Përmbledhje e formës së namazit të Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), që nga Tekbiri fillestar deri në dhënien e Selamit, sikur ta shohësh atë

 

Autor: Muhamed Nasirudin el Albani (Allahu e mëshiroftë!)
Përktheu: Bledar Albani

بسم الله الرحمن الرحيم

Falënderuar qoftë Allahu! Vetëm Atë lavdërojmë, Atij i kërkojmë ndihmë, falje të gjymaheve tona dhe tek Ai pendohemi! Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të keqes së veteve dhe punëve tona!

Atë të cilin e udhëzon Allahu nuk ka kush ta humbë dhe atë të cilin e humb Allahu, nuk ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut, Një e të Pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij.

Shumë prej vëllezërve dhe shokëve të mi më sugjeruan të përmblidhja shkurtimisht librin tim “Forma e namazit të Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) që nga Tekbiri fillestar deri në dhënien e Selamit, sikur ta shohësh atë”, me qëllim që të jetë i lehtë dhe i perceptueshëm nga të gjithë njerëzit.

Kur pashë që ky ishte një sugjerim i begatë dhe në përputhje me atë që më sillej në mendje prej disa kohësh, kjo gjë më nxiti që të ndaj për të pa kohë nga koha ime e ngarkuar me shumë prej punëve shkencore të dijes, dhe fillova ta kryeja atë sipas mundësive të mia, duke lutur Allahun e Madhëruar që ta bëjë atë të sinqertë vetëm për Fytyrën e Tij të Lartë dhe t’i bëjë dobi me të vëllezërve të mi muslimanë!

Në këtë libërth kam përmendur edhe disa dobi shtesë të cilat nuk i kam përmendur në librin e parë, dhe i kam përmendur ato gjatë përmbledhjes, si dhe jam kujdesur me një përkujdesje të veçantë për sqarimin e disa shprehjeve të përmendura në disa hadithe.

Në këtë libërth kam vendosur disa tema kryesore dhe shumë nëntema të tjera dytësore, nën të cilat kam vendosur temat e librit të parë me numra rendor.

Përkrah çdo veprimi të namazit apo teme kam përmendur gradën e saj; nëse është shtyllë e namazit, apo vaxhib i tij. ndërsa për temat në të cilat kam heshtur nga të sqaruarit e gradës së saj, ajo është prej suneteve të namazit, megjithëse ndonjëra prej tyre përmban edhe mundësinë e të qenurit vaxhib, por thënia prerë e kësaj e kundërshton metodën akademike të dijes.

Shtylla, apo rukni i diçkaje është ajo gjë me të cilën plotësohet ajo diçka dhe nga mosekzistenca e tij rrjedh pavlefshmëria dhe prishja e asaj në të cilën ai është shtyllë; si p.sh. rukuja në namaz është shtyllë (rukn) dhe nëse ajo nuk kryhet, atëherë namazi prishet.

Kushti është afërsisht si shtylla, por ai dallon nga ajo nga fakti se vendi i tij është jashtë asaj gjëje për të cilën ai është kusht, si p.sh. avdesi për t’u falur është kusht dhe namazi nuk quhet pa të.

Vaxhibi është urdhëri për diçka i cili ka ardhur në Kuran apo Sunet, por për të cilin nuk ka argument nëse ai është prej shtyllave apo prej kushteve të veprës kryesore. Veprusi i vaxhibit merr sevape, ndërsa lënësi i tij merr gjynahe përveç nëse ka arsye.

Farzi është i njëjtë me vaxhibin dhe dallimi ndërmjet tij dhe vaxhibit është diçka aksidentale për të cilën nuk ka argument.

Sunet është ajo gjë të cilën i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka kryer gjithnjë apo në shumicën e rasteve dhe nuk ka urdhëruar për të në mënyrë të prerë e të obligueshme. Vepruesi i tij ka sevape ndërsa lënësi i tij nuk ka gjynahe dhe as nuk kritikohet.

Ndërsa hadithi të cilin e përmendin disa imitues të paditur dhe e adresojnë tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se gjoja ai ka thënë: “Kushdo që e lë sunetin tim, atë nuk e arrin ndërmjetësimi im.”, ky hadith nuk ka asnjë origjinë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Dhe diçka e atillë nuk lejohet të adresohet tek ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nga frika e të përfolurit për të, pasi që ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo që thotë për mua atë që unë nuk e kam thënë, atëherë të marrë karrigen e tij prej zjarri.”

Shtoj këtu se në këtë libërth unë nuk i jam përmbajtur ndonjë medhhebi të veçantë prej katër medhhebeve active, pork am ndjekur në të rrugën e dijetarëve të Hadithit, të cilët i përmbahen marrjes së çdo gjëje që vërtetohet të ketë ardhur nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Dhe për këtë arsye, medhhebi i tyre ka qenë më i fortë se medhhebet e tjera, gjë për të cilën kanë dëshmuar edhe të drejtët në gjykim prej të gjitha medhhebeve, prej të cilëve është edhe dijetari i madh hanefi Ebu el Hasenat el Leknevi, i cili thotë: “Si të mos jetë kështu kur ata janë trashëgimtarët e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me të vërtetë dhe mëkëmbësit e sheriatit të tij me sinqeritet?! Allahu na ringjalltë në grupin e tyre dhe na e marrtë jetën në këtë botë me dashurinë për ta dhe duke qenë sipas rrugës së tyre!”

Damask

26 / Sefer/ 1392 h.

Muhamed Nasirudin el Albani

 

1. Të drejtuarit nga Kibla

1. Kur të ngrihesh për t’u falur, o ti musliman, drejtohu nga Kibla kudo që të jesh, për faljen e namazit farz apo sunet. Kjo gjë është prej shtyllave të namazit pa të cilat namazi nuk është i vlefshëm.

2. Shkakrohet nga të drejtuarit nga Kibla luftëtari në rastin kur ai fal namazin e frikës dhe kur lufta është e ashpër.

* Po kështu shkarkohet nga ajo i pamunduri; si i sëmuri, ai që ndodhet në anije, apo në makinë, në aeroplan, apo që ka frikë se mbaron koha e namazit.

