SUNENU  ET-TIRMIDHI

Apo

Gjithpërfshirësi i shkurtuar i suneteve të të Dërguarit të Allahut

(sal-lallahu alejhi ue sel-lem)

Dhe

Njohja e Haditheve të sakta, të sëmura dhe ato me të cilat punohet

I njohur me titullin

XHAMIU ET-TIRMIDHI

I Imam Hafiz Muhamed ibën Isa ibën Seurate Et-Tirmidhi

I cili ka ndërruar jetë në vitin 279 h.

Allahu e mëshiroftë!

Ka dhënë gjykimin për Hadithet dhe Etharet e tij,

si dhe ka bërë komente në të

Eksperti dhe dijetari i Hadithit

Muhamed Nasirud-din El-Albani

Është kujdesur për të

Ebu Ubejde Meshhur ibën Hasen Al Selman

Përktheu

Bledar Karaj El-Albani

 

 

 KAPITULLI  I  NAMAZIT

nga

i Dërguari i Allahut

(sal-lallahu alejhi ue sel-lem)

(1) Tema

Ç’farë ka ardhur nga i Dërguari i Allahut

 (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) për kohët e faljeve

 

149- (Hasen Sahih) Na ka treguar Hennad ibën Es-Serrij, ka thënë: Na ka treguar Abdurr-Rrahman ibën Ebi Ez-Zinad: Nga Abdurr-Rrahman ibën El-Harith ibën Ajash ibën Ebi Rabij’a: Nga Hakim ibën Hakim i cili është Ibën Abad ibën Hunejf, ka thënë: Më ka njoftuar Nafiu ibën Xhubejr ibën Mut’im, ka thënë: Më ka njoftuar Ibën Abasi se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Më priu Xhibrili në namaz dy herë në Shtëpinë  e Shenjtë (Keabe). Ai e fali namazin e drekës (dhe unë bashkë me të), në herën e parë, në kohën kur dielli e kaloi kupën e qiellit dhe hija e çdo trupi ishte sa lidhësja e këpucëve[1], pastaj fali namazin e ikindisë kur hija e çdo trupi ishte sa lartësia e tij, pastaj fali namazin e akshamit kur u mbulua dielli dhe çelën agjërimin ata që agjëronin, pastaj fali namazin e darkës kur u zhduk njgyra e kuqërremtë e qiellit nga ana e perëndimit, pastaj fali namazin e sabahut kur trokiti drita e mëngjesit dhe kur ndalohej ngrënia për agjëruesin. Në herën e dytë ai e fali namazin e drekës kur hija e çdo trupi ishte sa lartësia e tij, në kohën kur fali namazin e ikindisë dje. Pastaj fali namazin e ikindisë kur hija e çdo trupi ishte dy herë sa lartësia e tij, pastaj fali namazin e akshamit në të njëjtën kohë që e fali herën e parë, pastaj fali namazin e darkës kur kaloi një e treta (e parë) e natës, pastaj fali namazin e sabahut kur u zverdh toka (nga rrezet e diellit para se të lindë). Pastaj Xhibrili u kthye nga unë dhe më tha: O Muhamed, kjo është koha e faljes së pejgamberëve që kanë qenë para teje[2] dhe koha e çdo vakti është ndërmjet këtyre dy kufijve!”[3]  

Në temë ka hadith edhe nga Ebu Hurejra, Ebu Musa, Ebu Mes’udi, Ebu Seidi, Xhabiri, Amër ibën Hazëm, El-Berrau dhe Enesi. [“El-Mishkat” (583), “El-Irvau” (249), “Sahih Ebu Daud” (416)].

 

150- (Sahih) Na ka treguar Ahmed ibën Muhamed ibën Musa, ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibën El-Mubarek, ka thënë: Na ka njoftuar Husejn ibën Ali ibën Husejn, ka thënë: Më ka njoftuar Vehbi ibën Kejsan: Nga Xhabir ibën Abdullah: Nga i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), ka thënë: “Më priu në namaz Xhibrili…”[4] dhe përmendi njësoj si hadithi i Ibën Abasit me të njëjtin kuptim, por pa përmendur shprehjen “në kohën kur fali namazin e ikindisë dje.” Hadithi i Abasit është Hasen. Muhamedi ka thënë: Hadithi më i saktë për kohët e faljeve është ai i Xhabirit nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem). Hadithin e Xhabirit për kohët e faljeve e ka transmetuar gjithashtu Atau ibën Ebi Rabah, Amër ibën Dinar dhe Ebu Ez-Zubejr nga Xhabir ibën Abdullah, nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), njësoj si hadithi i Vehbi ibën Kejsanit, nga Xhabiri nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem). [“El-Irvau” (250), “Sahih Ebi Daud” (418)].

 

(2) Temë në të njëjtën çështje

 

151- (Sahih) Na ka treguar Hennadi, ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibën Fudajl: Nga El-Eamash: Nga Ebu Salih: Nga Ebu Hurejra, ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Falja ka kohë të caktuar fillimi dhe mbarimi. Koha e fillimit të namazit të drekës është kur dilelli të kaloi kupën e qiellit dhe koha e mbarimit të saj është kur të hyjë koha e namazit të ikindisë. Koha e fillimit të namazit të ikindisë është kur të hyjë koha e saj, ndërsa koha e mbarimit është kur të zverdhet dielli. Koha e fillimit të namazit të akshamit është kur të perëndojë dielli dhe koha e mbarimit të tij është kur të zhduket ngjyra e kuqërremtë e qiellit. Koha e fillimit të namazit të darkës është kur të zhduket e kuqërremta e qiellit, ndërsa koha e mbarimit të tij është në mesnatë. Koha e fillimit të namazit të sabahut është kur të trokasë drita, ndërsa koha e mbarimit të tij është kur të lindë dielli.”[5]

Në temë ka hadith edhe nga Abdullah ibën Amër. Kam dëgjuar Muhamein të thotë: Hadithi i El-Eamash-it nga Muxhahidi, për kohët e namazeve, është më i saktë se ai i Muhamed ibën Fudajlit nga El-Eamash, ndërsa hadithi i Muhamed ibën Fudajlit është gabim, Muhamed ibën Fudajli ka gabuar në të. [“Es-Sahiha” (1696)].

 

151 (م)- Na ka treguar Hennadi, ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame: Nga Ebu Is’hak El-Fezari: Nga El-Eamash: Nga Muxhahidi, ka thënë: Thuhej se namazi ka kohë fillimi dhe mbarimi, pastaj përmendi njësoj si hadithi i Muhamed ibën Fudajlit, nga El-Eamash, me të njëjtin kuptim.

