HAXHI DHE UMRA (1)

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani


HAXHI

 

Ligjshmëria e tij

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

إِنَّ أَوَّلَ بَيْتٍ وُضِعَ لِلنَّاسِ لَلَّذِي بِبَكَّةَ مُبَارَكًا وَهُدًى لِلْعَالَمِينَ. فِيهِ آيَاتٌ بَيِّنَاتٌ مَقَامُ إِبْرَاهِيمَ وَمَنْ دَخَلَهُ كَانَ آمِنًا وَلِلَّهِ عَلَى النَّاسِ حِجُّ الْبَيْتِ مَنْ اسْتَطَاعَ إِلَيْهِ سَبِيلاً وَمَنْ كَفَرَ فَإِنَّ اللَّهَ غَنِيٌّ عَنْ الْعَالَمِينَ

“Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëzit është ajo që u ngrit në Bekë[1] (Mekë), e dobishme dhe udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit dhe kush hyn në të, ai është i sigurt. Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është detyrim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo. E kush nuk e beson (ai nuk e viziton) dhe Allahu nuk ka nevojë (për ibadetin që bëjnë) njerëzit”. (Ali Imran, 96-97)

 

Përkufizimi i haxhit

Haxh do të thotë synimi i Mekës me qëllim kryerjen e tavafit (rrotullimin rreth Qabes), ecjen ndërmjet Safas dhe Merves, qëndrimin në Arafat dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve të haxhit, për t’iu përgjigjur Allahut duke patur për qëllim kënaqësinë e Tij.

Haxhi është një prej pesë shtyllave themelore të Islamit dhe parim i domosdoshëm i tij. Ai që e mohon këtë detyrim, gjykohet si jobesimtar dhe renegat.

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se haxhi u urdhërua në vitin e gjashtë pas Hixhrit, sepse atëherë u shpall ajeti i mëposhtëm në lidhje me të:

وَأَتِمُّوا الْحَجَّ وَالْعُمْرَةَ لِلَّهِ

“Plotësojeni haxhin e umrën për hir të Allahut!”. (El-Bekare, 196)

Ky përfundim mbështetet mbi të kuptuarit se fjala “etimu” (plotësim) në ajetin e mësipërm lidhet në fakt me kohën kur haxhi u bë i detyrueshëm. Kjo pikëpamje mbështetet gjithashtu nga Alkama, Masruku dhe Ibrahim En-Nehai, të cilët, duke e lexuar këtë ajet në një formë tjetër të ligjshme sipas kritereve profesionale, fjalën “etimu” e zëvendësojnë me fjalën “ekijmu” (kryejeni), me të cilën i ndërron edhe kuptimi. Këtë e transmeton Tabaraniu me varg të vërtetë transmetimi. Megjithatë, Ibën El Kajimi anon nga pikëpamja se haxhi u bë i detyrueshëm në vitin e nëntë apo të dhjetë pas Hixhrit.

 

Vlera e haxhit

Islami u bën thirrje muslimanëve të kryejnë haxhin. Në lidhje me këtë, përmendim:

 

– Haxhi: Një nga veprat më të mira

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) u pyet njëherë: “Cila është vepra më e vlefshme?” Ai u përgjigj: “Të besosh Allahun dhe të Dërguarin e Tij”. Burri pyeti sërish: “Po pastaj?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Të luftosh për hir të Allahut”. Pastaj burri pyeti përsëri: “Po pas kësaj, cila është gjëja më e mirë?” Ai u përgjigj: “Haxhi Mebrur (një Haxh i përkryer pa mëkate, i begatë dhe i pranuar nga Allahu)”.[2]

El-Haseni ka thënë: “Kjo do të thotë se një person pas kryerjes së haxhit duhet të dëshirojë dhe të priret drejt jetës në Botën e Përtejme dhe jo të jepet pas kësaj bote”.

Është transmetuar në formën merfu nëpërmjet një zinxhiri transmetimi të besueshëm se mirësia e haxhit vërehet në bujarinë në dhënien e ushqimit dhe butësia në të folur.[3]

 

– Haxhi: Një formë e xhihadit

El-Hasan ibën Ali tregon se një njeri shkoi te Profeti (a.s.) dhe i tha: “Unë jam frikacak dhe i dobët”. Profeti (a.s.) i tha: “Ti mund të shkosh në një xhihad që nuk ka ferra në të, që është haxhi”.[4] Transmeton Abdurrezaku dhe Tabaraniu. Të gjithë transmetuesit e këtij hadithi janë të besueshëm.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Haxhi është xhihad për të moshuarit, të dobtit dhe gratë”.[5] Kjo tregohet nga Nesaiu me një varg të besueshëm transmetuesish.

Aishja transmeton se një herë ajo i ka thënë Profetit (a.s.): “O i Dërguari i Allahut! Ti e sheh xhihadin si një prej veprave më të mira. A nuk duhet që ne gratë të marrim pjesë në të në mënyrë aktive?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Xhihadi më i mirë për ju është haxhi mebrur”.[6] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Në një tjetër transmetim, Aishja thotë: “Njëherë e pyeta Profetin (a.s): O i Dërguari i Allahut! A nuk duhet që ne gratë të luftojmë dhe të marrim pjesë në mënyrë aktive në xhihad bashkë me ju?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Për ju lufta më e mirë dhe më e bukur për hir të Allahut është haxhi mebrur.”[7] Pastaj Aishja ka deklaruar: “Pasi dëgjova këtë nga Profeti (a.s.) unë nuk e lashë kurrë pa kryer haxhin”. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

 

– Haxhi i lan mëkatet e mëparshme

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ai që kryen haxhin për kënaqësinë e Allahut dhe i shmanget të gjitha fjalëve të ndyra dhe mëkateve, do të kthehet pas haxhit i çliruar nga të gjitha mëkatet ashtu siç ka qenë në ditën që e ka lindur nëna (pa gjynahe)”.[8] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Amër ibën El Asi tregon: “Kur Allahu më udhëzoi në rrugën e Islamit, unë shkova te Profeti (a.s) dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Zgjate dorën që unë të betohem për besnikërinë time ndaj teje. Dhe Profeti (a.s) më zgjati dorën, por unë e tërhoqa timen. Atëherë Profeti (a.s) pyeti: “O Amër! Si është puna me ty?” Unë i thashë: “Do të doja të vija një kusht!” Profeti (a.s.) pyeti: “E cili është ai kusht?” Unë i thashë: “Dua që të gjitha mëkatet e mia të mëparshme të falen!” Profeti (a.s.) tha: “O Amër! A nuk e di ti se Islami i lan të gjitha mëkatet e mëparshme e po ashtu edhe hixhreti i lan të gjitha mëkatet. Edhe haxhi i lan të gjitha mëkatet e mëparshme!”[9] Transmeton Muslimi.

Abdullah ibën Mesudi rrëfen se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kryeni rregullisht haxhin dhe umrën, sepse të dyja këto e largojnë varfërinë dhe mëkatet, ashtu si gjyryku i farkëtarit heq të gjitha papastërtitë nga metale si hekuri, ari dhe argjendi. Shpërblimi për haxhin mebrur s’është gjë tjetër veç xhenetit”.[10] Transmeton Nesaiu dhe Tirmidhiu. Ky i fundit e vlerëson hadithin si të vërtetë.

 

– Haxhilerët janë mysafirë të Allahut

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Haxhilerët dhe ata që kryejnë umrën janë mysafirë të Allahut; nëse i luten Atij, Ai u përgjigjet e nëse i kërkojnë falje, Ai i fal ata.”[11]Transmeton Nesaiu, Ibën Maxhe, Ibën Huzejme dhe Ibën Hibani në përmbledhjet e tyre të haditheve.

