NATA E KADRIT DHE QENDRIMI NE XHAMI – ITIKAF

Nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani

Nata e Kadrit

Vlera e saj

 

Nata e Kadrit është nata më me vlerë e vitit. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ(وَمَا أَدْرَاكَ مَا لَيْلَةُ الْقَدْرِ)لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِنْ أَلْفِ شَهْرٍ

“Ne e zbritëm atë (Kuranin) natën e Kadrit. E kush të njoftoi ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj”.

Çdo vepër në këtë natë (leximi i Kuranit, përkujtimi i Allahut etj.) është më e vlefshme se kryerja e të njëjtës punë për një mijë muaj, në të cilët nuk është nata e Kadrit.

Është e pëlqyeshme të kërkuarit e kësaj nate

Pëlqehet që të kërkohet kjo natë gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit, pasi Profeti (a.s.) përpiqej shumë për këtë gjatë kësaj kohe. Më sipër kemi përmendur se Profeti (a.s.) qëndronte zgjuar gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit, zgjonte gratë e tij dhe më pas qëndronte mënjanë duke bërë adhurim dhe duke u larguar nga marrëdhëniet bashkëshortore gjatë kësaj periudhe.

Cila natë është ajo?

Dijetarët kanë mendime të ndryshme se cila është nata e Kadrit. Disa thonë se ajo është në natën e 21të, disa thonë se është në natën e 23të, të tjerë thonë se është nata e 25të e disa të tjerë thonë se ajo është në natën e 29të. Disa thonë se ajo ndryshon nga viti në vit, por gjithmonë është në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Megjithatë, shumica e dijetarëve thonë se nata e Kadrit është nata e 27të.

Ahmedi përcjell nga Ibën Umeri me një zinxhir të vërtetë transmetimi se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush dëshiron ta kërkojë atë natë, le ta bëjë në natën e 27të”.[1]

Ubej ibën Keab ka thënë: “Pasha Allahun që nuk ka zot tjetër përveç Tij, është gjatë Ramazanit”. Ai u betua për këtë dhe tha se e dinte cila natë ishte. Ai tha se ishte nata, gjatë së cilës Profeti i kishte urdhëruar të faleshin, nata e 27të. Shenja e saj është dielli që lind në mëngjes, i bardhë dhe pa rreze.[2] Transmeton Muslimi, Ebu Daudi, Ahmedi dhe Tirmidhiu. Ky i fundit e cilëson hadithin të vërtetë.

Falja e namazit dhe lutjet në natën e Kadrit

Buhariu dhe Muslimi përcjellin nga Ebu Hurejra se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që falet në natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblim, do t’i falen të gjitha gjynahet e tij të mëparshme”.[3]

Përsa i përket lutjes në natën e Kadrit, Aishja (r.a.) ka thënë se e ka pyetur të Dërguarin e Allahut: “O i Dërguari i Allahut! Nëse unë e di se cila është nata e Kadrit, çfarë duhet të them gjatë saj? Profeti (a.s.) ka thënë: “Thuaj: O Allah! Ti je Falës dhe e do faljen. Më fal mua!” [4] Transmeton Ahmedi, Ibën Maxhe dhe Tirmdhiu, i cili e kosideron këtë hadith të vërtetë.

ITIKAFI

Kuptimi i tij

Itikaf do të thotë të jepesh shumë pas diçkaje, e mirë qoftë ajo apo e keqe dhe të largohesh nga çdo gjë tjetër. Allahu i Madhëruar thotë:

مَا هَذِهِ التَّمَاثِيلُ الَّتِي أَنْتُمْ لَهَا عَاكِفُونَ

“…Ç’janë këto statuja që po adhuroni?” (El-Enbija, 52), që do të thotë se çfarë janë ato gjëra që ju po jepeni kaq shumë pas tyre. Në kontekstin tonë kjo fjalë merr kuptimin e mbylljes në xhami, duke qëndruar në të e duke bërë adhurime me qëllim afrimin tek Zoti.

Ligjshmëria e itikafit

Të gjithë dijetarët bien dakord për ligjshmërinë e itikafit. Profeti (a.s.) bënte itikaf në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Në vitin që vdiq e bëri këtë gjë për njëzet ditë.[5] Transmeton Buhariu, Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

Shokët dhe gratë e Profetit (a.s.) bënin itikaf me të dhe vazhduan ta bëjnë këtë dhe pas vdekjes së tij. Megjithëse ky është një veprim që kryhet për t’u afruar me Allahun, nuk ka hadithe të sakta që të tregojnë për vlerën e tij.

Ebu Daudi tregon se e ka pyetur Ahmedin në ishte në dijeni të ndonjë gjëje rreth vlerave të itikafit. Ai i ishte përgjigjur: “Jo, përveç disa transmetimeve të dobëta”.

