VITI I RI, KRISHTLINDJET, MEVLUDI, DITËLINDJET; NË PESHOREN E SË VËRTETËS MONOTEISTE

 

Lavdi Zotit, Krijuesit të qiejve dhe Tokës, Zotëruesit të gjithçkaje që ka krijuar, Vullneti i të Cilit sundon në qiej dhe në Tokë, Vështruesit të gjithçkaje dhe Ruajtësit të çdo hollësie në regjistra, Gjykuesit Suprem në Ditën e Llogarisë së madhe, Dërguesit të Profetëve për udhëzimin e njerëzimit dhe paralajmërimin e tyre, duke mos lënë asnjë justifikim për askënd, kushdo, kurdo dhe kudo qoftë!

Paqja dhe bekimet e larta të Zotit, qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin, mbi Mesihun Isa, birin e Merjemes, dhe mbi të gjithë profetët e Zotit që i ka dërguar në popujt e mëparshëm!

Me dërgimin e profetit Muhamed, për të cilin kishin paralajmëruar profetët e mëparshëm në Teurat (Tora) dhe në Inxhil (Ungjill – Bibla – Dhiata e Re), Zoti i Madhërishën i vuri vulën vargut të profetëve, e plotësoi dhe përsosi Fenë e Tij, Islamin, me shpalljen e Kuranit dhe të sqaruesit të tij, Traditës Profetike të Muhamedit (Hadithin), për të qenë udhëzues i qartë dhe i përsosur për njerëzimin deri në Ditën e Kiametit.

Kurani dhe Suneti (tradita profetike e Muhamedit), e vërteta absolute e pandryshuar, janë kriteri i të vërtetës nga e pavërteta që iu vesh Fjalëve të Zotit në Librat Qiellor të mëparshëm, Teurat dhe Inxhil, si rezultat i injorancës dhe ambicies lakmuese njerëzore, të përfaqësuar kryesisht nga paria fetare çifute dhe më pas ajo papate e krishterë, të cilët i ushqyen njerëzimit besime të deformuara, bestytni të paqena, lajthitje logjike, pështjellime të paperceptueshme, humbje dhe errësirë, largim dhe ndalim nga e vërteta, madje luftim të së vërtetës; të gjitha këto vetëm për të arritur ambiciet e tyre vetjake dhe për t’ju ruajtur gjykimit të tyre me mësimin e njerëzimit të vërtetën që ata e mbulojnë dhe e fshehin, duke harruar se këtë gjë mund ta bëjnë vetëm përkohësisht, dhe në fund do të japing llogari që në këtë botë, para llogarisë dhe dënimit të madh në Ditën e Llogarisë së madhe, para Gjykuesit Suprem.

Nuk do të zgjatemi këtu për të treguar se KRISHTLINDJET nuk kanë origjinë në Bibël apo në ndonjë Libër qiellor. Të gjithë e dinë se KRISHTLINDJET kanë origjinë pagane, dhe të parët që i kanë festuar ditët e lindjeve, kanë qenë faraonët paganë për t’ju treguar njerëzve se ata janë zota që i mëshirojnë njerëzit në një ditë të vitit, e që ajo ditë është ditëlindja e tyre, duke i detyruar të gjithë njerëzit që ta festonin atë ditë.

Përndryshe, ku e gjetën të krishterët urdhrin Hyjnor për festimin e KRISHTLINDJEVE?!

A pyetën ndonjëherë besimtarët e krishterë se ku e ka origjinën dhe bazën ky festim që ata bëjnë?

Përgjigja është e thjeshtë, paria e tyre fetare, në bashkëpunim me parinë fetare hebreje, i kanë servirur masave të popullit besime të deformuara dhe të trilluara, të përziera me paganizëm dhe me origjinë pagane.

VITI I RI, ka gjithashtu origjinë pagane, dhe festimi i tij është krejtësisht pa bazë fetare monoteiste, por është adhurim dhe madhërim i zotave imagjinarë të cilëve i frikësoheshin njerëzit paganë që në lashtësi dhe deri në kohët moderne. Në fakt kjo është e shtyrë nga djalli, armiku i betuar i njeriut, i cili nuk kënaqet veçse me shkatërrimin e njeriut dhe të mbarë njerëzimit, dhe për këtë punon ditë e natë, dhe sigurisht që i ka gjetur ndjekësit e tij, madje shumica e njerëzve e bëjnë këtë, përveç atyre që ka udhëzuar dhe shpëtuar Zoti i Madh për atë që ka parë në zemrat e tyre prej kërkimit dhe ndjekjes së të vërtetës dhe të dijes, sepse dija është drita e njeriut, kurse injoranca armiku i tij vrasës.