* Gjithashtu shkarkohet nga ajo ai i cili fal namaz vullnetar apo namazin e vitrit duke qenë i hipur mbi kafshë apo mbi ndonjë mjet tjetër udhëtimi. Për këtë person është e preferuar që nëse ka mundësi, të drejtohet nga Kibla kur merr Tekbirin fillestar, dhe më pas nuk ka problem nëse drejtohet andej nga e drejton kafsha e udhëtimit.

3. Është obligim për çdokënd që e sheh Kaben të drejtohet nga ajo në namaz, ndërsa ai i cili nuk e sheh atë dhe ndodhet larg saj, ai duhet të drejtohet në drejtim të saj.

Gjykimi për namazin e falur jo i drejtuar nga Kabja gabimisht:

4. Nëse dikush falet jo në drejtim të Kibles për shkak të reve apo diçkaje tjetër dhe pas përpjekjes për kërkimin e drejtimit të saj, atij i lejohet të falet në atë drejtim që mendon se është Kibla dhe nuk e përsërit më namazin (nëse më pas mëson se Kibla nuk ka qenë andej).

5. Nëse ky është duke u falur dhe vjen një person i besueshëm tek ai, i cili e lajmëron se Kibla është në drejtim tjetër, ky e ka për detyrë të kthehet menjëherë nga ajo dhe namazi i tij është i saktë.

 

2. Të qëndruarit në këmbë

6. Të qëndruarit në këmbë gjatë namazit është obligim dhe një nga ruknet (shtyllat) e namazit, por nga kjo përjashtohen rastet e mëposhtme:

* Ai person i cili fal namaz frike dhe në rast lufte të ashpër; i lejohet këtij që të falet mbi kafshë (kal apo deve). Po kështu edhe i sëmuri i cili nuk ka mundësi të qëndrojë në këmbë, i lejohet të falet ulur, e nëse nuk mundet ulur, atëherë të falet i mbështetur. Gjithashtu edhe atij i cili fal namaz nafile, i lejohet që të falet mbi kafshë, ose ulur nëse dëshiron, ndërsa rukunë dhe sexhden e bën duke bërë shenjë me kokë, dhe po kështu vepron edhe i sëmuri, por përkuljen e kokës për sexhden e bën më shumë se për rukunë.

7. Nuk i lejohet atij që falet ulur që të vendosë diçka të ngritur në tokë me qëllim që të bëjë sexhden mbi të, por ajo që duhet të bëjë është vetëm përkulja e kokës për sexhden më shumë se sa për rukunë, siç e thamë më sipër, nëse nuk ka mundësi që ta prekë tokën me ballin e tij.

Namazi në anije dhe aeroplan:

8. Lejohet falja e namazit farz në anije dhe po ashtu në aeroplan.

9. Lejohet të falesh ulur në këto mjete udhëtimi, nëse ke frikë se rrëzohesh.

10. Lejohet që gjatë qëndrimit në këmbë në namaz të mbështetesh në ndonjë shtyllë apo shkop, për shkak të vjetërsisë në moshë apo dobësisë në trup.

Bashkimi mes qëndrimit në këmbë dhe uljes:

11. Lejohet që namazin e natës ta falësh duke qëndruar në këmbë ose i ulur, edhe pa arsye. Po kështu lejohet që të bashkosh mes këtyre dyjave: që të falesh dhe të lexosh Kuran ulur, ndërsa pak para se të bësh rukunë të ngrihesh në këmbë, të lexosh ajetet e mbetura duke qenë në këmbë, pastaj të bësh rukunë dhe sexhden. Pastaj të veprosh po kështu në rekatin e dytë.

12. Nëse falesh ulur, lejohet që të ulesh këmbëkryq ose në çdo lloj mënyre tjetër që je më rehat.

Falja e namazit me sandalet mbathur:

13. Lejohet që gjatë namazit të qëndrosh në këmbë i zbathur ose me sandale.

14. Dhe më e preferuar është që të falesh herë kështu e herë ashtu, sit a kesh më të lehtë. Nuk duhet të mundohesh për veshjen e tyre me qëllim të falesh me to dhe as për heqjen e tyre me qëllim që të falesh zbathur, por nëse je zbathur, falu zbathur dhe nëse je mbathur, falu mbathur, përveç rasteve aksidentale.

15. Nëse i heq sandalet në namaz, nuk duhet t’i venosësh ato nga e djathta jote, por nga e majta nëse nga e majta nuk gjendet dikush tjetër që falet, përndryshe i vendos para këmbëve të tua[1]. Kështu ka ardhur me hadith të saktë nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem).

Namazi mbi minber:

16. I lejohet imamit që të falet në vend të ngritur siç është minberi, me qëllim që të mësojë njerëzit. Lejohet që ai të qëndrojë në këmbë mbi të, të lexojë Kuran, të bëjë rukunë dhe pastaj të zbresë mbrapsht deri sa të mund të bëjë sexhden në tokë, rrëzë minberit, pastaj të kthehet tek aid he të veprojë në rekatin tjetër ashtu si në të parin.

Obligueshmëria e të falurit para Sutras[2] dhe të afruarit nga ajo:

17. Është obligim që të falesh para Sutras, pa pasur dallim nëse falesh në xhami apo jashtë saj, qoftë për të madhin apo për të voglin, sepse Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Mos u fal veçse para një Sutra dhe mos lër askënd që të kalojë para teje (në namaz), e nëse ai ngul këmbë që të kalojë, atëherë sulmoje, sepse me të është karini.” D.m.th. shejtani.

18. Është obligim që të afrohesh nga sutra, sepse Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka urdhëruar për këtë.

