i shqepur) duhet të shpaguajë për këtë.

Megjithatë, Maliku dhe Shafiu mendojnë se një person i tillë mund t’i veshë pantallonat ashtu siç janë pa i shqepur dhe nuk shpaguan për këtë, siç tregohet në hadithin e Xhabir ibën Zejdit që ka transmetuar Ibën Abasi, sipas të cilit Profeti (a.s.) ka thënë: “Ai që nuk gjen ihram, mund të veshë pantallona; nëse ai nuk gjen pantofla, mund të veshë këpucë pasi t’i presë ato deri në nyjen e këmbës”.[14] Transmeton Nesaiu me një varg të besueshëm transmetuesish.

Një person i tillë duhet t’i heqë pantallonat dhe të veshë rrobën e përshtatshme të haxhit (izarin-rrobën e poshtme) në momentin që e gjen atë. Por, nëse një person nuk gjen një veshje të sipërme të përshtatshme për haxh, ai nuk duhet të veshë këmishë, sepse ndryshe nga pantallonat, mund të bëjë edhe pa të.

 

Lidhja martesore për vete ose të tjerët në rolin e kujdestarit apo të ngarkuarit për këtë veprim

Një lidhje e tillë martesore është e pavlefshme, e paqenë dhe e shfuqizuar. Muslimi dhe të tjerët transmetojnë nga Othman ibën Afani, i cili ka transmetuar se Profeti (a.s.) ka thënë: “Muhrimit nuk i lejohet të bëjë lidhje martesore, as të ndihmojë të tjerët të lidhen me martesë dhe as të fejohet”.[15]

Maliku, Shafiu, Ahmedi dhe Is’haku kanë gjithashtu të njëjtin mendim. Ata mendojnë se nuk është e lejushme për një muhrim të bëjë lidhje martesore dhe e konsiderojnë të pavlefshme çdo martesë të lidhur në këtë mënyrë.

Gjithashtu, Tirmidhiu e ka transmetuar këtë hadith, por pa fjalët “…dhe as të fejohet”. Ai e quan këtë hadith hasen-sahih dhe vëren se disa shokë të Profetit (a.s.) e kanë praktikuar këtë.

Disa nga transmetimet që thonë se Profeti (a.s.) është martuar me Mejmunen ndërsa ishte muhrim[16] janë të kundërta me hadithin e transmetuar nga Muslimi se ai u martua me të kur nuk ishte më në gjendjen e ihramit.[17]

Tirmidhiu ka thënë: “Nuk ka asnjë mospërputhje mendimesh në lidhje me martesën e Profetit (a.s.) me Mejmunen, sepse ai u martua me të rrugës për në Mekë”.

Disa kanë thënë se ai u martua me të përpara se të vishte ihramin. Por lajmi i martesës së tij u bë i njohur në kohën që ai ishte në gjendjen e ihramit. Më vonë, ai e konsumoi martesën e tij me të në Seref, rrugës për në Mekë, pasi ishte çliruar nga kufizimet e ihramit.

Megjithatë, hanefitë mendojnë se muhrimi mund të lidhë martesë, sepse në gjendjen e ihramit, martesa me një grua nuk hyn te gjërat e ndaluara, por vetëm konsumimi i martesës. Lidhja me martesë është e lejueshme, por marrëdhënia seksuale është e ndaluar.

 

Prerja e thonjve, rruajtja, prerja e flokëve nga koka apo çfarëdo pjese e trupit me çfarëdolloj mjeti

Lidhur me këtë, Allahu i Madhëruar thotë:

وَلاَ تَحْلِقُوا رُءُوسَكُمْ حَتَّى يَبْلُغَ الْهَدْيُ مَحِلَّهُ

“ mos i rruani kokat tuaja derisa të arrijë kurbani vendin e caktuar” (El-Bekare, 196)

Ndër dijetarët pranohet se muhrimit i ndalohet të presë thonjtë pa patur një arsye të vlefshme. Megjithatë, nëse thyhet një thua, atëherë ai mund ta heqë atë pa marrë asnjë dënim.

Heqja e flokëve është e lejuar, nëse bëhen të bezdisshëm. Në një rast të tillë, haxhiu duhet të dëmshpërblejë, përveçse për largimin e flokëve nga sytë nëse ato e bezdisin.[18] Allahu i Plotfuqishëm thotë:

فَمَنْ كَانَ مِنْكُمْ مَرِيضًا أَوْ بِهِ أَذًى مِنْ رَأْسِهِ فَفِدْيَةٌ مِنْ صِيَامٍ أَوْ صَدَقَةٍ أَوْ نُسُكٍ

 “…por kush është prej jush i sëmurë ose ka mundim koke (e rruhet para kohe) kompensim për të është: agjërim, sadaka ose kurban”. (El-Bekare, 196).

 

Hedhja e parfumit mbi trup apo rroba nga një burrë ose grua

Ibën Umeri transmeton se, njëherë, Umeri nuhati aromën e këndshme të parfumit që vinte nga Muavija, ndërsa ky i fundit ishte në gjendjen e ihramit. Umeri e urdhëroi: “Kthehu mbrapsht dhe lahu të heqësh parfumin. Unë kam dëgjuar Profetin (a.s.) të thotë: “Haxhiu duhet të jetë i pakrehur dhe i paparfumosur”.[19] Transmeton Bezari me një varg të besueshëm transmetuesish.

Profeti (a.s.) ka thënë: “Hiqe parfumin që ke hedhur duke e larë atë tre herë”.[20]

Trupi i një muhrimi të vdekur nuk duhet të parfumoset gjatë larjes dhe nuk duhet të përdoret asnjë parfum mbi qefinin e tij.[21]

Në lidhje me vdekjen e një muhrimi në gjendjen e ihramitProfeti (a.s.) tha: “Mos ia mbuloni kokën dhe as mos e parfumosni trupin e tij, sepse në Ditën e Ringjalljes ai do të ngjallet me telbijen në buzë”.[22]

Megjithatë, nuk ka asgjë të keqe nëse ka mbetur pak parfum i përdorur nga muhrimi mbi trupin apo rrobat e tij para se të hyjë në gjendjen e ihramit.

Megjithatë, është e lejueshme marrja erë e gjërave që nuk janë të mbjella për aromën e tyre, si p.sh. mollët dhe ftonjtë. Këto pemë janë të ngjashme me të tjerat që nuk janë mbjellë për aromën e tyre dhe nuk janë nxjerrë prej tyre.

Sa për parfumin që mund të marrë haxhiu nga prekja e Qabes, nuk ka asgjë të keqe. Seid ibën Mensuri transmeton se Salih ibën Kejsan ka thënë: “Kam parë Enes ibën Malikun që ishte në gjendjen e ihramit, kur rrobat e tij u fërkuan me pak parfum nga Qabja, por ai nuk e lau atë”.

Atau ka thënë: “Një person i tillë nuk duhet ta lajë atë e as nuk ka nevojë të dëmshpërblejë për të”. Shkolla shafite mendon se, nëse dikush e bën me qëllim këtë (përdor parfum), ose parfumoset aksidentalisht (pa dashje) dhe ka mundësi ta lajë por nuk e bën këtë, ai bën një gabim për të cilin duhet të paguajë”.

 

Veshja e rrobave të ngjyera me lëndë të aromatizuara

Dijetarët bien dakord se është e ndaluar veshja e rrobave të haxhit që janë ngjyer me lëndë aromatike, vetëm nëse lahet dhe era e saj largohet.

Nafiu transmeton nga Ibën Umeri se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Mos vishni (kur jeni në gjendjen e ihramit)rroba të ngjyera me vars apo shafran pa i larë ato”.[23] Kjo është transmetuar nga Ibën Abdul Berr dhe Tahavi.

Veshja e rrobave të aromatizuara është e papëlqyeshme për ata që kanë pozicione drejtuese (udhëheqëse) në jetë, sepse masat e gjera mund t’i imitojnë ata dhe të veshin rroba të tilla, të cilat nuk janë të lejuara.

