KAPITULLI I AGJËRIMIT

 

Tema

Vërtetimi i hyrjes së Ramazanit dhe mbylljes së tij nga dëshmitarët

  1. Ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Disa njerëz po ruanin hënën (e Ramazanit), dhe unë lajmërova të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) që unë e pashë atë. Atëherë ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) agjëroi, dhe urdhëroi njerëzit që të agjërojnë.”

E transmeton Ebu Daudi dhe Darakutni, i cili thotë: Mervan ibën Muhamed e përciell atë i vetëm nga Ibën Ueheb, i cili është i besueshëm. [Sahih – El Irva’ 908].

2. Ikrimah transmeton nga ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ky ka thënë: “Një beduin erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe tha: “Unë pashë hënën – d.m.th. të Ramazanit”. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i tha: “A dëshmon se nuk ka Zot tjetër përvec Allahut?” Beduini tha: “Po.” I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i tha: “A Dëshmon se Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është i Dërguari i Allahut? Beduini tha: “Po.” I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “O Bilal, lajmëroi njerëzit që të agjërojnë nesër!” E trasmetojnë të pestë, përvec Ahmedit. [Daif – i dobët: El Irva 907, Daif Ebi Daud 402]. E transmeton gjithashtu Ebu Daudi nga hadithi i Hamad Ibën Seleme nga Semaku, nga Ikrimah, por mursel (si fjalë e Ikrimas), me të njëjtin kuptim, por thotë: “Urdhëroi Bilalin që të lajmëronte njerëzit të faleshin (teravitë) dhe të agjëronin.” [Daif – Daif Ebi Daud 402].

3. Rabiu Ibën Harash transmeton nga një burrë prej shokëve të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) se ky ka thënë: “Njerëzit u kundërshtuan për ditën e fundit të Ramazanit, por dy beduinë erdhën tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe u betuan për Allahun që hëna e re kishte dalë dje në mbrëmje. Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i urdhëroi njerëzit që të mbyllin agjërimin.”

E transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi, i cili shton në një transmetim të tijin: “dhe të shkojnë në vendin e faljes së Bajramit.” [Sahih – Sahih Ebi Daud 2027].

4. Abdurrahman ibën Zejd ibën Hatab transmeton se: “Ai mbajti hutbe në atë ditë që ishte e dyshimtë dhe tha: Unë u shoqërova me shokët e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe i pyeta ata, e ata më treguan se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Agjëroni kur të shihni hënën dhe mbylleni agjërimin kur të shihni hënën, dhe jepini hakun atij (Ramazanit me adhurim). Nëse ju pengojnë retë, atëherë i plotësoni tridhjetë ditë. Nëse dëshmojnë dy dëshmitarë muslimanë, atëherë agjëroni ose mbylleni agjërimin.”

E transmeton Ahmedi dhe Nesai, por në transmetimin e këtij të fundit nuk thuhet: “muslimanë”, por vetëm “dëshmitarë”. [Sahih – Irvaul Galil 909].

5. Princi i Mekës, Harith ibën Hatib ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) na urdhëroi që të kryejmë adhurimin (e agjërimit) kur të shikojmë hënën. Nëse nuk arrim ta shohim, por dëshmojnë dy dëshmitarë të drejtë, atëherë fillojmë agjërimin me dëshminë e tyre.” E transmeton Ebu Daudi dhe Darakutni, i cili thotë: Ky zinxhir është i lidhur, i saktë. [Sahih – Sahih Ebi Daud 2026].

Tema

Çfarë ka ardhur për ditën me re dhe ditën e dyshimtë

6. Ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur ta shihni atë (hënën e Ramazanit), agjëroni! Dhe kur ta shihni atë (hënën e Shevalit), mbylleni agjërimin! Nëse qielli mbulohet nga retë, llogaritni (tridhjetë ditë që nga fillimi i Ramazanit).” E transmeton Buhariu, Muslimi, Nesai dhe Ibën Maxheh.