Në versionin e Ibën Huzejmes dhe Ibën Hibanit lexojmë: “Dhe mysafirët e Allahut janë tre: ai që kryen haxhin, ai që kryen umrën dhe ai që lufton për hir të Allahut”.[12] [Hadith Sahih; Sahih En Nesai 2625]

           

– Shpërblimi për haxhin është xheneti

Ebu Hurejra tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Të gjitha mëkatet e kryera në periudhën midis një umreje dhe një tjetre shlyhen dhe fshihen dhe shpërblimi për haxhin mebrur është xheneti”.[13]Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Në një tjetër hadith të besueshëm, Ibën Xhurejxhi transmeton nga Xhabiri se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kjo Shtëpi e Allahut (Qabja) është shtylla e Islamit, kështu që kushdo që drejtohet drejt saj me synimin e kryerjes së haxhit ose umrës është nën sigurinë e Allahut. Nëse ai do të vdesë (gjatë udhëtimit), do të ketë si shpërblim xhenetin dhe nëse kthehet shëndoshë në shtëpinë e tij, do të ketë shpërblim dhe fitim”.[14]

 

Vlera e shpenzimit në haxh

Burajde transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Shpenzimi gjatë haxhit është i ngjashëm me shpenzimin për hir të Allahut dhe çdo derhem i shpenzuar në këtë mënyrë do të shpërblehet shtatëqind herë më shumë”.[15] Transmeton Ibën Ebi Shejbe, Ahmedi, Tabaraniu dhe Bejhakiu. Vargu i këtij hadithi është hasen.

 

Haxhi është i detyrueshëm vetëm një herë në jetë

Dijetarët muslimanë janë të një mendimi se haxhi është i detyrueshëm vetëm një herë në jetë. Nëse dikush betohet (e bën nijet) të kryejë haxh tjetër, ai duhet ta përmbushë betimin e tij. Çfarëdo që të bëhet më tepër është me dëshirë ose jo e detyrueshme.

Ebu Hurejra transmeton se në një predikim Profeti (a.s.) ka thënë: “O njerëz! Allahu ka urdhëruar haxhin për ju, kështu që ju duhet ta kryeni atë”. Një burrë pyeti: “çdo vit, o Profet i Allahut?” Profeti (a.s.) heshti. Kur pyetja u përsërit për herë të tretë, Profeti (a.s.) tha: “Po të kisha thënë “po”, do të ishte bërë një detyrim i përvitshëm dhe kjo do të ishte përtej fuqisë suaj”. Më pas ai shtoi: “Më lini të qetë për sa kohë dhe unë ju lë të qetë (d.m.th. mos më bezdisni me pyetje rreth gjërave që unë i lë në heshtje dhe nuk i përmend). Disa popuj që kanë jetuar para jush u shkatërruan, sepse ata bënin shumë pyetje dhe nuk pajtoheshin me profetët e tyre. Kështu që, kur unë ju urdhëroj të bëni diçka, duhet të bindeni dhe ta bëni atë me gjithë fuqinë tuaj. Nëse unë jua ndaloj diçka, atëherë shmanguni prej saj”.[16] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ibën Abasi transmeton se, njëherë, Profeti (a.s.) iu drejtua njerëzve dhe u tha: “O njerëz! Haxhi është i urdhëruar për ju”. Në këtë moment, El Akra ibën Habis u ngrit dhe pyeti: “O i Dërguar i Allahut! A do e kryejmë haxhin çdo vit?” Profeti (a.s.) tha: “Po të kisha thënë “po”, do të ishte bërë një detyrim (i përvitshëm) dhe po të ishte bërë një detyrim (i përvitshëm) ju nuk do ta përballonit dot. Haxhi është i detyrueshëm vetëm një herë në jetë. Çfarëdo që të bëhet më tepër është një veprim vullnetar”.[17] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Nesaiu dhe Hakimi, të cilët e quajnë atë një hadith të vërtetë.

 

A mund të shtyhet kryerja e haxhit në një kohë më të përshtatshme apo duhet të kryhet menjëherë pasi dikush është në gjendje për këtë?

Shafiu, El Theuri, Euzai dhe Muhamed ibën El-Hasani janë të mendimit se haxhi mund të kryhet në çdo kohë gjatë jetës dhe nuk ka asgjë të keqe për dikë që e ka detyrë haxhin, ta shtyjë atë deri në një periudhë të vonë të jetës së tij. Fakt për këtë kemi veprimin e Profetit (a.s.). Megjithëse haxhi u urdhërua në vitin e gjashtë të Hixhrit, Profeti (a.s.) e shtyu atë deri në vitin e dhjetë të Hixhrit së bashku me gratë e tij dhe shumë prej sahabëve. Sikur të ishte themelore kryerja e tij në një kohë më të hershme, Profeti (a.s.) nuk do ta kishte shtyrë atë.

Shafiu thotë: “Prandaj, ne jemi të bindur se haxhi është i detyrueshëm për një musliman, mashkull apo femër qoftë, që nga mosha e pubertitetit deri kur të vdesë”.

Ebu Hanife, Maliku, Ahmedi, disa nga pasuesit e Shafiut dhe Ebu Jusufi janë të mendimit se haxhi duhet të kryhet menjëherë sapo një person i plotëson kushtet fizike dhe financiare për ta bërë këtë. Ky mendim bazohet në një hadith që është transmetuar nga Ibën Abasi se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ai që ka ndërmend të kryejë haxhin, le ta bëjë sa më shpejt sepse ai mund të sëmuret, mund të humbasë mjetin e udhëtimit (fonde në dispozicion për të përballuar shpenzimet e udhëtimit) ose mund të pengohet nga ndonjë gjë tjetër e ngutshme”.[18] Transmeton Ahmedi, Bejhakiu, Tahaui dhe Ibën Maxhe.

Në një transmetim tjetër të Ahmedi dhe Bejhakiut lexojmë se Profeti (a.s) ka thënë: “Shpejtoni për të kryer haxhin, sepse ju nuk e dini se çfarë mund t’ju ndodhë!”.[19]

Bejhakiu thotë: “Njeriut mund t’i ndodhë ndonjë sëmundje apo diçka tjetër”.

Pra njeriu mund të sëmuret ose të pengohet nga ndonjë gjë tjetër e ngutshme. Dijetarët e hershëm i interpretonin këto hadithe duke thënë se ishte vepër e lavdërueshme për një person që të kryejë haxhin sa më shpejt të jetë e mundur, me kusht që të jetë në gjendje për këtë.

           

Kushtet paraprake për kryerjen e haxhit

Juristët pajtohen në lidhje me kushtet paraprake që duhet të plotësojë një person në mënyrë që haxhi të jetë i detyrueshëm për të. Kushtet që duhet të përmbushen për njeriun që të kryejë haxhin janë:

1.       Duhet të jetë musliman

2.       Duhet të jetë në moshë madhore

3.       Duhet të jetë në gjendje të shëndoshë mendore

4.       Duhet të jetë i lirë

5.       Duhet të ketë fuqinë e duhur dhe fondet e nevojshme në dispozicion.

 

Kush nuk plotëson një nga këto kushte, nuk është i detyruar që të kryejë haxhin. Të gjitha këto kushte, d.m.th. të qenit musliman, të qenit në moshë madhore dhe në gjendje të shëndoshë mendore, të qenit i lirë dhe në zotërim të fuqisë për të kryer një detyrë janë të barazvlefshme lidhur me të gjitha format e tjera të adhurimit në Islam. Kjo bazohet në një hadith të Profetit (a.s.), ku thotë: “Tre persona nuk quhen të përgjegjshëm: një person në gjumë deri sa të zgjohet; një fëmijë deri sa të hyjë në moshën madhore dhe një person që ka çrregullime mendore derisa t’i kthehet arsyeja”.[20]

Liria është një parakusht themelor për haxhin, sepse ky adhurim kërkon kohë si dhe mundësi. Një skllav nuk i ka të dyja këto, sepse ai e harxhon të gjithë kohën e tij në shërbim të pronarit të tij dhe nga ana financiare atij i mungon mundësia për ndërmarrjen e kësaj iniciative. Në Kuran thuhet:

وَلِلَّهِ عَلَى النَّاسِ حِجُّ الْبَيْتِ مَنْ اسْتَطَاعَ إِلَيْهِ سَبِيلاً

“…Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është detyrim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo…”. (Ali Imran, 97)

 

Kur një person është i aftë për të kryer haxhin

 

Çfarë nënkupton kjo?