Maliku transmeton nga Nafiu se ai ka dëgjuar Eslemin, robin e çliruar të Umer ibën Hatabit, t’i thotë Abdullah ibën Umerit: “Omer ibën Hatabi pa Talha ibën Ubejdullahun që mbante veshur një rrobë të ngjyer kur ishte në gjendjen e ihramit dhe i tha atij: “O Talha! Çfarë është kjo rrobë!” Talha iu përgjigj: “O prijës i besimtarëve! Kjo është ngjyer me një ngjyrues paksa të kuq (që nuk ka asnjë aromë)”. Umeri tha: “O njerëz! Ju jeni shembull për të tjerët. Nëse një njeri i thjeshtë do të shihte me këtë rrobë veshur, ai do të thoshte se ka parë Talha ibën Ubejdullahun të veshur me një rrobë të ngjyrosur kur ishte në gjendjen e ihramit. O njerëz! Mos vishni asnjë prej këtyre rrobave të ngjyrosura!”[24]

Megjithatë, nuk ka asgjë të keqe në përdorimin e ndonjë erëze në gatim apo pije kur eleminohet shija, ngjyra dhe aroma e saj. Nëse një muhrim konsumon prej tij (gatimit të aromatizuar), atij nuk i duhet të bëjë ndonjë dëmshpërblim. Shkolla shafite është e mendimit se ngrënia dhe pirja e një ushqimi apo pijeje të tillë e bën të domosdoshëm dëmshpërblimin, nëse aroma vazhdon të jetë e pranishme.

Hanefitë janë të mendimit se nuk ka asnjë dënim për atë person, pasi ai nuk e konsumoi atë ushqim për efekt të aromës.

Marrja me gjah

Muhrimit i lejohet të peshkojë, të hajë kafshë deti ose të tregojë vendin e një gjahu të tillë. Megjithatë, është e ndaluar për një muhrim të gjuajë kafshë toke duke i vrarë apo i therur ato. Është gjithashtu e ndaluar për një muhrim që të drejtojë vëmendjen e tij ndaj kafshës nëse ajo është e dukshme apo të tregojë vendin e saj ku ajo rri fshehur, apo ta trembë atë. Po ashtu, është e ndaluar për të që të prishë vezët e shpendëve që jetojnë në tokë. Blerja, shitja ose mjelja e këtyre kafshëve është gjithashtu e ndaluar në kohën e gjendjes së ihramit. Në Kuran thuhet:

أُحِلَّ لَكُمْ صَيْدُ الْبَحْرِ وَطَعَامُهُ مَتَاعًا لَكُمْ وَلِلسَّيَّارَةِ وَحُرِّمَ عَلَيْكُمْ صَيْدُ الْبَرِّ مَا دُمْتُمْ حُرُمًا وَاتَّقُوا اللَّهَ الَّذِي إِلَيْهِ تُحْشَرُونَ

 “Gjahu dhe ushqimi në det u është lejuar, si përjetim për ju dhe për udhëtarët, kurse gjahu tokësor u është ndaluar sa të jeni në ihram. Frikësohuni Allahut, se te Ai do të tuboheni!”. (El-Maide, 96)

Ngrënia e mishit të gjahut

Muhrimit i ndalohet të hajë prej ndonjë gjahu tokësor të përgatitur për të, sipas këshillës së tij apo me ndihmën e tij. Ebu Katade transmeton se i Dërguari i Allahut shkoi për haxh dhe disa sahabë shkuan bashkë me të. Profeti (a.s.) ndau një grup, përfshirë dhe Ebu Kataden dhe u tha: “Shkoni përgjatë bregut të detit derisa të takohemi përsëri!”. Ata të gjithë, përveç Ebu Katadas, ishin në gjendjen e ihramit. Rrugës ata panë një tufë me zebra. Ebu Katada i sulmoi dhe vrau një zebër femër. Ata hëngrën të gjithë nga mishi i saj, por më pas thanë: “A është e lejueshme për ne të hamë nga kjo kafshë e tokës ndërsa jemi në gjendjen e ihramit?” Pastaj ata e çuan pjesën e mbetur të mishit te Profeti (a.s.) dhe i treguan atij të tërë ngjarjen. Profeti (a.s.) u tha: “A i kërkoi ndonjëri prej jush Ebu Katades të sulmonte tufën apo t’ia tërhiqte atij vëmendjen drejt saj?” Ata thanë: “Jo!” Ai tha: “Atëherë ju mund ta hani atë mish që ka mbetur”.[25]Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Muhrimi mund të hajë mishin e një gjahu, që nuk është vrarë prej tij as nuk është vrarë për të e as nuk i ka tërhequr vëmedjen dikujt tjetër për të dhe në gjuetinë e të cilit ai nuk i ka ndihmuar të tjerët.

El Mutalibi transmeton nga Xhabiri se i Dërguari i Allahut, Muhamedi (a.s.) ka thënë: “Ngrënia e gjahut të tokës është e lejuar për ju kur jeni në gjendjen e ihramit, me kusht që ju vetë të mos e vrisni atë apo të jetë vrarë për ju (nga dikush tjetër)”.[26] Kjo është transmetuar nga Ahmedi dhe Tirmidhiu. Ky i fundit ka thënë: “Hadithi i Xhabirit është shpjegues, por nuk dimë që El-Mutalibi ta ketë dëgjuar atë prej Xhabirit”.

Disa nga dijetarët e ndjekin këtë parim dhe e quajnë ngrënien e gjahut tokësor të lejueshëm për muhrimin, nëse ky nuk e gjuan atë dhe gjahu nuk është gjuajtur për hir të tij. Ahmedi, Is’haku, Maliku dhe shumica e dijetarëve kanë një pikëpamje të ngjashme. Shafiu ka thënë: “Ky është hadithi më i mirë dhe më i saktë i transmetuar mbi këtë çështje”.

Ngrënia e gjahut tokësor të gjuajtur nga një muhrim ose për një muhrim është e palejueshme për të, është bërë apo jo kjo gjë me lejen e tij. Por, nëse dikush tjetër, që nuk është në gjendjen e ihramit, e ka gjuajtur atë për veten e tij dhe ia ka ofruar apo shitur një pjesë të tij një muhrimi, këtij të fundit i lejohet të hajë prej atij gjahu.

Abdurrahman ibën Othman Et-Tejemi transmeton: “Ne shkuam për haxh me Talha ibën Ubejdullahun. Në kohën që ishim në gjendjen e ihramit, Talhas i dhanë ca mish zogu. Kur ai ishte në gjumë, disa prej nesh hëngrën nga ky mish, ndërsa të tjerët u përmbajtën. Kur Talha u zgjua dhe i thanë për këtë, ai shprehu miratimin për ata që e kishin ngrënë dhe tha: “Ne e kemi ngrënë këtë lloj mishi kur ishim me të Dërguarin e Allahut”.[27] Transmeton Muslimi dhe Ahmedi.

Hadithe të tjera e ndalojnë muhrimin të hajë nga mishi i gjahut tokësor, si psh. hadithi i transmetuar nga Es-Sa’b ibën Xhethamen El-Lajthin, i cili ka treguar: “Kur Profeti (a.s.) ishte në zonën e quajtur El-Abva ose Vedan, dikush i dhuroi mishin e një zebre dhe ai nuk e pranoi, por kur pa shenja shqetësimi në fytyrën e dhuruesit, Profeti (a.s.) i tha: “Ne nuk e pranuam dhuratën (tënde) vetëm sepse jemi në gjendjen e ihramit.”[28]

Duke marrë parasysh arsyen që qëndron pas mospranimit të mishit – që është gjuajtur për hir të atyre që ishin në gjendjen e ihramit – këto hadithe mund të përputhen. Njerëzit që nuk ishin në gjendjen e ihramit patën për qëllim të gjuanin për ata që ishin në gjendjen e ihramit.

Ibën Abdul Berri ka thënë: “Argumenti i atyre që kanë këtë pikëpamje është se mbështetet nga hadithe të besueshme mbi këtë temë. Kur merret në këtë kuptim, ne nuk gjejmë asnjë kundërshti apo mospajtim në këto hadithe”.

