HAXHI DHE UMRA (3)

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani


Kohët dhe vendet e Caktuara për Ihramin

Kohët e caktuara për haxh

Kjo lidhet me periudhën e caktuar të kohës, në mënyrë që ritet e haxhit që do të kryhen të jenë të vlefshme. Kjo është e qartë nga fjalët e Allahut:

يَسْأَلُونَكَ عَنْ الأَهِلَّةِ قُلْ هِيَ مَوَاقِيتُ لِلنَّاسِ وَالْحَجِّ …

“Të pyesin ty për hënën e re (dhe fazat e saj) thuaj: “Ato janë përcaktime të kohës për njerëzit dhe për haxh…” (El-Bekare, 189) dhe

الْحَجُّ أَشْهُرٌ مَعْلُومَاتٌ

“Haxhi është në muajt e caktuar…” (El-Bekare, 197)

Dijetarët muslimanë pranojnë se muajt e haxhit janë Shevali dhe Dhul-Kade. Ata kanë mendime të ndryshme përsa i përket muajit të Dhul-Hixhes, nëse vetëm dhjetë ditët e para të tij përfshihen në muajt e haxhit apo i tërë muaji.

Ibën Umeri, Ibën Mesudi, shkolla hanefite, ajo shafite dhe Ahmedi janë të mendimit se vetëm dhjetë ditët e para përfshihen në muajt e haxhit, ndërsa Maliku e quan të tërë muajin e Dhul-Hixhes si një nga muajt e haxhit.

Ibën Hazmi mbështet mendimin e Malikut, duke thënë se fjalët: “Haxhi është në muajt e caktuar…” nuk do të thotë dy muaj dhe një pjesë e muajve të tjerë.

Në mënyrë të ngjashme, ne e dimë se ritet e haxhit si: goditja e xhemeres (shtyllës) me guralecë ndodh në ditën e 13-të të Dhul-Hixhes, ndërsa dijetarët kanë të njëjtin mendim se rrethrrotullimi i Ifadas, i cili është një nga ritet themelore të haxhit, mund të kryhet në çdo kohë gjatë muajit të Dhul-Hixhes. Nuk ka mospajtime mbi këtë pikë. Prandaj, është mjaft e saktë të thuhet se të tri muajt konsiderohen muaj të haxhit.

Pasojat e mosmarrëveshjeve janë të dukshme kryesisht në ritet e kryera pas flijimit të kafshës për kurban. Ata që e quajnë të tërë muajin e Dhul-Hixhes një muaj të haxhit, janë të mendimit se nuk ka ndëshkim për vonesë dhe nuk është nevoja për të bërë kurban. Nga ana tjetër, ata që thonë se vetëm dhjetë ditët e para përfshihen në periudhën e haxhit janë të mendimit se një person i tillë duhet të presë kurban për vonesën.

Veshja e ihramit për haxh para muajve të haxhit

Ibën Abasi, Ibën Umeri, Xhabiri dhe Shafiu janë të mendimit se veshja e rrobës së ihramit për haxh nuk është e vlefshme jashtë këtyre muajve.[1] Buhariu thotë se Ibën Umeri ka thënë: “Muajt e haxhit janë Shevali, Dhul-Kade dhe dhjetë ditët e Dhul-Hixhes”.[2]

Ndërsa Ibën Abasi ka thënë: “Është sunet që të deklarohet nijeti dhe të vishet ihrami me nijetin e kryerjes së haxhit gjatë muajve të haxhillëkut”.[3]

Ibën Xheriri transmeton se Ibën Abasi ka thënë: “Të veshësh ihramin për haxh nuk ka vlerë, veçse gjatë muajve të haxhit”.[4]

Hanefitë, Maliku dhe Ahmedi janë të mendimit se të veshësh ihramin për haxh përpara muajve të tij është e lejueshme, por jo e pëlqyeshme. Megjithatë, Sheukani parapëlqente mendimin e parë. Ai thotë: “Allahu i Madhëruar ka caktuar muaj të posaçëm për ritet e haxhit, rit prej të cilëve është edhe ihrami. Kështu që, kushdo që pretendon se është e lejueshme të vishet ihrami edhe përpara këtyre muajve, duhet të japë fakte për të mbështetur pretendimin e tij”.

 

Vendet e caktuara për veshjen e ihramit

Mikatet janë vende të posaçme në të cilat një pelegrin, apo dikush që ka ndër mend të vizitojë Mekën për umre ose haxh duhet të deklarojë nijetin e tij për të bërë këtë dhe të veshë ihramin (rrobën e pelegrinit). Kushdo që ka ndërmend të kryejë haxhin apo umren nuk duhet të kalojë përtej këtyre vendeve pa ihram.

Vetë Profeti (a.s.) i cilësoi këto vende,[5] si më poshtë vijon:

Për popullin e Medines mikat është Dhul-Hulejfe, një vend 450 kilometra në veri të Mekës, prej ku ata duhet të deklarojnë nijetin e tyre dhe të veshin ihramin. Për ata që vijnë nga Siria, Jordania, Palestina dhe Libani, mikat është El-Xhuhfe, një vend 187 kilometra në veriperëndim të Mekës dhe afër me Rabigun, i cili është 204 kilometra larg Mekës. Rabigu u bë mikat për njerëzit që vinin nga Siria dhe Egjipti, pasi vendbanimi i El-Xhuhfes është zhdukur krejtësisht.

Mikati për njerëzit e Nexhdit është Karn El-Menazil, një mal 94 kilometra në lindje të Mekës, me pamje nga Arafati.

Jelemlem, një kodër 54 kilometra në jug të Mekës është mikati për ata që vijnë nga Jemeni. Atje ata duhet të deklarojnë nijetin e tyre dhe të veshin ihramin.

Për njerëzit që vijnë nga Iraku, mikat është Dhat-Irk, një vend 94 kilometra në verilindje të Mekës.

Këto vende ishin caktuar nga vetë Profeti (a.s.) për të gjithë ata që kalojnë nëpër to, qoftë kur vijnë nga zonat e specifikuara apo nga të tjera.[6] Profeti (a.s.) ka thënë: “Këto vende janë për njerëzit (që vijnë nga vendet të specifikuara më lart) si edhe për të tjerët që kalojnë nëpërmjet tyre rrugës për të kryer haxhin ose umren”.[7]

Për njerëzit që ndodhen në Mekë dhe synojnë të kryejnë haxhin, siç janë banorët e Mekës, mikati i tyre do të ishte vendi në të cilin ai ndodhet në Mekë. Megjithatë, nëse ky person synon të kryejë umrien, ai duhet të shkojë në Tenim, sepse ai është mikati i tij për umren. Ai duhet të shkojë atje dhe të veshë ihramin për umren.

Ai që është banor në një zonë ndërmjet mikatit dhe Mekës mund ta veshë ihramin­ në shtëpinë e tij.

Ibën Hazmi ka thënë: “Një person që udhëton nga toka apo deti (për në Mekë për haxh apo umre) dhe nuk kalon nëpërmjet asnjërit perj këtyre vendeve mund ta veshë ihramin nga cilido vend që do”.

Deklarimi i ihramit përpara se të arrihet në mikat

Ibën El Mundhiri ka thënë: “Dijetarët kanë mendimin e përbashkët se një person që deklaron nijetin për të kryer haxhin ose umren dhe vesh ihramin përpara se të arrijë mikatin, hyn në gjendjen e ihramit. Po a është e padëshirueshme që të bëhet kështu? Disa thonë se kjo qëndron në bazë të thënieve të sahabëve, pasi vetë Profeti (a.s.) caktoi Dhul Hulejfen si mikat për njerëzit e Medinës që do të thotë se haxhiu duhet ta bëjnë ihramin nga këto vende të specifikuara, pa i shtuar ose hequr asgjë rregullit. Por, nëse shtimi nuk është i ndaluar, atëherë, të paktën rruga më e mirë do të ishte që të mos bëhej kjo gjë (d.m.th. të mos deklarohej ihrami përpara se të arrihej në vendin e caktuar)”.

