(27) Tema

Ç’farë ka ardhur për ezanin e parë në Islam

 

189- (Hasen) Na ka treguar Seid ibën Jahja ibën Seid El-Emevi, ka thënë: Na ka treguar babai im, ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibën Is’hak: Nga Muhamed ibën Ibrahim Et-Tejmi: Nga Muhamed ibën Abdullah ibën Zejd: Nga babai i tij, ka thënë: Kur u gdhi shkuam tek i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe i tregova atij ëndrrën që kasha parë. Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Kjo është një ëndërr e vërtetë, shko te Bilali (që të thërrasë ezanin) sepse ai e ka zërin më të fortë dhe më të gjatë se ti! Tregoji atij atë që të është thënë në ëndërr dhe ai të thërrasë me zë të lartë!”

Thotë (transmetuesi): Kur Umer ibën El-Hatab dëgjoi thirrjen e Bilalit shkoi te i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) duke tërhequr zvarrë rroben e tij dhe duke thënë: O i Dërguari i Allahut, pasha Atë që të ka dërguar ty me të Vërtetën! Unë kam parë në ëndërr njësoj si ato fjalë. I Dëguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Falenderimi i qoftë vetëm Allahut, kjo është akoma më e sigurtë.”

Në temë ka hadith edhe nga Ibën Umer. Hadithi i Abdullah ibën Zejd është Hasen Sahih. Këtë hadith e ka përcjellë gjithashtu Ibrahim ibën Sead nga Muhamed ibën Is’hak, më të plotë dhe më të gjatë se i përmenduri. Në të është përmendur edhe forma e ezanit në të cilin përsëriten fjalët nga dy herë dhe forma e ikametit në të cilin thuhen fjalët vetëm nga një herë.

Abdullah ibën Zejd është Ibën AbduRabihi dhe thuhet se është Ibën AbduRab. Nuk njohim prej tij ndonjë hadith nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) përveç këtij hadithi për ezanin.

Ndërsa Abdullah ibën Zejd ibën Asim El-Mazini ka përcjellë shumë hadithe nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe ai është xhaxhai i Abad ibën Temijm. [“Ibën Maxheh” (706)].

 

190- (Sahih) Na ka treguar Ebu Bekër ibën Ebi En-Nadr, ka thënë: Na ka treguar El-Haxhaxh ibën Muhamed, ka thënë: Ibën Xhurejxh ka thënë: Na ka njoftuar Nafiu: Nga Ibën Umer, ka thënë: Kur muslimanët shkuan në Medine mblidheshin duke e përcaktuar me mendje kohën e faljeve dhe askush nuk thërriste për kohën e faljes. Një ditë po flisnin për këtë gjë. Dikush tha: Merrni një këmbanë si ajo e të krishterëve! Ndërsa dikush tjetër tha: Merrni një bri (kafshe) si ai i çifutëve! Atëherë Umeri tha: A nuk po dërgoni dikënd që të thërrasë për t’u falur!? I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Bilal, ngrihu dhe thirr për t’u falur!”

Ky hadith është Hasen Sahih Garib nga hadithet e Ibën Umerit. [ق].

 

(28) Tema
Ç’farë ka ardhur për përsëritjen me vete të dy dëshmive

nga muezini gjatë ezanit

 

191- (Sahih) Na ka treguar Bishr ibën Muadh, ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibën Abdul-Aziz ibën Abdul-Melik ibën Ebi Mahdhura, ka thënë: Më ka treguar babai bashkë me gjyshin tim: Nga Ebi Mahdhura, se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e uli atë dhe po ia thoshte ezanin shkronjë më shkronjë. Ibrahimi tha: A ishte si ezani ynë? Bishri tha: Unë i thashë atij: Ma përsërit ezanin! Atëherë ia tha atë duke i përsëritur dy dëshmitë (shehadetet).

Hadithi i Ebi Mahdhur për ezanin është Hasen Sahih dhe është përcjellë nga ai me më shumë se një rrugë. Sipas këtij hadithi veprohet në Mekë dhe sipas tij është edhe fjala e imam Esh-Shafiut. [“Ibën Maxheh” (708)].