19. Distanca nga sutra e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) dhe vendi ku ai bënte sexhden ishte aq sa kalonte delja, dhe kush vepron kështu, ai është afruar aq sa është obligim.[3]

Lartësia e Sutras:

20. Sutra duhet të jetë rreth një apo dy pëllëmbë e ngritur nga toka, sepse Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nëse dikush nga ju vendos para vetes një send sa lartësia e shkopi që vendoset pas bishtit të kafshës (që mban samarin), atëherë të falet dhe të mos e e ketë problem se kush kalon pas saj.”[4]

21. Duhet të kthehesh në drejtim të Sutras dhe në mes të saj, sepse kjo është ajo që kuptohet nga urdhri për namazin drejt sutras, ndërsa mënjanimi djathtas apo majtas saj duke mos qëndruar drejtpërdrejt saj, është diçka që nuk ka ardhur nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem).

22. Lejohet që të falesh drejt një shkopi të ngulur në tokë apo ngjashëm me këtë, drejt pemës, shtyllës, ose drejt një gruaje të shtrirë në krevat e cila është nën mbulesë, ose drejt kafshës edhe nëse është deve.

Ndalimi i namazit në drejtim të varreve:

23. Nuk lejohet në asnjë mënyrë që të falesh në drejtim të varreve, qofshin varre të Pejgaberëve apo të njerëzve të tjerë.

Ndalimi i të kaluarit para atij që falet qoftë edhe në Mesxhid el Haram (Kabe):

24. Nuk lejohet të kalosh para atij që falet nëse ai ka sutra para vetes, dhe për këtë nuk ka dallim mes xhamisë së Kabes dhe xhamive të tjera. Që të gjitha xhamitë janë njësoj për moslejimin e kësaj, bazuar në kuptimin e përgjithshëm të fjalës së Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem): “Sikur ta dinte ai që kalonte para atij i cili është duke u falur, se çfarë gjynahi merr, atëherë që të qëndronte dyzet (hapa, apo njësi tjetër matëse) do të ishte më e mirë për të se sa të kalonte para tij.” D.m.th. kalimi mes atij që falet dhe sutras së tij.[5]

Ai që është duke u falur e ka obligim që ta pengojë atë që kalon para tij, qoftë edhe në xhaminë e Kabes:

25. Nuk i lejohet atij që falet para sutras, që të lejojë ndokënd të kalojë para tij, bazuar në hadithin e mësipërm: “…dhe mos lejo askënd që të kalojë para teje.”

Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) gjithashtu thotë: “Nëse dikush nga ju falet para një sendi që e mbulon nga njerëzit, dhe ndokush kërkon të kalojë para tij, atëherë ta shtyjë atë nga gjoksi dhe ta shmangë sa të mundet.” Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Ta ndalojë atë –dy herë- dhe nëse refuzon, atëherë ta sulmojë sepse ai është shejtan.”

Të ecurit përpara për të ndaluar kalimin para teje gjatë faljes:

26. Lejohet të ecësh një apo dy hapa përpara me qëllim që të ndalosh dikënd që kërkon të kalojë para teje gjatë faljes, qoftë ajo kafshë apo fëmijë, me qëllim që të kalojë nga mbrapa teje.

Çfarë e ndërpret namazin:

27. Nga rëndësia e vendosjes së Sutras në namaz është se ajo bëhet pengesë mes atij që falet dhe prishjes së namazit të tij: me kalimin para tij, ndryshe nga ai i cili nuk vendos Sutra, namazin e të cilit e pret (prish) kalimi i gruas së rritur, gomari dhe qeni i zi.

3. Nijeti

28. Ai që falet duhet patjetër që të bëjë nijetin për namazin që ngrihet të falë, duke e përcaktuar atë me zemrën e tij, si p.sh. për namazin farz të drekës apo të ikindisë, apo për faljen e suneteve të tyre për shembull. Nijeti është kusht ose shtyllë e namazit, ndërsa të shprehurit e tij me gjuhë është bidat në kundërshtim me sunetin, dhe askush prej bidatçinjve imitues të Imamëve të mëdhenj nuk e kanë thënë këtë gjë (se nijeti shprehet me gojë).

 

4. Tekbiri fillestar

29. Pastaj e hap namazin duke thënë “Allahu Ekber”, dhe kjo është shtyllë e namazit, sepse Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Çelësi i namazit është pastrami, ndalimi i tij[6] është tekbiri dhe lejimi i tij është selami.”

30. Nuk duhet ngritur zëri me thënien e tekbirit në asnjë prej namazeve vetëm në rast se je imam.

31. Lejohet që muezini ta përcjellë tekbirin e imamit tek njerëzit në rast nevoje (kur nuk dëgjohet zëri i imamit) për shkak të ndonjë sëmundje të imamit, zërit të dobët të tij ose për shkak të numrit të madh të njerëzve që falen pas atij imami.

32. Ata që falen pas imamit nuk duhet të marrin tekbir veçse pas mbarimit të thënies së tekbirit nga imami.

Ngritja e duarve dhe mënyra e saj

33. Me marrjen e tekbirit ngrihen edhe duart përnjëherë me të, ose para tij ose pas tij. Që të gjitha këto kanë ardhur në sunet.

34. Duart ngrihen duke qenë me gishta të shtrira.

35. Pëllëmbët e duarve i ngre deri në lartësinë e supeve, dhe ndonjëherë i ngre edhe më shumë deri në lartësinë e të butave të veshëve.[7]

Vendosja e duarve dhe mënyra e saj

36. Pastaj vendos dorën e djathtë mbi të majtën pas marrjes së tekbirit, gjë e cila është prej suneneve të pejgamberëve (alejhimu selam), dhe me këtë ka urdhëruar Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) shokët e tij, dhe nuk lejohet shtrirja e tyre.

37. Dorën e djathtë e vendos mbi shpinën e dorës së majtë, mbi kyçin e saj dhe mbi parakrah.

38. Ndonjëherë e kap dorën e majtë me të djathtën.[8]

Vendi ku vendosen duart:

39. Duart vendosen vetëm mbi gjoks, si për burrat edhe për gratë.[9]

40. Nuk lejohet që dorën e djathtë ta vendosësh mbi ijë (në namaz).

Frikërespekti dhe shikimi në vendin e sexhdes:

41. Njeriu duhet të falet me frikërespekt dhe të shmangë gjithçka që ia largon vëmendjen nga ai, prej zbukrimeve e gdhendjeve. As të mos falet në prezencë të ushqimit dhe as duke qenë se mban urinimin dhe nevojat personale.