Llojet e itikafit

Itikafi është dy llojesh: sunet dhe i detyrueshëm. Itikafi sunet është ai që muslimani e kryen për t’u afruar me Allahun duke ndjekur shembullin e Profetit (a.s.) që e bënte këtë, vëçanërisht gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit. Itikafi i detyrueshëm është ai, të cilin personi ia obligon vetes. Kjo mund të ndodhë si pasojë e një premtimi. Për shembull, nëse dikush thotë: “Për Zotin unë do të bëj itikaf…” ose si pasojë e një premtimi me kusht: “Nëse Allahu do të më shërojë, unë do të bëj itikaf…”

Në librin “Es-Sahih” të Buhariut tregohet se Profeti (a.s.) ka thënë. “Kush bën një premtim për t’iu nënshtruar Allahut, duhet ta mbajë atë”.[6] Umeri i ka thënë atij: “O i Dërguari i Allahut! Unë u betova që do të bëj itikaf një natë në xhaminë e Mekës. Profeti (a.s.) i tha: “Çoje në vend premtimin tënd!”.[7]

Kohëzgjatja e itikafit

Itikafi i detyrueshëm duhet të zgjasë aq sa e cakton premtimi. Nëse dikush betohet se do të bëjë itikaf për një ditë ose më tepër, ai duhet të veprojë sipas kësaj.

Itikafi i pëlqyeshëm ose sunet nuk ka një kohëzgjatje të caktuar. Ai mund të kryhet duke ndenjur në xhami me qëllim për të bërë itikaf për një kohë të gjatë ose të shkurtër. Nëse dikush largohet nga xhamia dhe kthehet përsëri, ai duhet ta përsërisë nijetin (qëllimin).

Ja’la ibën Umeje tregon se ka qenë i mbyllur për disa kohë në xhami për itikaf. Atau i ka thënë: “Ai është itikafi, për aq kohë sa ti qëndrove mbyllur atje. Nëse qëndron në xhami duke shpresuar për mirësi, është itikaf e në të kundërt nuk është i tillë”.

Ai që kryen itikaf jo të detyrueshëm, mund ta ndërpresë atë në çdo kohë, madje edhe përpara kohës që ai kishte menduar në fillim. Aishja tregon se Profeti (a.s.), kur kishte për qëllim të bënte itikaf, falte namazin e sabahut dhe pastaj fillonte. Një herë ai donte të bënte itikaf gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit dhe urdhëroi që të ngrihej tenda e tij.[8] Aishja tregon: “Kur e pashë këtë, urdhërova që të ngrihej dhe tenda ime dhe kështu bënë dhe gratë e tjera. Kur Profeti fali namazin e sabahut dhe pa të gjitha tendat, pyeti: “Çfarë është kjo që bëni, a doni mirësinë e Allahut?”[9] Pastaj Profeti (a.s.) urdhëroi që të hiqej tenda e tij dhe e grave të tij dhe e shtyu itikafin për në dhjetë ditët e para të muajit Sheval.[10]

Fakti që Profeti (a.s.) urdhëroi mbylljen e tendave të grave të tij dhe u kërkoi atyre ta ndërpritnin itikafin pasi ato e kishin vendosur ta bënin atë, tregon se ato e ndërprenë itikafin pasi e kishin filluar atë. Gjithashtu, hadithi tregon se burri mund ta ndalojë gruan e tij të kryejë itikafin, nëse ajo nuk ka marrë lejen e tij për këtë. Kështu mendojnë shumica e juristëve muslimanë. Ekzistojnë mendime të ndryshme për rastin kur burri e pengon gruan të kryejë itikaf pas dhënies së lejes për këtë.

Shafiu, Ahmedi dhe Daudi janë të mendimit se kjo është e lejueshme për burrin dhe se gruaja duhet ta ndërpresë itikafin vullnetar në një rast të tillë.

Kushtet që duhen plotësuar për të kryer itikaf

Ai që bën itikafin duhet të jetë një musliman në moshën madhore, të mos jetë xhunub (i papastër), të jetë i shëndoshë mendërisht ose një femër që nuk është në kohën e periodave apo gjakderdhjes së lehonisë. Itikafi nuk pranohet, nëse kryhet nga njerëz jobesimtarë, nga fëmijë, nga njerëz jo të shëndoshë mendërisht, nga persona të papastër dhe nga gra me menstruacione apo gjakderdhje të lehonisë.

Parimet e itikafit

Itikaf quhet procesi kur personi qëndron në xhami me qëllimin për t’u afruar me Allahun. Nëse personi nuk qëndron në xhami apo nuk ka qëllimin e arritjes së kënaqësisë së Allahut, atëherë nuk quhet itikaf. Fakti se nijeti është i detyrueshëm vërtetohet nga fjalët e Allahut: “Ata nuk janë të urdhëruar për gjë tjetër, përveçse të adhurojnë Allahun dhe ta ruajnë të pastër fenë e Tij”. Profeti (a.s.) ka thënë: “Çdo vepër është sipas qëllimit dhe çdokujt i takon ajo që ka pasur për qëllim”. [Buhari dhe Muslimi]

Nuk ka dyshim se itikafi bëhet vetëm në xhami, siç thotë Allahu: “Dhe mos i prekni (gratë) kur jeni vendosur për itikaf në xhami”. Ky ajet tregon se, nëse do të ishte e lejueshme që itikafi të kryhej diku tjetër, Allahu nuk do ta ndalonte shkuarjen tek gruaja gjatë itikafit. Përgjigjja është se, përderisa një veprim i tillë e prish itikafin, është e qartë se itikafi duhet të kryhet në xhami.

