Hadithet e dobta të librit "Rijadu es Salihin"


Zejd Haziri


Parathënie



Hamdi (falënderimi) i takon Allahut. Atij i bëjmë hamd dhe prej Tij kërkojmë ndihmë dhe falje. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu, s'ka kush e lajthit dhe, kë e largon nga rruga e vërtetë, s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s'ka të adhuruar me të drejte tjetër përveç Allahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.
Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!]. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje çon në zjarr...

D
uke pasur parasysh nevojën e madhe të muslimanëve mbi njohjen e haditheve të vërteta nga të dobëtat dhe vlerën e madhe të të punuarit me të vërtetat dhe largimit nga të dobëtat të cilat nuk aludojnë në vepër; dhe duke parë kërkesën e madhe nga të rinjtë muslimanë shqiptarë mbi njohjen se a janë të gjitha hadithet në “Rijadus Salihin” të Imam Neveviut (Allahu e mëshiroftë!) të vërteta?; dhe duke pasur parasysh që mos t’i referohet Pejgamberit [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!] ajo që nuk e ka thënë ai; e pashë të nevojshme që të marr përsipër kryerjen e këtij obligimi shoqëror në mesin e muslimanëve shqiptarë, dhe atë vetëm duke bartur fjalët dhe punën e dijetarëve tanë në këtë drejtim (verifikimin e haditheve të dobëta në “Rijadus Salihin”), si dhe disa sqarime të tjera shtojcë që kanë të bëjnë me hadithet dhe fjalët e dijetarëve, e asgjë më shumë.

  Prej verifikimeve të fundit të këtij libri, e që prej tij  kam nxjerrur hadithet e dobëta në “Rijadus Salihin”, janë verifikimet e muhadithit, shejh Selim el Hilalit në librin e tij “Sahihu Rijadus Salihin”. Pas një vrojtimi të gjatë që ia bëra këtij libri, vërejta se autori në këtë punim të tij kishte tubuar vetëm hadithet e vërteta dhe kishte fshirë hadithet e dobëta të cilat gjinden në “Rijadus Salihin” por, pastaj në fund të librit kishte përmbledhur hadithet e dobëta, numri i të cilave kishte arritur deri në 64. Kuptohet se para autorit në fjalë, edhe Muhadithi më i madh i këtij shekulli Muhamed Nasirudin Albani [Allahu e mëshiroftë!] mësuesi i Selim el Hilalit, kishte bërë verifikimin e ”Rijadus Salihin”, mirëpo, numri i haditheve të cilat ai i kishte vlerësuar si të dobëta [e para tij edhe shumë dijetarë të tjerë të selefit] dallon nga ai i pari për më pak, siç tregon edhe vetë autori në hyrjen e punimit të tij.

Hollësitë për vlerësimet e këtyre haditheve si të dobëta nga ana e shejh Albanit [Allahu e mëshiroftë!] i ka bartur plotësisht autori në fjalë në përmbledhjen e lartëpërmendur, të quajtur ”Mulhakul ehadith ed Daifeh”.
Por, gjithashtu në detaje (autori) ka cekur vlerësimet e veta të haditheve të tjera si të dobëta, ku ndër tjerash ka theksuar se ai në cilësimin e këtyre haditheve (të tjera si të dobëta) ka pararendës nga dijetarët e mëhershëm të hadithit. Por, ne nuk do t’i sjellim të gjitha detajet rreth verifikimit të këtyre haditheve, veçse aty ku është nevoja dhe ku është e domosdoshme, duke u nisur kah ajo se vlerësimet e Albanit mbi hadithet janë huxh-xheh (bazë mbështetëse) në ditët e sotme për tërë botën islame - deshtën disa prej tyre apo jo, qofshin ata prej pasuesve të selefit apo jo. Prej atyre që (me dëshirë) kanë pranuar Albanin si huxh-xheh në hadith, është edhe Jusuf Kardavi.

Me nismën e tij dhe të Zuhejr Shavishit është bërë verifikimi i haditheve të librit “Hallalli dhe Harami në Islam” të J. Kardavit nga shejh Albani [Allahu e mëshiroftë!]. Ngase vetë Kardavi në disa vende kur kanë ndodhur takime të rastësishme në mes të këtyre të dyve, që në fillim të takimeve ka filluar t’i bëjë pyetje të shumta shejh Albanit [Allahu e mëshiroftë!] rreth haditheve të ndryshme, gjë që aludon se ai edhe e ka njohur atë (Albanin) si Muhadith.
Prandaj, edhe thotë në parathënien e botimit të katërt të librit të tij ”Hallalli…”fq.8: ”'Dhe e merr përsipër muhadithi i vendeve të Shamit Nasirudin Albani verifikimin e haditheve të cilat gjenden në këtë libër…”.

Mirëpo, përkundër kësaj, disa pasues të J. Karadavit [nga trevat tona!!] marrin guxim që ta quajnë Albanin si devijant (!!), edhe pse hoxha  i tyre e ka cilësuar si muhadith; e për këtë ofendim (krim) do bëjmë isharet (do ta përmendim) edhe në një vend tjetër.Eshtë me rëndësi të përmendet se puna që e ka kryer shejh Albani [Allahu e mëshiroftë!] në librin e Kardavit është vetëm verifikim i haditheve, e asgjë më shumë. Kurse sa i përket gabimeve të cilat i ka Kardavi në këtë libër rreth disa çështjeve në akide-besim dhe fikh, për to Imam Albani nuk është përgjegjës.

  Përkundrazi, tek disa hadithe ai edhe ka treguar opinionin e tij dhe ka bërë me dije rreth disa mendimeve jokorrekte të Kardavit. Këtë vërejtje, shejh Albani [Allahu e mëshiroftë!] ua ka bërë me dije lexuesve në parathënien e tij të librit të lartëpërmendur, faqe 17-18; kështu që këtë vërejtje ta kenë me dije, sikur ata të cilët bidatin e “Muvazanes” mundohen ta mbështesin duke marrë për argument këtë verifikim të Albanit librit “Hallalli...”(!!); poashtu, edhe ata të cilët kanë dyshim në selefizmin e Albanit dhe nxënësve të tij (!!).

