Dispozitat e dy Festave të Bajrameve në Sunnetin e Pastër

Autor: Shejh Ali el Halebi
Përktheu:
Edmond Fatmir Ajdini
Recensoi: Bledar Albani

بسم الله الرحمن الرحيم

Parathënie

 

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Vetëm Atë falenderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje të gjynaheve tona. I kërkojmë mbrojtje Allahut prej të keqes së veteve (shpirtrave) tona dhe prej të këqiave të punëve tona.

Atë që udhëzon Allahu, nuk ka kush t’a humbë dhe atë që humb Allahu, nuk ka kush t’a udhëzojë.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut, Një e të Pashok dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

S’ka dyshim se Islami është Feja e Allahut të Lartësuar, Fe të cilën e zgjodhi për mbarë njerëzimin, në mënyrë që të jetë udhëzim dhe udhërrëfyes për ta, deri në Ditën e Gjykimit. “A nuk di Ai i Cili ka krijuar (çdo gjë), përderisa Ai është më i Buti, Dashamirësi, i Mirënjohuri për çdo gjë?!” [El Mulk: 14].

Ummeti musliman ka qenë më i miri ndër të gjithë popujt, për shkak të amanetit të cilin e mbarte dhe për shkak të rëndësisë që i kushtonte përcjelljes së këtij amaneti te popujt e tjerë. Vazhduan muslimanët të jenë në këtë gjendje, deri në ditën në të cilën u larguan prej Librit (Kuranit) të Zotit të tyre dhe sunnetit të të Dërguarit të tyre (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

S’ka dyshim se është detyrë e domosdoshme për të gjithë muslimanët, kudo që ndodhen, të kthehen te libri i Allahut të Lartësuar dhe te sunneti i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), të bashkuar me njeri-tjetrin, sy çelur e të vëmendëshëm. Ti njohin mirë mësimet e Fesë së tyre dhe dispozitat e saj.

Vihet re qartë, se prej çështjeve themelore të cilat Feja Islame i kultivon në gjirin e saj dhe që zënë një vend të rëndësishëm ne mësimet e kësaj Feje madhështore, është rëndësia që i kushton atyre shkaqeve të cilat shpienë në bashkimin e muslimanëve dhe lidhjen e ngushtë të tyre ndërmjet veti.

Prej këtyre shkaqeve është bërja e detyrueshme e faljes bashkërisht të pesë kohëve të namazit në xhami. Me zemrat e bashkuara falen mbas një imami të vetëm, duke i pasuar një nga një veprimet dhe lëvizjet e tij. I përulen Zotit të tyre duke e falenderuar Atë për mirësitë e panumërta. Janë dashamirës dhe të mëshirshëm me njeri-tjetrin, larg armiqësisë dhe përhapjes së shkatërrimit në tokë.

Po ashtu Allahu u ka përcaktuar besimtarëve një ditë në javë në të cilën grumbullohen së bashku dhe e largojnë prej vetes së tyre ngacmimin e Iblisit (shejtanit), si dhe lajthitjen të cilën ka dashur ta mbjellë në zemrat e tyre. Ta frenojnë veten e tyre prej të rendurit mbas vezullimit mashtrues të dynjasë dhe mirazheve të saj. Kjo ditë është dita e premte, ditë të cilën Allahu e ka bërë festë për të gjithë muslimanët. Predikuesi ju përkujton argumentet e Zotit të tyre dhe mirësitë e Tij të panumërta, në mënyrë që te jenë përherë të devotshëm e me zemra të bashkuara me njeri-tjetrin.

Gjithashtu Allahu ka përcaktuar për besimtarët dy festa madhështore në vit, ku ata i kushtojnë rëndësi të veçantë gjendjes së tyre të përgjithshme, duke i plotësuar të gjitha ato kushte të cilat çojnë te dashuria dhe mirëkuptimi i ndërsjelltë. Njëra festë është Fiter Bajrami (Bajrami i vogël)[1] i cili vjen fill pas muajit të begatë të Ramazanit, kohë në të cilën zemrat e besimtarëve janë të pastra dhe të gatshme për bërjen e punëve të mira. Festa tjetër është Kurban Bajrami (Bajrami i madh), ku shumë prej besimtarëve në këtë kohë grumbullohen në qytetin e shenjtë, vend prej të cilit u përhap drita e profetësisë dhe shkëlqeu dielli i lumturisë për mbarë njerëzimin. Ata e adhurojnë Allahun me sinqeritet dhe devotshmëri, duke mos patur për qëllim gjë tjetër përveç kënaqësisë së Tij.

Pikërisht për të gjitha ato që përmenda më sipër, e pashë të dobishme të shkruaj një broshurë përmbledhëse mbi Fiter Bajramin dhe Kurban Bajramin, si dhe të shpjegoj rregullat që kanë të bëjnë me to.[2]

Kjo, edhe pse muslimanët sot jetojnë në ditë të vështira, duke përjetuar sprova të rënda dhe gjendja e tyre nuk është e kënaqshme, si rezultat i largimit të tyre prej burimit të pastër dhe udhëzimit të drejtë, të cilin Allahu i Lartësuar na e mësoi në librin e Tij dhe që e gjejmë të shfaqur qartë gjatë jetës së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe në sunnetin e tij.

Sidoqoftë, të mësuarit e fesë dhe e rregullave bazë të saj nuk mund ta ndali asgjë, përkundrazi, kjo gjendje e keqe në të cilën ndodhen, duhet ti shtyjë muslimanët më tepër në të mësuarit e dijes dhe në të punuarit me të, si dhe në përhapjen e mirësisë dhe thirrjes për te Allahu i Lartësuar.

Në këtë broshurë jam përpjekur që të jetë përmbledhëse, e thjeshtë për tu kuptuar, e mjaftueshëme për temën dhe drejtuese për te ajo që është më e dëshiruara. Gjithashtu kam treguar kujdes, në mënyrë që të përcjell fjalën më të saktë për secilën çështje dhe ti largohem sa të jetë e mundur kundërshtimeve ndërmjet medh’hebeve, duke përmendur fjalën dominuese si dhe argumentin e saj.

Nëse e kam arritur të vërtetën, kjo është sukses nga Allahu, e nëse kam gabuar, Allahut i kërkoj falje dhe te Ai pendohem.

Së fundi, e lus Allahun të më jap sukses në këtë punë dhe ta bëjë të dobishme për të gjithë muslimanët! Vërtetë Ai është që i dëgjon lutjet dhe i përgjigjet thirrësit.

Shkroi

Ebu el Harith Ali ibën Hasen ibën Ali

– 1 –

Ç’është Festa

Festë është ajo ditë në të cilën grumbullohen njerëzit dhe në gjuhën arabe ajo e ka rrënjën nga fjala “ade, jeudu” që do të thotë “kthim, përsëritje”. Thuhet gjithashtu se rrënja e saj është nga fjala “el adeh” –zakon, sepse njerëzit e kanë bërë zakon atë.

Ibën el Earabi thotë: El Idu –festa- është quajtur e tillë për shkak se ajo kthehet çdo vit me hare e gëzim të ri.”[3]

– 2 –

Dy festat e Bajramit janë mëshirë prej Allahut

për popullin musliman

 

Transmetohet nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) erdhi në Medine, i gjeti banorët e saj të festonin dy ditë, në të cilat argëtoheshin dhe dëfrenin në kohën e injorancës[4]. Ai u tha atyre: “Unë ju gjeta ju të dëfreni në dy ditë, të cilat i konsideronit festë në kohën e injorancës. Por Allahu ua ka zëvendësuar ato me dy festa më të mira se ato, Fiter Bajramin (Bajramin e vogël) dhe Kurban Bajramin (Bajramin e madh).”[5]

Shejh Ahmed Abdurrahman el Benna në lidhje me hadithin e mësipërm ka thënë: “Kjo, sepse festat e Bajramit janë të përcaktuara nga Allahu i Lartësuar dhe Ai i ka zgjedhur ato për robërit e Tij, dhe sepse ato vijnë menjëherë mbas dy prej shtyllave madhështore të Islamit, Haxhit dhe Agjërimit të Ramazanit. Gjithashtu sepse Allahu ua fal gjynahet haxhinjëve dhe agjëruesëve, shpërndan mëshirën e Tij mbi të gjitha krijesat të cilat i binden dhe i nënështrohen Atij. Ndërsa Nejruzi dhe Mehraxhani (dy festat e injorancës), kanë qenë zgjedhje e njerëzve që mbaheshin për të ditur në atë kohë, të cilët shihnin motin e mire, apo barazimin e ditës me natën a për ndonjë veçori tjetër të kotë.

Kështu që dallimi ndërmjet festave islame dhe këtyre festave është i dukshëm për atë që sheh ashtu si duhet.[6]

– 3 –

Lejueshmëria e rënies së defit

nga vajzat e vogla

Nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) erdhi tek unë dhe gjeti në dhomën time dy vajza të vogla, të cilat ishin duke kënduar[7] këngën e ditës së Buathit –një ditë feste paraIslame-. Ai u mbështet për të pushuar dhe u ktheu shpinën. Pas pak hyri Ebu Bekri. Ai më qortoi mua duke më thënë: Fyelli i shejtanit në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ?!

I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u drejtua nga ai dhe tha: “Lëri, lëri!”. Kur ai e largoi vëmendjen nga ne, iu bëra shenjë dhe ato dolën jashtë.”

Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “O Ebu Bekër, çdo popull ka festat e veta, ndërsa kjo është festa jonë.”[8]

Imam El Begavij në librin “Sherhu Es Sunneh” [4/322], ka thënë: “Buathi ka qenë një ditë e shënuar tek arabët. Në këtë ditë fisi Eus ka korrur fitore të madhe ndaj fisit Hazrexh. Këto dy fise kanë qenë në luftë dhe hasmëri me njeri-tjetrin për njëqind e njëzetë vjet rresht, deri sa erdhi feja islame dhe pajtoi mes tyre. Vjersha që po këndonin vajzat e vogla, përshkruante pjesë nga lufta dhe tregonte për trimërinë e luftëtarëve, gjë e cila kontribuon në lartësimin dhe ngritjen e çështjes së fesë.

Ndërsa këngët të cilat përmbajnë shthurje dhe fjalë të pavlera, s’ka dyshim që janë të ndaluara në fenë e Allahut, e nuk mund të imagjinohet se diçka e ngjashme me këtë ka ndodhur në prani të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), e ai të mos e tërhiqte vërejtjen prej saj…”

Me fjalën e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): kjo është festa jonë”, mund ta justifikojmë Aishen (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), duke thënë se vënia në dukje e gëzimit dhe lumturisë gjatë dy festave të Bajrameve, është prej simboleve të fesë islame dhe se ato nuk janë si gjithë ditët e tjera.

Dijetari i madh Ibën Haxher ka thënë: “Prej dobive që përfitohen nga ky hadith është pëlqyeshmëria e shpenzimit diçka më tepër për familjen gjatë festave të Bajrameve (në blerjen e ndonjë dhurate, apo ushqimeve të preferuara), në mënyrë që të futësh hare dhe kënaqësi në zemrat e tyre, gjë kjo, e cila ndihmon në shlodhjen e trupit dhe ripërtërin forcat për t’iu rikthyer përsëri adhurimit. Gjithashu ajo që kuptohet prej këtij hadithi është se vënia në dukje e gëzimit dhe lumturisë gjatë dy festave të Bajrameve, është prej simboleve të fesë.”[9]

– 4 –

Të zbukuruarit në ditë feste

Nga Ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmetohet se ka thënë: “Umeri mori në treg një pelerinë të bukur, të punuar me mëndafsh. Ai shkoi te i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha atij: O i Dërguari i Allahut, si thua sikur ta blesh këtë, e të zbukurohesh me të në ditët e festave, apo kur të vinë delegacionet e jashtme? I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Kjo është veshje e atyre të cilët nuk kanë moral!” Pasi që kaloi një farë kohe, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i dërgoi Umerit një pelerinë të ngjashme me atë të parën. Umeri kur e pa atë, e mori në dorë dhe shkoi te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), dhe i tha atij: O i Dërguari i Allahut, ti ke thënë se kjo është veshje e atyre të cilët nuk kanë moral, ndërsa sot e dërgove këtë pelerinë tek unë! I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Shite atë, ose plotëso ndonjë prej nevojave të tua.”[10]

Dijetari i madh, Es Sindi ka thënë:

“Prej këtij hadithi mësojmë se të zbukuruarit në ditët e festave ka qenë zakon i njohur mes tyre dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk e disaprovoi atë, pra u bë e qartë vazhdueshmëria e tij.”[11]

Dijetari i madh Ibën Haxher ka thënë:

“Ibën ebi Ed Dun’ja dhe El Bejhaki kanë përcjellë me zinxhir transmetimi të saktë deri te Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ai vishte rrobat më të mira në dy festat.”[12]

Ai (Ibën Haxheri) gjithashtu ka thënë:

“Kuptohet qartë nga ky hadith, se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ia aprovoi Umerit të zbukuruarit për festa dhe se disaprovimi ishte për llojin e asaj veshjeje në veçanti, sepse ajo ishte prej mëndafshi.”[13]

Ibnul Kudame në librin “El Mugni” ka thënë: “Kjo tregon se tek ata, të zbukuruarit ka qenë zakon i njohur në të tilla raste.”

Maliku ka thënë: “Kam dëgjuar shumë prej dijetarëve, ta konsiderojnë të pëlqyeshme parfumosjen dhe të zbukuruarit në ditët e festave.”