IHRAMI

 

Përkufizimi

Me ihram kuptojmë qëllimin për të kryer haxhin, umren ose të bësh nijet kryerjen e të dyjave bashkarisht. Qëllimi është një element i rëndësishëm i të dyjave. Allahu i Madhëruar thotë:

وَمَا أُمِرُوا إِلاَ لِيَعْبُدُوا اللَّهَ مُخْلِصِينَ لَهُ الدِّينَ حُنَفَاءَ وَيُقِيمُوا الصَّلاَةَ وَيُؤْتُوا الزَّكَاةَ وَذَلِكَ دِينُ الْقَيِّمَةِ

Ata nuk kanë qenë të urdhëruar për tjetër gjë, veç adhurimit të Allahut në mënyrë të sinqertë, largimit prej çdo besimi të kotë, faljes së namazit dhe dhënies së zekatit, sepse ajo është feja e drejtë”. (El-Bejine, 5)

 Profeti (a.s.) ka thënë: “Veprat shpërblehen sipas qëllimit dhe çdo njeri do të marrë atë që ka pasur për qëllim”.[8]

Çështja e subjektit të nijetit është trajtuar më parë në këtë libër dhe vendi i nijetit është zemra e njeriut. Kemal ibën El-Humami ka thënë: “Ne nuk jemi në dijeni të ndonjërit prej transmetuesve që të tregojë rreth riteve të kryera prej Profetit (a.s.) dhe të thotë se ai (Profeti) shpalli nijetin për të kryer haxhin ose umren duke thënë me zë të lartë: “Unë e kam bërë nijet të kryej umren ose haxhin”.

 

Rregullat e sjelljes gjatë gjendjes së ihramit

Ka disa rregulla të sjelljes, të cilat duhen respektuar gjatë gjendjes së ihramit.

 

1- Pastërtia-

Kjo realizohet nëpërmjet prerjes së thonjve, shkurtimit të mustaqeve, rruajtjes së qimeve të sqetullave dhe të vendeve të tjera, marrjen e abdesit dhe më mirë është larja e plotë. Gjithashtu  burrat krehin e mjekrat dhe flokët. Ibën Umeri ka thënë: “Është sunet për haxhiun që të lahet përpara se të hyjë në gjendjen e ihramit apo përpara së të hyjë në Mekë”.[9] Transmeton Bezari, Darakutni dhe Hakimi. Ky i fundit e konsideron këtë hadith të vërtetë.

Tregohet nga Ibën Abasi se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Një grua në gjendjen e lehonisë pas lindjes së fëmijës dhe në periudhën e saj të menstruacioneve duhet të lahet, të deklarojë ihramin dhe të kryejë të gjitha ritet, përveç rrethrrotullimit rreth Qabes, të cilin ajo mund ta kryejë pasi të jetë pastruar”.[10] Transmeton Ahmedi, Edu Daudi dhe Tirmidhiu, i cili e konsideron këtë hadith të besueshëm.

 

2- Heqja e të gjitha rrobave të qepura dhe veshja e rrobës së ihramit

Kjo rrobë përbëhet nga dy copa pëlhure. Njëra prej tyre mbështillet rreth pjesës së sipërme të trupit, përveç kokës dhe tjetra (izari) mbështillet rreth pjesës së poshtme të trupit. Të dyja këto copa duhet të jenë me ngjyrë të bardhë, pasi kjo ngjyrë është më e dashur tek Allahu. Ibën Abasi ka treguar: “I Dërguari i Allahut krehu flokët, hodhi pak parfum dhe veshi rrobën e tij të haxhit. Po kështu bënë edhe shokët e tij dhe u nisën së bashku nga Medina”.[11] Transmeton Buhariu.

3- Hedhja e parfumit

Parfumi mund të përdoret si në trup ashtu edhe në rrobën e haxhit, edhe nëse era vazhdon të kundërmojë edhe më pas.

Aishja (r.a.) ka thënë: “Ende më duket sikur shoh gjurmët e parfumit që shndrinin në kokën e Profetit (a.s.), në kohën që ai ishte në gjendjen e ihramit.” [12] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Gjithashtu, ajo tregon: “Unë e parfumosja Profetin (a.s.) përpara se ai të vishte rrobën e haxhit, si dhe pasi i jepte fund gjendjes së ihramit, përpara se të kishte bërë Tavafin rreth Qabes”.[13] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Në një hadith tjetër të transmetuar nga Ahmedi dhe Ebu Daudi, Aishja (r.a.) ka treguar: “Ne shkonim në Mekë me të Dërguarin e Allahut dhe para se të vishnim rrobën e haxhit, spërkasnim parfum myshku mbi ballë. Nëse ndonjë prej nesh djersiste, i zbriste parfumi nëpër fytyrë. Profeti (a.s.) e vinte re këtë, por nuk e ndalonte përdorimin e tij”.[14]

4-Falja e dy rekateve

Nëpërmjet këtyre dy rekateve bëhet nijeti për të hyrë në gjendjen e ihramit. Në rekatin e parë duhet të lexohet surja El-Kafirun dhe në të dytin lexohet surja El-Ihlas pas Fatihasë.

Ibën Umeri ka transmetuar se Profeti (a.s.) falte dy rekate në Dhul Hulejfe.[15]

Megjithatë, nëse falet ndonjë namaz i detyruar në atë kohë, kjo do të ishte e mjaftueshme, ashtu si një falje e detyruar mjafton dhe zëvendëson namazin e përshëndetjes së xhamisë”.

 

Llojet e ihramit

Ihrami është tre llojesh:

1)      Kiran (ndërthurja e umrës me haxhin)

2)      Temettu’ (ndërthurje haxhit me umrën me një pushim në mes)

3)      Ifrad (vetëm haxhi)

Dijetarët kanë një mendim të përbashkët për ligjshmërinë e të trija këtyre llojeve.

Aishja (r.a.) ka treguar: “Ne u larguam nga Medina me të Dërguarin e Allahut për të kryer Haxhin e Lamtumirës. Disa prej nesh e deklaruan ihramin për të kryer umren, ndërsa të tjerë deklaruan qëllimin për të kryer haxhin bashkë me umren. Disa të tjerë deklaruan ihramin e tyre për të kryer vetëm haxhin. Profeti (a.s.) deklaroi ihramin vetëm për haxhin.

Sa për ata që kishin qëllim umren, i jepnin fund ihramit sapo mbaronin ritet e umres. Ata që synonin të ndërthurnin haxhin me umren ose ata që synonin të kryenin vetëm haxhin, nuk i jepnin fund ihramit të tyre deri Ditën e Kurbanit, ditën e dhjetë të Dhul Hixhes”.[16] Transmeton Ahmedi, Buhariu, Muslimi dhe Maliku.

 

Kirani – Ndërthurja e haxhit me umren

Në të pelegrini deklaron nijetin për të kryer haxhin dhe umren së bashku dhe kur bën telbijen, thotë: “O Allah! Unë i përgjigjem thirrjes Tënde për të kryer haxhin dhe umren”. Një pelegrini të tillë i kërkohet që të qëndrojë në gjendjen e ihramit derisa të ketë kryer të gjitha ritet e umrës dhe haxhit. Gjithashtu ekziston mundësia që për këtë lloj ihrami, një pelegrin mund ta deklarojë nijetin e tij për të kryer umrën dhe më vonë, përpara bërjes së Tavafit rreth Qabes, të bëjë gjithashtu dhe nijetin e tij për të kryer haxhin.

Tamattu’ – Ndërthurja e umrës dhe haxhit me një pushim në mes

Temettu’ do të thotë kryerja e umres gjatë sezonit të haxhit dhe më pas kryehet haxhi gjatë të njëjtit vit pa u kthyer në vendin e tij. Quhet temettu’ (ose kënaqësi) për shkak të faktit se një pelegrin ka dhe përparësinë e kryerjes së haxhit e njëkohësisht edhe të umres në të njëjtin udhëtim pa iu dashur që të kthehet në shtëpi, sepse ky pelegrin pas umres vazhdon veprimtaritë e tij normalisht. Ai mund të veshë rrobat e tij të zakonshme, të përdorë parfum dhe të bëjë gjëra të tjera deri në kohën kur të veshë edhe një herë ihramin për të kryer haxhin. Kushdo që ka për qëllim të bëjë temettu’ duhet që, kur t’i afrohet mikatit të bëjë së pari nijetin për umre. Kur të shqiptojë telbijen, ai duhet të thotë: Lebbejke bi-umreh! (O Allah! Unë i përgjigjem thirrjes Tënde për të kryer umren”.

Ky pelegrin duhet ta mbajë veshur rrobën e tij të haxhit derisa t’i bjerë qark Qabes, të ecë ndërmjet Safas dhe Mervës dhe pastaj të presë flokët apo t’i rruajë ato. Pas kësaj, ai mund të heqë rrobën e haxhit dhe të veshë rrobat e tij të zakonshme. Ai mund të bëjë gjithçka që është e lejueshme, por që i ndalohej gjatë gjendjes së ihramit. Në ditën e tetë të Dhul-Hixhes, ky person duhet të deklarojë qëllimin e tij për të kryer haxhin dhe të veshë ihramin që në Mekë.