  Prej atyre që kanë kërkuar nga Imam Albani [Allahu e mëshiroftë!] që të bëjë verifikime në punët e tyre, është edhe doktor Muhamed M. el A'dhamiu, inicuesi i projektit të përkthimit dhe botimit të Rijadus Salihinit në version të shkurtuar në rreth njëzet gjuhë botërore, e prej tyre edhe në gjuhën shqipe. A'dhamiu ka kërkuar nga shejh Albani [Allahu e mëshiroftë!] që të kontrollojë punën që e ka bërë në verifikimin e librit ”Sahihu Ibn Huzejmeh”, si dhe të korrigjojë ndonjë lëshim të cilin e ka bërë A’dhamiu gjatë vlerësimit të haditheve si të sakta apo jo të sakta. Këtë korigjim të shejh Albanit, A’dhamiu e ka cekur në parathënien e verifikimit të tij “Sahihu Ibn Huzejmeh”.

Kështu, duhet t’i shtrihet dora atij i cili është i denjë për atë që është i autorizuar, dhe nuk ia dinë vlerën atyre që janë të vlefshëm, vetëm se të vlefshmit. Kurse, prej atyre që poashtu kanë kërkuar nga Imam Albani, Allahu e mëshiroftë!, që të bëjë verifikimin e haditheve në librat e tyre, është edhe Muhamed Gazaliu (një shkrimtar egjiptian), i cili përkundër kërkesës së tij nga Albani para vitit 1375h për të verifikuar hadithet që gjenden në librin e tij “Fikhus Siireh”. Ai pas tërë kësaj pune të Imam Albanit [Allahu e mëshiroftë!] nuk e ka përfillur punën e tij, apo e ka konsideruar si të pavlerë atë, ngase në shumë vende, hadithet të cilat shejh Albani [Allahu e mëshiroftë!] i ka cilësuar si të vërteta, ai këto hadithe i ka refuzuar nëse kanë qenë në kundërshtim me medh’hebin e tij, apo nëse logjika e tij e kufizuar nuk i ka pranuar (siç është zakon tek ai); qofshin ato hadithe edhe në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit (!!). Për më shumë rreth injorancës së Gazaliut mbi Islamin dhe devijimin e tij të madh nga Sunneti, shiko “Tahrimu Alatit Tareb” faqe 19-30 të shejh Albanit [Allahu e mëshiroftë!].

Prej fakteve tjera bindëse të cilat argumentojnë se shejh Albani [Allahu e mëshiroftë!] është huxhxheh në hadith në këtë kohë, është edhe ajo çka ne dëgjonim gjatë studimeve tona në mesin e mësimdhënësve në universitet; sa që konkluza rreth haditheve ishte e paevitueshme që të mos mirej nga shejh Albani [Allahu e mëshiroftë!]. Kështu veprohet gati në të gjitha universitetet islame, nga të gjithë mësimdhënësit, përveç atyre që në zemrat e tyre është mbjellë inati dhe urrejtja ndaj “Albanit” dhe shembullit të tij.


                                                                Sqarime

  Sa i përket haditheve të dobëta që do t’i sjellim me tekst para lexuesve, janë vetëm ato hadithe të cilat janë të përkthyera në gjuhën shqipe nga tre përkthyesit, në version të shkurtuar; pasiqë përkthim tjetër të “Rijadus Salihin” në gjuhën shqipe nuk ekziston momentalisht. Numri i haditheve të dobëta (me tekst) në këtë version është 37 hadithe, kurse hadithet tjera që mungojnë në versionin e shkurtuar (e që janë 31), do t’i cekim nga fundi i librit vetëm me numra dhe librat në të cilat gjenden, dhe këtë, për ata të cilët dëshirojnë t’i kthehen “Rijadus Salihin” në gjuhën arabe. Eshtë e qartë se verifikimi i  haditheve të cilat gjenden brenda versionit të shkurtuar nuk është kontrolluar nga përkthyesit, ngase ata nuk janë prej atyre që e njohin shkencën e hadithit. Përkundrazi, disa prej tyre përveç që nuk e njohin hadithin, ata edhe i luftojnë hadithet të cilat nuk u shkojnë për shtati medh’hebit të tyre, apo edhe u japin përparësi ndonjë mendimi të medh’hebit para hadithit, e këtë e kanë trashëguar dhe mësuar nga parakaluesit e tyre (halefitë, e jo selefitë). 

Njëri prej tyre si Ebu Hasen el Kerhi e ka shprehë qartazi këtë kur thotë: ”Cdo ajet i cili kundërshton atë për të cilin janë të kapur shokët tanë (dijetarët e medh’hebit të tyre hanefij), atëherë, ai ose komentohet (shtrëmbërohet) (në pajtim me medh’hebin), ose është i ç'fuqizuar. Kështu trajtohet edhe çdo hadith tjetër, ose komentohet (sipas medh’hebit), ose është i çfuqizuar”!! Apo ndodh që disa nga përkthyesit e lartëpërmendur, të luftojnë në shkrimet e tyre ndjekësit e hadithit të Pejgamberit [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!]; po njëri prej këtyre përkthyesve, përveç që ka marrë guxim që Muhadithin më të madh të këtij shekulli, shejh Muhamed N. Albanin, ta quajë si devijant (siç e cekëm më herët).

Ai njëherit, pasuesit e mirëfilltë të Sunnetit të trevave tona i ka akuzuar se janë njerëz të cilët mjekrrat, hixhabet (mbulesën e gruas), formën e namazit, shkurtimin e pantollonave… të gjitha këto i kanë bërë për levërdi (!!) nga shoqatat humanitare muslimane që gjenden tek ne.
Padyshim që të gjitha këto janë shpifje të mëdha, ngase këtu nuk është duke u folur për një apo dy persona, por për një numër të madh muslimanësh të cilët janë duke u munduar që ta praktikojnë sunnetin e Pejgamberit [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!]. Të vërtetën e ka thënë Ebu Hatim er Razi kur thotë: ”Simbol i risimtarëve është që t’i akuzojnë pasuesit e ethereve, të shpifin për ta, dhe t’i ofendojnë”.