 

(3) Temë në të njëjtën çështje

 

152- (Sahih) Na ka treguar Ahmed ibën Menij’u, El-Hasen ibën Es-Sabah El-Bezar dhe Ahmed ibën Muhamed ibën Musa, me kuptim të njëjtë, kanë thënë: Na ka treguar Is’hak ibën Jusuf El-Ezrak: Nga Sufjan Eth-Theuri: Nga Alkame ibën Merthed: Nga Sulejman ibën Burejde: Nga babai i tij, ka thënë: Erdhi nj burrë te i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe e pyeti për kohët e faljeve? Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Qëndro dhe falu me ne me Lejen e Allahut (dhe do t’i mësosh ato)!” Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) urdhëroi Bilalin të thirrte ikametin kur filloi të dalë drita (në sabah), pastaj e urdhëroi kur dielli e kaloi kupën e qiellit dhe fali drekën (dhe ne pas tij), pastaj e urdhëroi të thërrasë ikametin dhe e fali ikindinë kur dielli ishte i bardhë dhe lart në qiell, pastaj e urdhëroi për akshamin kur zbriti dielli, pastaj e urdhëroi për darkën (jacinë) dhe e fali kur u humbi e kuqërremta e qiellit. Të nesërmen e urdhëroi atë të thërriste ikametin për faljen e sabahut kur zbardhi dita, pastaj e urdhëroi për drekën kur freskoi mirë dita, pastaj e urdhëroi për ikindinë dhe e fali atë kur dielli ishte në mbarim të kohës së saj, më vonë se një ditë më parë. Pastaj e urdhëroi atë dhe e fali akshamin pak para se të zhdukej e kuqërremta e qiellit, pastaj e urdhëroi për darkën dhe e fali atë kur kaloi një e treta e natës. Pastaj tha: “Ku është ai që pyeti për kohët e faljeve?” Ai burri tha: Unë. Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Kohët e faljeve janë ndërmjet këtyre dy kohëve (të fillimit dhe të mbarimit).”[6] Ky hadith është Hasen Garib Sahih. Atë e ka transmetuar gjithashtu Shu’beh nga Alkame ibën Merthed. [“Ibën Maxheh” (667): م)].

 

(4) Tema

Ç’farë ka ardhur për faljen e namazit të sabahut që me natë

(pa filluar të dalë drita)

 

153- (Sahih) Na ka treguar Kutejbe: Nga Malik ibën Enes. (ح) Dhe na ka treguar El-Ensari, ka thënë: Na ka treguar Mean, ka thënë: Na ka treguar Maliku: Nga Jahja ibën Seid: Nga Amrah: Nga Aisha, ka thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e falte sabahun dhe largoheshin gratë (për në shtëpitë e tyre para burrave)… El-Ensari thotë në transmetimin e tij: Kalonin gratë të mbështjella me rrobat e tyre dhe nuk njiheshin nga errësira. Ndërsa kutejbe thotë: Të mbështjella me një rrobë që e mbulon të gjithë trupin.[7]

Në temë ka hadith edhe nga Ibën Umeri, Enesi dhe Kajle bintu Mahrame. Hadithi i Aishes është Hasen Sahih. Atë e ka transmetuar gjithashtu Ez-Zuhri, nga Urvah, nga Aisha, njësoj si ai. Këtë fjalë kanë zgjedhur edhe shumë dijetarë prej sahabeve, si Ebu Bekri, Umeri dhe ata që kanë ardhur pas tyre prej tabiinëve. Kjo është edhe fjala e Esh-Shafiut, Ahmedit dhe Is’hakut të cilët e konsiderojnë të pëlqyer faljen e sabahut me errësirë dhe pa u zverdhur qielli. [“Ibën Maxheh” (669):ق].

 

(5) Tema

Ç’farë ka ardhur për faljen e sabahut kur të fillojë

të dalë drita e mëngjesit

 

154- (Sahih) Na ka treguar Hennadi, ka thënë: Na ka treguar Abdeh -ibën Sulejman-: Nga Muhamed ibën Is’hak: Nga Asim ibën Umer ibën Katade: Nga Mahmud ibën Lebid: Nga Rafi’u ibën Hadixh, ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) të thotë: “Faleni sabahun kur të dalë drita e mëngjesit, sepse në atë kohë ka më shumë sevape!”[8]

Këtë hadith e ka transmetuar gjithashtu Shu’beh dhe Eth-Theuri nga Muhamed ibën Is’hak. Në temë ka hadith edhe nga Ebi Berzeh El-Eslemi, Xhabiri dhe Bilali. Hadithi i Rafi’u ibën Hadixh është Hasen Sahih. Shumë prej sahabeve kanë qenë të mendimit se namazi i sabahut duhet falur kur të fillojë të dalë drita. Po këtë mendim ka edhe Sufjan Eth-Theuri. Ndërsa Shafiu, Ahmedi dhe Is’haku thonë: Kuptimi i isfarit– (dalja e dritës) është që të bëhet e qartë hyrja e kohës së sabahut në mënyrë të atillë që të mos ketë ngelur dyshim në të, duke mos e konsideruar kuptimin e isfarit si vonim të namazit. [“Ibën Maxheh” (672)].

(6) Tema

Ç’farë ka ardhur për faljen e drekës sa më herët

(në fillim të kohës së saj)

 

155- (Me sended daif-të dobët) Na ka treguar Hennad ibën Es-Serrij, ka thënë: Na ka treguar Uekij’u: Nga Sufjani: Nga Hakim ibën Xhubejr: Nga Ibrahimi: Nga El-Esved: Nga Aisha, ka thënë: “Nuk kam parë kënd që të nxitojë për faljen e drekës në fillim të kohës së saj, si i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), as si Ebu Bekri dhe as si Umeri.”[9]

Në temë ka hadith edhe nga Xhabir ibën Abdullah, Hababi, Ebu Berze, Ibën Mes’udi, Zejd ibën Thabit, Enesi dhe Xhabir ibën Semura. Hadithi i Aishes është Hasen dhe atë e kanë zgjedhur dijetarët prej sahabeve dhe ata pas tyre. Muhamedi ka thënë: Është përcjellë gjithashtu nga Hakim ibën Xhubejr, nga Seid ibën Xhubejr, nga Aisha, nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), në lidhje me faljen e drekës që në fillim të kohës së saj.

156- (Sahih) Na ka treguar El-Hasen ibën Ali El-Hulvani, ka thënë: Na ka njoftuar Abdrr-Rrazak, ka thënë: Na ka njoftuar Meamar: Nga Ez-Zuhri, ka thënë: Më ka njoftuar Enes ibën Malik se: “I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e fali namazin e drekës sapo dielli kaloi kupën e qiellit.”[10]

Ky hadith është Sahih dhe ai është më i sakti në këtë temë. [خ].