Autori i “El-Fet’h” thotë: “Pjesa më e madhe e dijetarëve janë të mendimit se fjala temettu’ ka kuptimin që një pelegrin mund ta ndërthurë haxhin me umren gjatë muajve të haxhit dhe në të nëjtin udhëtim. Ai duhet ta kryejë umren para haxhit dhe kur e kryen umren duhet të jetë i pranishëm në Mekë. Në mungesë të ndonjërit prej këtyre kushteve, ai nuk mund ta kryejë haxhin temettu’.

Ifradi (Vetëm kryerja e haxhit)

Ifrad do të thotë që një pelegrin, i cili synon të kryejë haxhin, duhet të bëjë nijetin vetëm për haxh në kohën kur ndodhet në mikatin e tij. Në kohën që bën telbijen, ai duhet të thotë: Lebbejke bi-haxh! “(O Allah! Unë i përgjigjem thirrjes Tënde për të kryer haxhin).

Ai duhet ta mbajë rrobën e tij derisa të plotësohen të gjitha ritet e haxhit. Pastaj, nëse ky pelegrin dëshiron të kryejë umrën, ai mund ta bëjë këtë.

Cili nga llojet e mësipërme është më i mirë?

Dijetarët nuk janë të të njëjtit mendim përsa i përket se cili prej tyre është lloji më i mirë.

Pasuesit e shkollës shafite mendojnë se ifradi dhe temettu’ janë më të mirë se kirani, sepse në secilin prej dy llojeve të para, haxhiu ka të drejtën të kryejë ritet e plota të haxhit dhe të umres. Nga ana tjetër, ai që niset të kryejë haxhin kiran është në gjendje të kryejë vetëm haxhin. Përsa i përket se cili prej të dyve – temettu’ ose ifrad – është më i mirë, ka dy mendime. Një grup dijetarësh e konsiderojnë haxhin temettu’ si më të mirë se ifrad, ndërsa të tjerët mendojnë se ifrad është më i mirë.

Shkolla hanefite është e mendimit se kirani është më i mirë se temettu’ dhe ifradi dhe se temettu’ është më i mirë se ifradi. Shkolla malikite është e mendimit se ifradi (vetëm haxhi) është më i mirë se temettu’ dhe kirani. Nga ana tjetër, dijetarët hanbelitë janë të mendimit se temettu’ (ndërthurja e haxhit me umren me një pushim në mes), është më mirë se kirani dhe ifradi. Kjo është krahasimisht e lehtë dhe njerëzit mund ta kryejnë pa vështirësi.

Në fakt, këtë lloj haxhi e kreu vetë Profeti (a.s.) dhe urdhëroi sahabët që të bënin të njëjtën gjë.

 Atau ka thënë: “Kam dëgjuar Xhabir ibën Abdullahun të thotë: “Ne (sahabët) deklaruam qëllimin tonë për të kryer vetëm haxhin. Në ditën e katërt të Dhul-Hixhes, Profeti (a.s.) na urdhëroi që t’i jepnim fund gjendjes sonë të ihramit duke thënë: “Jepini fund gjendjes së ihramit dhe shkoni te gratë tuaja!”. Megjithatë, ai nuk na detyroi të bënim kështu, por na e lejoi një gjë të tillë. Ne i thamë: “Kanë mbetur vetëm pesë ditë nga Dita e Arafatit. Do të shkojmë në Arafat ndërkohë që fara kullon nga organet tona?” Profeti (a.s.) u ngrit dhe tha: “Ju e dini se unë i trembem Allahut më shumë dhe se jam më i besueshmi dhe më i mëshirshmi prej jush. Sikur të mos kisha sjellë kafshët e kurbanit me vete, edhe unë do t’i kisha dhënë fund gjendjes së ihramit. Sikur të vija përsëri (në Mekë), nuk do t’i sillja kafshët e kurbanit me vete. Kështu që jepini fund gjendjes suaj të ihramit!”. Kështu, ne i dhamë fund ihramit, e dëgjuam dhe iu bindëm (Profetit)”.[17]Transmeton Muslimi.

Veshja e ihramit pa e specifikuar llojin e tij

Nëse një person vesh ihramin me synimin e kryerjes së çfarëdo gjëje që Allahu ka porositur për të, pa përcaktuar ndonjë prej tre llojeve të përmendura më lart për shkak të mosnjohjes, ihrami i tij konsiderohet krejtësisht i ligjshëm dhe i vlefshëm.

Dijetarët kanë thënë: “Nëse një person i tillë shqipton telbijen si të tjerët me synimin për të kryer ritet (e haxhit), por nuk thotë gjë me fjalë, as bën nijet gjë me zemër e as nuk e përcakton nëse është haxh temettu’ifrad ose kiran ajo që synon të kryejë, haxhi i tij do të jetë sërish i vlefshëm dhe do t’i llogaritet të ketë bërë një nga tre llojet e haxhit”.

Tavafi dhe sa’ji për ata që kryejnë haxhin Kiran dhe Temettu’

Njerëzit që jetojnë brenda hijes së shenjtë të Qabes mund të kryejnë Ifradin (vetëm haxhin).

Njëherë u pyet Ibën Abasi rreth pushimit ndërmjet umres dhe haxhit dhe ai u përgjigj: “Muhaxhirët, ensarët dhe gratë e Profetit (a.s.) e deklaruan nijetin e tyre për të kryer Haxhin e Lamtumirës. Kështu që edhe ne deklaruam nijetin tonë për të bërë të njëjtën gjë. Me të arritur në Mekë, Profeti (a.s.) tha: “Deklaroni nijetin tuaj vetëm për umren, përveç atyreve që kanë paracaktuar kafshët e tyre për kurban dhe i kanë sjellë me vete”. Ne bëmë Tavafin e Qabes dhe ecëm shtatë herë ndërmjet Safas dhe Mervës. Pastaj shkuam me bashkëshortet tona dhe veshëm rrobat tona të zakonshme. Më tej, Profeti (a.s.) na tregoi: “Ata që kanë shenjuar kafshët e tyre për kurban nuk duhet ta ndërpresin gjendjen e ihramit derisa kafsha të arrijë vendin ku do të bëhet kurban”. Pastaj, ne u urdhëruam nga Profeti (a.s.) të deklaronim nijetin për haxh të tetën natë të Dhul-Hixhes. Pas kryerjes së të gjitha riteve të haxhit shkuam dhe i ramë përqark Qabes, ecëm ndërmjet Safas dhe Mervas dhe kështu ne e kryem haxhin dhe flijuam kurbanin siç thotë Allahu:

وَأَتِمُّوا الْحَجَّ وَالْعُمْرَةَ لِلَّهِ فَإِنْ أُحْصِرْتُمْ فَمَا اسْتَيْسَرَ مِنْ الْهَدْيِ وَلاَ تَحْلِقُوا رُءُوسَكُمْ حَتَّى يَبْلُغَ الْهَدْيُ مَحِلَّهُ فَمَنْ كَانَ مِنْكُمْ مَرِيضًا أَوْ بِهِ أَذًى مِنْ رَأْسِهِ فَفِدْيَةٌ مِنْ صِيَامٍ أَوْ صَدَقَةٍ أَوْ نُسُكٍ فَإِذَا أَمِنتُمْ فَمَنْ تَمَتَّعَ بِالْعُمْرَةِ إِلَى الْحَجِّ فَمَا اسْتَيْسَرَ مِنْ الْهَدْيِ فَمَنْ لَمْ يَجِدْ فَصِيَامُ ثَلاَثَةِ أَيَّامٍ فِي الْحَجِّ وَسَبْعَةٍ إِذَا رَجَعْتُمْ…

“Kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut! Nëse në këtë rrugë pengoheni, atëherë therni kurban, sipas mundësisë, dhe mos i rruani kokat tuaja, derisa të arrijë kurbani në vend! Cilido prej jush që është i sëmurë ose që ka ndonjë plagë në kokë (dhe si i tillë, nuk mund ta rruajë kokën), le ta zëvendësojë me agjërim, lëmoshë ose kurban. Kur të jeni të sigurtë (nga armiqtë), ai që kryen umren prej jush deri në haxh, le të therë kurban, sipas mundësisë. Ndërsa ai që nuk ka mundësi, është i detyruar të agjërojë tri ditë në haxh dhe shtatë ditë pas kthimit nga haxhi.” (El-Bekare, 196)

Bërja kurban e një deleje mjafton për këtë qëllim. Kështu që sahabët kanë ndërthurur dy adhurime në një vit: haxhin dhe umrën. Allahu e ka përmendur këtë në Librin e Tij dhe nëpërmjet praktikës së Profetit te Tij (a.s.), duke e bërë të lejueshëm për të gjithë njerëzit, me përjashtim të banorëve të Mekës.