Deri këtu, nuk ka ndonjë çudi, sepse tek e fundit, të krishterët e kanë zgjedhur vetë atë rrugë që ndjekin me festimin e Krishtlindjeve, dhe gjithësesi janë në rrugë të gabuar dhe në humbje të sigurtë para Zotit, deri sa të hapin sytë dhe të pranojnë të vërtetën e Muhamedit dhe Islamin…

Por çudia nuk mbaron dhe habia nuk ka masë, kur gjen disa muslimanë të festojnë MEVLUDIN – DITËLINDJEN E PROFETIT MUHAMED, apo VITIN E RI HËNOR, duke imituar verbërisht të krishterët në veprën e tyre me festimin e Krishtlindjeve, dhe njerëzit paganë apo injorantë në festimin e Vitit të Ri!!! Madje shumë muslimanë festojnë edhe vetë VITIN E RI, duke rënë kështu në paganizëm pa u interesuar nëse kjo gjë është e mirë apo e keqe, nëse bie në kundërshtim me besimin në një Zot të Vetëm dhe bindjen ndaj Tij apo jo!

Çudia nuk mbaron me ata muslimanë që imitojnë të tjerët në veprat e tyre pagane, ndërkohë që janë ndaluar për këtë nga Profeti i tyre, vula e profetëve të Zotit, i dërguari nga Zoti i gjithësisë si mëshirë për njerëzimin, nga Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!), i cili i ndaloi ata edhe nga imitimi i hebrenjve dhe të krishterëve në veprat më të vogla, që nuk futen në kategorinë e idhujtarisë dhe paganizmit, madje edhe në adhurimet ndaj Zotit si: agjërimi në ditë të caktuara. E gjitha kjo, sepse ata devijuan nga rruga e Zotit, dhe për këtë arsye e humbën vendin e tyre te Zoti dhe merituan ndëshkimin e Tij, dhe nëse ju, o muslimanë, do të imitoni ata me verbëri dhe injorancë, do të humbni dhe do të meritoni ndëshkimin njësoj si ata!

Dhe ja, kur njerëzit humbin rrugën e Zotit dhe ndjekin rrugën e djallit dhe të injorancës, çuditë nuk kanë të sosur; pas festimit të KRISHTLINDJEVE, pastaj të VITIT TË RI, filluan të festojnë të gjithë ditëlindjen e tyre personale; dhe kjo sigurisht që si fillim ka ndodhur në botën e të krishterë, si dhe në atë pagane të lindjes së largët, por më pas është imituar edhe nga disa muslimanë, dhe kjo është fatkeqësi e madhe për njerëzimin në tërësi, sepse po u prishën masat e popullsisë muslimane, njerëzimit i erdhi fundi dhe Kiameti ndodhi; sepse Kiameti nuk do të ndodhë veçse mbi njerëzit më të prishur të të gjitha kohërave, që do të jenë paganë, zullumqarë dhe të prishur nga të gjitha drejtimet! Për këto na ka paralajmëruar Profeti ynë, Muhamedi, me shpallje nga Allahu i Madhëruar.

O lexues i këtyre rreshtave, qofsh musliman, i krishterë apo i çdo feje, dije mirë se Zoti yt që të ka krijuar dhe të ka në Dorë, i fal gjynahet dhe gabimet e tua ndaj vetes tënde apo ndaj Tij, por nuk fal që t’i bësh shok Atij, nuk e fal paganizmin, nuk i fal ata që vdesin paganë, por i bashkon ata me grupin e djallit, i bën të jetojnë një jetë ferri në këtë botë, dhe i ndëshkon në Ferrin e Tij të vërtetë në Botën tjetër të pafund …

Lexo dhe mëso origjinën e një feste apo vepre, para se ta bësh atë, sepse kështu do i sjellësh vetes mjerim të pafund në këmbim të diçkaje të pavlerë, të përkohshme, të pakuptimtë; por që e zemëron shumë Zotin tënd, Krijuesin tënd!

Vetëm dy festa i ka dhuruar Zoti muslimanit: Fiter Bajramin dhe Kurban Bajramin; dy festa me kuptim të madh logjik, shpirtëror, njerëzor, hyjnor.

Të gjitha të tjerat janë festa të rreme, që duan të mashtrojnë ty dhe të tërheqin në humbje, në errësirë, në kurth që do të kushtojë humbjen e jetës së lumtur në këtë botë, dhe ndëshkimin e Zotit në botën tjetër.

Kthehu te Zoti yt, te logjika jote, te dija, sepse vetëm kështu do të ecësh në rrugë të ndriçuar dhe do të arrish atë që do të gëzojë e lumturojë në të dyja botët!

Lutja jonë mbyllëse është: Lavdëruar qoftë Allahu, Zoti i të gjitha botëve, me lavdi dhe falënderim të pafund! Dhe paqaje e bekimet e Allahut qofshin mbi vulën e Profetëve, Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij, dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Kiametit.