Mundësia për të kryer haxhin është një nga kushtet thelbësore. Me të nënkuptojmë plotësimin e kushteve në vijim:

1) Personi duhet të jetë i shëndetshëm dhe në formë të mirë fizike. Nëse dikush nuk është i aftë për shkak të pleqërisë ose të një sëmundjeje që është e pakurueshme ose që nuk është në gjendje të kryejë haxhin për ndonjë arsye tjetër të ngjashme, ai mundet, nëse është në gjendje nga ana financiare, të caktojë dikë tjetër të kryejë haxhin për të me shpenzimet e tij. Kjo do të trajtohet më vonë nën titullin “Haxhi për një person tjetër”.

 

2) Udhëtimi për në haxh duhet të jetë i sigurt, në mënyrë që jeta dhe sendet vetjake të tij të jenë të siguruara nga ndonjë rrezik i mundshëm. Nëse dikush ka frikë për jetën e vet për shkak të kusarëve ose ndonjë epidemie apo nëse dikush ka frikë se mos i vidhen sendet vetjake, atëherë ai konsiderohet si një prej atyre që nuk ka mundësi udhëtimi për në haxh.

Megjithatë, ndërmjet dijetarëve ka një ndryshim opinionesh në lidhje me taksën e hyrjes dhe taksa të tjera që duhet të paguajnë haxhilerët. A mundet që një person të përjashtohet dhe të llogaritet i pamundur (jo në gjendje) nga ana financiare për të kryer haxhin për shkak të këtyre taksave? Shafiu dhe të tjerë janë të mendimit se prania e këtyre taksave e cilëson një person të klasifikuar si i pamundur (jo në gjendje) të kryejë haxhin, edhe pse taksat që duhet të paguhen mund të jenë shumë të ulëta. Dijetarët malikij nuk pajtohen me këtë, sepse ata nuk e quajnë këtë si një arsye të mjaftueshme për një person që të gjykohet si i pamundur (jo në gjendje) për të kryer haxhin, vetëm nëse sasia e parave që merren është tepër e madhe ose kërkohet në mënyrë të përsëritur.

 

3) Personi duhet të zotërojë furnizimin e nevojshëm si dhe mjetet e duhura të udhëtimit. Furnizimi i nevojshëm këtu e ka kuptimin se haxhiu i ardhshëm duhet të ketë rezerva të mjaftueshme për vete dhe për familjen që lë pas. Këto rezerva përfshijnë veshje, strehim, mjete udhëtimi të mjaftueshme dhe të përshtatshme dhe mjete për ndjekjen e tregtisë apo profesionit së tij përveç mjeteve financiare për udhëtim.[21] Me mjete udhëtimi nënkuptojmë ato mjete që i mundësojnë atij të shkojë në haxh dhe të kthehet, qoftë nga toka, deti apo nga ajri. Këtu bëhet fjalë për ata që jetojnë larg nga Meka dhe nuk kanë mundësi të shkojnë atje më këmbë. Sa për ata që jetojnë në afërsi të Mekës, ky kusht nuk kërkohet, pasi ata janë afër dhe mund të shkojnë në haxh më këmbë.

Disa hadithe shpjegojnë fjalët e Kuranit: “… ata që kanë mundësi udhëtimi për tek ajo…” që të kenë furnizim me ushqime dhe mjete udhëtimi.

Enesi transmeton se kur Profeti (a.s.) u pyet njëherë rreth kuptimit të ajetit të mësipërm, ai u përgjigj: “Ai ka kuptimin e mjeteve të jetesës dhe transportit”.[22] Darakutni e konsideron këtë hadith të vërtetë.

El-Hafidhi thekson: “Më afërmendsh është se vargu i transmetuesve të këtij hadithi nuk mund të ndiqet deri tek Profeti (a.s.)”. Edhe Tirmidhiu e transmeton këtë nga Ibën Umeri, por në vargun e tij ka transmetues të dobët.

Duke folur për hadithin e mësipërm, Abdul Haku thotë: “Të gjithë vargjet e transmetuesve të këtij hadithit janë të dobët”.

Ibën El-Mundhiri ka thënë: “Ky varg nuk shkon deri te Profeti (a.s.) dhe mendimi i saktë është transmetimi mursel i Hasenit”.

Aliu (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ai që zotëron furnizime dhe mjete të mjaftueshme për udhëtimin e kryerjes së haxhit dhe nuk e kryen atë, le të vdesë si një çifut ose kristian”Sepse Allahu thotë në Kuran: “Vizita e Shtëpisë (Qabes) për hir të Allahut është detyrim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo…” [23] Transmeton Tirmidhiu, por ndërmjet transmetuesve të këtij hadithi gjendet edhe Hilal ibën Abdullahu, i cili është i panjohur dhe El-Harith, të cilin Shabiu dhe të tjerë e kanë përshkruar si gënjeshtar.  

Të gjitha këto hadithe janë të dobëta në besueshmëri, por megjithëkëtë dijetarët i konsiderojnë furnizimet dhe mjetet për udhëtimin e haxhit si kushte të domosdoshme për kryerjen e tij. Nëse një person nuk ka as furnizimet dhe as mjetet e nevojshme për udhëtim, atëherë ai nuk është i detyruar ta kryejë haxhin.

Ibën Tejmije thotë: “Këto hadithe janë musned [24] dhe kanë vargje të besueshme transmetuesish, disa janë mursel[25] dhe të tjerë janë maukuf[26]. Të gjithë ata provojnë se mundësia për të siguruar furnizime dhe zotërimi i mjeteve të udhëtimit është një parakusht i domosdoshëm për kryerjen e haxhit, pavarësisht nga fakti se Profeti (a.s.) e dinte se shumë njerëz (në kohën e tij) ishin në gjendje të shkonin për të kryer haxhin në këmbë.

Në mënyrë të ngjashme, fjalët e Allahut: “Vizita e Shtëpisë (Qabes) për hir të Allahut është detyrim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo…” nënvizojnë faktin se mundësia dhe fuqia janë parakushtet e domosdoshme për të gjitha llojet e adhurimit. Kjo nënkupton se fuqia fizike nuk përcaktohet ose është pak më shumë se ç’mund të jetë e domosdoshme.

Në rastin e agjërimit dhe namazit, mundësia financiare është e tepërt dhe nuk është e përcaktuar qartë në Kuran, ndryshe nga haxhi, për kryerjen e të cilit ajo është një kusht i rëndësishëm. Në mënyrë të ngjashme, haxhi është një formë adhurimi që përfshin një udhëtim për të cilin duhet të disponohen sasi të hollash të mjaftueshme për të mbajtur veten dhe familjen, si dhe personi të jetë në gjendje të përballojë shpenzimet e udhëtimit sikur të jetë në xhihad.