Në një transmetim tjetër thuhet: “Muaji është me njëzetë e nëntë netë, por mos agjëroni deri sa ta shihni atë (hënën e Ramazanit). Nëse ju pengojnë retë, atëherë i plotësonitridhetë ditë.” E transmeton Buhariu.

Në një transmetim tjetër thuhet: “I Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) përmendi Ramazanin duke treguar me gishtat e të dyja duarve: “Muaji i agjërimit është kështu (duke treguar dhjetë gishtat për dhjetë ditët e para), kështu (duke treguar dhjetë gishtat për dhjetë ditët e dyta) dhe kështu (duke treguar nëntë gishta për nëntë ditët e fundit), duke përthyer gishtin e madh tek e treta. Agjëroni kur të shikoni hënën dhe mbylleni agjërimin po me shikimin e hënës! Nëse ju pengojnë retë, atëherë plotësoni tridhjetë ditë.” E transmeton Muslimi.

Në një transmetim tjetër thuhet: “Muaji është me njëzetë e nëntë ditë. Mos agjëroni deri sa ta shikoni hënën dhe mos e përfundoni agjërimin deri sa ta shikoni atë! Nëse ju pengojnë retë, atëherë llogariteni (tridhjetë ditë).” E transmeton Muslimi dhe Ahmedi, i cili shton: Nafiu thotë: “Kur plotësoheshin njëzet e nëntë ditë nga Shabani, Abdullai (ibën Umeri) dërgonte dikë që të shihte hënën; nëse e shihte, atëherë vepronte sipas dëshmisë së tij, dhe nëse nuk e shihte dhe nuk kishte pengesë reje ose tymi, atëherë nuk e fillonte agjërimin, dhe po kështu nëse e pengonte shikimin e hënës (së Shevalit) re ose tym, ai agjëronte (plotësonte 30 ditë nga Ramazani).”

7. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Agjëroni kur të shihni hënën dhe mbylleni agjërimin kur të shihni hënën. Nëse ju fshihet (nga retë), atëherë plotësoni muajin e Shabanit tridhjetë ditë.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi, por në transmetimin e këtij të dytit thuhet: “Nëse ju fshihet (nga retë), atëherë numëroni tridhjetë ditë.” Në një transmetim tjetër thuhet: “Agjëroni kur ta shihni hënën, dhe nëse ju pengojnë retë, atëherë plotësoni tridhjetë ditë.” E transmeton Ahmedi. [Sahih – El Irva’ 902].

Në një transmetim tjetër thuhet: “Nëse e shihni hënën e re, agjëroni, dhe nëse e shihni atë (në fund të muajit), mbylleni agjërimin. Nëse ju pengojnë retë, atëherë plotësoni tridhjetë ditë!” E transmeton Ahmedi, Muslimi, Ibën Maxheh dhe Nesai.

Në një transmetim tjetër thuhet: “Agjëroni kur të shihni hënën dhe mbylleni agjërimin kur të shihni hënën. Nëse ju pengojnë retë, atëherë plotësoni tridhjetë ditë (Ramazan) dhe më pas mbylleni agjërimin.” E transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu dhe e saktësoi atë. [Hasen Sahih – Et Tealikat el Hisan ala Sahih ibën Hiban 3450 = 3459].

8. Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Agjëroni kur ta shihni atë (hënën e re) dhe mbylleni agjërimin kur ta shihni atë (hënën e re)! Nëse ndonjë re ju pengon që ta shikoni atë, atëherë i plotësoni tridhjetë ditë dhe mos e prisni muajin e Ramazanit duke agjëruar!”

E transmeton Ahmedi, Nesai dhe Tirmidhiu me të njëjtin kuptim dhe e ka quajtur të saktë. [Sahih – Sahihul Xhami’ 3809, Es Sahiha 197].