Atëherë, si ka mundësi që të priten ndryshime fetare tek  populli ynë, kur ajo luftohet nga ata të cilët (hiqen sikur) thërrasin në të?! Në të vërtetë, populli ynë duhet të jetë shumë syçelë, dhe të shikojë se prej kujt po e merr këtë dije, sepse kjo dije është Fe, siç thotë edhe Muhamed Ibn Sirini, njëri prej tabiinëve të mëdhenjë: “Vërtet kjo dije është Fe, kështu që shikoni se prej kujt po e merrni (mësoni) fenë tuaj”.
  Pra, shikoni se a po e merrni prej burimit të pastër; Kuran, Sunnet, sipas të kuptuarit të sahabëve, apo prej ngurrtësisë së fanatizmit medh’hebor e sipas logjikës së njerëzve?! A po e merrni prej atyre që thërrasin në Sunnet dhe e luftojnë bidatin, apo prej atyre që e luftojnë Sunnetin dhe thirrësit e pasuesit e tij? 
   
Dikush nga lexuesit mund të pyesë se si në fillim ceka se 64 hadithe janë të dobëta në “Rijadus Salihin”, kurse pastaj kur i ndava hadithet që gjinden në versionin e shkurtuar (shqip) dhe ato që  mungojnë në të, dolën 68 hadithe? Kjo është kështu ngase 4 hadithe të dobëta janë të përsëritura, e për këtë do t’ua bëj me dije më vonë në vendin e vet.Po ashtu lexuesit mund të pyes si ka mundësi që në “Rijadus Salihin” të ketë hadithe të dobëta, kur vetë Imam Neveviu [Allahu e mëshiroftë!] ka treguar në parathënien e këtij libri, se ai është ndalur në përmendjen e haditheve të vërteta, ku edhe thotë: ”...dhe jam munduar që të përmbledh një përmbledhje të shkurtër të haditheve të vërteta”?!... dhe thotë: ”Dhe jam munduar që mos të sjell në të, vetëm se hadithe të vërteta, që dihen...”.

Ne themi: Për sjelljen e këtyre haditheve të dobëta në “Rijadus Salihin” nga vetë Imam Neveviu [Allahu e mëshiroftë!], ky dijetar arsyetohet për këtë për shumë shkaqe, e njëra prej tyre është se ai në hadithet të cilat nuk janë në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit është mbështetur në fjalët e të tjerëve, pa i kontrolluar dhe verifikuar ai ato fare, dhe për shkak të kohës së tij të ngushtë. Për ta kuptuar më mirë, do të sjellim arsyetimin (sqarues) të cilin ia ka bërë Imam Neveviut, shejh Albani [Allahu e mëshiroftë!] në parathënien e “Rijadus Salihin” të verifikuar nga ai, ku thotë: ”E ndoshta arsyeja e autorit, Imam Neveviut, Allahu e mëshiroftë!, për hadithet e dobëta që gjenden në librin e tij, (përkundër kujdesit të tij të madh që të sjellë vetëm hadithe të vërteta) është se, ai zakonisht është mbështetur në vlerësimin e Tirmidhiut të haditheve, si Sahih dhe Hasen, dhe në heshtjen e Ebu Davudit në (disa) hadithe! Për këtë bile ai është deklaruar në hyrjen e librit të tij “El Edhkar”, faqe 65, ku thotë: "Na është transmetuar në Sunenin e Ebu Davudit me sened të mirë, dhe ai nuk e ka shpallur të dobët”.Pra, imam Neveviu nuk i është përkushtuar procedurës së verifikimit të tij, por është mbështetur në ata dy.  Kjo është mënyra e shumicës së Fukahave të mëvonshëm, të cilët janë marrë me hadith, një numër i vogël i tyre janë prej atyreve, të cilët vërtetojnë fjalët e dijetarëve mbi çdo hadith, ashtu siç e kishte zakon el Hafidh Ibn Haxheri në disa libra të tij. Dhe rrallë gjen dikë prej të mëvonshmëve, të cilët kanë ardhur pas tij e që veprojnë kështu.

Përndryshe, sikur Neveviut [Allahu e mëshiroftë!] t’i ishte lehtësuar shikimi në këto hadithe, sigurisht se edhe atij do t’i ishin bërë të qarta (inshaAllah) mangësitë dhe dobësitë e këtyre haditheve. Por, ka mundësi që ai të ketë një arsye tjetër, e ajo është gjëja për të cilën vetë është deklaruar në parathënien e “el Edhkarit”, i cili thotë: "Kurse sa i përket atyre haditheve që nuk janë në Sahihajn, për to referohem në librat e “Suneneve” dhe të ngjajshmeve me to, duke e sqaruar në të shumtën e rasteve shkallën e hadithit si: Sahih, Hasen apo Daif, nëse ka (hadith) Daif; e është e mundur që të më ikë vlerësimi i ndonjë hadithi sahih, hasen dhe daif”.”[mbaroi edhe fjala e Imam Albanit].

Kurse sa i përket asaj që u cek më lart nga fjala e Imam Albanit [Allahu e mëshiroftë!] se nuk duhet mbështetur prerazi në verifikimet e Ebu Davudit dhe Tirmidhiut në hadithe, për këtë do të cekim tjetër herë (diku tjetër) sqarimin e Albanit (në detaje) pas kësaj fjale të fundit të Imam Neveviut; edhe pse, edhe sikur ta kishim cekur këtu, sigurisht se lexuesit edhe më shumë do të kishin përfituar, por nga frika se mos po zgjatet shumë po e lëmë me kaq. Kjo ishte sa i përket kësaj, nëse i ndodhë dikujt të pyet për atë që cekëm më lart.
Ndëra sa i përket haditheve të dobëta, të cilat nuk gjenden në versionin e shkurtuar të “Rijadus Salihin”, ato do t’i sjellim vetëm me numrat dhe transmetimet;  siç thamë edhe më lartë se kush do që t’i dijë edhe këto (tekstualisht), në mënyrë që të mos punojë me hadithe të dobëta, atëherë (në bazë të numrave) le t’i shikojë në “Rijadus Salihin”-in e kompletuar me të gjitha hadithet në gjuhën arabe.