Në këtë vështrim, ne mund t’i referohemi vargjeve kuranore të mëposhtme:

لَيْسَ عَلَى الضُّعَفَاءِ وَلاَ عَلَى الْمَرْضَى وَلاَ عَلَى الَّذِينَ لاَ يَجِدُونَ مَا يُنفِقُونَ حَرَجٌ إِذَا نَصَحُوا لِلَّهِ وَرَسُولِهِ مَا عَلَى الْمُحْسِنِينَ مِنْ سَبِيلٍ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ وَلاَ عَلَى الَّذِينَ إِذَا مَا أَتَوْكَ لِتَحْمِلَهُمْ قُلْتَ لاَ أَجِدُ مَا أَحْمِلُكُمْ عَلَيْهِ تَوَلَّوا وَأَعْيُنُهُمْ تَفِيضُ مِنْ الدَّمْعِ حَزَنًا أَلاَّ يَجِدُوا مَا يُنفِقُونَ

“Nuk është ndonjë mëkat për të dobtit e as për të sëmurët e as për ata që nuk kanë me çka të përgatiten, kur janë të sinqertë me Allahun dhe të dërguarit e Tij, pra për të mirët nuk ka rrugë qortimi. Allahu falë shumë e është Mëshirues. (Nuk ka qortim) as për ata që erdhën te ti për t’i bartur me kafshë dhe u the: “Nuk kam me çka t’ju bartë”. E ata u kthyen e nga sytë e tyre ridhnin lotë prej pikëllimit se nuk kishin me çka të përgatiteshin”. (Et-Teube, 91-92)

Në “El-Muhedheb” lexojmë: “Nëse dikush ka para për të blerë furnizime dhe për të përballuar udhëtimin për në haxh, por këto para i duhen për të paguar borxhet që ka, haxhi nuk është i detyrueshëm për të, qoftë në rastin kur shlyerja e borxhit kërkohet menjëherë, qoftë edhe nëse është e mundur shtyrja e afatit të shlyerjes së tij. Borxhet që kërkohen të shlyhen menjëherë, duhet të paguhen pa vonesë, kurse haxhi mund të kryhet edhe më vonë. Por, nëse ai i shpenzon gjithçka që ka në haxh, mund të mos jetë në gjendje të paguajë borxhet”.

Në mënyrë të ngjashme, nëse dikujt i nevojitet një banesë ose një shërbyes që ta ndihmojë, ai mund të klasifikohet si i pamundur për të kryer haxhin. Po ashtu, nëse dikush ka nevojë të marrë një grua sepse ka frikë se mos nuk do të jetë në gjendje t’i shmanget së keqes, ai duhet të martohet, për arsye se kjo është një nevojë urgjente për të. Më tej, nëse dikujt i nevojiten mallra për biznesin e tij në mënyrë që prej tyre të nxjerrë të ardhurat e nevojshme, sipas Ebu El-Abas ibën Sarih ai person mund të klasifikohet si i pamundur për kryerjen e haxhit, duke pasur parasysh nevojën e tij të veçantë.

Në “El-Mugni” thuhet: “Nëse i keni marrë borxh një njeriu të pasur, i cili nuk kërkon pagim të menjëhershëm të tij, e shtyn këtë pagesë për një fazë më të vonshme dhe është i gatshëm ta lejojë borxhmarrësin që të shkojë për të kryer haxhin, atëherë ai person mund ta kryejë haxhin. Por, në rast se borxhdhënësi nuk ka mundësi ta shtyjë pagesën e huasë, atëherë borxhliu konsiderohet si i pamundur për të kryer haxhin”.

Sipas shkollës shafite, nëse dikush i ofron dikujt tjetër një mjet udhëtimi falas për në haxh, ky i fundit nuk është i detyruar ta pranojë ofertën, sepse ajo është një favor dhe sjell shqetësimin e të qenit i detyruar ndaj një personi tjetër. Megjithatë, nëse një ofertë e tillë i bëhet një personi nga i biri i tij, atëherë ai është i detyruar ta kryejë haxhin, sepse një njeri duhet ta kryejë haxhin pa qenë i detyruar (në borxh) ndaj ndonjë personi tjetër.

Shkolla hanbelite është e mendimit se një ofertë për ndihmë financiare nga dikush tjetër nuk e detyron personin që ta kryejë haxhin e as nuk e klasifikon atë si të aftë (nga ana financiare). Kjo ofertë mund të vijë nga një i huaj apo i afërt dhe nuk është e vlefshme, edhe pse i siguron atij mjete udhëtimi dhe furnizime ose ndihmë financiare në kuptimin e vërtetë të fjalës.

 

4) Gjithashtu nuk duhet të ketë asnjë pengesë, e cila mund të ndalojë njerëzit të ndërmarrin udhëtimin për haxh, si frika nga tortura apo burgimi prej një sundimtari tiran.

 

Haxhi i fëmijës dhe skllavit

Megjithëse haxhi nuk është i detyrueshëm për këto dy grupe, ai është i vlefshëm nëse e kryejnë, por nuk do të jetë i mjaftueshëm për ta përsa i përket atij haxhi të urdhëruar në Islam.

Ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “çdo fëmijë që kryen haxhin duhet ta kryejë atë përsëri kur të arrijë moshën madhore dhe çdo skllav që kryen haxhin dhe pastaj lirohet, duhet ta përsërisë atë”.[27] Transmeton Tabaraniu me një varg transmetuesish të vërtetë.

Saib ibën Jezidi ka treguar: “Babai im e kreu haxhin bashkë me Profetin (a.s.), i cili po kryente Haxhin e tij të Lamtumirës, kur unë isha vetëm shtatë vjeç”.[28] Transmeton Ahmedi, Buhariu dhe Tirmidhiu. Ky i fundit vazhdon dhe thotë: “Të gjithë dijetarët janë të mendimit se, në qoftë se një fëmijë kryen haxhin, ai duhet ta përsërisë atë kur të arrijë moshën e pjekurisë. Po ashtu, një skllav, i cili e kryen haxhin dhe pas kësaj fiton lirinë e tij, duhet ta përsërisë sërish atë, nëse është në gjendje”.

Gjithashtu, transmetohet nga Ibën Abasi se gjatë kryerjes së haxhit një grua mori me vete një djalë dhe e pyeti Profetin (a.s.): “A do të shpërblehet ky djalë për kryerjen e haxhit?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Po, edhe ti do të shpërblehesh [29].”[30]

Xhabiri tregon: “Ne e kryem haxhin së bashku me Profetin (a.s.) dhe me ne ishin dhe një numër grash dhe fëmijësh. Ne e thonim telbijen në emër të fëmijëve dhe bënim gjuajtjen me guralecë në vend të tyre”.[31] Transmeton Ahmedi dhe Ibën Maxhe.

Nëse një fëmijë është i aftë, ai vetë mund ta veshë iharamin dhe të kryejë ritet e haxhit. Në të kundërt, kujdestari i tij[32] duhet ta veshë ihramin për të dhe të thotë talbijen në emër të tij, të bëjë tavafin, të vrapojë ndërmjet Safas dhe Mervas, të qëndrojë në Arafat dhe të godasë me guralecë në vend të tij.

Nga ana tjetër, nëse një fëmijë arrin moshën e pubertetit në Ditën e Arafatit ose para saj, atëherë haxhi i njihet i vlefshëm atij. E njëjta gjë vlen dhe për skllavin, i cili lirohet në Ditën e Arafatit ose përpara saj.

Maliku dhe Ibën El-Mundhiri thonë: “Për të dy këto lloj njerëzish, haxhi i tyre nuk mund t’u njihej i vlefshëm si (zëvendësim për) haxhin e detyrueshëm, sepse ata kishin për qëllim adhurimin vullnetar kur veshën ihramin; statuti vullnetar i haxhit të tyre nuk mund të shndërrohej në një adhurim të detyrueshëm”.

 

Haxhi i gruas

Haxhi është i detyrueshëm si për gratë ashtu edhe për burrat; ata duhet ta kryejnë atë në momentin që plotësojnë parakushtet e lartpërmendura për kryerjen e tij. Në rastin e një gruaje është thelbësore që ajo të shoqërohet nga bashkëshorti i saj ose ndonjë i afërm mahrem [33]tjetër në udhëtimin për në haxh.

Ibën Abasi transmeton se ka dëgjuar Profetin (a.s.) duke thënë: “Një burrë nuk duhet të rrijë kurrë vetëm për vetëm me një grua, nëse nuk është një mahrem me të. Gjithashtu, një grua nuk duhet të udhëtojë me njeri, përveçse me një të afërm mahrem”. Një burrë u ngrit dhe pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Gruaja ime ka shkuar në haxh, kurse unë jam mobilizuar nëpër beteja. Çfarë duhet të bëj?’ Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Shko dhe kryej haxhin me gruan tënde[34]!”.[35]Transmeton Buhariu dhe Muslimi. Fjalët e përmendura këtu janë të Muslimit.