Përkitazi me këtë, Allahu i Madhëruar thotë:

ذَلِكَ لِمَنْ لَمْ يَكُنْ أَهْلُهُ حَاضِرِي الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ

 “… Ky është rregull për ata që nuk kanë familjen pranë Xhamisë së Shenjtë”. (El-Bekare, 196). Muajt e haxhit për të cilët bëhet fjalë janë Shevali, Dhul-Kade dhe Dhul-Hixhe. Pra, kushdo që ndërthur një umre dhe haxh gjatë këtyre muajve, duhet të bëjë një kurban ose të agjërojë.[18] Transmeton Buhariu.

Ky hadith vërteton se banorët e Mekës nuk mund të kryejnë as haxhin kiran dhe as atë temettu’. Ata mund të kryejnë vetëm ifradin[19] – një haxh ose një umre më vete. Ky është mendimi i Ibën Abasit dhe Ebu Hanifes duke u mbështetur në fjalët e Allahut: “…Ky është rregull për ata që nuk kanë familjen pranë Xhamisë së Shenjtë”.

Ndër dijetarët ekzistojnë mendime të ndryshme në lidhje me “ata që kanë familjen pranë xhamisë së shenjtë”. Maliku është i mendimit se ata janë banorët e Mekës. Earexhi pajtohet me këtë pikëpamje, ndërkohë që dhe Tahavi e parapëlqen atë. Ibën Abasi, Tausi dhe dhe një grup tjetër janë të mendimit se bëhet fjalë për ata njerëz që jetojnë brenda vendeve të shenjta në Harem, gjë e cila sipas El-Hafidhit është mjaft e dukshme. Shafiu mendon se kushdo që jeton rreth Mekës në një largësi jo më shumë se ajo në të cilën lejohet për të shkurtuar faljet e zakonshme, konsiderohet banor i Mekës. Ibën Xheriri pajtohet me këtë pikëpamje dhe e parapëlqen atë. Dijetarët hanefi mendojnë se të gjithë ata që jetojnë në një prej mikateve që janë përmendur më sipër, konsiderohen banorë të Mekës. Në këtë vështrim merret parasysh vendi i banimit dhe jo vendi nga ka ardhur personi.

Gjithashtu, hadithi i mësipërm tregon se ai person që kryen haxhin temettu’ duhet të bëjë fillimisht një tavaftë Qabes dhe sa’j (ecje) ndërmjet Safas dhe Merves me nijetin e umres. Kjo do t’i mjaftonte atij për rrethrrotullimin e mbërritjes (tavafi-kudumin), i cili kryhet si një përshëndetje për Xhaminë e Shenjtë me të mbërritur atje. Pas Ditës së Arafatit ky person do të bëjë një tjetër tavaftavaf ifida dhe do të kryejë një tjetër sa’j ndërmjet Safas dhe Mervës.

 

Sa për kiranin, haxhiu që ndërthur umren me haxhin dhe mbetet në gjendjen e ihramit pas umres së parë, dijetarët janë të mendimit se ai lipset të kryejë vetëm një tavaf (shtatë rrethrrotullime rreth Qabes) dhe një sa’j (shtatë xhiro nga Safa për në Merva) si për haxhin ashtu edhe për umren. Rasti i një personi të tillë është shumë i ngjashëm me atë të haxhiut që kryen ifradin (vetëm haxhin).

1)      Xhabiri ka treguar se Profeti (a.s.) e ndërthurte haxhin me umren me një tavaf të vetëm.[20]Transmeton Tirmidhiu, i cili e quan një hadith të besueshëm.

Ibën Umeri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ai që ka deklaruar nijetin për të kryer haxhin dhe umren së bashku, mund të bëjë vetëm një tavaf dhe një sa’j për to”.[21] Kjo është treguar nga Tirmidhiu me vërejtjet se ky është një hadith hasen sahih garib. Gjithashtu, këtë e tregon edhe Darakutni, por ai shton: “Nuk duhet t’i jepet fund gjendjes së ihramit, derisa të përfundohen të dyja (si haxhi dhe umra)”.

Njëherë Profeti (a.s.) i tha Aishes: “Tavafi dhe sa’ji yt ndërmjet Safas dhe Merves do të të mjaftojnë si për haxhin ashtu dhe për umren”.[22] Transmeton Muslimi.

Megjithatë, Ebu Hanife është i mendimit se në një rast të tillë (d.m.th. ndërthurja e haxhit me umren) tavafi dhe sa’ji duhet të kryhen dy herë. Hadithi i parë është më i parapëlqyer në bazë të vërtetësisë së tij

2)      Një hadith thotë se haxhiu që ndërthur haxhin dhe umren me një pushim në mes (si te temettu’) ose pa pushim (si te kiran), duhet të bëjë kurban të paktën një dele. Nëse nuk është në gjendje të bëjë kurban, ai duhet të agjërojë tre ditë gjatë haxhit dhe shtatë ditë të tjera pasi të kthehet në shtëpi.[23] Për një person të tillë, është e pëlqyeshme që t’i agjërojë të tria ditët gjatë dhjetë ditëve të Dhul-Hixhes, para Ditës së Arafatit. Megjithatë, disa dijetarë, si p.sh: Tausi dhe Muxhahidi mendojnë se një pelegrin i tillë mund të agjërojë në fillim të muajit Sheval. Nga ana tjetër, Ibën Umeri është i mendimit se ky haxhi mund të agjërojë një ditë para ditës së tetë, ditën e tetë si edhe ditën e nëntë të Dhul-Hixhes (Dita e Arafatit). Nëse ai haxhi nuk arrin të agjërojë këto tri ditë ose i ka agjëruar një pjesë të tyre përpara Bajramit, atëherë ai mund të agjërojë gjatë ditëve teshrik (d.m.th. ditët 11, 12 dhe 13 të Dhul-Hixhes). Kjo bazohet në një transmetim nga Aishja dhe Ibën Umeri, të cilët kanë thënë: “Agjërimi nuk është i lejuar në ditët 11, 12 dhe 13 të Dhul-Hixhes, përveçse për ata që janë të detyruar të agjërojnë për arsye se nuk janë në gjendje të bëjnë kurban”.[24] Transmeton Buhariu.

3)      Nëse dikush nuk është në gjendje t’i agjërojë këto tri ditë gjatë haxhit, atëherë ai duhet t’i zëvendësojë ato më vonë.

dhe forcës së fakteve.

 

Sa për shtatë ditët e agjërimit, sipas disa dijetarëve, personi mund t’i kryejë ato me të mbërritur në vendin e tij. Të tjerët, siç thonë Muhaxhidi dhe Atau, mund ta bëjnë këtë pasi të arrijnë në vendin e tyre. Sipas tyre, këto shtatë ditë mund të agjërohen edhe gjatë rrugës së kthimit. Këto dhjetë ditë nuk duhet domosdoshmërisht të agjërohen njëra pas tjetrës.

Sapo personi të bëjë nijetin për haxh ose umre dhe të veshë ihramin, ai duhet të bëjë telbijen.

TELBIJA

Ligjshmëria e saj

Të gjithë dijetarët e pranojnë se telbija është një praktikë e urdhëruar. Umu Seleme transmeton se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “O Familja e Muhamedit! Kushdo prej jush që kryen haxhin, duhet ta ngrejë zërin ndërkohë që shqipton telbijen[25][26] Transmeton Ahmedi dhe Ibën Hibani.

Megjithatë, dijetarët nuk kanë të njëjtin mendim mbi statutin e saj ligjor, kohën e caktuar dhe gjendjen e atij që e vonon atë. Shafiu dhe Ahmedi mendojnë se është e pëlqyeshme dhe është sunet i Profetit (a.s.) që telbija të shqiptohet në çastin kur vishet rroba e ihramit. Nëse një person që ka për qëllim të kryejë haxhin por nuk shqiptonte telbijen, haxhi i tij konsiderohet i vlefshëm dhe atij nuk i kërkohet të bëjë ndonjë gjë, sepse sipas tyre ai hyn në gjendjen e ihramit vetëm duke bërë nijetin për të kryer haxhin.

Dijetarët hanefi mendojnë se telbija ose ndonjë zëvendësues për të – p.sh. që përmban lavde ose lartësim të Allahut dhe sjellja e një kafshe për kurban – është një kusht i domosdoshëm për vlefshmërinë e ihramit. Nëse dikush vesh rrobën e ihramit pa shqiptuar telbijen ose lavdëruar Allahun ose pa sjellë një kafshë për kurban, ihrami i tij nuk është i vlefshëm, sepse ihramisipas tyre (dijetarëve hanefitë), është një ndërthurje e nijetit dhe një rit prej riteve të ihramit. Kështu, nëse dikush deklaron nijetin për ihram dhe ndonjë nga ritet, për shembull, nëse lavdëron Allahun apo deklaron: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut të vetëm,” ose sjell një kafshë për kurban me vete, por nuk shqipton telbijen, atëherë ihrami i tij do të jetë i vlefshëm, por atij do t’i kërkohet të bëjë kurban një kafshë për atë që nuk e ka bërë telbijen.