Para se t’i sjellim hadithet e dobëta (brenda versionit të shkurtuar) dhe diçka nga fjalët e dijetarëve rreth këtyre haditheve. Së pari do të flasim rreth të vepruarit me hadithe të dobëta, qofshin ato që kanë të bëjnë me dispozita apo me fadailul e’amal, e që njëherit- ky është njëri prej motiveve që më shtyri t’i rrekem kësaj pune. Ngase kjo çështje është njëra ndër çështjet shumë të rëndësishme, për të cilën muslimanët kanë nevojë të dijnë, në mënyrë që kur të bëhet ibadet-adhurim, të bëhet ibadet i mbështetur në argumente të vërteta (ashtu siç edhe e kërkon feja jonë), e jo të mbështetet në pasim symbyllurazi të medh’hebeve dhe njerëzve, fjalët e të cilëve nuk janë për t’u argumentuar.

Ngase nëse muslimani bën ibadet jo të mbështetur në argumente, kur të dalë para Allahut të Madhëruar në Ditën e Gjykimit, ai do të mendojë se ka kryer punë të mëdha. Mirëpo, në të vërtetë, ai do t’i ketë veprat e tij pluhur dhe asgjë, sepse në këtë botë është mbështetur në hadithe të dobëta apo të shpifura. E që, për fat të keq, kjo  është shumë e përhapur, si te xhemati, poashtu edhe te hoxhallarët. Në të vërtetë, të rrallë janë ata që u pengon të punohet me këso lloj hadithesh, saqë nëse dikujt i thua se: ky hadith është Daif, të shikon me sy nënçmues dhe të injoron, ngase atyre (siç thashë më herët) nuk u pengon dhe nuk u intereson se me çfarë hadithesh punohet, kryesorja të punohet!!

Siç duket, ata kanë harruar apo (sigurisht po them) këta nuk e dijnë, se prej kushteve që vepra të ngritet dhe pranohet tek Allahu azze ve xhel, përveç sinqeritetit, poashtu kërkohet që vepra të jetë edhe në pajtim me Sunnetin e Pejgamberit [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!].

Nëse vepra është vetëm me sinqeritet e nuk është e qëlluar (nuk e pason Pejgamberin apo nuk është në përputhshmëri me Sunnetin), atëherë kjo vepër nuk pranohet. Po edhe nëse është e qëlluar, e nuk ka sinqeritet në të (bëhet për dikë tjetër, përveç Allahut), atëherë as kjo vepër nuk pranohet. Si dhe nëse është e zhveshur prej sinqeritetit dhe sunnetit, as kjo nuk pranohet; por, ajo vepër, e cila ngritet dhe pranohet tek Allahu i Madhëruar është vepra, e cila i posedon këto dy cilësi: Sinqeritetin (të bëhet vetëm për Allahun e jo për dikë tjetër, apo për ndonjë levërdi të kësaj bote) si dhe Pasimin e Pejgamberit [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!] - të jetë në përputhshmëri me Sunnetin e Pejgamberit alejhi-selam.

Në këto dy kushte aludojnë Fjalët e Allahut subhanehu ve teala, i Cili thotë:"... Kështu pra, kushdo që shpreson për Takimin me Zotin e tij, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i bëjë shok askënd në adhurim ndaj Zotit të tij”. Kehf:110.
Dhe thotë: “Sigurisht, kushdo që ia nënshtron fytyrën e tij Allahut dhe është Muhsin (vepërmirë), atëherë shpërblimi për ta është te Zoti i tyre dhe për ta as nuk do të ketë frikë dhe as nuk do të pikëllohen”. Bekareh: 112.     
Poashtu thotë: ”Dhe kush mund të jetë më i mirë në fe se sa ai që ia nënshtron fytyrën e tij Allahut dhe njëherit është Muhsin (vepërmirë)…”. Nisa:125.
    
Pra, në të tri këto ajete, pas sinqeritetit është kushtëzuar që vepra të jetë e mirë; për ata që dëshirojnë të takohen me Zotin e tyre, për ata të cilët dëshirojnë që të mos kenë frikë dhe pikëllim (në dynja dhe ahiret); dhe për ata të cilët dëshirojnë që të jenë prej më të mirëve tek Allahu.

Fudajl ibn Ijjadi [Allahu e meshirofte!] në Fjalën e të Lartësuarit: “…me qëllim që të provojë kush nga ju është më vepërmirë...(Mulk:2),  ka thënë: ”Më e sinqerta e saj dhe më e qëlluara”.
I thanë: O Ebu Alij: çka është kjo më e sinqerta e saj dhe më e qëlluara?
Ai tha: Vërtet nëse vepra është me sinqeritet dhe nuk është e qëlluar (e drejtë), nuk pranohet. Po edhe nëse është e qëlluar, e nuk është me sinqeritet, nuk pranohet, derisa të jetë me sinqeritet dhe e qëlluar”.
      
Pra, për këtë arsye muslimani duhet të jetë syçelë dhe i kujdesshëm se me çfarë hadithesh flet, punon dhe i thërret të tjerët në to. Nëse nuk ka mundësi që ai vetë t’i dallojë hadithet e vërteta nga ato të dobëta, atëherë le të pyesë të tjerët (besnikët) se ç’thonë për to dijetarët eminentë të hadithit, të kësaj kohe. Megjithatë, përkundër të këqijave tradicionale medh’hebore në trevat tona, aty-këtu ka filluar të ngritet zëri i pasimit të mirëfilltë të Sunnetit, haditheve të vërteta, largimi nga pasimi symbyllurazi i njerëzve dhe medh’hebeve; e tëra kjo padyshim është Dhunti prej Allahut të Madhëruar, e pastaj prej njerëzve, nëpërmjet të cilëve Allahu bëri që të përhapet sunneti i vërtetë i Pejgamberit [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!] dhe i shokëve të tij [radijaAllahu anhum]. Prej këtyre ringjallësve të sunnetit: Bin Bazi, Uthejmini (Allahu i mëshiroftë!), e në krye të të gjithëve Muhamed Nasiruddin Albani me nxënësit e tij, ku nuk ka vend ku jetojnë muslimanët, vetëm se flitet për punën, veprat dhe metodologjinë e tyre selefite në çdo sferë; Allahu i shpërbleftë me xhennet!           