Ibnul Kajim, në librin “Zadu el Mead” [vëll. 1, f. 441] ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), vishte rrobat më të bukura në ditët e festave. Ai kishte një pelerinë të cilën e vishte për dy festat e Bajrameve dhe ditëve të Premte. Ndonjëherë vishte xhybe ngjyrë jeshile, e ndonjëherë të kuqe[14], por jo të kuqe të ndezur, ashtu siç mendojnë disa njerëz. Nëse ajo do të ishte kështu, atëherë nuk do të quhej xhybe, por në të kishte vija të kuqe, si xhybet jemenase.”

– 5 –

Falja e namazit të Bajrameve në vend

të hapur -faltore-

 

Nga Ebu Said el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ditën e Fiter Bajramit dhe Kurban Bajramit dilte për t’u falur në faltore dhe gjëja e parë që bënte ishte falja e namazit…”[15]

Dijetari i madh Ibnul Haxh el Malikij ka thënë:

“Suneti i hershëm është që namazi i Bajrameve të falet në musal-le (faltore), sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Një namaz i falur këtu në xhaminë time, është më i mirë se një mijë namaze të falura në ndonjë xhami tjetër, përveç xhamisë së shenjtë (Kabes)”[16], pastaj megjithëse kjo vlerë është kaq e madhe, ai doli dhe e la atë (u fal në faltore)… “[17]

Imam Ibnul Kadame el Makdisi ka thënë[18]:

“Suneti është që namazi i Bajrameve të falet në faltore. Ka urdhëruar për këtë Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe e ka konsideruar të pëlqyeshme El Euzai dhe dijetarët hanefi. I këtij mendimi është edhe Ibën el Mundhir.[19]

Por nëse dikush nuk mundet të falet në faltore, për shkak të moshës së thyer, apo për shkak të sëmundjes, atëherë i lejohet atij të falet në xhami dhe nuk ka problem –inshaAllahu-.”[20]

Ajo që vlen të përmendet këtu është se qëllimi i faljes së namazit në faltore është që të bëhet i mundur grumbullimi i shumicës së muslimanëve në një vend të vetëm. Ndërsa ajo që vërehet në shumë vende sot, është numri i madh i faltoreve, madje edhe pa qenë nevoja, ndërsa dijetarët kanë tërhequr vërejtje dhe e kanë konsideruar të urryer këtë dukuri. [21]

Madje, për fat të keq, disa prej këtyre faltoreve janë bërë tribuna grupacionesh, për të përçarë fjalën e muslimanëve. “Ue la haula, ue la kuvete il-la bil-lah”.

– 6 –

Shkuarja për në faltore dhe kthimi prej saj

Nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), transmetohet se ka thënë: “I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në ditën e festës ndërronte rrugë”[22]

Imam Ibnul Kajim el Xheuzije ka thënë:

“I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndërronte rrugë në ditën e festës, shkonte në një rrugë dhe kthehej nga një tjetër. Disa thonë se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e bënte një veprim të tillë në mënyrë që të përshëndeste me selam banorët e të dyja rrugëve, apo që ata të përfitonin bereqetin e tij. Të tjerë kanë thënë: Në mënyrë që të plotësonte nevojat e atyre që kishin nevojë në të dyja rrugët, apo t’ua zgjidhte ndonjë problem që mund të kishin. Gjithashtu kanë thënë: Në mënyrë që të vinte në dukje simbolet e Islamit.

Ndërsa fjala vendimtare është se ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e bënte një veprim të tillë, për të gjitha këto arsye së bashku, si dhe për të tjera urtësi, ashtu siç ndodh në të gjitha veprat e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë!), pasi që i ka përmendur të gjitha fjalët e mësipërme ka thënë: “Edhe nëse nuk do ta dinim arsyen e këtij veprimi, është e pëlqyeshme në mënyrë të prerë, të ndiqet sunneti i të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), e Allahu e di më së miri.”

Vërejtje:

Së pari: Imam El Begavij në librin “Sherhu es sunneti” [vëll. 4, f. 302-303], ka thënë:

“Është e pëlqyeshme për njerëzit që pasi të kenë falur sabahun t’i gjej agimi në faltore, duke madhëruar Allahun me tekbir dhe duke pritur kohën e faljes së Bajramit. Ndërsa imami del në kohën e përcaktuar për faljen e namazit.”

Së dyti: Ka transmetuar Tirmidhiu [530] dhe Ibën Maxheh [161], nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ka thënë: “Është sunet që për faljen e Bajramit të shkosh në këmbë.”[23]

– 7 –

Tekbiri në dy festat e Bajrameve

 

Allahu i Lartësuar thotë:

“Që të plotësoni numrin (e ditëve të ngelura mangët prej agjërimit), të madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi dhe të falenderoni.” [El Bekare: 185].

Gjithashtu kanë ardhur transmetime autentike se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) shkonte për në faltore duke e madhëruar Allahun me tekbir, deri sa të fillonte faljen. Pasi e mbaronte namazin, ai e ndërpriste tekbirin.[24]

Shejh Albani ka thënë: “Në hadith ka argument për ligjshmërinë e tekbirit me zë gjatë shkuarjes për faljen e namazit të Bajramit. Ky sunet ka qenë i përhapur tek muslimanët e parë, ndërsa në ditët tona, pothuajse është harruar.”

Ajo që duhet patur parasysh në këtë çështje, është se të ngriturit e zërit me tekbir, nuk do të thotë se kjo lejohet të bëhet në kor. Gjithashtu, të gjitha përmendjet që bëhen për të madhëruar Allahun, me zë apo pa zë qofshin, nuk lejohet që të bëhen bashkërisht me një zë, pra duhet ti ruhemi kësaj.[25] Ajo që muslimani duhet të ketë gjithmon parasysh, është se udhëzimi më i mirë është udhëzimi i të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Është pyetur dijetari i madh, Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) për kohën e tekbirit në dy festat e Bajramit dhe ai ka thënë:

“I lavdëruar është Allahu! Fjala më e saktë në këtë çështje, të cilën e mbështesin pjesa më e madhe e dijetarëve dhe të parëve tanë të mirë, është që tekbiri të fillohet që në mëngjesin e ditës së Arafatit, e të vazhdojë deri në fundin e ditëve të teshrikut (tre ditë të caktuara në kohën e haxhit), pas çdo namazi. Gjatë shkuarjes për kryerjen e faljes së Bajramit është e pëlqyeshme që çdokush të ngrejë zërin me tekbir, kjo me aprovimin e të katër medh’hebeve.”[26]

Ndërsa unë (shejh Aliu) them: Fjala e tij: “pas çdo namazi”, nuk ka argument. E sakta është se tekbir bëhet gjatë gjithë kohës, pa përkufizim. Ajo që e argumenton këtë është fjala e Imam Buhariut në “Sahihun” e tij, në kapitullin e dy festave të Bajramit [vëll. 2, f. 461], me temë: “Tekbiri në ditët e qëndrimit në Mina dhe i atij i cili agon në Arafat”:

Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), qëndronte në kupolën e tij në Mina dhe e ngrinte zërin me tekbir, deri sa e dëgjonin ata të cilët ishin në xhami dhe e ngrinin edhe ata zërin me tekbir. Tekbir bënin gjithashtu edhe njerëzit që ishin në treg, saqë Mina ushtonte prej tekbireve.

Edhe Ibën Umeri ka qenë prezent në Mina ato ditë. Ai bënte tekbir mbas çdo namazi, në dyshekun e tij, në tendën e tij, në kohën kur pushonte dhe kur ecte, gjatë gjithë atyre ditëve.

Mejmune (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) bënte tekbir në ditën e dhjetë të dhulhixhes, ditën e Kurbanit (Jeumu en nahër).

Gjithashtu, në kohën e Umer ibën Abdulazizit, gratë bënin tekbir në xhami gjatë ditëve të teshrikut, mbrapa Umerit dhe mbrapa Ebane ibën Uthmanit.

Ibën Umer bënte tekbir në agimin e ditës së Fiter Bajramit dhe Kurban Bajramit, deri sa mbërrinte në faltore, pastaj bënte tekbir, deri sa vinte imami.[27]

Ndërsa për sa i përket mënyrës së tekbirit, nuk di të ketë ardhur ndonjë transmetim i saktë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), por në lidhje me këtë janë transmetuar gjurmë nga disa prej sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!).

Ibën Mes’udi thoshte: “Allahu ekber, Allahu ekber, La ilahe il-lallah, ue Allahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahil hamd.”.[28]

 

Ibën Abasi thoshte: “Allahu ekber, Allahu ekber. Allahu ekber ue lil-lahil hamd. Allahu ekber ue Exhel, Allahu ekber ala ma hedana.”[29]

Abdurrazaku[30] ka përcjellë me zinxhir transmetimi të saktë, nga Selman el Hajri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ka thënë:

“Madhërojeni Allahun: Allahu ekber, Allahu ekber, Allahu ekberu kebiran.”

Ndërsa shumë prej muslimanëve i kanë lënë mënjanë këto përmendje të transmetuara nga të parët tanë të mirë dhe i kanë zëvendësuar ato, me shtesa dhe fjalë të tjera të shpikura dhe të pa baza. Pikërisht kjo dukuri, e bëri dijetarin e madh Ibën Haxher el Askaleni të thotë në librin “Fet’hu el Bari” [vëll. 2, f. 536]:

“Janë shpikur në këtë kohë, shtesa dhe risi të cilat nuk kanë bazë.”

– 8 –

Kur preferohet të hahet mëngjesi

në ditët e festave?

Nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), transmetohet se ka thënë: “I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në ditën e Fiter Bajramit, nuk shkonte të falej pa ngrënë më parë disa temerat (hurma arabe)”[31]

Imam El Muhelebi ka thënë:

“Urtësia e ngrënies para namazit të Fiter Bajramit, është që të mos kujtohet se duhet agjëruar deri sa të falet namazi i festës. I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), sikur ka dashur ta mbylli derën e këtij keqkuptimi.”[32]

Nga Burajde (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), transmetohet se ka thënë: “I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në ditën e Fiter Bajramit, nuk dilte prej shtëpisë, deri sa të hante diçka, ndërsa në ditën e Kurban Bajramit, nuk hante deri sa të kthehej, e pastaj hante prej kurbanit.”[33]

Dijetari i madh Ibnul Kajim ka thënë: “Në ditën e Kurban Bajramit, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk hante deri sa kthehej prej faltores, e pastaj hante prej kurbanit të tij.”[34]

Esh Sheukani ka thënë[35]: “Urtësia e vonimit të ngrënies në ditën e Kurban Bajramit, është sepse në atë ditë theren kurbanet dhe është e pëlqyeshme të hahet prej tyre. Këtë fjalë e ka thënë Ibën Kudama.”[36]

Ez Zejn ibën el Munejir ka thënë[37]: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), si në ditën e Fiter Bajramit, ashtu edhe në atë të Kurban Bajramit, e ka filluar ngrënien në kohën e përcaktuar për nxjerjen e sadakasë së tyre. Koha e nxjerjes për sadakanë e Fitrit është para mbërritjes në faltore (xhami), ndërsa nxjerja e sadakasë së kurbaneve, është pas therjes së tyre.”

-9 –

Gusuli (larja e trupit) para festës

Nga Nafiu (Allahu e mëshiroftë!), transmetohet se ka thënë: “Abdullah ibën Umeri merte gusul në ditën e Fiter Bajramit, para se të shkonte në faltore.”[38]

Imam Said ibën El Musejib ka thënë:

“Sunetet e Fiter Bajramit janë tre: Ngrënia para daljes nga shtëpia, ecja për në faltore dhe larja e trupit (gusuli).”[39]

Ndoshta ky imam me fjalën “sunet” ka për qëllim veprën e sahabëve dhe rrugën e tyre, sepse përsa i përket kësaj çështjeje nuk ka ardhur ndonjë hadith i saktë prej të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Imam Ibnul Kudame ka thënë:

“Është e pëlqyeshme për muslimanin të pastrohet duke marr gusul për festat e Bajramit. Ibën Umeri merrte gusul ditën e festës së Fiter Bajramit dhe po ashtu është transmetuar se vepronte Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Prej dijetarëve të cilët e mbështesin këtë mendim janë edhe Alkame, Urveh, Atau, En Nekhai, Esh Sha’bij, Katede, Ebu ez Zinad, Maliku, Esh Shafi’ij, Ibën el Mundhir etj.”[40]

Ndërsa transmetimi i ardhur në këtë temë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), është i dobët[41].

– 10 –

A ka namaz para dy rekateve të Bajramit

apo pas tyre?

Nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), transmetohet se ka thënë: “I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në namazin e Fiter Bajramit, fali dy rekatë dhe nuk fali gjë tjetër para apo pas tyre.”[42]

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!), ka thënë:

“As i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe as shokët e tij, nuk falnin namaz tjetër kur mbërrinin në faltore, përveç dy rekateve të Bajramit.”[43]

Ibën Haxher el Askaleni ka thënë[44]:

“Përmbledhja e kësaj çështjeje është fakti se nuk ka argument që vërteton se para apo pas namazit të Bajramit, ka namaz sunete, ndryshe nga ata që e krahasojnë atë me namazin e të xhumasë.”[45]

– 11 –

Gjykimi për namazin e Bajramit

Dijetari i Islamit, Ibën Tejmije ka thënë:

“Gjykimi i saktë në këtë çështje, është se namazi i Bajramit është vaxhib (obligim) për çdo musliman, ashtu siç ka thënë imam Ebu Hanife (Allahu e mëshiroftë!) e të tjerë. Gjithashtu kjo është njëra prej fjalëve në medh’hebin Shafi’ij dhe njëra prej dy fjalëve dominuese në medh’hebin Hanbelij.