Mendimi i juristëve për xhaminë në të cilën duhet të kryhet itikafi

Ka mendime të ndryshme ndërmjet juristëve për xhamitë e pranueshme për kryerjen e itikafit. Sipas Ebu Hanifes, Ahmedit, Is’hakut dhe Ebu Theurit, itikafi është i vlefshën në çdo xhami që falen pesë kohët e namazit dhe Xhumaja. Kjo bazohet në hadithin e Profetit (a.s.) që thotë: “Çdo xhami që ka një myezin dhe një imam është e pranueshme si vend për itikaf”.[11] Transmeton Darakutni, por hadithi është mursel dhe i dobët dhe për këtë nuk mund të pranohet si argument.

Maliku, Shafiu dhe Daudi thonë se itikafi është i pranueshëm në çdo xhami dhe nuk ka asnjë fakt që të kufizojë xhami të veçanta.

Shafitë mendojnë se është më mirë ta kryesh itikafin në xhaminë më të madhe, pasi Profeti (a.s.) vepronte kështu dhe numri i atyre që falen në këto xhami është më i madh. Nëse koha e itikafit përfshin faljen e ditës së premte, atëherë personi duhet të falet në xhaminë me xhemat, në mënyrë që të mos e humbasë këtë falje me shumë xhemat, prandaj nuk është mirë që të bëjë itikaf në xhamitë e tjera.

Personi që bën itikaf mund të thërrasë ezanin, nëse vendi që bëhet kjo gjë është në kopështin e brendshëm të xhamisë apo në derën e saj. Gjithashtu, ai mund të hipë në çatinë apo tarracën e xhamisë, pasi e gjithë ajo konsiderohet pjesë e xhamisë. Nëse vendi nga thirret ezani është jashtë xhamisë dhe personi që bën itikaf shkon atje qëllimisht, itikafi i tij prishet.

Sipas hanefive, shafive dhe një transmetimi të Ahmedit, oborri i jashtëm konsiderohet pjesë e xhamisë. Sipas Malikut nuk është pjesë e xhamisë dhe personi që kryen itikaf nuk duhet të shkojë atje.

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se gruaja nuk mund ta kryejë itikafin në vendin e posaçëm ku ajo falet në shtëpinë e saj, pasi ai nuk hyn në kategorinë e xhamive dhe mund të shitet. Në këtë pikë nuk ka kundërshtime. Gratë e Profetit (a.s.) e kryenin itikafin në xhaminë e tij.

Fillimi dhe fundi i itikafit

Ne tashmë e përmendëm që itikafi vullnetar nuk ka një kohë të caktuar. Në çdo kohë që dikush hyn në xhami me qëllim për t’u afruar me Zotin, ai kryen itikaf derisa të largohet. Nëse dikush ka për qëllim ta bëjë itikafin gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, ai duhet ta fillojë atë para perëndimit të diellit. Buhariu ka regjistruar nga Ebu Seidi se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush dëshiron të bëjë itikaf me mua, ta bëjë në dhjetë netët e fundit”.[12] Kjo i referohet dhjetë netëve duke filluar nga nata e 20të ose e 21të.

Përsa i përket faktit se Profeti (a.s.) kur dëshironte të kryente itikafin falte namazin e sabahut pastaj shkonte në vendin e caktuar për itikaf,[13] do të thotë se ai futej në vendin që kishte përgatitur per itikaf, por koha që ai hynte në xhami për këtë gjë ishtë gjatë fillimit të natës.

Sipas Ebu Hanifes dhe Shafiut, kush bën itikaf dhjetë ditët e fundit të Ramazanit duhet të largohet nga xhamia pas perëndimit të diellit në ditën e fundit të muajit.

Maliku dhe Ahmedi e pranojnë këtë, por ata pëlqejnë që personi të qëndrojë në xhami deri në faljen e Bajramit.

El Ethremi ka regjistruar nga Ebu Ejubi se Ebu Kilaba qëndronte në xhami natën përpara Bajramit dhe pastaj shkonte në falje. Gjatë itikafit ai nuk kishte sixhade për namaz ku të ulej, kështu që ulej si gjithë të tjerët. Ebu Ejubi tregon se ka shkuar tek ai një ditë Bajrami dhe në prehërin e tij ishte Xheurija. Ebu Ejubi kishte menduar se ajo ishte një nga vajzat e tij, por në të vërtetë ajo ishte një robëreshë. Ai e kishte liruar atë dhe kishte ardhur në faljen e Bajramit.

Ibrahimi ka thënë: “Njerëzit pëlqenin që dikush që bën itikaf dhjetë ditët e fundit të Ramazanit të qëndrojë në xhami natën e Bajramit dhe më pas nga xhamia të shkojë në vendin e faljes së Bajramit”.