Sipas qëndrimit të njohur të Imam Malikit, shqiptimi i telbijes është i detyrueshëm dhe në rastet kur nuk arrihet të kryhet kjo gjë ose personi nuk e shqipton atë gjatë veshjes së rrobës së ihramit, më vonë duhet të therë një kafshë për ta shlyer. Maliku transmeton nga Nafiu se Ibën Umeri ka thënë se Profeti (a.s.) e ka bërë telbijen e tij me këto fjalë:

Lebbejkell[27]-llahumme Lebbejke

Lebbejke la-sherijke leke Lebbejke

In-nel hamde uan-ni’mete leke uel mulk

La sherijke leke

(Iu përgjigja thirrjes Tënde o Allah! Ti nuk ke asnjë ortak. Ja ku jam në shërbimin Tënd, o Allah! Me të vërtetë gjithë lavdërimi, mirësia dhe pushteti të përket vetëm Ty. Ti je i Vetëm dhe nuk ke shok).

Nafiu thotë se Ibën Umeri shtonte: “Iu përgjigja thirrjes Tënde, o Allah! Iu përgjigja thirrjes Tënde o Allah! Gjithçka e mirë është në duart e Tua, unë jam në shërbimin Tënd! Dëshirat dhe veprat tona janë vetëm për ty”.[28]

[[

Megjithatë, dijetarët parapëlqejnë t’i kufizojnë fjalët e telbijes me fjalët që ka përdorur Profeti (a.s.) dhe për këtë nuk nuk ekziston një konsensus i përbashkët në lidhje me ndonjë shtesë të mundshme. Megjithatë, shumica e dijetarëve mendojnë se nuk ka asgjë të keqe në shtimin e fjalëve të tjera siç ka bërë Ibën Umeri dhe disa shokë të tjerë të Profetit (a.s.), ndërkohë që vetë Profeti (a.s.) i ka dëgjuar ata dhe nuk u ka thënë gjë.[29] Transmeton Ebu Daudi dhe Bejhakiu.

Maliku dhe Ebu Jusufi nuk e pëlqenin shtimin e fjalëve të tjera telbijes së Profetit (a.s.).

 

Vlera e Telbijes

Xhabiri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që bën nijetin për të kryer haxhin dhe thotë telbijen gjithë ditën deri në perëndimin e diellit, Allahu i Plotfuqishëm do t’i falë gjynahet dhe ai do të jetë i lirë prej tyre (mëkateve), ashtu siç ka qenë ditën që e ka lindur nëna”.[30] Transmeton Ibën Maxhe.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush deklaron: “La ilahe il-Allah”, do të marrë lajmin e mirë për shpërblim (për të) dhe kush e lartëson Allahun (thotë Allahu Ekber), do të marrë lajmin e mirë për shpërblim (për të)”. Ata pyetën: “O Profet i Allahut! Është (lajmi i mirë) Xheneti?” Ai u përgjigj: “Po”.[31]Transmeton Tabaraniu dhe Seid ibën Mensuri.

Sehël ibën Seadi ka transmetuar se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur një musliman shqipton telbijen, çdo gjë: çdo gur, çdo pemë apo guralec në të djathtën dhe të majtën e tij përgjigjet me një telbije (të ngjashme), derisa krejt toka kumbon me të”.[32] Transmeton Ibën Maxhe, Bejhakiu, Tirmidhiu dhe Hakimi, të cilët e quajnë hadith të besueshëm.

Preferohet që shqiptimi i Telbijes të bëhet me zë të lartë

Zejd ibën Halid transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Xhebraili (a.s.) erdhi te unë dhe më tha: “Urdhëroi shokët e tu që ta ngrenë zërin kur thonë telbijen, sepse ajo është një nga ritet e haxhit”.[33] Transmeton Ibën Maxhe, Ahmedi, Ibën Huzejme dhe Hakimi, i cili e konsideron hadithin të vërtetë.

Ebu Bekri (r.a.) ka treguar se Profeti (a.s.) u pyet njëherë: “Cili haxh është më i miri?” Ai u përgjigj: “Ai, në të cilin ngrihet zëri kur thuhet telbija dhe bëhet kurban”.[34] Transmeton Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe.

Ebu Hazim tregon: “Kur sahabët vishnin ihramin e ngrinin zërin përpara se të arrinin në Mekë, aq sa ngjireshin”. Duke u mbështetur në këto hadithe, shumica e dijetarëve parapëlqejnë që haxhilerët ta ngrejnë zërin kur thonë telbijen.

Maliku mendon se nuk duhet të ngrihet zëri në thënien e telbijes brenda një xhamie plot me besimtarë. Megjithatë, ajo mund të thuhet me aq zë, sa ta dëgjosh vetë ose dhe ata që janë afër, përveçse në Xhaminë e Shenjtë dhe në Xhaminë e Minas. Në këto të dyja, duhet të ngrihet zëri kur thuhet telbija. Kjo vlen vetëm për pelegrinët meshkuj.

Sa për gratë, ato mund ta ngrenë zërin kur thonë telbijen, aq sa ato vetë dhe ata që janë afër tyre të mund ta dëgjojnë. Nuk është e pëlqyeshme që ato ta ngrejnë zërin më lart se kaq. Atau ka thënë: “Burrat duhet ta ngrejnë zërin (kur thonë telbijen), por gruaja duhet ta ngrejë zërin aq sa ta dëgjojë ajo vetë e jo më shumë se aq”.

Vendet ku preferohet të thuhet Telbija

Telbija është e pëlqyeshme të thuhet në vendet dhe kohët si vijon: kur hip në kafshën e ngarkesës (ose çfarëdo mjeti të transportit), kur zbret (mbërrin në një vend), kur ngjitesh në një kodër dhe zbret në një luginë, kur takon një grup njerëzish, në fund të çdo faljeje dhe herët në mëngjes. Shafiu ka thënë: “Ne pëlqenim ta thoshim gjithë kohën”.

 

Kohëzgjatja e Telbijes

Haxhiu duhet ta fillojë telbijen që nga koha kur vesh ihramin dhe e vazhdon deri në hedhjen e guralecit të parë në Xhemeran (shtyllë) e Akabesë në ditën e dhjetë të Dhul-Hixhes (Ditën e Kurbanit). Pastaj duhet të ndalojë së thëni telbijen, ashtu siç bëri dhe Profeti (a.s.),[35] sipas një hadithi të transmetuar nga “Grupi”. El-Theuri, shkolla hanefite, Shafiu dhe shumica e dijetarëve kanë gjithashtu këtë pikpamje. Megjithatë, Ahmedi dhe Is’haku mendojnë se haxhiu duhet ta vazhdojë telbijen derisa të ketë goditur të tria xhemeratet (shtyllat). Pas kësaj, ai mund të pushojë së thëni atë.

Maliku mendon se haxhiu duhet të vazhdojë telbijen deri në fund të Ditës së Arafatit (ditën e nëntë të Dhul-Hixhes). Kjo vlen vetëm për ata që kryejnë haxhin.

Sa për ata që kryejnë umren, ata mund ta ndërpresin telbijen pasi të puthin Gurin e Zi dhe të fillojnë tavafin. Ibën Abasi tregon se Profeti (a.s.) e ndërpriste telbijen pasi puthte Gurin e Zi (në fillim të tavafit të tij).[36] Transmeton Tirmidhiu dhe e quan hadith të besueshëm. Praktikisht, shumica e dijetarëve ndjekin këtë hadith. Kështu thotë Tirmidhiu. [37]  

Pëlqehet që të dërgohen salavate për Profetin (a.s.) dhe të bëhen lutje për të

El-Kasim ibën Muhamed ibën Ebu Bekri ka thënë: “Pëlqehet që haxhiu të dërgojë salavate për Profetin (a.s.) pasi të thotë telbijen”.

Profeti (a.s.) i kërkonte Allahut faljen e Tij, kënaqësinë e Tij dhe mbrojtje nga njerëzit pasi thoshte telbijen. Transmeton Tabaraniu dhe të tjerë.

ÇFARË I LEJOHET NJË MUHRIMI

Muhrimit i lejohet të kryejë veprimet e mëposhtme:

1- Larja e plotë dhe ndërrimi i rrobave

Ibrahim Nehai ka thënë: “Sa herë që shokët tanë i afroheshin pusit të Mejmunes, ata pastroheshin dhe vishnin rrobat e tyre më të mira”.