Ndërsa fjala e atyre që thonë se nuk është obligim, është në kulmin e pavërtetësisë, sepse festat e Bajrameve janë prej simboleve më madhështore të fesë islame dhe se grumbullimi i njerëzve në to është më i madh se grumbullimi i ditës së premte, si dhe në to është ligjëruar tekbiri –madhërimi i Allahut duke ngritur zërin-.

Gjithashtu, prej fjalëve që kanë thënë është se namazi i Bajramit është farz kifaje[46], por kjo fjalë nuk është shumë e përkufizuar.”[47]

Esh Sheukeni në librin “Es sejlu el xherrar” [vëll. 1, f. 315][48], ka thënë:

“I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka falur gjithnjë namazin e Bajramit dhe nuk e ka lënë atë asnjëherë. Ai i urdhëroi njerëzit që të dilnin e ta falnin namazin bashkë me të, madje urdhëroi të dalin edhe grate e lira, beqaret e mbyllura dhe ato që ishin në kohën e periodave. Këto të fundit i urdhëroi të mos e falin namazin, por të përfitojnë prej mirësisë së kësaj dite dhe prej lutjes së muslimanëve. I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i urdhëroi ato të cilat nuk kishin çfarë të vishnin për të dalë, të merrnin hua prej shoqeve të veta.”[49]

E gjithë kjo argumenton qartë obligueshmërinë e faljes së namazit të festave (Fiter Bajramit dhe Kurban Bajramit), për çdo musliman në veçanti. Ndërsa urdhëri i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për të dalë është njëkohësisht urdhër për prezantimin e namazit, për ata të cilët nuk kanë arsye justifikuese. Kjo kuptohet qartë nga vet domethënia e fjalës, sepse dalja për në faltore (xhami) është mjet (ndërmjetës) i cili të çon te namazi. Përderisa mjeti është i obligueshëm, vetëkuptohet që edhe qëllimi tek i cili të shpie ky mjet është po ashtu i obligueshëm. S’ka dyshim që kjo obligueshmëri për burrat është më parësore.

Më pas (Esh Sheukani) thotë: “Gjithashtu, prej argumenteve që vërtetojnë obligueshmërinë e namazit të festave, është fakti se nëse dita e Bajramit qëllon te jetë në ditën e premte, atëherë namazi i xhumasë anullohet për shkak të namazit të Bajramit.[50] Kështu që, ajo e cila nuk është vaxhib nuk mund ta anullojë atë që është vaxhib.

Pastaj, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka falur gjithmonë me xhemat namazin e Bajramit dhe nuk e ka lënë asnjëherë atë, derisa ndërroi jetë. Nëse do ti shtonim kësaj faktin se ai i urdhëroi muslimanët të dalin për të marë pjesë në namazin e Bajramit, obligueshmëria del shumë e qartë.[51]

Shejhu ynë, El Albani, në librin “Tamamu el minneh” [f. 344], pasi që e ka përmendur hadithin e Umu Atijes, ka thënë:

“Hadithi i lartpërmendur është argument i qartë për obligueshmërinë e namazit të Bajramit, sepse përderisa dalja është e obligueshme, namazi është më parësor për të qenë i obligueshëm. Fjala e saktë në këtë çështje, është obligueshmëria e namazit të Bajramit dhe jo konsiderimi i tij thjesht sunnet…”

– 12 –

Koha e namazit të Bajramit

Transmetohet nga sahabiu i nderuar, Abdullah ibën Busër, se ai doli me njerëzit për faljen e namazit të Fiter Bajramit apo Kurban Bajramit dhe e kritikoi daljen me vonesë të imamit. Ai tha: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut, në këtë orë ne ishim kthyer në shtëpitë tona. Kjo kohë ishte pas lindjes së diellit, në kohën e namazit të duhasë, pas përfundimit të kohës në të cilin urrehet namazi.[52]

Ky është transmetimi më i saktë[53] në këtë temë. Gjenden edhe transmetime të tjera, por ato nuk e kanë zinxhirin e transmetimit të saktë.

Ibnul Kajim ka thënë:

“I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e vononte namazin e Fiter Bajramit dhe e shpejtonte namazin e Kurban Bajramit. Ndërsa Ibën Umeri, i cili ka qenë shumë i përpiktë në zbatimin e sunetit, nuk dilte për namazin e Bajramit pa lindur dielli.”[54]

Sidik Hasen Khan ka thënë:

“Koha e namazit të dy Bajrameve është duke filluar që në kohën kur dielli ngrihet sa një shtizë e deri para namazit të drekës. Të gjithë dijetarët kanë rënë dakord unanimisht në lidhje me atë që përfitohet prej haditheve, edhe pse vetë hadithet nuk janë në atë pozitë sa të konsiderohen si argument i padiskutueshëm.”

Shejh Ebu Bekër el Xhezairi ka thënë:

“Koha e namazit të dy Bajrameve është që prej kohës kur dielli ngrihet sa një shtizë, e deri para namazit të drekës. Më e preferuar në ditën e Kurban Bajramit është që namazi të falet në fillimin e kohës, në mënyrë që njerëzit të kenë mundësi të therin kurbanet e tyre, ndërsa namazi i Fiter Bajramit është e preferuar të vonohet, që të ketë kohë për nxjerrjen e sadaka fitrit.”[55]

Vërejtje:

Nëse njerëzit e mësojnë me vonesë se dita e Bajramit ka hyrë, ata duhet ta falin namazin e Bajramit ditën e nesërme. Ka transmetuar Ebu Daudi [1157], En Nesai [vëll. 3, f. 180] dhe Ibën Maxhe [1653] me zinxhir transmetimi të saktë, nga Ebu Umejr ibën Enes, e ky nga disa xhaxhallarë të tij prej shokëve të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), se “ata e kishin parë daljen e hënës së re (e cila tregon mbarimin e muajit të Ramazanit) një natë më parë dhe dëshmuan për këtë tek i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ai urdhëroi të ndërpritet agjërimi dhe kur të agojë mëngjesi i ditës së nesërme të grumbullohen në faltore për faljen e namazit të Bajramit.”

-13-

Namazi i Bajramit nuk ka ezan

dhe as ikamet

Xhabir ibën Semura (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), ka thënë: “Kam falur me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) namazin e Bajramit më tepër se një apo dy herë dhe nuk është thirrur ezan e as ikamet”.[56]

Nga Ibën Abasi dhe Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!), transmetohet se kanë thënë: “Nuk thirrej ezan për namazin e Fiter Bajramit dhe as për atë të Kurban Bajramit.”[57]

Ibnul Kajim ka thënë:

“Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) mbërrinte në faltore, fillonte menjëherë namazin dhe nuk thirrej ezan, ikamet apo thirrja “es saletul xhemia”[58]. Suneti është që të mos bëhet një gjë e tillë.”[59]

Imam Es San’ani, në shënimet që ka bërë për transmetimet e mësipërme ka thënë:

“Këto transmetime që kanë ardhur prej sahabëve, janë argument i qartë për moslejueshmërinë e thirrjes së ezanit dhe ikametit në namazin e festave. E s’ka dyshim që ato (në këtë rast) janë bidat.”[60]

– 14 –

Forma e namazit të Bajramit

Së pari: Namazi i Bajramit ka dy rekate. Argument për këtë është transmetimi i Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “Namazi i udhëtarit është me dy rekate, namazi i Kurban Bajramit është me dy rekate dhe namazi i Fiter bajramit është me dy rekate, të plota dhe pa shkurtuar. Këtë e kam dëgjuar nga goja e Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[61]

Së dyti: Rekati i parë fillon me tekbirin fillestar, ashtu si në të gjitha namazet e tjera, pastaj thuhen shtatë tekbire, ndërsa në rekatin e dytë thuhen pesë tekbire përveç tekbirit të rukusë.

Nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) , si në namazin e Fiter Bajramit ashtu edhe në atë të Kurban Bajramit, thoshte shtatë tekbire në rekatin e parë dhe pesë tekbire në të dytin, përveç tekbirit të rukusë.”[62]

Imam El Begavi ka thënë:

“Fjala e shumicës së dijetarëve prej sahabëve e pasardhësve të tyre në këtë çështje, është se në rekatin e parë të namazit të Bajramit thuhen shtatë tekbire, përveç tekbirit fillestar dhe në të dytin pesë tekbire, përveç tekbirit të ngritjes prej sexhdes. Kjo është transmetuar nga Ebu Bekri, Umeri, Aliu …etj.”[63]

Së treti: Nuk është vërtetuar nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ngritja e duarve në tekbiret e namazit të Bajramit, por Ibnul Kajim ka thënë: Ibën Umeri, me gjithë përkujdesjen e tij të madhe në zbatimin e sunetit, i ngrinte duart në çdo tekbir.”[64]

Them (autori): Udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Shejhu ynë, El Albani, në librin “Tamamu el minneh” [f. 348] ka thënë:

“Fakti që kjo është transmetuar prej Umerit dhe djalit të tij, nuk e bën atë sunet, aq më pak kur thënia e transmetuar prej tyre në këtë çështje nuk është e saktë.

Përsa i përket transmetimit të Umerit, ai e ka të dobët zinxhirin e transmetimit.

Ndërsa transmetimin e Ibën Umerit nuk e kam shqyrtuar ende.”

Gjithashtu, shejhu ynë në librin e tij “Ahkemu el xhenaiz” [f. 148], për një çështje të ngjashme me këtë ka thënë:

“Ai që ka bindjen se Ibën Umeri nuk mund ta bënte një veprim të tillë vetëm se me aprovimin e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), duhet të sjellë argument për aprovimin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

E katërta: Nuk është vërtetuar nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndonjë dhikër-lutje e caktuar ndërmjet tekbireve të namazit të Bajramit, por është vërtetuar nga Ibën Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë për namazin e Bajramit: “Ndërmjet çdo dy tekbireve, duhet lavdëruar dhe falenderuar Allahu i Lartësuar.”

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), mbas çdo tekbiri bënte një pushim të shkurtër, por nuk është vërtetuar prej tij ndonjë dhikër i caktuar ndërmjet tekbireve.”

Them: Të njejtën fjalë që thashë në çështjen e ngritjes së duarëve në çdo tekbir, them edhe këtu.

E pesta: Pasi që e përfundonte thënien e tekbireve, vazhdonte me leximin e sures El Fatiha dhe mbas saj lexonte “Kaf, uel Kur’anil mexhid” në njerin prej rekateve, ndërsa në tjetrin lexonte “Ikterabeti seatu uen shek-kal kamer”[65]

Ose lexonte: “Sebih-hisme rabikel eala” dhe “Hel etake hadithul gashije”[66]

Ibnul Kajim (Allahue mëshiroftë!) ka thënë:

“Të dyja këto janë vërtetuar prej tij dhe përveç tyre nuk është vërtetuar gjë tjetër.”[67]

E gjashta: Veprimet e tjera janë të njëjta me ato të namazit të zakondshëm, pa patur asnjë ndryshim.[68]

E shtata: Atij të cilit i shpëton pa falur namazi i Bajramit me xhemat, duhet të falë vetëm dy rekate.

Imam Buhariu (Allahu e mëshiroftë!), në “Sahihun” e tij ka thënë: Tema: “Atij të cilit i ikën namazi i Bajramit me xhemat, fal dy rekate”[69]:

Imam Ibën Haxher në librin “Fet’hu el Bari” [vëll. 2, f. 550], ka thënë: “Në vendosjen e kësaj teme nga imam Buhariu përfitohen dy gjykime:

  1. 1. Vlefshmëria e faljes së namazit të Bajramit me vonesë në rast se të shpëton namazi i falur në kolektiv, pa marr parasysh nëse është me apo pa arsye.
  2. 2. Numri i rekateve që duhen falur në këtë rast, është po dy rekatë.”

Atau ka thënë: “Nëse dikujt i ikën namazi i Bajramit me xhemat, duhet të falë dy rekatë.”[70]

Dijetari i madh Velijullah ed Dehlevi ka thënë: “Kështu është në medh’hebin shafi’ij, nëse dikujt i ikën namazi i Bajramit me imam, duhet të falë vetë dy rekate, në mënyrë që të përfitojë prej mirësisë së namazit të Bajramit, edhe pse ai e ka humbur shpërblimin e namazit me xhemat.

Ndërsa në medhhebin hanefi, nuk ka zëvendësim (kaza)[71], për namazin e Bajramit. Nëse dikush nuk e fal atë bashkë me imamin, atëherë e ka humbur namazin e Bajramit.”[72]

Imam Maliku në “El Muata”[73] ka thënë: “Për çdokënd i cili e fal namazin e Bajramit vetëm, mashkull apo femër qoftë, unë jam i mendimit se duhet të thotë shtatë tekbire para leximit në rekatin e parë dhe pesë në rekatin e dytë, po para se të fillojë leximin.”

Ai të cilit i ka ikur namazi i Bajramit, duhet ta zëvendësojë atë po në të njejtën formë, ashtu siç ndodh me të gjitha namazet e tjera.[74]

E teta: Tekbiri është sunet, nuk prishet namazi me lënien e tij, e qëllimshme apo e pa qëllimshme qoftë lënia dhe për këtë kanë rënë dakort të gjithë dijetarët[75]. Ndërsa lënësi i tij, s’ka dyshim që ka lënë sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

– 15 –

Hutbeja- predikimi- mbahet pas namazit

Suneti është që hutbeja e Bajramit të mbahet pas namazit. Imam Buhariu e ka emërtuar një temë në “Sahihun”[76] e tij me titull “Hutbeja mbahet pas namazit të Bajramit.”

Nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmetohet se ka thënë:

“E kam falur Bajramin me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), Ebu Bekrin, Umerin dhe Uthmanin (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) dhe që të gjithë ata e falnin namazin e Bajramit para hutbes.”[77]

Nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), Ebu Bekri dhe Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) e falnin namazin e Bajramit para hutbes.”[78]

Velijullah ed Dehlevi, duke komentuar temën e mësipërme të Buhariut[79], ka thënë:

“Pra ky është suneti i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe vepra e prijësave të mirë pas tij, ndërsa ndryshimi që ka ndodhur më vonë, duke e falur namazin mbas hutbes, krahasuar kjo me namazin e ditës së premte, është bidat i shpikur prej Mirvan ibën el Hakem.”[80]

Imam Et Tirmidhi ka thënë[81]: “Kjo është fjala e të gjithë dijetarëve prej shokëve të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe atyre të cilët i pasuan ata; se namazi i Bajramit falet para hutbes. Thuhet se i pari i cili e ka mbajtur hutben para namazit, ka qenë Mirvan ibën el Hakem.”[82]

– 16 –

Përzgjedhja e pjesëmarrjes në hutbe

Nga Ebu Said el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ditën e Fiter Bajramit dhe Kurban Bajramit dilte për në faltore, dhe gjëja e parë që bënte ishte falja e namazit, pastaj ngrihej me fytyrë nga njerëzit dhe i predikonte, i këshillonte dhe i urdhëronte, ndërsa ata qëndronin ulur në vendet e tyre (dhe dëgjonin).”[83]

Hutbeja e Bajramit, ashtu si të gjitha hutbet, fillon me falenderimin e Allahut të Lartësuar dhe lavdërimin e Tij:

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të gjitha hutbet (fjalimet) që mbante, i fillonte duke falenderuar Allahun e Lartësuar dhe nuk është transmetuar në asnjë hadith që ai ti fillonte hutbet e Bajramit me tekbir, por ka transmetuar Ibën Maxhe në “Sunenin”[84] e tij, nga Sad el Kuradh, muezini i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), se “ai e përsëriste shpesh tekbirin gjatë hutbeve dhe se bënte shumë tekbire gjatë hutbeve të Bajramit.

Por ky hadith nuk argumenton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e fillonte hutben e tij me tekbir…”[85]

Nuk ka ardhur argument për të treguar se hutbeja e Bajramit ndahet në dy pjesë, ndërmjet të cilave ulet imami!

Ajo që ka ardhur në lidhje me këtë është një hadith shumë i dobët të cilin e ka transmetuar El Bezar në “Musnedin” e tij, me nr [53- musnedi i Sadit]: Nga shejhu i tij Abdullah ibën Shebib me zinxhir i cili përfundon te Sadi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ndante hutben e Bajramit në dy pjesë dhe pushonte ndërmjet tyre.

Por Buhariu për Abdullah ibën Shebibin ka thënë: “Hadithi i tij refuzohet.”

Pra hutbeja e Bajramit qëndron në origjinën e saj, një e pandarë.

Pjesëmarrja në hutbe nuk është obligim ashtu sikurse namazi. Argument për këtë është transmetimi i Abdullah ibën es Saib, i cili ka thënë: E kam falur namazin e Bajramit me të Dërguarin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe kur mbaruam, ai tha: “Unë do të mbaj hutben, nëse dikush ka dëshirë të qëndrojë ulur e të dëgjojë, le të ulet, e nëse dikush dëshiron të largohet, le të largohet.”[86]

Ibnul Kajim (Allahue mëshiroftë!) ka thënë:[87]

“I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka lenë pjesmarrjen e hutbes në dëshirën e personit, kush ka dëshirë të qëndrojë, qëndron dhe kush dëshiron të largohet, largohet.”[88]

– 17 –

Bashkimi i Xhumasë dhe Bajramit në të njejtën ditë

Ebu Daudi [1070], En Nesai [vëll. 3, f. 194], Ibën Maxheh [1310], Ibën Huzejme [1464], Ed Darimi [1620] dhe Ahmedi [vëll. 4, f. 372], kanë transmetuar nga Ijas ibën ebi Ramle esh Shamij, se ka thënë: “E kam parë Muavije ibën ebi Sufjan të pyeste Zejd ibën ebi Erkamin: A ka qëlluar ndonjëherë në kohën e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të bashkohen dy festa (xhumaja dhe bajrami) në të njejtën ditë?

-“Po”, -tha ai.

-Si veproi në këtë rast i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)? –pyeti Muavija.

-Fali Bajramin dhe e la në dëshirën e personit pjesëmarrjen e xhumasë duke thënë: “Kush ka dëshirë që ta falë atë, le ta falë.”[89]

Në temë ka hadith nga Ebu Hurejra e të tjerë.

Kështu kanë vepruar shokët e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Abdurrazaku në “El Musanef” [vëll. 3, f. 305] dhe Ibën ebi Shejbe në “Musanefin” e tij, kanë përcjell me zinxhir transmetimi të saktë, nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se kur ka qëlluar xhumaja dhe bajrami ne të njejtën ditë, ai ka thënë: “Kush dëshiron ti bashkojë, le ti bashkojë dhe kush dëshiron të ulet, le të ulet.”

Në “Sahihun” e Buhariut [5251] është transmetuar hadith i ngjashëm me këtë, nga Uthman ibën Afani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

Gjithashtu është transmetuar në “Sunenin” e Ebu Daudit [1072] dhe “Musanefin” e Abdurrazakut [5725], me zinxhir transmetimi të saktë, nga Ibën ez Zubejr, se ka thënë: “U bashkuan në kohën e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dy festa. Ai i bashkoi ato të dyja në një namaz të vetëm dhe e fali namazin e xhumasë dy rekatë në mëngjesin e Fiter Bajramit, pastaj nuk u fal më deri në kohën e Ikindisë…”

Esh Sheukani në librin “Nejlu el eutar” [vëll. 3, f. 348], duke i bërë koment këtij transmetimi, ka thënë:

“Ajo që vërehet prej këtij hadithi në pamje të parë, është se nuk e ka falur drekën.

Gjithashtu, prej këtij hadithi kuptohet se nëse namazi i xhumasë bie, për çfarë do lloj arsyeje qoftë, nuk kërkohet prej personit të cilit i ka rënë namazi i xhumasë, që të falë namazin e drekës. I këtij mendimi është Atau.”

Me sa duket, kjo është fjala e atyre që thonë se e xhumaja është baza, dhe ti e di mirë se ajo që Allahu ka bërë obligim mbi robët e Tij është namazi i xhumasë, kështu që ngarkimi me namazin e drekës atë që i ka shpëtuar e xhumaja, me apo pa arsye, ky ngarkim kërkon argument. Dhe, me sa di unë, për këtë gjë nuk ka argument.

– 18 –

Urimi për festë

Është pyetur dijetari i Islamit, Ibën Tejmije për urimin në ditë feste dhe është përgjigjur[90]:

Për sa i përket urimit të njeri-tjetrit në ditën e festës, si për shembull “Tekab-belallahu mina ue minkum!” (Allahu na i pranoftë punët e mira neve dhe juve!), apo të tjera shprehje të ngjashme me këtë, është transmetuar se disa prej sahabëve kështu kanë vepruar. Disa prej dijetarëve, si Ahmedi apo të tjerë, e kanë lejuar urimin e njeri-tjetrit në ditën e festës, mirëpo Ahmedi ka thënë: “Unë nuk e uroj dikë i pari. Nëse dikush më uron mua, atëherë edhe unë e uroj atë, sepse kthimi i urimit është vaxhib (obligim), ndërsa urimi nuk është sunet me të cilin jemi urdhëruar dhe as nuk jemi ndaluar prej tij. Ata të cilët e urojnë njeri-tjetrin, kanë shëmbëlltyrë te të parët e tyre e edhe ata të cilët nuk veprojnë kështu, gjithashtu kanë shembëlltyrë, e Allahu e di më së miri.”[91]

Ibën haxher El Askaleni ka thënë[92]: “Janë përmendur transmetime në “El Muhamilijet” me zinxhir transmetimi të mirë, nga Xhabir ibën en Nufejr, se ka thënë: “Shokët e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), kur takoheshin në ditën e festës e uronin njeri-tjetrin me shprehjen: “Tekab-belallahu mina ue minke!” (Allahu na e pranoftë neve dhe juve!).”

Ibnul Kudame në librin “El Mugni” [vëll. 2, f. 259], ka përmendur: “Ibën Zijad ka thënë: “Kam qenë me Ebi Umamete el Behilij dhe me disa prej sahabëve të tjerë. Kur ktheheshin prej faltores, ata e uronin njeri-tjetrin duke thënë: “Tekab-belallahu mina ue minke!”.”

Ahmedi ka thënë: “Zinxhiri i transmetimit në hadithin e Ebi Umames është i mirë.”

Ndërsa, përsa i përket urimeve të përhapura mes njerëzve në ditët tona, si për shembull “Gëzuar për shumë vjet!”, apo të tjera shprehje të ngjashme me këtë, ato janë të papranueshme dhe do të ishte me vend këtu përmendja e Fjalës së Allahut: “A kërkoni ta ndërroni të mirën me atë që ka vlerë më pak?!” [El Bekare: 61].

– 19 –

Kurbanet

Kurbani duhet të jetë një dele, apo kafshë tjetër që theret mbas namazit të Bajramit, me qëllim për të arritur kënaqësinë e Allahut. Për këtë Allahu i Lartësuar thotë:

“Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve!” [El En’amë: 162].

Kurbani, në këtë ajet është therja e bagëtisë që bëhet për hir të Allahut.[93]

Dijetarët kanë rënë në kundërshtim në lidhje me gjykimin për therjen e kurbanit dhe ajo që kuptohet më qartë prej argumenteve të ndryshme është obligueshmëria.

Më poshtë, po përmendim për ty, vëlla i nderuar, hadithet me të cilat argumentohen dijetarët të cilët e konsiderojnë të detyrueshme therjen e kurbanit.

Së pari: Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmetohet se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush prej jush i ka mundësitë (pa u ngushtuar) të therë kurban dhe nuk e bën këtë, të mos i afrohet faltores sonë.”[94]

Mënyra e të argumentuarit me këtë hadith është si më poshtë :

Përderisa i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ndaloi ti afrohet faltores (xhamisë), atë të cilin nuk bën kurban duke i patur mundësitë, kjo tregon se ai ka lënë një detyrë (vaxhib). Pra, thuajse nuk ka vlerë shkuarja në xhami, duke qenë se muslimani e ka lënë këtë obligim.

Së dyti: Nga Xhundub ibën Abdullah el Bexheli (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), transmetohet se ka thënë: Kam qenë prezent në ditën e Kurban Bajramit dhe e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Kush bën kurban para se të falet, le të presi një kurban tjetër në vend të tij, ndërsa ai që nuk ka bërë kurban, le të bëjë!”[95]

Fjalia urdhërore, në origjinë është argument që tregon obligueshmërinë e çështjes për të cilën bëhet fjalë. Në rastin konkret, nuk ka ardhur[96] diçka për ta nxjerrë fjalinë urdhërore nga origjina e saj.

Së treti: Nga Mihnef ibën Sulejm (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), transmetohet se ai e ka parë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në ditën e Arafatit të mbajë hutbe dhe të thotë: “Është detyrë në çdo vit për pjesëtarët e çdo shtëpie, të bëjnë një kurban dhe një atira[97]. A e dini se ç’është atira? Është ajo të cilën njerëzit e quajnë rexhebije.”[98]

Në këtë hadith përfitohet obligueshmëria e prerjes së kurbanit, ndërsa “atira” është abroguar. Shvlerësimi i saj nuk do të thotë se edhe prerja e kurbanit është e shvlerësuar.

Ibën el Ethir ka thënë: “Atira është abroguar. Ajo ka qenë në fillim të Islamit.”[99]

Përsa u përket atyre të cilët janë të mendimit se prerja e kurbanit është sunet, argumenti më i fortë i pretendimit të tyre është fjala e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) : “Nëse ka hyrë dhjetë ditëshi (i dhul hixhes) dhe dikush dëshiron të presë kurban, të mos prekë (qethë) gjë prej flokut dhe as prej trupit të tij.”[100]

Ata thonë[101]: “Ky hadith argumenton se bërja e kurbanit nuk është vaxhib (obligim), kjo sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: ” dhe dikush dëshiron të presi kurban …” Nëse bërja e kurbanit do të ishte obligative, atëherë nuk do ta linte çështjen në dorën e tyre.”

Shejhu i Islamit, Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), pasi që e konsideron më dominante obligueshmërinë e bërjes kurban, i është kundërpërgjigjur fjalës së tyre duke thënë[102]: “Ata të cilët e refuzojnë obligueshmërinë (të konsideruarit vaxhib), mbështeten në fjalën e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): ” dhe dëshiron të presi kurban …” Ata thanë: “Vaxhibi nuk kushtëzohet me dëshirën e personit!” Por kjo fjalë është e përgjithshme. Është e vërtetë që vaxhibi nuk varet nga dëshira e personit, si p.sh. ta urdhërosh dikë e ti thuash: Nëse dëshiron, bëje këtë! Mirëpo mundet që obligueshmëria të kushtëzohet me ndonjë kusht i cili do të ishte shpjegues për vetë gjykimin, siç vërehet qartë në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja…” [El Maide: 6]. Këtu komentatorët thonë: Nëse dëshironi të ngriheni për tu falur. Po kështu kanë thënë edhe për: Nëse dëshiron të lexosh Kuran, thuaj “eudhu bilahi minesh shejtani raxhim”. Por s’ka dyshim që të pastruarit për namaz është e detyrueshme, po kështu edhe leximi në namaz.

Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë:

“Ai (Kur’ani) s’është tjetër veçse këshillë për botët. Për atë prej jush, i cili dëshiron të ecë drejt.” [Et Tekvir: 27].

Por dëshira për të qenë i udhëzuar është obligative për çdo person.”

Po ashtu, ai (Ibën Tejmije –Allahu e mëshiroftë!) ka thënë:[103] “Duhet patur parasysh se jo çdo person e ka të detyrueshme prerjen e kurbanit, por ajo është detyrë për atë që i ka mundësitë. Ai është për qëllim me atë që dëshiron. E ngjashme me këtë, është fjala e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Kush ka dëshirë të kryej haxhin, le të shpejtojë, sepse dikujt mund ti humbasë deveja, apo mund ta pengojë ndonjë nevojë tjetër.”[104] E ska dyshim se haxhi është obligim për atë që i posedon mundësitë. Pra, fjala e tij: “Kush dëshiron të presi kurban…” është e njëjtë me fjalën: “Kush ka dëshirë të kryejë haxhin…”

Argumentimit të tyre të mëparshëm i është kundërpërgjigjur gjithashtu edhe imam El Ajni (Allahu e mëshiroftë!) duke shpjeguar fjalën e autorit të librit “El Hidaje” i cili ka thënë: ” Me fjalën “dëshiron” është për qëllim – e Allahu e di më së miri – e kundërta e harresës dhe jo liria e të zgjedhurit.” Në lidhje me këtë, El Ajni (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë:

“D.m.th nuk është për qëllim liria e të zgjedhurit ndërmjet kryerjes së punës dhe lënies së saj, por është njësoj sikur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të ketë thënë: Kush ka vendosur të presi kurban… dhe kjo nuk e kundërshton obligueshmërinë, ashtu siç është përmendur në fjalën e tij: “Kush dëshiron të falë namaz, le të marrë abdes”, apo “Kush dëshiron të falë namazin e xhumasë, të lahet”[105]. D.m.th kush ka për qëllim dhe e synon atë, dhe nuk kuptohet prej këtyre haditheve liria e të zgjedhurit. Po kështu edhe hadithi në fjalë.”

Ndërsa përsa i përket argumentimit të atyre të cilët nuk e konsiderojnë obligative prerjen e kurbanit, me faktin se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ka prerë kurban për gjithë popullin musliman, ashtu siç është transmetuar në “Sunenu Ebi Daud” [2810], “Sunenu Et Tirmidhi” [1574] dhe “Musned Ahmed” [vëll. 3, f. 356], me zinxhir transmetimi të saktë nga Xhabiri; ky argument nuk është me vend këtu. Kjo sepse kur grumbullohen të gjitha argumentet të cilat kanë lidhje me këtë çështje, kuptojmë se në hadith janë për qëllim ata musliman të cilët nuk i kanë mundësitë.

Ata të cilët nuk i kanë mundësitë të bëjnë kurban, shvlerësohet për ta gjykimi i obligueshmërisë. E Allahu e di më së miri.

– 20 –

Rregullat që lidhen me therjen e Kurbaneve

Feja islame ka vendosur disa rregulla në lidhje me kurbanet, të cilat duhet ti dijë çdo musliman, në mënyrë që të jetë i ditur në lidhje me adhurimin që kryen dhe ti ketë të qarta çështjet e fesë së tij. Do ti përmbledh shkurtimisht këto rregulla, si më poshtë:

Së pari: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bënte kurban me dy desh[106] të cilët i priste pas namazit të Kurban Bajramit. Ndërsa për therjen e kurbanit para namazit të Bajramit, i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush e pret bagëtinë para namazit të Bajramit, nuk i konsiderohet atij kurban, por ai është thjesht mish me të cilin ushqen familjen e tij.”[107]

Së dyti: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i urdhëronte sahabët të bënin kurban el xhedhea (motaken) prej dhenve dhe eth thenije (të rriturën) prej deveve dhe lopëve.[108]

Nga Muxhashia ibën Mesud (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), transmetohet se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Motakja prej deleve, është e mjaftueshme për të zëvendësuar të rriturën prej dhive.”[109]

Së treti: Lejohet vonimi i therjes së kurbanit për në ditën e dytë apo të tretë të festës. Argument për këtë është hadithi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Lejohet prerja e kurbanit në të gjitha ditët e teshrikut.”[110]

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ky është medhhebi i Ahmedit, Malikut dhe Ebu Hanifes (Allahu i mëshiroftë!). Ahmedi ka thënë: “Kjo është fjala e shumë prej shokëve të Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). E ka përmendur atë El Ethram nga Ibën Umeri dhe Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!).”[111]

E katërta: Është prej udhëzimit (sunetit) të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për atë që dëshiron të bëj kurban, që nëse hyn dita e parë e dhjetëditëshit të dhulhixhes, të mos heqë gjë prej qimeve të flokut dhe trupit të tij, sepse ka ardhur argument që e ndalon këtë.[112]

Imam Neveviu në “Sherhu Muslim” [vëll. 13, f. 138-139], ka thënë: “Moslejimi i heqjes së qimeve dhe thonjëve, përfshin prerjen e thonjëve me prerëse, këputjen e tyre, apo çfarëdo mënyre qoftë, si dhe ndalimin e shkurtimit të flokut, rruajtjes, djegies, përdorimit të lëndëve eliminuese, apo shkuljes së tij. I njëjti gjykim është edhe për heqjen e qimeve të sqetullave, shukurtimit të mustaqeve, heqjen e qimeve të pjesëve të turpshme, si dhe të çfarë do qimeje që gjendet në trup.

Ibën Kudame në librin “El Mugni” ka thënë:

“Nëse dikush e bën një ndalesë të tillë, duhet ti kërkojë falje Allahut të Lartësuar. Të gjithë dijetarët janë dakort se për këtë, nuk bëhet fidje (dëmshpërblim), me apo pa dashje qoftë.”

Them: Ky koment i tij (Allahu e mëshiroftë!), tregon moslejueshmërinë dhe ndalesën në mënyrë kadegorike të kësaj vepre, gjë e cila vetëkuptohet qartë prej ndalesës që përmendet në hadithin e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

E pesta: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e zgjidhte kurbanin të shëndetshëm dhe pa të meta. Ai ka ndaluar të bëhet kurban me bagëtinë e cila i ka veshët e prerë apo brinjët e thyer. Po ashtu ka urdhëruar që të tregohet kujdes në zgjedhjen e kurbanit, e të mos bëhet kurban bagëtia e verbër, ajo e cila e ka të prerë majën e veshit apo fundin e tij, ajo e cila e ka veshin të shqitur apo të copëtuar. Për të gjitha këto që përmendëm, ka ardhur ndalim.[113]

Ndërsa për sa i përket dashit të tredhur, ai lejohet të bëhet kurban. Për këtë ka ardhur argument prej të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në transmetimin e Ebu Je’ala [1792] dhe El Bejheki [vëll. 9, f. 268]. Zinxhirin e tij të transmetimit, El Hejthemi në librin “Muxhmau ez zeuaid” [vëll. 4, f. 22] e ka vlerësuar si hasen (i mirë).

E gjashta: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e therte kurbanin në faltore.[114]

E shtata: Prej udhëzimit të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), është që një dele mjafton për një person si dhe për gjithë familjen e tij, sado i madh të jetë numri i pjesëtarëve të familjes. Atau ibën Jesar[115] thotë: “E pyeta Ebu Ejub el Ensariun: Si kanë qenë kurbanet në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)? Ai tha: “Çdokush therrte një dele për vete dhe për pjesëtarët e familjes së tij. Hanin prej saj dhe ushqenin të varfërit.”[116]

E teta: Është e pëlqyeshëme të thuhet Allahu ekber (Allahu është më i madhi) dhe Bismila (me emrin e Allahut) para therjes. Është transmetuar nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bëri kurban dy deshë të majmë dhe të së njejtës moshe. Ai i theri ata me dorën e tij dhe tha: Bismilah, Allahu ekber dhe e vendoste këmbën e tij mbi krahun (gjymtyrën) e tyre.”[117]

E nënta: Kurbani më i mirë është dashi i majmë dhe i shëndetshëm, me ngjyrë të bardhë, të përzierë me të zezë përreth syve dhe në pjesët e këmbëve. Ky është përshkrimi i kurbanit të cilin e pëlqente i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe kështu e zgjidhte kurbanin e tij.[118]

E dhjeta: Është sunet që muslimani ta theri kurbanin me dorën e vet, por edhe nëse e zëvendëson dikush tjetër, kjo lejohet dhe s’ka asnjë problem.[119]

E njëmbëdhjeta: Është e pëlqyeshme për pjesëtarët e familjes, të hanë prej mishit të kurbanit të tyre, ti dhurojnë prej tij të afërmve dhe të ushqejnë nga ai fukarenjtë. Gjithashtu është e lejuar ruajtja e mishit për më vonë dhe rezervimi i tij, duke u argumentuar me thënien e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Hani prej tij, rezervoni dhe jepni sadaka (ushqeni të varfërit).”[120]

E dymbëdhjeta: Deveja dhe lopa është e mjaftueshme për shtatë persona. Ka transmetuar Muslimi në “Sahihun” e tij [350], nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ka thënë: “Kemi bërë kurban bashkë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Hudejbije. Një deve për shtatë persona dhe një lopë për shtatë persona.”

E trembëdhjeta: Kasapit nuk i jepet gjë prej kurbanit si shpërblim për punën e tij. Bazuar kjo në hadithin e transmetuar nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më urdhëroi mua të merem me kurbanin e tij, të jap sadaka prej mishit të kurbanit dhe lëkurës së tij, si dhe të mos i jap kasapit gjë prej tij.” Pastaj tha: “Ne do ti japim atij kompensim nga ana jonë për punën e kryer.”[121]

E katërmbëdhjeta: Muslimanët të cilët nuk i kanë mundësitë të bëjnë kurban, shpërblehen te Allahu sikur të kenë bërë kurban, kjo sepse i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), kur ka therur një qengj ka thënë: “O Zoti im, kjo është prej meje dhe prej të gjithë atyre nga umeti (populli) im, të cilët nuk i kanë mundësitë.”[122]

E pesëmbëdhjeta: Ibnul Kudame në librin “El Mugni” [vëll. 11, f. 95], ka thënë:

“I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe Halifet (prijësit e drejtë) mbas tij, kanë bërë kurban. Nëse dhënia e lëmoshës do të ishte më e pëlqyeshme sesa prerja e kurbanit, atëherë ata do të na paraprinin në këtë. Dhënia përparësi sadakasë mbi kurbanin, do të thotë të lihet suneti i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

– 21 –

Gjërat e ndaluara gjatë festës

Dije, vëlla musliman, Allahu na dhëntë sukses neve dhe juve në të kuptuarit e fesë, se hareja dhe gezimi i festës, mund të bëhen shkak për shumë musliman, që të harrojnë dhe të lenë mangët shumë prej çështjeve dhe rregullave të Fesë së tyre. Shpesh i shikon ata të bien në punë të ndaluara, të bëjnë harame dhe fakti më i hidhur, është se ata kujtojnë se janë duke vepruar mirë!! E gjitha kjo, më shtyu mua që të shtoj në këtë broshurë, këtë temë të dobishme, në mënyrë që kjo të ndikojë në përkujtimin e muslimanëve dhe ti zgjojë ata nga pakujdesia në të cilën ndodhen. Prej këtyre shkeljeve po përmendim:

Së pari: Rruajtja e mjekrës me qëllim për t’u zbukuruar, gjë kjo të cilën e bëjnë shumë prej njerëzve. Për sa i përket rruajtjes së mjekrës, ky veprim është i ndaluar (haram) në Fenë e Allahut të Lartësuar. Argument për këtë janë hadithet e shumta të sakta, në të cilat është përmendur urdhëri për lëshimin e mjekrës, i shoqëruar ky urdhër ndonjëherë, me arsyen e mospërngjasimit me jobesimtarët. Gjithashtu mjekra është prej natyrshmërisë së burrit, e cila nuk lejohet të ndryshohet. Ajo që duhet patur mirë parasysh, është fakti se në të gjithë librat e katër medh’hebeve[123], përmendet qartë ndalesa e rruajtjes së mjekrës.

Së dyti: Takimi i femrave të huaja (ato me të cilat lejohet martesa), gjë kjo e cila në raste festash përhapet jashtë mase dhe nuk shpëtojnë prej kësaj, përveç atyre të cilët i mëshiron (ruan) Allahu. Kjo është e ndaluar (haram), sepse i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ka thënë: “Të goditet dikush prej jush me levë hekuri në kokën e tij, është më mirë për të se sa të prekë një femër e cila është e ndaluar për të.”[124]

Kjo vepër është e ndaluar në librat e të katër medh’hebeve[125], pra ki kujdes!