Kush zotohet për të bërë itikaf një ditë ose disa ditë të caktuara ose e bën këtë vullnetarisht, ai duhet ta fillojë itikafin përpara lindjes së diellit dhe ta ndërpresë kur mungon drita e diellit, qoftë kjo në Ramazan apo në çfarëdo kohe tjetër.

Nëse personi është zotuar për të bërë itikaf një natë ose disa netë të caktuara ose e bën këtë vullnetarisht, ai duhet ta fillojë itikafin përpara se dielli të ketë perënduar plotësisht dhe mund ta ndërpresë kur është e qartë se ka filluar agimi.

Ibën Hazmi thotë se nata fillon me perëndimin e diellit dhe mbaron me agimin, ndërsa dita fillon me agimin dhe përfundon me perëndimin e diellit. Ky nuk është ndonjë kusht për personin, vetëm nëse ai dëshiron ta bëjë këtë vetë. Nëse dikush zotohet apo në mënyrë vullnetare dëshiron të bëjë itikaf për një muaj, ai duhet ta fillojë këtë natën e parë të muajit. Ai duhet të hyjë në xhami përpara se dielli të ketë perënduar plotësisht dhe mund të largohet pasi dielli ka perënduar plotësisht në fund të muajit, qoftë ai muaji i Ramazanit apo ndonjë muaj tjetër.

Çfarë është e pëlqyeshme dhe çfarë jo për atë që bën itikafin?

Është e pëlqyeshme për atë që bën itikaf të kryejë sa më shumë veprime adhurimi si namaz, lexim Kurani, lutje, madhërimi për Allahun, istigfar, dërgim i salavateve për Profetin (a.s.) e të tjera si këto që të afrojnë me Allahun. Në këto vepra përfshihen studimi dhe leximi i librave të tefsirit dhe hadithit, libra mbi jetën e profetëve, libra mbi jurisprudencën islame, etj. Gjithashtu, është e pëlqyeshme të ngrihet një tendë në oborrin e xhamisë siç bënte Profeti (a.s.).

Është e papëlqyeshme për dikë të angazhohet në punë dhe fjalë që nuk i përkasin. Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe transmetojnë nga Ebu Basrah se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nga treguesit e Islamit të mirë të njeriut është të largohet nga ajo që nuk i intereson”.[14]

Megjithatë, është e papëlqyeshme që dikush të mendojë se mund të afrohet me Allahun duke mos folur.

Buhariu, Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe kanë transmetuar nga Ibën Abasi se, ndërsa Profeti (a.s.) po mbante një fjalim, ai pa një burrë që po qëndronte në këmbë dhe pyeti për të. Njerëzit i thanë se ai quhej Ebu Israil dhe ishte zotuar të qëndronte në këmbë, të mos ulej, të mos qëndronte në hije, të mos fliste dhe të agjëronte. Pastaj Profeti (a.s.) tha: “Urdhërojeni të flasë, të shkojë në hije, të ulet dhe ta vazhdojë agjërimin e tij”.[15]

Në lidhje me këtë hadith, tregohet që Aliu (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nuk ka bonjakëri pas pubertetit, dhe nuk ka heshtje absolute gjatë ditës deri në mbrëmje”[16] Transmeton Ebu Daudi.

Agjërimi gjatë kryerjes së itikafit

Është mirë për atë që kryen itikafin të agjërojë, por ai nuk është i detyruar ta bëjë këtë. Buhariu ka transmetuar nga Ibën Umeri se Umeri (r.a.) ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Gjatë kohës para Islamit unë u zotova të bëja itikaf një natë në xhaminë e Mekës”. Profeti (a.s.) i tha: “Plotësoje zotimin tënd!”.[17] Kjo thënie e Profetit tregon se agjërimi nuk është kusht për itikafin, pasi në të kundërt agjërimi gjatë natës nuk do të ishte i vlefshëm.

Seid ibën Mensuri transmeton se Ebu Sehli ka thënë: “Njëra nga gratë e mia do të bënte itikaf, kështu që unë pyeta Umer ibën Abdulazizin rreth kësaj. Ai tha: “Ajo nuk duhet të agjërojë, përveç rastit kur ia ka vënë detyrë vetes këtë”. Pastaj Zuhri tha se nuk ka itikaf pa agjëruar. Umeri ibën Abdulazizi e pyeti: “A është kjo nga Profeti?” Zuhri tha: “Jo!” Umeri e pyeti: “Është nga Ebu Bekri?” Zuhri tha: “Jo!” Umeri e pyeti sërish: “Është nga Umer ibën El Hatabi?” Zuhri tha: “Jo!” Pastaj Umeri i tha: “Dyshoj se është nga Othmani”. Zuhri tha: “Jo!” Kështu, Ebu Sehli u largua prej tyre dhe takoi Ataun dhe Tausin dhe i pyeti ata rreth kësaj çështjeje. Tausi tha: “Njeriu duhet ta kuptojë se ai nuk duhet të agjërojë duke përjashtuar rastin, kur ai ia ka vënë detyrë vetes këtë”.