 

(7) Tema

Ç’farë ka ardhur për vonimin e faljes së drekës në ditë të nxehtë

 

157- (Sahih) Na ka treguar Kutejbe, ka thënë: Na ka treguar El-Lejth: Nga Ibën Shihab: Nga Seid ibën El-Musejib dhe Ebu Seleme: Nga Ebu Hurejra, ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nëse bën shumë nxehtë, atëherë faleni drekën kur të freskojë dita, sepse i nxehti i madh është nga shfryrja e Xhehenemit!”[11] Në temë ka hadith edhe nga Ibën Seidi, Ebu Dherri, Ibën Umeri, El-Mugijra, El-Kasim ibën Safvan nga babai i tij, Ebu Musa. Ibën Abasi dhe Enesi. Në këtë temë është përcjellë hadith edhe nga Umeri, nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) por ai nuk është i saktë. Hadithi i Ebu Hurejrës është Hasen Sahih. Disa dijetarë kanë zgjedhur vonimin e faljes së drekës nëse është ditë e nxehtë. Këtë fjalë ka Ibën El-Mubarek, Ahmedi dhe Is’haku. Ndërsa Esh-Shafiu thotë: Vonimi i faljes së drekës derisa të freskojë dita bëhet në atë xhami të cilën njerëzit e kanë larg, ndërsa ai që falet vetëm apo që falet në xhaminë e lagjes apo fshatit të tij, për këtë nuk pëlqej që t’a vonojë faljen e drekës në ditë të nxehtë. Por fjala e atyre që thonë për vonimin e faljes së drekës në ditë të nxehtë është më e saktë për t’u ndjekur, ndërsa fjalën e Esh-Shafiut e kundërshton hadithi i Ebu Dherrit. Ebu Dherri thotë: Ishim në një udhëtim me të Dërguarin (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe Bilali thirri ezanin e drekës, ndërsa i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “O Bilal, prit sat a freskohet dita, pastaj përsëri prit sa të freskohet dita!”. Nëse çështja do të ishte ashtu si thotë imam Esh-Shafiu, atëherë nuk do të kishte kuptim vonimi i drekës derisa të freskohet dita, sepse ata kanë qenë në udhëtim dhe nuk kishin nevojë të lodheshin për të shkuar në xhaminë e largët. [“Ibën Maxheh” (678):ق].

 

158- (Sahih) Na ka treguar Mahmud ibën Gajlan, ka thënë: Na ka treguar Ebu Daud Et-Tajalisi, ka thënë: Na ka njoftuar Shu’beh: Nga Muhaxhir Ebu El-Hasen: Nga Zejd ibën Vehbi: Nga Ebu Dherri, se: “I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ishte në një udhëtim dhe Bilali ishte gjithashtu me të. Bilali u bë gati të thirrte ikametin për faljen e drekës, por i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) i tha: “Prit sa të freskohet koha!” Përsëri u mat të thirrte ikametin pak më vonë, por i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) i tha: “Prit të freskohet koha për të falur namazin e drekës!” Pritëm deri sa u duk hija e sopave të dheut, pastaj thirri ikametin dhe u falëm. Atëherë i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “I nxehti i madh është prej shfryrjes së Xhehenemit, prandaj prisni sa të freskohet dita për të falë namazin e drekës!”[12] Ky hadith është Hasen Sahih. [“Sahih Ebi Daud” (429):ق].

 

(8) Tema

Ç’farë ka ardhur për faljen e ikindisë sa më herët

(në fillim të kohës së saj)

 

159- (Sahih) Na ka treguar Kutejbe, ka thënë: Na ka treguar El-Lejth: Nga Ibën Shihab: Nga Urvah: Nga Aisha se ajo ka thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e fali ikindinë kur dielli vazhdonte të ishte brenda dhomës së saj dhe akoma nuk ishte ngritur në faqen e murit lindor të shtëpisë[13].”[14]

Në temë ka hadith edhe nga Enesi, Ebu Erva, Xhabiri dhe Rafi’u ibën Hadixh. Nga Rafi’u transmetohet gjithashtu një hadith nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) për vonimin e faljes së ikindisë por ai nuk është i saktë. Hadithi i Aishes është Hasen Sahih dhe atë e kanë zgjedhur disa dijetarë prej sahabeve, si Umeri, Abdullah ibën Mes’udi, Aisha dhe Enesi. Si dhe shumë prej tabiinëve të cilët thonë se ikindia duhet të falet në fillim të kohës së vet dhe vonimi i saj është i papëlqyer (mekruh). Këtë mendim ka edhe Abdullah ibën El-Mubarek, Esh-Shafiu, Ahmedi, Is’haku etj. [“Ibën Maxheh” (683)].

 

160- (Sahih) Na ka treguar Ali ibën Huxhër, ka thënë: Na ka treguar Ismail iben Xheaferr: Nga El-Alau ibën Abdurr-Rrahman se ai ka hyrë në shtëpinë e Enes ibën Malikut në Basra, pasi që fali (El-Alau) namazin e drekës (me vonesë). Shtëpia e tij ishte përkrah xhamisë. Enesi u tha atyre (në mesin e të cilëve ishte edhe El-Alau): Ngrihuni dhe falni namazin e ikindisë ! U ngritëm dhe u falëm. Pasi mbaruam faljen ai tha: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) të thotë: “Ai lloj namazi është namazi i hipokritit i cili ulet dhe ruan diellin, derisa të arrijë midis dy brirëve të shejtanit, atëherë ngrihet dhe fal katër rekate në të cilat nuk e përmend Allahun veçse pak!”[15] Ky hadith është Hasen Sahih. [“Sahih Ebi Daud” (420):م].

(9) Tema

Ç’farë ka ardhur për vonimin e faljes së ikindisë

 

161- (Sahih) Na ka treguar Ali ibën Huxhër, ka thënë: Na ka treguar Ismail ibën Uleje: Nga Ejubi: Nga Ibën Ebi Mulejke: Nga Umu Seleme se ajo ka thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) nxitonte në faljen e drekës më shumë se ju, ndërsa ju nxitoni në faljen e ikindisë më shumë se ai!” [16]

Ky hadith është përcjellë edhe nga Ibën Xhurejxh: Nga Ibën Ebi Mulejke: Nga Umu Seleme, njësoj si ai. [“El-Mishkat” (6195)- korrektimi i dytë].

 

162- Kam gjetur në librin tim: Më ka njoftuar Ali ibën Huxhër: Nga Ismail ibën Ibrahim: Nga Ibën Xhurejxh.

 

163- Dhe na ka treguar Bishr ibën Muadh El-Basri, ka thënë: Na ka treguar Ismail ibën Uleje: Nga Ibën Xhurejxh…me këtë sened, njësoj si hadithi i parë dhe ky është më i saktë.