Tregohet se Ibën Abasi hyri në një banjë publike në Xhuhfe për t’u pastruar, ndërkohë që ishte në gjendjen e ihramit. E pyetën: “Si vepron kështu, ndërkohë që je në gjendjen e ihramit?” Ai u përgjigj: “Allahut nuk i duhet asnjë prej nesh i papastër dhe i ndotur!”.[38]

Xhabiri ka thënë: “Një person në gjendjen e ihramit mund të pastrohet dhe të lajë rrobat e tij”.

Abdullah ibën Hunejn ka treguar: “Ibën Abasi dhe El Misver ibën Mehreme ishin në El-Ebva kur u grindën në duhet ta lajë apo jo kokën personi që është në gjendjen e ihramit. Lidhur me këtë, Ibën Abasi tha: “Atij që është në gjendjen e ihramit i lejohet ta lajë kokën”. El-Misver kishte mendim të ndryshëm duke thënë se muhrimit nuk i lejohet ta lajë kokën. Kështu, Ibën Abasi më dërgoi te Ebu Ejub El Ensari, të cilin e gjeta duke u larë ndërmjet dy shtyllave të drunjta të pusit dhe ishte mbuluar me një copë. E përshëndeta dhe ai më pyeti se kush isha. Iu përgjigja: “Unë jam Abdullah ibën Hunejn dhe më ka dërguar Ibën Abasi që të pyes se si lahej i Dërguari i Allahut kur ishte në gjendjen e ihramit. Ebu Ejub El Ensari mbajti shtrënguar copën me të cilën ishte mbështjellë dhe e uli derisa zbuloi kokën dhe pastaj i tha dikujt t’i hidhte ujë për të larë kokën. Hodhi ujë mbi kokë dhe pastaj (Ebu Ejub El-Ensari) e fërkoi me duar nga pjesa e pasme dhe përpara dhe nga përpara në pjesën e pasme. Pas kësaj, tha: “Unë kam parë Profetin (a.s) duke vepruar kështu”.[39] Transmeton “Grupi”, përveç Tirmidhiut.

Në transmetimin e tij, Buhariu shton: “Pastaj unë u ktheva dhe u tregova atyre dhe El-Misver i tha Ibën Abasit: “Unë nuk do të debatoj kurrë më me ty”.

Sheukani ka thënë: “Ky hadith tregon se muhrimit i lejohet të lahet kur është në gjendjen e ihramit, madje dhe mund ta mbulojë kokën me dorë kur e kryen këtë veprim”.

Ibën El Mundhiri ka thënë: “Është pranuar me konsensus se muhrimi mund të lahet kur është xhunub. Megjithatë, në lidhje me rastet e tjera ka mendime të ndryshme”.

Maliku ka transmetuar në “El-Muvata” nga Nafiu se Ibën Umeri nuk e lante kokën kur ishte në gjendjen e ihramit, përveçse kur ejakulonte spermë gjatë gjumit.”[40]

Tregohet se Malikut nuk i pëlqente që dikush të zhyste kokën në ujë kur ishte në gjendjen e ihramit.

Përdorimi i sapunit apo ndonjë pastruesi tjetër është i lejueshëm. Shafitë dhe hanbelitë mendojnë se mund të përdoret sapun me aromë për t’u pastruar dhe në mënyrë të ngjashme edhe gratë lejohen të lëshojnë flokët dhe t’i krehin ato, sepse Profeti (a.s.) e ka urdhëruar Aishen duke i thënë: “Lëshoji flokët dhe krihi ato!” [41] Transmeton Muslimi.

Neveviu ka thënë: “Është e lejuar të lëshohen flokët dhe të krihen gjatë gjendjes së ihramit, me kusht që asnjë fije floku të mos shkulet. Megjithatë, krehja nuk është e pëlqyer vetëm nëse ka ndonjë arsye të vlefshme për ta bërë atë. Nuk përbën problem nëse mbahen në kokë gjëra personale”.

2- Veshja e të mbathurave të shkurtra

Buhariu dhe Seid ibën Mensuri transmetojnë se Aishja (r.a.) mendonte se nuk përbën problem nëse muhrimiveshë të mbathura të shkurtëra.[42]

El Hafidhi ka thënë: “Ky është një mendim i Aishes, por shumica e dijetarëve mendojnë se veshja e mbathjeve është e ndaluar për muhrimin, sepse kjo është e ngjashme me veshjen e pantallonave, të cilat janë të ndaluara për muhrimin.”

3- Mbulimi i fytyrës

Shafiu dhe Seid ibën Mansuri transmetojnë nga El Kasimi se ky i fundit ka thënë: “Othman ibën Afani, Zejd ibën Thabiti dhe Mervan ibën El Hakemi e mbulonin fytyrën kur ishin në gjendjen e ihramit”. Ndërsa Tausi ka thënë: “Një person në gjendjen e ihramit mund ta mbulojë fytyrën nëse ka pluhur ose hi”.

Në lidhje me këtë çështje, Muxhahidi ka thënë: “Kur ishin në gjendjen e ihramit, ata mbulonin fytyrën nëse kishte stuhi rëre”.

4- Gratë lejohen të veshin këpucë

 Ebu Daudi dhe Shafiu transmetojnë nga Aishja se i Dërguari i Allahut i lejonte gratë të vishnin këpucë, kur ishin në gjendjen e ihramit.[43]

5- Mbulimi i kokës gabimisht (nga harresa)

Shkolla shafite nuk sheh ndonjë problem nëse ndonjë haxhi harron dhe e mbulon kokën apo vesh ndonjë këmishë.

Atau ka thënë: “Nuk fajësohet një person i tillë, por ai duhet t’i kërkojë falje Allahut”. Hanefitë thonë se një person i tillë duhet të bëjë shlyerje (kurban). Gjithashtu, ka një mospajtim mendimesh për hedhjen e parfumit nga harresa apo pa dashje. Pasuesit e shkollës shafite mendojnë se padituria dhe harresa përbëjnë një justifikim të mjaftueshëm që mos të jetë e nevojshme shlyerja e gabimit për bërjen e diçkaje të ndaluar nëse nuk përbën dëm si gjuetia, rruajtja dhe prerja e thonjve. Ky është dhe qëndrimi më objektiv sipas tyre.

6- Hedhja e kupave, shpimi i një lunge, heqja e një dhëmbi apo prerja e një damari

Është vërtetuar se i Dërguari i Allahut hidhte kupa mbi kokën e tij kur ishte në gjendjen e ihramit.[44]

Maliku ka thënë: “Nuk fajësohet një muhrim nëse, në rast nevoje, ai shpon një lungë, lidh një plagë apo pret një damar”.

Ibën Abasi ka thënë: “Personi që është në gjendjen e ihramit mund të heqë dhëmbin apo të shpojë një lungë”.

Neveviu ka thënë: “Nëse një haxhi dëshiron të hedhë kupa pa ndonjë arsye dhe kjo gjë kërkon prerjen e flokëve, atëherë ky veprim është i ndaluar, por nëse nuk e kërkon prerjen e flokëve, shumica e dijetarëve mendojnë se është e lejueshme”.

Megjithatë, Maliku mendon se një gjë e tillë nuk është e pëlqyeshme.

El Hasani është i mendimit se, nëse dikush vepron kështu, edhe nëse kjo gjë nuk kërkon prerjen e flokëve, ai duhet të bëjë shlyerje. Por, nëse kjo gjë bëhet sepse është e domosdoshme, atëherë ajo është e lejueshme, por për këtë do t’i duhet të paguajë një dëmshpërblim për të bërë shlyerje.

Shkolla dhahirite mendon se kërkohet shlyerje vetëm në rast të prerjes së flokëve.

7- Kruajtja e kokës dhe e trupit

 Aishja u pyet rreth një haxhiu që kishte nevojë të kruante trupin. Ajo tha: “Po, ai mund të kruhet aq fort sa t’i pëlqejë”.[45] Këtë e transmeton Buhariu, Muslimi dhe Maliku, i cili ka shtuar: “Nëse të dyja duart e mia të ishin të lidhura dhe vetëm këmba ime të ishte e lirë, atë do ta përdorja për t’u kruajtur”. E njëjta gjë tregohet edhe nga Ibën Abasi, Xhabiri, Seid ibën Xhubejri, Atau dhe Ibrahim Nehai.

8, 9- Shikimi në pasqyrë dhe marrja erë borzilokut

Ibën Abasi ka thënë: “Personi në gjendjen e ihramit lejohet t’i mbajë erë borzilokut, të shihet në pasqyrë dhe të kurojë veten duke u ushqyer me gjalpë dhe vajra.”[46] Transmeton Buhariu.

Umer ibën Abdulazizi shihej në pasqyrë dhe përdorte misvak për dhëmbët kur ishte në gjendjen e ihramit.

Ibën El Mundhiri ka thënë: “Të gjithë dijetarët kanë rënë dakord se muhrimi mund të ushqehet me vaj, dhjamë dhe gjalpë, por atij nuk i lehohet të parfumoset kudo nëpër trup”.