 

192- (Hasen Sahih) Na ka treguar Ebu Musa Muhamed ibën El-Muthena, ka thënë: Na ka treguar Affan, ka thënë: Na ka treguar Hemmam: Nga Amir ibën Abdul-Vahid El-Ahvel: Nga Makhul: Nga Abdullah ibën Muhajrijz: Nga Ebi Mahdhura, se: “I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ia ka mësuar atij ezanin me nëntëmbëdhjetë fjalë, ndërsa ikametin me shtatëmbëdhjetë fjalë.”

Ky hadith është Hasen Sahih. Emri i Ebi Mahdhuras është Semurah ibën Mi’jer.

Në këtë hadith janë bazuar disa dijetarë për ezanin dhe është përcjellë se Ebi Mahdhura e thërriste ikametin duke i thënë fjalët e tij vetëm nga një herë. [“Ibën Maxheh” (709)].

 

(29) Tema

Ç’farë ka ardhur për thënien nga një herë të fjalëve të ikametit

 

193- (Sahih) Na ka treguar Kutejbe, ka thënë: Na ka treguar Abdul-Vehab Eth-Thekafi dhe Jezid ibën Zurej’i: Nga Halid El-Hadhai: Nga Ebu Kilabe: Nga Enes ibën Malik, ka thënë: “Bilali ishte urdhëruar që ti përsëriste nga dy herë fjalët e ezanit dhe nga një herë ato të ikametit.”

Në temë ka hadith edhe nga Ibën Umer. Hadithi i Enesit është Hasen Sahih dhe në të janë bazuar disa dijetarë pre sahabeve dhe tabiinëve. Këtë fjalë ka edhe imam Maliku, Esh-Shafiu, Ahmedi dhe Is’haku. [“Ibën Maxheh” (729, 730)].

 

(30) Tema

Ç’farë ka ardhur për thirrjen e ikametit duke i përsëritur fjalët nga dy herë

 

194- (Me sened daif- të dobët) Na ka treguar Ebu Seid El-Eshexh, ka thënë: Na ka treguar Ukbeh ibën Halid: Nga Ibën Ebi Lejla: Nga Amër ibën Murrah: Nga Abdurr-Rrahman ibën Ebi Lejla: Nga Abdullah ibën Zejd, ka thënë: “Ezani it ë Dërguarit të Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka qenë çift-çift (duke i përsëritur fjalët nga dy herë), si ezani edhe ikameti.”

Hadithin e Abdullah ibën Zejd e ka përcjellë Vekij’u: Nga El-Eamash: Nga Amër ibën Murrah: Nga Abdurr-Rrahman ibën Ebi Lejla, ka thënë: “Na kanë treguar shokët e Muhamedit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) se Abdullah ibën Zejd e ka parë ezanin në ëndërr.” Ky është më i saktë se hadithi i Ibën Ebi Lejla. Abdurr-Rrahman ibën Ebi Lejla nuk ka dëgjuar gjë nga Abdullah ibën Zejd.

Disa dijetarë thonë se si në ezan ashtu edhe në ikamet fjalët thuhen nga dy herë. Këtë fjalë e ka thënë Sufjan Eth-Theuri, Ibën El-Mubarek dhe dijetarët e Kufas. Emri i Ibën Ebi Lejla është Muhamed ibën Abdurr-Rrahman ibën Ebi Lejla. Ai ka qenë gjykatësi i Kufas dhe nuk ka dëgjuar gjë nga babai i tij, por ka transmetuar hadithe nga një burrë, nga babai i tij.