Së treti: Përngjasimi i jobesimtarëve në veshje, si dhe dëgjimi i muzikës dhe i fjalëve të kota. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ka thënë: “Kush i përngjan një populli, ai është prej tyre.”[126], ndërsa për muzikën ka thënë: “Do të ketë prej umetit tim disa njerëz, të cilët do ta bëjnë të lejuar el hira (imoralitetin), mëndafshin, alkoolin dhe el meazif (veglat muzikore). Disa njerëz do të vendosen në qafën e një mali të lartë dhe tufat e tyre të bagëtive ua sjell bariu në mesditë. Një i varfër shkon dhe u kërkon atyre ndonjë nevojë, ndërsa ata i thonë: Eja nesër. Por Allahu i befason ata me dënim dhe e sheshon malin, ndërsa disa të tjerë i shndërron në majmuna e derra, deri në Ditën e Kijametit.”[127]

Së katërti: Të veçuarit me grate e huaja. Argument për ndalimin e kësaj është fjala e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Mjerë për ju nëse do të veçoheni me gratë!” Një burrë prej Ensarëve tha: “O i Dërguari i Allahut, çfarë thua për njerëzit e burrit? Tha: “Ata janë vetë vdekja”.[128]

Dijetari i madh Ez Zamahsheri në shpjegimin e fjalës el hamu, ka thënë:

“Shumësi i kësaj fjale është ahmaun dhe kjo fjalë në gjuhë përmbledh të afërmit e burrit, siç është babai[129], vëllai, xhaxhai etj. Prej fjalës së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) “Ata janë vdekja”, kuptohet se rrezikshmëria më e madhe për ndodhjen e diçkaje të papëlqyeshme, janë të afërmit e burrit. Kjo sepse ata e ndjejnë veten të sigurt dhe nuk frikësohen se mos i befason dikush, ndryshe nga të huajt të cilët nuk janë të qetë dhe të sigurt.

Por mund të jetë edhe dua kundra saj, d.m.th sikur vdekja të jetë për të njësoj si i afërmi i burrit që hyn tek ajo, nëse ajo e pëlqen diçka të atillë.[130]

Së pesti: Të zbuluarit e femrave, si dhe shëtitja e tyre nëpër tregje dhe vende të tjera. E gjitha kjo është e ndaluar në fenë e Allahut. Allahu i Lartësuar thotë:

“Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos e shfaqni bukurinë tuaj siç shfaqej në injorancën e hershme, faleni namazin, jepeni zekatin dhe respektojeni Allahun dhe të dërguarin e Tij.” [El Ahzab: 33].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ka thënë: “Dy kategori njerëzish janë prej banorëve të zjarrit…” dhe përmendi prej tyre: “Dhe disa gra të veshura por të zhveshura dhe arrogante[131], kokat e të cilave përngjajnë me gungat e devesë[132]. Nuk kanë për të hyre në xhenet (parajsë) dhe as nuk do ta ndjejnë aromën e tij, edhe pse aroma e tij ndjehet që prej një largësie kaq e kaq të madhe.”[133]

E gjashta: Të veçuarit e ditës së Bajramit për të vizituar varrezat, si dhe shpërndarja e karameleve dhe ëmbëlsirave në to. Gjithashtu përzjerja e burrave dhe grave, vajtimi me zë për të vdekurit dhe të tjera vepra të ndaluara.[134]

E shtata: Shpërdorimi dhe harxhimi i tepërt në gjëra të padobishme dhe pa qenë nevoja.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Dhe mos shpërdoroni, sepse Ai (Allahu) nuk i do shpërdoruesit.” [El En’am: 141].

Po ashtu ka thënë:

“Hani e pini dhe mos e teproni, sepse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë.” [El A’raf: 31].

Ndërsa në një ajet tjetër, ka thënë:

“Dhe mos shpenzo tepër e pa masë. Ata të cilët shpërdorojnë janë vëllezër të djajve.” [El Isra: 26-27].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk ka për t’u larguar njeri nga dhënia e llogarisë para Zotit të tij ditën e gjykimit, deri sa të pyetet për… dhe për pasurinë e tij, se si e fitoi dhe ku e shpenzoi.”[135]

E teta: Lënia e namazit me xhemat në xhami nga shumë prej burrave, pa patur ndonjë arsye të konsiderueshme, si dhe të mjaftuarit e disave vetëm me prezantimin e namazit të Bajramit, pa i kushtuar rëndësi namazeve të tjera. Për Allahun, vërtetë kjo është një prej gjynaheve të mëdha!

E nënta: Dyndja për në varreza e shumë prej njerëzve mbas agimit të ditës së Bajramit, me qëllim për të vizituar varret e të afërmve të tyre, gjë e cila bëhet shkak për shumë nga ata t’a lenë pa falur namazin e Bajramit, e kjo si pasojë e bidatit të caktimit të ditës së festës për të vizituar varrezat.[136]

Disa prej dijetarëve shtojnë këtu edhe vendosjen e degëve të palmave[137] apo të pemëve të tjera mbi varre!!

Të gjitha këto që kemi përmendur më sipër nuk kanë bazë në sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

E dhjeta: Mosinteresimi për gjendjen e të varfërve dhe nevojtarëve, ku vërehet hareja dhe gëzimi në fytyrat e fëmijëve të pasanikëve, të cilëve u jepet mundësia të hanë prej ushqimeve të shijshme e të lloj-llojshme, e shpesh herë e bëjnë këtë para syve të fukarenjve dhe fëmijëve të tyre, duke mos ndjerë në zemrat e tyre keqardhje dhe përgjegjësi, ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ka thënë: “Nuk është besimtar asnjeri prej jush, deri sa të dëshirojë për vëllain e tij atë që dëshiron për vete.”[138]

E njëmbëdhjeta: Risitë të cilat i bëjnë shumë prej të ashtuquajturve hoxhallarë, duke pretenduar se kështu po fitojnë kënaqësinë e Allahut, edhe pse këto vepra nuk kanë bazë në Fenë e Allahut të Lartësuar. Bidatet e kësaj natyre janë të shumta[139], ndërsa unë do të tërheq vërejtje vetëm në njerin prej tyre, në mënyrë që kjo broshurë të mos dalë nga tema e saj. Ajo prej së cilës tërheq vërejtje është pikërisht veprimi i shumë thirrësave dhe hoxhallarëve të cilët bëjnë thirrje vazhdimisht, se qëndrimi zgjuar gjatë gjithë natës së Bajramit, është prej punëve që të afrojnë te Allahu i Lartësuar. Dhe jo vetëm kaq, por këtë veprim të tyre, kërkojnë t’ia atribuojnë të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), duke u argumentuar me hadithin: “Kush e gdhinë natën e Fiter Bajramit dhe Kurban Bajramit, nuk ka për të vdekur zemra e tij atë ditë në të cilën zemrat vdesin.”[140]

Për sa i përket këtij hadithi, ai nuk lejohet të konsiderohet prej fjalës së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). E s’ka dyshim se udhëzimi më i mirë është udhëzimi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

*

* *

Mbyllja

Kjo është ajo çka Allahu i Lartësuar më lehtësoi të grumbulloj dhe radhis prej dispozitave dhe rregullave të dy festave të Bajramit. Dispozita këto, të cilat duhet ti njohë dhe ti dijë çdo musliman i thjeshtë, e sidomos kërkuesit e dijes në veçanti. E paraqes këtë broshurë të shkurtër, si këshillë dhe përkujtim për muslimanët, me qëllim që t’a saktësojnë adhurimin e tyre dhe t’a praktikojnë në jetën e përditshme, duke treguar bindje dhe devotshmëri ndaj Allahut, në mënyrë që të fitojnë kënaqësinë dhe dashurinë e Tij.

Nëse kam gabuar, kjo është prej vetes sime dhe prej shejtanit, e nëse e kam arritur të vërtetën, kjo është mirësi nga Allahu, Një i Vetëm e i Pashok.

Lutja jonë e fundit është: Falenderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve!

 


[1] Në fakt është përhapur në vendet tona si “Bajrami i madh”, por i madhi është ai i kurbanit.

[2] Shejhu thotë: Nuk jam i vetmi në këtë fushë, sepse shumë të tjerë prej dijetarëve të mëparshëm kanë shkruar libra e broshura për festat e dy bajrameve. Pastaj përmendi disa tituj të tyre, të cilat ne nuk po i përmendim për të mos u zgjatur dhe sepse shumica e tyre, për të mos thënë të gjitha ato nuk janë të përkthyera në shqip.

[3] “Lisanul arab” (3/319).

Dije vëlla musliman –Allahu më mundësoftë mua dhe ty për bindjen ndaj Tij!-, se festat që Allahu i ka ligjëruar për robët e Tij janë të njohura dhe ato janë subjekti i kësaj broshure, por në kohën tonë, festat janë të panumërta edhe në vendet tona Islame, aq më tepër në vendet e tjera. Gjejmë të festohet për varret, tyrbet, njerëzit, vendet e ndryshme e festa të tjera për të cilat Allahu nuk ka dhënë lejë. Madje në disa statistika që janë bërë te muslimanët e Indisë thuhet se ata festojnë (144) festa në vit.

[4] Ato festa kanë qenë dita e nejruzit dhe dita e mehraxhanit- panairit.

[5] Hadith i saktë. E ka nxjerrë Ahmedi, Ebu Daudi, Nesai dhe el Begavij.

[6] “El Fet’hu Er Rabani” [vëll. 6, f. 119].

[7] Në një transmetim tjetër thuhet: “por që nuk ishin këngëtare”, shiko “Sherhu Muslim” të imam Neveviut [vëll. 6, f. 182].

[8] Të dyja transmetimet janë të Buhariut [949], [952], [987], [2907], [3530] dhe [3931]. Gjithashtu e ka transmetuar Muslimi [792], Ahmedi [vëll. 6, f. 134] dhe Ibën Maxhe [1898].

[9]“Fet’hul Bari” [vëll. 2, f. 443]. Autori thotë: Kam shkruajtur një broshurë mbi gjykimin e sherjatit në lidhje me rënien e defit, një pjesë të së cilës e ka botuar revista kuvajtjane “El Muxhtemau” e datës 15 të muajit Ramazan të vitit 1402 hixhri.

Jam zgjeruar edhe më shumë në këtë çështje dhe i kam shtuar kësaj teme shumëfishin e saj, në një libër të veçantë me titull “El Xheuabu es esdid ala men se’ele an hukmi ed dufufi ue el eneshid”, Allahu e lehtësoftë plotësimin dhe shpërndarjen e tij!

[10] E ka transmetuar Buhariu [886], [948], [2104], [2619], [3054], [5841], [5981], [6081]; Muslimi [2068]; Ebu Daudi [1076]; En Nesai [vëll. 3, f. 181], [vëll. 8, f. 196-198]; Ahmedi [vëll. 2, f. 20, f. 39, f. 49].

[11] “Hashijetu Es Sindi ala En Nesai” [vëll. 3, f. 181].

[12] “Fet’hu el Bari” [vëll. 2, f. 439].

[13] I njëjti burim i mësipërm [vëll. 2, f. 434].

[14] Shiko “Es silsiletu es sahiha” [1279].

[15] E ka transmetuar Buhariu [956], Muslimi [889] dhe Nesai [3/187].

[16] E ka transmetuar Buhariu [1190]; Muslimi [1394].

[17] “El Medkhalu” [vëll. 2, f. 283].

[18] “El Mugni” [vëll. 2, f. 229-230].

[19] Që ti njohësh më gjerësishtë argumentet e kësaj çështjeje, si dhe thyerjen e argumenteve të kundërshtarëve, bën mirë të kthehesh te ajo që ka shkruar shejh Ahmed Esh Shakir (Allahu e mëshiroftë!), në librin “Sherhu Suneni Et Tirmidhi” [vëll. 2, f. 421-424]. Gjithashtu mësuesi ynë i nderuar, El Albani (Allahu e mëshiroftë!), ka një broshurë me titull “Saletu el aidejni fil musal-le, harixh el beledi, hije es sunneh”, botim i Damaskut, pra kthehu te ajo se është me të vërtetë e rrallë për temën.

[20]“El Mugni” [vëll. 2, f. 230].

[21] Shiko librin “Nihajetu el muhtaxh” të Er Rramli.

[22] E ka transmetuar Buhariu [986].

[23] Shejhu ynë (El Albani) e ka vlerësuar hasen këtë hadith në librin e tij “Sahihu suneni Et Tirmidhi” [vëll. 1, f. 164].

[24] E ka transmetuar Ibën ebi Shejbe në “El Musannef” dhe El Muhamilij në “Kitabu saleti el aidejni”, me zinxhir transmetimi të saktë, por hadithi është mursel (nuk përmendet sahabiu), megjithatë hadithi është i saktë sepse ka dëshmi të shumta te cilat e ngrenë vlerësimin e tij. Kthehu te “Silsiletu el ehadithi es sahiha” [170].

[25] “Silsiletu el Ehadithi es Sahiha” [vëll. 1, f. 121]. Dijetari dhe shejhu i nderuar Hamuud Et Tuejxherij (Allhau e mëshiroftë!), ka nxjerrë një broshurë të veçantë, në të cilën tërheq vërejtje prej thënies së tekbirit bashkërisht.

[26] “Mexhmu’ul Fetaua” [vëll. 24, f. 220], shiko gjithashtu “Subul es selam” [vëll. 2, f. 71-72].

[27] E ka transmetuar Ed Derakutnij dhe Ibën ebi Shejbe etj, me zinxhir transmetimi të saktë. Shiko “Irvau el galil” [651].

[28] E ka transmetuar Ibën ebi Shejbe [vëll. 2, f. 168], me zinxhir transmetimi të saktë.

[29] E ka transmetuar El Bejhekij [vëll. 3, f. 315]. Zinxhirin e transmetimit e ka të saktë.

[30] Me të njejtën rrugë e ka nxjerë edhe El Bejhekij në librin “Es sunenu el kubra” [vëll. 3, f. 316].

[31] E ka transmetuar Buhariu [953]; Et Tirmidhi [543]; Ibën Maxhe [1754] dhe Ahmedi [vëll. 3, f. 126, f. 164, f. 232].

[32] “Fet’hu el Bari” [vëll. 2, f. 447]. Shiko aty fjalën e autorit në lidhje me urtësinë e ngrënies së hurmave arabe, sepse ajo është vërtetë një fjalë e rrallë.