Jahja ibën Abadi transmeton se një grua nga Iraku i shkruante Ibrahim Nahiut dhe i thoshte: “Unë nuk e kam kryer ende haxhin e urdhëruar; sepse, megjithëse jam e pasur, nuk kam asnjë mahrem që të më shoqërojë në këtë udhëtim”. Ai i ktheu asaj përgjigje: “Ju nuk jeni prej atyre që Allahu u ka dhënë mundësitë për të kryer (haxhin)”.

Ebu Hanife, El Hasani, El-Theuri, Ahmedi dhe Is’haku kanë një opinion të ngjashëm mbi këtë çështje.

El-Hafidhi thotë: “Opinioni i pranuar më gjerësisht ndër dijetarët e shkollës shafite në këtë këndvështrim është se një një grua mund të udhëtojë me bashkëshortin e saj ose me ndonjë nga të afërmit e saj mahrem ose me një grup grash të besuara, madje dhe me një grua të tillë (të besuar). Sipas një pikëpamjeje, transmetohet nga El-Karabisi dhe e shkruar në El-Muhadheb, një grua mund të udhëtojë vetëm për në haxh, me kusht që rruga për atje të jetë e sigurtë dhe pa rreziqe. Kjo vlen si për haxhin, ashtu edhe për umrën.

Në “Subul Es-Selam” thuhet: “Një grup dijetarësh janë të mendimit se një grua e moshuar mund të udhëtojë pa qenë e shoqëruar nga një i afërm i saj (mahrem).

Ky lejim për një grua që të udhëtojë pa mahrem në shoqërinë e njerëzve të besuar ose kur udhëtimi për haxh është i sigurt, mbështetet nga ajo që transmetohet nga Buhariu prej Adi ibën Hatim, i cili tregon: “Isha me Profetin (a.s.), kur një burrë erdhi dhe iu ankua atij për varfërinë në të cilën ndodhej. Një tjetër burrë ankohej për plaçkitje në rrugë. Pas kësaj, Profeti (a.s.) e kishte pyetur Adiun në e kishte parë fshatin Hire afër Kufes në Irak”. Ai i ishte përgjigjur: “Jo, por kam dëgjuar për të”. Atëherë Profeti (a.s.) i kishte thënë: “Nëse do të jetoje aq gjatë, do të shihje që një grua do të udhëtojë nga Hire[36] dhe do të kryejë tavaf rreth Qabes dhe ajo nuk do të ketë frikë asgjë, përveç frikës nga Allahu”.[37]

Ky mendim mbështetet nga fakti se Umeri (r.a.) i dha leje grave të Profetit (a.s.) që ta kryenin haxhin të shoqëruara nga Othmani dhe Abdurrahman ibën Aufi.[38]

Othmani u bënte njerëzve të ditur prezencën e tyre duke u thënë që të ruheshin që të mos i shihnin ato dhe të mos u afroheshin deveve të tyre.

Megjithatë, nëse një grua nuk mund t’i përmbahet këtij kushti dhe e kryen e vetme haxhin – pa qenë e shoqëruar nga një mahrem – haxhi i saj përsëri konsiderohet i vlefshëm.

Autori i “Subul Es-Selam” thotë se Ibën Tejmije ka thënë: “Haxhi i një gruaje e pashoqëruar nga një mahrem është i vlefshëm, ashtu si i një personi që nuk ka mundësi që ta kryejë atë”.

Shkurt, nëse e kryejnë haxhin ata njerëz për të cilët haxhi nuk është i detyrueshëm për shkak të sëmundjes, varfërisë, frikës së plaçkitjes në rrugë ose në rastin e një gruaje për shkak se nuk gjendet mahrem që ta shoqërojë, haxhi është i vlefshëm për ta. Disa prej tyre bëjnë mirësi (dhe bëjnë çmos) si ata që kryejnë haxhin duke shkuar atje në këmbë, ndërsa të tjerët janë mëkatarë, si ata që i luten të tjerëve që t’i ndihmojnë për të kryer haxhin ose një grua që e kryen haxhin pa një shoqërues mashkull mahrem. Edhe pse kanë një arsye të vlefshme, nëse ndonjëri prej tyre e kryen haxhin, ai konsiderohet i vlefshëm, sepse mëkati i tyre lidhet me mjetet e tyre (zgjedhjen e të ndaluarës) dhe jo me objektivin në vetvete.

Në “El-Mugni” thuhet: “Nëse një person, jo i detyruar të kryejë haxhin për arsye se nuk ka mundësi për të e kryen haxhin, duke iu nënshtruar vështirësive, udhëtimit në këmbë dhe pa furnizimet ushqimore të nevojshme, haxhi i tij do të jetë krejtësisht i vlefshëm dhe i pranueshëm”.

 

 

Gruaja duhet të kërkojë leje nga bashkëshorti i saj për të kryer haxhin

Pëlqehet që gruaja të kërkojë lejen nga bashkëshorti i saj për të kryer haxhin e urdhëruar. Nëse ai i jep asaj leje, ajo mund të niset për të kryer haxhin. Në rast se ai refuzon t’i japë leje, ajo përsëri mund të shkojë për të kryer haxhin, sepse bashkëshorti nuk duhet ta ndalojë gruan e tij nga kryerja e haxhit të detyrueshëm. Haxhi është një akt i detyrueshëm adhurimi. Është e palejueshme që t’i bindesh dikujt në diçka që përfshin mosbindjen ndaj Allahut. Gruaja duhet të kryejë haxhin e detyrueshëm sa më shpejt të jetë e mundur, ashtu siç duhet të falë namazet e përditshme, të cilat janë të detyrueshme në oraret e tyre të caktuara. Në çdo rast, bashkëshorti nuk asnjë të drejtë të pengojë gruan që të bëjë detyrën e saj. E njëjta gjë vlen kur një grua është betuar të kryejë haxhin (e betimit të saj), sepse ai është i detyrueshëm për të ashtu si dhe haxhi i urdhëruar. Megjithatë, në rastin e haxhit vullnetar, bashkëshorti mund ta ndalojë gruan e tij dhe gruaja duhet t’i bindet atij. Kjo mbështetet nga një hadith i transmetuar nga Darakutni, i cili transmeton nga Ibën Umeri, i cili ka thënë: “Po flisnim për një zonjë të pasur, bashkëshorti i së cilës kishte refuzuar t’i jepte asaj leje për të kryer haxhin. Lidhur me këtë, Profeti (a.s.) tha: “Ajo nuk duhet të shkojë në haxh, veçse me lejen e bashkëshortit të saj”.[39]

 

Ai që vdes pa kryer haxhin e detyrueshëm

Nëse një person vdes para se të kryejë haxhin e detyrueshëm ose nëse është betuar të kryejë haxhin, por vdes përpara se ta përmbushë betimin e tij, trashëgimtari i tij duhet të caktojë dikë për të kryer haxhin në emër të të vdekurit. Të gjitha shpenzimet që do të pasojnë në lidhje me këtë duhet të shlyhen nga pasuria e të vdekurit, siç duhet në të vërtetë të shlyhet çdo borxh i lënë prej këtij të fundit.

Ibën Abasi transmeton se një grua nga fisi i Xhuhejnes shkoi te Profeti (a.s.) dhe i tha: “Nëna ime ishte zotuar që të kryente haxhin, por ajo vdiq përpara se ta përmbushte zotimin e saj. A duhet ta kryej unë në emër të saj?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Po, kryeje haxhin në emër të saj. A nuk do t’i shlyeje ti çdo borxh që nëna jote mund të kishte lënë pas vdekjes së saj? Shlyej atë që i detyrohesh Allahut, sepse Ai e meriton më shumë larjen e borxhit”.[40] Transmeton Buhariu.

Ky hadith nënvizon detyrimin e kryerjes së haxhit në emër të një personi të vdekur, në e ka lënë ose jo dëshirën e tij me këtë qëllim (është një lloj borxhi i të vdekurit). Të gjitha borxhet e lëna nga i vdekuri duhet të paguhen, ashtu si të gjitha detyrimet financiare si zekati apo një betim i bërë nga i vdekuri që duhet përmbushur.