42. Kur je në këmbë duhet të shohësh në vendin ku vendos kokën në sexhde.

43. Nuk duhet të kthehesh djathtas e majtas në namaz, sepse kthimi është vjedhje që shejtani i vjedh robit nga namazi i tij.

44. Nuk lejohet që ta ngresh shikimin në qiell (gjatë namazit).

Lutja e hapjes së namazit:

45. Pastaj e fillon leximin me disa lutje të përcjella nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem), dhe ato janë të shumta. Prej tyre është: “Subhaneke Allahume ue bihamdike, ue tebareke ismuke, ue teala xhedduke, ue la ilahe gajruke” (I Pastër je Ti, O Zoti im nga çdo e metë. U shenjtëroftë Emri Yt! U lartësoftë Krenaria Jote! Nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Teje.)

Duaja për fillimin e namazit është urdhëruar nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) kështu që ajo duhet të bëhet.

5. Leximi nga Kurani në namaz

46. Pastaj i kërkon mbrojtje Allahut nga shejtani i mallkuar, gjë e cila është vaxhib dhe në lënien e saj ka gjynah.

47. Suneti është që herë të thuash: “Eudhu bilahi mine shejtani rraxhim, min hemzihi ue nefkhihi ue nefthihi” (I kërkon mbrojtje Allahun nga shejtani i mallkuar, nga nxitja e tij, fryrja e tij dhe nefthi i tij!) –Nefthi në këtë rast është poezia e dënuar, negative.

48. Dhe herë të thuash: “Eudhu bilahi es semijil alim, mine shejtani rraxhim, min hemzihi ue nefkhihi ue nefthihi”.

49. Pastaj thua nën zë (pa zë), si në namazet ku Kurani lexohet me zë edhe në ato ku lexohet pa zë: “Bismilahi rrahmani rrahim”.

Leximi i sures Fatiha:

50. Pastaj lexon suren Fatiha plotësisht –ku përfshihet edhe Bismila-ja- dhe leximi i saj (Fatihasë) është rukn (shtyllë) e namazit pa të cilën namazi nuk vlen. Kështu që të huajt (joarabët) e kanë vaxhib që ta mësojnë atë.

[(1) Bismilahi-rrahmani-rrahim. (2) El hamdu lilahi rabbil alemin. (3) Arrahmani-rrahim. (4) Maliki jeumid-din. (5) Ijjake neabudu ue ijjake nestain. (6) Ihdinis-siratal-mustekim. (7) Siratal-ledhine en-amte alejhim, gajril-magdubi alejhim, ue-lad-dalin.

(1) Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! (2) I gjithë lavdërimi i përket Allahut, Zotit të të gjitha botëve, (3) të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, (4) Sunduesit të ditës së llogarisë. (5) Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm Ty të kërkojmë ndihmë e mbështetje. (6) Na udhëzo në rrugën e drejtë! (7) Në rrugën e atyre të cilëve u ke dhuruar mirësi, jo të atyre që kanë merituar zemërimin (Tënd) dhe as të atyre të cilët kanë humbur! [Surja El-Fatiha].

51. Ndërsa ai i cili nuk mundet ta mësojë atë, atëherë i mjafton të thotë “Subhanallah uel hamdu lilah ue la ilahe ilallah ue Allahu ekber, ue la haule ue la kuvete ila bilah” (I lartësuar qoftë Allahu! Të gjitha lavdërimet dhe falënderimet janë vetëm për Allahun. Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe Allahu është më i Madhi! Nuk ka mundësi dhe as fuqi veçse me Allahun.)

52. Suneti është që Fatihaja të lexohet me ndërprerje pas çdo ajeti, duke vepruar kështu: Të thuash: “Bismilahi rrahmani rrahim”, pastaj të pushosh, pastaj të thuash: “Elhamdu lilahi rabil alemin”, pastaj të pushosh, pastaj të thuash: “Er rrahmani rrahim”, e kështu deri në fund të sures.

Kështu ishte leximi i Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) në të gjitha suret: qëndronte në krye të çdo ajeti dhe nuk e lidhte një ajet me ajetin pasardhës, edhe nëse kuptimi i ajetit pasardhës lidhet me ajetin paraardhës.

53. Lejohet që të lexohet “Maliki” me theksin te a-ja, dhe lejohet të lexohet “Meliki” me theksin te i-ja e fundit.

Të lexuarit e fatihasë nga ai që falet pas një imami:

54. Ai i cili falet pas një imami e ka obligim (vaxhib) që ta lexojë Fatihanë pas imamit në namazet ku lexohet pa zë dhe në ato ku lexohet me zë nëse nuk e dëgjon leximin e imamit, ose nëse imami hesht pas leximit të Fatihasë me qëllim që xhemati të mund ta lexojnë Fatihanë! Megjithëse ne mendojmë se kjo heshtje dhe qëndrim i imait nuk ka ardhur në sunet.

Të lexuarit nga Kurani pas leximti të Fatihasë:

55. Është sunet që pas leximti të Fatihasë të lexohet edhe një sure tjetër, ose të disa ajeteve në dy rekatet e para të namazit, madje edhe në namazin e xhenazes.

56. Herë lexon gjatë dhe herë shkurt pas leximit të Fatihasë, sipas kushteve si në rastin kur je në udhëtim, ose i sëmurë ose kur qan fëmija.

57. Të lexuarit nga Kurani ndryshon me ndryshimin e namazeve; leximi në namazin e sabahut, për shembull, është më i gjatë se leximi në namazet e tjera, pastaj vjen dreka, pastaj ikindia, pastaj jacia dhe pastaj akshami, në shumicën e rasteve.