(31) Tema

Ç’farë ka ardhur për thirrjen e ezanit ngadalë dhe pa shpejtuar

 

195- (Shumë i dobët) Na ka treguar Ahmed ibën El-Hasen, ka thënë: Na ka treguar El-Muala ibën Esed, ka thënë: Na ka treguar Abdul-Mun’im i cili është ai që u jepte ujë për të pirë njerëzve, ka thënë: Na ka treguar Jahja ibën Muslim: Nga El-Hasen dhe Ata’i: Nga Xhabiri: Se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) i ka thënë Bilalit: “O Bilal, kur të thërrasësh ezanin thirre ngadalë atë dhe kur të thërrasësh ikametin shpejto. Ndërmjet ezanit dhe ikametit lër aq kohë sa i duhet dikujt për të ngrënë dhe për të pirë, apo aq sa i duhet atij që hynë për të kryer nevojat e tij dhe mos e thërrisni ikametin derisa të më shihni mua!” [“El-Irvau” (228) Por fjala: “ dhe mos e thërrisni ikametin derisa të më shihni mua!” është e saktë dhe do të vijë më pas (517)].

 

196- Na ka treguar Abdu ibën Humejd, ka thënë: Na ka treguar Junus ibën Muhamed: Nga Abdul-Mun’im; njësoj si hadithi i parë. Hadithin e Xhabirit nuk e njohim veçse nga kjo rrugë, nga hadithi i Andul-Mun’im, por senedi i tij është mexh’hul-i panjohur. Abdul-Mun’im është dijetar nga Basra. [Shih hadithin e mësipërm].

 

(32) Tema

Ç’farë ka ardhur për futjen e gishtit në vesh gjatë thirrjes së ezanit

 

197- (Sahih) Na ka treguar Mahmud ibën Gajlan, ka thënë: Na ka treguar Abdurr-Rrazak, ka thënë: Na ka njoftuar Sufjan Eth-Theuri: Nga Avni ibën Ebi Xhuhajfe: Nga babai i tij, ka thënë: Kam parë Bilalin të thërrasë ezanin duke u rrotulluar dhe e çonte gojën këtej e andej (majtas-djathtas kur thoshte: “hajje alas-salah dhe hajje alal-felah”) dhe në të dy veshët fuste gishtat e tij. Ndërkohë i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ishte në një tendë të kuqe dhe më duket se tha: Ishte prej lëkure. Bilali kaloi para tij me një shkop në dorë dhe e nguli në Bat’ha- një lëndinë jashtë Mekes, para të cilit (shkop) u fal i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe para tij (pas shkopit) kalonte qeni e gomari. Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) kishte veshur një kostum të kuq dhe unë sikur shoh tani shkëlqimin e kërcijve të tij. Sufjani thotë: Mendojmë se kostumi ka qenë me vija të kuqe dhe jo i kuq.

Hadithi i Ebi Xhuhajfe është Hasen Sahih dhe sipas tij veprojnë dijetarët të cilët e konsiderojnë të pëlqyeshme që muezini të fusë gishtat në të dy veshët e tij  gjatë thirrjes së ezanit. Disa dijetarë kanë thënë që të bëjë kështu edhe kur thërret ikametin. Kjo është fjala e El-Euzait. Ebu Xhuhajfe e ka emrin Vehbi ibën Abdullah Es-Suvai. [“Ibën Maxheh” (711)].

 

(33) Tema

Ç’farë ka ardhur për shtesën që bëhet në ezanin e sabahut

 

198- (Daif- i dobët) Na ka treguar Ahmed ibën Menij’, ka thënë: Na ka treguar Ebu Ahmed Ez-Zubejri, ka thënë: Na ka treguar Ebu Israil: Nga El-Hakem: Nga Abdurr-Rrahman ibën Ebi Lejla: Nga Bilali, ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) më tha mua: “Mos thuaj “Es-salatu hajrun minen-neum” në ndonjë prej namazeve, përveç namazit të sabahut!”

Në temë ka hadith edhe nga Ebu Mahdhura. Hadithin e Bilalit nuk e njohim veçse nga transmetimi i Ebu Israil El-Mulai i cili nuk e ka dëgjuar këtë hadith nga El-Hakem ibën Utejbeh, por ai e ka transmetuar atë nga El-Hasen ibën Umara: Nga El-Hakem ibën Utejbe. Emir i Ebu Israilit është Ismail ibën Ebu Is’hak i cili nuk është transmetues i fortë tek dijetarët e hadithit.