 

(10) Tema

Ç’farë ka ardhur për kohën e namazit të akshamit

 

164- (Sahih) Na ka treguar Kutejbe, ka thënë: Na ka treguar Hatim ibën Ismail: Nga Jezid ibën Ebi Ubejd: Nga Seleme ibën El-Ekvei, ka thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e falte namazin e akshamit pasi që perëndonte dielli dhe mbulohej i gjithi.”[17]

Në temë ka hadith edhe nga Xhabiri, Zejd ibën Halid, Enesi, Rafiu ibën Hadixh, Ebu Ejubi, Umu Habijbe dhe Abas ibën Abdul-Mutalib, por hadithi i Abasit është përcjellë meukuf-si fjalë e vetë atij dhe ai është më i saktë. Hadithi i Seleme ibën El-Ekvei është Hasen Sahih dhe sipas tij kanë punuar shumica e dijetarëve prej sahabeve dhe pasrëdhësit e tyre prej tabiinëve të cilët kanë zgjedhur shpejtimin e namazit të akshamit dhe e konsiderojnë të papëlqyer vonimin e tij, madje disa dijetarë thonë se namazi i akshamit ka vetëm një kohë (koha e fillimit të tij) duke u argumentuar me hadithin e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ku Xhibrili u fal me të. Kjo është fjala e Ibën El-Mubarek dhe e Shafiut. [“Ibën Maxheh” (688):ق].

 

(11) Tema

Ç’farë ka ardhur për kohën e namazit të darkës- jacisë

 

165- (Sahih) Na ka treguar Muhamed ibën Abdul-Melik ibën Ebi Esh-Shevarib, ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane: Nga Ebu Bishr: Nga Beshir ibën Thabit: Nga Habib ibën Salim: Nga En-Neuman ibën Beshir, ka thënë: Unë jam më i dituri i njerëzve për kohën e këtij namazi: “I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e falte atë kur perëndonte hëna në natën e tretë të muajit hënor!”[18]

[“El-Mishkat” (613), “Sahih Ebi Daud” (445)].

 

166- Na ka treguar Ebu Bekër Muhamed ibën Eban, ka thënë: Na ka treguar Abdurr-Rrahman ibën Mehdi: Nga Ebu Avane, me këtë sened, njësoj si hadithi i parë. Këtë hadith e ka transmetuar gjithashtu Hushejmi: Nga Ebu Bishër: Nga Habib ibën Salim: Nga En-Neuman ibën Beshir, por Hushejmi nuk ka përmendur në të: “Nga Beshir ibën Thabit”. Hadithi i Ebu Avanes është më i saktë tek ne, sepse Jezid ibën Harun ka përcjellë nga Shu’beh, nga Ebu Bishër, njësoj si transmetimi i Ebu Avanes.

 

(12) Tema

Ç’farë ka ardhur për vonimin e faljes së darkës

 

167- (Sahih) Na ka treguar Hennadi, ka thënë: Na ka treguar Abdeh: Nga Ubejdilah ibën Umer: Nga Seid El-Makburi: Nga Ebu Hurejra, ka thënë: I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: ” Nëse nuk do t’a rëndoja popullin tim, do t’a kasha urdhëruar që t’a falte jacinë në një të tretën e natës apo gjusmën e saj!”[19]

Në temë ka hadith edhe nga Xhabir ibën Semura, Xhabir ibën Abdullah, Ebu Berzeh, Ibën Abasi, Ebu Seidi, Zejd ibën Halid dhe Ibën Umer. Hadithi i Ebu Hurejrës është Hasen Sahih dhe atë e kanë zgjedhur shumica e dijetarëve prej sahabeve dhe tabiinëve të cilët kanë zgjedhur vonimin e faljes së darkës-jacisë. Këtë fjalë thotë edhe Ahmedi dhe Is’haku. [“Ibën Maxheh” (691)].

 

(13) Tema

Ç’farë ka ardhur për mospëlqimin e të fjeturit para namazit të darkës

 si dhe të biseduarit pas saj

 

168- (Sahih) Na ka treguar Ahmed ibën Menij’i, ka thënë: Na ka treguar Hushejm, ka thënë: Na ka treguar Aufi. Ahmedi thotë: Dhe na ka treguar Abad ibën Abad -El-Muhelebi- dhe Ismail ibën Uleje, të gjithë nga Aufi: Nga Sejar ibën Selameh -Ebu El-Minhal Er-Rijahi-: Nga Ebu Berzeh, ka thënë: “I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e urrente gjumin para namazit të darkës dhe bisedën pas saj.”[20]

Në temë ka hadith edhe nga Aisha, Abdullah ibën Mes’udi dhe Enesi. Hadithi i Ebu Berzeh është Hasen Sahih. Shumica e dijetarëve e konsiderojnë të urryer gjumin para namazit të darkës, ndërsa disa të tjerë kanë bërë lëshim në këtë. Abdullah ibën El-Mubarek thotë: Shumica e haditheve argumentojnë urrejtjen e kësaj, ndërsa disa dijetarë kanë bërë lëshim për gjumin para namazit të darkës në Ramazan. [“Ibën Maxheh” (701):ق].

 

(14) Tema

Ç’farë ka ardhur për lëshimin që është bërë në bisedën

pas namazit të darkës

 

169- (Sahih) Na ka treguar Ahmed ibën Menij’i, ka thënë: Na ka treguar Muavije: Nga Ibrahimi: Nga Alkame: Nga Umer ibën Hatab, ka thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) bisedonte pas namazit të jacisë me Ebu Bekrin për ndonjë prej çështjeve të muslimanëve dhe unë isha present.”

Në temë ka hadith edhe nga Abdullah ibëN Amër, Eus ibën Hudhejfe dhe Imran ibën Husajn. Hadithi i Umerit është Hasen. Atë e ka përcjellë gjithashtu El-Hasen ibën Ubejdilah, nga Ibrahimi, nga Alkame, nga një burrë prej Xhu’fij me emrin Kajs ose Ibën Kajs, nga Umeri, nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem). Kjo pjesë është shkëputur nga një hadith i gjatë.

Dijetarët prej sahabeve, tabiinëve dhe pasardhësve të tyre kanë rënë në kundërshtim për bisedën pas namazit të jacisë së vonë; disa e konsiderojnë të papëlqyer (mekruh), ndërsa disa të tjerë kanë bërë lëshim nëse ka të bëjë me dijen apo me nevojat e domosdoshme. Edhe vetë hadithi anon më shumë nga lëshimi në këtë gjë. Në një hadith tjetër është përcjellë se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nuk lejohet biseda pas namazit të darkës veçse për atë që kërkon të falet dhe për udhëtarin!” [“Es-Sahiha” (2781)].

 

(15) Tema

Ç’farë ka ardhur për dobinë e faljes së namazit

në fillim të kohës së tij

 

170- (Sahih) Na ka treguar Ebu Ammar El-Husejn ibën Hurejth, ka thënë: Na ka treguar El-Fadël ibën Musa: Nga Abdullah ibën Umer El-Umerij: Nga El-Kasim ibën Ganam: Nga halla e tij Umu Fervah e cila ka qenë prej atyre që u kanë dhënë besën të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), ka thënë: E pyetën të Dërguarin (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) se cila është puna më e mirë? Ai tha:

“Falja e namazit në fillim në kohës së tij.”  [“Sahih Ebi Daud” (452), “El-Mishkat” (607).