I gjithë Suneti duhet të interpretohet në këtë mënyrë. Hadithet nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën kur përdoren në rrethanat e duhura. Ibën El Kajimi e parapëlqen këtë mendim dhe thotë: “Të gjitha traditat e sahabëve e miratojnë këtë zgjidhje.”

 

Dënimi për atë që shkel ndonjë ndalesë të ihramit

Një muhrim, i cili shtrëngohet për një arsye të vlefshme të shkelë ndonjë prej kufizimeve të ihramit, si rruajta e kokës, veshja e rrobave të qepura për shkak të të ftohtit apo të nxehtit ose për tjetër arsye, me përjashtim kryerjen e marrëdhënieve seksuale me bashkëshorten[29], ai mundet të veprojë kështu, por do t’i duhet të therë një dele ose të ushqejë gjashtë nevojtarë[30] ose të agjërojë tri ditë për ta shlyer. Haxhiu është i lirë të zgjedh mes këtyre alternativave.

Shkelja e kufizimeve të ihramit, përveç marrëdhënieve seksuale, nuk e bën të pavlefshëm haxhin apo umrën. Ndërsa marrëdhëniet seksuale e bëjnë të pavlefshëm haxhin ose umren.

Abdurrahman ibën Ebu Lejla transmeton nga Kab ibën Uxhre se Profeti (a.s.) kaloi pranë tij kur ishin në Hudejbije dhe i tha: “A po të bezdisin morrat që ke në kokë?” Ai i tha: “Po”. Atëherë Profeti (a.s) i tha: “Rruaje kokën dhe ther një dele; ose agjëro tri ditë; ose jepu hurma në masën e tri sa’a gjashtë nevojtarëve”.[31] Transmeton Buhariu, Muslimi dhe Ebu Daudi.

Në një tjetër transmetim, i njëjti transmetues thotë: “Kur isha me të Dërguarin e Allahut gjatë Hudejbijes, m’u mbush koka me morra, të cilët më bezdisnin. U bëra aq keq sa kisha frikë se mos humbja shikimin. Pastaj, Allahu i Plotfuqishëm shpalli vargun kuranor:

فَمَنْ كَانَ مِنْكُمْ مَرِيضًا أَوْ بِهِ أَذًى مِنْ رَأْسِهِ فَفِدْيَةٌ مِنْ صِيَامٍ أَوْ صَدَقَةٍ أَوْ نُسُكٍ

 “Po kush prej jush është i sëmurë ose ka mundim koke (e rruhet para kohe) kompensimi është: agjërim, sadaka ose kurban”. (El-Bekare, 196). Lidhur me këtë, i Dërguari i Allahut më thirri dhe më tha: “Rruaje kokën ose agjëro tri ditë ose ushqe gjashtë nevojtarë me një fark [32] hurma të thata ose ther një dele”. Kështu, unë e rruajta kokën dhe thera një dele”.

Në lidhje me dënimin, Shafiu nuk bën dallim ndërmjet muhrimit, i cili është i shtrënguar të shkelë ihramin për shkak të ndonjë nevoje pa hile dhe atij që e bën pa ndonjë shkak të vërtetë. Në secilin rast duhet të shpaguhet në mënyrë që të dëmshpërblehet shkelja. Ebu Hanife mendon se një person, i cili shkel kufizimet e ihramit pa një shkak të vërtetë duhet të bëjë kurban një dele për të kompensuar këtë gjë. Ai që nuk mund t’a përballojë këtë, nuk duhet të bëjë ndonjë dëmshpërblim nga ato që përmenden më lart.

 

Prerja e vetëm një pjese flokësh

Atau thotë se, nëse një person që është në gjendjen e ihramit shkul tri fije floku ose më shumë, ai duhet të therë një dele si kompensim për këtë. Kjo është transmetuar nga Seid ibën Mensuri. Gjithashtu, Shafiu transmeton nga Atau se, nëse një muhrim shkul një fije floku, ai duhet t’u japë nevojtarëve një madd[33]dhe për dy të tilla dy maddë, por nëse shkul më shumë fije floku, ai duhet të bëjë kurban një dele.

 

Fërkimi i trupit me vaj gjatë gjendjes së ihramit

Në El Musava thuhet se, sipas mendimit të Ebu Hanifes, nëse një muhrim lyen ndonjë pjesë të trupit me vaj të pastër ose uthull, ai duhet të therë një dele si shpagim.

Shkolla shafite është e pikëpamjes se, nëse muhrimi përdor vaj të paaromatizuar në kokë dhe mjekër, atëherë ai duhet të therë një dele, por nuk ka dënim për të nëse e përdor në ndonjë pjesë tjetër të trupit.

 

Veshja e rrobave të qepura apo përdorimi i parfumit gabimisht apo nga padituria

Muhrimi që vesh rroba të qepura apo përdor parfum gabimisht ose harron apo nuk ka njohuri për moslejueshmërinë e tyre nuk duhet të shlyejë asnjë dëmshpërblim.

Ja’la ibën Umeje transmeton se një burrë shkoi te Profeti (a.s.) kur ai ishte në Al-Xhi’rana. Burri kishte veshur një pelerinë dhe kokën edhe mjekrën i kishte lyer dhe parfumosur. Ai tha: “O i Dërguar i Allahut! Unë deklarova qëllimin tim për të kryer umren, por kam bërë këtë që sheh!” Profeti (a.s.) i tha: “Laje kokën dhe mjekrën, hiqe pelerinën dhe bëj në umre atë që duhet të bësh në haxh”.[34] Transmeton “Grupi”, me përjashtim të Ibën Maxhes.

Buhariu transmeton se Atau ka thënë: “Nëse një muhrim përdor parfum ose vesh rroba të qepura nga harresa apo padija, ai nuk merr asnjë dënim e as nuk i kërkohet të bëjë ndonjë dëmshpërblim”.[35]

Megjithatë, kjo është ndryshe nga rasti i vrasjes së një gjahu – pa e ditur apo nga harresa – për të cilën një muhrim duhet të therë një dele për kompensim, sepse kjo është e ngjashme me një garanci monetare. Në çështje të lidhura me sigurimin e pronës, dija dhe padija, harresa dhe qëllimi janë të gjitha njëlloj, siç është në rastet e garancive që i përkasin pronës.

Marrëdhëniet seksuale e bëjnë haxhi të pavlefshëm

Aliu, Umeri dhe Ebu Hurejra dhanë një vendim në lidhje me një burrë, i cili pati marrëdhënie seksuale me gruan e tij kur ishte në gjendjen e ihramit. Në këtë vendim, ata thanë: “Ata të dy duhet të përfundojnë haxhin, por gjithashtu duhet të bëjnë një haxh tjetër vitin në vazhdim dhe të therin (të bëjnë kurban) një kafshë”[36].[37]

Ebu Abas Et-Tabari ka thënë: “Nëse një muhrim ka bërë marrëdhënie seksuale me të shoqen përpara përfundimit të kufizimeve të ihramit, në kohën pas periudhës së parë të lirimit nga kufizimet dhe pavarësisht nëse ka qenë përpara apo pas Arafatit, kjo do t’ia bëjë të pavlefshëm haxhin e tij. Megjithatë, një person i tillë duhet të vazhdojë të kryejë pjesën e mbetur të riteve të haxhit. Ai duhet të therë një deve dhe ta përsërisë haxhin vitin tjetër”.

Nëse gruaja ka qenë në gjendjen e ihramit dhe e ka pranuar veprimin e të shoqit, ajo duhet të vazhdojë kryerjen e haxhit, por, gjithashtu, duhet ta përsërisë atë vitin tjetër dhe përveç kësaj, sipas dijetarëve, duhet të bëjë edhe një kurban.