E
tani i kthehemi të vërtetës rreth të vepruarit-punuarit me hadithe të dobëta, duke u mbështetur në hadithet, të cilat paralajmërojnë nga të folurit me fjalë, të cilat nuk janë hadithe (me preteks se ato janë hadithe), si dhe fjalët e dijetarëve më eminentë të hadithit të të gjitha kohërave. Mirëpo, para kësaj, nuk duhet harruar të cekim se këtu është fjala për hadithet që kanë të bëjnë me hallalle dhe harame, si dhe me fadailu e’amal. E që për hadithet e dobëta, që kanë të bëjnë me hallallin dhe haramin; të gjithë dijetarët kanë rënë në ujdi apo ka Ixhma’ të tyre se nuk lejohet të punuarit me to.

Mirëpo, nuk janë në pajtim (nuk kanë rënë në ujdi) rreth haditheve që kanë të bëjnë me fadail e’amal; edhe pse shumica prej tyre (siç do të shohim më vonë) janë të mendimit se nuk lejohet të punohet me hadithe të dobëta as në fadail, ngase ato e kanë vendimin Mustehabbeh (nëse punohet me to ka shpërblim), e mustehabbeh është dispozitë prej pesë dispozitave të njohura në shkencën e Usuli Fikhut, si: vaxhibi, harami….të cilat aludojnë në shpërblim apo ndëshkim.

Tek e fundit, cili është qëllimi i dijetarëve të Islamit rreth ndarjes së hadithit në Sahih dhe Daif; apo çfarë dobie ka nga puna qindra vjeçare e dijetarëve të hadithit. Nëse ne ende punojmë me hadithe të dobëta, vallë këtë mund qindra vjeçar të këtyre dijetarëve ta gjuajmë në shportë pa kurrfarë mëshire? “C’është me ju që gjykoni kështu?!” Kalem:36.

Pra, mospajtime tek disa dijetarë ka rreth haditheve të dobëta në Fadail, kurse rreth atyre në hallalle dhe harame, të gjithë janë të pajtimit se nuk punohet me to.
Dijetari i Islamit, Ibn Tejmije [Allahu e mëshiroftë!] në librin e tij “el Kaideh el Xhelileh”, paragrafi numër (477), thotë: ”Dhe askush prej Imamëve nuk është deklaruar se lejohet që të bëhet diçka vaxhib apo mustehabb me hadith daif, ai i cili thotë kështu, veçse e ka kundështuar Ixhma’in”.

Kurse muhadithi Ahmed Shakir [Allahu e mëshiroftë!] në “Baithul Hathith”, faqe 101, thotë: ”Dhe jam i mendimit se zbulimi i dobësisë në hadithet e dobëta është vaxhib-obligim në të gjitha rastet, ngase nëse nuk e sqarojmë këtë, atëherë ai i cili e lexon atë mashtrohet se hadithi është sahih. Posaçërisht nëse ai i cili bartë hadithet është prej dijetarëve të hadithit, në fjalët e të cilëve të tjerët mbështeten në hadithe. Dhe (jam i mendimit) se nuk ka dallim në mes të dispozitave-vendimeve dhe në mes fadailul e’amal, apo të ngjashme, në mosmarrjen me hadith daif. Përkundrazi, askush nuk mund të argumentojë, vetëm se me atë që është transmetuar nga Pejgamberi [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!] prej haditheve sahih apo hasen”.
Kurse Ibnul Arabij el Malikij, siç gjindet në “el Kavlul Bedi” fq.195 thotë: ”Vërtet, me hadith daif nuk punohet assesi”.

   Kjo ishte sa i përket haditheve të dobëta në hallalle, harame, tregti, martesë dhe shkurorëzim, e të tjera; kurse sa i përket mospajtimit të dijetarëve rreth haditheve të dobëta në fadail, të shohim se ç’thotë shejh Albani [Allahu e meshirofte!] pas një kritike të cilën ia bën Sujutiut në “Sahihul Xhami”, fq.49-52, ku thotë: ”Shumica e njerëzve nga kjo shprehje absolute kuptojnë se nuk ka mospajtime tek çështja e përmendur tek dijetarët, e që nuk është ashtu. Përkundrazi, mospajtimet lidhur me të janë të njohura, siç janë të shpjeguara në librat e shkencës së hadithit, si: ”Kavaidut Tahdith” i Al lames Shejh Xhemaluddin el-Kasimij [Allahu e meshirofte!u teala], ku po në këtë libër, në faqen 113, ka rrëfyer nga një grup i Imamëve se ata nuk e shohin assesi që të punohet me hadith daif, prej tyre: Ibn Mei’ini, Buhariu, Muslimi, Ebu Bekr Ibnul-Arabiu dhe të tjerët, e prej tyre edhe Ibn Hazmi, siç thuhet në “el Milel ven Nahl”.

Them (Albani): Dhe thotë el Hafidh Ibn Rexhebi në “Sherhut Tirmidhij”(k 112/2): ”E ajo që e ka thënë Muslimi në parathënien e librit të tij (d.m.th. në “Sahih”), shumë qartë kuptohet se nuk lejohet të transmetohen hadithet në Tergib dhe Terhib, vetëm se nga ata të cilët transmetojnë në dispozita”.
" Kjo është ajo, me të cilën unë i bindem Allahut, dhe në të i thirri njerëzit, se në asnjë mënyrë nuk punohet me hadith daif, absolutisht, as në fadail dhe mustehabbate, e as në të tjerat. Ngase hadithi daif jep bindje jo të prerë (hamendje, dyshime), e për këtë e di se nuk ka kundërshtime në mes të dijetarëve. Nëse kështu qëndron çështja, atëherë si mund të thuhet se lejohet te punohet me të, kur Allahu azze ve xhel e ka qortuar hamendjen/dyshimin (bindjen jo të sigurtë) në shumë ajete, i Lartësuari thotë: ”...dhe padyshim se hamendja nuk vlen asgjë ndaj të vërtetës”, dhe thotë: ”Ata ndjekin veçse hamendje...”, dhe thotë i Dërguari i Al-llahut [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]: ”Largohuni nga hamendjet/paragjykimet, se padyshim që hamendjet janë fjalët që më së shumti përmbajnë gënjeshtra!”. Tra.Buhariu.…” (mbaroi fjala e Albanit).