Po nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në një transmetim të Nesait thuhet: “atëherë plotësoni numrin e ditëve të Shabanit (30 ditë).” Nesai e ka nxjerrë atë nga hadithi i Ebu Junusit; nga Semaku; nga Ikrimah.

Në një transmetim tjetër thuhet: “Mos e prisni muajin e agjërimit duke agjëruar me një ose dy ditë para tij, përveç nëse dikush prej jush agjëron agjërim të rregullt (si p.sh. Agjërimi i Daudit). Mos filloni agjërimin (e Ramazanit) deri sa ta shihni atë (hënën e re), pastaj agjëroni deri sa ta shihni atë (hënën e re të Shevalit)! Nëse atë e pengon ndonjë re, atëherë plotësoni tridhjetë ditë (nga Ramazani), pastaj mbylleni agjërimin.” E transmeton Ebu Daudi. [Sahih – Sahihul Xhami’ 2580, 7392, dhe El Irva’ 902].

9. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ishte i kujdesshëm që të shihte hënën e Shabanit si të asnjë muaji tjetër. Ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) agjëronte kur shihte hënën e Ramazanit, dhe nëse e pengonte ndonjë re, atëherë numëronte tridhjetë ditë (nga Shabani) dhe pastaj agjëronte (Ramazanin).”

E transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Darakutni, i cili thotë: Senedi i tij është Hasen Sahih. [Sahih – El Mishkat 1980].

10. Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mos e prisni muajin me agjërim deri sa të shihni hënën e re (të Ramazanit) ose të plotësoni tridhjetë ditë (nga Shabani), pastaj vazhdoni të agjëroni deri sa të shihni hënën (e Sheualit) ose të plotësoni numrin (tridhjetë ditë)!”

E transmeton Ebu Daudi dhe Nesai. [Sahih – Sahihul Xhami’ 7394].

11. Amar ibën Jasir (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kush agjëron atë ditë që është e dyshimtë, ka kundërshtuar Ebu El-Kasim, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).”

E transmetojnë të pestët, përveç Ahmedit. Tirmidhiu e konsideron të saktë. E ka përmendur edhe Buhariu në formën Mualak (pa sened). [Sahih – El Irva’ 961].

Tema

Nëse banorët e një vendi shohin hënën e re,

a i bëhët i detyrueshëm agjërimi edhe vendeve të tjera?

12. Kurejbi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Umu Fadli e dërgoi atë tek Muavija në Sham. Ai thotë: Mbërrita në Sham, dhe e përmbusha kërkesën e saj. Filloi muaji i Ramazanit ndërsa isha në Sham, dhe e pashë hënën e re (të Ramazanit) natën e Xhuma, pastaj u ktheva në Medineh në fund të muajit. Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) më pyeti për hënën (e Ramazanit) dhe tha: “Kur e patë hënën?” I thashë: “E pamë natën e së premtes.” Më tha: “Ti e pe atë?” I thashë: “Po, e pashë unë, e panë edhe njerëzit dhe agjëruan. Agjëroi edhe Muavija.” Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tha: “Por ne e pamë hënën të shtunën në mbrëmje, dhe jemi me agjërim deri sa të plotësojmë tridhjetë ditë ose të shikojmë hënën (e Sheualit).” I thashë: “A nuk mjaftohesh me shikimin e Muavijes dhe agjërimin e tij?” Tha: “Jo, kështu na ka urdhëruar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).” E transmeton Grupi, përveç Buhariut dhe Ibën Maxheh.

Tema

Obligimi i nijetit që në mbrëmje për agjërimin e detyrueshëm dhe jo atë vullnetar

13. Transmetohet nga Ibën Omeri; nga Hafsa (Allahu qoftë i kënaqur me të!); nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), se ai ka thënë: “Kush nuk bën nijet për agjërim para agimit, ai është pa agjërim.” E transmetojnë të pestë.

14. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) hyri një ditë tek unë the tha: “A keni ndonjë lloj ushqimi?” Jo -i thamë. Ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Atëherë unë jam agjërueshëm.” Kur erdhi një ditë tjetër i thamë: “O i Dërguari i Allahut, na u dhurua hajs (lloj ushqimi)!” Ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Ma tregoni! U gdhiva agjërueshëm” -dhe hëngri.”

E transmeton Grupi, përveç Buhariut. Nesai shton: “Pastaj tha: “Shembulli i agjëruesit vullnetar është si shembulli i atij burrit që jep sadeka nga pasuria e tij, nëse do e jep dhe nëse do e mban.” [Sahih – El Irva’ 965]. Dhe në një transmetim tjetër të po atij (Nesait), thuhet: “Ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “O Aishe, gjendja e atij që agjëron agjërim përveç Ramazanit ose agjërim vullnetar, është si gjëndja e atij njeriu që nxjerr sadaka nga pasuria e tij; për atë që bëhet bujar, jep aq sa dëshiron, dhe për atë që bëhet koprac, e mban dhe nuk e jep.”

Buhariu thotë: “Umu Darda thotë: “Ebu Darda (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thoshte: “A keni ndonjë ushqim?” Nëse thoshim jo, ai thoshte: Unë po e agjëroj këtë ditë.” Thotë: Kështu vepronte Ebu Talha, Ebu Hurejra, Ibën Abasi dhe Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me ta!).”

Tema

Fëmijët agjërojnë nëse e përballojnë agjërimin

Dhe vendimi se cilët janë ata që e kanë obligim agjërimin gjatë muajit ose gjatë ditës

15. Rabij bintu Mi’uedh (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) mëngjesin e Ashurasë, dërgoi lajm tek disa fshatra rreth Medines: Kush është agjërueshëm, ta vazhdojë agjërimin, dhe kush nuk është agjërueshëm, të agjërojë pjesën e mbetur të ditës.” Pas kësaj, ne e agjëronim këtë ditë dhe i bënim edhe fëmijët të agjëronin. Kur shkonim në xhami, i bënim atyre lodra prej leshi dhe kur ndonjëri qante nga uria, i jepnim lodrën, deri sa të afronte iftari.” E ka nxjerrë Buhariu dhe Muslimi. Buhariu thotë: “Umeri i tha një të gjysmëdehuri në Ramazan: “Mjerë ti! Edhe fëmijët tanë agjërojnë!” – Pastaj e rrahu atë.

16. Transmetohet nga Sufjan ibën Abdullah ibën Rabiah, se ka thënë: “Delegacioni ynë që shkoi te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në lidhje me hyrjen në Islam të fisit Thekif, na treguan se: “Ata kishin shkuar te ai në muajin e Ramazanit. Ai u kishte vendosur atyre një kube në xhami. Kur e pranuan Islamin, agjëruan pjesën e mbetur nga muaji i Ramazanit.” E transmeton Ibën Maxheh. [Daif – I Dobët: Sunenu Ibën Maxheh 1760].

17. Abdurrahman ibën Mesleme transmeton nga xhaxhai i tij: “Fisi Eslem shkoi te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), e ai u tha: “A e agjëruat sot? (ishte dita e Ashuras).” Ata thanë: “Jo!” Ai u tha: “Agjërojeni pjesën e mbetur të ditës dhe më pas zëvendësojeni atë me agjërimin e një dite tjetër.” E transmeton Ebu Daudi. [Daif – Sunenu Ebi Daud 2447].

Ky hadith është argument se agjërimi i ditës Ashura ka qenë vaxhib – obligim, dhe se kur jomuslimani bëhet musliman, ose kur fëmija arrin moshën e pjekurisë gjatë ditës, duhet të agjërojnë pjesën e mbetur prej saj dhe më pas ta zëvendësojnë atë ditë me agjërim. Në hadih nuk ka argument për rrëzimin e kushtit të bërjes së nijetit që me natë dhe para agimit, sepse këtyre iu bë obligim agjërimi gjatë ditës.