Dijetarët kanë rënë në kundërshtim në lidhje me kuptimin e “tethvibit”-shtesës në ezanin e sabahut; disa thonë se ajo shtesë është të thuash: “Es-salatu hajrun minen-neum” në ezanin e sabahut. Kjo është fjala e Ibën El-Mubarek dhe  Ahmedit. Ndërsa Is’haku thotë: “Tethvibi i papëlqyeshëm” është shtesa që kanë shpikur njerëzit pas kohës së të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem); kur muezini thërriste ezanin dhe shihte që njerëzit vonoheshin për të ardhur në xhami, atëherë ai thoshte ndërmjet ezanit dhe ikametit: “kad kametis-salah, hajje alas-salah, hajje alal-felah”. Këto fjalë janë ato për të cilat Is’haku thotë se janë të papëlqyera tek dijetarët dhe të cilat i kanë shpikur pas të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem). Ndërsa komenti që i bëri Ahmedi dhe Ibën El-Mubarek “tehtvibit” është fjala “es-salatu hajrun minen-neum” në ezanin e sabahut, kjo është domethënie e saktë dhe këtë gjë e kanë zgjedhur edhe dijetarët. Është përcjellë nga Abdullah ibën Umer se ai thoshte në namazin e sabahut: “es-salatu hajrun minen-neum”. Ndërsa Muxhahidi transmeton: Hura me Abdullah ibën Umer në një xhami ku po thirrej ezani. Ne donim të faleshim në të, por muezini bëri shtesë në ezan dhe Abdullahi doli nga xhamia duke thënë: Eja të dalim prej këtij bidatçiu! Dhe nuk u fal në atë xhami. Thotë (Muxhahidi): Tethvibi-shtesa që urrente Abdullahi ishte ajo që shpikën njerëzit më pas. [“Ibën Maxheh” (715)].

 

(34) Tema

Ç’farë ka ardhur që ikametin e thërret ai që thërret ezanin

 

199- (Daif) Na ka treguar Hennad, ka thënë: Na ka treguar Abdeh dhe Jeala ibën Ubejd: Nga Abdurr-Rrahman ibën Zijad ibën En’um El-Ifrijki: Nga Zijad ibën Nuajm El-Hadrami: Nga Zijad ibën El-Harith Es-Sudai, ka thënë: Më urdhëroi i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) që të thërtas ezanin e sabahut dhe unë e thirra atë. Pastaj Bilali donte të thërriste ikametin, por i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Ezanin e thirri vëllai i Sudait dhe ikametin e thërret ai që thërret ezanin.”

Në temë ka hadith edhe nga Ibën Umeri. Hadithin e Zijadit e njohim nga transmetimi i El-Ifrijkit i cili është i dobët tek dijetarët e hadithit; e ka konsideruar të dobët Jahja ibën Seid El-Katan e të tjerë. Ahmedi thotë: Unë nuk e shkruaj hadithin e El-Ifrijkit. Ndërsa Muhamed ibën Ismail e ka forcuar disi gjendjen e tij duke thënë se atij mund t’i merret hadithi.

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se ikametin duhet ta thërrasë ai që thërret ezanin. [“Ibën Maxheh” (717)].

 

(35) Tema

Ç’farë ka ardhur për mospëlqyeshmërinë e thirrjes së ezanit

duke qenë pa avdes

 

200- (Daif) Na ka treguar Ali ibën Huxhr, ka thënë: Na ka treguar El-Velid ibën Muslim: Nga Muavije ibën Jahja Es-Sadefi: Nga Ez-Zuhri: Nga Ebu Hurejra: Nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), ka thënë: “Ezanin nuk e thërret veçse ai që ka avdes!” [“El-Irvau” (222)].

 

201- (Daif) Na ka treguar Jahja ibën Musa, ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibën Vehbi: Nga Junusi: Nga Ibën Shihabi, ka thënë: Ebu Hurejra ka thënë: “Nuk duhet të thërrasë për namaz (ezanin) veçse ai që ka avdes.”