   Ndërsa Ibn Tejmije [Allahu e mëshiroftë!] në librin e tij fenomenal dhe të pashoq “Kaidetun Xheliletun fit Tevessul vel Vesileh”, ka folur gjatë rreth kësaj çështjeje, e cila përfshinë shumë elemente-degë me rëndësi që kanë të bëjnë me të, ku nga paragrafi 477 e deri te paragrafi 486 thotë kështu: ”Në Sheriat nuk lejohet të mbështeturit (të punuarit) në hadithe të dobëta, të cilat nuk janë sahiha e as hasen. Mirëpo, Ahmed ibn Hanbeli dhe të tjerët prej dijetarëve e kanë lejuar që të transmetohet në fadailul-e’amal, përderisa nuk dihet se: a është i vërtetë apo nuk dihet se: a është i shpikur. Ngase nëse dihet se vepra është ligjëruar me argument legjitim dhe është transmetuar vlera e saj me hadith, i cili nuk dihet se a është gënjeshtër; atëherë lejohet që shpërblimi të jetë i realizueshëm, dhe askush prej Imamëve nuk është deklaruar se lejohet që të bëhet diçka vaxhib apo mustehabb me hadith daif; e kush thotë kështu, vetëm se e ka kundërshtuar Ixhma’in.

Kjo është njësoj sikur me atë që nuk lejohet të bëhet diç haram, veçse me argument legjitim
. Mirëpo, nëse dihet ndalesa e saj (me një transmetim tjetër të vërtetë) dhe njëherit është transmetuar ndonjë hadith që kërcënon vepruesin e saj (veprës së ndaluar), dhe nuk mendohet se kjo është gënjeshtër, atëherë lejohet që të transmetohet.

Prandaj, lejohet të transmetohet në tergib dhe terhib, përderisa nuk dihet se është gënjeshtër, dhe me kusht që të dihet paraprakisht se Allahu ka nxitur në të apo ka kërcënuar nga ai me një argument tjetër legjitim, nga i cili nuk dihet gjë për gjendjen e tij (a është sahih apo daif). Dhe kjo i ngjan Israilijateve, të cilat lejohet të transmetohen, me kusht që nëse nuk dihet se janë të shpikura vetëm për tergib dhe terhib, në të cilën dihet se Allahu ka urdhëruar apo ka ndaluar në fenë tonë. Kurse të bëhet diçka sheriat për neve, thjesht vetëm  me Israilijate, të cilat nuk janë të verifikuara, këtë nuk e thotë dijetari. Dhe nuk i kanë marrë për bazë në sheriat këto hadithe as Ahmed ibn Hanbeli e as imamët e tjerë sikur ai. Ndërsa ai i cili ka bartur fjalë nga Ahmedi se, kinse ai ka argumentuar me hadith daif, i cili nuk është as sahih e as hasen, (këtë gabim) vetëm se ia ka mveshur atij”.

Në lidhje me pjesën e fundit të këtij paragrafi të Ibn Tejmijes, Ahmed Shakiri në “Baithul Hathith”, fq. 101 thotë: ”Kurse sa i përket asaj që e kanë thënë Ahmed ibn Hanbeli, Abdurrahman ibn Mehdiu, Abdullah Ibn Mubareku: ”Nëse na vjen diçka nga transmetimet në Hallalle dhe Harame, ne bëhemi më rigoroz, e nëse na vie në fadail dhe të ngjashme me to, atëherë bëhemi më tolerant”. Ata me këtë kanë për qëllim -siç e shoh të vërtetë unë, e Allahu e din më së miri-, se me tolerancë këtu është për qëllim marrja e hadithit hasen, i cili nuk e ka arritur shkallën e Sahihut. Ngase terminologjia e dallimit në mes sahihut dhe hasenit në kohën e tyre nuk ka qenë e qartë dhe e qëndrueshme, përkundrazi, shumica e tyre nuk e kanë cilësuar hadithin, vetëm se si Sahih apo Daif”.

Ibn Tejmijje [Allahu e mëshiroftë!] pastaj në vazhdim thotë: ”Mirëpo, Ahmed ibn Hanbeli dhe dijetarët e tjerë të hadithit e kanë pasur zakon që hadithin ta ndajnë në dy lloje: Sahih dhe Daif. Pastaj daifi tek ata është ndarë në daif metruk, me të cilin nuk argumentohet,, dhe në daif hasen; sikur që dobësia e njeriut kur të sëmuret ndahet në sëmundje të frikshme, e cila ndalon që të jipet sadaka nga kapitali (i tij), dhe sëmundje të lehtë, e cila nuk ndalon nga ajo.
Ebu Isa et Tirmidhi është i pari, i cili njihet ta ketë ndarë, në Sunenin e tij, hadithin në tri lloje: Sahih, Hasen dhe Daif.  Haseni tek ai është ai hadith, i cili ka shumë rrugë dhe nuk ka në transmetuesit e tij asnjë, i cili është i akuzuar apo është shadh. E ky hadith dhe të tjerët si ky, janë ato hadithe që Ahmedi i quan daife dhe argumenton me to, dhe për këtë (lloj të hadithit) Ahmedi për hadith daif (hasen), me të cilin argumentohet, ka marrë shembullin e hadithit të Amr ibn Shuajbit dhe të Ibrahim el-Hixhrij, dhe të ngjashmit me këta dy. E kjo është e shtjelluar në vendin e vet”.