Sipas Ataut, disa dijetarë mendojnë se burri dhe gruaja duhet të bëjnë vetëm një kurban. Në “Sherh ElSunneh”, El-Bagavi thotë se kjo është më e njohura nga të dyja thëniet e Shafiut se një burri i kërkohet të shpaguajë për kryerjen e marrëdhieve seksuale ngjashëm me rastin kur dikush bën marrëdhënie me gruan në një ditë të Ramazanit. Një çift i tillë duhet të rrijë i ndarë[38] kur të shkojnë për të kryer haxhin tjetër (për të kompensuar të parin) që të mos përsërisin atë që bënë herën e parë.

Nëse një burrë i tillë nuk është në gjendje të therë një deve, atëherë ai duhet të therë një lopë. Nëse nuk mundet as për këtë, atëherë ai duhet të therë shtatë dele. Dhe nëse dhe për këtë nuk është në gjendje ta bëjë, atëherë ai mund të llogarisë vlerën e një deveje dhe t’u shpërndajë ushqim në atë sasi njerëzve të varfër dhe atyre në nevojë, në mënyrë që çdo personi t’i jepet një sasi e barabartë me një mudd. Nëse nuk është në gjendje të veprojë kështu, atëherë ai duhet të agjërojë një ditë për çdo mudd.

Hanefitë kanë thënë: “Nëse një muhrim ka bërë marrëdhënie seksuale me të shoqen përpara Ditës së Arafatit, atëherë haxhi i tij do të jetë i shfuqizuar dhe i paqenë dhe atij do t’i duhet të bëjë kurban një dele ose një të shtatën e një deveje femër. Por nëse e ka bërë pas Ditës së Arafatit, haxhi i tij nuk do të bëhet i pavlefshëm, por atij do t’i duhet të therë një deve”.

Në rast se një veprim i tillë është kryer nga një pelegrin karijn– që ndërthur haxhin me umrën – ai duhet ta zëvendësojë haxhin e tij me një tjetër haxh kiran dhe të bëjë një kurban për haxhin kiran dhe të vazhdojë haxhin tjetër pikërisht si haxhiu që kryen vetëm haxhin (El-mufrid).

Marrëdhënia seksuale, nëse ndodh pas ndërprerjes së parë të ihramit (pas goditjes me gurë dhe rruajtjes së kokës në Mina), nuk e bën haxhin të pavlefshëm dhe as nuk kërkon që ai të përsëritet më vonë. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve. Por, të tjerët mendojnë se është i detyrueshëm zëvendësimi i haxhit dhe therja e një kurbani. Ky është mendimi i Ibën Umerit, El-Hasanit dhe Ibrahimit.

Gjithashtu, ka një mospërputhje mendimesh në lidhje me kafshën që duhet të bëhet kurban: një dele apo një deve. Ibën Abasi, Ikrima dhe Atau janë të mendimit se duhet të jetë një deve. Ky është gjithashtu një nga mendimet e Shafiut. Sipas një mendimi të mëvonshëm të Shafiut, duhet të bëhet kurban një dele. Maliku pajtohet me këtë mendim.

Sipas shkollës shafite, muhrim që ejakulon në gjumë duke menduar apo parë në ëndërr një grua, nuk merr asnjë dënim. Megjithatë, këta dijetarë mendojnë se, nëse dikush puth apo prek të shoqen me dëshirë seksuale, ai duhet të bëjë kurban një dele, pavarësisht nëse eksitohet apo jo. Ibën Abasi mendon se një person i tillë dënohet dhe ai duhet të bëjë kurban një dele.

Muxhahidi ka thënë: “Një burrë shkoi te Ibën Abasi dhe i tha: “Kur isha në gjendjen e ihramit filan grua erdhi te unë e zbukuruar e tëra. Unë nuk munda të përmbahesha dhe u laga (ejakuloi spermë). (çfarë duhet të bëj?) Ibën Abasi qeshi sa u shtri në tokë dhe tha: “Ti je shumë epshor. Nuk ka asgjë të keqe. Por ti duhet të therësh një dele. Haxhi yt është i plotë”. Transmeton Seid ibën Mensuri.

 

Vrasja e kafshëve të egra duke qenë në gjendjen e ihramit

Allahu i Madhëruar thotë:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لاَ تَقْتُلُوا الصَّيْدَ وَأَنْتُمْ حُرُمٌ وَمَنْ قَتَلَهُ مِنْكُمْ مُتَعَمِّدًا فَجَزَاءٌ مِثْلُ مَا قَتَلَ مِنْ النَّعَمِ يَحْكُمُ بِهِ ذَوَا عَدْلٍ مِنْكُمْ هَدْيًا بَالِغَ الْكَعْبَةِ أَوْ كَفَّارَةٌ طَعَامُ مَسَاكِينَ أَوْ عَدْلُ ذَلِكَ صِيَامًا لِيَذُوقَ وَبَالَ أَمْرِهِ عَفَا اللَّهُ عَمَّا سَلَفَ وَمَنْ عَادَ فَيَنتَقِمُ اللَّهُ مِنْهُ وَاللَّهُ عَزِيزٌ ذُو انتِقَامٍ

“O ju që besuat! Mos e mbytni gjahun, duke qenë në ihram. E kush e mbyt atë me qëllim, atëherë dënimi është therja e një kafshe shtëpiake të ngjashme me atë (të egrën) që e ka mbytur. Për këtë çështje vendosin dy njerëz të drejtë nga mesi juaj, duke bërë ata kurban për Qabe ose (dënimi është) duke ushqyer të varfër apo duke agjëruar për ta shijuar të keqen e punës së tij. Allahu ka falur të kaluarën. E kush bën përsëri (gabimin), Allahu e dënon ashpër. Allahu mbizotëron (çështjet), hakmerret (me dënim). (El-Maide, 95)

Ibën Kethiri ka thënë: “Shumica mendojnë se përsa i përket dënimit, nuk ka dallim ndërmjet atij që vret me paramendim një kafshë të egër dhe atij që e bën pa dashje”.

Ndërsa Ez-Zuhri ka thënë: “Kurani ka caktuar dënim vetëm për vrasësin më qëllim të kafshës së egër, ndërsa suneti përfshin dhe ata që vrasin në harresë”.

Me fjalë të tjera, Kurani cakton një dënim për vrasësin me dashje për mëkatin e tij, siç e tregojnë fjalët e Allahut: “…për ta shijuar të keqen e punës së tij”.

Suneti i Profetit (a.s.) dhe gjykimet e sahabëve të tij tregojnë se ai që vret një kafshë të egër gabimisht, duhet të ketë njëfarë ndëshkimi. Vrasja e një kafshe të egër është një vepër dëmtuese dhe si rrjedhim, me dashje apo pa dashje, bën pak dallim, edhe pse vrasësi me paramendim është fajtor se ka bërë mëkat, kurse ai që vret gabimisht nuk ka kryer ndonjë faj.

Në “El-Mustava” thuhet: “Sipas mendimit të Ebu Hanifes, vargu: “E kush e mbyt atë me qëllim, atëherë dënimi është therja e një kafshe shtëpiake të ngjashme me atë (të egrën) që e ka mbytur”, do të thotë se ai që vret një kafshë të egër, duhet ta kompensojë duke therur diçka të ngjashme ose të barazvlefshme në çmim, gjë që duhet të vendoset nga dy njerëz të drejtë. Ajo mund të jetë kafshë shtëpiake që është sjellë në Qabe për ta bërë kurban. Përndryshe ai duhet të ushqejë nevojtarët”.

Sipas mendimit të Shafiut, do të thotë se: “Kushdo që vret një kafshë të egër kur ka veshjen e haxhit, duhet të zhdëmtojë për veprimin e tij duke bërë një kurban të ngjashëm në pamje dhe formë dhe dy njerëz të drejtë duhet të sigurohen se ajo është e barazvlefshme në vlerë me kafshën e egër të vrarë. Ai duhet ose të dëmshpërblejë ose të agjërojë për një numër të barazvlefshëm ditësh”.