Ky hadith është më i saktë se ai i pari, por hadithin e Ebu Hurejras, Ibën Vehbiu nuk e ka ngritur tek i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), megjithatë ai është më i saktë se hadithi i El-Velid ibën Muslim edhe pse Ez-Zuhri nuk e ka dëgjuar Ebu Hurejran.

Dijetarët kanë rënë në kundërshtim për thirrjen e ezanit pa pasur avdes; disa e konsiderojnë të papëlqyeshme, si Esh-Shafiu dhe Is’haku, ndërsa disa dijetarë të tjerë kanë bërë lëshim në këtë gjë, siç janë Sufjani, Ibën El-Mubarek dhe Ahmedi. [I njëjti burim i mësipërm].

 

(36) Tema

Ç’farë ka ardhur për thënien se imami ka më shumë të drejtë

 në kohën e thirrjes së ikametit

 

202- (Hasen) Na ka treguar Jahja ibën Musa, ka thënë: Na ka treguar Abdurr-Rrazak, ka thënë: Na ka njoftuar Israili, ka thënë: Më ka njoftuar Simak ibën Harb i cili ka dëgjuar Xhabir ibën Semurah të thotë: “Muezini i të Dërguarit të Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) priste dhe nuk e thërriste ikametin derisa shihte të Dërguarin e Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) të dilte, atëherë e thërriste ikametin.”  Hadithi i Xhabir ibën Semurah është Hasen Sahih, por hadithin e Israilit nga Simaku nuk e njohim veçse nga kjo rrugë. Kështu thonë edhe disa dijetarë; që muezini sundon ezanin, ndërsa imami ikametin. [“Sahih Ebi Daud” (548):م].

 

(37) Tema

Ç’farë ka ardhur për thirrjen e ezanit të natës

( për ezanin e parë të sabahut)

 

203- (Sahih) Na ka treguar Kutejbe, ka thënë: Na ka treguar El-Lejth: Nga Ibën Shihab: Nga Salim: Nga babai i tij, se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Bilali thërret ezanin e natës, prandaj hani dhe pini derisa të dëgjoni ezanin e Ibën Umi Mektum!”

Në temë ka hadith edhe nga Ibën Mes’udi, Aisha, Unejsa, Enesi, Ebu Dherri dhe Semura. Hadithi i Ibën Umerit është Hasen Sahih. Dijetarët kanë rënë në kundërshtim për ezanin e natës; disa prej tyre thonë se nëse muezini e thërret ezanin që me natë, ai ezan mjafton dhe nuk ka nevojë të thërrasë ezan të dytë. Kjo është fjala e imam Malikut, Ibën El-Mubarek, Esh-Shafiut, Ahmedit dhe Is’hakut. Ndërsa disa dijetarë të tjerë thonë se muezini duhet të thërrasë ezan tjetër edhe nëse thërret që me natë. Kjo është fjala e Sufjan Eth-Theurit (si dhe e Ebu Hanifes).

Transmeton Hamad ibën Seleme: Nga Ejubi: Nga Nafiu: Nga Ibën Umer, se Bilali thirri ezanin që me natë dhe i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e urdhëroi të thërrasë dhe të shtojë në ezan: Njerëzit fjetën!” Ky hadith është i panjohur, por i saktë është ai i Ubejdullah ibën Umerit e të tjerë: Nga Nafiu: Nga Ibën Umeri, se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Bilali e thërret ezanin që me natë, prandaj hani e pini derisa të thërrasë ezanin Ibnu Umi Mektum!”

Abdul-Aziz ibën Ebi Ravad transmeton nga Nafiu se: Një muezin i Umerit (radiallahu anhu) thirri ezanin që me natë dhe Umeri e urdhëroi atë që ta thërrasë përsëri.” Por ky hadith nuk është i saktë sepse ai është i prerë ndërmjet Nafiut dhe Umerit, dhe ndoshta Hamadi ka pasur për qëllim këtë hadith, por i saktë është transmetimi i Ubejdullah e të tjerëve nga Nafiu: Nga Ibën Umer… si dhe transmetimi i Ez-Zuhrit: Nga Salim: Nga Ibën Umer se: I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Bilali e thërret ezanin që me natë…” Nëse hadithi i Hamadit do të kishte qenë i saktë, atëherë ky hadith nuk do të kishte kuptim, sepse i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Bilali e thërret ezanin që me natë..” duke i njoftuar ata për atë që presin dhe nëse do ta urdhëronte t’a përsëriste ezanin nuk do ta thoshte atë fjalë.