58. Ndërsa leximi në namazin e natës është më i gjatë se leximi në të gjitha këto namaze.

59. Suneti është që leximi në rekatin e parë të jetë më i gjatë se në rekatin e dytë.

60. Dhe leximi në dy rekatet e fundit të jetë më i shkurtër se në dy rekatet e para, sa gjysma e tyre.

Të lexuarit e Fatihasë në çdo rekat:

61. Leximi i Fatihasë është vaxhib në çdo rekat.

62. Është sunet që përveç saj të lexohet edhe diçka tjetër nga Kurani në dy rekatet e fundit, ndonjëherë.

63. Nuk lejohet që imami të lexojë më gjatë se ajo që ka ardhur në sunet, sepse kështu ai ngushton ndokënd që falet pas tij prej të moshuarve, të sëmurëve, grave gjidhënëse apo ndonjë nevojtari.

Të lexuarit me zë dhe të lexuarit pa zë në namaz:

64. Lexohet me zë në namazin e sabahut, të xhumasë, të dy festave, të shiut, të eklipsit, në dy rekatet e para të akshamit dhe në dy rekatet e para të jacisë.

Lexohet pa zë në namazin e drekës, të ikindisë, në rekatin e tretë të akshamit dhe në dy rekatet e fundit të jacisë.

65. Lejohet që imami të nxjerrë zë që ta dëgjojë xhemati në leximin e ndonjë ajeti në namazet ku lexohet pa zë.

66. Ndërsa në namazin e vitrit dhe në namazin e natës lexohet herë pa zë dhe herë me zë por nuk e ngre shumë zërin.

Të lexuarit e Kuranit ngadalë:

67. Suneti është që Kurani të lexohet ngadalë, as shpejt dhe as lodhshëm, por me lexim të qartë gërmë për gërmë dhe duke e zbukuruar leximin me zërin tënd.

Mund ta këndosh Kuranin brenda kufijve të rregullave të njohura në texhvid, por nuk lejohet ta këndosh atë sipas melodive të shpikura dhe as sipas rregullave të muzikës.

Të kujtuarit imamin nëse ai harron gjatë leximit:

68. Lejohet për xhematin që ta kujtojë imamin nëse ai harron apo ngatërrohet gjatë leximit të Kuranit në namaz.

6. Rukuja –përkulja e kurrizit

69. Pasi mbaron së lexuari, pushon pak sa të marrësh frymë.

70. Pastaj ngre duart si në formën e përmendur më parë në tekbirin fillestar.

71. Thua “Allahu Ekber”, gjë e cila është vaxhib të thuhet.

72. Pastaj përkulesh në ruku deri sa gjymtyrët të zenë vend dhe secila prej tyre të qetësohet, dhe kjo është rukn (shtyllë në namaz).

Forma e rukusë:

73. Duart i vendos mbi gjunjë dhe i mbështet mirë mbi to me gishtat e duarve të hapura sikur shtrëngon gjurin, dhe e gjitha kjo është vaxhib në namaz.

74. Shpinën e shtrin dhe e drejton sa që sikur të hidhej ujë mbi shpinë, të qëndronte mbi të. Kjo është vaxhib në namaz.

75. Koka nuk ulet dhe as nuk ngrihet por mbahet në një nivel me trupin.

76. Bërrylat i largon nga ijet.

77. Dhe duke qenë në ruku thua: “Subhane rabiel adhim”, tre ose më shumë herë.[10]

Barazimi mes rukneve (shtyllave të namazit):

78. Është prej sunetit që të barazosh mes rukneve të namazit; që rukuni, ngritjen pas rukusë, sexhden dhe qëndrimin ulur mes dy sexhdeve t’i bësh afërsisht njësoj për nga gjatësia.

79. Nuk lejohet që në ruku apo në sexhde të lexohet nga Kurani.

Të drejtuarit pas rukusë:

80. Pastaj ngre kurrizin nga rukuja duke u drejtuar dhe kjo vepër është prej rukneve të namazit.

81. Gjatë të drejtuarit thua: “Semiallahu limen hamideh” –Allahu e dëgjon atë që e falënderon Atë. Kjo vepër është nga vaxhibet e namazit.

82. Gjatë të drejtuarit ngre duart në formën e përshkruar më parë.

83. Pastaj qëndron drejt i qetë deri sa çdo pjesë e trupit të shkojë në vendin e vet, dhe kjo është rukn në namaz.

84. Në këtë drejtqëndrim thua: “Rabena ue lekel hamd”[11] –O Zoti ynë! Ty të takon lavdërimi. Kjo gjë është vaxhib për çdokënd që falet, qoftë edhe për imamin[12]; sepse ky dhikër është trëndafili i drejtqëndrimit, ndërsa thënia “Semiallahu limen hamideh” është trëndafili i ngritjes nga rukuja.

85. Mes këtij qëndrimi në këmbë dhe rukusë bën barazim për nga gjatësia, siç e thamë më sipër.

 

7. Sexhdja

86. Pastaj thua: “Allahu ekber”, gjë e cila është vaxhib.

87. Dhe ndonjëherë i ngre duart (kur bie në sexhde).

Rënia në sexhde:

88. Pastaj bie në sexhde mbi duar duke i vendosur ato para gjunjëve, gjë me të cilën ka urdhëruar Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem), është vërtetuar nga vepra e tij dhe ai ka ndaluar nga të ngjasuarit me uljen e devesë, e cila ulet mbi gjunjët e përparme.