 

171- (Daif -i dobët) Na ka treguar Kutejbe, ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibën Vehbi: Nga Seid ibën Abdullah El-Xhuheni: Nga Muhamed ibën Umer ibën Ali ibën Ebi Talib: Nga babai i tij: Nga Ali ibën Ebi Talib se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) i ka thënë atij: “O Ali, mos i vono tri gjëra: Namazin kur hyn koha e tij, faljen e xhenazesë nëse prezenton dhe bashkimin e të pamartuarës nëse gjen dikë të përshtatshëm për të!”  [“El-Mishkat” (605)].

 

172- (Meudu’ -i shpikur) Na ka treguar Ahmed ibën Menij’i, ka thënë: Na ka treguar Ja’kub ibën El-Velid El-Medeni: Nga Abdullah ibën Umer: Nga Nafiu: Nga Ibën Umer, ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Koha e fillimit të namazit është kënaqësia e Allahut, ndërsa fundi i kohës së tij është për të arritur faljen e Allahut.”  Ky hadith është Garib-i panjohur, vetëm me një rrugë transmetimi. Ai është përcjellë gjithashtu nga Ibën Abasi, i ngjashëm me të. Në temë ka hadith edhe nga Aliu, Ibën Umeri, Aisha dhe Ibën Mes’udi. Hadithi i Umu Fervah nuk është përcjllë veçse nga Abdullah ibën Umer El-Umerij i cili nuk është i fortë (shumë i besueshëm) te dijetarët e hadithit dhe madje janë ngatërruar në këtë hadith. Jahja ibën Seid ka thënë për të se ka pasur memorje të dobët. [“El-Irvau” (259), “El-Mishkat” (606)].

 

173- (Sahih) Na ka treguar Kutejbe, ka thënë: Na ka treguar Mirvan ibën Muavije El-Fezari: Nga Ebi Jeafuri: Nga El-Velid ibën El-Ajzari: Nga Ebi Amër Esh-Shejbani: Se një burrë i tha Ibën Mes’udit: Cila është puna më e mirë? Ai tha: Kam pyetur për këtë të Dërguarin e Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe ai tha: “Kryerja e faljes në kohën e saj.” Unë i thashë: Po tjetër përveç kësaj o i Dërguari i Allahut? Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Bindja ndaj prindërve.” Unë i thashë: Po tjetër, o i Dërguari i Allahut? Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Lufta në Rrugën e Allahut.” Ky hadith është Hasen Sahih. Këtë hadith e ka përcjellë edhe El-Mes’udi, Shu’beh, Sulejmani e të tjerë, nga El-Velid ibën El-Ajzari. [ق].

 

174- (Hasen) Na ka treguar Kutejbe, ka thënë: Na ka treguar El-Lejth: Nga Halid ibën Jezid: Nga Seid ibën Ebi Hilal: Nga Is’hak ibën Umer: Nga Aisha, ka thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) nuk e ka falë të njëjtin namaz dy herë në fund të kohës së tij (mund të ketë ndodhur që e ka vonuar ndonjë namaz në fund të kohës por nuk e ka përsëritur atë gjë), derisa ndërroi jetë.”  Ky hadith është Garib -i panjohur dhe senedi i tij nuk është i lidhur. Imam Esh-Shafiu thotë: Falja e namazit në fillim të kohës së tij është më e mirë dhe këtë gjë e argumenton edhe zgjedhja që ka bërë i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), Ebu Bekri dhe Umeri të cilët nuk zgjidhnin veçse atë që është më e mira dhe nuk e linin të mirën; ata e falnin namazin në fillim të kohës së tij. Këtë gjë na e ka treguar Ebu El-Velid El-Mekki, nga Esh-Shafiu. [“El-Mishkat” (608)].

 

(16) Tema

Ç’farë ka ardhur për moskujdesin për namazin e ikindisë

 

175- (Sahih) Na ka treguar Kutejbe, ka thënë: Na ka treguar Lejthi: Nga Nafiu: Nga Ibën Umer: Nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), ka thënë: “Atij që i kalon namazi i ikindisë pa falur, është njësoj sikur të ketë humbur familjen dhe pasurinë e tij.” Në temë ka hadith edhe nga Burejde dhe Neufel ibën Muavije. Hadithi i Ibën Umerit është Hasen Sahih. Atë e ka përcjellë gjithashtu Ez-Zuhri, nga Salim, nga babai i tij Ibën Umer, nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem). [“Ibën Maxheh” (685):ق].

 

(17) Tema

Ç’farë ka ardhur për faljen herët të namazit nëse imami e vonon atë

 

176- (Sahih) Na ka treguar Muhamed ibën Musa El-Basri, ka thënë: Na ka treguar Xheaferr ibën Sulejman Ed-Dubeij: Nga Ebu Imran El-Xheuni: Nga Abdullah ibën Es-Samit: Nga Ebi Dherri, ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “O Ebu Dherr, do të vinë pas meje disa prijësa të cilët do ta vdesin namazin, por ti fale namazin në kohën e tij dhe nëse pastaj ata e falin atë pa i dal koha, falu me ta dhe do të të quhet nafile, në të kundërt ti e ke plotësuar faljen tënde!” Në temë ka hadith edhe nga Abdullah ibën Mes’udi dhe Ubadetu ibën Es-Samit. Hadithi i Ebu Dherrit është Hasen dhe me të kanë gjykuar shumë dijetarë të cilët e konsiderojnë të pëlqyer faljen e namazit në fillim të kohës nëse imami e vonon atë, pastaj të falet përsëri me imamin. Në këtë rast atij i shkruhet namazi i parë i detyrueshmi, ndërsa i dyti nafile, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve. [“Ibën Maxheh” (1256): ق].

 

(18) Tema

Ç’farë ka ardhur për  atë që i kalon namazi për shkak të gjumit

 

177- (Sahih) Na ka treguar Kutejbe, ka thënë: Na ka treguar Hamad ibën Zejd: Nga Thabit El-Bunani: Nga Abdullah ibën Rabah El-Ensari: Nga Ebu Katade, ka thënë: Disa njerëz përmendën para të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) kalimin e kohës së namazit për shkak të gjumit dhe ai tha: “Nuk qëndron problemi tek ai që është në gjumë, por tek ai që është zgjuar; nëse ndokush prej jush e harron ndonjë namaz apo i kalon duke qenë në gjumë, atëherë t’a falë atë kur t’a kujtojë!” Në temë ka hadith edhe nga Ibën Mes’udi, Ebu Merjem, Imran ibën Husajn, Xhubejr ibën Mut’im, Ebu Xhuhajfe, Ebu Seidi, Amër ibën Umeje Ed-Damri. Hadithi i Ebu Katades është Hasen Sahih. Dijetarët kanë rënë në kundërshtim për atë njeri që fle në kohën e namazit apo e harron atë dhe pastaj kujtohet pasi që ka dalë koha e atij namazi, qoftë duke qenë dielli duke lindur apo duke perënduar; disa thonë se duhet ta falë atë namaz në kohën kur zgjohet apo kur e kujton, edhe nëse është dielli duke lindur apo duke perënduar. Ky është mendimi i imam Ahmedit, Is’hakut, Esh-Shafiut dhe Malikut. Ndërsa disa dijetarë të tjerë thonë se nuk duhet të falet derisa të lindë dielli apo të perëndojë. (Kjo është fjala e hanefive). [“Ibën Maxheh” (698): م të ngjashëm me të].