Ali ibën El-Medijni thotë: Hadithi i Hamad ibën Seleme: Nga Ejubi: Nga Nafiu: Nga Ibën Umer: Nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem); është një hadith i panjohur dhe Hamad ibën Seleme ka gabuar në të. [“El-Irvau” (219):ق].

 

(38) Tema

Ç’farë ka ardhur për mospëlqyeshmërinë e daljes nga xhamia

 pas thirrjes së ezanit

 

204- (Hasen Sahih) Na ka treguar Hennadi, ka thënë: Na ka treguar Vekij’: Nga Sufjani: Nga Ibrahim ibën El-Muhaxhir: Nga Ebu Esh-Sheatha, ka thënë: Një burr doli nga xhamia pasiqë ishte thirrë në të ezani i ikindisë dhe Ebu Hurejra tha: “Ky njeri ka kundërshtuar urdhërin e Ebu El-Kasim (sal-lallahu alejhi ue sel-lem)”.

Në temë ka hadith edhe nga Uthmani. Hadithi i Ebu Hurejras është Hasen Sahih dhe sipas tij kanë punuar dijetarët prej sahabeve dhe pasardhësve të tyre: Askush të mos dalë nga xhamia pas ezanit veçse për ndonjë arsye; nëse është pa avdes apo për ndonjë punë të domosdoshme. Por Ibrahim En-Neh’ij thotë se mund të dalë nëse muezini nuk ka filluar të thërrasë ikametin. Kjo dalje për mendimin tonë është për atë që ka ndonjë arsye.

Emri i Ebu Esh-Sheatha është Sulejm ibën El-Esved i cili është babai i Esh’ath ibën Ebi Esh-Sheatha. Esh’athi e ka transmetuar këtë hadith nga babai i tij Ebu Esh-Sheatha. [“Ibën Maxheh” (733):م].

 

(39) Tema

Ç’farë ka ardhur për thirrjen e ezanit në udhëtim

 

205- (Sahih) Na ka treguar Mahmud ibën Gajlan, ka thënë: Na ka treguar Vekij’: Nga Sufjani: Nga Halid El-Hadhai: Nga Ebu Kilabeh: Nga Malik ibën El-Huvejrith, ka thënë: Unë dhe një djal i xhaxhait tim shkuam tek i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe ai tha: “Kur të jeni në udhëtim, thirreni ezanin dhe ikametin, pastaj të bëhet imam më i madhi prej jush në moshë.”

Ky hadith është Hasen Sahih dhe me të punon shumica e dijetarëve të cilët thonë se duhet të thirret ezani për namaz në udhëtim. Disa të tjerë thonë se ikameti do të mjaftonte, sepse ezani është për atë që kërkon të mbledhi njerëz, por fjala e parë është më e saktë dhe atë e ka thënë edhe Ahmedi dhe Is’haku. [“Ibën Maxheh” (979):ق].

 

(40) Tema

Ç’farë ka ardhur për dobinë e ezanit

 

206- (Daif) Na ka treguar Muhamed ibën Humejd Er-Razi, ka thënë: Na ka treguar Ebu Tumejle, ka thënë: Na ka treguar Ebu Hamza: Nga Xhabiri: Nga Muxhahidi: Nga Ibën Abasi se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush e thërret ezanin për shtatë vjet për Hirë të Allahut, atij do t’i shkruhet shpëtim nga Zjarri.”