El Hatabi thotë se ka mendime të ndryshme për këtë çështje. Hasen El Basri thotë se kryerja e itikafit pa agjëruar është e mjaftueshme. Gjithashtu, ky është edhe mendimi i Shafiut. Aliu dhe Ibën Mesudi janë të mendimit se, nëse dikush dëshiron të agjërojë mund ta bëjë këtë dhe nëse dikush nuk dëshiron, nuk është i detyruar ta bëjë. Auzai dhe Maliku mbrojnë mendimin se nuk ka itikaf pa agjërim dhe se ky është dhe përfundimi që kanë nxjerrë dijetarët hanefi. Kjo është transmetuar nga Ibën Umeri, Ibën Abasi dhe Aishja. Ky është gjithashtu dhe mendimi i Seid ibën El Musejeb, Urveh ibën Ez-Zubejrit dhe Zuhriut.

Veprimet e lejuara gjatë itikafit

Personit që bën itikaf i lejohet të veprojë si më poshtë:

(1) Personi në itikaf mund të lërë vendin e tij për të përcjellë gruan e tij. Safija tregon se kur Profeti (a.s.) po bënte itikaf, ajo kishte shkuar për t’i bërë vizitë atij gjatë mbrëmjes. Kishte biseduar me të dhe në fund ishte ngritur për të ikur. Ai e shoqëroi atë deri tek shtëpia. Ajo banonte në shtëpinë e Usame ibën Zejdit. Dy burra nga ensarët kaluan pranë tyre dhe kur panë Profetin shpejtuan hapat. Profeti (a.s.) tha: “Prisni! Kjo është Safija bint Hujej”. Ata thanë: “I Madhëruar qoftë Allahu o i Dërguari i Tij (ne nuk dyshojmë për ty)”. Profeti (a.s.) u tha: “Shejtani lëviz brenda njeriut si gjaku. Kisha frikë se mos pati cytur në zemrat tuaja ndonjë gjë (të keqe)”.[18] Transmeton Buhariu, Muslimi dhe Ebu Daudi.[19]

(2) Të presë apo të krehë flokët, të pastrojë trupin, të presë thonjtë, të veshë rroba të mira dhe të lyhet me parfum.

Aishja tregon se Profeti (a.s.) bënte itikaf dhe e fuste kokën në të çarën e dhomës së saj dhe ajo ia lante (në një transmetim tjetër thuhet se ia krihte) flokët. Ajo thotë se në atë kohë ishte me perioda.[20] Transmeton Buhariu, Muslimi dhe Ebu Daudi.

(3) Personi që bën itikaf mund të dalë për të kryer disa nga nevojat e tij të domosdoshme. Aishja tregon se, kur Profeti (a.s.) bënte itikaf, e afronte kokën tek ajo që t’ia krihte flokët dhe ai nuk hynte në shtëpi, përveç rastit kur kryente nevojat e tij personale.[21] Transmeton Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

Ibën El Mundhiri thotë se dijetarët janë dakord se personi që kryen itikaf mund ta lërë vendin e tij në xhami për të kryer nevojat personale, pasi kjo është një gjë që ai duhet ta bëjë patjetër dhe nuk mund ta bëjë këtë në xhami.

Në të njëjtën mënyrë, nëse ai nuk ka dikë për t’ia sjellë ushqimin në xhami, atëherë ai mund të dalë për ta siguruar vetë. Nëse dikush ka nevojë të vjellë, mund të dalë nga xhamia për ta bërë këtë. Për çdo gjë që nuk mund të kryhet në xhami, personi që kryen itikaf mund të dalë nga xhamia dhe itikafi i tij nuk prishet, edhe nëse kryerja e këtyre veprimeve kërkon një kohë të gjatë. Shembuj të këtyre veprimeve janë marrja e guslit kur është e domosdoshme, larja e trupit dhe pastrimi i rrobave.

Seid ibën Mensuri transmeton se Aliu (r.a.) ka thënë: “Nëse dikush bën itikaf ai duhet të falë namazin e xhumasë, të shkojë në varrime, t’i bëjë vizitë të sëmurit dhe të shkojë tek familja e tij për çështje që janë të nevojshme, por nuk duhet të ulet gjatë këtyre vizitave (të qëndrojë në këmbë)”. Aliu (r.a.) e ndihmoi nipin e tij duke i dhënë 700 derhemë për të pasur një shërbyes dhe ai i tha se ishte në itikaf. Aliu i tha: “Ç’të keqe ka për ty nëse shkon në pazar për të blerë?”

Katade e lejonte personin që bënte itikaf të shkonte në varrim, të vizitonte të sëmurin, por mos të ulej gjatë kësaj vizite.

Ibrahim Nehai thotë se ata pëlqenin që personi që bënte itikaf t’i kryente këto veprime dhe ishte i lejuar ta vizitonte të sëmurin, të ndiqte namazin e xhumasë dhe të mos hynte në një vend me strehë. Ai thotë se personi që bën itikaf nuk duhet të hyjë në ndonjë vend me strehë, përjashtuar rastin kur kjo gjë është e nevojshme.