 Ibën Abasi, Zejd ibën Thabiti, Ebu Hurejra dhe Shafiu janë të këtij mendimi. Ata mendojnë se shpenzimet e zëvendësit që kryen haxhin për personin e vdekur duhet të paguhen nga pasuria e të vdekurit, përpara se kjo e fundit (pasuria) të ndahet midis trashëgimtarëve të tij.

Në rast se pasuria është e pamjaftueshme që të mbulojë si shpenzimet e haxhit (nga zëvendësi) dhe shlyerjen e borxheve të të vdekurit, shpenzimet e haxhit duhet të paguhen së pari, siç ka thënë Profeti (a.s.): “Allahu e meriton më shumë që t’i shlyhen borxhet”.

Imam Maliku thotë: “Një person mund ta kryejë haxhin në emër të të vdekurit, vetëm nëse ky i fundit lë amanetin e tij për këtë. Nëse i vdekuri nuk e lë një amanet të tillë, atëherë haxhi në emër të tij nuk mund të kryhet, pasi ky adhurim kërkon, më tepër se çdo gjë tjetër, mundim fizik dhe përpjekje. Në këtë kuptim, asnjë person nuk mund të zëvendësojë një person tjetër. Nëse një person, para se të vdesë, lë amanet për këtë, atëherë haxhi mund të kryhet, duke përballuar të gjitha shpenzimet e tij nga një e treta e trashëgimisë së të vdekurit”.

 

Haxhi në emër të të tjerëve

Nëse dikush është në gjendje ta kryejë haxhin, por më pas ai bëhet i pamundur për këtë, për shkak të ndonjë sëmundjeje apo pleqërisë, ai duhet të caktojë dikë tjetër për të kryer haxhin në emër të tij, për arsye se ai mund të mos jetë kurrë në gjendje që ta kryejë vetë atë. Nga kjo anë, një person i tillë është i ngjashëm me të vdekurin dhe lejimi për të që të zgjedhë zëvendësin e tij për haxh është i ngjashëm. Kjo mbështetet në një hadith të transmetuar nga El Fadl ibën Abasi, i cili thotë: “Një grua e Hath’amit ka thënë: “O i Dërguar i Allahut! Allahu e ka urdhëruar haxhin për robërit e Tij. Tani që unë jam rritur dhe shoh që im atë është plakur dhe nuk mund të qëndrojë hipur (për një kohë të gjatë). A duhet ta kryej unë haxhin në emër të tij?” Profeti (a.s.) i është përgjigjur: “Po”. Kjo ndodhi gjatë Haxhit të Lamtumirës.[41] Transmeton “Grupi”.

Tirmidhiu e konsideron këtë një hadith të besueshëm me një varg të besueshëm transmetuesish dhe shton: “Për këtë temë ka dhe hadithe të tjera, të cilat janë të besueshme dhe sahabët i besonin dhe vepronin në përputhje me to. Ata kanë qenë të mendimit se një person mund ta kryejë haxhin në emër të një personi të vdekur”. Gjithashtu, El Theuri, Ibën El Mubareku, Shafiu, Ahmedi dhe Is’haku kanë patur një pikëpamje të ngjashme.

Imam Maliku thotë: “Nëse i vdekuri ka lënë ndonjë amanet që dikush ta kryejë haxhin në emër të tij, atëherë ky haxh mund të kryhet”. Disa dijetarë, si Ibën Mubareku dhe Shafiu thonë se për një burrë të moshuar që nuk është në gjendje ta kryejë vetë haxhin, është e lejueshme të caktojë një zëvendës që ta kryejë haxhin në emër të tij.[42]

Hadithi i mësipërm e mbështet pikëpamjen se si për burrin ashtu dhe për gruan është krejtësisht e lejueshme që ta kryejnë haxhin në emër të një burri apo një gruaje tjetër. Për këtë nuk ka asnjë kundërshtim nga Kurani apo Suneti.

 

Gjendja e një personi të sëmurë, i cili shërohet

Nëse një person i sëmurë shërohet, pasi dikush tjetër e ka kryer haxhin në emër të tij, ai konsiderohet sikur e ka kryer detyrën e tij dhe nuk i kërkohet që ta përsërisë atë, sepse kjo do të nënkuptonte detyrimin e kryerjes së dy haxheve të detyrueshme (më tepër se një). Ky është mendimi i imam Ahmedit. Megjithatë, pjesa më e madhe e dijetarëve janë të mendimit se një haxh i tillë zëvendësues nuk do t’i mjaftojë një njeriu për ta çliruar nga detyrimi i tij, sepse shërimi i tij tregon se rasti i tij nuk ishte shumë i pashpresë, sepse faktori vendimtar në këtë drejtim është ndërprerja e sëmundjes dhe kthimi i shëndetit të tij.

Ibën Hazmi priret ndaj mendimit të parë. Ai thotë: “Kur Profeti (a.s.) urdhëroi që të kryhej haxhi në emër të atyre që nuk janë në gjendje të ecin apo ngasin devenë (d.m.th. të udhëtojnë për në haxh) dhe tha se kjo do të shlyente borxhet e tyre ndaj Allahut, atëherë borxhi shlyhet me të vërtetë dhe përpjekja e tyre pranohet”.

Me siguri, nëse një detyrim hiqet ose përmbushet, atëherë nuk ka asnjë justifikim për përsëritjen e tij, veçanërisht kur nuk gjendet nëpër argumente asgjë që ta mbështësë këtë. Sikur të ishte e nevojshme diçka e tillë, Profeti (a.s.) duhet ta kishte shprehur në mënyrë të qartë. Përderisa ai nuk e bëri këtë, nuk ka arsye për përsëritjen e tij.

 

Kushtet për kryerjen e haxhit në vend të të tjerëve

Përpara  kryerjes së haxhit në vend të dikujt tjetër, personi duhet ta ketë kryer haxhin e vet. Kjo mbështetet në një hadith, në të cilin Ibën Abasi rrëfen se Profeti (a.s.) dëgjoi një burrë të thoshte: ‘O Allah! Këtu jam në përgjigje të thirrjes Tënde në vend të Shubremës”. Profeti (a.s.) e pyeti: “A e ke kryer haxhin tënd?” Ai iu përgjigj: “Jo”. Pas kësaj përgjigjeje, Profeti (a.s.) i tha: “Ti duhet të kryesh më parë haxhin për veten tënde, pastaj në vend të Shubremës”.[43] Transmeton Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

Bejhakiu thotë: “Vargu i transmetuesve të këtij hadithi është i saktë dhe ky është transmetimi më i saktë në këtë kapitull”. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se nuk është me vend për një person që të kryejë haxhin në vend të të tjerëve përpara kryerjes së haxhit për veten e tij, qoftë ose jo në gjendje për këtë.

 

Haxhi për të përmbushur një betim, ndërkohë që duhet të kryhet haxhi i detyrueshëm

Sipas gjykimit të Ibën Abasit dhe Ikrimës, nëse një person kryen haxhin për të përmbushur një betim, ndërkohë që nuk e ka kryer ende haxhin e urdhëruar, atëherë ky haxh duhet t’i mjaftojë dhe ta çlirojë atë nga detyrimi i të dy llojeve të haxhit. Nga ana tjetër, Atau dhe Ibën Umeri janë të mendimit se personi duhet të kryejë më parë haxhin e detyrueshëm dhe më pas të kryejë një haxh tjetër për të përmbushur betimin që ka bërë.

 

Nuk ka Sarureh[44] në Islam

Ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nuk ka Sarureh në Islam”.[45] Transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi.

Hatabi vëren: “Fjala sarureh ka dy kuptime: a) një person që nuk martohet dhe shkon një jetë beqari si murgjit kristianë; ose b) dikush që nuk e ka kryer ende haxhin”.

Me fjalë të tjera kjo do të thotë se askush prej atyre që janë në gjendje ta kryejnë haxhin nuk duhet të mbetet pa e kryer atë, sepse në Islam nuk ka shtyrje të kryerjes së haxhit të detyrueshëm.