Në temë ka hadith edhe nga Abdullah ibën Mes’ud, Theubani, Muavija, Enesi, Ebu Hurejra dhe Ebu Seidi. Hadithi i Ibën Abasit është Garib- nuk njihet veçse nga kjo rrugë. Emri i Ebu Tumejles është Jahja ibën Uadih, ndërsa emri i Ebu Hamzës është Muhamed ibën Mejmun. Xhabir ibën Jezid El-Xhu’fij e kanë konsideruar të dobët, madje Jahja ibën Seid dhe Abdurr-Rrahman ibën Mehdi e kanë lënë hadithin e tij. Kam dëgjuar El-Xharud të thotë: Kam dëgjuar Vekij’un të thotë: Sikur të mos ishte Xhabir El-Xhu’fij, atëherë njerëzit e Kufas do të kishin ngelur pa hadith dhe sikur të mos ishte Hamadi ata do të kishin ngelur pa fikh! [“Ibën Maxheh” (727)].

 

(41) Tema

Ç’farë ka ardhur për shprehjen: Imami është përgjegjës,

 ndërsa muezini i besueshëm

 

207- (Sahih) Na ka treguar Hennad, ka thënë: Na ka treguar Ebu El-Ahvas dhe Ebu Muavije: Nga El-Eamash: Nga Ebu Salih: Nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu), ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Imami është përgjegjës dhe muezini i besueshëm. O Zot! Drejtoi imamët dhe fali muezinët!”

Në temë ka hadith edhe nga Aisha, Sehël ibën Sead dhe Ukbeh ibën Amir. Hadithin e Ebu Hurejrës e ka përcjellë Sufjan Eth-Theuri dhe Hafs ibën Gijath e të tjerë, nga El-Eamash: Nga Ebu Salih: Nga Ebu Hurejra: Nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem). Gjithashtu e ka transmetuar Esbat ibën Muhamed: Nga El-Eamash, ka thënë: Më kanë treguar nga Ebu Salih: Nga Ebu Hurejra: Nga i dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem).

Këtë hadith e ka transmetuar gjithashtu Nafiu ibën Sulejman: Nga Muhamed ibën Ebi Salih: Nga babai i tij: Nga Aisha: Nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem).

Kam dëgjuar Ebu Zur’ah të thotë: Hadithi i Ebu Salih nga Ebu Hurejra është më i saktë se ai i tij nga Aisha. Ndërsa Muhamedin e kam dëgjuar të thotë: Hadithi i Ebu Salih nga Aisha është më i saktë, si dhe përmendi nga Ali ibën El-Medijni se ai nuk e ka konsideruar të qëndrueshëm hadithin e Ebu Salihut nga Ebu Hurejra dhe as atë nga Aisha në këtë temë. [“El-Mishkat” (663), “El-Irvau” (217), “Sahih Ebi Daud” (530)].

 

(42) Tema

Ç’farë thuhet kur muezini thërret ezanin

 

208- (Sahih) Na ka treguar Is’hak ibën Musa El-Ensari, ka thënë: Na ka treguar Mean, ka thënë: Na ka treguar Maliku…(ح)

Dhe na ka treguar Kutejbe: Nga Maliku: Nga Ez-Zuhri: Nga Ata’ ibën Jezid El-Lejthi: Nga Ebu Seid, ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kur dëgjoni ezanin thoni ashtu siç thotë muezini!”

Në temë ka hadith edhe nga Ebu Rafiu, Ebu Hurejra, Umu Habibe, Abdullah ibën Amër, Abdullah ibën Rabij’ah, Aisha, Muadh ibën Enes dhe Muavija. Hadithi i Ebu Seidit është Hasen Sahih dhe po si ai ka transmetuar Meamari e të tjerë nga Ez-Zuhri, si hadithi i Malikut. Këtë hadith e ka transmetuar edhe Abdurr-Rrahman ibën Is’hak: Nga Ez-Zuhri: Nga Seid ibën El-Musejjib: Nga Ebu Hurejra: Nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), por transmetimi i Malikut është më i saktë. [“Ibën Maxheh” (720):ق].