89. Kur bën sexhden, gjë e cila është rukën në namaz, mbështetesh mbi pëllëmbët e duarve dhe i hap ato.

90. Ndërsa gishtat e duarve i bashkon me njëri-tjetrin.

91. Duke i drejtuar nga Kibla.

92. Duart i vendos paralel me supet.

93. Dhe ndonjëherë paralel me veshët.

94. Bërrylat duhet t’i ngresh nga toka detyrimisht (vaxhib) dhe nuk duhet t’i mbështesësh në tokë ashtu siç bën qeni.

95. Hundën dhe ballin i mbështet mirë në tokë, dhe kjo është rukn në namaz.

96. Po kështu edhe gjunjtë i mbështet mirë në tokë.

97. Po kështu edhe majat e gishtave të këmbëve.

98. Këmbët i mban drejt (mbi majat e gishtave), dhe të gjitha këto janë vaxhib në namaz.

99. Majat e gishtave të këmbëve i përthyen me drejtim nga Kibla.

100. Thembrat e këmbëve i bashkon me njëra-tjetrën.

Të qëndruarit mirë në sexhde:

101. Është vaxhib që të qëndrosh mirë dhe drejt në sexhde, duke u mbështetur në mënyrë të lirshme dhe të barabartë mbi të gjitha gjymtyrët e sexhdes, të cilat janë: balli bashkë me hundën, dy pëllëmbët e duarve, dy gjunjtë dhe majat e këmbëve.

102. Kushdo që e bën sexhden në këtë mënyrë, sigurisht që është qetësuar në të, dhe të qetësuarit në sexhde është prej rukneve të namazit.

103. Në sexhde thua: “Subhane rabiel eala” –I Lartëmadhëruar është Zoti im, më i Larti, tre ose më shumë herë.[13]

104. Është e pëlqyeshme që gjatë të qenurit në sexhde të bësh sa më shumë lutje, pasi që ajo është vend i përgjigjes së lutjes.

105. Sexhden e zgjat afërsisht sa zgjatja e rukusë, siç e thamë më sipër.

106. Lejohet që sexhdja të bëhet në tokë, ose mbi ndonjë mbulesë mes tokës dhe ballit qoftë rrobë, sixhade, hasir e ngjashëm me këto.

107. Nuk lejohet që në sexhde të lexosh Kuran.

Mënyrat e të qëndruarit ulur mes dy sexhdeve:

108. Pastaj ngre kokën duke thënë “Allahu Ekber”, gjë e cila është vaxhib.

109. Ndonjëherë ngre edhe duart gjatë ngritjes (nga sexhdja).

110. Pastaj ulesh i qetë deri sa të gjitha eshtrat e trupit të zënë vend, gjë e cila është rukn në namaz.

111. Këmbën e majtë e shtrin mbi shpinën e saj dhe ulesh mbi të. Kjo është vaxhib.

112. Ndërsa këmbën e djathtë e mban të drejtuar.

113. Gishtat e këmbës së djathtë i përthyen me drejtim nga Kibla.

114. Lejohet që ndonjëherë të ulesh mbi thembra dhe mbi kurrizin e këmbëve.

115. Në këtë qëndrim thua: “Allahume igfirli, ue irhamni, ue uxhburni, ue irfeani, ue afini, ue urzukni” –O Zot! Më fal mua, më mëshiro, më ndihmo, më lartëso, më shëro dhe më furnizo!

116. E nëse dëshiron, mund të thuash: “Rabbi igfirli, rabbi igfirli”.

117. Këtë qëndrim e zgjat afërisht sa të qëndruarit në sexhde.

Sexhdja e dytë:

118. Pastaj thua “Allahu ekber”, gjë e cila është vaxhib.

119. Bashkë me këtë tekbir ngre edhe duart ndonjëherë.

120. Pastaj bën sexhden e dytë e cila është gjithashtu rukn në namaz.

121. Dhe vepron në të ashtu si në sexhden e parë.

Ulja e pushimit:

122. Kur ngre kokën nga sexhdja e dytë dhe don të ngrihesh për rekatin e dytë, merr tekbir (thua “Allahu ekber”), gjë e cila është vazhib në namaz.

123. Ndonjëherë ngre edhe duart (kur ngre kokën nga sexhdja e dytë).

124. Para se të ngrihesh në këmbë, pushon duke u ulur mbi këmbën e majtë deri sa çdo eshtër të zerë vend.

Rekati i dytë:

125. Pastaj ngrihesh duke u mbështetur në tokë me duart të bëra grusht ashtu si i bën gatuesi i brumit, dhe kjo është rukn në namaz (ngritja në rekatin e dytë).

126. Pastaj vepron në të ashtu si në rekatin e parë.

127. Vetëm se në këtë rekat nuk lexon më duanë e hapjes së namazit.

128. Rekatin e dytë e zgjat më pak se të parin.

Të qëndruarit ulur për thënien e teshehudit:

129. Pas përfundimit të rekatit të dytë, qëndron ulur për të thënë teshehudin, i cili është vaxhib.

130. Gjatë teshehudit qëndron ulur ashtu si e shpjeguam më sipër në qëndrimin mes dy sexhdeve.

131. Por në këtë rast nuk lejohet të ulurit mbi thembra.

132. Pëllëmbën e dorës së djathtë e vendos mbi kofshën dhe gjurin e djathtë dhe të, duke qenë se fundi i bërrylit të djathtë te vendoset mbi kofshë dhe mos ta largosh nga kofsha.

133. Po kështu dorën e majtë e vendos mbi kofshën dhe gjurin e majtë.

134. Nuk lejohet që të ulesh i mbështetur mbi dorë, e veçanërisht mbi dorën e majtë.

Lëvizja e gishit dhe të vështruarit te ai:

135. Gishtat e dorës së djathtë i mbledh të gjitha duke e vendosur gishtin e madh mbi gishtin e mesëm.

136. Dhe ndonjëherë formon rreth me ato dy.

137. Me gishtin tregues bën shenjë nga Kibla.

138. Dhe e hedh shikimin tek ai.

139. E lëviz gishtin tregues dhe bën lutje gjatë lëvizjes së tij nga fillimi në fund të teshehudit.

140. Ndërsa gishtin e dorës së majtë nuk e ngre.

141. Këto i vepron në të gjitha teshehudet.

Shprehja e teshehudit dhe duaja pas tij:

142. Teshehudi është vaxhib dhe nëse e harron, duhet të bësh dy sexhdet e harresës.

143. Teshehudin e thua nën zë.

144. Shprehja e teshehudit është kështu: “Et tehijatu lilthi, ues salavatu uet tajjibatu, es selamu alan nebiji[14] ue rahmetullahi ue berekatuhu. Es selamu alejna ue ala ibadilahi es salihin. Esh hedu en la ilahe ilallah, ue esh hedu enne Muhammeden abduhu ue rasuluhu.”[15]

145. Pastaj dërgon salavat mbi Pejgamberin (salallahu alejhi ue selem) duke thënë: “Allahumme sali ala Muhamedin ue ala ali Muhamed kema salejte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahim, inneke hamidun mexhid. Allahumme barik ala Muhamedin ue ala ali Muhamed kema barekte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahim, inneke hamidun mexhid.”