Disa dijetarë i referohen këtij hadithi si një provë që dëshmon se personit që nuk ka kryer haxhin nuk i lejohet ta kryejë atë në vend të të tjerëve. Euzai, Shafiu, Ahmedi dhe Is’haku janë të këtij mendimi, ndërsa Maliku dhe El-Theuri thonë: “Haxhi i një personi të tillë varet nga qëllimi i tij”. Kështu mendojnë edhe hanefitë. Edhe Hasen El-Basri, Atau dhe Nehaiu kanë një mendim të ngjashëm.

 

Marrja borxh për të kryer haxhin

Abdullah ibën Ebu Aufa rrëfen: “Unë e pyeta Profetin (a.s.) për një burrë që nuk e kishte kryer haxhin: “A duhet të marrë borxh për të kryer haxhin apo jo?” Profeti (a.s.) u përgjigj: “Jo!” [46]Transmeton Bejhakiu.

 

Kryerja e haxhit me para të fituara në mënyrë të paligjshme

Dikush që e kryen haxhin me para të fituara në mënyrë të paligjshme, teknikisht mund ta përmbushë detyrimin e haxhit, por sipas pjesës më të madhe të dijetarëve ai konsiderohet mëkatar që ka vepruar në këtë mënyrë.

Imam Ahmedi nuk pajtohet me këtë dhe është i mendimit se një haxh i tillë nuk është i mjaftueshëm për ta çliruar atë nga detyrimi që ka. Kjo është më e saktë, siç thotë hadithi sahih: “Sigurisht që Allahu është i Pastër (i mirë) dhe nuk pranon asgjë tjetër që nuk është e pastër (e mirë)”.[47]

Gjithashtu, transmetohet nga Ebu Hurejra se Profeti (a.s.) ka thënë: “Një haxhi, me t’u nisur për të kryer haxhin me furnizime që janë të ligjshme, e vë këmbën në yzengji (nget kafshën e udhëtimit) dhe thërret: “O Allah! Ja ku jam në përgjigje të thirrjes Tënde”. Lajmësi i përgjigjet atij që nga qielli lart duke i thënë: “Thirrja jotë është dëgjuar: ti je një prej të lumturve, furnizimet e tua janë të ligjshme, kafsha jote e udhëtimit është e ligjshme dhe haxhi yt është i zhveshur nga mëkatet dhe i pranueshëm”. Por, nëse furnizimet janë të siguruara në mënyrë të paligjshme dhe ai vë këmbën në yzengji dhe thërret: “O Allah! Ja ku jam në përgjigje të thirrjes Tënde!”, një lajmës nga qielli i kthen atij përgjigje duke i thënë: “Thirrja jote nuk u pranua: ushqimi yt është i paligjshëm, furnizimet e tua janë të paligjshme dhe haxhi yt është me mëkate dhe pa shpërblim”.[48]

El Mundhiri thotë se ky hadith transmetohet nga Tabaraniu në “El-Eusat” dhe gjithashtu nga El-Asbahani në një hadith mursel nga Eslemi, skllavi i çliruar i Umer ibën El-Hatabit.

 

Si është më mirë – të shkohet në haxh në këmbë apo hipur?

El-Hafidhi shkruan në “El-Fet’h” se Ibën El Mundhiri ka thënë se mendimet ndyshojnë në lidhje me ç’është më e mirë për një haxhi, të ecë në këmbë apo të shkojë hipur gjatë kryerjes së haxhit. Pjesa më e madhe e dijetarëve janë të mendimit se të shkuarit hipur është më mirë, sepse Profeti (a.s.) ka vepruar kështu dhe sepse është më e dobishme (në përqendrim) për faljet dhe lutjet që i bëhen Allahut, përveç dobive të tjera. Ndërsa Is’hak ibën Rehavejh thotë: “Ecja në këmbë është më e pëlqyeshme sepse ka në vetvete më shumë përpjekje dhe vështirësi (për hir të Allahut)”.

Mund të thuhet se vajtja në haxh hipur ose në këmbë varet nga personi dhe kushtet e tij të veçanta.

Buhariu ka transmetuar nga Enesi se Profeti (a.s.) ka parë një burrë që e mbanin djemtë e tij nga të dy krahët, pastaj i pyeti: “Si është puna me këtë burrë?” Ata i thanë: “Ai është betuar që të ecë më këmbë gjatë haxhit”. Profeti (a.s.) tha: “Allahut nuk i nevojitet torturimi që ky njeri i bën vetes”. Pastaj ai e urdhëroi burrin që ta kryente haxhin hipur mbi një kafshë.[49]

 

Tregtia dhe dhënia me qira e kafshëve të udhëtimit gjatë kryerjes së haxhit

Nuk ka asnjë dëm nëse një haxhi angazhohet në tregti apo biznes gjatë kryerjes së haxhit apo umrës. Ibën Abasi ka thënë: “Në fillim kur u urdhërua kryerja e haxhit, njerëzit bëni tregti në Mina, Arafat dhe në tregun e Dhul-Mexhazit[50] gjatë kohës së haxhit, por ata kishin frikë se mos kjo ishte e ndaluar kur ishin në gjendjen e ihramit. Për këtë arsye, Allahu shpalli vargun kuranor:

لَيْسَ عَلَيْكُمْ جُنَاحٌ أَنْ تَبْتَغُوا فَضْلاً مِنْ رَبِّكُمْ

Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë haxhit)”. (El-Bekare, 198). Kjo transmetohet nga Buhariu, Muslimi dhe Nesaiu.

Duke komentuar ajetin e mësipërm, Ibën Abasi shton: “Njerëzit i shmangeshin tregtisë kur ishin në Mina, kështu që ata ishin udhëzuar të merreshin me tregti ose punë kur zbrisnin poshtë nga Arafati”.[51] Transmeton Ebu Daudi.

Ebu Umame Et-Tejemi tregon se ai i tha Ibën Umerit: “Unë jap me qira kafshë udhëtimi gjatë kohës së haxhit dhe njerëzit më thonë se haxhi im është i pavlefshëm”. Ibën Umeri e pyeti: “A e vesh ti veshjen e haxhit, e thua telbijen, i bie rreth e qark Shtëpisë së Allahut, zbret në Arafat dhe e gjuan me gurë shejtanin?” Burri i tha: “Po!” Pastaj Ibën Umeri i tha: “Atëherë, haxhi yt është i vlefshëm”. Ibën Umeri vazhdoi: “Një person shkoi te Profeti (a.s.) dhe e pyeti për diçka të ngjashme me atë që më pyete ti mua dhe pas kësaj Profeti (a.s.) mbeti i heshtur derisa iu shpall ky varg kuranor: “Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë haxhit)”. Atëherë, Profeti (a.s.) dërgoi e thirri atë burrë dhe i recitoi ajetin, duke i thënë: “Haxhi yt është i vlefshëm”.[52] Transmeton Ebu Daudi dhe Seid ibën Mensuri. Hafidh El-Mundhiri ka thënë se emri i Ebu Umames nuk njihet.

 Ibën Abasi thotë se një burrë e ka pyetur: “Unë u shërbej këtyre njerëzve me pagesë për t’i ndihmuar në kryerjen e riteve të haxhit. A do të kem unë shpërblim për haxhin?” Ibën Abasi iu përgjigj: “Po!” (Pastaj recitoi):

أُوْلَئِكَ لَهُمْ نَصِيبٌ مِمَّا كَسَبُوا وَاللَّهُ سَرِيعُ الْحِسَابِ

 “Të tillët e kanë shpërblimin nga ajo që e fituan dhe Allahu është i shpejtë në llogari”.(El-Bekare, 202).[53] Hadithi transmetohet nga Bejhakiu dhe Darakutni.

 

 

Haxhi i Profetit (a.s.)

Një përshkrim i hollësishëm

 Vijon … 


[1] Beka është një nga emrat që ka pasur më parë Meka e sotme.

[2] Buhariu 26, 1447, Muslimi 244, Nesai 5000.

[3] Hadith Daif. Ahmedi 3/325, 334. Ibën Haxheri e ka konsideruar të dobët në “El Fet-h” 3/446.