 

(43) Tema

Ç’farë ka ardhur për mospëlqyeshmërinë e të marrurit pagesë nga muezini për thirrjen e ezanit

 

209- (Sahih) Na ka treguar Hennadi, ka thënë: Na ka treguar Ebu Zubejd i cili është Abther ibën El-Kasim: Nga Esh’Ath: Nga El-Hasen: Nga Uthman ibën Ebi El-As, ka thënë: “Nga porositë e fundit që më dha i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ishte që të marr muezin i cili nuk kërkon pagesë për thirrjen e ezanit.”

Hadithi i Uthmanit është Hasen Sahih dhe sipas tij kanë punuar dijetarët të cilët e konsiderojnë të papëlqyeshme që muezini të marrë pagesë për thirrjen e ezanit dhe e konsiderojnë të pëlqyeshme për të që t’a bëjë për Hir të Allahut. [“Ibën Maxheh” (714)].

 

(44) Tema

Ç’farë lutje thuhet pasiqë muezini e mbaron ezanin

 

210- (Sahih) Na ka treguar Kutejbe, ka thënë: Na ka treguar El-Lejth: Nga El-Hukejm ibën Abdullah ibën Kajs: Nga Amir ibën Sead: Nga Sead ibën Ebi Uekas: Nga i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), ka thënë: “Kush thotë kur dëgjon muezinin: Edhe unë dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Një e të Pashoq dhe se Muhamedi është njeri dhe i Dërguari i Tij. Unë jam i kënaqur me Allahun si Zotin tim, me Muhamedin si të Dërguarin tim dhe me Islamin si Fenë time, atij i falen gjynahet e tij!”

Ky hadith është Hasen Sahih Garib dhe nuk njohim veçse nga transmetimi i El-Lejth ibën Sead nga Hukejm ibën Abdullah ibën Kajs. [“Ibën Maxheh” (721):م].

 

(45) Temë e njëjtë me të mësipërmen

 

211- (Sahih) Na ka treguar Muhamed ibën Sehl ibën Asker El-Bagdadi dhe Ibrahim ibën Jakub, kanë thënë: Na ka treguar Ali ibën Ajash El-Himsi, ka thënë: Na ka treguar Shuajb ibën Ebi Hamza, ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibën El-Munkedir: Nga Xhabir ibën Abdullah, ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush thotë pasiqë dëgjon thirrjen (ezanin): O Zot i kësaj thirrjeje të plotë dhe i këtij namazi të përhershëm, jepi Muhamedit vendin të cilin nuk e arrin veçse njëri prej robërve të Tu dhe gradën më të lartë, si dhe ngjalle atë në një vend të lavdërueshëm të cilin ia ke premtuar! Atij i bëhet hallall ndërmjetësimi im në Ditën e Kijametit!”

Hadithi i Xhabirit është Hasen Garib nga hadithet e Muhamed ibën El-Munkedir dhe nuk njohim ta ketë transmetuar atë ndokush tjetër përveç Shuajb ibën Ebi Hamzës: Nga Muhamed ibën El-Munkedir. Emri i Ebu Hamzës është Dijnar. [“Ibën Maxheh” (722):خ].

 

(46) Tema

Ç’farë ka ardhur se lutja që bëhet në kohën ndërmjet ezanit dhe ikametit

 nuk kthehet mbrapsht

 

212- (Sahih) Na ka treguar Mahmud ibën Gajlan, ka thënë: Na ka treguar Uekij’, Abdurr-Rrazaku, Ebu Ahmedi dhe Ebu Nuajmi, kanë thënë: Na ka treguar Sufjani: Nga Zejd El-Amij: Nga Ebu Ijas Muavije ibën Kurah: Nga Enes ibën Malik, ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Lutja në kohën ndërmjet ezanit dhe ikametit nuk kthehet mbrapsht.”

Hadithi i Enesit është Hasen Sahih. Të ngjashëm me të ka transmetuar edhe Ebu Is’hak El-Hemdani: Nga Burejd ibën Ebi Merjem: Nga Enesi: Nga i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem). [“El-Mishkat” (671), “El-Irvau” (244), “Sahih Ebi Daud” (534)].