Hanefitë dhe malikitë mendojnë se nuk është e pëlqyer për një muhrim që të rrijë në një vend, në të cilin ka parfume apo aroma, qoftë nëse ka ndërmend t’u marrë erë ose jo.

Shkolla hanbelite dhe ajo shafite janë të mendimit se, nëse dikush vepron kështu me qëllim, kjo gjë i ndalohet dhe në të kundërt, kur është pa qëllim nuk përbën problem. Shafitë mendojnë se të qëndrosh pranë një parfumuesi në një vend të temjanisur është e lejueshme, sepse ndalimi i saj do t’i vështirësonte gjërat. Përdorimi i parfumit nuk është i dëshirueshëm dhe ai duhet shmangur. Nëse qëndrohet në një vend ku është e pamundur të shmanget, për shembull në Qabe në kohën kur në të përhapet parfum, në këtë rast nuk ka asgjë të keqe e as nuk është e papëlqyeshme, sepse qëndrimi në këtë vend është një mundësi për të arritur afërsinë me Allahun dhe të largohesh prej aty për diçka që është në rastin më të mirë vetëm e lejuar, nuk është e dëshirueshme. Parfumi mund të mbahet në një shishe ose të mbështillet me një copë dhe askujt nuk i kërkohet të bëjë ndonjë pendesë se ka vepruar kështu.

10, 11- Mbajtja e një brezi me xhep rreth belit për të mbajtur paratë dhe mbajtja unazës

Ibën Abasi thoshte: “Nuk ka asgjë të keqe nëse muhrimi mban një unazë, apo brez me xhep për të mbajtur paratë”.[47]

12- Lyerja e syrit me pluhur antimoni

 Ibën Abasi ka thënë: “Një person në gjendjen e ihramit mund t’i lyejë sytë me pluhur antimoni nëse i djegin, me kusht që pluhuri i antimonit të mos jetë i aromatizuar”.[48]

Të gjithë dijetarët e lejojnë përdorimin e tij, por jo për zbukurim.

13- Qëndrimi nën hijen e një çadre, tende, çatie, etj.

 Abdullah ibën Amir tregon: “Dola me Umerin dhe ai hidhte një copë lëkure në një pemë dhe rrinte nën hijen e saj kur ishte në gjendjen e ihramit”.[49] Transmeton Ibën Ebu Shejbe.

Umu El Husejni ka transmetuar: “Unë e kreva Haxhin e Lamtumirës me Profetin (a.s.). Pashë Usame ibën Zejdin dhe Bilalin. Njëri prej tyre po mbante kapistrën e devesë së Profetit dhe tjetri po i bënte atij hije me një copë derisa goditi me guralecë Akaben”.[50] Transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

Atau ka thënë: “Një muhrim mund ta ruajë veten në hije nga dielli dhe të hyjë në një strehë për t’u mbrojtur nga shiu dhe era”.

Ibrahim Nehaiu transmeton: “El Esved ibën Jezid hodhi një copë mbi kokë për t’u mbrojtur nga shiu në kohën që ishte në gjendjen e ihramit”.

14- Përdorimi i kënasë

Shkolla hanbelite mendon se përdorimi i kënasë për të ngjyer ndonjë pjesë të trupit, përveç kokës, nuk është i ndaluar për një muhrim, mashkull apo femër qoftë.

Shkolla shafite mendon se muhrimi mashkull mund të përdorë këna për të ngjyer të gjitha pjesët e trupit, përveç duarve dhe këmbëve, ngjyerja e të cilave pa ndonjë arsye të vlefshme nuk është e lejueshme në gjendjen e ihramit. Gjithashtu, mbulimi i kokës me (shtresa) këna të trashë nuk është i lejueshëm. Ata thonë se nuk është e pëlqyeshme për një grua në gjendjen e ihramit të përdorë këna. Asaj i ndalohet të veprojë kështu kur është në periudhën e caktuar të pritjes pas vdekjes së bashkëshortit.

Nga ana tjetër, shkollat hanefite dhe malikite mendojnë se muhrimit, mashkull apo femër qoftë, nuk i lejohet të përdorë këna për të ngjyer ndonjë pjesë të trupit, sepse muhrimit nuk i lejohet të hedhë parfum gjatë gjendjes së ihramit.

Haule, e bija e Hakimit, transmeton prej nënës së saj se Profeti (a.s.) i tha Umu Selemes: “Mos hidh parfum kur je në gjendjen e ihramit e as mos prek këna sepse ajo është parfum”.[51] Transmeton Tabaraniu në “El-Kebir”, Bejhakiu në “El-Ma’rife” dhe Ibën Abdul –Berr në veprën e tij “Et-Temhid”.

15- Ndëshkimi i shërbyesit për ta edukuar

Esmaja – e bija e Ebu Bekrit – transmeton: “Shkuam për haxh me Profetin (a.s.) e kur arritëm në një vend të quajtur Arxh[52], Profeti (a.s.) ndaloi. Kështu bëmë dhe ne. Aishja (r.a.) u ul afër Profetit (a.s.) dhe unë pranë Ebu Bekrit. Rezervat e udhëtimit të Pejgamberit (a.s) dhe të Ebu Bekrit i kishte një shërbyes i Ebu Bekrit. Ky i fundit u ul për të pritur shërbyesin e tij. Shërbyesi po ecte në këmbë dhe nuk e kishte devenë me vete. Kur u afrua, Ebu Bekri e pyeti për devenë. Shërbyesi u përgjigj: “E humba dje.” Këtu, Ebu Bekri u zemërua dhe i tha: “Ti kishe vetëm një deve (për t’u kujdesur) dhe e humbe?!” Dhe e qëlloi atë. Profeti (a.s.) buzëqeshi dhe tha: “Shiheni këtë muhrim (Ebu Bekrin). Çfarë po bën ai?” Dhe vazhdoi të buzëqeshte dhe të përsëriste po ato fjalë”.[53] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

16- Vrasja e mizave, këpushave dhe buburrecave

Një burrë e pyeti Ataun për këpushat ose milingonat që e bezdisnin kur ishte në gjendjen e ihramit. Ai iu përgjigj: “Ti mund ta hedhësh tutje atë që nuk të përket”.

Ibën Abasi ka thënë: ‘Një muhrim mund t’i vrasë këpushët”.

Gjithashtu, muhrimi mund t’i heqë rriqërat nga deveja e tij. Ikrima transmeton se njëherë Ibën Abasi e urdhëroi të zhdukte rriqrat e devesë së tij në kohën që të dy ishin në gjendjen e ihramit. Ikrimas nuk i pëlqente që ta bënte këtë. Atëherë, Ibën Abasi e urdhëroi Ikriman të therte një deve, gjë të cilën ai e bëri më dëshirë. Pas kësaj, Ibën Abasi e pyeti: “A e di ti se sa rriqra vrave tani?”

17- Vrasja e pesë kafshëve grabitqare dhe të tjerave që janë të dëmshme

Aishja transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Pesë kafshë bëjnë përjashtim dhe mund të vriten në Rrethinat e Shenjta të Haramit: korbi, skifteri, akrepi, miu dhe qeni kafshues”.[54] Ky hadith është transmetuar nga Muslimi dhe Buhariu, i cili shton “(dhe) gjarpri”.

Ndër dijetarët pranohet se korbi i vogël, i cili ha farat, nuk përfshihet në kategorinë e kafshëve të mësipërme. Me qen kafshues kuptojmë qenin që kafshon njerëzit dhe i frikëson ata, si edhe të gjitha ato kafshë të tjera kafshuese që sulmojnë njerëzit si: luani, tigri, leopardi dhe ujku. Kështu, Allahu i Madhëruar ka thënë:

يَسْأَلُونَكَ مَاذَا أُحِلَّ لَهُمْ قُلْ أُحِلَّ لَكُمْ الطَّيِّبَاتُ وَمَا عَلَّمْتُمْ مِنْ الْجَوَارِحِ مُكَلِّبِينَ تُعَلِّمُونَهُنَّ مِمَّا عَلَّمَكُمْ اللَّهُ

“Kur të pyesin ty (Muhamed) se çka u është lejuar atyre, thuaj: “U janë lejuar të gjitha ushqimet e mira dhe ai (gjahu) i gjuetarëve (shtazëve)[55] që i mësoni ashtu si ju ka mësuar Allahu”. (El-Maide, 4)

Megjithatë, hanefitë mendojnë se fjala “qen kafshues” në këtë rast përdoret vetëm për qentë dhe ujqërit.