146. E nëse dëshiron ta thuash më shkurtë, thuaj: “Allahumme sali ala Muhamedin ue ala ali Muhamed, uë barik ala Muhamedin ue ala ali Muhamed, kema salejte ue barekte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahim, inneke hamidun mexhid.”

147. Pastaj në këtë teshehud zgjedh çfarë të pëlqen prej duave të përcjella për këtë dhe i lutesh Allahut me to.

Rekati i tretë dhe i katërt:

148. Pastaj merr tekbir, gjë e cila është vazhib.

149. Bashkë me tekbirin ngre edhe duart ndonjëherë.

150. Pastaj ngrihesh për rekatin e tretë, i cili është rukn ashtu si edhe ai pas tij.

151. Po kështu vepron edhe kur ngrihesh për rekatin e katërt.

152. Por para se të ngrihesh në rekatin e katërt duhet të qëndrosh ulur mbi këmbën e majtë aq sa çdo gjymtyrë të zërë vendin e vet.

153. Pastaj ngrishesh duke u mbështetur mbi duar, ashtu siç vepron kur ngrihesh për rekatin e dytë.

154. Pastaj lexon suren Fatiha në rekatin e tretë dhe të katërt, gjë e cila është vazhib në namaz.

155. Ndonjëherë shton pas saj ndonjë ajet apo më shumë.

Kunuti (duaja) në rast fatkeqësije dhe vendi i tij:

156. Është sunnet që të bësh kunut dhe të lutesh për muslimanët në rast fatkeqësie të përgjithshme.

157. Vendi i tij është që të bëhet pasi të ngrihesh nga rukuja dhe pas fjalës “Rabbena ue lekel hamdu”.

158. Për këtë nuk ka ndonjë lutje të prerë, por lutesh sipas fatkeqësisë së ndodhur.

159. Gjatë kësaj duaje ngre duart.

160. Nëse je imam, duhet ta bësh duanë me zë.

161. Ata që falën pas imamin duhet të bëjnë “amin!” (pas çdo lutje dhe heshtje të imamit).

162. Kur të përfundosh duanë, merr tekbir dhe bie në sexhde.

Kunuti (duaja) e namazit të vitrit dhe shprehja e tij:

163. Kunuti i vitrit është i ligjëruar që të bëhet ndonjëherë.

164. Vendi i tij është para rukusë, ndryshe nga kunuti në rast fatkeqësie.

165. Në kunutin e vitrit lutesh me këtë lutje:

“Allahume ihdini fijmen hedejte, ue afini fijmen afekte, ue teveleni fijmen tevelejte, ue barik li fijma eatejte, ue kini sherra ma kadajte, fë inneke tekdi ue la jukda aleje. Innehu la jedhilu men ualejte ue la jeazzu men adete. Tebarekte rabbena ue tealejte, ue la menxha minke ila ilejke.”

166. Kjo dua është nga mësimet e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), ndaj nuk duhet të shtohet mbi të, përveç dërgimit të salavateve mbi Pejgamberin (salallahu alejhi ue selem) e cila lejohet, pasi që kjo gjë është përcjellë nga sahabet (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!).

167. Pastaj bën rukuni dhe dy sexhdet, siç e pamë më sipër.

Teshehudi i fundit dhe mënyra e uljes në të:

168. Pastaj ulesh për teshehudin e fundit dhe që të dy ata (teshehudet) janë vaxhib në namaz.

169. Vepron në të ashtu si në teshehudin e parë.

170. Përveç se në këtë teshehud ulesh në atë mënyrë që kofsha dhe e ndenjura e majtë vendoset mbi tokë, ndërsa të dyja këmbët i nxjerrë nga njëra anë, duke e futur këmbën e majtë nën kërcirin e këmbës së djathtë.

171. Ndërsa këmbën e djathtë e mban të drejtuar (të ngritur).

172. Ndonjëherë lejohet që ta shtrish edhe atë me kurriz në tokë.

173. Me dorën e majtë kap gjurin e majtë dhe mbështetesh mbi të.

Obligueshmëria e të dërguarit salavat mbi Pejgamberin dhe të kërkuarit e mbrojtjes së Allahut për katër gjëra:

174. Në këtë teshehud është vaxhib që të dërgosh salavat mbi Pejgamberin (salallahu alejhi ue selem), disa prej shprehjeve të së cilit i përmendëm në teshehudin e parë.

175. Si dhe t’i kërkosh mbrojtje Allahut nga katër gjëra: “Allahume inni eudhu bike min adhabi xheheneme ue min adhabil kabr, ue min fitnetil mehja uel mezati, ue min sherri fitneti el mesiti ed dexhal.” (O Zot! Të kërkoj mbrotje nga dënimi i xhehenemit, nga dënimi i varrit, nga sprova e jetës dhe e vdekjes dhe nga sprova e dexhalit!).

Lutjet para dhënies selam:

176. Pastaj lutesh për veten tënde me çfarë të dëshirosh prej lutjeve të ardhura në Kuran dhe në Sunet, të cilat janë të shumta e të mira. Nëse nuk di asnjë prej atyre lutjeve, lutesh me çfarë ta kesh më lehtë për gjëra që të bëjnë dobi në dynja dhe në ahiret.