[4] Hadith Sahih. “El Irva” 4/152. E ka nxjerrë Darakutni 282, Bejhakiu 4/350, Abdurrazaku 5/8.

[5] Hadith Hasen. “Et Targib” 1100, “Daiful Xhami” 2638. E ka nxjerrë Nesai 2626, Bejhakiu 9/23.

[6] Buhariu 2784, Bajhakiu 9/21. Muslimi nuk e ka nxjerrë këtë hadith.

[7] Buhariu 1861, Nesai 2628, Bejhakiu 4/326, Ahmedi 6/67, 68, 71, 75, 79, 120, 166. Muslimi nuk e ka nxjerrë këtë hadith.

[8] Buhariu 1819, 1820, Muslimi 3278, 3279, Nesai 2626, Tirmidhiu 811, Ibën Maxheh 2889.

[9] Muslimi 317.

[10] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1200, “El Mishkat” 2524, “Sahihul Xhami” 2900.  E ka nxjerrë Nesai 2630, Tirmidhiu 810, Ahmedi 1/387, Ibën Hibani 967, Taberiu 3956, Ebu Nuajm 4/110, Begaviu 2/112.

[11] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1820, “El Mishkat” 2536, “Et Targib” 1109. E ka nxjerrë Nesai 2625, Ibën Maxheh 2892.

[12] Hadith Hasen. “El Mishkat” 2537.  Nesai 3121, Ibën Hibani 6/3.

[13] Buhariu 1773, Muslimi 3276, Nesai 2628, Ibën Maxheh 2888.

[14] Hadith Daif. “Mexhmea ez Zevaid” 3/212.

[15] Hadith Daif. “Ed Daife” 3530, “Et Targib” 706, “Daiful Xhami” 5993. E ka nxjerrë Ahmedi 5/355, Bejhakiu 4/332.

[16] Muslimi 3244, Nesai 2619, Ibën Maxheh 2885, Bejhakiu 4/326, Ahmedi 2/508, Darakutni 281.

[17] Hadith Sahih. “El Irva” 4/149-150. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1721, Nesai 2620, Darimi 2/29, Darakutni 280, el Hakim 1/441, 470, Ahmedi 1/255, 290, 303, 352, 370, 371.

[18] Hadith Hasen. “El Irva” 990 . E ka nxjerrë Ahmedi 1/214, 323, 355, Ibën Maxheh 2883, Bejhakiu 4/340, Ebu Nuajmi 1/114.

[19] Hadith Hasen. “El Irva” 990. E ka nxjerrë Ahmedi 1/314, Bejhakiu 4/340.

[20] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[21] Personi që ka për qëllim të kryejë haxhin nuk duhet të shesë veshjet e tij, sendet vetjake apo shtëpinë- edhe sikur t’i ketë me bollëk- për të fituar para për haxh.

[22] Hadith Daif. “El Irva” 988. E ka nxjerrë Darakutni 2/216 (254), El Hakim 1/442, Tirmidhiu 2998, Ibën Maxheh 2896.

[23] Hadith Daif. “El Mishkat” 2521, “Et Targib” 753, “Daiful Xhami” 5860. E ka nxjerrë Tirmidhiu 812.

[24] Një rrëfim i cili është i gjurmueshëm në rend të pandërprerë ngjitës të transmetuesve të tij deri te burimi i tij.

[25] Një hadith i transmetuar nga një pasues (tabi’), i ri ose i vjetër, pa përmendur Sahabiun, i cili mund ta ketë dëgjuar atë drejtpërsëdrejti nga Profeti (a.s.). Shafiu e quan një hadith të tillë të dobët, ndërsa Ebu Hanife dhe Maliku e quajnë atë të besueshëm.

[26] Një hadith i transmetuar nga një sahab nëpërmjet fjalëve ose veprave në mënyrë të pandërprerë ose e kundërta.

[27] Hadith Sahih. “El Irva” 986. E ka nxjerrë Shafiu 1/290, Tahaviu 1/435, Bejhakiu 4/325, 5/156, Taberani në “El Eusat” 1/110, el Hakim 1/481.

[28] Buhariu 1858, Tirmidhiu 925, Ahmedi 11/30 –el fet-hu rabani.

[29] Djali do të shpërblehet për bindjen e tij, ndërsa e ëma do të shpërblehet për ndihmën dhe udhëzimin që i dha atij për të kryer haxhin. Ky hadith transmetohet gjithashtu edhe nga Umeri.

[30] Muslimi 3240, Ebu Daudi 1736, Nesai 2646, Ahmedi 11/29.

[31] Transmetim i dobët. E ka nxjerrë Tirmidhiu 927, Ibën Maxheh 3038, Ahmedi 11/30.

[32] Neveviu ka thënë: “Kujdestari, i cili vesh ihramin në emër të një fëmije që nuk është në gjendje të gjykojë, është kujdestari i pronave të tij, d.m.th. babai i tij, gjyshi ose kujdestari i caktuar me ligj. Në lidhje me nënën e tij, dijetarët kanë mendime të ndryshme. Disa janë të mendimit se ihrami i saj në emër të tij është i vlefshëm, vetëm nëse ajo caktohet me ligj si kujdestare e tij. Të tjerë pretendojnë se ihrami i saj është i vlefshëm, edhe nëse ajo nuk është kujdestarja.

[33] El-Hafidhi ka thënë në “El Fet’h”: “Sipas dijetarëve, kushti për të qenë mahrem i një gruaje është që për një burrë të tillë duhet të jetë e pamundur nga ana ligjore islame të martohet me këtë grua”.

[34] Ky urdhër vë në dukje diçka të dëshirueshme dhe nuk e detyron bashkëshortin ose mahremin të udhëtojë me një grua, nëse nuk ka njeri tjetër përveç tij. Askush nuk është i detyruar të heqë dorë nga interesat e tij, me qëllim që një tjetër person të mund të bëjë atë që kërkohet prej tij.

[35] Buhariu 1862, 3006, 5233, Muslimi 3259.

[36] Fshat pranë Kufes në Irak.

[37] Buhariu 3595.

[38] Buhariu 1860.

[39] Hadith Daif. “Ed Daife” 4389, “Daiful Xhami” 4919. E ka nxjerrë Bejhakiu 5/223, Darakutni 2/223.

[40] Buhariu 1852, 7315, Bejhakiu 4/335, Nesai 2/4, Darimi 2/24, Ahmedi 1/239-240, por në transmetimin e këtyre dy të fundit thuhet se pyetësi ishte vëllai i saj.

[41] Buhariu 1513, 1854, 4399, 6228, Muslimi 3238, Ebu Daudi 1809, Nesai 2633, 2634, 2639, 2640, 2641, 5405, 5408, Tirmidhiu 928, Ibën Maxheh 2909.

[42] Ky është gjithashtu mendimi i Ahmedit dhe i Hanefive.

[43] Hadith Sahih. “El Irva” 994. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1811, Ibën Maxheh 2903, Ibën Xharudi 499, Ibën Hibani 962, Darakutni 276, Bejhakiu 4/336, Taberani në “El Kebir” 3/161.

[44] Këtë mund ta kuptojmë si shtyrje të kryerjes së haxhit të detyrueshëm.

[45] Hadith Daif. “Ed Daife” 685, “El Mishkat” 2522, “Daiful Xhami” 6296. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1729, el Hakim 1/448, Ahmedi 1/312, Taberani në “El Kebir” 3/128.

[46] Bejhakiu 4/333 me shprehje të përafërt.

[47] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[48] Hadith Daif Xhiden – shumë i dobët. “Ed Daife” 4403, “Et Targib” 711.

[49] Buhariu 1865, 6701, Muslimi 4223, Ebu Daudi 3301, Tirmidhiu 1537, Nesai 3861, 3862.

[50] Një vend afër Arafatit.

[51] Hadith Sahih. Ebu Daudi 1731.

[52] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1733, Bejhakiu 4/333, 6/121.

[53] Bejhakiu 4/333.