Ibën Tejmije është i mendimit se një muhrim mund të vrasë një krijesë të dëmshme që zakonisht i bën dëm njerëzve, si p.sh. një gjarpër, akrep, mi, korb apo dhe një qen kafshues. Gjithashtu, atij i lejohet vetëmbrojtja kundër çfarëdo gjëje të dëmshme, qofshin kafshë apo njerëz. Pra, nëse e sulmojnë, ai duhet të kundërpërgjigjet.

Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush vritet në mbrojtje të pasurisë së tij, është dëshmor; kush vritet në mbrojtje të gjakut të tij është dëshmor; kush vritet në mbrojtje të fesë së tij, është dëshmor dhe, në mënyrë të ngjashme, kush vritet në mbrojtje të nderit të tij, është gjithashtu dëshmor”.[56]

Më tej, Ibën Tejmije ka thënë: “Nëse pleshtat dhe morrat e pickojnë muhrimin, ai duhet t’i largojë ata. Gjithashtu, ai mund t’i vrasë dhe nuk merr asnjë dënim. Megjithatë, është më e lehtë t’i largosh sesa t’i vrasësh. Në mënyrë të ngjashme, muhrimi ndalohet të vrasë cilëndo kafshë që sheh, si psh. luanin, leopardin, etj”.

Por, shumica e dijetarëve janë të mendimit se, nëse ai vret një nga këto kafshë, atij nuk i kërkohet ndonjë dëmshpërblim. Megjithatë, kërkimi i këtyre insekteve të dëmshme pa ndjerë ndonjë kafshim, për rehati apo kënaqësi gjatë gjendjes së ihramit, duhet të shmangen. Por, nëse dikush e bën këtë, atij nuk i kërkohet dëmshpërblim.

 

NDALESAT E IHRAMIT

 Vijon … 


[1] Kushdo që vesh ihramin përpara muajve të haxhit, mundet gjithsesi të kryejë umrën, por kjo nuk mund të jetë një zëvendësues për ihramin e tij për haxh.

[2] Ether Sahih. Buhariu e ka përmendur mualak në “Kitabul Haxh”, tema nr. 33.

[3] Thënia e Sahabit: “prej Sunetit është që ….” cilësohet njëlloj me hadithin merfuë.

[4] Ether Sahih. Buhariu e ka përmendur mualak në “Kitabul Haxh”, tema nr. 33.

[5] Siç ka ardhur në hadithin e nxjerrë nga Buhariu 1526, 1529, Muslimi 2795, Ebu Daudi 1738, Nesai 2657.

[6] Për shembull, nëse një haxhi që vjen nga zonar e Shamit dhe kalon nga Medina, atëherë vend ku duhet të veshë ihramin është Dhul-Hulejfe (mikati i banorëve të Medinës) dhe nuk duhet ta shtyjë veshjen e ihramit sa të mbërrijë në Rabig, i cili është mikati i tij fillestar. Nëse e shtyn veshjen e ihramit, ai duhet të presë kurban sipas mendimit të shumicës se dijetarëve.

[7] Buhariu 1524, 1530, 1845, Muslimi 2796, Nesai 2653, 2656.

[8] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[9] Ether Sahih. “El Irva” 1/179. E ka nxjerrë Bejhakiu 5/33, Darakutni dhe el Hakim.

[10] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Tirmidhiu 945, Ibën Maxheh 2963.

[11] Buhariu 1545.

[12] Buhariu 1538, Muslimi 2824, Nesai 2693.

[13] Buhariu 1539, Muslimi 2818, Ebu Daudi 1745, Nesai 2684.

[14] Hadith Sahih. Ebu Daudi 1830, Bejhakiu 5/48.

[15] Muslimi 2806.

[16] Buhariu 1562, 4408, Muslimi 2909, Ebu Daudi 1779, Nesai 2715, Ibën Maxheh 2965.

[17] Buhariu 2505, Muslimi 2935, Nesai 2872.

[18] Buhariu 1572.

[19] Ndërsa sipas Malikut, Shafiut dhe Ahmedit, banorit të Mekës i lejohet që të bëjë haxh kiran ose temettu’ pa patur asnjë mospëlqim në këtë mes.

[20] Hadith Sahih. Tirmidhiu 947, Ibën Maxheh 2971, 2974.

[21] Hadith Sahih. “Sahihul Xhami” 5971. Tirmidhiu 948, Ibën Maxheh 2975, Darakutni 2/257.

[22] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1984. E ka nxjerrë Muslimi 2926 me shprehje të përafërt, Ebu Daudi 1897.

[23] Buhariu 1572.

[24] Buhariu 1997, 1998.

[25] Telbija është shprehja e sipërpërmendur “Lebejke Allahume Lebejk …”

[26] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 2469, “Sahihul Xhami” 7811. E ka nxjerrë Tahaviu në “Sherhul Meani” 1/379, Ibën Hibani 987, 988, Ahmedi 6/297, 317, Ebu Jeala 4/1669-1670.

[27] Zemahsheriu thotë se kuptimi i Lebejkes është: “Vazhdimisht me bindje ndaj Teje”

[28] Buhariu 1549,  Muslimi 2803, Ebu Daudi 1812, Nesai 2748, Maliku 1/331.

[29] Hadith Sahih. Ebu Daudi 1813, 1905, Bejhakiu 5/45.

[30] Hadith Daif. “Ed Daife” 5018, “Daiful Xhami” 5215, “Et targib” 717. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 2925, Bejhakiu 5/70.

[31] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 1621, “Et Targib” 1137, “Sahihul Xhami” 5569. E ka nxjerrë Taberani në “El Eusat” 7943.

[32] Hadith Sahih. “El Mishkat” 2550, “Et Targib” 1134, “Sahihul Xhami” 5770. E ka nxjerrë Tirmidhiu 828, Ibën Maxheh 2921, Bejhakiu 5/43, el Hakim 1/451.

[33] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 830, “Sahihul Xhami” 67. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 2923, Ibën Hibani 974, el Hakim 1/450, Ahmedi 5/192.

[34] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 1500, “El Mishkat” 2527, “Et Targib” 1138. E ka nxjerrë Tirmidhiu 827, Ibën Maxheh 2924, Darimi 2/31.

[35] Buhariu 1685, Muslimi 3076, 3077, Ebu Daudi 1815, Tirmidhiu 918, Nesai 3055.

[36] Hadith Daif. “El Irva” 1099. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1817, Tirmidhiu 919, Bejhakiu 5/105.

[37] Kur një person vesh ihramin nga një mikat, duhet ta ndërpresë telbijen kur hyn në Haram (Xhamia e Shenjtë). Dhe ata që veshin ihramin nga Xhirane dhe Tenim, duhet ta ndërpresin atë kur të arrijnë te shtëpitë e Mekës.

[38] Bejhakiu 5/63.

[39] Buhariu 1840, Muslimi 2881, Ebu Daudi 1840, Nesai 2664, Ibën Maxheh 2934, Ahmedi 5/418.

[40] Maliku 419.

[41] Buhariu 1783, Muslimi 2906, Ibën Maxheh 3000.

[42] Buhariu e ka përmendur Mualak në Kapitullin e Haxhit, tema nr. 18.

[43] Hadith Hasen. Ebu daudi 1831, Ahmedi 11/196 – el fet-hu rabani, Bejhakiu 5/52.

[44] Buhariu 1835, 1836, 5695, 5698, Muslimi 2877, 2878, Ebu Daudi 1835, Nesai 2845, 2850, Tirmidhiu 839, Ibën Maxheh 3481.

[45] Hadith Sahih. “Haxhetu en Nebij” 25. Maliku 699, Buhariu mualak, Bejhakiu 5/64.

[46] Buhariu e ka përmendur mualak, në Kapitullin e Haxhit, tema nr. 18.

[47] Ether Meudu – i trilluar. “Ed Daife” 429. E ka nxjerrë Taberani në “El Kebir” 3/99, Bejhakiu 5/69.

[48] Bejhakiu 5/63.

[49] Bejhakiu 5/70.

[50] Muslimi 3125, Ebu Daudi 1834.

[51] Hadith Daif. E ka përmendur el Hejthemi në “Mexhmea ez Zevaid” 3/221.

[52] Emërtim vendi mes Mekës dhe Medinës.

[53] Hadith Hasen. “Sahihu Ebi Daud” 1595. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1818, Ibën Maxheh 2933, Ahmedi 11/216 – el fet-hu rabani.

[54] Buhariu 1829, Muslimi 2860, Nesai 2888.

[55] Këto kafshë gjahu përfshijnë qenin apo dhe shpendë gjuetarë me kthetra si fajkoi etj.

[56] Hadith Sahih. “El Irva” 708, “El Mishkat” 3529, “Et Targib” 1411. E ka nxjerrë Ebu Daudi 4772, Nesai 4095, Tirmidhiu 1421, Bejhakiu 8/187, Ahmedi 1/190.