El Hatabi ka thënë: “Disa njerëz thonë se ai që bën itikaf mund të ndjekë namazin e Xhumasë, të vizitojë të sëmurin dhe të jetë i pranishëm në funerale”. Kjo është transmetuar nga Aliu dhe po ashtu është edhe mendimi i Seid ibën Xhubejrit, Hasen El Basrit dhe Nehait.

Ebu Daudi transmeton nga Aishja (r.a.) se Profeti (a.s.) i vizitonte të sëmurët gjatë kohës që bënte itikaf. Ai kalonte gjatë vizitës në këmbë pa bërë pyetje.[22]

Gjithashtu, Aishja transmeton se është prej traditës së Profetit për personin që bën itikaf, të mos largohet nga vendi i tij i itikafit për të vizituar të sëmurin. [Hadith Hasen Sahih; Sahih Ebu Daud 2473]

Kjo do të thotë që personi nuk duhet të dalë nga vendi i itikafit me qëllimin e vetëm për të vizituar të sëmurin, por nëse ai kalon pranë tij, ai mund të interesohet për të, duke pasur qëllim që të mos devijojë nga rruga e tij.

(4) Personi mund të hajë, të pijë dhe të flejë në xhami duke e mbajtur atë të pastër. Ai mund të bëjë kontrata martese, shitjeje, blerjeje etj.

Veprime që e prishin itikafin

Nëse personi që bën itikaf kryen një nga veprimet e mëposhtme, itikafi i tij bëhet i pavlefshëm:

(1) Të larguarit nga xhamia me qëllim, pa pasur ndonjë arsye të vlefshme, qoftë edhe për një kohë të shkurtër. Në një rast të tillë, personi ka shkelur njërin nga parimet e itikafit që është qëndrimi në xhami.

(2) Dalja nga besimi islam, pasi kjo do të zhvlerësonte të gjitha adhurimet. Nëse i përshkruan shok Allahut, veprat nuk do të pranoheshin dhe personi konsiderohet prej të humburve.

(3) Humbja e mendjes, si pasojë e sëmundjes apo pijes. Edhe fillimi i menstruacioneve apo hemoragjisë së lehonisë e zhvlerësojnë itikafin.

(4) Marrëdhëniet seksuale. Allahu thotë: “Dhe mos i prekni ato (gratë) kur jeni duke bërë itikaf në xhami”. Megjithatë, personi mund ta prekë gruan e tij pa pasur dëshira seksuale. Njëra nga gratë e Profetit ia krihte atij flokët, ndërsa ai ishte duke bërë itikaf.

Përsa i përket puthjes dhe prekjes me pasion, Ebu Hanife dhe Ahmedi thonë që nuk është e pëlqyeshme, pasi kjo çon në diçka të ndaluar në kryerjen e itikafit. Megjithatë, kjo nuk e bën itikafin të pavlefshëm nëse nuk çon në ejakulim. Maliku thotë se kjo gjë, pavarësisht nëse personi ejakulon apo jo, e prish itikafin.

Nga Shafiu kemi dy transmetime që i korrespondojnë dy mendimeve të mëparshme.

Ibën Rushdi shpjegon se arsyeja e ekzistencës së mendimeve të ndryshme në këtë çështje qëndron në faktin se, përdoren apo jo të dy kuptimet që ka një fjalë, si ai gjuhësor dhe ai figurativ në të njëjtën kohë.

Fjala e përdorur në ajetin kuranor është një nga fjalët që ka më shumë se një kuptim. Ata që mendojnë se kjo fjalë i mbart të dyja kuptimet e interpretojnë fjalën “prek” të përdorur në ajetin “…dhe mos i prekni ato…” si përfshirëse e marrëdhënieve seksuale dhe po ashtu dhe veprimeve të tjera.

Ata që thonë se kjo fjalë nuk është e përgjithshme janë shumica dhe thonë se ajeti i referohet marrëdhënieve seksuale ose prekjes që është diçka më e paktë se akti seksual. Nëse me konsensus vendosim se ajo fjalë i referohet aktit seksual, atëherë kjo përjashton mundësinë e referimit të veprimeve jo në shkallën e aktit seksual, pasi një fjalë nuk mund të merret me dy kuptime në të njëjtën kohë, si në kuptimin figurativ dhe në atë gjuhësor. Ata që thonë se këtu përfshihen gjithashtu edhe veprime që janë më pak se akti seksual, e thonë këtë pasi kjo vjen nga kuptimi gjuhësor i ajetit. Të tjerë që kanë mendim ndryshe, nuk u referohen të dyja kuptimeve, atij gjuhësor dhe atij figurativ në të njëjtën kohë.

Plotësimi i itikafit të ndërprerë

Nëse dikush ka për qëllim të bëjë itikaf vullnetar dhe pastaj e ndërpret, përpara se ta përfundojë, ai duhet ta plotësojë atë më vonë. Disa janë të mendimit se plotësimi i itikafit të ndërprerë është një detyrim.