 

(19) Tema

Ç’farë ka ardhur për atë person që e harron një namaz

 

178- (Sahih) Na ka treguar Kutejbe dhe Bishër ibën Muadh, kanë thënë: Na ka treguar Ebu Avane: Nga Katade: Nga Enes ibën Malik, ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush e harron një namaz, atëherë t’a falë atë në kohën kur e kujton atë!” Në temë ka hadith edhe nga Semura dhe Ebu Katade. Hadithi i Enesit është Hasen Sahih. Transmetohet nga Ali ibën Ebi Talib se ka thënë për atë person që e harron namazin: Duhet ta falë atë në kohën kur t’a kujtojë, qoftë Brenda apo jashtë kohës së tij të caktuar. Këtë fjalë ka thënë edhe Es-Shafiu, Ahmedi dhe Is’haku. Është përcjellë nga Ebi Bekrah se atij i kaloi namazi i ikindisë për shkak të gjumit dhe u zgjua kur po perëndonte dielli. Ai nuk u fal derisa dielli perëndoi. Të këtij mendimi janë edhe disa dijetarë nga Kufa, ndërsa shokët tanë janë me fjalën e Ali ibën Ebi Talib. [“Ibën Maxheh” (696):ق].

 

(20) Tema

Ç’farë ka ardhur për atë person që i kalojnë pa falur disa namaze rradhazi, cilin prej tyre duhet të falë më parë?

 

179- (Hasen) Na ka treguar Hennadi, ka thënë: Na ka treguar Hushejm: Nga Ebu Ez-Zubejr: Nga Nafiu ibën Xhubejr ibën Mut’im: Nga Ebu Ubejde ibën Abdullah ibën Mes’ud, ka thënë: Abdullah ibën Mes’ud ka thënë: “Mushrikët e penguan të Dërguarin e Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) nga katër namaze në luftën e Hendekut, derisa hyri nata dhe kaloi shumë kohë prej saj. Atëherë ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) urdhëroi Bilalin që të thërrasë ezanin, pastaj thirri ikametin dhe fali namazin e drekës, pastaj thirri përsëri ikametin (Bilali) dhe falën namazin e ikindisë, pastaj thirri ikametin dhe falën namazin e akshamit, pastaj thirri ikametin dhe fali namazin e darkës.”

Në temë ka hadith edhe nga Ebu Seidi dhe Xhabiri. Hadithi i Abdullahit është me sened jo të keq, veçse Ebu Ubejde nuk e ka dëgjuar nga Abdullahi.

Veprimin sipas këtij hadithi e kanë zgjedhur edhe disa dijetarë të cilët thonë se duhet thirrur ikameti për çdo namaz të kaluar, por edhe nëse nuk e thërret, atij i quhet. Kjo është fjala e imam Esh-Shafiut. [“El-Irvau” (1/257)]

 

180- (Sahih) Na ka treguar Muhamed ibën Beshar, ka thënë: Na ka treguar Muadh ibën Hisham, ka thënë: Më ka treguar babai im: Nga Jahja ibën Ebi Kethijr, ka thënë: Na ka treguar Ebu Seleme ibën Abdurr-Rrahman: Nga Xhabir ibën Abdullah se: Umer ibën El-Hatab ka thënë në ditën e Hendekut, pasiqë kishte filluar të shante idhujtarët kurejsh: O i Dërguari i Allahut, nuk munda t’a fal ikindinë veçse duke qenë dielli gati në të perënduar. I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) it ha: “Për Allahun! Unë nuk e kam falur akoma.” Atëherë zbritëm në But’han (një lëndinë në Medine) dhe i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) morri avdes dhe bashkë me të edhe ne, pastaj i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) fali namazin e ikindisë pasiqë kishte perënduar dielli dhe pas saj fali akshamin.”  Ky Hadith është Hasen Sahih. [ق].

 

(21) Tema

Ç’farë ka ardhur për namazin e mesëm dhe se ai është namazi i ikindisë, dhe thuhet se ai është namazi i drekës

 

181- (Sahih) Na ka treguar Mahmud ibën Gajlan, ka thënë: Na ka treguar Ebu Daud Et-Tajalisi dhe Ebu En-Nadr: Nga Muhamed ibën Talha ibën Musarif: Nga Zubejd: Nga Murah El-Hemdani: Nga Abdullah ibën Mes’ud, ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Namazi i mesëm është namazi i ikindisë.” Ky hadith është Hasen Sahih. [“El-Mishkat” (634):م].

 

182- (Sahih me atë para këtij) Na ka treguar Henadi, ka thënë: Na ka treguar Abdeh: Nga Seidi: Nga Katade: Nga El-Hasen: Nga Semurah ibën Xhundub: Nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) se ai ka thënë: “Namazi i mesëm është namazi i ikindisë.” [i njëjti burim i mësipërm].

 

– (Sahih) Në temë ka hadith edhe nga Aliu, Aisha, Hafsa, Ebu Hurejra dhe Ebu Hashim ibën Utbeh. Muhamedi thotë: Ali ibën Abdullah ka thënë: Hadithi i El-Hasen nga Semura ibën Xhundub është Hadith Sahih dhe ai e ka dëgjuar vetë atë. Hadithi i Semura për namazin e mesëm është Hasen Sahih. Në këtë hadith është bazuar shumica e dijetarëve prej shokëve të të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) etj.

Por Zejd ibën Thabit dhe Aisha kanë thënë se namazi i mesëm është ai i drekës.

Ndërsa Ibën Abasi dhe Ibën Umeri kanë thënë: Namazi i mesëm është ai i sabahut.

Na ka treguar Ebu Musa Muhamed ibën El-Muthena, ka thënë: Na ka treguar Kurejsh ibën Enes: Nga Habib ibën Esh-Shehid, ka thënë: Muhamed ibën Sirijn më ka thënë mua: Pyete El-Hasenin se nga kush e ka dëgjuar hadithin për kurbanin për të sapolindurin. Unë e pieta dhe ai tha: E kam dëgjuar atë nga Semurah ibën Xhundub. (Do të thotë që ai ka dëgjuar hadithe nga Semurah).