Disa shembuj të mëparshëm nga Umeri dhe brezat pasues

Abdul Malik ibën Kureir transmeton nga Muhamed ibën Sirini se një burrë shkoi te Umer ibën El-Hatabi dhe i tha: “Unë me një shokun tim ndoqëm një kafshë të egër, ndërkohë që kishim veshur rrobën e haxhit. Vramë një drenushë. Cili është dënimi ynë?” Umeri i thirri një burri pranë tij: “Eja! Unë dhe ti duhet të gjykojmë së bashku”. Pastaj ai dha vendimin e tij dhe i tha burrit të bënte kurban një dhi për ta kompensuar”. Burri u largua duke thënë: “Ky është prijësi i besimtarëve, i cili s’mund të japë një gjykim në lidhje me vrasjen e një drenushe?!” Umeri e dëgjoi vërejtjen e burrit, e thirri të kthehej dhe e pyeti: “A e ke lexuar Suren El-Maide?” Burri tha: “Jo!” Umeri e pyeti më tej: “A e njeh këtë burrë që mori pjesë në gjykim me mua?” Burri i tha “Jo!” Umeri tha: “Sikur të më kishe thënë se e kishe lexuar Suren El Maide, do të kisha rrahur”. Pastaj, ai shtoi: “Allahu i Madhëruar, thotë në Librin e Tij: “E kush e mbyt atë me qëllim, atëherë dënimi është therja e një kafshe shtëpiake të ngjashme me atë (të egrën) që e ka mbytur. Për këtë çështje vendosin dy njerëz të drejtë nga mesi juaj”. Ky burrë që gjykoi bashkë me mua është Abdurrahman ibën Aufi”.[39]

Brezat e hershëm të dijetarëve muslimanë jepnin vendime që një deve të therej për një struc, një lopë për një zebër, dre ose drenushë dhe në mënyrë të ngjashme një dele për një ketër apo një pëllumb, turtull, thëllëzë mali dhe disa zogj të tjerë. Një dash do të therej për një hienë, një dhi për një drenushë, një dhi mbi katërmuajshe për një lepur, një kec për një dhelpër, dhe një dhi katërmuajshe duhet të therej pët vrasjen e një jerboje (brejtës i shkretëtirës i ngjashëm me miun).

Kur dikush nuk është në gjendje të shlyejë dëmin

Seid ibën Mensuri transmeton se Ibën Abasi ka komentuar fjalët e Allahut: “…dënimi është therja i një kafshe shtëpiake…” dhe ka thënë: “Nëse një muhrim vret një kafshë, duhet të bëhet një vlerësim dhe pastaj ai duhet të bëjë një kompensim. Nëse ai ka një kafshë të një vlere të barazvlefshme me atë të kafshës së egër, ai duhet ta therë atë dhe mishin e saj ta japë për bamirësi, por nëse nuk ka një kafshë të kësaj vlere, ai duhet të llogarisë vlerën e kafshës së egër dhe të shpërndajë ushqim në atë sasi. Në rast se nuk ka para për këtë, atëherë duhet të agjërojë një ditë për çdo gjysëm sa’a ushqim. Nëse një muhrim vret një kafshë të egër, ai duhet të therë një kafshë të ngjashme sipas gjykimit të dy burrave të drejtë. Nëse vret një drenushë ose kafshë të ngjashme me të, duhet të therë një dele në Mekë. Nëse nuk mund të blejë një dele, atëherë duhet të ushqejë gjashtë të varfër, dhe nëse nuk mund ta përballojë këtë, atëherë duhet të agjërojë tri ditë. Nëse vritet një dre i rritur ose një kafshë e ngjashme me të, duhet të theret një lopë, ndryshe duhet të ushqehen njëzet nevojtarë ose të agjërohet për njëzet ditë. Nëse një struc, zebër ose një kafshë e ngjashme me to vritet, personi duhet të bëjë kurban një deve e nëse nuk ka mundësi duhet të ushqejë 30 të varfër e nëse nuk ka mundësi, atëherë duhet të agjërojë tridhjetë ditë”. Kjo është transmetuar nga Ibën Ebi Hatimi dhe Ibën Xheriri. Gjithashtu, ata i shtuan këtyre fjalëve: “Ushqimi i dhënë nevojtarëve duhet të jetë i mfaftueshëm për të shuar urinë e tyre”.[40]

Si të ushqesh të varfërit dhe të agjërosh?

Maliku ka thënë: “Gjëja më e mirë që kam dëgjuar në lidhje me këtë çështje është se duhet të llogaritet çmimi i kafshës së egër ose ushqimi që duhet të blihet me atë shumë. Pastaj, vrasësi duhet t’i japë çdo nevojtari një mud ushqim ose përndryshe duhet të agjërojë një numër të njëjtë ditësh, një ditë për çdo mud(ushqimi). Ai duhet të llogarisë numrin e nevojtarëve që duhet të ushqejë. Ai duhet të agjërojë dhjetë ditë, nëse me atë vlerë mund të ushqeheshin dhjetë të varfër, të agjërojë njëzet ditë nëse me atë sasi do të mund të ushqeheshin njëzet njerëz e kështu me radhë, sado që të jetë numri, madje gjashtëdhjetë e lart”.

Pjesëmarrja e shumë vetave në vrasjen e një kafshe gjahu

Nëse një grup njerëzish që merr pjesë në vrasjen e një kafshe të egër me qëllim, ata duhet të paguajnë vetëm një dëmshpërblim, sepse Allahu thotë: “…dënimi është therja e një kafshe shtëpiake…”

Ibën Umeri u pyet për një grup njerëzish, që kishin vrarë së bashku një hienë në kohën kur ishin në gjendjen e ihramit dhe ai u tha: “Therni një dash!”. Ata e pyetën: “Duhet të therim një dash për secilin person të grupit?” Ai tha: “Jo! Therni vetëm një dash në emër të të gjithëve!”[41]

Vrasja e një kafshe të egër dhe prerja e pemëve brenda rrethinave të shenjta

Është e ndaluar si për muhrimin dhe për atë që nuk është muhrim të vrasë kafshë të egra në Rrethinat e Shenjta të Haramit ose t’i frikësojë apo të presë aty pemët që nuk janë të mbjella nga njerëzit, bimët e njoma, përfshirë gjembaçët, me përjashtim të bimëve të quajtura idh’hir dhe sana, të cilat mund të priten, këputen apo të shkulen.

Ibën Abasi transmeton se në ditën e çlirimit të Mekës, Profeti (a.s.) tha: “Me të vërtetë, ky është një Qytet i Shenjtë, gjembat dhe bimët e tij nuk duhet të shkulen, kafshët e egra të tij nuk duhet të frikësohen dhe askush nuk lejohet të marrë sendet e humbura, vetëm nëse e njeh zotëruesin (më qëllim që t’ia kthejë atij)”. Abasi ka thënë: “Përveç (bimës) idh’hir”, ngase ajo i nevojitet farkëtarit dhe shtëpive tona”. Profeti (a.s.) e përjashtoi këtë bimë, duke thënë: “Përveç idh’hir.”[42] Transmeton Buhariu.

Sheukani ka cituar Kurtubiun dhe ka thënë: “Juristët mendojnë se pemët që ndalohet të priten janë pemët e egra ose bimët që nuk janë mbjellë apo rritur nga njerëzit. Përsa u përket pemëve të kultivuara nga njerëzit, dijetarët kanë mendime të ndryshme. Shumica e tyre mendojnë se është e lejueshme që të priten pemët e rritura nga njerëzit”.

Shafiu ka thënë: “Prerja e çfarëdo peme ose bime është e dënueshme”. Po ashtu, Ibën Kudame ka të njëjtën pikëpamje.Gjithashtu, ka mendime të ndryshme mbi ndëshkimin për prerjen e llojit të parë të pemëve. Maliku mendon se nuk ka dënim për të, ndonëse ai që e bën këtë ka kryer një mëkat. Atau shpreh mendimin e tij dhe thotë: “Një person i tillë duhet të kërkojë falje nga Allahu”.

Ebu Hanife është i mendimit se një person i tillë duhet të aplikojë shlyerjen, duke bërë kurban një kafshë të barazvlefshme në vlerë me dëmin e shkaktuar.

