AGJËRIMI FILLON DITËN KUR AGJËROJNË NJERËZIT,

FITRI FESTOHET DITËN KUR E FESTOJNË NJERËZIT DHE KURBANI BËHET DITËN KUR E BËJNË NJERËZIT

Nga Vargu i Haditheve të Sakta

Dhe diçka prej dispozitave dhe dobive që ato përmbajnë

Shejh Muhamed Nasirudin el Albani

Përgatiti: Dr. Bledar Karaj Albani

 

 

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Agjërimi fillon ditën kur agjërojnë njerëzit, Fitri festohet ditën kur e festojnë njerëzit dhe Kurbani bëhet në ditën kur e bëjnë njerëzit.”

Hadith Hasen, i Mirë. Es Sahiha – 224. E ka nxjerrë Tirmidhiu, Ibën Maxheh pa pjesën e parë të tij, Bejhakiu në Sunen, Darakutni. Hadithi ka ardhur me disa rrugë transmetimi.

Kuptimi dhe dobitë e hadithit

Pas përmendjes së hadithit, Tirmidhiu thotë: “Disa dijetarë e kanë shpejguar hadithin kështu: Agjërimi dhe Fitër Bajrami bëhen kur i bëjnë të gjithë muslimanët, pjesa dërmuese e tyre, xhemati.”

Kurse Es Saneani në “Subulu Selam” (2/72) thotë: “Në këtë hadith ka argument se për vërtetimin e Fitër Bajramit merret në konsideratë bashkimi me njerëzit dhe shoqërinë, kurse individi që e sheh hënën e re në ditë tjetër nga ajo që mbështet xhemati, e ka obligim t’u bashkohet atyre dhe i nënshtrohet gjykimit njësoj si ata në lidhje me Namazin, Fitrin dhe Kurbanin.”

Po këtë kuptim i ka dhënë edhe Ibnul Kajjim në “Tehdhibu Sunen” (3/214) ku thotë: “Thuhet: Në këtë hadith ka kundërpërgjigje për ata që thonë se kush ka dijeni për daljen e hënës së re sipas llogaritjes së pozicioneve të hënës në qiell, i lejohet të fillojnë agjërimin apo ta mbyllin atë, ndryshe nga ata që nuk kanë dijeni rreth kësaj. Thuhet gjithashtu: Nëse hënën e sheh një dëshmitar i vetëm, por gjykatësi apo vendim marrësi nuk gjykon sipas dëshmisë së tij, ai nuk duhet të agjërojë, ashtu si nuk agjërojnë as të tjerët.”

Ebu el Hasen es Sindi, në “Shënimet e tij te Ibën Maxheh”, pasi përmend këtë hadith të Tirmidhiut nga transmetimi i Ebu Hurejrës, thotë: “Ajo që kuptohet qartë nga hadithi është fakti se këto çështje nuk i takojnë individëve dhe askujt nuk i lejohet të ndërhyjë në to në mënyrë individuale, sepse këto çështje i takojnë prijësit të muslimanëve dhe xhematit (në shkallë shoqërore), kurse individët janë të obliguar të ndjekin prijësin e tyre dhe xhematin. Prej këtu, në qoftë se një individ sheh hënën e re, por prijësi i muslimanëve e refuzon dëshminë e tij, atij nuk i bëhet obligim asgjë prej këtyre çështjeve (fillimit të agjërimit apo festave), dhe ai ka për detyrë të ndjekë xhematin në këtë gjë.”

Them (Shejh Albani): Ky është kuptimi i drejtpërdrejtë i hadithit, dhe këtë e përforcon edhe argumentimi i Aishes me këtë hadith kundër Masrukut, kur ai nuk deshi të agjëronte në Ditën e Arafatit nga frika se ajo mund të ishte dita e Kurban Bajramit, por Aisha i sqaroi atij se mendimi i tij personal nuk merret për bazë aspak dhe se ai duhet të ndjekë xhematin (grupin e muslimanëve). Ajo i tha atij: “Kurbani bëhet në ditën kur bëjnë kurban njerëzit (grupi i muslimanëve) dhe Fitër Bajrami bëhet në ditën kur e bëjnë atë njerëzit.”

Them (shejh Albani): Kjo është ajo që i përshtatet më së miri Sheriatit të pastër Islam, nga qëllimet e të cilit është bashkimi dhe unifikimi i muslimanëve dhe rradhëve të tyre, dhe largimi i tyre nga çdo gjë që i përçan prej mendimeve individuale. Sheriati Islam nuk e merr në konsideratë mendimin e individit –edhe pse në vështrimin e tij mund të jetë i saktë – kur ka të bëjë me një adhurim kolektiv si agjërimi apo namazi me xhemat. A nuk e sheh se shokët e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) faleshin pas njëri-tjetrit në namaz, ndërkohë që dikush ishte i mendimit se prekja e gruas apo e organit gjenital, apo dalja e gjakut janë gjëra që e prishin abdesin, kurse dikush tjetër mendonte të kundërtën; disa prej tyre e falnin të plotë namazin në udhëtim, kurse të tjerë e falnin të shkurtuar, por kjo gjë nuk i pengonte ata nga bashkimi në namaz pas një imami të vetëm dhe pasimi i tij. Kjo, sepse ata e dinin që përçarja në fe është më e keqe se kundërshtimi në disa mendime. Madje dikush prej tyre arriti deri atje sa që e hodhi poshtë mendimin e vet që ishte në kundërshtim me mendimin e prijësit të muslimanëve në vendgrumbullimin më të madh të muslimanëve, në Mina (në Haxh), siç e transmeton Ebu Daudi, se: “Uthmani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i fali namazet në Mina me katër rekate, kurse Abdullah ibën Mesudi, në formë kundërshtimi ndaj Uthmanit, tha: “Kam falur me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dy rekate (namaz të shkurtuar në Mina), pastaj me Ebu Bekrin dy rekate, me Umerin dy rekate dhe me Uthmanin në fillim të hilafetit të tij dy rekate, kurse më pas i fali namazet të plota me katër rekate. Më pas u ndanë rrugët deri tek ju, por unë do të doja që në vend të katër rekateve të falja dy rekate të pranuara nga Allahu.” Pastaj Ibën Mesudi i fali namazet edhe vetë me katër rekate (në Mina), kështu që disa njerëz i thanë: “Qortove Uthmanin pastaj i fale edhe vetë katër rekate?! Ai u përgjigj: “Kundërshtimi është sherr – i keq.” Senedi i kësaj historie është i saktë. Ngjashëm me këtë histori ka transmetuar edhe Ahmedi nga Ebu Dherri, (Allahu qoftë i kënaqur me të!).