Dhe thotë Ibn Tejmije në ”Mexhmu’ul Fetava” (18/65-68): ”Gjithashtu, ajo në të cilën ecin dijetarët (si Imam Ahmedi) lidhur me të vepruarit me hadith daif në fadailu-e’amal: nuk kuptohet nga kjo që të konsiderohet diçka Mustehabb me hadith, me të cilin nuk argumentohet, nga se Mustehab është vendim ligjor-sheriati, i cili nuk sheriatizohet-bëhet ligjor, vetëm se me argument ligjor-sheriat. Prandaj, kush thotë për Allahun, se Ai e do një vepër prej veprave, dhe ai për këtë nuk ka argument nga sheriati, ai vetëm se ka sheriatizuar diçka prej Fesë,  atë që Allahu nuk e ka lejuar, ashtu sikur ta kishte bërë një gjë obligim apo të ndaluar. Për këtë shkak, dijetarët kanë qenë kontradiktorë në çështjen e Mustehabbit, sikurse në të tjerat. Bile kjo (Mustehabi) është parim i fesë,  i ligjëruar”.

Imam Muslimi i konsideron mëkatarë ata, të cilët transmetojnë nga Daifi,
         qoftë edhe në Fadailul E’amal, dhe nuk e tregojnë gjendjen e tij


Në parathënien e Sahihut të tij (1/29), thotë: “Dhe ata (dijetarët e hadithit) ia kane bërë vetvetes të obligueshme zbulimin e mangësive të transmetuesve të hadithit dhe bartësve të habereve (haditheve), dhe me këtë kanë dhënë fetva, ngase në të (fshehjen e tyre) ka një rrezik të madh. Sepse lajmet (hadithet) në çështje të Fesë vijnë duke lajmëruar për ndonjë hallall apo haram, urdhër apo ndalesë dhe tergib apo terhib. Prandaj, nëse transmetuesi i tij (lajmit-hadithit) nuk është në shkallë të besnikërisë dhe emanetit, kurse ai i cili e njeh gjendjen e tij nuk u tregon të tjerëve (të cilët nuk e njohin) për mangësinë e tij, dhe transmeton nga ai, atëherë ai është mëkatar me këtë vepër të tij, mashtrues i muslimanëve…”.


  Imam Shatibiu, të mbeshteturit në hadithe të dobëta e cilëson si metodë
                                    të Risimtarëve-shpikësve në Fe


Në librin e tij “El I’tisam” (vell. I, f.229) thotë: ”Prej metodologjisë së Risimtarëve është të mbështeturit në hadithe të dobëta, (prej tyre): të mbështeturit në hadithe vahije (daife) dhe ato të shpifura mbi Pejgamberin [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!], të cilat nuk i pranojnë dijetarët e hadithit, për të punuar me to: sikur hadithi i “Iktihalit” ditën e Ashures,… (derisa tha): e siç dihet, me shembullin e këtyre haditheve nuk sheriatizohet ndonjë vendim-dispozitë, dhe nuk bëhet bazë në sheriat. Kush e bën këtë, atëherë ai është injorant, gabues në bartjen e dijes. Kurse nga ata të cilët mbështetemi në dije dhe fe, nuk na është transmetuar se duhet të veprojmë kështu…”.

  Pra, kjo është e vërteta dhe e vetmja e vërtetë në lidhje me të punuarit me hadithe të dobëta, si në hallalle dhe harame, poashtu edhe në mustehabate. Dhe përkunder që “disa” dijetarë kanë lejuar që të punohet me hadithe të dobëta vetëm në fadailul-e’amal , e jo në diçka tjetër; ata edhe për këtë lejim në fadail kanë vënë kushte.
       
Shejh Albani [Allahu e mëshiroftë!] në Sahihul Xhami’ (vell. I, f.52-56) thotë: ”Për këtë arsye unë ndiej se e kam obligim në këtë rast që t’i sjell këtu ato kushte nga një burim besnik, në mënyrë që të vërehet se sa pak njerëzit i përmbahen atyre, gjë e cila i ka shtyrë ata që ta zgjerojnë rrethin e sheriatit dhe të dispozitave me hadithe të dobëta dhe të shpikura. El Hafidh es Sehavi në “El Kavlul Vedi’“ thotë: ”Shejhun tim (d.m.th.: Ibn Haxher Askalanin) shumë herë e kam dëgjuar duke thënë (por edhe m’a ka shkruar me shkrim) se: kushtet e të punuarit me hadith daif janë tri:

I pari: për këtë të parin, të gjithë (dijetarët) janë të pajtimit, e ai është që dobësia (në hadith) të jetë jo e fortë, kështu që (ky lloj i hadithit) del nga rrethi i atyre që janë të veçuar (me hadithe) sikur: gënjeshtarët, apo ata që janë të akuzuar me gënjeshtra, dhe kushdo që ka gabime fatale.

I dyti: që (hadithi daif) të vijë pas një parimi të përgjithshëm, e që me këtë del nga të shpikurat, të cilat nuk kanë bazë fare.

I treti: gjatë të punuarit me të, të mos ketë bindje se është i vërtetë, në mënyrë që mos t’i atribohet Pejgamberit [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!] atë që nuk e ka thënë ai.
Tha (Ibn Haxheri): dy të fundit janë nga Ibn Abdusselami dhe shoku i tij, Ibn Dekik el I’d, kurse Ixhmain për kushtin e parë e ka transmetuar Al lai “.

Them (Albani): Këto kushte precize janë shumë të rëndësishme, dhe sikur ata të cilët punojnë me hadithe daifeh, t’iu kishin përmbajtur këtyre (kushteve), rezultati do të kishte qenë se do të ishte ngushtuar rrethi i të punuarit me to, apo ndoshta edhe do të ishte zhdukur fare; e këtë e sqarojmë nga tri kënde:

Së pari: Kushti i parë, na dëfton se njohja e gjendjes së hadithit -që me të ndokush dëshiron që të punojë me të-, është obligim, në mënyrë që të largohet nga të vepruarit me të nëse është me dobësi të madhe. Kurse sa i përket kësaj njohje (të gjendjes së hadithit), është shumë vështirë për shumicën e njerëzve, dhe ata dëshirojnë që të punojnë me çdo hadith daif për arsye se dijetarët e hadithit janë të paktë, e posaqërisht në këtë kohë. Me ta (dijetarët e hadithit) kam për qëllim verifikuesit të cilët nuk ju flasin njerëzve vetëm hadithe të vërteta nga Pejgamberi [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!], dhe ua tërhjekin vërejtjen atyre dhe i paralajmërojnë nga hadithet e dobëta; dhe ky lloj i (verifikuesve të hadithit) janë shumë shumë të pakët. Allahu na ndihmoftë!