 

182 (م)- Ma ka treguar gjithashtu këtë hadith Muhamed ibën Ismail: Nga Ali ibën Abdullah El-Medijni: Nga Kurejsh ibën ibën Enes.    

Muhamedi thotë: Aliu ka thënë: Që të ketë dëgjuar El-Hasen nga Semurah është diçka e vërtetë, duke argumentuar me këtë hadith. [خ, shih gjithashtu hadithin nr. 1522].

 

(22) Tema

Ç’farë ka ardhur për mospëlqyerjen e të falurit pas namazit të ikindisë dhe pas namazit të sabahut

 

183- (Sahih) Na ka treguar Ahmed ibën Menij, ka thënë: Na ka treguar Hushejm, ka thënë: Na ka treguar Mensur i cili është Ibën Zadhan: Nga Katade, ka thënë: Na ka treguar Ebu El-Alije: Nga Ibën Abasi, ka thënë: Kam dëgjuar shumë prej shokëve të të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), prej të cilëve edhe Umer ibën El-Hatab i cili ka qenë prej më të dashurve tek unë, se kanë thënë:

“I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka ndaluar nga të falurit (nafile) pas namazit të sabahut derisa të lindë dielli, si dhe nga të falurit pas namazit të ikindisë derisa të perëndojë ai.”

Në temë ka hadith edhe Aliu, Ibën Mes’udi, Ebu Seidi, Ukbeh ibën Amir, Ebu Hurejra, Ibën Umer, Semura ibën Xhundub etj. Hadithi i Ibën Abasit nga Umeri është Hasen Sahih dhe në të janë bazuar shumë dijetarë prej sahabeve dhe pasardhësve të tyre të cilët thonë se është e papëlqyeshme që të falesh (nafile) pas namazit të sabahut derisa të lindë dielli dhe pas ikindisë derisa të perëndojë dielli. Ndërsa namazet e detyrueshme që kanë kaluar pa falur, nuk ka problem që të fallen në këto kohë. Ali ibën El-Medijni thotë: Jahja ibën Seidi ka thënë: Shu’be ka thënë: Katade nuk ka dëgjuar nga Ebi El-Alijeh veçse tri gjëra: Hadithin e Umerit: “I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka ndaluar nga të falurit pas namazit të sabahut derisa të lindë dielli dhe pas namazit të ikindisë derisa të perëndojë dielli.”, Hadithin e Ibën Abasit nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) që thotë: “Nuk i lejohet askujt që të thotë: Unë jam më i mirë se Junus ibën Meta.” Dhe hadithin e Aliut (radiallahu anhu): “Gjykatësit janë tri llojesh…” [“Ibën Maxheh” (1250):ق].

 

(23) Tema

Ç’farë ka ardhur për të falurit pas namazit të ikindisë

 

184- (Me sened daif-të dobët, ndërsa shprehja: “por nuk e përsëriti më këtë gjë” është munker- e shpifur, e refuzuar) Na ka treguar Kutejbe, ka thënë: Na ka treguar Xherijr: Nga Ata’ ibën Es-Saib: Nga Seid ibën Xhubejr: Nga Ibën Abasi (radiallahu anhu), ka thënë: “I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) fali dy rekatë pas namazit të ikindisë sepse i erdhën disa të holla dhe e penguan që të falte dy rekatet pas namazit të drekës, kështu që i fali ato pas namazit të ikindisë, por nuk e përsëriti më këtë gjë.”

Në temë ka hadith edhe nga Aisha, Umu Selemeh, Mejmuneh dhe Ebu Musa. Hadithi i Ibën Abasit është Hasen Sahih. Shumë prej sahabeve kanë përcjellë nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) se ai ka pas falur dy rekatë nafile pas namazit të ikindisë, por kjo bie në kundërshtim me hadithin ku thuhet se ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka ndaluar nga të falurit pas namazit të ikindisë derisa të perëndojë dielli, ndërsa hadithi i Abasit është më i saktë sepse ai thotë në të: “dhe nuk e përsëriti më këtë gjë”.

Nga Zejd ibën Thabit  është përcjellë si hadithi i ibën Abasit, ndërsa nga Aisha janë përcjellë shumë transmetime në këtë temë, p.sh. “Se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) falte dy rekatë namaz çdo herë që hynte tek ajo pas namazit të ikindisë.” Po ashtu është përcjellë nga ajo (radiallahu anha), nga Umu Selemeh, nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) se: “Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka ndaluar nga të falurit pas namazit të ikindisë derisa të perëndojë dielli dhe pas namazit të sabahut derisa të lindë dielli.

Ajo në të cilën janë bashkuar shumica e dijetarëve është mospëlqyeshmëria e të falurit pas namazit të ikindisë derisa të perëndojë dielli dhe pas namazit të sabahut derisa të lindë dielli, përveç asaj që është përjashtuar nga kjo gjë, siç është të falurit në Mekë pas ikindisë derisa të perëndojë dielli dhe pas namazit të sabahut derisa të perëndojë dielli, për shkak të mbarimit të tavafit rreth Keabes, sepse i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka bërë lëshim në këtë. Këtë fjalë e kanë thënë disa prej sahabeve dhe prej pasardhësve të tyre. Këtë fjalë ka thënë edhe imam Esh-Shafiu, Ahmedi dhe Is’haku. Disa dijetarë prej sahabeve dhe pasardhësve të tyre e kanë konsideruar të papëlqyeshme të falurit pas namazit të ikindisë dhe të sabahut edhe në Meke. Këtë mendim ka edhe Sufjan Eth-theuri, Malik ibën Enes dhe disa dijetarë të Kufas.

(24) Tema

Ç’farë ka ardhur për të falurit (nafile) para namazit të akshamit

 

185- (Sahih) Na ka treguar Henadi, ka thënë: Na ka treguar Vekij’: Nga Kehmes ibën El-Hasen: Nga Abdullah ibën Burejde: Nga Abdullah ibën Mugafel: Nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), ka thënë: “Ndërmjet çdo dy ezaneve (ezanit dhe ikametit) ka një namaz, për atë që dëshiron (të falet).”

Në temë ka hadith edhe nga Abdullah ibën Ez-Zubejr. Hadithi i Abdullah ibën Mugafel është Hasen Sahih. Shokët e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) kanë rënë në kundërshtim për të falurit para namazit të akshamit, ku disa prej tyre nuk mendojnë se ka sunete para namazit të akshamit. Në anën tjetër është përcjellë se shumë prej sahabeve falnin dy rekate nafile para namazit të akshamit, ndërmjet ezanit dhe ikametit. Ahmedi dhe Is’haku thonë: Falja e atyre dy rekateve është diçka e mirë. Kjo gjë është e pëlqyeshme tek ata të dy. [“Ibën Maxheh” (1162):ق].