Le të marrin mësim nga ky hadith dhe nga ngjarja e ndodhur me sahabet, ata që vazhdojnë të përçahen në namazet e tyre dhe që nuk pasojnë imamin e xhamisë, e sidomos në namazin e vitrit në Ramazan, duke u argumentuar me fjalën se janë të një medhhebi tjetër nga ai i imamit! Po kështu, ata që pretendojnë se kanë njohuri rreth astronomisë, dhe agjërojnë apo festojnë vetëm, para apo mbrapa xhematit të muslimanëve, të mbështetur në mendimin dhe dijen e vet, pa e vrarë mendjen aspak se po del nga xhemati! Të gjithë këta të meditojnë dhe të marrin mësim nga ajo dije që përmendëm më sipër, se ndoshta gjejnë shërim për atë që kanë në shpirtrat e tyre prej injorancës dhe vetëmashtrimit, dhe të futen në një rresht me vëllezërit e tyre muslimanë, sepse Dora e Allahut është me xhematin.

Mbaroi fjala e Shejh Albanit (Allahu e mëshiroftë!).

 

Shejh Abdulaziz ibën Baz (Allahu e mëshiroftë!), thotë të njëjtën gjë në fetvatë e tij, në lidhje me çështjen në fjalë, siç ka ardhur në librin “Fetava Nurun Ala ed Derb”, 16/68:

“Pyetje: Nëse Qendra e Fetvave të një vendi musliman njofton mosvërtetimin e daljes së hënës së Ramazanit në atë vend, ndërkohë që në vendin fqinj është parë hëna e Ramazanit, atëherë si është gjykimi nëse disa njerëz e fillojnë agjërimin me vendin fqinj, ndërkohë që shumica e njerëzve të vendit të tij nuk agjërojnë atë ditë?

Përgjigje: Detyra e çdo vendi është që të agjërojë me agjërimin e përgjegjësve të tyre në atë vend ku ndodhen, sepse (siç ka ardhur në hadith): “Agjërimi fillon ditën kur agjërojnë njerëzit dhe Fitër Bajrami festohet në ditën kur e festojnë njerëzit.” Nëse në një vend të caktuar shihet hëna e Ramazanit, njerëzit e atij vendi agjërojnë, por nuk kanë të drejtë të detyrojnë njerëzit e vendeve të tjera që të agjërojnë edhe ata; sepse kjo do të çonte në kundërshtim, sherr dhe përçarje. Nëse vërtetohet lindja e hënës së re në Riad për shembull, te gjykatat e sheriatit, atëherë të gjithë njerëzit atje duhet të agjërojnë. Nëse këtu te ne nuk është parë hëna e re, por në Egjipt është parë, njerëzit këtu nuk duhet të agjërojnë me agjërimin e tyre por me agjërimin e xhematit këtu, përndryshe kjo do të çonte në kundërshtim e përçarje. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Agjërimi fillon ditën kur agjërojnë njerëzit, Fitri festohet ditën kur e festojnë njerëzit dhe Kurbani bëhet në ditën kur e bëjnë njerëzit.” Pra, është detyrë e çdo nënshtetasi që të dëgjojë dhe t’i bindet përgjegjësve të tyre dhe të mos e kundërshtojnë atë, sepse agjërimi fillon kur e fillojnë përgjegjësit dhe festa bëhet kur e festojnë përgjegjësit. Përveç nëse përgjegjësi i Egjiptit për shembull, vendos të agjërojë me agjërimin e Arabisë Saudite ose të Gadishullit Arabik apo të Emirateve, apo të Kuvajtit, ose e kundërta, Kuvajti të vendosë të agjërojë me agjërimin e Egjiptit, e kështu; kjo nuk përbën ndonjë problem. Por duhet theksuar se fillimi i agjërimit bëhet me shikimin e hënës dhe jo me përllogaritje, se përllogaritja nuk lejohet në këtë rast, por agjërimi bëhet me shikimin e hënës ose me plotësimin e numrit të ditëve të muajit (30 ditë)… Është detyrë e të gjitha vendeve Islame, e prijësve të tyre, që të kenë frikë Allahun dhe të zbatojnë sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në vërtetimin e daljes së hënës së re me anë të shikimit të saj dhe jo të përllogaritjeve!”