[33] E ka transmetuar Et Tirmidhi [542]; Ibën Maxheh [1756]; Ed Darimij [vëll. 1, f. 375] dhe Ahmedi [vëll. 5, f. 352]. Zinxhirin e transmetimit e ka të saktë.

[34] “Zedu el Mead” [vëll. 1, f. 441].

[35] “Nejlu el eutar” [vëll. 3, f. 357].

[36] “El Mugni” [vëll. 2, f. 371].

[37] Shiko librin “Fet’hu el Bari” [vëll. 2, f. 448].

[38] E ka transmetuar Maliku [vëll. 1, f. 117]; Esh Shafi’ij [73] dhe Abdurrazaku [5754]. Zinxhirin e transmetimit e ka të saktë.

[39] E ka transmetuar El Firjabi me zinxhir transmetimi të saktë, ashtu siç është përmendur në librin “Irvau el galil” [vëll. 2, f. 104].

[40]“El Mugni” [vëll. 2, f. 370].

[41] Ai është transmetuar në “Suneni Ibën Maxheh” [1315]. Në zinxhirin e tij të transmetimit gjendet Xhuberate ibën el Mugalis si dhe shejhu i tij, e që të dy ata janë të dobët.

Ibën Maxheh e ka përmendur gjithashtu me nr [1316], por në zinxhirn e transmetimi ndodhet Jusuf ibën Halid es Semtij. Shumë prej dijetarëve të hadithit e kanë konsideruar gënjeshtar atë.

[42] E ka transmetuar Buhariu [989]; Et Tirmidhi [537]; En Nesai [vëll. 3, f. 193] dhe Ibën Maxheh [1291].

[43] “Zedu el Mead” [vëll. 2, f. 443].

[44] “Fet’hu el Bari” [vëll. 2, f. 476].

[45] Shiko librin “Sherhu es sunneti” [vëll. 4, f. 316-317].

[46] Detyrë e domosdoshme, mirëpo nëse e kryejnë disa, bie obligimi nga të tjerët.

[47] “Mexhmu’ul Fetaua” [vëll. 23, f. 161]

[48] Prej tij e ka marë Sidik Hasen Khan në librin “El Meuidhatu el haseneh” [42-43].

[49] E gjitha kjo është përfituar prej hadithit të Umu Atijes, të cilin e ka transmetuar Buhariu [324], [351], [971], [974], [980], [981], [1652]; Muslimi [890]; Et Tirmidhi [539]; En Nesai [vëll. 3, f. 180]; Ibën Maxheh [1307] dhe Ahmedi [vëll. 5, f. 84 dhe 85].

[50] Është transmetuar në hadithin e Ebu Hurejrës, se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), kur dita e Bajramit qëlloi në ditën e premte, tha: “Janë bashkuar në këtë ditë dy festa, nëse dikush prej jush dëshiron të falë vetëm bajramin, kjo i mjafton atij, ndërsa ne po i bashkojmë.” E ka transmetuar Ebu Daudi [1073] dhe Ibën Maxhe [1311], me zinxhir transmetimi të saktë. Shiko “El Mugni” [vëll. 2, f. 358] dhe “Mexhmu’ul Fetaua” [vëll. 24, f. 212].

[51] E kemi përmendur më parë argumentin e kësaj fjale. Shiko gjithashtu “Nejlu el eutar” [vëll. 3, f. 382-383] dhe “Err Rraudatu en nedije” [vëll. 1, f. 142].

[52] Shiko”Fet’hu el Bari” [vëll. 2, f. 457] dhe “En Nihajetu” [vëll. 2, f. 331].

[53] E ka përmendur Buhariu në shënimet e tij (jashtë tekstit të Sahihut) [vëll. 2, f. 456]. E ka transmetuar të njejtin hadith Ebu Daudi [1135]; Ibën Maxhe [1317]; El Hakim [vëll. 1, f. 295] dhe El Bejhakij [vëll. 3, f. 442]. Zinxhirin e transmetimit e ka të saktë.

[54] “Zedu el Mead” [vëll. 1, f. 442].

[55] “Minhexhul Muslim” [278].

[56] E ka transmetuar Muslimi [887]; Ebu Daudi [1148] dhe Et Tirmidhi [532].

[57] E ka transmetuar Buhariu [960] dhe Muslimi [886].

[58] Kjo bëhet për grumbullimin e njerëzve për faljen e namazit të eklipsit.

[59] “Zedu el Mead” [vëll. 1, f. 442].

[60] “Subul es Selam” [vëll. 2, f. 67].

[61] E ka transmetuar Ahmedi [vëll. 1, f. 37] dhe En Nesai [vëll. 3, f. 183]. E ka përmendur gjithashtu Et Tahavi në librin “Sherhu meani el ether” [vëll. 1, f. 421] dhe El Bejhaki [vëll. 3, f. 200].

[62] E ka transmetuar Ebu Daudi [1150], Ibën Maxhe [1280], Ahmedi [vëll. 2, f. 70] dhe El Bejheki [vëll. 3, f. 287]. Zinxhirin e transmetimit e ka të saktë.

Vërejtje:

Suneti është që tekbiri të jetë para leximit të Kur’anit, ashtu siç thuhet në hadithin të cilin e transmeton Ebu Daudi [1152], Ibën Maxhe [1278] dhe Ahmedi [vëll. 2, f. 180], nga Amër ibën Shuajb, Nga babai i tij, Nga gjyshi i tij, ka thënë:

“I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në namazin e Bajramit bëri shtatë tekbire në rekatin e parë, pastaj filloi këndimin e Kur’anit, pastaj tha tekbir dhe ra në ruku, pastaj bëri sexhde, pastaj u ngrit dhe tha pesë tekbire, pastaj lexoi, pastaj tha tekbir dhe ra në ruku, pastaj bëri sexhde.” Ky hadith është hasen (i mirë), pasi ka shumë hadithe të tjerë të cilët dëshmojnë për të. Shiko “Irvau el galil” [vëll. 3, f. 108-112].

E kundërta e kësaj nuk lejohet, ashtu siç e ka sqaruar edhe dijetari i madh Ibnul Kajim në librin “Zadu el Mead” [vëll. 1, f. 443-444].

[63] Emrat e të gjithë atyre të cilët e kanë thënë këtë janë përmendur në librin “Sherhu es sunne” [vëll. 4, f. 309]. Shiko gjithashtu “Mexhmu’ul fetaua” të shejhul Islam [vëll. 24, f. 220-221].

[64] Duhet të shohësh “Irvau el galil” [vëll. 3, f. 112-114].

[65] E ka transmetuar Muslimi [891], En Nesai [8413], Et Tirmidhi [534] dhe Ibën Maxheh [1282], nga Ebi Uakid el Lejthij (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

[66] E ka transmetuar Muslimi [878], Et Tirmidhi [533], En Nesai [vëll. 3, f. 184] dhe Ibën Maxheh [1281], nga hadithi i En Nua’man ibën Beshir (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

[67] “Zedu el Mead” [vëll. 1, f. 443]. Shiko gjithashtu “Mexheletu el Ez’her” [vëll. 7, f. 194].

Disa prej dijetarëve kanë folur për urtësinë e leximit të këtyre sureve në veçanti. Fjalët e tyre i gjen në librin “Sherhu Muslim” [vëll. 6, f. 182] dhe “Nejlu el eutar” [vëll. 3, f. 297].

[68] Nëse ke dëshirë të thellohesh në argumentet e kësaj, shiko çfarë ka shkruajtur mësuesi ynë, El Albani në librin e tij “Sifetu salati en Nebij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)“. Shiko gjithashtu broshurën time (të autorit) me titull “Et tedhkiratu fi sifeti vudui ue salati En Nebij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)“. Ajo është përmbledhëse dhe e shkurtër.

[69] “Sahihul Buhari” [vëll. 1, f. 134-135 (Hindije)].

[70] I njëjti burim i mësipërm.

[71] Në origjinë, kjo nuk duhet të konsiderohet kaza, pasi kështu emërtohet vetëm adhurimi i cili zëvendësohet jashtë kohës së përcaktuar.

[72] “Sherhu teraxhimi ebueb el Buhari” [80]. Shiko librin “El mexhmua” [vëll. 5, f. 27-29].

[73] Me nr [592- prej transmetimit të Ebi Musab].

[74] “El Mugni” [vëll. 2, f. 212].

[75] “El Mugni” [vëll. 2, f. 244].

[76] “Kitabu el Idejn”, tema me nr [8]. Shiko gjithashtu “Fethu el Bari” [vëll. 2, f. 453].

[77] E ka transmetuar Buhariu [962]; Muslimi [884] dhe Ahmedi [vëll. 1, f. 331 dhe 346].

[78] E ka transmetuar Buhariu [964]; Muslimi [888]; Et Tirmidhi [531]; En Nesai [vëll. 3, f. 183]; Ibën Maxheh [1276] dhe Ahmedi [vëll. 2, f. 12 dhe 38].

[79]“Sherhu teraxhimi ebuabu El Buhari” [79].

[80] Ai është Mirvan ibën El Hakem ibën Ebi el Asi, prijës emevit. Ka vdekur në vitin 65 hixhri. Biografija e tij ndodhet në “Tarihu et Taberi” [vëll. 7, f. 34].

[81] Në sunenin e tij [vëll. 2, f. 441].

[82] Shiko librin “El Umu” të imam Shafiut (Allahu e mëshiroftë!) [vëll. 1, f. 235-236] dhe librin “Aridatu el ehuedhij” [vëll. 3, f. 3-6] të El Kadi ibën el Arabi el Maliki.

[83] E ka transmetuar Buhariu [956]; Muslimi [889], En Nesai [vëll. 3, f. 187], El Bejheki [vëll. 3, f. 280] dhe Ahmedi [vëll. 3, f. 36 dhe 54].

[84] Me nr [1287]. E ka transmetuar gjithashtu El Hakimu [vëll. 3, f. 607] dhe El Bejhekij [vëll. 3, f. 299], nga Abdurrahman ibën Sad ibën Amar ibën Sad (Muezini): Nga Babai im: Nga babai i tij: Nga gjyshi i tij… dhe përmendi hadithin. Zinxhirin e transmetimit e ka të dobët. Abdurrahman ibën Sad është i dobët, ndërsa babai dhe gjyshi i tij janë anonim.

[85] “Zedu el Mead” [vëll. 1, f. 447-448].

[86] E ka transmetuar Ebu Daudi [1155]; En Nesai [vëll. 3, f. 185]; Ibën Maxheh [1290] dhe El Hakim [vëll. 1, f. 295]. Zinxhirin e transmetimit e ka të saktë. Shiko “Irvau el galil” [vëll. 3, f. 96-98].

[87] “Zedu el Mead” [vëll. 1, f. 448].

[88] Shiko gjithashtu “Mexhmu’ul Fetaua” [vëll. 24, f. 214].

[89] E ka saktësuar imam Ali ibën El Medini, ashtu siç është përmendur në librin “Et Telhis El Habir” [vëll. 2, f. 94].

[90] “Mexhmu’ul Fetaua” [vëll. 24, f. 253].

[91] El Xhelal es Sujuti ka përmendur në broshurën e tij me titull “Usulu el emeni bi usulu et teheni”, gjurmë të shumë prej selefëve ku përmendet urimi. Kjo broshurë është botuar e bashkangjitur me “El havij lil fetaua” [vëll. 1, f. 81-82]. Studimi i saj është i dobishëm.

Shiko gjithashtu librin “El Mesnua fi marifeti el hadithi el meudua” e dijetarit Ali el Karrij [87], si dhe komentimin që i është bërë.

[92] “Fet’hu el Bari” [vëll. 2, f. 446].

[93]Shiko “Minhexhul Muslim” [355-356].

[94] E ka transmetuar Ahmedi [vëll. 1, f. 321], Ibën Maxheh [3123], Ed Derakutni [vëll. 4, f. 277] dhe El Hakim [vëll. 2, f. 349] si dhe [vëll. 4, f. 231], me zinxhir transmetimi të mirë (hasen).

[95] E ka transmetuar Buhariu [5562], Muslimi [1960], En Nesai [vëll. 7, f. 224], Ibën Maxheh [3152], Et Tajalisi [936] dhe Ahmedi [vëll. 4, f. 312-313].

[96] Ka për të ardhur shpejt reagimi i atyre të cilët thonë se prerja e kurbanit është sunet, si dhe shfaqja e mendimit të tyre në lidhje me këtë çëshje.

[97] Ebu Ubejd ne librin “Garibu el hadith” [vëll. 1, f. 195] ka thënë: Ajo ka qenë një flijim (kurban) i cili therej në muajin Rexheb. Kështu vepronin arabët në kohën e injorancës, derisa erdhi feja islame, e cila në fillim e aprovoi atë dhe më pas e abrogoi (anuloi).

[98] E ka transmetuar Ahmedi [vëll. 4, f. 215], Ibën Maxheh [3125], Ebu Daudi [2788], El Begavi [1128], Et Tirmidhi [1518] dhe En Nesai [vëll. 7, f. 167], por në zinxhirin e tij të transmetimit ndodhet Ebu Ramle i cili është anonim (i pa njohur). Hadithi ka edhe rrugë tjetër transmetimi të cilën e ka nxjerrë Ahmedi [vëll. 5, f 76], por zinxhiri i tij i transmetimit është i dobët. Et Tirmidhi e ka vlerësuar këtë hadith në “Sunenin” e tij, meqenëse ai ka ardhur me rrugë tjetër. E ka mbështetur El Hafidh (Ibën Haxher) në librin “Fet’hu el Bari” [vëll. 10, f. 4]. Shiko gjithashtu librin “El Isabe” [vëll. 9, f. 151].