Për këte arsye, vëren se ata të cilët janë sprovuar me të punuarit me hadithe daife, veçse kanë kundërshtuar këtë kusht me një kundërshtim të qartë, sa që secili prej tyre (qoftë edhe prej dijetarëve jo të hadithit) nuk ka hadith që zbulon në fadailul e’amal, vetëm se shpejt nxiton që të punojë me të, pa kuptuar fare a është i pastër nga dobësia e madhe. Nëse dikush ia tërhjek vërejtjen se hadithi është daif, ai menjëherë ta sjell-cekë rregullën pretenduese të tyre: “ me hadith daif punohet në fadailul e’amal”, e nëse përkujtohet  me këtë kusht, atëherë hesht dhe nuk flet gjë!... (pastaj shejhu bie shembull, dhe thotë):

Së dyti: nga kushti i dytë: ”që hadithi daif të vie pas një parimi të përgjithshëm ..”, kuptohet qartë dhe patjetër se me hadith daif -në të vërtetë- nuk punohet, ashtu siç kuptohet (nga kushti). Por me të punohet pas një parimi të përgjithshëm, kurse me këtë (me hadithin sahih) punohet gjithsesi -me hadith daif apo pa të, e nuk është e kundërta. Dhe me të kundërtën kam për qëllim: të vepruarit me hadith daif nëse nuk ka parim të përgjithshëm.Nga e tëra kjo u konfirmua se puna me hadith daif me këtë kusht, është sipërfaqësore e jo reale, dhe ky është qëllimi i këtij kushti.

Së treti: padyshim se kushti i tretë takohet me kushtin e parë se: patjetër duhet ditur hadithin e dobët, në mënyrë që mos të formohet bindje se ai është sahih. Kurse ti vetëm se e kuptove se shumica e njerëzve në fadailul-e’amal punojnë me hadithe të dobëta dhe nuk e dinë dobësinë e tyre, që është e kundërta e qëllimit nga ky kusht.

Dhe në fund: Ne i këshillojmë vëllezërit tanë musliman, ata të cilët janë në lindje dhe perëndim, që ta lënë të vepruarit me hadithe daife, në tërësi. Dhe t’i orientojnë ambicjet dhe vullnetin e tyre kah të vepruarit me hadithe të vërteta të Pejgamberit [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!], ngase ato ju mjaftojnë nga të dobëtat. Dhe se në këtë ka shpëtim nga të gënjyerit për Pejgamberin [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!], sepse ne nga përvoja kemi parë se ata të cilët e bëjnë të kundërtën, kanë gënjyer, ngase ata punojnë me çdo hadith që ju vie për dore. Ndërsa Pejgamberi [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!] vetëm se na ka paralajmëruar nga kjo kur thotë:” Nuk i lejohet njeriut që të flasë me çdo gjë që e dëgjon, ngase bie në rrenë”…” (mbaroi fjala e Albanit).

     Pra, kur të flitet për ndonjë hadith të dobët, nuk guxojmë apo nuk na lejohet t’ia referojmë Pejgamberit [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!], apo të themi se [transmetohet nga Pejgamberi [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!]; por thuhet se “kinse” transmetohet nga Pejgamberi [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!]. Ngase nëse themi ashtu, atëherë ne sikur po ia mveshim Pejgamberit [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!] atë çka ai në të vërtetë nuk e ka thënë. Kjo ështe e ndaluar nga Pejgamberi [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!] rreptësisht; Ibn Xhevziu ne librin e tij Es Sunnetu Miftahul Xhenneh faqe 131 thotë: ”I dërguari i Allahut veçse u është kërcënuar me një kërcënim të madh, gënjeshtarëve të cilët gënjejnë për të, dhe atyre të cilët rrëfejnë hadithe të paverifikuara dhe pa i kuptuar ato; Pejgamberi [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!] thotë:”Dine se gënjeshtra ndaj meje nuk është sikur gënjshtra ndaj dikujt tjetër, kështu që kushdo që gënjen për mua me qëllim, le ta pregadit karrikën e tij prej zjarrit të xhehennemit”; dhe thotë :” Nuk i lejohet njeriut që të tregojë çdo gjë që dëgjon, ngase bie në rrenë”. Dhe poashtu ka thënë :”Nga fundi i umetit tim do të jenë disa njerëz të cilët do t’ju rrëfejnë me hadithe të cilët nuk i keni dëgjuar ju e as baballarët tuaj, andaj keni kujdes e ruajuni nga ata, kështu që të mos ju devijojnë e as të ju trazojnë”.

Transmetohet nga Semure se Pejgamberi [Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te!] ka thënë:”Ai që transmeton nga unë një hadith, duke e ditur se është i rrejshëm, atëherë ai është prej gënjeshtarëve”.
“Prandaj, nga bazat e Besimit tonë është se: sqarimi që duhet t’ua bëjmë të tjerëve mbi hadithet e shpikura dhe të dobëta, është obligim fetar, posaçërisht në këtë kohë kur injoranca ka kapluar, janë përhapë bidate (risi në fe), Shirku mbizotëron (tek njerëzit), njerëzit kanë ndërruar kulturën e tyre Islame me të huajat, ateizmi është rritur me të madhe, risimtarët janë zgjeruar dhe forcuar, pasohen epshet dhe dëshirat, Islami është bërë Garib, dhe ka humbur peshorja fetare”.


  Hadithet e dobëta  brenda versionit të shkurtuar

Vijon ...

 

 

nentemat

esenca dispozitave
shkenca hadithit
hadithe te sakta
hadithe te dobta

© 2006 Rrugetepaqes.net. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.