Dhënia e selamit dhe llojet e tij:

177. Pastaj jep selam nga ana e djathtë, gjë e cila është rukn në namaz, deri sa të duket e bardha e nofullës së djathtë.

178. Pastaj jep selam nga ana e majtë deri sa të duket e bardha e nofullës së majtë, qoftë edhe në namazin e xhenazes.

179. Imami duhet ta ngrejë zërin me dhënien e selamit, me përjashtim të namazit të xhenazes.

180. Dhënia e selamit ka disa forma:

E para: “Es selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu”; nga ana e djathtë, dhe “Es selamu alejkum ue rahmetullah”; nga ana e majtë.

E dyta: Njësoj si e para por pa shtuar “ue berekatuhu”.

E treta: “Es selamu alejkum ue rahmetullah”; nga e djathta dhe “Es selamu alejkum”; nga e majta.

E katërta: Jep vetëm një selam përpara vetes duke anuar pak nga e djathta.

Vëlla mysliman! Kjo është ajo që m’u mundësua nga përmbledhja e formës së namazit të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), duke u përpjekur që ta afroj dhe ta lehtësoj atë për ty, ,e qëllim që ta kesh të qartë dhe ta përfytyrosh në mendjen tënde njësoj sikur ta shohësh me sytë e tu.

N.q.s ti falesh ashtu si ta përshkrova prej namazit të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), unë shpresoj nga Allahu i Madhëruar që ta pranojë atë prej teje, sepse në këtë rast ti ke praktikuar me të vërtetë fjalën e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem): “Faluni siç më shihni mua të falem.”

Pas kësaj, ti nuk duhet të harrosh përkujdesjen për prezentimin e zemrës dhe frikërespektit në namaz, gjë e cila është qëllimi më i madh nga të qëndruarit e robit para Allahut të Madhëruar në namaz. Në varësi të realizimit në veten tënde të këtyre që të përshkrova prej frikërespektit dhe imitimit të namazit të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), do të korrësh frytet e shpresuara të cilat i ka përmendur Zoti ynë i Madhëruar në Fjalën e Tij: “Vërtet që namazi ndalon nga shthurja dhe e keqja.”

Në mbyllje: Lus Allahun e Madhëruar që ta pranojë prej nesh namazin tonë dhe të gjitha veprat e mira, dhe të na i rezervojë shpërblimet e tyre për në Ditën kur ta takojmë Atë: “Ditë në të cilën nuk bën dobi as pasuria dhe as fëmijët, përveç atij i cili shkon tek Allahu me zemër të pastër.”

Lavdëruar qoftë Allahu, Zoti i botëve!

_____________________________________________

[1] Këtu shohim një shprehje të hollë: që kur falesh nuk i vendos sandalet (apo këpucët) para vetes (por tek këmbët), gjë të cilën e bëjnë shumica e atyre që falen duke u falur drejt këpucëve të tyre!

[2] Sutra d.m.th. një send mbulues, dhe është për qëllim këtu që të falesh duke pasur para një send apo njeri që të jetë pengesë për njerëzit nga të kaluarit para teje kur falesh, por të kalojë nga pas sutras. (Sh.P.)

[3] Nga këtu e mësojmë se ajo që bëjnë njerëzit në të gjitha xhamitë që kam parë në Siri dhe në vende të tjera, të cilët falen në mes të xhamisë dhe larg murit apo shtyllave të xhamisë, nuk është veçse pavëmendësi e tyre nga urdhëri i tij (salallahu alejhi ue selem).

[4] Është fjala për shkopin që vendoset pas bishtit të kafshës për të mbajtur samarin apo shalën e kalit. Nga hadithi kuptohet gjithashtu se viza e bërë në tokë nuk mjafton dhe hadithi ku përmendet kjo gjë (viza në tokë) është i dobët.

[5] Ndërsa hadithi se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) u fal në një cep të rrethit pa pasur sutra dhe njerëzit kalonin para tij, nuk është i saktë, megjithëse në të nuk thuhet se kalimi ishte mes tij dhe vendit ku bënte sexhden.

[6] D.m.th. ndalimi nga ato vepra që ka ndaluar Allahu, dhe po kështu edhe lejimi i tij është lejimi i veprave të lejuara jashtë namazit.

[7] Ndërsa prekja e të butave të veshëve me gishtin e madh nuk ka bazë në sunet, por për mendimin tim kjo gjë është nga shtytësit e vesveseve.

[8] Ndërsa ajo që kanë zgjedhur si të preferuar disa bashkëkohorë prej bashkimit mes vendosjes dhe kapjes në të njëjtën kohë, është diçka që nuk ka bazë.

[9] Ndërsa vendosja e duarve në vend tjetër përveç gjoksit: ose është përcjellë me hadith të dobët ose nuk ka bazë.

[10] Gjithashtu kanë ardhur përmendje të tjera të cilat përmenden në këtë rukën, disa të gjata e disa të shkurtëra, për të cilat mund të ktheheni në librin e plotë.

[11] Gjithashtu kanë ardhur përmendje të tjera të cilat përmenden në këtë rukën, disa të gjata e disa të shkurtëra, për të cilat mund të ktheheni në librin e plotë.

[12] Ndërsa vendosja e duarve mbi njëra tjetrën në këtë rukën nuk është e ligjërueshme për shkak se një gjë e tillë nuk është përcjellë. Për më shumë mund të ktheheni te libri i plotë.

[13] Gjithashtu kanë ardhur përmendje të tjera të cilat përmenden në këtë rukën, disa të gjata e disa të shkurtëra, për të cilat mund të ktheheni në librin e plotë.

[14] Kështu duhet të thuhet pas vdekjes së Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), shprehja e cila është përcjellë nga Ibën Mesudi, Aisha, Ibën Zubejr dhe Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Kush dëshiron hollësi të mëtejshme të kthehet te libri i plotë për formën e namazit.

[15] Në librin e plotë të formës së namazit gjen edhe shprehje të tjera të teshehudit, por kjo që kemi përmendur këtu është më e sakta e tyre.