Përkitazi me këtë, Shafiu ka thënë: “Për prerjen e një peme të madhe, duhet që për shlyerje të bëhet kurban një lopë dhe për një pemë më të vogël një dele”.

Megjithatë, dijetarët bëjnë një përjashtim për përdorimin e degëve të thyera, pemëve apo gjetheve të rëna. Përdorimi i tyre është i lejueshëm. Ibën Kudame thotë: “Ka mendime të njëjta mbi lejueshmërinë e përdorimit të barërave, luleve, barit dhe bimëve të njoma të rritura nga njerëzit brenda rrethinave të shenjta të Haramit”.

Autori i “El Raudah El Nadije” thotë: “Banorët e Haramit, që nuk janë në gjendjen e ihramit bëjnë mëkat, por nuk dënohen për vrasjen e një kafshe të egër ose prerjen e një peme brenda rrethinave të shenjta. Sa për ata që janë në gjendjen e ihramit, ata duhet të paguajnë dënimin e caktuar nga Allahu për vrasjen e një kafshe të egër. Por, për prerjen e një peme në Mekë ata nuk marrin dënim, sepse në këtë drejtim nuk kaprova të forta sa duhet.

Hadithi që thotë: “Nëse dikush pret një pemë të madhe, që në rrënjë, ai duhet të therë një lopë si dënim”[43], nuk është i saktë. Ato që janë treguar nga dijetarët e hershëm dhe opinionet e tyre mbi këtë çështje nuk mund të merren më vete si vendimtare”.

Autori vazhdon: “Shkurt, nuk ka lidhje ndërmjet ndalimit të vrasjes së kafshëve të egra e prerjes së pemëve dhe detyrimit të shpagimit ose dhënies së një sasie të barazvlefshme në vlerë si dëmshpërblim. Megjithatë, ndalimi është i qartë nga çfarë nuk është e lejuar. Dënimi ose vlera e barazvlefshme mund të zbatohen vetëm nëse ka argumente të qarta për ta vërtetuar atë. Por, prova e vetme që ne kemi mbi këtë çështje është në fjalët e Allahut: “لاَتَقْتُلُوا الصَّيْدَ وَأَنْتُمْ حُرُمٌ” “… mos e mbytni gjahun, duke qenë në ihram…” Në këtë varg, dënimi juaj është përmendur dhe asgjë tjetër nuk është e rëndësishme apo e detyrueshme.

Rrethinat e shenjta të Mekës (Harami i Mekës)

Rrethinat e shenjta përfshijnë zonën përreth Mekës, të shënuar me gurë një metër të lartë, në të gjitha rrugët që të çojnë apo të nxjerrin nga Meka.

Në anën veriore, Harami i Mekës shtrihet deri në Tenim, gjashtë kilometra nga Xhamia e Shenjtë dhe nga ana jugore për në Edah, dymbëdhjetë kilometra nga Meka. Nga ana lindore, gjashtëmbëdhjetë kilometra larg, shtrihet El-Xhi’rana, ndërsa në kufirin verilindor shtrihet lugina Nahleh, e cila është katërmbëdhjetë kilometra nga Meka. Në kufirin perëndimor shtrihet Shumejsi,[44] pesëmbëdhjetë kilometra larg Mekës.

Muhibudin Et-Tabari transmeton nga Zuhri e ky nga Ubejdullah ibën Abdullah ibën Utba se Profeti Ibrahim (alejhi selam) vendosi shenjues për Rrethinat e Shenjta siç iu treguan nga Xhebraili (alejhi selam). Këta shenjues nuk u prekën deri në kohën e Kusait, i cili i ripërtëriti.

Më pas, Profeti (a.s.) në vitin e çlirimit të Mekës, dërgoi Temim ibën Usejd El-Huzain t’i përtërinte. Më vonë, Umeri caktoi katër burra nga Kurejshët: Muhrama ibën Neufel, Seid ibën Jerbu’a, Huejteb ibën Abdul Uzza dhe Ez’har ibën Abdu-Auf për të përtërirë këta shenjues. Në vijim, së pari Muavija dhe më pas Abdul-Maliku i rirregulluan ato.

Rrethinat e shenjta të Medinës (Harami i Medinës)

Ashtu si në rastin e Haramit të Mekës, vrasja e kafshëve të egra dhe prerja e pemëve është e ndaluar dhe në rrethinat e sëëhenjta të Medinës. Xhabir ibën Abdullah transmeton se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Ibrahimi (alejhi selam) e bëri Mekën Haram (të shenjtë) dhe unë e shpall Medinën dhe çfarë shtrihet ndërmjet dy brezave malorë me gurë të zinj është Haram. As edhe një kafshë (brenda kësaj zone) nuk duhet të vritet e as edhe një edah[45] nuk duhet të pritet”.[46] Transmeton Muslimi.

Aliu (r.a.) transmeton në lidhje me Medinën, se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Bimët e saj nuk duhet të shkulen, kafshët e egra aty nuk duhet të frikësohen, sendet e humbura nuk duhet të merren veçse prej dikujt që bën një lajmërim për të gjetur pronarin e as nuk duhet të mbahen me vete armë për të luftuar aty. Pemët e saj nuk duhet të priten, përveçse kur (është e nevojshme të) ushqehen devetë”.[47] Transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Profeti (a.s.) ka thënë: “Medina është Haram (e shenjtë) dhe Rrethinat e saj të Shenjta shtrihen që nga Iri[48] deri në Theur”.[49]

Një tjetër hadith i pranuar është transmetuar nga Ebu Hurejra, i cili tregon se Profeti (a.s.) e shpalli të shenjtë zonën midis dy brezave kodrinorë me gurë të zinj të Medinës dhe pastaj i zgjeroi deri në një rreze prej dymbëdhjetë milje rreth saj.[50]

Profeti (a.s.) i lejoi banorët e Medinës t’i prisnin pemët për të bërë plugje, qerre, vegla dhe pajisje të tjera të nevojshme. Gjithashtu, ai i lejoi ata të korrnin barin për të ushqyer kafshët.

Ahmedi transmeton nga Xhabir ibën Abdullahu se Profeti (a.s.) ka thënë: “Zona ndërmjet dy brezave kodrinorë me gurë të zinj të Medinës është Haram (vend i shenjtë). Asnjë pemë nuk duhet të pritet (brenda kësaj zone), përveçse për t’u përdorur si tagji për kafshët”.[51]

Në dallim nga kjo, banorët e Mekës, që kanë rezerva të mjaftueshme për ushqimin e kafshëve të tyre, nuk u lejohet të presin edhe bar për të ushqyer ato. Banorët e Medinës nuk i plotësojnë nevojat e tyre dhe prandaj janë të detyruar të përdorin drurët dhe barin.

 Por vrasja e kafshëve të egra ose prerja e pemëve në vendin e shenjtë të Medinës nuk dënohet dhe as kërkohet ndonjë dëmshpërblim, megjithëse një veprim i tillë është mëkat.

Enesi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Medina është një vend i shenjtë që nga ky e ai vend e deri në këtë e atë vend dhe (brenda kësaj zone) pemët nuk duhet të priten e as nuk duhet të kryhet ndonjë vepër (e ndaluar). Kushdo që vepron kështu, mbi të do të bjerë mallkimi i Allahut, engjëjve të Tij dhe krejt njerëzimit”.[52]Transmeton Buhariu.

Është e lejueshme të merren dhe të përdoren degët e një peme të rënë brenda këtij vendi të shenjtë. Sead ibën Ebi Vekasi transmeton se, ndërsa ishte rrugës për në shtëpinë e tij në Akik, ai pa një rob duke prerë një pemë ose duke e goditur e shkundur atë, që t’i binin gjethet. Seadi ia mori gjithçka që ai kishte mbledhur. Pronarët e robit shkuan te Seadi dhe i kërkuan t’u kthente ato që ky i kishte marrë robit të tyre. Seadi u tha: “Mos e dhëntë Allahu që të kthej diçka, të cilën i Dërguari i Allahut ma ka dhënë si dhuratë”. Dhe kështu ai nuk pranoi t’ua kthente.[53] Transmeton Muslimi.