 

(25) Tema

Ç’farë ka ardhur për atë që arrin të falë vetëm një rekat nga namazi i ikindisë para se të perëndojë dielli

 

186- (Sahih) Na ka treguar El-Ensari, ka thënë: Na ka treguar Mean, ka thënë: Na ka treguar Malik ibën Enes: Nga Zejd ibën Eslem: Nga Ata’ ibën Jesar, Busr ibën Seid dhe El-Earaxh, i kanë treguar atij: Nga Ebu Hurejra se: I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush arrin të falë një rekat nga namazi i sabahut para se të lindë dielli, ai e ka arritur faljen e sabahut (në kohë) dhe kush arrin të falë një rekat nga namazi i ikindisë para se të perëndojë dielli ai e ka arritur faljen e saj (në kohë).”

Në temë ka hadith edhe nga Aisha (radiallahu anha). Hadithi i Ebu Hurejrës është Hasen Sahih dhe në të janë bazuar shokët tanë: Esh-Shafiu, Ahmedi dhe Is’haku. Kuptimi i këtij hadithi tek ata është për atë person që ka pasur arsye, si ai që e ka marrë gjumi apo e ka haruar dhe pastaj zgjohet apo e kujton atë në të lindur apo në të perënduar të diellit. [“Ibën Maxheh” (699, 670):  ق].

 

(26) Tema

Ç’farë ka ardhur për bashkimin ndërmjet dy namazeve

 

187- (Sahih) Na ka treguar Henad, ka thënë: Na ka treguar Ebu Muavije: Nga El-Eamash: Nga Habib ibën Ebi Thabit: Nga Seid ibën Xhubejr: Nga Ibën Abasi, ka thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka bashkuar ndërmjet namazit të drekës dhe të ikindisë, si dhe ndërmjet namazit të akshamit dhe jacisë duke qenë në Medine dhe jo për shkak të ndonjë frike apo shiu.” Dikush i tha Ibën Abasit: Ç’farë kishte për qëllim me këtë vepër? Ai tha: Donte të mos e rëndonte popullin e tij.

Në temë ka hadith edhe nga Ebu Hurejra. Hadithi i Ibën Abasit është përcjellë prej tij edhe me rrugë të tjera. Atë e ka përcjellë gjithashtu Xhabir ibën Zejd, Seid ibën Xhubejr dhe Abdullah ibën Shekik El-Ukajli. Nga Ibën Abasi janë përcjellë edhe transmetime të tjera nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) në këtë temë. [“El-Irvau” (1/579), “Sahih Ebi Daud” (1096):م].

 

188- (Shumë i dobët) Na ka treguar Ebu Seleme Jahja ibën Halef El-Basri, ka thënë: Na ka treguar El-Mu’temir ibën Sulejman: Nga babai i tij : Nga Hanesh: Nga Ikrima: Nga Ibën Abasi (radiallahu anhu): Nga i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), ka thënë: “Kush bashkon ndërmjet dy namazesh pa ndonjë arsye, ai ka hyrë nga një derë prej dyerve të gjynaheve të mëdha!”

Haneshi i përmendur është Ebu Ali Er-Rahabi Husejn ibën Kajs i cili është transmetues i dobët tek dijetarët e hadithit, si Ahmedi etj.

Sipas këtij hadithi punohet tek dijetarët të cilët thonë se nuk lejohet të bashkohet namazi veçse në udhëtim apo në Arafat (në Haxh). Disa dijetarë prej tabiinëve kanë bërë lëshim në bashkimin ndërmjet dy namazeve për të sëmurin. Kjo është edhe fjala e Ahmedit dhe Is’hakut.

Disa dijetarë të tjerë thonë se lejohet bashkimi ndërmjet dy namazesh në kohë me shi. Këtë fjalë e thotë Esh-Shafiu, Ahmedi dhe Is’haku. Dallimi ndërmjet këtyre është se imam Esh-Shafiu nuk e sheh të arsyeshme bashkimin e namazeve për të sëmurin. [“Et-Tealiku Er-Ragijb” (1/198), “Es-Silsiletu Ed-Daife” (4581).

 


[1] Kjo ka qenë në Mekë dhe dihet që ajo është më afër ekuatorit, ndërsa në vendet e tjera ndryshon kjo gjë sipas vendndodhjes së tyre.

[2] Është për qëllim se koha e namazit të tyre ka qenë gjithashtu me dy kufij ndërmjet të cilëve ka pasur kohë për tu falur.

[3] E ka nxjerrë gjithashtu Ahmedi: (1/333), Ebu Daudi: (393), Ibën Huzejme: (325).

[4] E ka nxjerrë gjithashtu Ahmedi (3/330), En-Nesai (526).

[5] E ka nxjerrë gjithashtu Ahmedi (2/232).

[6] E ka nxjerrë gjithashtu Ahmedi (5/349), Muslimi (176/613), Ibën Maxheh, En-Nesai (519), Ibën Huzejme (323).

[7] E ka nxjerrë gjithashtu Maliku (4), Buhariu (578), Muslimi (230/645), Ebu Daudi, En-Nesai dhe Ahmedi (6/178).

[8] E ka nxjerrë gjithashtu Ahmedi (3/465), Ebu Daudi, Ibën Maxheh, En-Nesai, Ed-Darimi, El-Humejdi.

[9] E ka nxjerrë gjithashtu Ahmedi (6/135, 215).

[10] E ka nxjerrë gjithashtu Buhariu (540).

[11] E ka nxjerrë gjithashtu Maliku (27), Buhariu (536), Ibën Maxheh, En-Nesai (50), Ebu Daudi, Ed-Darimi dhe Ahmedi (2/462).

[12] E ka nxjerrë gjithashtu Buhariu (535), Ebu Daudi dhe Ahmedi (5/155).

[13] Kërkon të thotë që ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e fali ikindinë në fillim të kohës së saj, kur hija e sendeve bëhet sa lartësia e tyre.

[14] E ka nxjerrë gjithashtu Maliku (2), Buhariu (545), Muslimi (168/611), Ebu Daudi, En-Nesai (505), El-Humejdi dhe Ahmedi (6/37).

[15] E ka nxjerrë gjithashtu Muslimi (195/622), En-Nesai (511).

[16] E ka nxjerrë gjithashtu Ahmedi (6/289, 310).

[17] E ka nxjerrë gjithashtu Buhariu (561), Muslimi (216/636), Ebu Daudi, Ibën Maxheh, Ed-Darimi, Ahmedi (4/51, 54).

[18] E ka nxjerrë gjithashtu Ebu Daudi, En-Nesai (529), Ahmedi (4/270, 272).

[19] E ka nxjerrë gjithashtu Ibën Maxheh dhe Ahmedi (2/250, 433).

[20] E ka nxjerrë gjithashtu Buhariu (568), Muslimi (236), Ibën Maxheh, En-Nesai (530), Ahmedi (4/420, 424).