[99]“Xhemiu el usul” [vëll. 3, f. 317]. Shiko gjithashtu El ediletu el mutmeine ala thubuti en neskh fi el kitabi ue es sunne” [103-105] dhe “El Mugni” [vëll. 8, 650-651].

[100] E ka transmetuar Muslimi [1977], Ebu Daudi [2791], En Nesai [vëll. 7, f. 211-212], El Begavi [1127], Ibën Maxheh [3149], El Bejheki [vëll. 9, f. 266], Ahmedi [vëll. 6, f. 289] dhe [vëll. 6, f. 301 dhe 311], El Hakim [vëll. 4, f. 220] dhe Et Tahaviu në librin “Sherh meani el ether” [vëll. 4, f. 181], prej transmetimit të Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) .

[101] “El Mexhmua” [vëll. 8, f. 301], “Mugni el muhtexh” [vëll. 4, f. 282], “Sherhu es suneh” [vëll. 4, f. 348] dhe “El Muhale” [8/3].

[102] “Mexhmu’ul Fetaua” [vëll. 23, f. 126-164].

[103] I njëjti burim i mësipërm.

[104] E ka transmetuar Ahmedi [vëll. 1, f. 214, f. 323, f. 355]; Ibën Maxheh [3883] dhe Ebu Nuajm në librin “El Hilje” [vëll. 1, f. 114], nga El Fadël. Në zinxhirin e transmetimit të tij ka dobësi.

Por këtë hadith e ka transmetuar me rrugë te tjera Ebu Daudi [1732], Ed Darimi [vëll. 2, f. 28], El Hakim [vëll. 1, f. 448] dhe Ahmedi [vëll. 1, f. 225]. Këtu gjithashtu ka dobësi, por duke i bashkuar të gjitha rrugët, hadithi vlerësohet si hasen (i mirë) inshaAllahu. Shiko librin “Irvau el galil” [vëll. 4, f. 168-169] të profesorit tone, Al Albani.

[105] E ka transmetuar me këtë tekst Muslimi [844], nga Ibën Umeri. E ka transmetuar gjithashtu Buhariu [877], [894] dhe [919], po nga Ibën Umeri por jo me të njejtin tekst.

[106] Do të vij argumentimi i kësaj në pikën e tetë, për arsye se të dyja çështjet kanë lidhje me këtë hadith.

[107] E ka transmetuar Buhariu [5560] dhe Muslimi [1961], nga El Bera ibën Azib.

[108] El Hafidhu Ibën Haxher el Askaleni në “El Fet’h” [vëll. 10, f. 5], ka thënë: El Xhedhea quhet bagëtia e cila ka arritur një moshë të caktuar. Për delet është plotësimi i një viti, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve. Eth Thenije quhen devetë të cilat kanë mbushur pesë vjeç, si dhe lopët dhe dhitë të cilat i kanë mbushur dy vjetë dhe kanë hyrë në vitin e tretë. Shiko komentin e kësaj në librin “Zadu el Mead” [vëll. 2, f. 317].

[109] “Sahihu El Xhemia” [1592]. Shiko librin “Silsiletu el ehadithi ed daife ” [vëll. 1, f. 87-95].

[110] E ka përmendur këtë hadith Ahmedi [vëll. 4, f. 8], El Bejhaki [vëll. 5, f. 295], Ibën Hiban [3854] dhe Ibën Adij në librin “El Kemil” [vëll. 3, f. 1118], mirëpo në zinxhirin e tij ka shkëputje.

E ka transmetuar gjithashtu Et Taberani në librin e tij “Muxhmea” me zinxhir transmetimi në të cilin ka nënëvlerësim. Ky hadith ka ardhur edhe në rrugë tjetër të cilën e ka përmendur Ibën Adij në librin “El Kemil”, nga Ebu Said el Hudrij, me zinxhir transmetimi të dobët. Hadithi është hasen (i mirë) insheAllahu. Shiko librin “Nesbu err Rrajeh” [vëll. 3, f. 61].

[111] “Zedu el Mead” [vëll. 2, f. 319].

[112] E kemi përmendur më parë nxjerrjen e këtij hadithi. Shiko librin “Nejlu el eutar” [vëll. 5, f. 200-203].

[113] Hadithi në këtë temë e ka zinxhirin e transmetimit të mirë. Atë e ka transmetuar Ahmedi [vëll. 1, f. 80 dhe 108], Ebu Daudi [2804], Et Tirmidhi [4198], En Nesai [vëll. 7, f. 216], Ibën Maxhe [3143]; Ed Derimi [vëll. 2, f. 77] dhe El Hakim [vëll. 4, f. 222], gjithashtu prej hadithit të Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

[114] E ka transmetuar Buhariu [5552], En Nesai [vëll. 7, f. 213] dhe Ibën Maxhe [3161], nga Ibën Umer.

[115] Ka vdekur në vitin 103 hixhri. Biografia e tij e plotë gjendet në librin “Tehdhibu et tehdhib” [vëll. 7, f. 217].

[116] E ka transmetuar Et Tirmidhi [1505]; Maliku [vëll. 2, f. 37]; Ibën Maxhe [3147] dhe El Bejhekij [vëll. 9, f. 268]. Zinxhiri i transmetimit është hasen.

[117] E ka transmetuar Buhariu [5558], [5564] dhe [5565], Muslimi [1966] dhe Ebu Daudi [2794].

[118] Ashtu siç është përshkruar në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), të cilin e ka transmetuar Muslimi [1967] dhe Ebu Daudi [2792].

[119] Nuk di të ketë kundërshtuar dikush prej dijetarëve në këtë çëshje. Shiko pikën e dymbëdhjetë e cila është në ardhje.

[120] E ka transmetuar Buhariu [5569], Muslimi [1971], Ebu Daudi [2812] e të tjerë, nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!). për sa i përket haditheve të cilët ndalojnë nga depozitimi i mishit, ato janë abroguar (shfuqizuar). Shiko librin “Fet’hu el Bari” [vëll. 10, f. 25-26] dhe “El Iatibar” [f. 120-122]. Shiko gjithashtu librin “El Mugni” [vëll. 11, f. 108] të Ibën Kudames.

[121] E ka transmetuar Muslimi [317], Ebu Daudi [1769], Ed Darimi [vëll. 2, f. 74], Ibën Maxheh [3099], El Bejhaki [vëll. 9, f. 294] dhe Ahmedi [vëll. 1, f. 79, 123, 132 dhe 154]. E ka transmetuar gjithashtu Buhariu, por pa thënien: “Ne do ti japim atij kompensim nga ana jonë për punën e kryer.”

[122] E kemi përmendur më parë nxjerrjen e këtij hadithi.

[123] Shiko librin “Fet’hu El Bari” [vëll. 10, f. 351], “El Ikhtijarat el ilmije” [6], “El Muhal-le” [vëll. 2, f. 220] dhe “Gidheu el elbab” [vëll. 1, f. 376], etj.

Vëllai ynë, shejh Muhamed ibën Ismail, në librin e tij me titull: “Ediletu tehrimi halki el lihjeti”, i ka ekzaminuar me përkujdesje hadithet të cilat janë transmetuar në këtë çështje, duke përmendur edhe komentin e dijetarëve në lidhje me to. Gjithashtu ka grumbulluar edhe fjalët e përmendura në librat e medh’hebeve të ndryshme në lidhje me këtë çështje, si dhe mënyrën e të argumentuarit në to, duke mos lënë asnjë paqartësi apo dyshim. Unë këshilloj që libri i tij të lexohet, sepse është vërtet i rrallë. Shiko gjithashtu “Mexheletu el Ez’her” [vëll. 7, f. 328]. Kam shkruajtur një broshurë të përmbledhur me titull “Hukmu ed din fi el lihjeti ue et tedkhin” e cila është botuar vazhdimësisht (Elhamdulilah!)– Kjo broshurë është përkthyer në shqip dhe ka dalë në qarkullim-.

[124] Hadith i saktë. Nxjerrja më gjerësisht e këtij hadithi, gjendet në “Xhuz’u itibai es sunen” me nr [15] e autorit Ed Dijai el Makdisi, të ekzaminuar prej meje.

[125] Shiko “Sherhu en Nevevi ala Muslim” [vëll. 13, f. 10]; “Hashijetu ibën Abidin” [vëll. 5, f. 235]; “Aridatu el ehuedhij” [vëll. 7, f. 95] dhe “Eduau el bejen” [vëll. 6, f. 603].

[126] E ka transmetuar Ahmedi [vëll. 2, f. 50 dhe 92], nga Ibën Umeri. Zinxhirin e transmetimit e ka të mirë. E ka transmetuar gjithashtu Et Tahavi në librin “Mushkil el ether” [vëll. 1, f. 88], nga Hasen ibën Atije dhe Ebu Nuajm në librin “Ekhbaru Esbehan” [vëll. 1, f. 129], nga Enesi. Është përfolur mbi këtë hadith, por duke i shqyrtuar të gjitha këto rrugë, hadithi është i saktë (në dashtë Allahu!).

[127] E ka përmendur Buhariu në shënimet e tij me nr [5590]. E ka transmetuar Ebu Daudi [4039], El Bejhakij [vëll. 10, f. 221] etj. El hafidhu (Ibën Haxher) në librin “Hedju es sari” [f. 59] ka thënë: E ka transmetuar El Hasen ibën Sufjan në “Musnedin” e tij; El Ismailij dhe Et Taberani në “El Kebir” si dhe Ebu Nuajm, nga katër rrugë. Gjithashtu e ka transmetuar Ibën Hibani në “Sahihun” e tij, si dhe të tjerë pëveç tyre.

Fjala el hira, d.m.th organi seksual femëror, ndërsa kuptimi i kësaj fjale në hadith është se do ta bëjnë të lejuar imoralitetin. Për fjalën el meazif Ibën el Ethir në librin “En Nihaja” [vëll. 3, f. 230], ka thënë: “El Azfu është përdorimi i veglave muzikore, si defi, daullja etj. Edh Dhehebi në librin “Et Tedhkira” [vëll. 4, f. 1337], ka thënë: “ El meazif është emër i përbashkët për të gjitha veglat muzikore, si psh: mandolina, flauti, fyelli etj.

[128] E ka transmetuar Buhariu [5232] dhe Muslimi [2172], nga Ukbe ibën Amir.

[129] Babai i burrit nuk është për qëllim në këtë hadith, duke u argumentuar me vet tekstin Kur’anor. Shiko librin “El Mugni” [vëll. 6, f. 570].

[130] “El Faiku fi garibi el hadith” [vëll. 1, f. 318]. Shiko gjithashtu “En Nihaja” [vëll. 1, f. 448]; “Garibu el hadith” [vëll. 3, f. 351] dhe “Sherhu es suneh” [vëll. 9, f. 26-27].

[131] Të shmangura nga bindja dhe adhurimi i Allahut të Lartësuar, të cilat nuk e ruajn nderin e tyre. Shkëputur nga libri “En Nihaja” [vëll. 4, f. 382].

[132] Kuptimi i kësaj është se ato i fryjnë flokët e tyre në mënyrë që të duken sa më të dendura, apo i mbledhin topuz dhe nuk e ruajn shikimin e tyre (e Allahu e di më së miri).

[133] E ka transmetuar Muslimi në “Sahihun” e tij [2128], [2856], [52] dhe Ahmedi [vëll. 2, f. 223 dhe 356], nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

[134] Shiko hollësi të tjera në lidhje me bidatet (risitë në fe) të cilat ndodhin në varreza, në librin “Ehkamu el xhenaiz” [258-267] të shejhut tonë El Albani (Allahu e mëshiroftë!).

[135] E ka transmetuar Et Tirmidhi [2416] dhe El Hatib në “Tarihun” e tij [vëll. 12, f. 440], nga Ibën Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Në këtë hadith ka dobësi, mirëpo atë e përforcon hadithi i transmetuar nga Ebi Burzate, të cilin e ka nxjerrë Ed Darimi [vëll. 1, f. 131], Ebu Nuajmi në librin “El Hiljetu” [vëll. 10, f. 232] dhe Ibën ed Dubejthi në librin “Dhejl tarihu Bagdad” [vëll. 2, f. 163]. Hatibi e ka transmetuar gjithashtu nga Muadhi [vëll. 11, f. 441]. Pra hadithi është hasen (i mirë).

[136] “El Medkhal” [vëll. 1, f. 286] i Ibën Haxhit, “El Ibdau” [f. 135] i Ali Mahfudhit [vëll. 1, f. 27], “Sunenu el aidejni” [f. 39] i Esh Shukajrit.

[137] Ajo që mund të mendoj dikush prej njerëzve (se kjo mund të jetë prej sunetit) është e refuzuar. Shiko librin “Ahkamu el xhenaiz” [f. 254], “Mealimu es sunen” [vëll. 1, f. 27] dhe komentin e shejh Ahmed Shakir mbi “Sunenu et Tirmidhi” [vëll. 1, f. 103].

[138] E ka transmetuar Buhariu [13] dhe Muslimi [45]. E ka transmetuar gjithashtu En Nesai [vëll. 8, f. 115] dhe El Begavij [3474], duke shtuar në tekstin e hadithit fjalën: “.. prej mirësive ..”. Zinxhirin e transmetimit e ka të mirë.

[139] Disa prej këtyre bidateve i gjen të përmendura më hollësisht në librin “Eajedu el islam” [f. 58], kapitulli “Bidatet e dy festave të Bajramit”.

[140] Ky hadith është meudu (i trilluar). Shejhu ynë, El Albani (Allahu e mëshiroftë!) i ka bërë analizë të plotë këtij hadithi në librin e tij “Silsiletu el ehadithi ed daife” [520] dhe [521].