Lidhur me këtë, Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse shihni ndonjë që gjuan diçka brenda kufijve të shenjtë të Medinës, ju mund t’ia merrni”.[54]  Transmeton Ebu Daudi dhe Hakimi, i cili e konsideron këtë hadith të vërtetë.

A ka ndonjë vend tjetër të shenjtë veç Mekës dhe Medinës?

Ibën Tejmije ka thënë: “Nuk ka asnjë vend tjetër të shenjtë në të gjithë botën përveç këtyre të dyjave, madje as Xhamia El-Aksa në Jeruzalem dhe as ndonjë tjetër nuk është, edhe pse disa të paditur i quajnë Haram El-Makdis dhe Haram El-Khalil. Me miratim të përgjithshëm Harami i Mekës është i vetmi Haram (vend i shenjtë). Megjithatë, shumica e dijetarëve mendojnë se Medina është gjithashtu një vend i shenjtë, siç përmendet në hadithin mbi këtë temë.

Dijetarët muslimanë nuk pajtohen në lidhje me një vend të tretë të shenjtë, përveç vendit të quajtur Uxha, një luginë në Taif, dhe nuk e mbajnë atë për vend të shenjtë. Disa thonë që po[55], por shumica e dijetarëve janë të mendimit se ai nuk është haram.

Vlera e Mekës mbi Medinën

Shumica e dijetarëve mendojnë se Meka është më e vlefshme se Medina.

Abdullah ibën Adi ibën El-Hamra transmeton se ka dëgjuar Pejgamberin (a.s.) të thotë: “Për Allahun! Ti (o Mekë) je më e mira e tokave të Allahut dhe më e dashura për Të. Sikur të mos isha përzënë prej teje, unë nuk do të isha larguar kurrë”.[56] Transmeton Ahmedi, Ibën Maxhe dhe Tirmidhiu. Ky i fundit e vlerëson si të vërtetë.

Po ashtu, Ibën Abasi ka thënë: “I Dërguari i Allahut iu drejtua Mekës duke thënë: “Sa vend i bukur je! Ti je vendi më i dashur për mua! Nëse populli im nuk do të më kishte përzënë prej teje, unë kurrë nuk do të isha larguar (prej këtu) për të jetuar diku tjetër”.[57] Transmeton Tirmidhiu dhe e quan hadith të vërtetë.

Hyrja në Mekë pa ihram

Dikush mund të hyjë në Mekë pa veshur rrobën e ihramit, nëse nuk ka për qëllim të kryejë haxhin apo umrën. Ky mund të jetë një vizitor i shpeshtë i Mekës si p.sh.: një druvar, një kositës bari, një ujëbartës, një gjuetar etj. Ky mund të jetë edhe një vizitor jo i shpeshtë si p.sh.: një tregtar apo një vizitor. Pavarësisht nëse mund të hyjnë në të me ndjenjën e sigurisë apo frikës, të gjithë ata mund të hyjnë në Mekë pa ihram, nëse nuk kanë për qëllim të kryejnë haxhin apo umren. Ky është mendimi i Shafiut, i cili nga të dyja pikëpamjet e tij është më i sakti dhe i mbështetur gjithashtu edhe nga shokët e tij.

Muslimi transmeton se i Dërguari i Allahut hyri në Mekë i veshur me një çallmë të zezë dhe pa ihram.[58]

Po ashtu, tregohet se Ibën Umeri u kthye pasi kishte bërë një pjesë të rrugës dhe hyri në Mekë pa ihram.[59]

Ibën Shihabi dhe Ibën Hazmi mendojnë se hyrja në Mekë pa rrobën e ihramit është e lejueshme. Profeti (a.s.) caktoi shenjuesit (mikatet) rreth Mekës vetëm për ata që kishin për qëllim kryerjen e haxhit ose të umres. Veshja e ihramit nuk është e detyrueshme për ata që kalojnë shenjuesit, nëse nuk kanë për qëllim kryerjen e haxhit apo të umres. Allahu dhe Profeti i Tij (alejhi selam) nuk e ndaluan hyrjen në Mekë pa ihram. Të ngulësh këmbë për këtë do të thotë që të detyrosh njerëzit për diçka që nuk e detyron Sheriati.

Veprime të pëlqyeshme për ata që hyjnë në Mekë dhe Xhaminë e Shenjtë

Është e pëlqyeshme për ata që kanë për qëllim të vizitojnë Mekën të veprojnë si më poshtë:

1- Të bëjnë banjë. Transmetohet se Ibën Umeri lahej përpara se të hynte në Mekë.

2- Të kalojnë natën në Dhi Tuva, një luginë në drejtim të El-Zahirit. Profeti (a.s.) e kalonte natën atje. Nafiu tregon se Ibën Umeri bënte të njëjtën gjë.[60] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

3- Të hyjnë në Mekë nga kodra e sipërme e quajtur “Keda”. Profeti (a.s.) hyri në Mekë nga drejtimi i El-Mu’alasë.[61] Kushdo që është në gjendje në ndjekë rrugën e tij, duhet ta bëjë, por nuk është mëkat nëse nuk e bën një gjë të tillë.

4- Të nxitojë për te Xhamia e Shenjtë sapo t’i lërë sendet vetjake në një vend të sigurt. Në Xhaminë e Shenjtë duhet të hyhet nga porta e njohur si Porta Beni Shejbe – Babus-Selam – dhe të thotë me përulje dhe sinqeritet: “E‘udhu bilahil adhim ue bi uaxhihi el-kerim, ue sultanihil kadim minesh-shejtani rraxhim.[62]Bismil-lah, All-llahumme sal-li ala Muhammedin ue alihi ue selim. All-llahumme igfir li dhunubi ueftah li ebuabe rahmetike” [63] (Unë kërkoj strehim te Allahu i Madhëruar, kërkoj strehim te Ai, në Nderin dhe Lavdinë e Tij të Përjetshme, në Pushtetin e Pafund, prej djallit të mallkuar. O Allah! Bekoje Muhamedin dhe Familjen e Muhamedit! O Allah! M’i fal mëkatet dhe hapi dyert e mëshirës për mua!)”

5- Të ngrejë duart lart me të parë Qaben, të lutet dhe të thotë: “All-llahumme zid hadhel bejte teshrifen ue teadhimen ue tekrimen ue mehabeten, ue zid men sherrefehu ue kerramehu mimen haxhehu eu iatemerahu teshrifen ue tekrimen ue teadhimen ua birran!”[64] (O Allah! Shtoja nderin, dinjitetin dhe respektin kësaj Shtëpie dhe jepu të gjithë atyre që vijnë te ajo për haxhin ose umrën nder, dinjitet, respekt dhe ndershmëri). Dhe shtohet: “All-llahumme entes-selam, ue minkes-salam, Fehajjina rabbena bi-selam!”[65] (O Allah! Ti je Paqja, prej Teje vjen Paqja. O Allah! Jepna Paqe!)”

6- Pastaj drejtohen për te Guri i Zi dhe e puthin me qetësi. Nëse nuk është e mundur ta puthin, atëherë mund ta prekin me dorë dhe pastaj të puthin dorën dhe nëse as kjo nuk është e mundur, atëherë thjesht tregojnë me dorë drejt tij.

7- Pastaj fillojnë tavafin (rrethrrotullimin) duke filluar që nga Guri i Zi.

8- Nuk duhet të kryhet falja e përshëndetjes së Xhamisë së Shenjtë, pasi vetë tavafi i Qabes është përshëndetje për Xhaminë e Shenjtë. Megjithatë, nëse është koha për faljet e përditshme të urdhëruara, atëherë duhet të falen me xhematin.

Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur falet një namaz farz, atëherë asnjë lloj faljeje tjetër përveç saj nuk është e vlefshme”.[66]

Në mënyrë të ngjashme, nëse dikush ka frikë se mos humbet namazin farz, atëherë ai duhet ta falë atë para çdo gjëje tjetër.