Rreth kësaj teme, Tirmidhiu thotë se ka mendime të ndryshme për një person që nuk e ka vazhduar itikafin deri në fund të kohës së pasur qëllim nga ai.

Maliku është i mendimit se, nëse dikush e ndërpret itikafin, është e detyrueshme që ai ta plotësojë atë më vonë. Ai përdor si argument faktin se Profeti (a.s.) e ka plotësuar itikafin e lënë në mes gjatë ditëve të mëvonshme të muajit Sheval. Shafiu thotë se, nëse personi nuk ka qenë zotuar ose nuk i ka vënë detyrë vetes për kryerjen e itikafit, atëherë në rast se ai e lë përpara kohe, nuk është i detyruar ta plotësojë, përveç rastit kur ai e dëshiron një gjë të tillë. Pastaj ai vazhdon: “Personi nuk është i detyruar ta bëjë këtë (itikafin vullnetar). Nëse e bën dhe e lë, ai nuk ka nevojë ta plotësojë atë (përserisa ishte diçka vullnetare). Këtu bën përjashtim rasti i haxhit dhe umras.

Dijetarët bien dakord se, nëse dikush zotohet për të kryer itikafin për një ditë apo një numër të caktuar ditësh dhe pastaj e prish itikafin, ai detyrohet ta plotësojë më vonë, kur të ketë mundësi. Nëse vdes përpara kësaj, askush nuk e ka për detyrë ta plotësojë atë në vend të tij.

Nga ana tjetër, Ahmedi thotë se është e detyrueshme për pasardhësit e tij që t’i plotësojnë ditët e lëna mangut. Abdurrezaku transmeton nga Abdulkerim ibën Umeje, i cili ka thënë se ka dëgjuar Abdullah ibën Utben të ketë thënë: “Nëna jonë vdiq kur kishte ende disa ditë për të plotësuar nga itikafi. Unë pyeta Ibën Abasin dhe ai tha të plotësohej itikafi për të dhe të agjërohej.

Po ashtu, Seid ibën Mensuri transmeton se Aishja (r.a.) ka bërë itikaf për vëllain e saj, pas vdekjes së tij.

Izolimi i personit që bën itikaf në xhami dhe vendosja e tendës

Ibën Maxhe transmeton nga Ibën Umeri se Profeti (a.s.) ka bërë itikaf gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit. Nafiu tregon se Ibën Umeri i kishte treguar atij vendin, ku Profeti (a.s.) bënte itikaf.[23]

Gjithashtu, ai tregon se kur Profeti (a.s.) kryente itikaf, e çonte krevatin e tij në Shtyllën e Pendimit[24].[25]

Zotimi për kryerjen e itikafit në një xhami të veçantë

Nëse dikush zotohet ta kryejë itikafin në Mekë, në xhaminë e Profetit në Medine ose në xhaminë Aksa, ai duhet ta plotësojë zotimin e tij, pasi Profeti (a.s.) ka thënë: “Personi nuk duhet të niset për udhëtime me qëllim shpërblimi, me përjashtim të tre xhamive; në Qabe, në xhaminë Aksa dhe në këtë xhami (xhamia e Medines)”.[26]

Nëse dikush zotohet ta kryejë itikafin në një xhami tjetër, ai nuk është i detyruar ta plotësojë atë dhe mund ta kryejë itikafin në çfarëdo xhamie tjetër, pasi Allahu nuk ka specifikuar ndonjë vend të veçantë për adhurimin e Tij. Asnjë xhami nuk ka përparësi mbi një tjetër, përveç tre xhamive të lartpërmendura. Vërtetohet se Profeti (a.s.) ka thënë: “Një namaz në xhaminë time (në Medinë) është më i vlefshëm se 1000 namaze në një xhami tjetër, përveç Qabes, pasi një namaz në të është më i vlefshëm se 100 namaze në xhaminë time”.[27]

Kështu, nëse dikush zotohet të kryejë itikafin në xhaminë e Profetit në Medinë, ai mund ta bëjë këtë edhe në Qabe, përderisa kjo e fundit është më me vlerë se xhamia e Profetit (a.s.).

 

___________________________________

[1] Transmetim Sahih. “Sahihul Xhami” 2920. E ka nxjerrë Ahmedi 2/27, 157.

[2] Muslimi 1782, 2769, Ebu Daudi 1378, Tirmidhiu 793, Ahmedi 5/130, 131.

[3] Buhariu 1901, Muslimi 1778, Nesai 2202, Ebu Daudi 1372, Tirmidhiu 683, Ahmedi 2/318, 321, 408, 423, 473, 503.

[4] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 3337, “El Mishkat” 2091, “Et Targib” 3391, “Sahihul Xhami” 4423. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3514, Ibën Maxheh 3850, el Hakim, Ahmedi 6/171, 182, 183, 258.

[5] Buhariu 2043, Ebu Daudi 6463, Ibën Maxheh 1770, Ahmedi 8081.

[6] Buhariu 6700, Ebu Daudi 3289, Nesai 3806, Tirmidhiu 1526, Ahmedi 6/36, 41, 224.