Tavafi – rrotullimi rreth Qabes

Vijon …


[1] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[2] Buhariu 5806, Muslimi 2784, Ebu Daudi 1823, Nesai 2666.

[3] Një bimë aromatike që përdorej për të ngjyer rrobat me ngjyrë të verdhë.

[4] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2689. Ebu Daudi 1827, Bejhakiu 5/47, el Hakim 1/486.

[5] Usfur quhen lulet e shafranit, lënda ngjyruese e kuqe e të cilave përgatitet prej kaptinëzave të saj.

[6] Buhariu Mualak, “Kitabul Haxh”, tema nr. 23.

[7] Buhariu 1838, Ebu Daudi 1824, Ahmedi 2/3,4,29,32,41,77,119.

[8] Hadith Daif. “El Irva” 1024. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1833, Bejhakiu 5/48, Ibën Maxheh 2935, Ibën Xharudi 418, Darakutni 286, 287.

[9] Kjo në rastin e një njeriu, i cili sheh se këto gjëra as nuk gjenden e as nuk ka para për t’i blerë.

[10] Buhariu 1841, 1843, 5804, Muslimi 2786, Ebu Daudi 1829,Tirmidhiu 834, Nesai 2670, Ibën Maxheh 2931. 

[11] Ahmedi 1/228.

[12] Edhe Ibën El Kajimi e parapëlqen këtë pikëpamje.

[13] Buhariu 5852, Muslimi 2785,  Nesai 2665, Ibën Maxheh 2932.

[14] Hadith Sahih pa shtesën “pasi t’i presë…”. “El Irva” 4/194. E ka nxjerrë Nesai 2679.

[15] Muslimi 3432, Ebu Daudi 1841, 1842, Tirmidhiu 840, Nesai 2842, 2843, 2844, 3276, Ibën Maxheh 1966.

[16] Siç ka ardhur te Buhariu 5114, Muslimi 3437, 3438, Nesai 2837, 2838, 3272, Tirmidhiu 844, Ibën Maxheh 1965; nga Ibën Abasi.

[17] Muslimi 3439, Ebu Daudi 1843, Tirmidhiu 845, Ibën Maxheh 1964.

[18] Pasuesit malikitë mendojnë se ka dënim për heqjen e qimeve nga sytë.

[19] Hadith Daif. “El Irva” 988. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3197, Ibën Maxheh 2896.

[20] Buhariu 1789, 1847, 4329, 4985, Muslimi 2792, Ebu Daudi 1721, Nesai 2667, Tirmidhiu 836, Bejhakiu 7/50, Ahmedi 4/22.

[21] Megjithatë, Ebu Hanife mendon se është e lejueshme.

[22] Buhariu 1268, 1849, Muslimi 2883, Ebu Daudi 3238, Tirmidhiu 951, Nesai 1903, Ibën Maxheh 3084.

[23] Ahmedi 10/297, Tahaviu 2/136.

[24] Maliku 422.

[25] Buhariu 1824, Muslimi 2847, Nesai 2826.

[26] Hadith Daif. “El Mishkat” 2700, “Daiful Xhami” 3524, 4667. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1851, Nesai 2827, Tirmidhiu 846, Bejhakiu 5/190, Ahmedi 11/241 –el fet-hu rabani.

[27] Muslimi 2852, Nesai 2816.

[28] Buhariu 1825, 2573, 2596, Muslimi 2837, Nesai 2818, 2819, Tirmidhiu 849, Ibën Maxheh 3090.

[29] Për hollësi mbi këtë shih në faqet në vazhdim.

[30] Çdo nevojtari duhet t’i jepet të paktën barazvlerësi i gjysmës së një sa’a  si njësi peshe.

[31] Buhariu 1814, 1815, 1818, 4159, 4190, 4191, 5665, 5703, 6708, Muslimi 2869, 2870, 2871, 2872, 2873, Ebu Daudi 1856, 1858, 1859, 1861, Tirmidhiu 953, 2973, Nesai 2851.

[32] Një njësi peshe e përdorur përgjithësisht në Medine në kohën e Profetit (a.s.). Ajo është afërsisht e barabartë me gjashtëmbëdhjetë ratl irakienë.

[33] Një njësi peshe e thatë.

[34] Buhariu 1536, 1789, 4329, 4985, Muslimi 2790, 2792, 2793, Ebu Daudi 1819, 1820, 1821, 1822, Tirmidhiu 836, Nesai 2667, 2709. 

[35] Buhariu e ka përmendur mualak në kapitullin e Haxhit.

[36] Maliku f.148, Bejhakiu 5/174.

[37] Veprimi në këtë mënyrë është i urdhëruar sipas Ahemdit dhe Malikut, por shkolla hanefite dhe ajo shafite e konsiderojnë si këshillim.

[38] Kjo është e detyrueshme sipas Ahmedit dhe Malikut dhe e pëlqyeshme sipas Hanefive dhe Shafive.

[39] Maliku f. 161, Bejhakiu 5/180.

[40] Këtë ether e ka përmendur Ibën Xheriri në Tefsirin e tij 11/31, Ibën Kethiri në Tefsirin e tij 3/241, Bejhakiu 5/186.

[41] E ka nxjerrë Darakutni në “Sunenet” e tij.

[42] Buhariu 1587, 1834, 2783, 2825, 3077, 3189, Muslimi 3289, 4806, Ebu Daudi 2480, Tirmidhiu 1590, Nesai 2874, 2875.

[43] Bejhakiu 5/196.

[44] Ky vend quhej Hudejbije më parë. Këtu Profeti (a.s.) mori Besën e Riduanit nga shokët e tij. Po ashtu, beteja e Hudejbijes mori emrin e saj.

[45] Një bimë me shumë gjemba që rritet atje.

[46] Muslimi 3304.

[47] Hadith Sahih. El Irva” 4/251. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2035, Ahmedi 1/119.

[48] Iri është një kodër afër mikatit për Medinën dhe Theuri është një kodër pranë Uhudit në anën veriore.

[49] Buhariu 1870, 3172, 3179, 6755, 7300, Muslimi 3314, 3773, Ebu Daudi 2034, Tirmidhiu 2127.

[50] Muslimi 3320.

[51] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 2938. E ka nxjerrë Ahmedi 3/336, 347, 393.

[52] Buhariu 1867, 7306, Muslimi 3310.

[53] Muslimi 3307.

[54] Hadith Sahih, por fjala “që gjuan” është munker – e huaj, e refuzuar. E sakta është me fjalën “që pret prej pemëve të saj”. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2037, 2038, Ahmedi 3/391.

[55] Ky është mendimi i Shafiut, të cilin Sheukani e konsideron si më të saktë.

[56] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2725, “Sahihul Xhami” 7089. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3925, Ibën Maxheh 3108, Ahmedi 4/305.

[57] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2724, “Sahihul Xhami” 5536. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3926.

[58] Muslimi 3296, Nesai 2869, 5359.

[59] Buhariu e ka përmendur Mualak dhe Maliku me zinxhir transmetimi.

[60] Buhariu 1574, Muslimi 3033.

[61] Buhariu 1577, Muslimi 3031, 3032, Ebu Daudi 1869, Tirmidhiu 853.

[62] Hadith Sahih. “El Mishkat” 749, “Et Targib” 1606. E ka nxjerrë Ebu Daudi 466. Këtë lutje Pejgamberi a.s. e bënte kur hynte në xhami.

[63] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[64] Hadith Daif Xhiden – shumë i dobët. “Në mbrojtje të Hadithit Pejgamberik” f. 37. E ka nxjerrë Ibën Seadi 2/173 pa sened, Taberani në “El Kebir” 1/149.

[65] Transmetim hasen – i mirë, si fjalë e Umerit. “Menasikul Haxhi uel Umra” f. 19. E ka nxjerrë Bejhakiu 5/73, Ibën Ebi Shejbe 4/97.

[66] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.