[7] Buhariu 2032.

[8] Ky hadith vlen të përmendet si argument për lejimin e zënies së një vendi të veçuar nga personi që hyn në itikaf, për gjatë gjithë periudhës që zgjat ai, por me kushtin që mos t’i bezdisë dhe ngushtojë njerëzit e tjerë në kryerjen e riteve të ndryshme. Për këtë shkak preferohet gjithmonë që të zihet një vend në fund të xhamisë, ku edhe vetë mutekifi ndihet më i qetë.

[9] Muslimi përmend se shkaku i mosaprovimit të Profetit të ngritjes së tendave mund të qe se Profeti (a.s.) ndjeu që ato mund të mos ishin të sinqerta në ngritjen e tendave pranë tendës së tij, për pasojë të xhelozisë që kishin ndaj njëra tjetrës në lidhje me të dhe për faktin që në xhami hynin e dilnin beduinë dhe munafikë me shumicë, ndërkohë që gratë mund të kishin nevojat e tyre personale, fakt i cili do t’i detyronte ato zbuloheshin. Një shkak tjetër mund të ishte, humbja e qëllimit nga Itikafi kur Profeti (a.s.) shihte prezencën e grave të tij, pranë tij në ambientet e xhamisë, njëjtë si të ishte në shtëpinë e tij ose, sepse ato ngushtuan hapësirat e xhamisë me tendat e tyre.

[10] Buhariu 2033, 2034, 2041, 2045, Muslimi 2777, Ebu Daudi 2464, Tirmidhiu 791, Nesai 708, Ibën Maxheh 1771.

[11] Hadith Meudu – i trilluar. “Daiful Xhami” 4250. e ka nxjerrë Darakutni 2/200.

[12] Buhariu 2027.

[13] Kjo ka ardhur në hadithin e nxjerrë nga Muslimi 2777, nxjerrja e të cilit u përmend më sipër.

[14] Hadith Sahih. “El Mishkat” 4839, “Sahihul Xhami” 5911. Eka nxjerrë Tirmidhiu 2317, Ibën Maxheh 3976, Maliku, el Hakim; nga disa prej sahabeve.

[15] Buhariu 6704, Ebu Daudi 3300, Ibën maxheh 2136.

[16] Hadith Sahih. “El Irva” 1244, 1451. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2873, Ibën Asakir në “Historia e Damaskut” 9/257, Tahaviu në “Mushkilul ethar” 1/280, Taberani në “Es Sagir” f. 53.

[17] Nxjerrja e tij u përmend më sipër.

[18] Buhariu 2035, 2038, 2039, 3101, 3281, 6219, 7171, Muslimi 5643, Ebu Daudi 2470, 4994, Ibën Maxheh 1779.

[19] Tregohet nga Imam Shafiu të jetë shprehur: “Reagimi i Profetit (a.s.) qe i tillë për shkak të mëshirës dhe dashamirësisë së tij ndaj tyre, sepse sikur ata të mendonin diçka të gabuar me atë që panë, duke paragjykuar natyrisht, do të mohonin fenë dhe Profetin (a.s.). Prandaj Profeti i parapriu me mprehtësi dhe mirësi një situate të tillë të mundshme, duke ua bërë të qartë atyre kush qe personi që shoqëronte.” Në vëllimet historike të Ibën Asakir, përmendet Ibrahim ibën Muhamed të ketë thënë: “Ishim në kuvendin e Ibën Ujejnes. Aty qe i pranishëm dhe Shafiu. Ibni Ujejne përmendi këtë hadith dhe Shafiu e pyeti: “Cili është morali dhe kuptimi i kësaj ndodhie?” Ai u përgjigj: “Nëse dikujt i qëllon të jetë objekt i një rasti të ngjashëm, me qëllim që mos të paragjykohet, duhet të veprojë ngjashëm me reagimin e Profetit (a.s.).” Tha: Jo, se Profeti (a.s.) nuk i paragjykoi ata, sepse Ai realisht qe besniku i Allahut në tokë dhe kjo sjellje ishte në përputhje me misionin e tij.” Atëherë Ibën Ujejne tha: “Zoti ta shpërbleftë o Ebu Abdulla, se përherë prej teje dëgjojmë fjalë të mençura dhe të dashura”.

[20] Buhariu 2028, Muslimi 685, Ebu Daudi 2469.

[21] Buhariu 2029, Muslimi 682, Ebu Daudi 2467, Tirmidhiu 804.

[22] Hadith Daif. “El Mishkat” 2105. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2472.

[23] Buhariu 2025, Muslimi 2773, Ebu Daudi 2465, Ibën Maxheh 1773.

[24] Shtylla e Pendimit është një vend, ku një prej shokëve të Profetit e kishte lidhur veten e tij pas një shtylle, derisa Allahu e pranoi pendimin e tij dhe prandaj ai vend u quajt “Shtylla e Pendimit”.

[25] Hadith Daif. “El Mishkat” 2107. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 1774, Bejhakiu 5/247.

[26] Muttefekun alejhi. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[27] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.